Nga Shpendi Topollaj
-Rreth librit të Uran Kalakullës: “Arshi Pipa – njeriu dhe vepra” –
Memorie.al / Në galerinë ende të verbër dhe thuajse të panjohur të jetës dhe veprës së profesor Arshi Pipës, botimi i poezive brilante te “Libri i burgut”, apo i diçkaje tjetër nga krijimtaria e tij, ka qenë vetëm një pishtar i cili edhe pse shkëlqen me madhështi solemne, kurrsesi nuk mund të ndriçonte thesaret e pafund që i la kulturës dhe letërsisë sonë, burri që pas nëntorit 1944, i dha të drejtë Stendalit të zhgënjyer që thoshte: “Lum heronjtë që vdiqën para vitit 1804”, pra kur Napoleoni rrëzoi republikën dhe shpalli veten perandor.
Është kjo arsyeja e parë, ndoshta që i jep vlera të veçanta punimit prej akademiku të vërtetë, të nderuarit Uran Kalakulla, për të shkuar pastaj te fraza e mençur e largpamëse e Martin Camajt se Shqipëria do të jetë vend i lirë vetëm kur shqiptarët të mund të njohin e vlerësojnë shkrimtarët e tyre të mëdhenj si Arshiu, të cilit si pak kujt i shkojnë vargjet e Fishtës:
“Veçse po, moj zanë shqyptare,
Krah m`krah bashkë tuj këndue.
Ndërtue kemi i përmendare.
Rrfe`as mot, mos me dërmue”.
Historia e zhvillimit njerëzor na tregon, se rruga për te majat si para, ashtu dhe pas Krishtit, është e vështirë. Vetëm zoti e di se me ç’rreziqe u përballën ata që synuan polet, si Skoti, Amundseni e Piri, apo ata që pushtuan Everestin si Hillari e Tencingu. Ja pse dhe Graham Grini, në intervistën dhënë Vili Vinklerit, thoshte: “Nuk mund ta kuptoj jetën pa kundërvënien ndaj një rreziku. Është ai që i jep aromë asaj”. Dhe kjo aromë bëhet edhe më joshëse kur jeta dhe fati i atij që shkruan ngjet si dy pika uji me jetën dhe fatin e atij për të cilin shkruhet.
Kush tjetër më mirë se kunati i tij, mendimtar dhe atdhetar si ai, që i lidhur duar e këmbë me hekura në qelinë e vdekjes, për 64 ditë me radhë priste pushkatimin, në moshën 32 vjeçare, dënim që më pas ju kthye në burgim, ku qëndroi jo pak, por plot 21 vjet, do të mund të shkruante për një figurë mjaft madhore si ajo e antikomunistit demokrat, poetit, kritikut, filozofit, gjuhëtarit e politologut Arshi Pipa, i cili duke folur për Kroçen, shpjegon parimet e tij morale, duke thënë: “…e bukura dhe e ndershmja janë të ndara mes tyre. Pra, një vepër morale ose jo, është në dorë të artistit. Kështu, një libër skandaloz, estetikisht mund të shkojë, por autori nuk duhet të shkruajë kurrë”.
Në libër citohet dikush që thotë për Arshiun, se; “qe dritë kur Shqipërinë e mbuloi terri, qe shtyllë kur bota shqiptare shembesh përqark. Arshiu fliste e shkruante kur shumica kishte frikë të merrte frymë”. Por edhe vuajtjet, qëndresa dhe puna në fshehtësi skutave të burgjeve, i japin njësoj të drejtën Uran Kalakullës, të na përmendë ligjëratën e Maratit në vitin e famshëm `93, kur i çuar në gjyq nga zhirondinët, deklaroi: “Unë nuk jam si ju, që vetëm dje dolët në liri, unë kam shijuar dashurinë për të që në gjirin e nënës dhe unë kam qen i lirë 40 vjet më parë, kur Franca banohej prej skllevërve. Penda ime nuk ka pasur frenim tjetër, përveç atij të së vërtetës. Sikur tërë vendimet e botës të mblidhen, ajo kurrë nuk do të njohë tjetër”.
