Nga Uran Kalakulla
Pjesa e tetë
Nazizmi dhe komunizmi
Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të sterhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.
Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KGB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.
Në birucat e Durrësit
Vendi ku na çuan ishte më shumë si një stacion policie, apo një lloj nëndege, diku karshi Gjykatës së sotme të Durrësit. Pas një viti që kisha dalë nga burgu, shkova në Durrësin bela-sjellës për mua. Kishin kaluar 22 vjet që nga koha kur kisha shkuar për herë të fundit. U interesova ndër miq ta shihja edhe një herë atë vend të zymtë, së paku nga jashtë, por më thanë se ai nuk ekziston më, nga ndërtimet e reja.
Nga një anë më erdhi mirë që atë vend torture e kishin fshirë nga faqja e dheut, por, nga ana tjetër, nën optikën e ditëve të sotme, tek shkruaj këtë libër, them se ndoshta do të kishte qenë më mirë të ishte ruajtur si muze. Por, te ne, muzetë e diktaturës, sikur nuk janë pëlqyer fort nga qeveritë që erdhën pas nëntëdhjetë e njëshit! Dhe gjurmët e krimit komunist, mbetën vetëm në trupin e shpirtin e shokëve tanë të burgjeve, të vuajtjeve të mëdha. Eh, çfarë ironie fati!
Biruca e parë, që më takoi për short, ishe ajo me nr. 28, në një korridor të ngushtë, gjithnjë të lagësht e gjysmë të errët, me shumë biruca të tilla, në të dy krahët e tij. Biruca ime binte nga një oborr i vogël, në formë trekëndëshi, tek i cili duhej të bënim ajrosjen ne, “të paraburgosurit”, tek e tek ose, aq sa mund të ishin në secilën birucë.
Ajo birucë, si dhe gjithë të tjerat, ishte edhe më e vogël se ajo e Tiranës. Po të shtriheshin në të, nuk zinte më shumë se dy veta. Pra, ishin si një lloj këllëfi, që të mos them si një arkivol të gjallësh. Por, po aq e lartë, sa ajo e Tiranës. Pra, si një kuti ku të merrej fryma, sidomos beharit, kur dielli e kthente si saç tarracën e saj. Për më tepër, edhe e vetmja dritarez nga ana e oborrit, ishte e zënë, më tepër se gjysma, me dërrasa, që i mbylluri brenda, të mos mundte të shihte që andej në oborrin e vogël, ndonjë fatkeq tjetër, për hir të sekretit të madh qe duhej të ekzistonte atje.
Aty gjeta një subjekt të ri, një qenie trashaluqe, pamje vërtetë njerëzore, por që mua menjëherë më kujtoi atë bretkosën e madhe helmuese, që populli e njeh me emrin “Thithlopë”. Ai m’u duk si prototipi i mashkullit, që s’e kisha patur kurrë simpati: të majmur jo me muskuj, por me dhjamë, me një lëkurë disi të verdhë, që dukej si dhjamë lope. Ky tip kishte vënë në kokë një shami të lidhur në katër cepat e saj, duke sajuar një lloj skufje, që e shëmtonte edhe më shumë. Duhej të ishte mbi dyzet vjeç; me ca sy si të çakallit, ku lëvrinte një vështrim dinak, i njeriut sa të stërvitur në jetë, aq edhe të degraduar moralisht.
E quanin Qani Sllatina, me origjinë nga një fshat i Pogradecit, nga një fis i mirë (siç mora vesh më vonë), por duket se ky kishte katandisur të ishte “nevojtore” e oxhakut të vet. Vite më vonë, kam njohur nëpër kamp-burgje e, në burgun e Burrelit një kushëri të tij të parë, që e quanin Haki Sllatina. Por, Hakiu, edhe pse trupvogël e i dobët nga burgimet e gjata, jo vetëm ishte i zgjuar e brisk nga goja (edhe pse jo fort i arsimuar), por edhe kishte një karakter të hekurt e, një moral qytetar shembullor.
Kështu ishte Hakiu, përfaqësues i denjë i fisit të tij. S’ke ç’i bën, ja që jo çdo “notar” në detin e madh dhe të thellë të ndritë te virtytit, arrin të dalë në breg gjatë furtunës, si ajo që e zuri popullin tonë fatkeq, për afër gjysmë shekulli, qofshin këta “notarë” edhe vëllezër, e jo më kushërinj të parë. Loja e gjeneve është, shpesh, fare e pakuptueshme, e pse jo edhe e pakuptimtë!
