Nga Sokrat Shyti
Pjesa e dyzetenëntë
Memorie.al / Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio-difuzion” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Ditët dhe netët pas fejesës, fluturuan kaq shpejt, sa neve na dukej sikur këto qenë bashkuar në një të vetme, dhe koha në vend të zgjatej që përgjysmuar! Shpesh i shinim netët duke biseduar: na pëlqente të përjetonim idenë se ishim martuar, e vetmja mundësi që të zbonim nga vetja trishtimin e realitetit të pritshëm, i cili me forcën e kundërligjshme shtetërore na detyronte të ndahemi nga njëri tjetri për dy vjet! Ky përfytyrim kaq brengosës e i hidhur, na pengonte të projektonim të ardhmen, nuk na lejonte të jepnim mendime, si ta ndërtojmë atë, pasi pothuaj gjithë kohën, na e vidhte ikja ushtar.
E fejuara drithërohej e gati tmerrohej, kur më përfytyronte veshur me petkun e ushtarit, mes djemve tetëmbëdhjetë vjeçar, tetë vjet më i madh në moshë se ata, për më tepër me ndryshim të theksuar arsimimi e kulture, pa asnjë pikë takimi botëkuptimor! Por sidomos e shqetësonte mendimi, si do t’i shtyja ditët duke punuar tokën qilizmë, me bel e lopatë, sa të vështirë do ta kisha të plotësoja normën e, të përballoja spicat fyese të oficerëve injorantë, të cilët pa tjetër do jenë udhëzuar e urdhëruar, të ndjekin hap pas hapi çdo lëvizje të ish-gazetarit të Radios, të tallen e zgërdhihen, kur të më shohin si sforcohem e sfilitem.
Nuk e vinte në mëdyshje se për të më lënduar sedrën do më thërresin herë pas here të paraqitem ushtarakisht para tyre, për të më dhënë këshilla të domosdoshme, që si intelektual i rënë nga fiku, të gjeje forca në vetvete, të mos mbetem në fund të bishtit, si dështak sipas saj, (me shumë të drejtë), para së gjithash ish-gazetari i Radios, do jetë në thepin e shënjestrës të komisarit. Sepse si drejtuesi kryesor i partisë në repart, do më mbajë gjithnjë të ndrydhur në morsin e luftës klasore, krahas mbikëqyrjes së vazhduar të shefit të Sigurimit dhe komandantëve të togës e kompanisë.
Por më shumë se çdo gjëje i frikësohej ngritjes së kurtheve nëpërmjet nervozizmit e fyerjeve, duke patur parasysh që si ushtar i moshës së prapambetur, sedra ime preket më shpejt, e humbet durimin nën shtysën e një gjaknxehtësie, dhe mund të kthejë përgjigje me dy kuptime, e cila interpretohet nga ata, si pakënaqësi ndaj shërbimit ushtarak, ndaj merret si sebep për të më ndëshkuar!
Por këto mendime i bluante në kokën e saj, nuk i shfaqte me zë, sepse trembej mos i keqkuptoja dhe bija në dëshpërim të thellë, kur kohën e lirë e kishim shumë të pakët, na dhimbsej ta çonim dëm, ta harxhonim me pandehma të bezdisshme, e cila na shkaktonte veçse mërzitje e pikëllim. Prandaj i lutesha ta zbonte nga përfytyrimi këtë ngacmim, ta linte për më vonë, kur të jem në repartin ushtarak. Madje dhe atëherë ta skiconte realitetin e atjeshëm më të zbutur se tani, t’i japë vetes kurajë e shpresë, se ndërmjet oficerëve me egërsi të natyrshme, do gjendet qoftë një i vetëm si dashamirës i letërsisë, me të cilin mund të shkëmbejë mendime, dhe pikërisht ky do tregohet i gatshëm për përkrahje.
Mua hëpërhë më shqetësonte më shumë se çdo gjë tjetër, një ngacmim i brendshëm tepër acarues, të mos m’i qethin flokët zero, sipas rregullores ushtarake, të m’i lenë deri ditën e ikjes, ose të më lejojnë të dalë në komisionin mjeko – ligjor, me flokë të shkurtuar, duke patur si mbështetje shpjegimin e fejesës. Për të parandaluar qethjen e flokut, ia shpreha shqetësimin sekretarit të Degës Ushtarake, Engjëllit, me të cilin shkëmbejmë përshëndetje sa herë shihemi, i bindur se këtij i shkon fjala tek shefi, dhe deri tani qe’ treguar i gatshëm, të japë ndihmesën e vet brenda mundësive. Ky, pasi dëgjoi me vëmendje kërkesën time, nuk pati kundërshtime.