Merreni si të doni, por kur të lexoni librin e Uranit për Arshi Pipën do të shihni se ai aty ka shkruar edhe për veten e tij. Ai, si protagonist i librit të tij qe nga ata martirë që kërkonte Mur (Moore), te “Familja Fixhi”: “Kush vuajtjen mos t’a mbajë dhe shpresën mos ta humbë”. Ai, si protagonisti i tij në situata tepër të rënda ngjet me atë personazhin e Remarkut që thoshte: “Le të hamë shpresën me që nuk kemi gjë tjetër për të ngrënë. Le të hamë të gjithë shpresën që mund të gjendet. Duhet ta kalojmë këtë gjendje dhe ta kalojmë se s`bën…”!
Prandaj ai ka gjetur forca, po si protagonist i tij që shkruante në letra cigaresh, të shkruaj “Gramatikë – metodike e gjuhës shqipe” 760 faqe, “Album portretesh” 200 faqe, poemën satirike “Zullumqarët”, romanin fantastiko – shkencor “Robot elektroniku”, “Histori filozofie” 500 faqe, romanin erotik “Pasion erotik” 300 faqe, traktatin “Mbi personalitetin” rreth 200 faqe, romanin historik “Falkoi i Arbërit”, me protagonist Avni Rustemin, rreth 700 faqe, romanin tjetër historik, me titull të ndryshuar “Fataliteti i lirë” 450 faqe. Dhe si të ishin shkruar 2000 a 3000 vjet më parë, në kohën e tragjedive greke, shumica e këtyre veprave nuk do të bien kurrë në dorë të lexuesve, pasi kanë humbur.
Por edhe kështu, ato e bëjnë një shërbim: na mësojnë se kur është puna për të shkatërruar kulturën, pasurinë më të madhe të njerëzve, regjimet despotike, atë që s`e bëjnë dot shekujt, e realizojnë si përbindësha të vërtetë brenda një kohe tmerrësisht të shkurtër. Njëkohësisht, unë i përmenda ato, për të argumentuar bindjen time se Urani kish nisur qysh herët të shkruante “Vjersha”, “Ditar poetk”, “Ditar” me prozë në vitet e gjimnazit dhe që pas daljes nga burgu, është paraqitur me një mori punimesh publicistike, të cilat të përmbledhura po botohen në dy vëllime dhe ka gati kujtimet e fëmijërisë 300 faqe, ato të burgut dhe internimit 400 faqe, dhe ka botuar esenë me titull “Shqiptarizmi dhe prirja e tij europiste”. Me gjithë këtë përvojë ai e ka të vështirë të ndajë veprën e Arshi Pipës nga vetë Arshiu.
E gjithë kjo është në lartësinë e trajtimit shkencor të figurës së tij. Them shkencor, pasi vetë Arshiu, punoi tërë jetën me skrupulozitetin e një shkencëtari. Qysh 21 vjeç, Arshiu, duke zgjedhur për temë diplome filozofinë e Henri Bergsonit dhe duke shpalosur pa ndrojtje pozicionimin e pikëpamjeve të tij kritike ndaj nobelistit, pa u merakosur për habinë e deri kundërvënien e rektorit të madh Paola Laman, që ishte një nga patriarkët e profesorëve europianë të filozofisë, u evidentua si kampion guximi e mendimi të lirë.
As që mund të mendohet se aso kohe Arshiu, nuk njihte Lukianin, që rrëfente për filozofin e historianin Kalisten, i cili vdiq në burg ngaqë qortoi Aleksandrin, nuk kishte dëgjuar sesi Volteri pasi shkroi “Letrat filozofike”, rrezikonte të burgosej, ndaj u arratis në Hollandë dhe Hajnrih Man më 1933, u largua nga Gjermania për në Francë, Portugali dhe SH.B.A., ngaqë e dinte se çfarë e priste në regjimin hitlerian, por kjo nuk e stepte atë. Ai fundja le të vdiste, siç shprehej Elyari, për pavdekësinë e të tjerëve. Ai nuk hoqi dorë nga idetë dhe veprimtaria demokratike, edhe kur ju desh të provonte mos aprovim dhe urrejtje, edhe nga turma të verbra.