Kështu, ndërsa Haki Sllatina ishte një model klasik i të burgosurit politik antikomunist, Qani Sllatina, ishte katandisur në mi birucash. Dhe, prandaj, ishte aty ku e gjeta unë. Prandaj dhe mua më çuan atje, tek ajo birucë. Atëherë, unë nuk kisha shumë të dhëna mbi lojërat e taktikat e Sigurimit; as për jetën e burgut e, aq më pak, për kohën e hetuesisë, këtë shkallë përgatitore të burgut, që, shpesh, ishte shumë me e vështire se vetë burgu.
Ndaj as nuk e kisha idenë e ekzistencës së një lloji të veçantë “minjsh”, që edhe pse dukeshin si njerëz, në të vërtetë ishin “minj”, vëllezër në gjak te minjve të halesë, atyre që infektojnë botën me mikrobin e tifos, te kolerës dhe sëmundjeve te tjera vdekjeprurëse si këto. Por, kur nga halli m’u desh të bisedoja edhe me këtë farë Qaniu, nuk i rrëfeva hallet e mia hetimore, vetëm ngaqë nuk e begenisa, vetëm nga fakti që m’u duk krejt i padenjë, për të ndarë me të hallin tim të madh, qofte si shtrirje, qoftë si thellësi.
Tashmë, në atë birucë unë kisha dyshekun tim. E kisha pak ushqim e cigare. Dhe, në këtë drejtim, isha më mirë se në birucën e parë të Tiranës. Dhe bisedoja me Qani “miun”, vetëm për punë dhe ngjarje të zakonshme të jetës. Ai më tregoi se kishte qenë partizan, se pas luftës ishte liruar nga ushtria me gradën e togerit, se kishte qenë magazinier gruri në Kavajë dhe se ishte në burg për përvetësim, i dënuar tetë vjet. Ndodhej aty gjoja sepse kishte bërë rekurs ligjshmërie, për të ulur dënimin. Se kishte grua e fëmijë e që, me burgosjen e tij, kishin mbetur si peshku pa ujë.
Të them të drejtën provova keqardhje, jo për të, por për të shoqen dhe, sidomos, për fëmijët. Se, për fëmijët unë asnjëherë s’kam pyetur e nuk pyes, sot e kësaj dite, se ç’baba kanë. Për mua, fëmijët janë të barabartë, para syrit dhe zemrës sime. Siç mora vesh më vonë, po ky Qani, në vazhdën e tij prej miu, pas atij të partizanit-oficer, të magazinierit-hajdut, kishte mundur të bënte për vete dy policë të birucave të Kavajës, duket bashkëfshatarët e tij, dhe bashkë me ta, kish mundur të dalë nga biruca dhe t’ia mbathnin drejt Jugut, duke kaluar në Greqi. Dhe më pas fill e në Angli, me strehim politik! Eh, çfarë paradoksesh që ka kjo botë!
Mbrëmjen e ditës së parë, që ndodhesha tashmë në birucën nr. 28, më thirrën me ngut për në hetuesi. Në ndërtesën dykatëshe para birucave, lart në një zyrë të katit të dytë. Pas dy tavolinave, rrinin dy sigurimsa të mëdhenj, kryetari i Degës së Tiranës, që tashmë e njihja, Jonuz Mersini, dhe një kolegu i tij. Ndërsa i pari gati nuk foli, po vazhdonte të më zhbirilonte me sy, i dyti që m’u drejtua me arrogancë, duke u mbajtur me të madh, edhe më fort se Mihallaq Ziçishti, në Degën e Tiranës, siç kam treguar.
Më vonë mora vesh, se ai paskësh qenë Kopi Niko, një njeri sa kriminel, aq edhe i poshtër. Madje gjer aq sa, kohë më vonë, e shkarkuan, e çuan në një kooperativë bujqësore të Rrogozhinës dhe aty vdiq i braktisur, i përbuzur e në mjerim, po në kohën e pushtetit, të cilit ai i kishte shërbyer me fanatizëm deri në krim.
