Nga Reshat Kripa
Pjesa e katert
-“Njerëzit që kurrë nuk e kanë njohur diktaturën dhe tiraninë, e kanë të lehtë të jepen pas retorikës për lirinë, duke harruar fare realitetin e thjeshtë e të tmerrshëm, të shtypjes së njimendtë atje ku ekziston përnjimend”.-
Giovani Sartori: “Edhe njëherë për teorinë e demokracisë”.
Memorie.al/ Robert Krasta, e kishte bërë zakon që në çdo përvjetor të prindërve, të shkonte në varreza dhe të vendoste një tufë me lule, mbi varrin e tyre. Vështronte fotografinë e stamposur në porcelan dhe fillonte bisedën me ta. Këtë zakon, kishte kohë që e kishte bërë. Biseda sikur i qetësonte shpirtin. U tregonte për gjithçka kishte ndodhur në familje. Ndonjëherë, kur gjente vështirësi në ndonjë gjë, u kërkonte ndihmë atyre dhe i dukej sikur ata i përgjigjeshin. Ndoshta kjo, mund të ishte ndonjë hamendje e tij, megjithatë ai e besonte.
Ilia qëndronte pa folur. Nuk gjente dot fjalë për t’u përgjigjur. Agroni e vuri re dhe vazhdoi më tutje:
– Unë kërkoj të më vihet në vend dinjiteti. Kush e përdor emrin tim për të tilla lojra?
– Çfarë keni menduar të bëni?
– Do t’u shkruaj se, nuk u kam dërguar asnjë letër dhe asnjë monedhë.
– Shumë mirë do të bëni.
– Por kërkoj që edhe ju të lëvizni dhe të gjeni fajtorin e vërtetë. Tani më falni. Më duhet të largohem se kam shumë punë. Mirupafshim! U nis të largohej, por ai e ndaloi:
– Prisni, prisni. Të bisedojmë pak për problemet tona.
– E çfarë mund të bisedojmë?
– Po ja shoku Agron. Ju jeni njeriu ynë, bir dëshmori. Jeni edhe kryeinxhinier i ndërmarrjes. Kemi disa të dhëna se në ndërmarrje keni disa njerëz të dyshimtë.
– T’ju them të vërtetën, unë nuk njoh njerëz të tillë.
– Fjalën e kam për ata dy inxhinierët që shoqëroheni juve, si dhe për disa të tjerë. Sikurse u ka thënë edhe kryetari ata, i përkasin asaj shtrese që na ka luftuar me pushkë në krah. Sipas të dhënave që kemi, ata diçka po përgatisin.
– Unë nuk kam dëgjuar asgjë. Ne nuk flasim asnjëherë për probleme që bien ndesh me vijën e partisë.
– Por a e dini përbërjen familjare të tyre?
– Ç’më duhet mua ta di? Mua më intereson puna dhe qëndrimi që mbajnë. Kjo më mjafton.
– E ke gabim. Ti duhet të thellohesh, duhet të jesh shumë vigjilent. Mos harro! Lufta e klasave është forca lëvizëse e shoqërisë socialiste. Pa luftë klase, rrezikohet i gjithë sistemi ynë.
Papritur kishte filluar të fliste në njëjës.
– Kur qenkan të tillë, si mundën të mbarojnë universitetin? Këtu duhet të ketë ndonjë keqkuptim, – tha Agroni.
– Nuk ka asnjë keqkuptim. Nëse një herë me manovrat e tyre ose nga mendje-lehtësia e ndonjë funksionari, mundën të mbarojnë universitetin, kjo nuk do të thotë që ne të mos i survejojmë dhe të mos i demaskojmë po të jetë nevoja.
– Po pse t’i demaskojmë? Unë kam shoqëri prej pesë vjetësh me ta. Kurrë nuk kam dëgjuar ndonjë llaf, kundër pushtetit popullor, prej tyre.
– Megjithatë, të tjerët flasin ndryshe.
– E kush qenkan këta?
– Kjo nuk ka rëndësi. E rëndësishme është që ata që i akuzojnë janë persona të ndërgjegjshëm dhe besnikë ndaj mësimeve të partisë dhe shokut Enver. Ndonjë ditë mund t’i mësosh edhe emrat e tyre.
– Mos vallë unë nuk qenkam i tillë?
– Nuk e kam fjalën aty. Por ti duhet të jesh më aktiv. T’i mbash sytë hapur dhe të mos biesh pre e dredhive të tyre të pabesa. Kjo nuk vlen vetëm për ata. Ti duhet të shohësh më gjerë. Je kryeinxhinier. Horizonti yt është më i largët.
– Pastaj?
– Duhet të bashkëpunosh më ngushtë me ne për të nderuar emrin tënd.
– Nuk e kuptoj se ç’doni të thoni.
