Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e Irene Banushit, klerikut të lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, i cili në vitin 1967-të, kur regjimi komunist i Enver Hoxhës organizoi dhe nxiti nxënësit e shkollave për të prishur objektet e kultit, ai u ndodh në Manastirin e Ardenicës, ku ishte i internuar prej kohësh dhe mundi që të ndalte shkatërrimin e atij objekti me vlera të mëdha. Historia e jetës së Episkop Banushit, nga origjina dhe familja e tij, shkollimi në Kolegjin e Françeskanëve të Shkodrës dhe më pas në Cetinjë, pranë Seminarit Ortodoks, ardhja në Shqipëri dhe angazhimi si publicist në disa prej gazetave më të njohura të periudhës së Monarkisë së Zogut, arrestimi dhe internimi nga italianët si antifashist, si dhe arrestimet e internimet nga regjimi komunist i Tiranës dhe peripecitë e vuajtjet e shumta që ai pati në rrethin e Lushnjes, ku kaloi një pjesë të madhe të jetës si klerik
Origjina e Ireneut dhe shkollimi i tij
Irene Banushi, apo Ilia, siç ishte emri i tij i vërtetë, u lind më 18.VIII.1906 në qytetin e Shkodrës dhe ishte më i vogli i vëllezërve të tij. Familja Banushi, nga viti 1895-së, u kthye nga Rumania dhe u vendos në fshatin Fikas të Elbasanit, ku qëndruan pak kohë, pasi u vunë në vështirësi të mëdha ekonomike dhe u detyruan që të shpërngulen prej andej, për t’u vendosur në qytetin e Shkodrës, në lagjen Rus i Vogël. Ireneu, mbasi mbaroi shkollën fillore dhe një klasë qytetase në “Shkollën Popullore”, vazhdoi gjimnazin “Ylliricum” të Françeskanëve po në qytetin e Shkodrës. Më pas ai vazhdoi studimet pranë Seminarit Orthodosk të Cetinjës në Malin e Zi, të cilat i mbaroi në vitin 1931. Duke qenë një nga nxënësit e asaj shkolle, Ireneu i dhanë të drejtën që të vazhdonte studimet e larta në Fakultetin e Teologjisë të Universitetit të Beogradit, ku ai u diplomua në vitin 1938. Pas kthimit nga Beogradi, ai u caktua nga Kryesia e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, si profesor në Seminarin Kombëtar “Apostull Pavli” dhe njëkohësisht, Ministria e Arsimit e asaj kohe, e emëroi profesor në Gjimnazin e Shtetit në Tiranë, për lëndën e Historisë dhe Gjuhën latine. Krahas mësim dhënies në këto shkolla, Ireneu nuk e harroi pasionin e tij për muzikën, të cilën ai e kishte ushtruar që në bankat e gjimnazit në Kolegjin e Françeskanëve në qytetin e Shkodrës dhe kur erdhi në Tiranë, ai u aktivizua në korin e Kishës Orthodokse. Lidhur me pasion e tij për muzikën, në kujtimet e tija, Ireneu, midis të tjerash ka shkruar: “Si mbas ndjenjave, kam prirje për muzikë vokale dhe aq më tepër për atë kishtare”. Që me ardhjen e tij në Tiranë, krahas punëve të Kishës, Ireneu u muarr me publicistikë, ku u bë shumë i njohur me artikujt që botoi në gazetat dhe revistat e asaj kohe, si: “Ngjallja”, “Tomorri”, “Bashkimi”, “Predikimi”, “Jeta Kristiane”, etj., ku trajtoi problemet që kalonte shoqëria shqiptare në ato vite. Në vitet 1938’-39, Ireneu jo vetëm që u bë tepër i njohur nga veprimtaria e tij publicistike, por në qarqet intelektuale, ai konsiderohej si një patriot i madh, e një nga njerëzit e elitës së kryeqytetit, për shkak të mendimeve përparimtare që ai i shfaqi në shtypin e kohës.