Nuk di, por, sot e kësaj dite, ndiej një si gulf në shpirt, kur mendoj se ai kafshë, kurvar, hajdut e vagabond, kishte të drejtën të më merrte në pyetje, me aq kapadaillëk, dhe të kishte në dorë fatin tim të mëtejshëm të jetës dhe të burgut! Është një ndjenjë revolte, që ndoshta do të shuhet, vetëm kur të vdes.
Dhe atë natë unë mbajta po atë qëndrim, që kisha mbajtur në Tiranë, duke u hequr si i paditur dhe i pafajshëm. Kurse të nesërmen, më thirrën prapë. Se për atë punë më kishin prurë atje. Veçse, këtë herë, nuk ishin dy kryetarët, por për Degën e Durrësit ishte nënkryetari i saj, Kapllan Sako dhe nga ana e prokurorisë ushtarake, një kolonel trupmadh me mbiemrin Skënderi. Mirë ai i Degës, por prokuroria ushtarake, ç’punë kishte me ne?! Ne ishim që të gjithë civilë. Tashmë po bëhej e qartë, se puna po trashej, se kishim hyrë në shtjellën e një organizate politike, se na priste gjyqi ushtarak.
– “I pandehur”! – e nisi fjalën i pari nënkryetari i Degës, Kapllan Sakoja, me atë kapadaillëkun e tij në qëndrim dhe me arrogancën në të folur – “Të kemi thirrur këtu, për të të njoftuar se akuzohesh për veprimtari armiqësore, në dëm të pushtetit popullor, se në ngarkimin tënd, ke tre nene të kodit penal. Ja tek e ke edhe akt-akuzën, të cilën duhet ta firmosësh para se të fillojë procesi hetimor”.
E kuptova fare mirë se ç’po thoshte ai farë Kapllani. E vështrova me vëmendje, pa i thënë asnjë fjalë. Ishte një njeri me shtat disi mesatar, që anonte pak nga gjatësia, por fort i hajthëm, me një fytyrë të dobët e trekëndëshe, me ca veshë llapushë, si parafango të makinës sovjetike “Zis”, një lëkurë disi mes së zbehtës dhe jeshiles, si ajo e gjithë sigurimsave që kisha njohur më parë, në hetuesinë e Tiranës. Kishte një palë sy të shëmtuar, me një vështrim të egër, si të një bishe, kur bëhet gati të hidhet në sulm, për të shqyer gjahun e saj. Dhe emri Kapllan, i shkonte fare mirë për shtat. Pse, a nuk do të thotë tigër, emri turk; Kapllan?
Vetëm pas këtij hetimi të fizikut e fiziologjisë së tij fola: – “Unë nuk firmos asnjë proces-verbal, a dokument tjetër, çfarë kërkoni ju, sepse: së pari, nuk i di fare çfarë përmbajnë nenet që keni shënuar ju atje, ngaqë nuk jam jurist dhe së dyti, nuk firmos sepse, nuk kam bërë asgjë, që ta ndiej veten fajtor. Ju më keni arrestuar kot dhe unë pres nga çasti në çast, të më lëshoni të kthehem në shtëpi”.
– “Për njohjen e neneve ka të drejtë, – ndërhyri prokurori trashaluq e gjatalosh, me mustaqe edhe ky si ai nënkryetari i Degës së rrethit të Tiranës, që më kujtonte surratin e handarëve caristë. Dhe, si tha kështu, nxori nga çanta një libër disi të vogël dhe ma zgjati. Ishte Kodi Penal. E hapa dhe pashë se neni 73/1, që kisha në akuzë, ishte për agjitacion e propagandë dhe e kishte masën e dënimit, nga 3, deri në 10 vjet, heqje lirie (agjitacion e propagandë në kohë paqeje, se në kohë lufte, masa e dënimit ishte, 10 deri në 25 vjet burgim. ose pushkatim). Neni tjetër i akuzës, ishte 64.
Ky ishte neni i tradhtisë ndaj Atdheut, me 13 paragrafë, ku hynin: arratisja, spiunazhi, organizatë terroriste ose komplotistë e, kësi punësh të tjera. Dhe masa e dënimit ishte, për të gjithë paragrafët, nga 10, deri në 25, ose me vdekje. Dhe vdekja ishte me pushkatim, ose me varje në litar. Neni i fundit në atë të mallkuar akuze, ishte 76-ta. Ky nen nuk kishte sanksion të vetin, por ishte një lloj neni interpretues, rëndues për dy nenet e tjera.
