Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të protestave massive të popullit rumun në fundin e dhjetorit të vitit 1989, të cilat çuan në rrëzimin e udhëheqësit komunist, Nikolae Çaushesku, i cili e kishte qeverisur atë vend, që nga viti 1965, pas vdekjes së George Dezhit. Dëshmitë e rralla të gazetarit e moderatorit të njohur, Rezar Xhaxhiu, i cili nga viti 1987 e deri në marsin e 1991-it, shërbeu si atashe i Shtypit dhe Kulturës pranë asaj ambasade, që rrëfen eksluzivisht për Memorie.al, duke bërë publike për herë të parë, se si i përjetoi stafi i asaj ambasade me në krye ambasadorin Pirro Vito, ngjarjet e bujshme të protestave masive të popullit rumun, ku për disa ditë me rradhë, personeli i asaj selie diplomatike, u detyrua të armatosej dhe zuri pozicione në pjesë të ndryshme të asaj godine? Çfarë porosish merrnin ata nga Tirana zyrtare nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe si e kaluan momentin më të vështirë, kur ambasada shqiptare u rrethua nga tanket e Ushtrisë së komanduar nga gjeneralit Vasile Milea që ishin bashkuar me protestuesit, pas hapjes së lajmit se, diktatori rumun, Çaushesku, me gruan e tij, Helena, ishin strehuar në bodrumet e tunelet e asaj ambasade?!
“Më kujtohet që të gjithë familjarët e personelit të ambasadës sonë, ishin mbledhur së bashku dhe rrinin nëpër bodrumet e asaj godine, nën një pasiguri dhe panik real, të asaj se çfarë mund të ndodhte në orët në vijim! Ndërkohë, që ajo pjesë e familjeve tona që ishin strehuar, jashte godinës së ambasadës, e përjetuan dyfish dhe më me frikë, betejen disa ditore në rrugët e Bukureshtit. Më kujtohet ime shoqe, të cilën e gjeja në çdo rast kur kthehesha nga ambasada, të tmerruar dhe të ngurtësuar nga paniku, frika, dhe pasiguria. Në atë kohë, ne kishim vajzën 6 muajshe, dhe shpesh i gjeja të dyja poshtë parvazit të dritares, për t’i shpëtuar plumbave që vinin ngado. Qëllohej nga çdo anë, dhe ata që ishin më të pabesë, ishin sajperat e USLA (Reparti Special Anti-Terror) i Securitates, që ishin vendosur në tarracat e pallateve, dhe godinave zyrtare. Por në shumë raste, nuk merrej vesh kush qëllonte?! Ishte e nesermja e Krishtlindjeve, pra 25 dhjetor i vitit 1989, kur mësuam për arrestimin e Çausheskut. Ai u ndalua së bashku me gruan e tij, Elenën, nga nje postobllok ushtrie në afërsi të Tirgovishtes. Gjatë këtij momenti, çifti presidencial Çaushesku, ishte drejtuar drejt një aeroporti, në tentativën për t’u arratisur nga Rumania, dhe për të kërkuar strehim politik në një vënd mik me Rumaninë”.
Kështu e kujton në mes të tjerash, gazetari dhe moderatori i njohur Rezar Xhaxhiu, ngjarjet e bujshme të ndodhura plot tre dekada më parë në Rumani, ku në fundin e dhjetorit të vitit 1989, për shkak të protestave masive të popullit rumun në kryeqytetin e vëndit, Bukuresht, udhëheqsi komunist, Nikolae Çaushesku, së bashkë me gruan e tij, Helena, në tentativë për t’u larguar nga vëndi, u ndaluan në një post-bllok në periferi të një qyteti të vogël në kufi me Hungarinë dhe më pas u ekzekutuan pas një gjyqi ‘blic’!