Madje iu duk e arsyeshme dhe e mundshme. Ndaj premtoi se do ta bisedonte menjëherë me shefin, duke shpresuar se nuk do t’ia kthente mbrapsht fjalën për këtë rast, pasi shefi ka natyrë të butë, i gjykon këto raste me pjekurinë dhe dhembshurinë e prindit. Menjëherë pas këtij bashkëbisedimi, shkuam tek berberi, që ky të përcaktonte sa duhen shkurtuar flokët, që të më shkonin e të mos dukem si rekrut. Pasi u kapërcye kjo gjendje stresuese, më ngërthyen ethet e tmerrshme të turpit, si do dilja para komisionit mjeko-ligjor krejt lakuriq, sipas rregullores ushtarake?!
(Gati sa nuk me ngriu frymëmarrja e, sikur u shemb tavani mbi kokë, në çastin që drejt meje erdhi një grua e veshur me përparëse të bardhë, dhe më preku me dorë organet gjenitale! Pastaj ajo më hodhi një vështrim me buzëqeshje tallëse, e më pëshpëriti fare pranë veshit, që të mos dëgjohej nga të tjerët: “Kot shqetësohesh! Unë këtë profesion kam: shoh dhe prek koqet e meshkujve. Dhe jo vetëm të djemve të rinj rekrutë. Tek unë vijnë për t’u vizituar plot burra, mbi moshën tridhjetë vjeç, që kanë probleme”!
Pas këtij sqarimi, që kësaj iu duk i domosdoshëm, ajo iu drejtua kryetarit të komisionit, me zë të lartë: – I aftë plotësisht.) Por mua nuk m’u largua tronditja e atij çasti, që më shkaktoi trazira të sikletshme. Mezi po mbushesha me frymë, kur shkova në qoshen pothuaj të errët, që të vishesha! Sepse ende nuk e besoja që u çlirova nga ngërçi i makthit që më torturonte, sa herë e shkoja ndërmend, ndonëse nuk e dija që do më prekte me dorë organet gjenitale, një grua e panjohur, në cilësinë e mjekes, si anëtare e komisionit!…
Më vonë mora vesh nga dy shokët e mi se, kjo mjeke, e ardhur nga Tirana, ishte specializuar enkas në këtë profesion, si androloge, e aftë të përcaktojë saktësisht aftësinë apo paaftësinë mashkullore nëpërmjet prekjes. Prandaj mua m’u duk tejet i çuditshëm pohimi i saj, se; “tek unë vijnë për t’u vizituar burra mbi tridhjetë vjeç, që kanë probleme”! Këtë çast më ngacmoi pyetja: kjo grua ka pranuar me dëshirën e saj të specializohet në këtë degë, të prekë çdo ditë gjatë disa orëve organet gjenitale të meshkujve, apo iu nënshtrua këtij specializimi, meqë s’ka patur tjetër mundësi zgjedhje?!…
Por menjëherë pas pak, përballë kësaj pyetje u vendos fakti i njohur, gjinekologu mashkull, i cili këqyr, prek dhe fut dorën në vaginën e femrës. Mjaftoi ky krahasim të thellohesha në arsyetim: pse sjellja dhe veprimi i gjinekologut, na duket jo vetëm normal, por dhe i domosdoshëm? Pse femrave nuk u bënë aspak përshtypje, kur hapin këmbët gjatë lindjes, apo kur kanë shqetësime të ndryshme? Ndërsa zbulimi i organit gjenital i meshkujve tek mjeku specialist, duhet të ndjellë tek ne ndjenjë turpi?!
