Nga MËRGIM KORÇA
Pjesa e dytë
Memorie.al / Nisma zyrtare për t’a rishkruar historinë e kombit tonë në bazë të dokumenteve si edhe fakteve, ësht’e qartë se nuk kishte se si në përgjithësi të mos ngjallte interes të madh. Kjo, në parim. Mirëpo mbas çdo rrethane dhe nisme të tillë, janë aq të shumta dhe të ndryshëme pengesat sa që dëndur ato mbeten vetëm nisma. Po shpresat që ato ngjallin ndër njerëz? Ato mbeten veç ëndërra të parealizuara! E ngushtojmë tashti rrethin e konsideratave. Së rishmi në parim, tek flitet për një rishikim të historisë së shkruar, e cila veçanërisht gjatë periudhës së diktaturës u deformua, u cungua dhe u shfytyrua lidhur me njërën anë, kurse u fry me të dhëna fare të pavërteta nga ana tjetër, si edhe u bë ushqim shkollor për breza të tërë, është fare e qartë se barra duhej t’u binte mbi supe historianëve, që me vullnetin dhe ndershmërinë më të madhe, të përballoheshin me këtë detyrë nderi kombëtar dhe punën t’a çonin përpara. Mirëpo realiteti i hidhur krejtë ndryshe qëndron!
Gjuhëtarja e re, znj. Ledi Shamku Shkreli, figurën e Mustafa Merlika Krujës, e përcakton tanimë: “Ndofta vërtet figura e Mustafa Krujës apo Merlikës, sikundër e kemi dëgjuar shpesh në të kaluarën, është e lidhur me rolin e tij përkrahës ndaj Italisë së Musolinit. Kjo periudhë e jetës së Krujës, e nxitur fort edhe nga propaganda komuniste, hodhi një hije të paarsyeshme mbi krejt veprën morale dhe materiale të këtij personaliteti shqiptar”.
Dhe në vazhdim pohon: “Si Kryeministër i vendit u angazhua për nxjerrjen në pah të shqiptarisë nën kurorën italiane dhe ndër të tjera themeloi Institutin e Studimeve Shqiptare, duke e shndërruar atë në një pol të rëndësishëm të studimeve albanologjike”. Tek pyetet zonja Ledi Shamku, në se duhet përkthyer në gjuhën shqipe vepra e Mustafa Krujës, ajo përgjigjet prerë dhe me kompetencë se; jo vetëm Kruja, po as Fishta e as Camaj, nuk ka pse mendohet se duhet të përkthehen.
Moskuptimin e gjuhës së tyre, studiuesja e quan mangësi të shkollës sonë dhe këto bindje i formulon: “Ajo ku unë ngulmoj është, se shqipfolësit kanë nevojë jetike të marrin në shkollë një kulturë gjuhësore të gjerë. Është turp për shkollën tonë, për filologjinë tonë, për linguistikën tonë, të mohojë ende sot, në kushtet e një demokratizimi të thellë të jetës, pjesë të tëra të vetëdijes sonë kombëtare, ku gjuha, siç dihet, te ne luan rol parësor”.
I lexoj këta pohime të studiueses dhe nënvetëdija e ime goditet rëndë. Po, goditet vërtet rëndë dhe më vret ndërgjegjja. Para disa kohësh lexova një shkrim me titullin e pakuptimtë “Riciklimi i Historisë”, të gjuhëtarit Ardian Vehbiu. Shtysa fillestare ishte të ulesha e t’i bëja një analizë shkrimit të tij.
Mirëpo nisur nga fakti se kohë më parë, i pata bërë një kritikë rreth një shkrimi përgjatë të cilit ai hidhte idera, duke e quajtur Malësinë Shqiptare gangrenë të vendit, (?) dhe rrekjen time për gjetjen e kreut të fillit atij lëmshi aq të ngatërruar psikologjikisht, siç është truri i z. Ardian Vehbiu, unë e gjeja tek ajo ideja fikse e tij…mos më pyesni pse, nuk më pëlqen Fishta…kur nuk i shpifet imazhi (Malësisë- M.K.) nga faqet e zverdhura të poemave…malësorët si mishërim krenar të heronjve të Fishtës…si poet Fishta, sinqerisht më mërzit.
