• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Saturday, May 31, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Kur Smajl Baruti me të motrën Olimbinë, po delshin prej shpisë së Asim Rusit, ku ishin mshehë, oficeri i Sigurimit, Shaban Sahiti, afrue me revole në dorë…”/ Historia e trishtë, e dy bijve të kolonel Ali Rizait

“Ndërsa ai po i shikonte me trishtim partizanet me barkun e fryrë, njëra prej tyre i tha: xhaxha, ne s’kemi shkuar në mal vetëm për luftë, por…”/ Dëshmia e studiuesit të krimeve të komunizmit
“Pas pushkatimeve për bombën në ambasadën sovjetike, kur Voroshillovi, në prani të Stalinit, i tha; ç’bën kështu, more Enver, i sose shqiptarët, 1 milion janë’, ai u përgjigj…”/ Dëshmia e Liri Belishovës
“Shokun ma vranë 20 m. larg, qenin e kufirit e kishte Mitro K., kurse në qelitë e Gjirokastrës, pësova tronditje nervore dhe luaja e haja bukë me minjtë…”/ Dëshmia tronditëse e beratasit që u dënua me 25 vjet
“Kur Smajl Baruti me të motrën Olimbinë, po delshin prej shpisë së Asim Rusit, ku ishin mshehë, oficeri i Sigurimit, Shaban Sahiti, afrue me revole në dorë…”/ Historia e trishtë, e dy bijve të kolonel Ali Rizait
“Mëhill Doçi, në kundërshtim me zinë e Mirditës, do t’i drejtohej komandantit të operacionit, Mehmet Shehut, që ta lejonte të merrte pjesë në ekzekutimin e 14 të arrestuarve…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
“Në Francën demokratike, vepron gijotina për kriminelët komunistë; në SHBA karrigia elektrike, ndërkohë këtu te na, ata bredhin të lirë dhe…”/ Refleksionet e muzikologut të njohur, ish-i burgosur politik

Nga Ahmet Bushati

Pjesa e pesëdhjetedytë

Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postrribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.

Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindit që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.

Gjithashtu mund të lexoni

“Në luftën e Reçit, Jup Kazazin e qëlluan për ta vra, me urdhër të Lilo Zenelit, një prej shefave kryesorë të Sigurimit të Shtetit më vonë…”/ Dëshmitë e rralla të ish-të përndjekurit politik, nga Italia

“Mark Ndue Ndoja, banues në Tiranë, nëpunës, me arsim të lartë, shtresë e mesme, përjashtuar nga Partia, i është zgjatur afati i internimit, edhe për…”/ Vendimi i Komisionit Internim-Dëbimeve, viti ‘67

                                                                       Vijon nga numri kaluar

Në Gjurmët e një ditari

Ismail e Olimbi Baruti, fëmijët jetimë të të respektuemit kolonel Ali Riza Kosovës, me emnin e të cilit do të lidhej përgjithnjë zona rreth kazermave ushtarake ne kohë të Zogut-diku pa shkue te ish Kombinati i Tekstileve “Stalin” në Tiranë, qysh prej vdekjes së nanës së tyne, do të jetojshin në Shkodër te nji teze që për burrë kishte ish-majorin e Zogut Hamza Kuçin, e burgosun në atë kohe. Olimbia, nji prej vajzave ma të bukura të gjimnazit, deri para ngjarjes që po tregojmë, kishte krye dy klasë gjimnaz, kurse Smajli, sa kishte marrë maturën dhe punësue kohët e fundit në nji zyre kadastret.

Si student, Smajli kishte ba pjesë në organizatën “Përpjekja Shqiptare”, të studentëve antikomunistë, kurse Olimbia, do të tregonte se si nji herë ajo kishte pasë shpërnda fletushka nëpër korridor të gjimnazit e, poshtë dyerve të klasave, fletushka që asaj i a kishte dhanë Sebahet Mulleti, që në atë kohë ishte e përjashtueme prej rinijet. Tue me folë për Sebahet Mulletin, Olimbia do të shprehej se: “Ajo ishte ma e mira se kushdo tjetër si njeri, ma e zonja në mësime dhe ma e bukura e gjimnazit”.