I ndodhur në rradhët e shërbimit diplomatik (si atashe i Shtypit dhe Kulturës), pranë ambasadës shqiptare në Bukuresht që nga fillimi i vitit 1987, si një dëshmitar okular, Xhaxhiu, pati rastin të ndiqte nga afër ato protesta të popullit rumun, që çuan në rrëzimin e diktatorit Nikolae Çaushesku, i cili kishte qeverisuar atë vënd të madh ballkanik që nga viti 1965, pas vdekjes së George Dezhit.
Po si u përzgjodh Rezar Xhahiu që të shërbente në rradhët e diplomacisë shqiptare, kush ishin kolegët e tjerë me të cilat ai punoi nga viti 1987 e deri në marsin e ’91-it që u kthye në atdhe, si funksiononte puna në atë seli diplomatike dhe si i përjetoi stafi i asaj ambasade me në krye ambasadorin Pirro Vito, ngjarjet e bujshme të protestave masive të popullit rumun në fundin e dhjetorit të vitit 1989, ku për disa ditë me rradhë, stafi i asaj selie diplomatike, u detyrua të armatosej dhe zuri pozicione në pjesë të ndryshme të asaj godine?
Çfarë porosish merrnin ata nga Tirana zyrtare nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe si e kaluan momentin më të vështirë kur ambasada shqiptare u rrethua nga tanket e Ushtrisë së komanduar nga gjeneralit Vasile Milea, pas hapjes së lajmit se diktatori rumun, Çaushesku së bashku me gruan e tij, Helena, ishin strehuar në bodrumet e tunelet e asaj ambasade?!
Lidhur me këto dhe të tjera ngjarje të panjohura të ndodhura në ambasadën shqiptare të akredituar në Bukuresht në periudhën kohore, 1987-1991, na rrëfen për herë të parë Rezar Xhaxhiu, në këtë intervistë ekskluzive për Memorie.al, e cila do vijoj në disa numra rradhazi.
Zoti Xhaxhiu, po ju si vepruat?
I thashe se: ‘jemi trup diplomatik dhe ju nuk keni asnjë të drejtë të na ndaloni, aq më tepër të na kontrollloni’!
Po ata si ju përgjigjën?
Ishte e vështirë të merreshe vesh me ta, pasi nuk e kishin idenë e trupit diplomatik, imunitetit që gëzonim ne dhe të drejtave e paprekshmërise që kanë diplomatët. Por ata insistonin që ne të zbrisnim dhe ata të kontrollonin makinën tonë, kushedi se për çfarë dyshimesh.
A pranuat ju, pra a ju nënshtruat kontrollit të tyre?
Fatmirësisht në ato momente, aty erdhi një person më i madh në moshë, që duhet të kishte ndonje lloj influence ndaj djalosharëve, të cilët më pas u tërhoqën, duke na pyetur: “Të kujt ambasade jeni”, dhe pasi e mësuan se ne ishim nga Shqipëria, dikush prej tyre shtoi: “Bëhuni gati, shumë shpejt, do të jetë radha juaj”. Kur e mendoj…, ishte nje lloj profetizimi, i thënë nga një djalosh rumun, nëpër rrugët e Bukureshtit…?! E kujtova këte djalosh dy vite më pas, kur filluan ngjarjet në Tiranë.
Me sa dimë, edhe ambasada shqiptare në Bukuresht ku ishit ju, pati probleme me protestat që u bënë në atë kohë?
Po është e vërtetë, duhet të ketë qënë data 22 dhjetor, në mos gaboj, kur një pasdite pamë që përreth ambasadës, të stacionoheshin dy ose tre tanke! U çuditëm, por edhe u shqetesuam në të njëjtën kohë, duke menduar se çfare donin tanket e ushtrisë, përballë godinës së ambasadës sonë?! Më pas pamë edhe prezencë ushtarësh, të vendosur në largesi, si dhe lëvizje të tjera që na çudisnin, por edhe na alarmonin, pse jo, dhe momente frike e ankthi!
Çfarë kishte ndodhur, pra, përse kishin ardhur ato tanke aty?!
