Nga Eduard M. Dilo
Një vështrim mbi kujtimet e poetit Pëllumb Lamaj, nga blloku “Ditari i burgut”!
Memorie.al / Ndër duar kam një tufë me krijimtari të poetit, skenaristit, shkrimtarit dhe përkthyesit Pëllumb Lamaj. Vijnë shkrimet e tij shkruar thjesht, plot ndjenjë, dashuri, sinqeritet, përkushtim e me mendim të qartë. Janë vargje të poetit që ja vranë ëndrrën, ja pushkatuan rininë, por nuk e mposhtën, në shpirt ngeli i lirë, me shpirt të bukur. Ai vjen në krijime, tamam si poet rebel. Aty i prangosur, aty mes bajonetave që pikonin gjak shqiptari, aty ku dhe zogu kur hynte në kampet e vdekjes e shihej si provokator, aty ku dhe qeni shok i pa ndarë, me ata që vuanin kur ju turr xhelatit që do qëllonte të burgosurit, u dënua me varje..! U rrit dhe u burrërua poeti, aty u bë erudit, zotërues i më se pesë gjuhëve të huaja.
U bë historian se mësoi shumë nga ata shqiptarë të vërtetë të studiuar në Perëndim, që ishin tepër të vendosur e që vuanin patriotizmën e të qenit Shqiptar. Aty formoi karakterin, aty mësoi se si duhet të jetë njeriu patriot, se si duhet të jetë shqiptari i vërtet.
Vargjet, shkrimet e tij në prozë, kanë ngadhënjim mbi të keqen, kanë realitet, kanë ngjyrim, kanë madhështi. Vargjet e tij janë vargje që duhet të hyjnë në letërsinë e vërtetë shqiptare e, nxënësit të mësojnë çfarë do të thotë dashuri për Atdhe, për Komb, për njerëzit, çfarë do të thotë dhe diktaturë…!
Pëllumbi nuk shkruan vetëm poezi, por dhe tregime, skenare dokumentarësh, përkthime, esse…! Ndër to përmendim; “Duart e Nënës”, “Dashuri të vrara”, “Dy pika lot”, “Kur ngordhi përbindëshi i kuq”, “Çfarë del nga macja, do gjuajnë minj”, “Fisnik lind, nuk bëhesh”, “Viti i Ri”, ”Statuja e Lirisë”, ”Sot mbush njëzete vjet”, “Mëkatarët”, “Mikroborgjezia katërmbëdhjetë vjeç”, “Kulaku”, “Në emër të popullit”, “Renegatët”, “Larot e oborrit”, etj.
Gjithashtu ka përkthime të ndryshme nga Viktor Hygo, Cabriele Anunzio, P. Shelly, Gerarrd De Nerval, Teodor Storn, Scaroni, Secheti, Leopardi, Fides, G. Ungareti, K. Rosseti, etj. Vargjet e tij vërtet mbartin dhimbje, por dhimbja është për padrejtësitë që i janë bërë Kombit, Atdheut tonë, nga klikat udhëheqëse, që ende fatkeqësisht vazhdojnë. Vargjet mbartin realitet të parashikuar, aty mes telave me gjemba, ku nata ishte e gjatë, e tmerrshme, e pa parë gjëkundi…!
Njollat e gjakut shpërndarë nëpër muret e qelive, klithmat e atyre që torturoheshin, emrat e skalitur me dhembje, nëpër muret plot lagështi e myk, që këtë djalë në moshën e njomë, në më të bukurën moshë, e mbanin të mbërthyer me pranga, bënin që shpirti i tij i lirë në brendësi, të shpërthente me këto vargje, që i ka të skalitur aq ndjeshëm:
“Brenda katër muresh,
rrethuar nga terri,
zvarritem pa rreshur,
s’po di nga lind dielli.
Brenda katër muresh,
shtangur nga vetmia,
hijet më rrethojnë,
nxin e tërë qelia.
Brenda katër muresh,
kruspull nga të ftohtit,
pres të vijë mesnata/
t’i drejtohem ZOTIT.
Brenda katër muresh,
dhe pse natë e thellë,
më kot pres unë ZOTIN,
ai ësht në qiell…”!
(“Qelia”, viti 1979)
Ky ambient tepër gijotinës, nën dritën e zbetë, ku veç minjtë qenë shoqërues të përhershëm, ku buka me myk, me pak ujë sa për të njomur buzën e zhuritur, ishte lajtmotivi nga ku do të fillonte shpërthimi i fuqishëm. Në ferrin spaçian kur e çuan, gjeti aty shumë bashkëvuajtës që kishin mbi 25-30-të vjet, dënime të rënda e, të pa shpresë se do të dilnin gjallë.