Kurse për ditën kur ajo Sebahet papritmas kishte pasë vdekë, ende pa pasë mbushë tetëmbëdhjetë vjet jetë, ajo do të thonte se; “ka kenë nji ditë e madhe zijet për cilindo që Sebahetin ta kishte njohë”. Po lidhun me emnin e Ismail Barutit e të motrës së tij Olimbi, ka edhe nji histori, nji aventurë tipikisht të mundimshme, të dhimbshme e plot rreziqe, si për shumë shqiptarë që atëherë e mbrapa kërkojshin me gjetë përjashta lirinë e mohueme në vendin e tyne, aventure kjo e titullueme prej autorit të librit; “Odiseja” dhe “Fundi tragjik” i grupit të vetëquejtun “Ora e Maleve”, që tue ndërpre për pak vazhdimin e jetës në burg e kampe, po i bajmë vend ngjarjes si ma poshtë: “Odiseja” dhe “Fundi Tragjik” i grupit te vetëquajturin “Ora e Maleve”

Nji mbrëmje, diku mbas gjyset të shtatorit 1949, Ismaili do të çudiste të motrën, kur me nji seriozitet të pazakontë, do t’iu drejtonte asaj me fjalët: “Olimbi, a vdesim bashkë”? ndërkohe që Olimbia, tue mos kuptue asgja prej fjalëve të frikshme të të vllaut, kishte shtangë krejt e tue u kthye me trishtim kah ai, që me shikim të ngulun priste përgjigjie të qartë, do t’i thonte dy-tri here: “Po ç’janë këto fjalë, mor vëlla”?! dhe do t’u çlironte nga ankthi vetëm kur Smajli te vazhdonte edhe ma me seriozitet: “Due të arratisem Olimbi, por jo pa ty”.

Për nji qëllim të tillë, ata do të lidheshin me Asim Rusin, vëlla ma i vogël i Hajdar Rusit, të burgosun qysh tre vjet ma parë. Lidhun me sa ma sipër, nji mbas dreke vonë, vëlla e motër do t’u drejtojshin për në shtëpi të Asimit, që nga ana e tij, tue ditë orën e ardhjes së tyne, kishte dalë t’i priste para derës se oborrit, buzë rrugës, e që mbrapa, për t’mos heqë vërejtjen e ndonji komshie që në atë kohë banonte poshtë në shtëpi të tij, kishte mendue që oborrin e shtëpisë ta përshkonte nji herë me Ismailin e, nji herë të dytë me Olimbinë.

Dhe do të ndodhte që kur Asimi, mbasi kishte futë në shtëpi Smajlin, të kthente në derë për të marre edhe Olimbinë, e pikërisht në momentin që sapo donte me kalue pragun e derës së madhe të oborrit, do t’u shfaqte papritmas oficeri i Sigurimit, Shaban Saiti, që me revole në dorë, do t’iu afronte Asimit tue i thanë: “Je i arrestuem”. Asimi, tue u pasë ndodhë i veshun në bixhama, do t’i kërkonte që ta lejonte me u veshë me rroba, gja që ai, mbas nji hezitimi të shkurtë, do t’ia pranonte. Asimi para e Shabani mbrapa, me tytë të revoles të mbështetun në kurriz të tij, do të përshkojshin oborrin e shtëpisë, e në kohën që po kalojshin edhe kambën me të sipërme të shkallës, Ismaili, i dalë papritmas prej mbrapa nji dere ode, ku kishte pasë qendrue i fshehun, ishte hedh mbi trup të Shabanit dhe bashkë me Asimin, në përleshje e sipër, kishin mundë me ia marrë armën Shabanit dhe me e rrokullisë deri poshtë shkallëve.

Ndërsa Shabani kishte shpejtue për në Degë, për t’u riarmatosë e marrë edhe shokë me vete, Asimi, Smajli dhe Olimbia, pa humbë kohë, ishin nisë për në nji shtëpi në rrugën me emën të keq, zbukurue ma vonë në; “Rruga e karafilave”. Me që prej frikës, i zoti i shtëpisë nuk i kishte pranue, ata kishin ndërrue drejtimin e nisë për në shtëpi të shokut të tyne, Xhelë Oroshit , në lagjen “Dudas”, e bir i trimit Nuh Oroshit, të vdekun qysh tre vjet ma parë prej torturash në paraburgim. Në ketë shtëpi, ata jo vetëm që do t’u pritshin pa asnji ngurrim, po edhe me ngrohtësinë që zakonisht u ruhet njerëzve të dashtun të saj.