Ato kishin ardhur, pasi kishte filluar një rrethim në heshtje me trupa ushtarake të armatosura, i një selie ambasade në qëndër të Bukureshtit. Përmes komunikimeve që ambasadori ynë, shoku Pirro Vito, pati me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë, mësoi se ky rrethim kishte të bënte me faktin, se: rumunët mendonin se Çaushesku së bashku me gruan e tij, Elenën, ishin strehuar në bodrumet e ambasadës shqiptare!
Sipas jush, kush e hapi lajmin e rremë që çifti presidencial, ishte strehuar në bodrumet apo tunelin e ambasadës shqiptare?
Në fakt është enigëm, se si lindi një hamendësim i tillë absurd. Por duhet që të kemi parasysh diçka, se në ato ditë kaotike, tensioni, përplasjesh, luftimesh, lajmesh e kundërlajmesh, lajmesh fake, e thashethemeve në formë lajmi, dhe lajmeve në formë thashethemi, gjithcka që thuhet zë vënd, dhe merret si e mirqënë. Ndoshta në këtë kuadër, ka qënë edhe lajmi i përhapur se Çaushesku, ishte strehuar brënda ambasadës sonë. Nuk besoj tek fakti i nje provokimi nga ana e rumunëve, pasi në atë periudhë, askush nuk e kishte mëndjen të provokonte një shtet, ose një ambasadë, kur askush nuk e dinte se çfarë do të ndodhte të nesërmen.
A u vu në ndonjë moment, në rrezik serioz jeta e punonjësve të ambasadës së Shqipërisë në Bukuresht, nga ato protesta?
Në ato ditë dhe orë tensioni, i gjithë stafi i ambasadës mblidhej brënda saj dhe ambasadori Pirro Vito, pas një mbledhjeje në këmbë, mes të tjerash na thoshte se: ‘tani është radha që të mbrojmë këtë copë atdhe që gjëndet këtu në Rumani’. Ishin momente elektrizuese, frike, paniku, pasigurie, tensioni, të cilat shiheshin qartazi tek të gjithë ne. Askush nuk e dinte se çfarë mund të ndodhte një orë më pas, apo orëve të tëra, deri në të gdhirë. Në një moment, ne na dhanë edhe armët.
Çfarë armësh…?!
Duhet të kemi parasysh, se të gjitha përfaqësitë tona diplomatike kudo në botë ku ato ishin të akredituara, ose një pjesë e tyre, kishin një mini-arsenal armësh, të cilat mbaheshin në një kuti metalike, kurse ajo e jona aty në Bukuresht, mund të kishte dekada pa u hapur, derisa kishte zënë ndryshk! Mua, më dhanë një pushkë “Karabinë” dhe m’u caktua edhe vendi i mbrojtjes, që ishte një frëngji. Pra, një dritare mes katit të parë dhe të dytë të selisë.
Po pjestarët e tjerë, të personelit u pajisën me armë?
Sigurisht që po. I ndjeri kolegu ynë, Marko Bello, mori për detyrë që i armatosur, të ruante katin e parë. Arma që mora unë, dukej se kishte vite të tëra pa e parë, ‘dritën e diellit’, pasi kishte shenja të ndryshkut dhe të merimangave. Nisur nga kjo gjë, i thashë ambasadorit, se ‘çfarë mund të bëj me këtë armë të ndryshkur’, nisur edhe nga njohuritë që kisha për armët, falë zboreve që bënim pafund, gjatë gjithë shkollës (qesh).
Si u përgjigj ai?
Ai më tha: “Mbaje fort, se të jep siguri, dhe besim”. Nuk arrita ta kuptoj, se për çfarë sigurie e kishte fjalën ambasadori Vito…, por gjithsesi, ju binda urdhërit, duke ju lutur Zotit që gjithcka që po ndodhte, të mos ishte e vërtetë….! E gjithë kjo gjëndje gadishmërie, zgjati me orë të tëra, deri në momentin kur ambasadori zhvilloi një bisede telefonike.
Me kë komunikoi, ambasadori Pirro Vito, dhe a u ctensionua më pas kjo situatë?
Nuk më kujtohet tani, nëse biseda që bëri ishte një bisedë telefonike apo një takim në Ministrinë e Punëve të Jashtëme të Rumanisë, ku me force, i kërkoi autoriteteve rumune, që të largonin urgjent praninë e trupave ushtarake nga rrethimi i ambasadës, duke e cilësuar këtë si një provokim idiot, dhe të pakuptimtë! Ai dha një garanci të plotë, që lajmi dhe zhurma, për strehimin e Çausheskut në ambasadën shqiptare, ishte në mos një thashethem, një provokim banal. Ndoshta pas kësaj bisede, apo ndoshta se rumunët morren informacione te tjera, ose ndoshta se Çaushesku u arrestua të nesërmen, trupat ushtarake, përfundimisht u tërhoqën nga rrethimi i territorit të ambasadës sonë.
Pas këtij rasti, a patët ndonjë moment tjetër kur jeta e punonjësve të ambasadës u vu në rrezik?
Askush nuk e dinte se sa në rrezik po vihej, jeta e punonjësve të ambasadës në ato çaste. Ajo që ne dinim, ishte se si mund të përballonim këte “sulm” me tanke e ushtarë, ndaj një selie diplomatike. Për këte arsye, u morën masa dhe mbaheshim në çdo moment në lidhje me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, e cila na udhëzonte se çfarë duhej të bënim në çdo hap të mëtejshëm. Më kujtohet se një nga urdhrat e shumtë që ne morrëm, ishte dhe asgjesimi i dokumentacionit të ambasadës ndër vite, në mënyrë që ajo arkivë, të mos binte në duart e demonstruesve rumunë, në rast se ata do të hynin brënda ambjenteve të godinës sonë. Por për aq kohë sa në rrugët e Bukureshtit, vazhdonin luftimet, qofshin këto më vonë edhe sporadike, jeta jonë ishte në një rrezik konstant.
Si u krye eliminimi i arkivës së ambasadës shqiptare në Rumani?
E kujtoj si tani skenën kur fusnim në kaldajën e ambasadës dosjet dhe kutitë me dokumenta, për t’i djegur, pra nje memorie të tërë të një ambasade, që ishte hapur qysh pas Luftës së Dyte Boterore! Ishte një proces i dhimbshëm dhe emocionues në të njëjtën kohë, tamam si nëpër filmat hollivudianë, deri deri surrealist mund të them.
Po me familjen tuaj, dhe me familjarët e tjerë te punonjësve të ambasadës, ç’ndodhte ndërkohë?
Ndërkohë, më kujtohet që të gjithë familjarët e personelit tonë, ishin mbledhur së bashku dhe rrinin nëpër bodrumet e ambasadës, nën një pasiguri dhe panik real, të asaj se çfarë mund të ndodhte në orët në vijim! Ndërkohë, që ajo pjesë e familjeve tona që ishin strehuar, jashte godinës së ambasadës, e përjetuan dyfish dhe më me frikë, betejen disa ditore në rrugët e Bukureshtit.
Si reagonte, familja juaj ndaj kësaj situate të rëndë të luftimeve të përgjakshme?
Më kujtohet ime shoqe, të cilën e gjeja në çdo rast kur kthehesha nga ambasada, të tmerruar dhe të ngurtësuar nga paniku, frika, dhe pasiguria. Në atë kohë, ne kishim vajzën 6 muajshe, dhe shpesh i gjeja të dyja poshtë parvazit të dritares, për t’i shpëtuar plumbave që vinin ngado. Qëllohej nga çdo anë, dhe ata që ishin më të pabesë, ishin sajperat e USLA (Reparti Special Anti-Terror) i Securitates, që ishin vendosur në tarracat e pallateve, dhe godinave zyrtare. Por në shumë raste, nuk merrej vesh kush qëllonte?!
Si e kujtoni momentin e arrestimit dhe izolimit të Ceausescut dhe gruas së tij Elena, nga forcat e Ushtrisë?