“Ç’thotë bota e qytetëruar, ç’thotë Perëndimi”? – pyesnin gjithë interesim e një fije shpresë ata që vuanin aty – unë i vështroja e veten e vështroja. Nuk doja t’ju prishja ëndrrën dhe tu vrisja atë pak shpresë…! Dhe një natë të acartë dimri, thellë në zemër të malit, në atë gropë vdekjeje, në galerinë e zonës së dytë, në dritën e zbetë të kandilit, unë do të hidhja në një copë letër këto vargje:
“Eh statujë, statujë e Lirisë,
sa kurora rrinë vyshkur mbi ball,
jehona dashurie që kurrë s’u dhuruan,
kafka martirësh mbetur pa varr,
Eh statujë, statujë e Lirisë,
e vetmja shpresë, i vetmi zjarr,
e vetmja shpresë ku shpresat udhë bëjnë,
përzier me klithma., kulluar në gjak,
Eh statujë, staujë e Lirisë,
e vetmja dritë që na mban gjall,
por dhe po ikëm pa u takuar,
Besomë, do vinë të të puthin vrasësit tanë”!
(Statuja e Lirisë -1979).
Vargje tejet të fuqishme, një parashikim, që kurrë nuk do ta donim të ishte kështu…! Vargjet janë tamam kushtrim, për të zgjuar ndjenjën njerëzore dhe kombëtare, për ta bërë ashtu si duhet Mëmëdhenë. Njeriu që rritet me shpirt të lirë, nuk mund të jetë ndryshe, është i drejtë për të drejtën, është ç’mohues për mohimet, është fisnik e me shpirt të pastër. Të tillë e kemi poetin, në vargjet e shkruara atë kohë (1979).
Ishte i qartë në mendime, i pjekur para kohe nga vuajtjet që kalonte mes vuajtjesh jetën e bukur rinore, kish kuptuar drejt e qartazi qëllimin e barbarëve të cilët, mundoheshin t’i lodhnin shpirtërisht, mendërisht, fizikisht, që një ditë të bëheshin viktima dhe persekutorët e pa shpirt, ta kishin të lehtë për të mbyllur faqen e krimit e gjenocidit komunist gjysem shekullor, të ushtruar aq barbarisht mbi shtresën më fisnike, intelektuale e patriotike të kombit. Ai gjen forcë të ëndërrojë e të shpalosë aq çiltër ndjenjat si bashkëmoshatarët që i la aty në bankat shkollore ku e prangosën:
“Trishtimin flaka sot,
mbi telat me gjemba,
dhe sytë e lodhur,
drejtuar nga qielli
Në përhumbjen e një reje rebele,
Që arratisej me shpejtësi,
drejt foleve të largëta,
ravijezuan fytyrën tënde,
e në çast mitralozët e bajonetat,
Drejtuar nga unë,
u shndërruan në petale dashurie…
vallë pse je kaq larg,
sot ësht dita e verës,
e unë trëndafilin e kuq,
Dot nuk ta sjell” (1986).
Sa vargje të mrekullueshme ngjyrë me dashurinë, trazuar me dhimbjen aty mes telave gjembashe, ku zemra rinore, harron vuajtjet dhe dërgon përshëndetje dashurie për atë që la në vetmi të pa shpresë.
Një flamurtar i vërtetë, me vargjet që të hyjnë në shpirt e të bëjnë ti lexosh me endje. Gjen vargje që janë shkruar për të rënët, atyre që ende nuk u dihen varret, ku t’u vendosim një lule. Vargje që; “të zgjonte të gjallët”, por “medet këta kishin vdekur me kohë”, edhe pse; “u ra sirenave të zgjonte mangufaret”, “veç hijen e lagësht dallova në sfond” – thotë Poeti. Duke parë këtë realitet, tejet i zhgënjyer për të, vazhdon:
”I lodhur, i dërmuar e lëshova anijen,
në detin e trazuar me shqotë e stuhi,
e çava dallgët drejt ishullit të vetmuar,
aty ku amazonat e zogjtë cicërijnë,
epo qe shkruar të kthehem një ditë,
pranë bregut ku nanfraget gëlojnë,
nuk do t’u bie me sirenave të zhurmeshme,
do kthej kupa vere e, velat do lëshoj”.
I pa kompromis me të drejtën e drejtësinë për të drejten, ka bërë paqe me veten, e nuk mund të zhbëhet, te jetë ndryshe…!
“Kurrë nuk u bëra vegël e politikës,
dhe pse politika më kalbi në burg,
ësht strofka e horrave dhe intrigës,
konspiracioni me emrin kurvë
Po lolot e oborrit vallë çjanë,
Poetë, deputetë që kocka lëpijnë,
gjithë jetën mbesin veç uturak,
mjeranë që se prekin dot LIRINË…!
Gjithë jetën time mbeta rebel,
nganjëherë as vetë nuk e di përse,
di vetëm që paqe bëra me vehten
dhe kurrë nuk e ndërroj këtë fole”.
Vazhdoj në shfletimin e faqeve, e ndalem tek kjo poezi tejet e fuqishme që përmban një realitet të pa mohueshëm:
“Gjithë jetën i kënduat përbindëshit,
kur ngordhi e qatë në çdo varg,
tani si jashtqitje sllavokomunizmit,
s’ju mbetet gjë tjetër, veç të pështyni lart
Të parët që ngritët dy gishtat lart, ishit ju,
sekretarë të partisë, konsomolas të rinisë
e pështytë, me këmbë e, shkelet paçavuren e kuqe,
dhe oh… u gdhitë pishtarë të demokracisë!