Olimbia, tue folë për njerëzit e asaj shtëpie, nuk do të dinte me gjetë fjalët ma të mira për to, sidomos për Xhyheren, të venë e Nuh Oroshit, të cilën do ta quante; herë “fisnike” e “bujare”, për sjelljen e kujdesin e madh që kishte tregue për ta, e herë tjera ta quante “burrneshë” e “sokoleshë”, për guximin që ajo kishte tregue për ruajtjen deri në fund të tyne.

Në krye të rreth njëzet ditëve, ata të veshun si gra, me çarçafë të zezë e, Ismaili edhe me barnavekë e nji tepsi mbi krye, nji ditë do të braktisshin kullën e sanës së Oroshejve, ku kishin qenë fshehë deri atëherë, tue u drejtue për në lagjen “Ndocej”, për te shtëpia e kosovarit e mikut besnik të babës së tyne, me emnin Evzi Gjollapi, në Shkodër i njohun si Hysni – ish kuzhinier ushtrie dikur në kazermat Ali Rizajt- ku do të qëndrojshin derisa ai t’u siguronte mundësinë për t’u arratisë.

Ma s’parit ai do t’i lidhte me njifarë Marash Lecit, që me shtëpi banonte diku thellë në rrugën mbas Kishës së Madhe, ku do të buejtshin vetëm nji nate e, të nesërmen, të primë prej besnikut e trimit, Dedë Pjetër Volajt, me ish-revolen e Shaban Saitit në brez, ata do të mësyheshin për te miku tjetër i tyne, Qerim Muka, në Postrribe, i cili do t’u jepte edhe nji automatik. Kur t’u futshin në zonë të Urës së Shtrejtë, Deda do të kthente në katund, për të sigurue ndonjë copë buke e me ç’rast ai do të ndeshte në nji prite të për-bame prej dy policësh e nji nënoficeri, të cilët, te vuem në dyshim për të, do ta pyetshin nga vinte e ku shkonte e, së fundi do të kërkojshin me e arrestue, gja që s’kishin mundë me e realizue, sepse Deda i shkathët e i guximshëm, kishte arrirë t’u rrëshqiste prej duerëve, tue hapë zjarr ndaj tyne e, plagosë me atë rast nënoficerin.

Rrugëtimi i tyne, vazhdimisht i fshehun prej errësinës së natës e largësisë me katundet, do t’ ishte tepër i gjatë e i mundimshëm. I kishte pasë zanë dimni mbi male e bjeshkë me të ftoftë të madh e borë të vazhdueshme. Ditën flijshin ndër shpella të ngrira e stane të braktisun e, vetëm nji herë do ta shifshin veten brenda nji stani të ngrohtë dhish, ku do të kishte gështenja me shumicë e, edhe poste (postiqe), po ma shumë se gjithçka, do të kishte morra, pre e të cilëve ata do të bijshin menjëherë. Por Deda me eksperiencë, do t’u thonte që porsa të dilshin përjashta, ata morra, në kontakt me të ftoftin, do të bijshin menjiherë të ngordhun, si edhe vërtetë ashtu u kishte ndodhë.

Rrugë-pa rrugë, i dinte vetëm Deda e, do t’ ishte vetë ai që grupit do t’ia mbante shpirtin gjallë, herë me ndonji copë bukë e herë me gështeja, që ai do t’i siguronte herë mbas here. Mundimet e mëdha që po hiqshin e rrugët që s’po kishin të mbaruem, i kishin shtye që aventurën e tyne ta quejshin nji herë “Udha e Maleve” e, nji herë tjetër; “Ora e Maleve”, kur kishin pasë parasysh se diçka jashtë logjikës së tyne i kishte pasë marrë në mbrojtje e, ruejtë prej rreziqeve.