Ishte e nesermja e Krishtlindjeve, pra 25 dhjetor i vitit 1989, kur mësuam për arrestimin e Çausheskut. Ai u ndalua së bashku me gruan e tij, Elenën, nga nje postobllok ushtrie në afërsi të Tirgovishtes. Gjatë këtij momenti, çifti presidencial Çaushesku, ishte drejtuar drejt një aeroporti, në tentativën për t’u arratisur nga Rumania, dhe për të kërkuar strehim politik në një vënd mik me Rumaninë.
Ku e mësuat ju këtë lajm?
Lajmin e mësuam dhe e pamë në TV shtetëror të Rumanisë, në edicionin e lajmeve të mbrëmjes. Ishte një moment dramatik, të shikoje se si një ish-udheheqes komunist, i një vëndi me 25 milionë banorë, të dilte në atë mënyre, nga dyert e një blindi, dhe pas tij, fytyra me e urryer për rumunët, gruaja e tij, Elena Çaushesku.
Si e kujtoni momentin e gjykimit dhe të dënimit me vdekje të çiftit Çaushesku, pra si e përcollët me kolegët e ambasadës atë që ndodhi me ta?
Procesi gjyqesor i diktatorit, ishte një komedi me vete, një farsë, për të cilën pati shumë rezerva dhe kontestime, në atë periudhë. Ai u zhvillua në mos gaboj, ose në një shkollë, ose në ambientet e një reparti ushtarak, por në një klasë të këtij reparti, pasi gjithçka dukej si një klasë mësimore. Një trup gjykues ushtarak, i ngritur shpejt e shpejt, akuza për “genocid, dhe tradhëti ndaj atdheut”, si dhe akuza të tjera tipike, për një gjyq të shpejtë ushtarak, apo “gjyq fushe”, sikundër u cilësua në atë kohë!
A pati debate dhe kundërshti, nga ana e opinionit publik rumun, për këtë gjyq të shpejtë nga çiftit Çaushesku?
Për këtë proces gjyqësor të shpejtë, pati gjatë atyre ditëve, por edhe më pas, një debat të madh. U hamendësua se përse duhej bërë i tillë ky gjyq, se përse aq shpejt, se përse ai ekzekutim i beftë, etj., etj?! Në mos gaboj, zyrtarët rumunë, u shprehën se: ishin të detyruar të bënin një ekzekutim të tillë blic, një gjyq blic, dhe një vendim po të tillë, për faktin se vetëm kështu do të mund të stoponin, apo të zbusnin sadopak gjithë atë gjullurdi tensioni, dhe përplasjeje të armatosur, që po ndodhte ditë pas dite’. Dhe në fakt kjo ndodhi. Pas ekzekutimit të tyre, rezistenca e mbështetësve të regjimit, kryesisht fanatikëve të paktë, dhe reparteve speciale të Securitates, u zbeh, duke u shuar përfundimisht, në ditët në vijim.
A patët ndonjë reagim zyrtar nga Tirana pas pushkatimit të ciftit Çaushesku, dhe nëse po cili ishte ai?
Në gjithë këtë periudhë kohe që ndodhnin këto ngjarje, më kujtohet se Ministria e Punëve të Jashtme e jona, ishte shumë aktive në drejtim të udhëzimeve që dërgonte çdo orë. Telegramet dhe letrat, që mbërrinin nga Ministria e Punëve të Jashtëme, na kujtonin që ‘të bënim kujdes, dhe të ishim dinjitozë në qëndrimet tona, të tregoheshim me integritet dhe me koken lart, para diplomatëve të huaj’, etj. Më kujtohet specifikisht, një prej telegrameve që mbante firmën, në mos gaboj të Reiz Maliles, ose të Sokrat Plakës, i cili thoshte: “Shokë, shtrëngoni rradhët, pas rrëzimit të Çausheskut, Shqiperia ka mbetur kështjella e fundit e rezistencës ndaj ofensivës imperialiste drejt vëndeve sovrane”! Kishte shumë dramacitet në këtë telegram, i cili na u lexua neve, si kolektiv për të na dhënë, “forcë e kurajo”.