– Ta shpjegoj unë.
Mori makinën e shkrimit, shtypi një shkresë dhe ia dorëzoi.
– Lexoje dhe më kthe përgjigje.
Agroni e mori dhe lexoi:
DEKLARATË
Unë, i nënshkruari Agron Canaj, deklaroj se jam i gatshëm të bashkëpunoj me organet e Sigurimit të Shtetit për zbulimin e armiqve të partisë dhe pushtetit popullor. Deklaroj se do të denoncoj çdo lloj shprehje të deklaruar nga njerëz antipushtet, që bie ndesh me normat e moralit tonë socialist dhe që dëmton të ardhmen e atdheut tonë, e fituar me gjakun e dëshmorëve tanë.
Deklaroj se këtë dëshmi, e kam bërë me ndërgjegje të plotë, pa asnjë shtrëngim nga ana e autoriteteve përgjegjëse dhe e konsideroj si një detyrë patriotike, për çdo shqiptar të ndershëm.
Nënshkruar.
Agroni ndjeu një neveri të thellë për atë deklaratë. I dukej sikur i digjte dorën. Por një neveri më të madhe ndjente për personin që ia serviri, Ilian, atë individ që kërkonte të detyronte një intelektual të kthehej në një njeri pa parime.
Për një çast mendoi t’ia përplaste në fytyrë dhe të ikte, por e mbajti veten. U kujtua se një gjë e tillë mund t’i kushtonte shtrenjtë. Mendoi se këtu duhej përdorur diplomacia. Ndaj nuk foli, por bëri sikur po lexonte për së dyti atë deklaratë.
– Nënshkruajeni, – i tha Ilia.
– Unë mendoj se, për të punuar për partinë dhe atdheun, nuk është nevoja të nënshkruash deklarata të tilla. Ne çdo ditë, ia kemi kushtuar atyre. Për to punojmë, realizojmë plane, ndërtojmë Shqipërinë socialiste.
– Mjaft më me këto deklamime. Këtu nuk jemi në mbledhje të kolektivit. Je përpara organeve të Sigurimit të Shtetit dhe duhet të mendohesh mirë para se të flasësh. Mos na shit dokrra. Toni i Ilias, tashmë kishte ndërruar. Fytyra i kishte ndryshuar ngjyrë. Nuk ishte më ai bashkëbiseduesi i mëparshëm. Kishte marrë pamjen e tij të vërtetë, atë të njeriut që me çdo mjet kërkon të realizohet ajo që thotë ai. Para nuk i qëndronte më ai, biri i dëshmorit të atdheut. Ai ishte shndërruar në një armik të popullit. Këtij armiku i duhej treguar vendi.
– Dëgjo shoku kryeinxhinier, do ta nënshkruash apo jo? Vetëm të paralajmëroj se, në të kundërt, do kemi të tjera biseda për të bërë bashkë.
– Shoku Ilia, unë i qëndroj mendimit të parë se nuk është e nevojshme të nënshkruaj një deklaratë të tillë. Shpresoj të mos më keqkuptoni. Kjo është fjala ime e fundit.
Vendosmëria e Agronit, e stepi Ilian. Nuk ishte mësuar ta kundërshtonin në raste të tilla. E ndjente veten të fyer nga krenaria e këtij njeriu. I skuqur flakë në fytyrë i tha:
– Po të lë dy javë kohë të mendohesh, Kur të vish përsëri, duhet ta kesh mendjen në kokë. Tani ik!
Agroni u largua. Në shtëpi i tregoi gjithçka Lumtos. Ajo u trondit tepër, por nuk e tregoi veten.
– Vepruat shumë mirë që, ia bëtë të qartë. Nuk besoj të guxojë më t’ju bjerë në qafë.
Të nesërmen, gjeti rastin dhe e bisedoi me Stefanin dhe Gjergjin. Mbasi e diskutuan me gjakftohtësi, në fund arritën në përfundim me mendimin që kishte shprehur Lumtua. Kjo gjë e qetësoi disi.
Pas dy javësh, hetues Ilia e thirri përsëri. Kërcënimet ishin më të forta. Letrat ishin hapur plotësisht. Para Agronit, ishin hapur dy alternativa. Ose duhej të pranonte të bashkëpunonte, ose duhej të merrte parasysh pasojat që do të vinin, ndoshta edhe burgosjen. Kjo e fundit e trondiste. Në shtëpi kishte tri femra. Një vëlla i vetëm Skënderi, ndodhej larg në një qytet tjetër.
– Bëni si të doni, – i tha operativit kur po largohej. – Unë jam i pafajshëm dhe i ndershëm. Karakteri im, nuk mund të ndryshojë në këtë moshë që jam tani.