Në njenën prej ditëve të fundit të dhjetorit, Asim Rusi, papritmas, do të binte pa ndjenja mbi borë, bashkë me automatikun që s’e kishte lëshue asnjëherë doret, as kur Smajli t’i ishte lutë që ta lehtësonte prej nji barre të tepërt, për fuqitë e tij thujse të shterruna krejt. Në atë rast, sidomos Deda, që ende u mbante i fortë, do t’i bante shumë masazh Asimit, por pa dobi, sepse Asimi qysh ne fillim, kishte pasë mbylle sytë përgjithnjë. E s’kishte pasë veç, njëzetekatër vjet jetë! Deda e Smajli, si kishin largue ma parë borën, kishin muejtë te hapshin pak varr e pranë trupit të pajetë, do t’ia vendosshin Asimit edhe automatikun. Në fund fare, Deda kishte ba kryq, kurse Smajli kishte folë: “Asim, mirupafshim n’atë jetë”!

Ata do të vijojshin pa Asimin, etapat e fundit të rrugës së tyne, por tue mos vazhdue me u pri ma fati: vija e kufinit dredha-dredha, i kishte tradhtue, tue pasë ba që ata të kishin besue se ishin tue ecë nëpër tokë shqiptare, ndërkohë që në fakt kishin pasë dalë në atë jugosllave, e do të besojshin se ma në fund kishin kalue në tokë jugosllave, kur gabimisht ishin rifutë në atë shqiptare, aq sa edhe shfaqjen e postës shqiptare, tue e pasë marrë për jugosllave, ata do ta përshëndetshin me gëzim e tue tundë nja dy shami të bardha, që kishin pasë me vete.

Do t’u mrekullojshin e do t’u dëshprojshin pa masë, kur atyne t’u dilte para nji kapter i zakonshëm shqiptar me automatik në dorë, kur pra përfundimisht të kuptojshin grackën në të cilën kishin ra me këmbët e veta. Pyetjes së kapterit; “Nga vini”? – ata i ishin përgjegjë menjëherë: – “Nga Gjakova”. – “Si, nga Gjakova”? – kishte vazhdue kapteri. – “Po ju qekeni të grisun e të mbaruem krejt? Gjakova s’asht larg”, – kishte përfundue njiherë e përnjëherë kapteri, ndërkohe që Smajli me Olimbinë kishin fillue të flitshin mes tyne pak turqisht që dijshìn, si gjoja të pakicës turke që kishin qenë atje në Gjakovë.

“Po emnat, si i keni ju”? kishte vazhdue t’i pyeste kapteri.- “Hasan Neziri”, – kishte folë për vete Smajli, e mbas tij Olimbia; “Nafije Neziri”, Nezi, ndërkohë që Deda, tue shmangë përgjigjen për kapterin, vazhdonte pyeste për disatën herë t’u kërkonte edhe lejen e tyne, për t’u hedhë mbi kapterin, gja që ata, prej faktit se mezi qendrojshin në kambe, nuk ia miratojshin.

Personeli i postes, fillimisht do t’i besonte alibisë së tyne, e me që i kishin këmbët shumë të ajtuna, do t’i shtronte edhe në spital, kohë kjo gjatë s’ cilës, Deda do t’iu luste disa herë Smajlit, që t’u arratisshin së bashku, por që Smajli nga ana e tij, tue mendue për të motrën, nuk kishte pranue e, s’kishte pranue as kur vetë Olimbia, disa herë me radhë t’i kishte thanë; “Smajl, shko me Dedën e pshto, sepse mue prej burgut, asgja s’më pshton”!

Përfundimisht Deda, ishte arratisë i vetëm, tue pasë kalue kah varri i Asimit, të cilin e kishte hapë e mbyllë, mbasi prej aty të kishte nxjerrë automatikun e, kalue përfundimisht pa vështirësi kufinin, ndërkohë që mbi duerët e Smajlit e të Olimbisë, ishin vue prangat. Për të gjitha sa ma sipër, ishte lajmrue Sigurimi në Shkodër dhe i dërguemi i t’ cilit, Ragip Hoxha, me të mbrrijtun në Tropojë, do t’u drejtohej Smajlit e Olimbisë, tue i pyet me ironi: “Cili asht Hasani e, cila asht Nafija”? dhe mbasi t’u përplaste krenat për njeni-jetrin, Olimbisë do t’i binte me shkelm e, ta quante edhe bushtër, ndonëse ajo s’ishte veçse nji vajzë, tetëmbëdhjetë vjeçe!

Mbas disa ditësh, do t’i nishin në kambë për Kukës, tue pasë para nji kapter të hypun mbi kalë, që emnin e kishte Mujo (Mujeci), e për mbrapa dy policë. Mbas disa orësh rruge, Mujo Mujeci bashkë me ta e dy policët do të kthente për te shtëpia e tij e, shmangun diku jo larg rrugës, ku do të pushojshin e të hanin ndoj gja.

Në vendin tonë të vogël, asnji koincidencë nuk duhet marrë si e madhe, apo edhe si e çuditshme, kështu që kur baba i kapterit Mujec, t’i pyeste me indiferencë dy të arrestuemit, për emnat që kishin e fëmijë të kujt ishin, mbasi në përgjigje të merrte emnat Smajl e Olimbi e, se ishin fëmijë të Ali Rizasë, ai menjëherë do t’u ngrinte si me sustë prej vendit dhe shumë i çuditun e gjithë mall, do të afronte fytyrën e tij pranë asaj të Smajlit, tue i fole: “Po, a Tuku, keke ti”? – e ta përqafonte me lot për faqe.

Plaku Mujec, kishte ba pjesë dikur në ordinancën ma të afërme të kolonel Ali Rizasë e, ishte kenë ba me atë rast, si të thuesh, edhe si njeri i shtëpisë së tij, e që nder tjera, nuk kishte harrue as se si njerëzit e shtëpisë, në përkëdhelje, Smajlin ta kishin quejtë; “Tuku”. I pushtuem prej kujtimeve për Ali Rizanë, e ma fort nga dhimbja për dy fëmijët e tij të burgosun, i lutet të birit, që t’u arratiste bashkë me ta në Jugosllavi, gja që si mbas vete Mujës, nuk kishte mundësi t’u realizonte, qoftë prej pranisë së dy policëve që kishte me vete, si edhe për gjendjen e dërmueme fizike, te Smajlit e Olimbisë.

Nji ditë do të mbrrijshin në Shkoder, ku i priste për hetim, vetë nënkryetari i Degës Brendshme, Irakli Kocani, që mandej si hetues, do t’u sillte shumë ashpër me ta. Gjatë nji mueji e gjysë kohë, Olimbia kishte pasë si shoqe biruce, njëfarë Marije Tucit prej Mirdite, që sa kishte qenë e devotshme si murgeshë, aq edhe e guximshme në lidhjet që kishte pasë me të arratisurit e, që përfundimisht do të vdiste mbas pak ditësh aty në burg, prej sëmundjes së peritonitit.

Vëlla e motër do të dilshin nji ditë në gjyq e, bashkë me disa studentë, – që me Smajlin kishin pasë ba pjesë në grupimin “Përpjekja Shqiptare” – me ç’rast Smajli, fillimisht do t’u dënonte me vdekje e, mbrapa dënimi do t’iu kthente në të përjetshëm, për të vuejte përfundimisht tetëmbëdhjetë vjet burg e, Olimbia tri. Edhe postrribsi Qerim Muka, që muej ma parë i kishte pajisë me nji automatik, do të vuente dhjetë vjet burg.

Largohemi përfundimisht prej burgut të Shkodrës

Nji para dreke andej kah gjysma e muejit maj të 1951-shit, na nxorën si zakonisht për orën e ajrosjes në oborr të madh të burgut dhe, kur pamë se disa prej të personelit të burgut, kishin letra nëpër duer, s’e patëm të vështirë të kuptojshim, se ishte fjala për me dalë në kamp. Dhe ashtu ndodhi: u lexuen emnat e të gjithe atyne që do t’u nisshin për kamp, dhe aty për aty, filluen të shternguemet e duereve dhe përqafimet ndërmjet të burgosurve, që me atë rast po u largojshin dhe atyne që mbetshin aty.