Të parët që ja mbathët në Perëndim ishit ju,
birbo të kuq pa Fe dhe Atdhe…
ju që gjithë jetën hapet veç varre,
e hija e vdekjes ju ndjek nga pas,
mos harroni shkrepëtimën që zbret nga qielli,
Ahet dhe mjerimin, e një populli të pa fat”.
Shpresuam në demokracinë, në atë demokraci që vuajtëm e ëndërruam për të, por veç zhgënjim muarëm, veç trishtim e persekutim si më parë, se janë po ata që kanë qenë, janë po ata që çdo gjë mund të jenë, veç kurrë demokratë e njerëzorë.
Nuk ka si të ndodhte ndryshe, po të ishin pak njerëzorë, shtresën që vuajti atë ferr dantesk, duhet t’i jepnin vendin që meriton. Ata që vuajtën, këta njerëz aq njerëzorë, fisnikë e të drejtë tek ZOTI, të duruar deri në vet mohim, jo hakmarrës e kriminelë, duke dashur që Atdhenë dhe krejt Kombin, ta shohin të përparuar, si protestë për padrejtësitë që vazhdojnë, u vetëflijuan si rasti i “Heroit të Demokracisë”, Lirak Bejko, të cilit poeti bashkëvuajtës burgjeve me të, i ka gdhendur këto vargje lapidar:
“Ti ike vëlla i vuajtjeve, ike fluturove lart,
atje ku vetëm Engjejt jetojnë,
i more me vete mjerimet e kësaj bote,
tani veç Zotin ke mburojë,
Në grevën e urisë janë nguruar ata,
ata që buza nuk u qeshi kurrë,
ndërgjegje e Kombit, simbol i Lirisë
të vetmen pasuri, kanë një Flamur”.
Çdo shkrim i tij, çdo varg që janë veç shkrime e vargje shpirti, përmbajnë në vetvete anën njerëzore të këtij njeriu zemërmadh, që gjithçka për të është veç Atdheu, Shqipëria mëmë, vendi ku u rrit, vendi ku u burrërua mes prangave – shenjat e të cilave ja shohim ende -, janë shkrime që e mbajtën gjallë, e mbajtën me shpresë tek Liria, edhe kur nën hekurat e trashë, në ato qeli të ngushta, plot tym e lagështi, kalonte moshën më të bukur, moshën e ëndrrave, moshën e dashurisë, moshën e lojërave me shokë e shoqe, moshën e privuar nga gjithçka e të gjithçkaje, rininë!
Poezia “KOSOVËS MARTIRE”, që poeti i vargëzon me një dashuri të mëkuar në familje, është poezi kushtrim e ngadhënjim mbi vitet e kohët që kalojmë, e që Kosova e martirizuar pret t’i ngjitet trungut Amë…, është kushtrim që biri i Vlorës ja çon jehonën kreshpave e bjeshkëve të Kaçanikut e Rugovës, që ka ngel gjallë si në legjenda, Shote e Azem Galica, Xhem Gostivari, Shaban Polluzha, etj.
“Njëqin vjet u pre pema e Lirisë,
po rrënjët e Kombit ishin të thella,
ato njomeshin me gjak martirësh,
filiza buronte Kosova ndër breza.
Njëqind vjet luftoi Kosova.
jo nuk u dorëzua Shqiptari,
yllojnë trojet e Shqipërisë Etnike,
të qofshim falë Familja Jashari.
Marshon e lirë Kosova martire,
sytë e përmallur kërkojnë trungun nënë,
po troket ora e racës Ilire,
kush ësht burrë, të ngrihet në këmbë”.
Si mund të kalojë në heshtje e pa dhimbje tek poeti viti i mbrapshtë ’97, ku “revolucioni komunist”, mori përsipër dhe shkatërroi krejt Shqipërinë, duke i bërë sabotim dhe çështjes të Kosovës martire, në të drejtën e saj të mohuar. Si mund të kalojë në heshtje, shkatërrimi i Vlorës, vendit të Shenjtë të krejt Shqiptarisë, vendit të “pelegrinazhit” shqiptarjan?
Ja si shkruan:
“Retë përpinë Karaburunin,
dhe u derdhën mbi Sazan,
nis buçet Adriatiku,
rrufetë skuqin Kuz- Babanë.
Në Tiranë ndarë në partira,
bolshevike dhe renegate,
tymi le t’i dalë Vlorës,
janë mësuar të qajnë gratë.
Eh moj kuçedër e kuqe,
si nuk u ngope me gjak,
dhe pjellën tënde hëngre,
si s’të plasi ai bark”?!
Urojmë suksese të mëtejshme Poetit. Është dëshmia e gjallë e të mbijetuarve nga Spaçi-ferr, është përçuesi i denjë i amanetit të atyre, që nuk dihen ende ku u prehen kockat. Memorie.al