Si e përjetuat aty në Rumani, momentin e hapjes së ambasadave në vëndin tonë, 6 muaj pas rrëzimit të Çausheskut?
Hapja e ambasadave, në korrik të vitit 1990, ishte totalisht një moment shoku për ne. Lajmet për hapjen e ambasadave, na vinin në mënyre sporadike. Nga Ministria e Punëve të Jashtëme në fillim pati heshtje totale, por më pas, vërshuan disa telegrame të thata, me një terminologji tipike të kohës.
Çfarë ju komunikohej në këto telegrame zyrtare?
Në ato telegrame thuhej, “Një grup të pakënaqurish, qytetarë që nuk perfaqësojnë shoqërine shqiptare….”, pra një terminologji e tillë, ku ndjehej pasiguria, çoroditja, dhe një lloj frike. Lajmet më të detajuara, ne i përcillnim përmes axhanseve të huaja, apo stacioneve të radiove, sidomos nga ato fqinje.
Ç’ndodhte në ambasadën tonë në Bukuresht në ato momente?
Në ambasadën tonë, mbretëronte një pasiguri që bëhej dyfish e tillë, edhe si rezultat i një informacioni të saktë, se çfarë ishte duke ndodhur në atdhe. Nga familjarët tanë, nuk është se merrnim më shumë informacion, pasi në atë periudhe mundësia e komunikimit me familjet që kishim në Shqipëri, nuk ishte edhe aq e lehtë. Por edhe kur kjo bëhej, nga ana tjetër e telefonit të vinin disa fjalë të përgjigjtshme, nga të cilat më shumë, konfuzoheshe, se sa merrje një informacion të saktë, të asaj se çfarë po ndodhte! Nga shtypi ynë, i cili mbërrinte çdo ditë në ambasadë me dy ditë vonesë, kryesisht “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, dhe ndonjë revistë e kohës, nuk mësoje asgjë. Ndërkohe, ishim gjithnjë e më shumë nën presionin e pyetjeve dhe të interesimit të kolegëve diplomatë, gjatë takimeve me ta, në pritje e kokteje. Pergjigjet tona, ishin gjithsesi evasive, të shumëkuptimshme, dhe shpesh kontradiktore.
Po periudhën e shpërthimit të demostratave të dhjetorit 1990, që kërkonin pluralizmin politik. Si u prit kjo gjë nga ju dhe kolegët tuaj në ambasadë?
Ngjarjet e dhjetorit të vitit 1990, ishin një tjetër shok për ambasadën tonë në Rumani, në përgjithësi, dhe personelin e saj, në veçanti. Kjo edhe për faktin, se kur je larg shtëpisë tënde, ato çfarë ndodhin në atdhe, vijne në formën e një shumfishimi të një enigme, të mbështjellë me mungesën e informacionit, ose me prezencen e një informacioni kontradiktor, herë zyrtar e herë në formën e thashethemit. Herë në një rast të fake neësit dhe herë në rastin tjetër të një lajmi me ngarkesa nga më të ndryshimet.
Cilat ishin direktivat e Ministrisë së Punëve të Jashtëme, që ju transmetoheshin juve, në lidhje me ato ngjarje?
Në përgjithësi, telegramet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të cilat na vinin në lidhje me ngjarjet e dhjetorit, ishin të thata, dhe na kujtonin shpeshherë, që ‘të bënim kujdes në bisedat tona me kolegët diplomatë, të ishim të matur, dhe të mos jepnim më shumë informacion nga çfarë na servirej nga qëndra’, etj. E përbashkëta e përmbajtjes së telegrameve, ishte përafërsisht e njëjtë…! Në të na thuhej: “Përpjekje për të rrëzuar me dhunë diktaturën e proletariatit. Qëndroni në lartësinë e duhur profesionale të detyrës, dhe të përfaqësimit të shtetit tonë, bëni kujdes ndaj provokimeve që mund t’ju vijnë, jini të matur në bisedat që bëni me trupin diplomatik’ etj., etj. Ishim si të mpirë dhe lëviznim brënda një terri informativ, që mundoheshim ta çanim me mjete e mënyra të ndryshme.