Si edhe në rastet e tjera, ata që mbetshin, ndonëse të shpëtuem për vete, e tregojshin haptas pikëllimin e ndamjes, kurse ata që do t’u largojshin, edhe pse tue pasë parasysh vuajtjet e kampit, si dhe vështirësitë e mëdha për familjet që do t’u shkojshin për mbrapa me nji mijë mundime, qëndrojshin të përmbajtur e shpeshherë edhe inkurajues, ndaj atyne që po lejshin aty në burg.

Për atë ditë, qarkullimi nga njena dhomë në tjetrën, ishte i lirë e burgu ziente nga lëvizjet e nxitueme të të burgosurve që nuk i besojshin kohës, e cila, si mbas tyne, rrëshqiste pa u ndie, gja që i shtynte, që ata palë mbas pale, t’u ngjitshin e t’u ulshin pa pushim nëpër dy shkallët e burgut, që si të shmangun që ishin nga jeta e bota, kërkojshin me domosdo me u përfalë me të gjithë ata me të cilët kishin përballue vështirësitë e një burgu e, nda së bashku gjithçka.

Nush Simonin e gjeta përjashta në korridor, para dhomave nr. 2 e 3, të të sëmurëve. “E disha Ahmet, se do të vijshe me më takue”, – më tha Nushi porsa më pa, ndërsa unë po e vërejsha ma me dhimsuni, se çdo herë tjetër. Ishte krejt i tretun në shëndet e tue shikue ma së shumti poshtë, fliste me mundim, me që iu merrte fryma. U dukte qartë që sëmundja i kishte përparue shumë, ndoshta edhe për mungesë ilaçesh! E kush tjetër si Nushi, kishte qenë mirë me shëndet e i gëzuem për jetën!

Në fund e përqafova tue e urue që t’u bante mirë e që nji ditë t’u shifshim përsëri, kurse ai, si për të fshehë pafuqinë e përgjithësisht gjendjen e tij, e ndoshta ma fort mallin që duhet të ndjente në ato çaste, pa çue sytë prej poshtë, më uroi dy-tri herë: “T’qoftë rruga e mbarë, Ahmet, t’mbajtë Zoti me shëndet”!

U ndava prej Nush Simonit, me mallin se po e lejsha tue numrue ditët e fundit të jetës. Ndamjet e fundit, përgjithësisht të shpejta e të shkurta, baheshin ma parë me të burgosurit e dhomave tjera, kurse me të burgosnit e dhomës, pjesë e të cilëve ata kishin kenë deri në atë ditë, u lejshin për fund e në përgjithësi do të ishin ma të gjata.

Nji ndër miqtë e mi ma të mirë, Ali Brahja, në fytyrën e të cilit pasqyrohej vazhdimisht nji ndërgjegje e pastër, qysh prej larg do ta shikojsha se po më priste te dera e dhomës, me do plaçka ndër duer, pregatitë për me m’i dhanë mue. Unë edhe pa qenë afrue mirë te dera, ku ai po qëndronte në pritje për mue, i thirra në emën e mbiemën, dhe atij përnjëherë i plasi vaji. E çfarë vaji! Qante tue u dridhë dueresh e trupit, gja që më emocionoi edhe mue.

Ndoshta ideja se mund t’mos u shifshim kurrë ma – sikurse edhe vërtetë do të ndodhte – e kishte ligështue Ali Brahën deri në atë pikë, gja që mund t’i shkonte Ali Brahës “mësues”, por jo Ali Brahës malëcuer e bir parie, as edhe Ali Brahës komitë, për dy vjet nëpër male, që ishte e tillë lidhja prej burgut që kishte përmbysë edhe disa rregulla që kishin kenë konsiderua si norma të detyrueshme sjelljeje! Memorie.al

                                                             Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Në ’62-in, filluam të trasmetonim direkt një ndeshje futbolli në ‘Qemal Stafa, por na mori flakë kamera dhe e ndërpremë, aty ishte dhe Ramiz Alia, i cili...”/ Dëshmia e rrallë e operatorit të parë të RTSH-së

Next Post

“Gjyla Leci nga Buçaj e Tropojës, ka të arratisur burrin e saj, Isuf Lecin, dhe kunatin, Shabanin, më pas u arratis në Jugosllavi kunata e saj, me 4 djemtë...”/ Vendimi i Komisionit Internim-Dëbimeve, viti 1967