Kur doli në korridor, iu duk sikur pa kryetarin e Degës që hyri në zyrën e tij. Kërkoi të takohej me të. Donte t’i shpjegonte gjithçka. Shpresonte të gjente mbështetje te ai. I tha një polici se donte ta takonte. Ai iu përgjigj:
– Prisni këtu.
Hyri në zyrë dhe pas disa çastesh u kthye.
– Kryetari nuk mund t’ju presë pasi, është i zënë me një mbledhje të rëndësishme.
– Kur mund të vij ta takojë?
– Nuk e di. Plani i punës së tij është shumë i ngarkuar dhe nuk e di nëse do ketë kohë për t’ju pritur. Por ju drejtohuni te operativ Ilia. Ai merret me këto probleme.
– Ju faleminderit, por me shokun Ilia i zgjidha problemet, –tha me ironi Agroni.
Doli në rrugë dhe po ecte pa e patur mendjen se ku shkonte. Kërcënimet e Ilias dhe sidomos mospërfillja e kryetarit, e kishin zhgënjyer. Ku vajti ajo mirësjellja e tij dhe fjalët e matura të thëna disa muaj më parë, kur kishin pirë kafe së bashku? Qëndrimi i tij i sotshëm nuk ishte një shenjë e mirë.
Koka i ziente. Tëmthat i rrihnin me forcë. Hidhte sytë rreth e qark. Kërkonte të takonte ndonjë të njohur, me të cilin mund të bisedonte. Ndoshta Stefanin apo Gjergjin. Ndoshta edhe Lumton. Ajo ishte njeriu i vetëm që mund ta ndihmonte në këtë situatë. Vetëm ajo mund të qetësonte plagët e zemrës që kishte marrë. Para syve pa një godinë dykatëshe. Në hyrje të saj ishte një tabelë e madhe: MUZEU HISTORIK. Hyri brenda. Aty ishte edhe i ati. Edhe ai kishte qenë komandant batalioni në kohën e Luftës. Edhe ai kishte rënë në këtë luftë. Vizitoi pavionin e dëshmorëve të rrethit. Filloi të shohë fotografitë e tyre, të vendosura në mur. Ndaloi para njërës. Ishte portreti i një burri të pashëm, i veshur me uniformë ushtarake. Mbi buzë i nxinin një palë mustaqe që, ia shtonin më tepër hijeshinë. Ishte i ati.
Për herë të pare, konstatoi se i ngjante atij. I gjatë si ai, mustaqet po ashtu, ballin të gjerë që tregonte zgjuarsi. U habit me veten që nuk e kishte konstatuar këtë më parë. Poshtë portretit, qëndronin një uniformë ushtarake angleze dhe një revolver tip “Beretta”. Mbi xhaketën e uniformës, në pjesën e kraharorit, dukeshin tre gjurma plumbash. Një njollë gjaku rrethonte gjurmët e tyre. Në një karton ishte shkruar me një shkrim të goditur:
“Këto sende, i përkasin dëshmorit të Luftës Nacionalçlirimtare, komandantit trim, të batalionit partizan, Bexhet Canaj, rënë më 12 korrik 1943, duke luftuar trimërisht me hordhitë fashiste dhe tradhtarët e vendit”.
Vështronte portretin e të atit dhe nga sytë i rrodhën dy pika lot. Sa do të donte ta kishte pranë, në atë çast kaq të vështirë. Ta pyeste, të këshillohej me të. Por ai e vështronte nga portreti dhe nuk fliste. Agroni, donte të dëgjonte zërin e tij. Kurrë në jetë, nuk e kishte patur një dëshirë të tillë. Ky ishte një rast i veçantë.
Vështronte fotografinë dhe për një çast, iu duk sikur ai i tha – Ndiq rrugën time or bir dhe do dalësh në jetë. – Para syve, i dilte i ati i atyre viteve. Kishte rrëmbyer armët dhe dalë malit për liri. Ishte bashkuar me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, por i quante miq dhe bashkëluftëtarë edhe ata që luftonin nën komandën e forcave nacionaliste.
Kështu kishin luftuar edhe atë ditë fatale. Bashkë me të dhe në krah të tij, kishte rënë edhe Sabriu, pjestar i forcave nacionaliste. I kishin varrosur të dy njëri pranë tjetrit, ashtu si kishin rënë. Kështu kishin vepruar edhe shtetet e tjera të Europës. Në Francë, komunistët e Moris Torezit, luftonin së bashku me nacionalistët e De Golit. Në Itali, komunistët e Palmiro Toliatit, luftonin së bashku me nacionalistët e Alcide De Gasperit.
Pas mbarimit të luftës çdo gjë u zgjidh me anën e votës së lirë. Kurse te ne doli parulla: “Pushteti buron nga gryka e pushkës” dhe në të vërtetë u zgjidh me grykën e saj. Të gjithë nacionalistët u shpallën armiq dhe bashkëpunëtorë të armikut. Gjyqe të panumërta u zhvilluan. Ekzekutimet ndoqën njëri tjetrin.
