Memorie.al / Kur Durrësi pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ishte thuajse në prag zie, në portin e minuar dhe të shkatërruar të qytetit, erdhën anijet e UNRRA-s. Profesori Ramazan Beja, pinjoll i fisit të madh të Bejave të këtij qyteti, që nxënësit e tij, e thërrisnin me emrin Xhodë, dhe kështu vazhdojnë ta thërrasin miqtë dhe ish- nxënësit e vet edhe sot, tregon se; “Kur qyteti po lëngonte nga uria që lanë pas vitet e luftës, dhe zia po trokiste kudo, ishte ardhja e UNRRA, ajo që bëri që kjo zi, të mos ndjehej. Qe koha kur tregtia ishte ndërprerë, depot ishin të boshatisura, zija po afrohej kërcënuese. Po ardhja e sajë, bëri që në Durrës, të vërshonin tonelata me ushqime dhe veshmbathje, si dhe teknologji nga me të përparuarën për kohën, të cilën banoret e qytetit të Durrësit, nuk e harruan kurrë. UNRRA, ishte gjiganti që erdhi nga deti”, thotë ai. Që na ngopi në ato vite të vështira dhe na veshi.
Ai kujton se, ka qenë vetëm 11 vjeç, kur anijet e mëdha të UNRRA-s (Unitet Nation Relief and Rehabiliation Administration) vërshuan në portin e rrënuar. “Ishin anije të mëdha që përdornin një teknike shkarkimi, që ne s’e kishim parë kurrë më parë. Prandaj i ndiqnim shkarkimin e tyre për orë të tëra, me kuriozitet fëmijëror të rrallë.
Anijet i afroheshin bregut, dhe me një mekanizëm të sigurt, hapnin një portë të madhe që e ulnin poshtë dhe prej kësaj ure të madhe, dilnin kamionë të mëdhenj ‘Chevrolet’ 15 tonësh, të ngarkuar plot thasë të mëdhenj, fuçi e arka të mëdha, që merrnin rrugën për në depot e boshatisura e të uritura të shtetit”.
Çfarë solli UNRRA në Durrës?
Xhod Beja, kujton me hollësi, artikujt e shumtë që solli UNRRA në Durrës. Përveç kujtesës, ai i referohet edhe dokumentacionit të mëvonshëm, që ka kaluar në duar. Sipas Bejës, me këta vaporë të mëdhenj u sollën në Durrës kamionë “Ford”, “Xhejms”, “Chevrolet”. “Xhip”-se të vegjël 4 vendesh “Willis”. “Disa kamionë ishin të pajisur me organello përpara, që ne i shikonim për herë të parë.
Ata sollën urat e para ‘Beli’, që shërbenin për të kaluar lumenj dhe përrenj, pasi urat ishin shkatërruar tërësisht nga lufta. Sollën traktorët ‘Ford’ 500 Kf, për bujqësinë, moto-gjeneratorë për fshatra e qytete. Motori elektrik i Durrësit, u hoq nga vendi dhe u zëvendësua me një motor shumë më të fuqishëm, ndërsa ai ekzistuesi, u dërgua dhe u montua në Rrogozhinë.
Për herë të parë vinin në këtë qytet frigoriferë 20 tonësh, me volum 30 m3, për ruajtjen e prodhimeve bujqësore. U sollën ilaçe pamasë. Kinina, penicilina olioze, deri viça ‘Xhersei’ dhe dhi ‘Malteze’ si dhe pula amerikane. Kafshët dhe pulat, sistemoheshin në sheshet e Portit të Durrësit dhe më pas niseshin nëpër fshatra. Materialet ishin të shumta, sa që ndonjëherë si fëmijë, vërenim se si sheshet ishin të tejmbushura.
Dhe niseshin për t’i shpërndarë me autokolona, me deri në 50 kamionë të mëdhenj. Pas pak, nisej autokolona tjetër. Dhe kështu vijonte…! UNRRA ka sjelle edhe mijëra ton veshmbathje, rroba e këpucë, të gjitha dhurata të qytetarëve amerikanë, të pastra, të paketuara, për tu shpërndarë e për t’u veshur”, kujton Xhoda.
Ushqimet e sjella në Durrës
“UNRRA sillte në Shqipëri nga ushqimet grurë, misër, miell, groshë argjentinase, sheqer kubanez e haitian, të bardhë dhe të kuq, biskota, galeta, vaj vegjetal e vaj peshku, margarinë, konserva mishi e peshku, qumësht pluhur dhe të kondensuar, çokollata të mëdha, që në front u shpërndaheshin ushtarëve më parë, si ushqim rezervë. Po ashtu pije. Cigare ‘Camel’ dhe ‘Lycky Strike’ e shkrepëse.
Ushqime të shumta u sollën dhe për kafshët: Xhixhibanoz, bizele të presuara, farë pambuku të presuar e në forme pllakash (90 x 60 cm), të cilat sapo futeshin në ujë të ngrohtë bymeheshin, duke dhjetëfishuar volumin. Të gjitha këto ushqime”, thekson Xhoda, të pasuruara dhe me vitamina, ishin një ushqim i zgjedhur për kafshët. Ai kujton se fshataret e zonave për rreth që ushqyen lopët me këto ushqime, nga 5 litra qumësht që merrnin për lopë ,arritën të marrin deri ne 15 kg qumësht, kaq rendiment siguronin ushqimet e ardhura.
Fëmijët e dikurshëm, ende ruajnë kujtime mbi pakot e sjella për to, çfarë ishin; “Kismetet”
Natyrisht që për fëmijët e uritur të qytetit të sapo dalë nga lufta, ardhja e ndihmave ushqimore amerikane, ishte për ta një kismet i madh, që i përkthyer në një kuptim më praktik të gjuhës sonë, është fat. Dhe UNRRA, ishte fat i tyre. Xhoda tregon se për fëmijët, kishin ardhur shumë varietete pakosh. Ai kujton se për fëmijët, kishin sjellë disa kuti cilindrike alumini, në ngjyrë ushtarake, që kishin përsipër numra e shkronja dhe që kishin brenda torrone, karamele, çamçakëzë, çokollata, biskota, hallva, lapsa me ngjyra, etj.
Po në to, para se të hapej, nuk mund të dije se çfarë kishte brenda. “Mbasi nuk dinim se ça na kishte rënë, ne fëmijët i quanim kutitë; “kismete”. Madje për një nga këto kismete, Xhoda tregon se; u trembën mos ishte minë. Për këtë rast ai kujton, se si një shoku i tyre, me emrin Xhafë, sjell ne klasë një “kismet” me çelës. Ai e vuri mbi katedër dhe rrotulloi çelësin. “U dëgjua një fëshfërime monotone”, kujton Xhoda.
“U trembëm se mos ishte një minë me sahat”. Kur u hap kutia metalike, brenda sajë, u gjetën makarona të ngrohta. Mësuesi u ka treguar se fundi i kutisë, ishte i dyfishtë dhe i mbushur me gëlqere të pashuar. Rrotullimi i çelësit, kishte bërë që mbi gëlqere të derdhej ujë. Reaksioni i shuarjes, kishte krijuar nxehtësinë e nevojshme, për të ngrohur makaronat. Këto lloje kutish, kishin lloje-lloje ushqimesh që u dërgoheshin në front ushtarëve, të cilët kështu ushqeheshin, pa pasur nevojë për gatim nëpër mensa.
Xhoda e kujton këtë episode, edhe si një provë që i u dha atyre që në fëmijëri, për shpirtin praktik amerikan. Ndihmat e ardhura nëpërmjet “Misionit Ushtarak Aleat”, si; medikamente, ushqime, veshmbathje, mjete transporti kapnin një vlerë, sipas profesor Xhodës, prej 32 milionë dollarë amerikanë. Ky mision menaxhoi ndihmat e mëdha që dhuroi UNRRA, rreth 130 mijë tonë me një vlerë prej 26.5 milion dollarësh. Xhoda tregon, se nuk kaluan më shume se 3 muaj, që shpërndarja e ndihmave bëhej falas, kur pastaj shteti filloi t’i shesë të gjitha ndihmat, me para.
Komunistët përdoren Durrësin, si pretekst për largimin e UNRRA-s
Qyteti i Durrësit, ka shërbyer si një ndër pretekstet e forta për të shkuar drejt eliminimit të marrëdhënieve të mira me UNRRA –n dhe më pas largimin përfundimtar të sajë. Lidhur me konfliktin e lindur, për t’u dhënë leje personelit të sajë për të shkuar në Durrës, nisur nga informacioni që i drejtohej qeverisë amerikane, mësohet se qeveria shqiptare, nuk i ka lejuar ata të shkojnë të pashoqëruar në qytetin e Durrësit, përkundrazi, u ka kërkuar që tu japë për shoqërim një roje partizane, gjë që nuk është pritur mirë nga amerikanët.
Xhejkobs, në telegramin që i dërgon Delegacionit të SHBA-ve në Këshillin e Ministrave të Jashtëm në Paris, u raporton se: “Anëtarët e shtabit tim, anglezëve dhe personelit të UNRRA-s, u imponohen kufizime të ndryshme. Në muajin dhjetor (1945…S.H.), u pezulluan edhe dhëniet e lejeve, për të shkuar me makinë në Durrës (në mbas-ditën e ditës së shtunë, duke shëtitur në kodrat përreth Tiranës, atasheu i shtypit anglez, Robinson, u arrestua nga ushtarakët…). Edhe në rast se jepet leje kalimi, je i detyruar të shoqërohesh nga një partizan…”! Xhejkobs ka paraqitur disa vështirësi të tjera, duke dhënë një tabllo të zymtë të marrëdhënieve të acaruara, të asaj periudhe.