E mbylla Kodin Penal dhe ia ktheva prokurorit, duke iu kthyer të dy hetuesve të mi të rinj, se nuk pranoja asnjë nga akuzat dhe se nuk e firmosja fare atë akuzë. Përgjigja ime bëri që Kapllani të tërbohej nga inati dhe, që nga tavolina u zgjat të më godiste me grusht. Por ndërhyri prokurori dhe nuk e la. Edhe për kaq ia di për nder zotërisë së tij. Por grushti i “tigrit” sigurims, më atë fizik që kish (afër skeletit), nuk do të më kishte bërë ndonjë dëm të madh, ca më tepër që ai ishte larg (prapa tavolinës) dhe unë mund t’i shmangesha fare kollaj. Nga mbiemri “Sako” dhe nga mënyra e të folurit, nxora përfundimin që ky farë Kapllani duhej të ishte nga Gjirokastra.
Mora guximin dhe e pyeta:
– “Nga Gjirokastra jeni ju”?
Kapllani më pa njëherë me përbuzje dhe m’u përgjigj gjithë mllef e me cinizëm:
– “Nuk jam shqiptar”!
Ç’e bukur përgjigje kjo e tij! Një përgjigje tamam idiote.
Dhe mua s’mu durua pa ia kthyer flakë për flakë:
– “Eh, çfarë halli që më ka gjetur! Më akuzon për tradhti ndaj Atdheut, një që nuk qenka fare shqiptar”!
Ironia ime therëse e tërboi fare Kapllanin. Ai u çua me vrull nga karrigia dhe deshi të vinte drejt meje, por prapë ndërhyri prokurori dhe nuk e la. Veçse, te cepi i buzëve të këtij të fundit, vura re një buzëqeshje të lehtë, si një tallje ndaj Kapllanit. Dukej se replika ime kishte qenë e hollë dhe e saktë ndaj fjalës së hetuesit sigurims. Dhe prokurori, si për të thënë edhe diçka, foli me një zë tingëllues, duke iu drejtuar njëherë Kapllanit e më pas mua:
-“A e di, shoku nënkryetar, se ç’baba ka pasur ky? Ka qenë goxha njeri, patriot dhe i ndershëm, pavarësisht se punoi si funksionar i lartë në qeverinë e Zogut. Por, ashtu ishte koha atëherë. Po ti, nga dole tradhtar nga një baba i tillë”? – m’u drejtua mua prokurori, në përforcim të akuzës që më bëhej. Akuza, tashmë, s’më bëri pothuaj fare përshtypje. Por, ajo që më çuditi, ishin fjalët e prokurorit trashaluq, për tim atë.
Nga e dinte ky, se kush ishte im atë?! Vërtet, ai nga mosha duhej të ishte diçka mbi të pesëdhjetat, por, prapë, im atë kishte vdekur më 1938, pra 23 vjet më parë. Mos do të kishte punuar edhe ky si jurist në administratën e Mbretit Zog e, tashmë, ishte prokuror ushtarak (domethënë, më i besuar se një prokuror civil), i Enver Hoxhës? Por, përgjigjen e kësaj pyetjeje, s’e gjeta dot kurrë, sepse s’kisha më kohë të mendoja për të. Një vrigë vringëlliu ato çaste mbi kokën time dhe, po të mos i isha shmangur, do ta kisha pritur në fytyrë a në sy.
Dhe kjo hetuesi speciale “e nivelit ti lartë” për Durrësin, vazhdoi kështu, me të shara, fyerje e kërcënime, por shyqyr jo më me goditje e synime rrahjeje (nja dy orë të mira), si më parë kur më thërrisnin policët që rrinin pas dere dhe më merrnin e më kthenin në birucë, ku më priste gjithë kërshëri të dukshme, “miu i halesë, Qaniu.
Keptarët e birucave të Durrësit
Ata që kanë bërë ushtri në kohën e diktaturës, e dinë fort mirë se ç’bela gjenin nga rreshterët, që s’i linin derman, natë e ditë, nganjëherë edhe në gjumë. Ata ishin si një sëmundje ngjitëse, kronike, që s’të ndahet e të ndjek këmba-këmbës. E pra, thoshin se edhe ata kishin qenë më parë ushtarë vetë, por, pasi kishin kryer ushtrinë, kishin mbetur nën rrobën ushtarake, kishin fituar në spaleta nja “dy fije makaronash” dhe, tashmë, u dukej vetja si gjeneralë.