Ky ndryshim kaq i madh në sedër, mes femrave dhe meshkujve, vjen nga mungesa e përvojës, apo si rrjedhojë e botëkuptimit parak të njerëzve në rruzullin tokësor, se mashkulli duhet të ketë shumë më pak probleme me organet gjenitale, ndaj s’paraqitet fare nevoja e kontrollit mjekësor, me përjashtim të atyre rasteve të skajshme, kur këto nuk funksionojnë normalisht, dhe për këtë, ankesën kryesore e bëjnë gratë e tyre, pasi këto e ndjejnë drejtpërdrejtë pasojën e këtij çrregullimi?…
Kur e fejuara më pa me flokë të qethur shkurt, kujtoi se kisha shkuar vet tek berberi, meqë kohët e fundit po ndiqej si modë nga djemtë e rinj. Dhe mbeti mjaft e habitur, kur i thash se kjo ishte qethje e detyruar dhe e privilegjuar.
– “Si duhet kuptuar ky dyzim: edhe e detyruar edhe e privilegjuar”?!… – pyeti ajo me të njëjtin vështrim.
– “Ishte pëlqimi i Degës Ushtarake, pas kërkesës time”, – shpjegova unë.
– “Qenkan treguar të arsyeshëm, që të paskan lënë me flokë të shkurtuar! – tha ajo e kënaqur. – E di që të shkojnë”?
– “Prandaj dhe thashë qethje e privilegjuar…”- i buzëqesha unë.
– “Po para komisionit mjeko – ligjor dole? – u interesua ajo. – Pasi edhe ky veprim për ty përbënte shqetësim të madh”.
– “E hoqa qafe edhe këtë siklet të bezdisshëm”!… – ia ktheva unë duke psherëtirë, pa i treguar çfarë përjetova ato minuta me mjeken specialiste nga Tirana.
– “Të erdhi rëndë kur u zhveshe fare lakuriq para komisionit”? – pyeti ajo.
– “Sikur më zuri poshtë suvaja e tavanit”!
– “E çuditshme me ju meshkujt: në disa raste tregoheni më të turpshëm se femrat”! – tha ajo.
– “Ky ndryshim me të vërtet i çuditshëm, ndoshta vjen ngaqë trupi i femrës, ka një harmoni të natyrshme më të këndshme se ne, meshkujt. Përveç kësaj, ndaj ngacmimeve sado të vogla, ne ekspozohemi shumë më shpejt dhe biem dukshëm në sy…”- ia ktheva unë.
– “Vërejtja jote qëndron, – tha ajo. – Prandaj ju meshkujt ndjeni kënaqësi kur shihni në plazh trupa të bukur femëror, me rroba banje. Dhe shumë rrallë ndodh e kundërta”.
– “Natyra tregohet vazhdimisht ndaj jush bujare dhe dashamirëse, u dhuron hijeshi e freski, sepse keni meritën e jashtëzakonshme, të lindjes së fëmijëve”!
– “Përgjigje e saktë! – buzëqeshi ajo. – Përfundimisht, kur bëhet nisja prej këtu”? – pyeti ajo mjaft e shqetësuar.
– “Në 1 prill, ditën e gënjeshtrave, – ia ktheva unë. – Na porositën të vini me rrobat me të vjetra, pasi kur të mbërrini në repartin ushtarak dhe të vishni uniformin e ushtarit, këto do digjen”.
– “Ti hajde i veshur siç vjen për herë, kur dalim shëtitje. Ndërsa rrobat e vjetra, merri me vete të paketuara. Kuptohet, natën e tridhjetë e një marsit, do ta kalosh në shtëpinë time, pasi të nesërmen do të përcjell. Ndërrimin e veshjes do ta bësh tek klubi, pranë Degës Ushtarake, që ta shfrytëzojmë edhe minutën e fundit para nisjes…”- tha ajo me sy të përlotur.
– “Deri tani nga mënyra e të folurit, dukeshe e përmbajtur, në kundërshtim me pamjen e jashtme të trishtuar…”- i tërhoqa unë vërejtjen.
– “Epo nuk i thonë dy muaj, por plot dy vjet ndarje, dhe pikërisht në kohën, kur e ndjejmë më shumë nevojën të jemi pranë njeri tjetrit!…- theksoi ajo përmes psherëtimave. – I lutem Zotit të kesh shëndet, dhe gjatë këtyre dy viteve, të mos ndodhi ndonjë befasi e hidhur”!
– “Pse të shkon mendja për keq”?!…- desha t’i jepja kurajo – “Sepse pas këtyre që kemi hequr, ku nuk na shkon mendja!…- tha ajo me psherëtimë të thellë. – Dihet që ti, ke patur ngacmime më therëse e të herëpashershme nga drejtime të ndryshme, deri në çastin kur u shfaq kthesa e mbarë. Por dhe unë, s’kam mbetur pa to, sapo e morën vesh që ne të dy do fejohemi. Në fillim pati kërcënime të drejtpërdrejta: Do shkarkohesh nga Byroja e Rinisë e rrethit!
Do largohesh si mësuese! Më pas përdorën taktikë tjetër: Nuk të vjen keq të hedhësh poshtë projektin me perspektivë, që e ëndërrojnë shumë vajza, postin e sekretares së Komitetit të Partisë?!… Ndërsa tani së fundi, më kanë këshilluar, të mos pranojë të transferohem si mësuese në shkollën e Kolonjës”.
– “Ngacmime do kesh gjatë gjithë kohës, kur unë do kryej shërbimin ushtarak. Keqdashësit tanë do vazhdojnë të thurin intriga dhe shpifje. Madje nuk përjashtohen as mundësitë e dërgimit të letrave anonime, me synim krijimin e krisjeve dhe çarjeve, që të mbyllen dyshime e lëkundje mes nesh…”!
– “Këtë s’kanë për ta arritur kurrë! – tha ajo me vendosmëri. – Sado të shpifin e të na sulmojnë, familjen tonë të ardhshme nuk e mposhtin dot”!
– “Tani le të bëjmë një marrëveshje: t’i lemë pas krahëve të gjithë shqetësimet, që kemi kaluar, dhe të mos përsëritim asnjë gjatë këtyre ditëve! Le të bisedojmë vetëm për të ardhmen, duke e parë me ngjyrat e ylberit”!
– “Plotësisht dakord”! – tha ajo me buzëqeshje.
– “Së pari dua të dëgjoj përshtypjet e tua, për gjyshen time të Beratit…”- i thashë unë për të ndryshuar temën e bisedimit.
– “Ishte e mrekullueshme, në të gjitha drejtimet”!
– “Dhe sa bukur kombinonin mes njëra tjetrës, nëna jote me gjyshen, duke i plotësuar mendimet”!… – Shprehu ajo kënaqësinë e saj.
– “Tani pa tjetër do ngazëllehesh, kur të dëgjosh kumtin e habitshim, se gjyshja ime, s’është nëna e vërtetë e nënës time, por njerka”?! – e befasova unë.
– “Me të vërtetë”?!… – thërriti ajo.
– “Dhe unë në fillim u shtanga, kur e mora vesh nga daja, në Berat: rastisi e jashtëzakonshme! Prandaj ndjehem i lumturuar, kur i shoh e i dëgjoj duke biseduar me njëra tjetrën: një harmoni e përkryer! Gjyshja njerkë i rriti dhe i martoi dy jetimët, motër e vëlla. Sepse nëna e tyre, gjyshja ime e vërtetë, i la fare të vegjël, tre dhe një vjeç. Por ka qenë grua e mrekullueshme, me virtyte të larta. Për fat këto veçori, ua la si trashëgimi dy jetimëve! Kur të vijë rasti ta takosh dajën tim, do bindesh vetë çfarë shpirti thesar ka, sa do ta pranosh që s’gjendet një i dytë, si ai! Sidomos, pasi ta krahasosh me dajallarët e tu…”!
– “Po ti e di, që mamaja ime me teta Pojën, janë motra vetëm nga babai, gjyshi im, Jan Sinjari”? – pyeti ajo me shikim kureshtar.
– “Xha Janin e mbaj mend: kur isha fëmijë, ai vinte shpesh në dyqanin e babait. Kishin diçka të përbashkët: visheshin të dy shik, dhe shkonin shumë me njëri tjetrin”! – vura unë në dukje.
– “Gjyshja ime e vërtetë, lindi katër fëmijë: një vajzë, mamanë, dhe tre djem, dajallarët e mi. Kurse gjyshja njerkë, lindi dy: teta Pojën, dhe daj Sifin në Berat”.
– “Si i keni marrëdhëniet me dajat e këtushëm”? – e pyeta unë.
– “Të mira, por jo të përkryera e fantastike, si i ke ti me dajën tënd – tha ajo. – Kurse mamaja me teta Pojën, shkojnë si motra të dashura: teta Poja e dëgjon dhe e respekton motrën e madhe, për çdo gjë kërkon mendimin dhe këshillat e Ulës”.