Ngado u ngritën burgje dhe kampe të tmerrshme. Agronit ato i kujtonin getot e famshme naziste. Nga tekstet e historisë, u hoqën emrat e sa e sa burrave të shquar të vendit. Vendin e tyre e zunë “heronjtë” e rinj të socializmit. Për ata zhvilloheshin pelegrinazhe. Për ata shkruanin gazetat dhe revistat. Për ata fliste radioja dhe televizioni. Një propagandë e shfrenuar mbizotëronte kudo. Një demagogji e paparë sundonte në jetën e përditshme të njerëzve. Dhe ja, demagogjia sundonte edhe këtu në muze.
Shikoni çfarë është shkruar për vrasjen e të atit: “Rënë më 12 korrik 1943 duke luftuar trimërisht me hordhitë fashiste dhe tradhtarët e vendit”.
Agroni e dinte të vërtetën për rënien e të atit. Në atë betejë kishin luftuar së bashku partizanë dhe nacionalistë. Kishin rënë dëshmorë nga të dy anët. Midis tyre edhe i ati me Sabriun. Por pas mbarimit të Luftës, kishte ndërruar dhe historia. Miqtë e dikurshëm papritur ishin kthyer në armiq.
Madje Sabriut, i kishin mohuar edhe varrin. Ata e kishin ndarë kufomën e tij nga i ati. Një veprim barbar. Të gjitha këto mendime sikur ia kthjelluan mendjen.
– Të faleminderit, o babë! Ti fole dhe më tregove rrugën nëpër të cilën duhet të eci. Të faleminderit!
Këto fjalë i tha me zë të lart, por kur u kujtua se ishte në pavionin e dëshmorëve, vështroi rreth e rrotull. Për fat, në atë çast, në sallë nuk kishte njeri, përndryshe do e kishin marrë për ndonjë të çmendur.
Doli në rrugë. Tashti sikur nuk e ndjente as brengën që e kishte kapluar. Shpirtin e kishte më të qetë. Kishte dëshirë të ecte dhe të ecte pa mbarim. Nuk ndiente lodhje. Së fundi u fut në një bar dhe porositi një dopio konjak. E piu përnjëherësh dhe u ngrit. Vazhdoi të ecte. U drejtua nga kodrat e qytetit. Ndaloi në pikën më të lartë. Prej andej qyteti dukej si në pëllëmbë të dorës. U ul në rrëzë të një rrapi të madh. Vështronte qytetin. Njihte çdo pëllëmbë të tij. Ishte lindur dhe rritur në atë qytet. Iu kujtua fëmijëria.
Një fëmini e përzier me krismat e armëve, me të vrarë dhe të plagosur që kërkonin ndihmë. Para syve iu fanit përsëri fytyra e të atit. Më pas ajo u zëvendësua me atë të s’ëmës.
Edhe ajo nuk vazhdoi gjatë, u zëvendësua me të Lumtos, e cila ia la vendin Iridës së vogël. Ishin njerëzit më të dashur të tij. Për ata punonte. Për ata ishte i gatshëm të sakrifikonte gjithçka.
I kredhur mes këtyre përfytyrimeve, nuk kishte vënë re se ishte bërë natë. Errësira kishte mbuluar vendin Kjo i kujtoi errësirën që kishte mbuluar shpirtin e tij. U ngrit dhe shkoi në shtëpi. Atje po e prisnin me merak.
– Ç’u bëre more bir? Ora po shkon njëmbëdhjetë, – i tha e ëma.
– Isha me Stefanin dhe Gjergjin, – e gënjeu ai. Vetëm te ata kishte besim nënë Gjyla – Po Iridushka ime si është? A ke marrë ndonjë dhjetë sot?
– Dy babi, një në fizikë dhe tjetrën në letërsi.
– Të lumtë! Nesër do të sjellë babi një dhuratë për hir të tyre.
– Dhurata më e mirë për mua jeni ju të tre, – qeshi Irida dhe iu hodh në qafë.
Kur shkuan në dhomën e gjumit, Lumtua i tha:
– Sot mora një lajm të keq. Një shoqja ime, që është drejtoreshë në një shkollë tjetër, më tha se kishte dëgjuar në seksionin e arsimit, ku kishte shkuar për të çuar disa relacione, të flitej për mua. Madje kishte dëgjuar shefin e seksionit të fliste me një vartësin e tij për mundësimin e transferimit në ndonjë shkollë tjetër. – Gjeni ndonjë vend bosh në ndonjë shkollë shtatëvjeçare, – kishte thënë shefi. Kam frikë mos më transferojnë në ndonjë shkollë fshati. Memorie.al