Zakonisht, këta rreshterë, kishin ardhur nga fshati, nga kooperativat, pasi kishin llogaritur se u leverdiste më mirë të bëheshin rreshterë, ta kishin ushqimin, veshjen dhe një farë rroge të siguruar, pa punuar më me krahë. Tashmë, ata do të komandonin dhe s’do të ishin të komanduar nga brigadieri i fshatit a i sektorit të kooperativës. Për më tepër, tani ata futeshin në parti dhe, kështu, bëheshin dy herë më të pushtetshëm mbi ushtarët, të cilëve u merrnin shpirtin.
Aty në repart, ata sikur donin të merrnin hakun, po në atë mënyrë siç e kishin pësuar nga brigadierët, këta rreshterë dhe Kapterë të “ekonomisë bujqësore socialiste”. Kur rreshterët ishin kështu, po keptarët e burgut, si duhej të ishin atëherë? Aq më tepër që këta ishin efektiv i Ministrisë së Brendshme, e cila ishte shumë më e fuqishme, më e fort e më besueshme për Partinë, udhëheqjen e saj, sesa ushtria e komanda apo dikasteri i saj, pavarësisht se ministri i Mbrojtjes, ishte edhe anëtar i Byrosë Politike, si fjala vjen Beqir Balluku e tjerë.
Fundja, a nuk ishte edhe në Ministrinë e Brendshme, në të gjitha strukturat e ndarjet e saj, zot i plotfuqishëm, Sigurimi i Shtetit? Tek e fundit, a nuk ishte vetë Partia Sigurim apo, më mirë, Sigurimi mbi partinë, pavarësisht se ç’thuhej. Partia ishte mbi gjithçka dhe nuk ishte as Mehmet Shehu, as Kadri Hazbiu, as Koçi Xoxe etj., drejtuesit e vërtetë të Sigurimit, por vetëm e gjithmonë, Enver Hoxha.
Ai ishte i partisë, i Sigurimit, i qeverisë, i gjithçkaje. Nazizmi gjerman në strukturën e shtetit dhe të partisë së tij kishte marrë shumë shembuj nga modeli sovjetik. Këtë e di gjithë bota, tashmë. Ndryshonte vetëm ngjyra e simboli. Te nazizmi ngjyra ishte gri dhe simboli ishte kryqi i thyer, te komunizmi (bolshevizmi) ngjyra ishte e kuqe dhe simboli ishte drapri e çekani. Po le të kthehemi te kapterët.
Përgjegjësi i tyre dhe i vargut të birucave, që e thërrisnin komandant, ishte kapter Yzedin Çuka, skraparli. Ishte një mashkull i bëshëm, me trup si gorillë, flokëkuq dhe sybardhë, si prusian. Tek e shihja, më kujtonte gestapot e Hitlerit apo “gepuistët” e Stalinit. Veçse kishte një të mirë. (Pse, a nuk mund të ketë dhe armiku një të mirë?!) Kot së koti, po të rrije në rregull, nuk të ngacmonte. Ama, po t’i jepnin urdhër eprorët e vet, të shkrinte në hu, sepse kishte qenë a mundës, boksier.
Dhe, për çudi, vura re se i kishte mbetur një fije burrërie. Që të jem i drejtë, spiunët dhe servilët, nuk i kishte fare qejf. Shpesh u sillej me inat dhe u fliste me përbuzje. Një kapter tjetër shërbimi, ishte një farë Metoje, që, nga e folura, duhej të ishte nga “një çikë vend”, domethënë nga Labëria.
Vinte i hollë, këmbështrembër, me një kokë të sheshët, ca i zbehtë, me një hundë si sqep shqiponje dhe një qafe të hollë, si ajo e ca gjelucave të një race të veçantë, për të mos thënë si e rosakëve. Por kishte një zë të mprehtë, që, kur e lëshonte në maksimum, ishte rrezik të të çante veshët.
Puna e parë që bënte Metoja, kur merrte shërbimin, ishte: hiqte kapelën dhe vishte opingat prej gome. Kështu që nuk ndihej fare kur ecte nëpër korridor. Dhe, si çdo lab, kur s’kishte punë, ia merrte këngës, por, për çudi, jo me zë të lartë! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm