Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa pjesë nga studimi i panjohur i albanologut gjerman, Johann Gerog Von Hahn, i cili për herë të parë u publikua në vitin 1943 nga revista periodike “Leka”, që dilte në Tiranë, me titullin: “Shqipnija tash njëqind vjet”. Nga hulumtimet e studimet e shumta të bëra për Shqipërinë, të cilat rrokin që nga gjysma e dytë e shekullit XVIII dhe dhjetë dekada më pas, autori gjerman ka përshkruar me hollësi gjithë situatën ekonomike, gjeopolitike dhe tregtare ku gjendej vendi ynë në atë kohë.
Edhe pse ndodhej në skajin më të largët të Perandorisë Osmane, dhe një ndër vendet më të prapambetura dhe më të pazhvilluara të saj për më shumë se 500 vjet me radhë, për vetë pozicionin gjeo-politik e strategjik ku ndodhej, me kryqëzimin e rrugëve tregtare, portet dhe limanet e saj në hapësirat ujore që nga veriu në jug, pasuritë e shumta minerare, artizanatin, pemëtarinë, fruti-kulturën, bujqësinë, blegtorinë etj., Shqipëria ishte dhe mbetej një vend që paraqiste vazhdimisht interes për të huajt. Kjo gjë, veç të tjerash, shihet më së miri edhe nga një studim i historianit dhe albanologut të famshëm gjerman, Johann Georg Von Hahn, i cili pas hulumtimeve të shumta bërë vite me radhë, në librin e tij me titull “Shqipnia tash njëqind vjet”, ka pasqyruar me detaje dhe hollësira të gjithë situatën ekonomiko-politike të Shqipërisë, që nga gjysma e dytë e shekullit XVIII dhe dhjetë dekada më pas. Nga ai libër, pjesë të të cilit u botuan fillimisht në vitin 1943 nga revista periodike “Leka” që dilte në Tiranë, ne kemi përzgjedhur disa pjesë që po i botojmë më poshtë në këtë shkrim, duke i përshtatur ato në gjuhën e sotme.
Libri i albanologut gjerman
Johann Gerog Von Hahn
Pashallëku i Manastirit përfshinte Shqipërinë e Mesme, e cila në atë kohë nuk ishte një qendër politike e tregtare të përshtatshme. Ai ndahej në shtatë qarqe si vijon:
- Elbasani me krahinën e Shkumbinit të sipërm.
- Peqini me krahinën e Shkumbinit të poshtëm.
- Kavaja me bregdetin afër Durrësit.
- Tirana me krahinën e Erzenit të sipërm e të Ishmit, një brez bregor deri në grykë të Drinit, sipas gojëdhënës, deri në një man që gjendej në Pazar të Lezhës.
Kështu, sipas gojëdhënës; de facto Lezha ishte qendra e njëjtë e myderllykut të Shkodrës, dhe bregdeti që shtrihej në mes Matit dhe Drinit, varej më tepër nga Lezha se nga Tirana.
- Matja, ose krahina jugore e lagur nga Mati,
- Dibra me luginën e Drinit të Zi.
- Gora dhe Mokra me Pogradecin si kryevend, mbi bregun perëndimor të liqenit të Ohrit. Të gjitha këto qarqe vareshin nga kajmekami (nënprefekti), i Ohrit, dhe ky nga valiu i Manastirit, që ishte dhe Serasqeri ose Komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë turke për gjithë Ballkanin. Ndoshta dikush duke e dëgjuar këtë punë, do të habitet, duke e ditur se Manastiri dikur si qytet s’kishte kurrfarë rëndësie, dhe si pashallëk nuk ekzistonte aspak. Dhe tokat që përmendëm më lart, të cilat ju dhanë Manastirit, u përkisnin pashallëqeve të Janinës dhe Shkodrës. Për këtë arsye Mehmet Bushatlliu, në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, pushtoi qytetet e qarqet e Elbasanit, të Tiranës dhe Kavajës. Por duhet ditur se qysh në vitet 1836, Serasqeri i Rumelisë ishte vënë me banim në Manastir, me qëllim që të mund të shtypte më kollaj kryengritjet e shqiptarëve, dhe po për atë arsye u krijua pashallëku i Manastirit, i cili në fillim përfshinte jo vetëm qarqet e lartpërmendura, por edhe pashallëkun e Shkodrës, Prizrenit dhe të Pejës, e shtrihej deri në Nish. Në këtë kohë, Shkodra, Prizreni e Peja, nuk kishin një sundimtar civil të posaçëm.
Tregtia në Shqipërinë e Jugut
Ndarja e Shqipërisë, siç e pamë më lart në këtë shkrim, nuk ishte shkaktuar vetëm për arsye politike, por edhe për arsye tregtare. Dhe me të vërtetë çdo pashallëk, me aleatët e vet, ishte përqendruar në një drejtim të caktuar në fushën tregtare, të pajisur me një rrugë që e lejonte kalimin e mallrave prej Lindjes në Perëndim e anasjelltas. Kështu, në Shqipërinë jugore, Janina ishte qendra tregtare e vendit, prej nga dhe fillonte rruga tregtare, e cila që nga qafa e Zygo-sit, çon në Thesali. Marrëdhëniet e Epirit me këtë krahinë kanë qenë gjithmonë shumë të ngushta, aq sa Turqit e vunë shpesh herë nën një sundim të vetëm. Shqipëria e mesme kishte dy rrugë tregtare: njëra bashkonte Vlorën me Manastirin, duke kaluar nëpër Berat, Korçë e Kostur, tjetra si e famshmja Via Egnatia e Romakëve, bashkonte Durrësin me Manastirin e Selanikun, duke kaluar nëpër Elbasan, Kandavi e Ohër. Pashallëku i Shkupit ishte i bashkuar me Shkodrën dhe me detin Adriatik nëpërmjet rrugës Kukës-Prizren, e cila duke kaluar nëpër Qafën e Tetovës, shkonte deri në Edrene. Gjendja tregtare e Shqipërisë sonë që para 100 vjetëve meriton një studim shumë më të imët, pasi ajo është një gjë me shumë vlera për të njohur gjendjen ekonomike e shoqërore të popullit tonë, mbi të cilën deri më sot pak kush ka shkruar apo folur. Duke filluar nga jugu, duhet pasur parasysh se para Ali Pashë Tepelenës, tregtarët e kësaj krahine i blinin mallrat e vet nga fabrikat, të cilat atëherë lulëzonin në Turnovo-s e Ambelaki-t në Thesali, dhe ndër tregje të Selanikut e të Stambollit. Ata vizitonin edhe panairin e Serez-it e të Përlepit, në Maqedoni, ku merrnin sidomos mallrat evropiane që u nevojiteshin. Tregtia detare, për sa ishte e mundur ndër ato kohë të lashta, ishte në dorë të francezëve, të cilët para Revolucionit të 1789-ës, me Pargë e me Prevezë, kishin marrëdhënie tregtare të ngushta dhe të frytshme. Përkundrazi, e parëndësishme ishte tregtia me Venedikun. Në kohën e revolucioneve dhe luftërave napoloniane (1789-1814), tregtia detare ra në dorë të Maltës, dhe mbas Kongresit të Vjenës, (1815), ajo ra në dorë të Austrisë e të Anglisë. Franca u mundua të rifitonte tokën e humbur dhe t’i përsërite marrëdhëniet e dikurshme me Shqipërinë jugore, por nuk ia doli dot.
Konkurrenca tregtare e Janinës me Manastirin dhe Korçën
Janina ishte natyrisht qendra tregtare e krahinës dhe rrezja e tregtisë së saj shtrihej edhe përtej kufirit politiko-administrativ, për arsye se jo vetëm i dërgonte mallrat e veta (pëlhura e artikuj kozmetikë) në Tërballë, e nëpërmjet saj në Thesalinë perëndimore, por i bënte edhe konkurrencë Selanikut në tregun e Larisës. Janina kishte në dorë tregun e Kosturit në Maqedoni, sepse tregtarët e Kosturit, edhe pse më afër Manastirit, gjenin si më të dobishme marrëdhëniet tregtare me Janinën, se sa me Manastirin. Porse më vonë, diku aty pas vitit 1830, Janina gjeti një kundërshtare të rrezikshme në Korçë, e cila ia doli të emancipohej nga tregu i Janinës dhe të lidhej drejtpërsëdrejti me Qerfozin dhe t’i merrte mallrat angleze nëpërmjet limanit të Vlorës. Ky zhvillim i papritur i Korçës ka qenë favorizuar jo vetëm nga zgjuarsia dhe guximi i korçarëve, por edhe nga pozita e atij qyteti që gjendet në një kryqëzim rrugësh të rëndësishme. Janina kishte dy skela, skelën e Sajadës dhe skelën e Artës. Skela e Sajadës nuk ishte një port i vërtetë, por vetëm një gji ku detarët mund të gjenin një mbrojtje kundra erërave të Perëndimit. Rruga tokësore që prej Sajadës të çonte në Janinë e ishte shumë e gjatë (rreth 20 orë rrugë) dhe shumë e keqe, aq sa nuk mund të kalonte dimër që në Kalama, bri të cilit kalonte rruga, mos të rrëzohej ndonjë mushkë a ndonjë karvanar i karvanëve tregtare që bënin shërbimin Sajadë –Janinë. Për këtë arsye tregtia nuk ishte shumë e dendur dhe nëpër këtë rrugë kalonin vetëm pëlhurat angleze dhe mallrat e tjera më të lehta që vaporët austriakë shkarkonin në Qerfoz. Mallrat kozmetike dhe mallrat më të rënda shkarkoheshin në skelë të Artës, e cila ishte shumë më e sigurt. Edhe rruga Artë-Janinë ishte më e shkurtër (vetëm 16 orë), dhe më e mirë, prandaj edhe kalimi i mallrave nëpër atë rrugë kushtonte më lirë. Ujërat e gjirit të Prevezës, duke qenë jo fort të thella (vetëm 12 metra), nuk lejonin të kalonin dhe t’i afroheshin bregut anijet e mëdha, prandaj dhe tregtia në këtë zonë nuk ishte e madhe. Si rezultat ajo tregti kufizohej me marrëdhënie të zakonshme në Qerfoz dhe Shën Maura (ku blihej sidomos vera), dhe me disa ishuj të tjerë të detit Jon. Limani më i njohur i Shqipërisë jugore, ishte ai i Vlorës, si për nga mbrojtja e anijeve kundra erërave dhe stuhive të Adriatikut, ashtu dhe nga tregtia. Berati vetë, mbasi nuk kishte në bregdet një skelë të sigurt, përdorte Vlorën si liman të vetin dhe mbi barka të vogla i çonte atje eksportet e veta. E vërteta është se në bregdet nuk mungonin edhe skela të tjera natyrore, por ato ishin të lëna pas dore apo që përdoreshin vetëm për tregtinë e brendshme, pasi nuk përbënin një vend të rëndësishëm nga pikëpamja tregtare.
Bregdeti shqiptar, me 20 zyra doganore
Në atë kohë, në të gjithë bregdetin e Shqipërisë kishte rreth 20 zyra doganore të cilat kontrollonin të gjithë aktivitetin tregtar që zhvillohej nëpërmjet detit. Sa për importet, kishin një rëndësi të veçantë, siç thamë më sipër, skelat e Sajadës dhe Artës. Parga, përkundrazi, mbas pushtimit të Ali Pashë Tepelenës, kishte humbur çdo gjurmë të lulëzimit tregtar të dikurshëm. Mallrat e eksport-importeve ishin mbajtur zakonisht me anije të huaja, si për shembull, me austriake, angleze dhe greke. Anije të tjera nuk shiheshin veçse në Vlorë, kryesisht kur ishte moti i keq. Shqipëria jugore nuk kishte një flotë tregtare, përveç disa barkave të ndonjë tregtari të Prevezës e të Artës, e barkash të himarjotëve. Nga veriu, përkundrazi, si kemi për të parë më poshtë, lulëzonte flota tregtare e Ulqinit. Tregtia bëhej sidomos me Trieste dhe me Qerfoz, duke qenë shumë e kufizuar në marrëdhëniet me Livornon, Maltën, Francën dhe me Perandorinë Otomane. Sipas një llogarie që i afrohet shumë së vërtetës, mbasi janë marrë parasysh të ardhurat doganore të qarkut, shpenzimet e tyre dhe kontrabandat, duket se lëvizja tregtare e Shqipërisë jugore tash një qind vjet (bëhet fjalë për periudhën 1843-1943, shënimi ynë), ishin në 2 deri 5 milionë franga ari. Nga të cilat 2/5 ishin nga eksportet dhe 3/5 nga importet.
Importet nga Anglia, Austria, Rusia etj.
Importet nga Anglia ishin këto; artikuj kozmetikë, pëlhura, penj dhe artikuj të tjerë pambuku. Duhet pasur parasysh se në atë kohë shumë pëlhura vendi bëheshin me pambuk dhe për këtë arsye, përdorimi dhe tregtia e fijeve të pambukut ishte me shumë rëndësi. Hekur, rreth 8000 kv në vit, përdorej për patkonj kuajsh, parmenda e vegla të tjera të trasha. Çmimi i tyre shkonte në 1 grosh (monedhë shqiptare e kohës, shënimi ynë), e 25 pare për ok (njësi matëse). Lëkura të papërpunuara vinin prej Buenos Aires dhe përdoreshin sidomos për opinga. Importet nga Austria; hekur e artikuj hekuri; nja 10000 kv në vit; pëlhura, penj leshi (nja 2000 topa në vit, me etiketat e Vjenës, gjëra pambuku, basma, shamia, etj.), gjëra mëndafshi, lëkurë për këpucë, letra, majolike, artikuj qelqi, sahate. Nga Rusia importoheshin në Shqipëri rreth 2000 kv hekur. Nga Napoli më shumë se 1000 metra tel ari për kazazë e terzi; nga Stambolli vinin disa pëlhura mëndafshi e leshi të çmueshme dhe disa të qëndisura, nga Maqedonia vinin penj leshi për qylyma dhe plafa.
Eksportet e Shqipërisë së Jugut
Nga Shqipëria e jugut eksportohej zhgun dhe shajak i trashë e i fortë, me të cilën bëheshin dikur pelerina detarësh. Ato punoheshin me shumicë, sidomos në katunde të vllehve dhe të Pindit. Kështu që, jo vetëm mjaftonte për nevoja të vendit, por edhe eksportohej jashtë (nja 100 barrë në vit). Në Çamëri në atë kohë lulëzonin disa fabrika burnoti që shitej sidomos ndër vendet të afërta të Perandorisë Osmane. Ndërsa për drithëra (misër, grurë etj.), në atë kohë mungonte një eksport i rregullt, pasi ajo gjë varej nga të korrat dhe stina. Nga vaji, ndër vitet më të mira, Preveza nxirrte rreth 10000 voza, Parga 5000, Çamëria 6-7000, Vlora 20000. Një e treta e tyre eksportohej në Trieste dhe 2/3 ishin për nevojat e vendit. Ndër vitet e këqija, eksporti ishte pothuaj në zero. Të vjelat e ullinjve fillonin zakonisht në nëntor e zgjasnin deri në pranverë, pasi të kokrrat, duke mos u pjekur në të njëjtën kohë, i detyronin fshatarët që të mos i shkundnin për të mos i dëmtuar degët, siç ndodhte në shumë krahina të tjera, ku një vit pemët jepnin kokrra, kurse vitin tjetër do rrisnin sythet e prishura prej së shkundurës. Eksporti fillonte në muajin mars. Vaji më i mirë ishte ai i Pargës dhe ai i Çamërisë, i cili shitej 1 apo 2 taler (njësi matëse e asaj kohe) për fuçi më shumë se të tjerët. Valanidha (Vollonea), rreth 500000 litra në vit, prej së cilës 150000 nga Vlora. Cedrat (më të mira janë ato të Pargës) eksportoheshin në Trieste, ku ishin shumë të kërkuara prej hebrenjve. Në Çamëri mbillej një lloj duhani i posaçëm dhe i çmueshëm, i ardhur prej Sirisë, i cili quhej Gjebel. Ai shitej 7-8 grosh oka, përkundrejt 3-4 grosh që shitej duhani i vendit. Ai lloj duhani eksportohej sidomos në Qerfoz dhe në Greqi. Leshi, vetëm prej Vlorës eksportohej në muajt qershor e korrik rreth 50000 okë, sidomos në Trieste dhe çmimi ishte 10 libra (8-9 groshë). Zifti prej Selenice (e cila ndodhet 3 orë nga verilindja e Vlorës) dhe punëtorët që punonin aty ishin kryesisht vllahët e rretheve, të cilët prodhonin ziftin e trashë dhe të hollë që shkonte në Vlorë për eksport. Atje paguhej një taksë doganore dhe shkonte zifti i trashë (rreth 300000 litra), ½ në Trieste e në Venedik, dhe ½ në Napoli e nga Lindja, ku përdorej për të lyer trupin e hardhive, e cila i mbronte ato nga krimbat e insektet e tjera të dëmshme. Ndërsa i gjithë zifti i hollë dërgohej në Trieste. Lëkura qengji dhe lepuri, rreth 10-15000 copë prej Vlore. Shtazë për mish, rreth 10000 krerë në vit (1/3 nga vendi, 2/3 nga krahinat e Tunës), ndërsa eksporti i deleve dhe i derrave ishte shumë më i vogël. Ushujza, rreth 1000 okë në vit, dikur shiteshin vetëm në Pargë, nja 3000 okë. Breshka, 40000 copë në vit, 4/5 eksportoheshin në Trieste dhe në Fiume. Kriporet më të rëndësishme ndodheshin e para gjysmë ore nga veriu i Vlorës, e dyta afër katundit të Semanit dhe e treta afër Kavajës. Secila përbëhej prej një lëmi katror, i rrethuar nga një mur tjetër dhe i ndarë në lëme më të vogla, ku nëpërmjet një vije hiqej uji i detit deri sa ai arrinte lartësinë 6-7 centimetra. Në verë avullimi ishte aq i fortë dhe i shpejtë, sa mbas 48 orëve, punëtorët me një shat druri mblidhnin kripën, duke e grumbulluar atë me shumë kujdes në pirgje vezake me një diametër 5-6 metrash dhe 4-5 metra të lartë. Për t’i mbrojtur nga shirat, ato grumbuj i mbulonin me një çati kashte të bërë me xunktha. Në muajt e korrikut dhe gushtit, në kriporen e Vlorës punonin rreth 100 punëtorë të cilët nxirrnin rreth 400-500 barrë kripë në ditë, dhe në vit ajo sasi arrinte 15-20000 barrë. Shumica e asaj kripe dërgohej në Shkodër, me anën e detarëve ulqinakë, të cilët e blinin atë në Vlorë me 10 groshë kalin dhe e shisnin në Shkodër me 14 grosh. Qiraja e kripores së Vlorës ishte rreth 150-180000 grosh në vit, ndërsa rroga e punëtorëve ishte rreth 160 grosh në muaj për njeri. Për këtë arsye, sipërmarrësi nuk kishte ndonjë fitim të madh të ardhurash, por zakonisht ai kompensohej me punë të tjera më të leverdisshme nga ana e qeverisë, në mënyrë që ai të kompensonte fitimet e munguara apo dhe humbjet që mund t’i vinin prej aktivitetit të kripores. Gjatë një viti në kriporen e Vlorës, zakonisht punonin pa rrogë banorët e katundit të Nartës, të cilët për këtë arsye ishin të lirë prej çdo angarie dhe nuk ngarkoheshin me pagimin e taksave a të dhjetave, si banorët e fshatrave të tjerë. Prodhimi i të gjitha kriporeve të Shqipërisë jugore ishte rreth 60-70000 barrë në vit dhe ai përdorej gati i gjithi për nevojat e vendit në Shqipëri, dhe pjesa që tepronte shkonte ndër vendet e tjera të Perandorisë Osmane të asaj kohe./Memorie.al
vijon nesër
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016