Duke parë me sytë tuaj, atë që ndodhi në Rumani, a patët frikë nga përsëritja e ndonjë skenari rumun, në Shqipërinë komuniste të asaj kohe?
Nuk di të them nëse, kishim frikë nga ndonjë përseritje e skenarit rumun, se sa nga një pasiguri, se si do të merrnin rrjedhën ngjarjet në Shqipëri. Por çdo gjë ishte e mundur. Duke qënë se kishim mungesë informacioni, nuk arrinim dot të bënim ndonjë analizë më të detajuar, sesi do të percipitonin ngjarjet në vëndin tonë. Ose që të bënim ndonjë parashikim të saktë, apo të hiqnim paralel me atë çfarë ne kishim përjetuar një vit më parë.
Si e mbani mënd momentin e largimit dhe ardhjes për në Shqipëri, duke qënë se në vitin 1991, praktikisht regjimi komunist në vëndin tonë, kishte rënë?
Unë, kam shërbyer si Sekretar (Atashe) për Shtypin dhe Kulturën, në ambasadë deri në fillimin e marsit të vitit 1991, kohë kur edhe u ktheva në Rinas. Në po atë Rinas që isha nisur për në Bukuresht, katër vjet më parë. Por këtë here shume më ndryshe.
Cili ishte impakti juaj i parë, kur u rikthyet në Shqipëri?
Përshtypja ime e parë, kur u ktheva në vend, ishte se në aeroportin e Rinasit, nga dy-tre avionë që niseshin në javë, gjatë viteve ‘80-të, pashë po ata avionë, nga te cilët zbrisnin tregtarët e parë me çanta sporti, të mbushura me hekurishte dhe veshje, të cilat ishin blerë në tregjet e Rumanisë, Hungarisë, apo të Bullgarisë. Aty vura re, refugjatët e parë shqiptarë që hipnin në shkallët e avionëve, të hutuar e të friksuar, të shoqëruar, me police, me dhe pa uniformë. Ishte një Shqipëri krejt tjetër, ajo që unë preka në atë mars të vitit 1991.
Dhe sot pas 31 vitesh që nga shpërthimi i revoltave dhe luftime të përgjakshme në Rumani, si e komentoni me syrin e analistit dhe gazetarit ato ngjarje?
Ngjarjet ne Rumani ishin procesi i një zinxhiri që po ndodhte në vëndet e Europës Lindore, dhe Qëndrore. Ato, ishin fenomen i ‘gurëve të dominosë’, por që patën specifiken e tyre në raport me shumë vende të tjera të Lindjes. Edhe sot e kësaj dite, ka shumë mistere, për shumë ngjarje të atyre ditëve. Cili ishte roli i ambasadës sovjetike ne Bukuresht? Përse duhej që përmbysja në këtë vënd, të bëhej me dhunë? Dhe si shpjegohet që në krye të Rumanisë se re post-komuniste, u vunë në postet kryesore, ish byroiste të Partisë Komuniste të Çausheskut, të kryesuar nga Ion Iliescu? Si ka mundësi që në periudhën e tranzicionit rumun, që sapo kishte nisur, zunë postet qeveritare, ish komunistë, disa prej te cileve ishin me shkollim në universitetet sovjetike?! Po roli i ushtrisë, që u bashkua me popullin dhe roli i policisë sekrete (Securitates) që i ndënji besnike deri në fund, çiftit presidencial, Çaushesku?! Po vetëvrasja e Vasile Mileas, që nuk pranoi që Ushtria, të qëllonte mbi popullin?! Si në çdo përmbysje me revolucion, apo ngjarje të tilla, edhe në zhvillimet atyre ngjarjeve në Rumani, shume detaje do të mbeten ende të pazbuluara dhe te mbështjella me një rebus misteri!/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016