Ose kur i zihet në gojë se si Prof. Eqrem Çabej, ishte shprehur botërisht se…“Lahuta e Malësisë është vepër arti e plotë, e përsosur dhe e përkryer në vetvete”, z. A. Vehbiu shprehet… “estetikisht edhe Çabejt i kishte mbetur ora në Vjenën romantike të shekullit të XX-të…”, i u mënjanova kundërvënies me z. Vehbiu.
Mirëpo racionaliteti i logjikës së zonjës Shamku, i binjakëzuar edhe me ndershmërin’e saj shkencore, duke e ngarkuar veten si gjuhëtare e studiuese e shqipes me turp, për mohimin që u bëhet akoma sot pjesëve të tëra të vetëdijes kombëtare, ku gjuha luan rol parësor, më bëri t’a ndjej veten edhe unë të turpëruar, që i u shmanga detyrimit t’a shfaqja publikisht, edhe një herë, se sa e ndjeja veten të zhgënjyer nga shkrimi i zotit A. Vehbiu, i cili nuk pozicionohet e të verë në vend shtrembërimet e kaluara.
Ja pra, krejt fluturimthi, dy tiparet më të qenësishëm të shkrimit të gjuhëtarit A. Vehbiu:
1- Përdorimi i fjalëve të huaja, vetëm për të bërë efekt mbi lexuesin e radhës.
2- Hedhja e disa koncepteve, sipas meje, tejet të mbrapshta.
Lidhur me pikën e parë, po radhis disa pjesëza fjalish duke filluar nga titulli i shkrimit “Historia e Ricikluar”. Tek asnjeri fjalor i gjuhës shqipe, as ai i grup autorëve e, as ai i M. Elezit, nuk e gjeta dot kuptimin e termit “ricikluar”! “… rolin e vizionit historik për t’ia shtuar kohezionin shoqërisë …”.
“… alfabetizim kulturor e që lidhet me ato njohuri historike që shqiptarët e sotëm i njohin dhe i lexojnë pak a shumë njëlloj …” (pse mos të quhej oktavë kulturore, ose varg numrash realë kulturorë, sepse alfabeti i gjuhës së shkruar, përkon me oktavën muzikore ose, me vargun e numrave realë matematikorë, si mbas fushës përkatëse).
“… misioni i tyre eksplicit …”! “… figura pak kontraversiale, si Skënderbeu…” (me që huazuar nga italishtja, termi origjinal është “kontroversiale”). “… në këtë mori interpretimesh dhe ekstrapolimesh …”. “… në emër të ndonjë etatizmi mitik…”!
Ndërsa zonja L. Shamku e ndjen veten fajtore për mangësitë që ka programi i gjuhës shqipe në shkolla, kolegu i saj, z. A.Vehbiu, përdor një gjuhë…aspak shqipe. Dy fjalë tashti edhe lidhur me konceptet e hedhura nga z. Vehbiu.
Në një kohë që të katër gjuhëtarët e analizuar për-parandej, si Prof. Eqerem Çabej e gjithashtu edhe zonja Shamku, me gjithë zotërinjtë Mehmet Elezi si edhe Shaban Sinani, janë shembuj për t’u ndjekur lidhur me pozicionimet e tyre tejet të qarta dhe të drejtpeshuara ndaj fakteve dhe të vërtetave historike, është për të ardhur keq, se si tek z. A. Vehbiu, shohim një mendësi, e cila tregon paqartësi gjykimi.
Po sjell vetëm ndonjë shembull, (por këtë herë shprehjen e tij të plotë dhe jo të copëzuar si më lart), ku objektivi ynë ishte vetëm qëmtimi i barbarizmave të përdorura prej tij.
“Megjithatë, edhe Rilindja edhe komunizmi ishin lëvizje programatike, të cilat duhen gjykuar jo vetëm nga misioni i tyre eksplicit, por edhe nga amputacionet që i bënë historisë kombëtare; për të mos thënë falsifikimet”.
Në parim z. Vehbiu, e paraqit veten si gjykues asnjanës, duke shtruar nevojën e gjykimit si të ‘Lëvizjes Rilindase’ edhe të ‘Diktaturës Komuniste’, me objektivitet nisur nga misionet e tyre të shkoqitura. Por, në vazhdim, dukshëm ia mëkon lexuesit dyshimin rreth rilindësve, jo vetëm si cungues të historisë, por edhe si falsifikatorë të saj, baras me komunistët. E gjithë kjo, e shikuar e lidhur edhe me si e trajton ai figurën e Skënderbeut, vërtet që të dëshpëron.