Artikuj të ngjashëm

“Në luftën e Reçit, Jup Kazazin e qëlluan për ta vra, me urdhër të Lilo Zenelit, një prej shefave kryesorë të Sigurimit të Shtetit më vonë…”/ Dëshmitë e rralla të ish-të përndjekurit politik, nga Italia
Dossier

“Në luftën e Reçit, Jup Kazazin e qëlluan për ta vra, me urdhër të Lilo Zenelit, një prej shefave kryesorë të Sigurimit të Shtetit më vonë…”/ Dëshmitë e rralla të ish-të përndjekurit politik, nga Italia

May 30, 2025
“Mark Ndue Ndoja, banues në Tiranë, nëpunës, me arsim të lartë, shtresë e mesme, përjashtuar nga Partia, i është zgjatur afati i internimit, edhe për…”/ Vendimi i Komisionit Internim-Dëbimeve, viti ‘67
Dossier

“Mark Ndue Ndoja, banues në Tiranë, nëpunës, me arsim të lartë, shtresë e mesme, përjashtuar nga Partia, i është zgjatur afati i internimit, edhe për…”/ Vendimi i Komisionit Internim-Dëbimeve, viti ‘67

May 30, 2025
“Patër Pal Dodaj, i cili dikur i kishte shpëtu jetën Ahmet Zogut, duke mos durue torturat që i bajshin hetuesit komunistë, u pat hedhë prej dritares së…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik, Ahmet Bushati
Dossier

“Patër Pal Dodaj, i cili dikur i kishte shpëtu jetën Ahmet Zogut, duke mos durue torturat që i bajshin hetuesit komunistë, u pat hedhë prej dritares së…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik, Ahmet Bushati

May 31, 2025
“Shaqir Vukaj, shtrembëron të vërtetën, duke falsifikuar dokumentin arkivor ku flitet për Luftën e Reçit, duke fshirë emrin e Jup Kazazit, siç bënin komunistët dhe…”/ Refleksionet e ish-të persekutuarit politik, nga Italia   
Dossier

“Shaqir Vukaj, shtrembëron të vërtetën, duke falsifikuar dokumentin arkivor ku flitet për Luftën e Reçit, duke fshirë emrin e Jup Kazazit, siç bënin komunistët dhe…”/ Refleksionet e ish-të persekutuarit politik, nga Italia  

May 30, 2025
“Gjyla Leci nga Buçaj e Tropojës, ka të arratisur burrin e saj, Isuf Lecin, dhe kunatin, Shabanin, më pas u arratis në Jugosllavi kunata e saj, me 4 djemtë…”/ Vendimi i Komisionit Internim-Dëbimeve, viti 1967
Dossier

“Gjyla Leci nga Buçaj e Tropojës, ka të arratisur burrin e saj, Isuf Lecin, dhe kunatin, Shabanin, më pas u arratis në Jugosllavi kunata e saj, me 4 djemtë…”/ Vendimi i Komisionit Internim-Dëbimeve, viti 1967

May 29, 2025
“Refije Hana Malaj (Koculi), 90 vjeç, lindur në Shkozë të rrethit Vlorë, me banim në Tiranë, është gruaja e Qazim Koculit, ish-eksponent i Ballit Kombëtar…”/ Vendimi i Komisionit Internim-Dëbimeve, viti 1967
Dossier

Nga familjet Macaj e Mirditës, Runa e Tepelenës dhe Xhindole e Lushnjes, te Beçi e Përmetit, Papa e Sarandës, e Alliu të Krujës… / Kush ishin familjet e njohura “reaksionare”, që u internuan në 1967-ën?

May 29, 2025
Next Post
“Gjyla Leci nga Buçaj e Tropojës, ka të arratisur burrin e saj, Isuf Lecin, dhe kunatin, Shabanin, më pas u arratis në Jugosllavi kunata e saj, me 4 djemtë…”/ Vendimi i Komisionit Internim-Dëbimeve, viti 1967

“Gjyla Leci nga Buçaj e Tropojës, ka të arratisur burrin e saj, Isuf Lecin, dhe kunatin, Shabanin, më pas u arratis në Jugosllavi kunata e saj, me 4 djemtë...”/ Vendimi i Komisionit Internim-Dëbimeve, viti 1967

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!