Ai vetëm se kujtonte duke nënqeshur, fatin e atij skitit të ditur, mik i Solonit, pra në shekullin e VI – të para erës së re, që udhëtoi të sillte kulturë dhe si shpërblim u vra nga bashkatdhetarët e tij. Antifashisti i vendosur Arshi Pipa, botoi në vitin 1943, vëllimin poetik “Lundërtarë”, e një vit më pas, revistën “Kritika”, që nuk pati jetë të gjatë, por që mbetet e vetmja në llojin e saj në vendin tonë. Në burg shkruan esenë “Skica për konceptimin e jetës”. Pastaj, pas arratisjes, boton me radhë “Meridiane”, “Rusha”, “Trilogjinë” (tre vëllime), kritikën me titull “Montale dhe Dante”, “Studime për Kososvën”, “Stalinizmi shqiptar – Aspekte politike”, “Letërsia shqiptare” etj.
Njohës i disa gjuhëve të huaja, ai shkruan në këto gjuhë dhe përkthen autorë të ndryshëm në shqip, si p.sh.; “Lyrika latine”, por dhe merret me problemet e gjuhës shqipe, me atë të dialekteve për të cilat thotë: “Unë kundroj me simpati një gjendje, qysh është kjo e sotmja, kur një Shqipni e vogël, shembull fort i rrallë n`Europë, asht e zonjë me u shprehë në dy gjuhë letrare. Ky asht një shenj pasunie, kulture që na shquen cilido qoftë shkaku i tij”. Arshi Pipa nuk kundërshton se duhet kundërshtuar, ai argumenton: “Gegënishtja, thotë ai, me toskënishten, plotësohen në fushë letrare në një mënyrë fatlume. Ka gjana që njena i thotë ma fuqishëm, tjetra i shpreh ma këndshëm”. Ai e përktheu Lukrecin në gegërishte, se aty gjen “hovet vigane të mendimit dhe trandjen e gjithanshme të shpirtit”. Virgjilin, përkundrazi na e sjell në toskërishte, “jo se ai nuk mund të përkthehet mirë dhe gegërisht, por ajo diçka e vagullt dhe fluide që është në poezinë e tij shtrihet më mirë në toskërishte…”!
Po kështu mendon për Katulin e Horacin. E po kështu shkruan vetë, për të thënë më saktë, se ai di të përdorë të dy dialektet me të tillë mjeshtëri, sa në këtë fushë nuk mund t`i gjendet shoku. Krahasoni për këtë “Shemo hajduti” e “Kupe Danja”. Ky qëndrim i Arshi Pipës pas Kongresit të njehsimit të gjuhës shqipe, siç dihet ngriti një furtunë kundër tij. U gjet rasti, të prihen kalemat e të hidhet baltë mbi qëndrimet e Arshiut, sidomos nga kalemxhinjtë e ideologjisë zyrtare, por edhe nga njerëz të paditur.
Uran Kalakulla, me mendje të ftohtë analizon në mënyrë të shkëlqyer këtë moment kaq të rëndësishëm dhe kaq të sinqertë të Arshiut, pa harruar të bëjë edhe vërejtjet e veta, sidomos për pasionin e tij të madh që e çon në konkluzione të shtyra dhe zellin ndaj gegërishtes që e çon deri në konservatorizëm. Zura në gojë vërejtjet që autori i bën protagonistit të tij. E pra, kur ta lexoni të gjithë librin do të gjeni plot të tilla që shpesh marrin trajta të një qëndrimi kritik. Kjo më shumë për të parashtruar dhe ai si autor, pikëpamjet e tija, por dhe pse afërsia me vetë Arshiun i ka dhënë atij rastin, që çka për t`i thënë t`ja thoshte atij në sy për së gjalli.