Ai akuzon qeverinë shqiptare, se ajo, ndryshe nga traditat e mikpritjes shqiptare, ka treguar më shume afeksion ndaj rusëve, qëndrimet anti-amerikane të të cilës, sipas Xhejkobs-it, nxiten nga agjentë rusë dhe duke nëpërkëmbur statusin e tyre, e kanë bërë gjendjen e sajë në Shqipëri, të pashpresë. Për këtë ai shkruan se: “Përsa i përket çështjes së misionit tonë, situata paraqitet delikate. Të flasim prerë, ai s’ka pse të qëndrojë.
Ai u dërgua këtu për të studiuar situatën dhe për të dhënë një raport, që tashmë është dorëzuar…! Unë jam i sigurt se autoritet e, veçanërisht ato jo shoqërore me ne, janë në dijeni të statusit tonë të pashpresë, prandaj edhe e kontrollojnë aktivitetin tonë dhe tregojnë një sjellje jo miqësore, gjithmonë në rritje… edhe nga nxitja që bëhet nga agjentët rusë. Kjo ndjenjë, qëndron shumë afër asaj ruse, gjë që nuk ka asgjë të përbashkët me mikpritjen shqiptare…”!
Rindërtimi i Portit nga UNRRA
Sipas kujtimeve të botuara nga Feruz Mataj!
“Kantieri detar ku ne filluam punën – do të shkruajë Mataj në kujtimet e tij, – kishte qenë pronë e Tom Gogës, që i ishte sekuestruar në dhjetor të 1945-ës. Ndërkohë, në ditët e para të vitit 1946, punëtorët e vjetër të kantierit, së bashku me një grup polumbarësh, filluan të nxirrnin anijet e mbytura në brigjet tona dhe madje edhe ti riparonin, po vetë. Në fillim nxorëm dy rimorkiatorët italianë të mbytur dhe një motovedetë, që u quajt ‘Mujo Ulqinaku’, pastaj mjaft moto-veliera, mauna, çisterna, motoskafë etj”.
“Dy kalatat do t’i ngrinte UNRRA, duke sjellë të gjitha materialet për ndërtimin e skelës të Durrësit dhe po kjo strukture, do bënte ndërtimin e dy urave me parafabrikate druri, në një kohë rekord. Regjimi do e kuptonte rëndësinë dhe në shkurt të vitit 1948, do ngrinte Drejtorinë e Përgjithshme të Porteve, e cila do kishte autoritet dhe mbi 5 porte, nga ai i Bunës në Veri, e deri te i Sarandës në Jug, Flotën Detare-Tregtare dhe Kantierin Detar”, shkruan Mataj në librin e tij.
UNRA në kujtimet e Ago Agajt, emigrant politik në SHBA-ës
Agaj i kujton se më pas, Tirana u mbush me ushqimet e çokollatat e UNRRA-s (Organizata Ndihmëse Amerikane e Pasluftës), e cila e mbushi Tiranën me bukë të bardhë si bora dhe me lloj-lloj ushqimesh e artikujsh. Erdhën pas saj dhe misionet ushtarake e amerikane, që u pritën me ftohtësi nga qeveria dhe me gjithë zemër nga populli shqiptar, i cili mendonte dhe shpresonte, se ditë të mira, ditë lirie, do të vinin për të, nga ndikimi i aleatëve të mëdhenj, fituesve të luftës së madhe.
Reshati shkruan në ditar: “Shtypi komunist përditë i binte kokës edhe Anglisë, edhe Amerikës, në fillimin e Luftës së Ftohtë, që atëherë kish filluar me ngut në të dy anët e perdes së hekurt. Rusia nuk binte asgjë ndër ne, veç ç’merrte ajo dhe Jugosllavia, nga ekonomia jonë e shkatërruar nga lufta.
Për ata kishte veç fjalë të mëdha e të ëmbla, si aleatët e përjetshëm të Shqipërisë, si vëllezërit e proletariatit, kurse për anglezët dhe amerikanët, që e mbushën Shqipërinë me bukë dhe ilaçe, veçanërisht me DDT, që e shpëtoi popullin nga malaria e morrat, asnjë fjalë të mirë, asnjë fjalë mirënjohjeje!
Me të vërtetë, të vinte ndot në këtë kohë, ta quaje veten shqiptar. Shqiptari ka pasur traditë, që ta nderojë mikun që i vjen në shtëpi dhe ta presë me bukë e zemër, me atë që i ka dhënë Zoti, ndërsa komunistët, jo vetëm që s’u dhanë gjë këtyre miqve, që po u binin kaq të mira dhe i mbushën me armë e flori gjatë luftës, po i shanin e i përdornin, në një mënyrë me të vërtetë të neveritshme. Veçanërisht shtypi komunist”.
Agaj kujton se rusët dhe jugosllavët, e zbrazën tregun shqiptar. Sjell si shembull se; kur Shefqet Musaraj u kthye nga një vizitë e shkrimtarëve shqiptarë në Moskë, i tregoi se në një magazinë moskovitë, kishte gjetur sapun “Luks” të fabrikës “Pogu” të Shkodrës sonë, kurse në Tiranë, s’gjeje një copë sapun të tillë, sikur të vrisje shtatë, si i thonë! Memorie.al