– “Ndoshta, po të na jepet mundësia, (kisha parasysh kohën e shkurtër deri në nisjen time ushtar), do bënim shumë mirë të shkonim vajtje ardhje brenda ditës, në Berat, sa për të takuar dajon tim”! – i shpreha dëshirën, ndonëse e dija që kjo nismë nuk përmbushet.
Pas këtij bashkëbisedimi, (ku sqaruam hollësitë e degës ushtarake: qethjen e flokut, daljen në komision, kur do bëhet nisja, si dhe plotësuam disa njohuri për njerëzit tanë shumë të afërt, përveç shtesave rreth ngacmimeve), e përcolla të fejuarën deri në shtëpi, dhe i thash se këto dy tre ditë, do jem në Kolonjë, për të vënë në vijë disa punë të rëndësishme, para së gjithash të sistemoja në punë motrën në kooperativën e rrobaqepësisë.
U përshëndeta me vjehrrën, duke i thënë kësaj që s’mund të rri për drekë, dhe shkova drejt në stacionin e autobusit. Fatmirësisht aty takova kapterin, të Plotfuqishmin, të njohurin e familjes tonë, të cilin e vura në dijeni që së shpejti shkoj ushtar, dhe i parashtrova këtij kërkesën, për punësimin e motrës në kooperativën e rrobaqepësisë.
– “Mirë kërkesën e dytë, e mora vesh, dhe them se do ta rregullojmë. Por vajtja jote ushtar, më duket e çuditshme sepse, ti ligjërisht, je i internuar”!…ma ktheu ai me shikim të habitur.
– “As unë nuk e marr vesh”!…shtova unë.
– “Nuk ke shkuar gjëkundi për të pyetur, mos e ka bërë këtë ngatërresë të mbrapsht ndonjë kodosh i rafinuar? – u interesua ai. – Apo ata që e kanë sajuar këtë proçkë, janë më të fortë, dhe nuk tunden nga istikami”?…
“Kot nuk thonë: kur të zë kadiu, s’ke ku e bënë davanë”! – “Ja dhe vetë përgjigjen pyetjes tënde…”, – shtova unë duke psherëtirë.
– “Shkollë të madhe nuk kam. Por puna e policit më ka mësuar shumë gjëra, sidomos si duhet të ruhesh nga kurthet prapa kurrizit. Nuk mbaj mend se kush më tha që je fejuar?.. – pyeti ai me vështrim të qeshur dhe kureshtar. – Po të jetë e vërtetë do ta quaja shans të mbarë, sidomos tani që do shkosh ushtar. Sepse nëse e fejuara jote, është çupë e sajdisur, nga familje e mirë, gjatë kohës që ti do jesh ushtar, ka për të ardhur tek vjehrra, për t’i hequr mërzitjen”.
– “Të atin e saj ti me siguri e njeh, pasi punon si magazinier i artizanatit”, – e sqarova unë.
– “Në rrethin tonë, s’ka burrë më të urtë se xha Zoi! – tha kapter Petro. – Po i pati ngjarë babait të saj, e fejuara jote do jetë qengj, e dashur dhe e bindur. Më bëhet qejfi që je fejuar me çupën e një familje të nderuar! Ka lezet kur bëjnë krushqi dy familje të njohura, dhe kanë të njëjtin nivel afërsisht!… – shtoi ai i kënaqur. – Dhoksës time, do t’i bëhet zemra mal, kur ta njoftoj! E di që ta kisha frikën mos të ngjitej rrodhe ndonjë qejflie bukuroshe, meqë bridhje vetëm nëpër ugare, me bidonin e naftës në krah?.. – tha ai. – Po shyqyr shpëtove nga ky rrezik! – Po yt vëlla, Lili, erdhi nga Tirana për fejesën tënde”? – pyeti me interesim.
– “Erdhi bashkë me të shoqen dhe njërën nga çupat”, – iu përgjigja unë.
– “E shikon sa gjëra të mira solli fejesa?… – shtoi ai me buzëqeshje: – Përveç të tjerave, shkriu akullin mes jush dhe familjes së Lilit, në Tiranë. Por as ai s’kishte faj. Se edhe ti të ishe në vendin e tij, kështu do veproje”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016