Dhe ajo që të gëzon, është se vetë filozofi erudit, reflektonte mbi qëndrime e mendime jo të drejta. Se a nuk ishte vetë Arshiu, ai që në një artikull programor; “Shpirti kritik”, kishte thënë: “N`art e në letra, në shkencë e filozofi e, deri në fe, kritika është baza e çdo ndërtimi të sigurt, kritika është shenji i mendjes së pjekur”? Me Arshiun, në periudhën e luftës, periudhë që Kalakulla e quan në libër, koha e iluzioneve, ngjan tamam si me Davidin e “Iluzioneve të humbura”, për naivitetin e të cilit Balzaku shprehet: “Shpirtrat e larta mezi e kuptojnë ekzistencën e së keqes e mosmirënjohjes” dhe më pas, për t’u bindur për këtë, “atyre u duhen disa mësime të ashpra nga jeta”.
Arshi Pipa i mori mësimet e ashpra nga jeta, në moçale e burgje, për të cilat shkruan poezi:
“O Buchenvald, o Majdanek, Dachau!
Kangën për ju nisa e nuk e sosa,
k`tu do ta kryej ku n`ashin tim vulosa,
gjithçka n`anmiq gjermani dogj e vrau”.
I nxori këto mësime, kur komunistët i vranë të vëllanë, Myzafer, ndaj dhe ka burrërinë, kur u kthye pas 35 vjet syrgjyni të pohojë: po ke të drejtë, atëherë kemi gabue rëndë! Duke folur për jetën dhe veprën e njeriut të madh Arshi Pipa, zoti Uran Kalakulla, as ndjek thjesht një rend kronologjik e as e përqendron vëmendjen vetëm në çka bëri e ç’rrugë ndoqi heroi i tij. Të krijohet përshtypja se ai herë – here harron se po shkruan për dikë tjetër. Në libër ka pasazhe, shpesh dhe faqe të tëra që flasin me gjuhën dhe mendjen e vetë autorit. Sikurse ka një ndërthurje, një koment, një ndërhyrje a një vlerësim për gjithçka lidhet me emrin e Arshiut.
Për ilustrim, po citoj diçka: “Shtresa intelektuale, siç shihet sidomos ajka e saj, që ka nam dhe prestigj, sikur e respekton një çikë si fort pavarësinë e saj, dhe në një fare mënyre, që ta themi troç, duke ia bërë disi vetes me sy, i sheh lëvizjet nga lart poshtë. Këtë qëndrim të gabuar, ajo e merr vesh vetëm atëherë kur në saj të indiferencës së saj, ekipet që marrin pushtetin, sidomos të natyrës diktatoriale dhe te të cilët ekipe ka mungesa të dukshme inteligjence e kulture, nisin dhe ja vënë intelektualëve dy këmbët në një këpucë ose, i detyrojnë pastaj të punojnë si Çeçua për ta, ose i eliminojnë fare, deri fizikisht”.
Po kështu, duke analizuar “Librin e burgut”, ai shkruan me nuancë të dukshme letrare: “Një vëllim poetik në këtë drejtim, i ngjan një kopshti me lule të ndryshme, secila nga të cilat kanë bukurinë e vet. Është vizitori i këtij kopshti, që i jep të drejtë vetes të përzgjedh këtë apo atë lule, për të bërë tufëzën që do të marri me vete, për t`u kënaqur sa të jetë e mundur më gjatë, aromën e tyre. Apo mos do të ishte vallë më mirë, ta krahasoni këtë tufë poezish, si një gjerdan perlash ku mes tyre ka lule floriri, gurë të çmuar, si zefir, smerald, topaz, rubinë, diamante? Hajde pastaj zgjidhe po deshe. Tundimi të mundon në çdo çast, sapo prek secilin e kënaqesh me shkëlqimin e tij.