Ai flet fillimisht se si Rilindja u dha shqiptarëve atë histori e cila do t’ua konsolidonte vetëdijen kombëtare. Ndërsa për komunizmin shprehet se, ai i mëshoi metaforës historike, që shqiptarët i paraqiste si komb proletar. E pastaj vazhdon me pohimin: “Ndonjë narrativë, si ajo e Skënderbeut, u përshtatej bukur të dy paradigmave”. Në këtë pohim vetë termi narrative, nuk gjendet në asnjërin nga fjalorët e mëdhenj të gjuhës shqipe, me gjithsej 82.000 fjalë.
Por nga ana tjetër, duke përdorur këtë term të vagët për lexuesin e radhës, (i cili mbase as nuk ndalet të hulumtojë më gjerë rreth tij), z. Vehbiu, mbase edhe jo me keqdashje, por nga mosdija e kuptimit të mirëfilltë të termit, historitë e shkruara për Skënderbeun, i quan tregime të trilluara nga fantazia e shkruesit të tyre. E unë shtroj pyetjen: Kujt i shërben ky përkufizim i historisë së Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut?
Më tutje z. Vehbiu vazhdon me një pohim të shkoqur e për të, i fundmë: “Ka edhe një rrymë kombëtariste, që kërkon t’i rehabilitojë pushtetarët e ashtuquajtur ‘kuislingë’, pavarësisht se këta bashkëpunuan hapur me italianët, përkatësisht gjermanët”.
Pikërisht ky pozicionim i z. Vehbiu, si pinjoll i mësuesve të tij marksistë-leninistë, i cili as sot nga lartësit’e viteve 2000, nuk arrin të gjykojë në mënyrë të pa indoktrinuar e të shkëputet prej tyre, më mbush me respekt akoma më të rritur ndaj studiueses Ledi Shamku. Z. Vehbiu nuk del dot nga bunkeri, ku ai është instaluar.
Jo vepra e Mustafa Merlika Krujës “Një studim analitik – Ç’na mëson Frangu i Bardhë me fjalorin e vet”, por as vepra tjetër “Letërkëmbimi i Mustafa Krujës me Patër Paulin Margjokajn”, (11 vite letërkëmbim i ndërsjellë që do t’a quaja vepër vërtet monumentale), e doemos as vepra tjetër e të njëjtit autor “Antologji Historike”, këtë studiues nuk e tundin dot nga llogorja e tij! E kjo ësht’ edhe fatkeqësia e madhe e kombit tonë: as brezi i A. Vehbiut, nuk po shkëputen dot nga e kaluara diktatoriale dhe nuk po e thonë dot fjalën e tyre me peshë drejtësie.
Në mbyllje të shkrimit z. Vehbiu jep edhe direktivën madhore të fundit: “Rishikimi i historisë, më shumë sesa ‘ndreqjes së gabimeve’, që janë bërë në të shkuarën, duhet t’i shërbejë ndreqjes së gabimeve që, përndryshe, nuk do t’i shmangim dot në të ardhmen”.
Lidhur me këtë pohim të fundit të z. Vehbiu, çdo gjë që të them, është pak. Kur e patën pyetur gazetarin italian, nga më të shquarit e gjysmëshekullit të kaluar, Indro Montanellin, se si kishte ndryshuar bindje politike dhe nuk militonte më me socialistët, ai qe përgjigjur: “Col passare del tempo, solo gli idioti non cambiano vedute e punti di vista”, (Me kalimin e kohës, vetëm budallenjtë nuk ndërrojnë këndvështrime, si edhe pikëpamje).
Mbas trajtimit të pikave që më lëndonin nga shkrimi i z.Vehbiu, (duke e ndjerë veten edhe të lehtësuar nga vrasja e ndërgjegjes, sikur t’a kaloja në heshtje shkrimin e tij), e duke pohuar se sinqerisht më vjen keq, që një gjuhëtari të specializuar si ai, jo vetëm që forma e shkrimit në rastin konkret, le shumë për të dëshiruar, pa le përmbajtja, u kthehem pohimeve dhe pozicionimeve të zonjës Shamku.