Megjithatë, më shumë se perlat pa dyshim të merr sytë xhevahiri! Dhe ka xhevahire në tërë veprën e Arshi Pipës, sa autori i librit kushtuar atij i magjepsur nga bukuria e tyre, dorëzohet, siç ndodh të dorëzohemi jo rrallë, nga bukuria hyjnore e një vajze, të cilën as guxojmë të zëmë e ta përshkruajmë, se na duket sikur ia ulim vlerat. Kur i vjen radha shkrimeve, “Dante dhe Montale”, ai mjaftohet vetëm me një justifikim dinjitoz:
“Më duket se do t`ja prishim bukurinë, një hyrjeje kaq të saktë, që na jep kuint esencën e gjithë veprës, po të shtonim diçka nga vetja jonë”…! E thamë që në krye, se vepra letrare e profesor Pipës, është një bibliotekë më vete. Ajo çka është shkruar
aty, ka përmasat e një galerie e cila duke qenë e errët dhe gati – gati e panjohur, ndiente nevojën e një udhërrëfyesi, që me qiri në dorë, t`a çonte vizitorin pranë çdo eksponati, punë që mëse miri e bën ky studim i Uran Kalakullës, i cili duhet të ndihet plotësisht i kënaqur dhe i shpërblyer ashtu siç shpreson dhe vetë në parathënien e librit të tij.
Kur u kthye në Shqipëri, në fillim të korrikut të 1992, Arshiu që dikur kishte shkruar; “Ndryshe kem Bajram e Pashkë / besë e nderë i kemi bashkë”, u prit si ai djali që i përzënë padrejtësisht si plëngprishës, troket në derë me shpresën se të gjithë do t`i gëzohen, pasi e kanë kuptuar se ndaj tij kishin
gabuar dikur. Por fatkeqësisht, me atë që meritonte kurorë dafinash, nuk ngjau plotësisht kështu; atij dikush, dhe këta ishin të mençurit, shpejtoi t`i hapte derën e t`i hidhet në qafë, dikush e pa me dyshim, e shau me fjalë të ndyra të dala nga një gojë plaku plot jargë, e që andej nga ashefi i nxirë, ku është mësuar të rrijë prej vitesh pranë hirit të oxhakut, një gërmuq që pret verrin, t`ia drejtojë gungën e shëmtuar, shpifën për Arshiun se gjoja paska thënë “të varen komunistët” dhe ai që është i predispozuar të besojë, beson kollaj.
Kishin bërë një herë krim duke e përzënë birin e vëllanë e tyre të mirë, po bënin njëqind herë krim, duke dashur të mos e pranonin atë, që i sillte vendit të tij thesare kulture dhe lavdi. E pra, ai vetëm pati thënë: “Jo xhanëm, nuk është aspak fjala për hakmarrje, boll me burgje e internime, se ndryshe kjo punë s`mbaron kurrë”. Por ai edhe sikur të bënte një shaka të vogël e, të thoshte: “u ngrini një monument atyre që na burgosën e internuan, që na poshtëruan e varfëruan”, gungaçët e injorantët, do përsërisnin me symbyllur: kujdes se është poli-agjent! Duke na kujtuar kështu ata muzhikët e pagdhendur e dyshues, që s`pranonin tokat që u dhuronte çifligari i tyre Nekludovi.
O zot, ç’na ka gjetur! Por sido që të jetë, zhurma e përplasjes së dallgëve që mbajnë hirin e trupit të këtij personaliteti, flasin. Ato gjithmonë do të na kujtojnë se ai me jetën e veprën e përshkruar me aq dashuri, nga i nderuari Uran Kalakulla, meriton ato fjalët e zemrës, që Hygoi tha në varrimin e Balzakut: “Në kohën tonë, s`ka më iluzione. Tani vështrimet nuk i drejtojmë nga sundimtarët, por nga mendimtarët, prandaj tërë vendi dridhet, kur zhduket njëri nga këto koka të mëdha…, fati di ç’bën, kur e vë popullin ballë për ballë misterit më të lartë dhe e bën të mendojë se vdekja është barazia më e lartë si dhe liria më e lartë.
Shpirtrat e të gjithëve duhet të mbushen vetëm me mendime serioze dhe të madhërishme, kur vdes me lavdi një shpirt i lartë që ka pluskuar mbi turmat, me flatrat e gjenisë, dhe papritur hap krahët që të zhduket tek e panjohura. Jo, jo tek e panjohura… kjo s’është terr, por është dritë. Kjo s’është hiçi, por është përjetësia. Nuk është fundi, por është fillimi”. Memorie.al