Kjo studiuese, sapo përballet me një studim, (të një personi për të cilin ka qenë e frymëzuar, në mos për keq, por aspak për mirë), edhe sheh tek metoda e tij racionale e analizës gjuhësore, se ai në themel të hulumtimeve të tija, vendos krahasimin e gjuhës së folur me atë të shkruar, për të vazhduar me përfundimet e tija, ajo ndalet e gjykon. Para syve të saj kalojnë në të gjithë shtrirjen e tyre kohore filozofët e gjuhësisë moderne. Ajo njeh si gur themeli të kësaj metode Derrida-n e madh, i cili konsiderohet pararojë në këtë drejtim.
Mirëpo studiuesja, nga ana tjetër, ka përpara syve të saj dhe lexon me dorëshkrimin e Mustafa Merlikës, se si ky i fundit, disa dhjetëvjeçarë para Derrida-s, po e analizon fjalorin e Frang Bardhit me të njëjtën metodë analitike. Z. Shamku pohon se; “… rruga dhe metoda që ai (M.Kruja – M.K.) ndoqi, shpunë në përfundime të përafërta e shpesh më efikase se ato në të cilat, dekonstruksionistët do të arrinin në vitet ’70, përhapur fjala vjen me tekste programatike, si ‘L’écriture et la différence’”.
Befasimi i saj padyshim e mbush gjuhëtaren me gëzim, me gëzim të madh e pse jo, edhe me krenari: nuk është fjala se kësisoj nderohet Mustafa Kruja. Studiuesja e shikon qartë se nxjerrja në dukje e metodës krahasuese të përdorur në analizën e fjalorit të Frangut të Bardhë, e nxjerr studiuesin Mustafa Kruja, nga errësira ku edhe sot e kësaj dite z. A.Vehbiu me shokë, duan t’a lenë, (duke dhënë direktiva se sa pa rëndësi është rishikimi i historisë kaluar), dhe vërtet me vonesë, por lëvruesit të gjuhës shqipe më në fund i jepet nderi, si edhe vendi që i takon e krahas tij, vepra e tij i jep nder, vërtet me vonesë, gjuhësisë sonë kombëtare!
Do ta mbyll këtë analizë, duke iu referuar titullit që i kam dhënë shkrimit. Fati e desh që në vitet e para të shekullit XXI-të, një studiuese me emrin Ledi Shamku-Shkreli, u ballafaqua me njërin nga studimet e Mustafa Merlika Krujës. Mos t’ishte kjo ngjarje fatlume, (siç e shpreh vetë studiuesja), mund të kalonin edhe tre shekuj të tjerë…dhe një tjetër studiueseje, Ledi Shamku mund t’i binin në dorë disa faqe nga studimi i Mustafa Merlika Krujës dhe faqet e humbura…kurrë nuk do të hetoheshin më.
Kush do të konsiderohej humbës në këtë rast? Mustafa Merlika Kruja apo, Gjuhësia Jonë Kombëtare? Pikërisht, mbështetur në këto konsiderata, edhe i nisur nga fakti se tanimë u thye akulli dhe personaliteti Kruja nuk mund të mbahet më i fshehur në të ashtuquajturit fonde të ndaluar të Arkivit Shtetit, mendoj dhe e dëshiroj me zemër, që studiuesja zonja Ledi Shamku Shkreli, do të bëhet shkëndija ndezëse e reaksionit zinxhir të nxjerrjes nga errësira e fondeve të ndaluara të arkivave të personaliteteve tona kombëtare, si edhe veprave të tyre!
Kësisoj do të thyhen ato “tabu” aq keqdashëse që ngriti diktatura, ndaj të gjithë kategorisë së atyre që kanë qenë nderi i Kombit tonë! Studiuesve patjetër që do t’u jepet nderimi që u takon atyre. Të dënuarit me harresë deri dje, me gjithë veprat e tyre, padyshim që do të nderohen. Por më të madhin nder, do t’a marrë Kultura e Kombit Shqiptar!
Është fakt i pamohueshëm se Kosova kishte zënë një vend të veçantë në pikëpamjet e tij si mendimtar e politikan. Këtë e tregojnë një varg dëshmish, mes të cilave një letër e shkruar prej tij, një vit para se të vdiste. Në letërkëmbimin e tij me priftin françeskan Paulin Margjokaj, ai shkruante: “…edhe sot me m’pyet, a e don Shqipërinë e pavarur, e pa Kosovën, apo nën një protektorat, por me Kosovën bashkë, unë kisha me zgjedh kët opsionin e e dytë”. / Memorie.al