Arrestohet nga italianët dhe internohet
Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, Ireneu ishte njëri nga ata persona, që shërbimet sekrete fashiste, e kishin futur në listat e personave që duheshin të internoheshin. Lidhur me këtë, në kujtimet e tija, ai ka shkruar: “Ardhja okupatorit më gjeti në Tiranë dhe në gushtin e vitit 1939-të, autoritetet italiane më arrestuan dhe më mbajtën të izoluar për një muaj. Më pas më dërguan në qytetin e Shkodrës, ku më mbajtën 25 ditë e më pas më kthyen përsëri në Tiranë, ku më mbajtën dhe katër ditë të tjera. Pas këtyre ecejakeve nga Shkodra në Tiranë, më internuan në Itali, në një provincë të Mantovës. Arsyen e arrestimit tim, italianët nuk ma treguan asnjëherë. Në fillimin e qershorit të vitit 1940-të më kthyen në Shqipëri, ku më lanë të lirë, por deri në fillimin e vitit shkollor, mbeta pa punë. Kur kishim mbetur tre muaj për përfundimin e vitit shkollor 1941, më riemëruan profesor dhe punova deri më 15 janar të vitit 1942”, kujtonte Irene Banushi në shënimet e tija, lidhur me kohën kur ai ishte i arrestuar nga italianët. Në janarin e vitit 1942, Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe personalisht, Kryepeshkopi, Imzot Kristofor Kissi, i propozoi Ireneut që të hynte në jetën klerikale dhe për pak muaj, ai ngjiti shkallët e hierarkisë fetare, duke u emëruar si Episkop i Apollonisë, ku ju dha emri Irene. Ceremonia e dhënies së këtij titulli u zhvillua në 7 mars të vitit 1943, në Manastirin e Shën Naumit në bregun e liqenit të Ohrit. Lidhur me emërimin e tij në atë detyrë, revista “Jeta Kristiane” në numrin e saj të parë të vitit 1942, shkruajti: “Më 8 mars 1942, ortodoksët shpresëtarë të komunitetit të Tiranës, me rastin e mbërritjes së Hirësisë së Tij, Imzot Ireneut, në Kryepeshkopatën, i rezervuan një pritje spontane”. Po kështu, revista “Jeta Kristiane”, në numrin e shtatë të saj, të po atij viti, midis të tjerash shkruante: “Të shtunën më 12 nëntor vajti në Shkodër, Hirësia e Tij, Imzot Ireneu. Kishte dalë jashtë qytetit për ta pritun në emër të Komunitetit Ortodoks, shumë klerikë, me në krye zëvendësin e Mitropolitit. Një tjetër komision me në krye atdhetarin dhe shkrimtarin e mirënjohur françeskan, At Anton Harapi, i cili i uroi Hirësisë së Tij, mirëseardhjen në emër të françeskanëve shqiptarë, pranë të cilëve Hirësia e Tij mbaroi shkollën e mesme”.
Arrestohet nga komunistët
Në fundin e vitit 1944, regjimi komunist që erdhi në fuqi, nuk e shihte me sy të mirë Episkopin Banushi, megjithëse ai kishte qenë i internuar nga italianët, si antifashist?! Në një nga informacionet që Sigurimi i Shtetit kishte dërguar në Tiranë për Ireneun, thuhej: “Gjatë okupacionit favorizonte Lëvizjen Nacionalçlirimtare, pse rrethi i tij ishte me Lëvizjen, por ai vetë ishte shumë i rezervuem. Me çlirimin e Shqipërisë, shohim se fillon të ndihmojë, por më vonë tërhiqet. Ky, gjoja u prek nga arrestimet e dënimet e tradhtarëve. Shumë herë nuk mungonte të thonte: “Ky gjyq, me çfarë të drejte dënon, deri sa nuk ka ligje dhe statut”?! Në fillimin e vitit 1945, Ireneu u caktua që të shkonte si Episkop për Dioqezën e Gjirokastrës, por regjimi komunist, nuk e lejoi që të shkonte dhe ai qëndroi në Tiranë, pranë Kryesisë së Kishës Ortodokse. Kjo gjë ndodhi pasi ai ishte nën survejimin e Sigurimit të Shtetit, i cili më 28 tetor të vitit 1946-të, e arrestoi nën akuzën “armik i popullit” dhe pas afro gjashtë muaj torturash në Hetuesinë e Tiranës, më 17 prill 1947-të, nga gjykata iu komunikua dënimi me 5 vite burg politik. Këtë dënim ai nuk e vuajti të plotë, për arsye se përfitoi nga amnistia e dhënë në prillin e vitit 1949, pas asaj që u quajt “Kthesa e partisë”, ku një pjesë e të burgosurve politikë u liruan si “viktima të Koci Xoxes”. Mbas daljes nga burgu, ai u shtrua në Sanatoriumin e Tiranës, sepse u sëmur nga Tuberkulozi dhe më pas u izolua në Manastirin e Shën-Vlashit në periferi të Durrësit.
Arrestimi i dytë, pesë vite burg
Pas daljes nga burgu në fillimin e viteve ’50-të, Ireneu morri pjesë në hartimin e statutit të Kishës Ortodokse, ku ai ndeshi në vështirësi të shumta, pasi në atë kohë pushteti komunist ndërhyri me të gjitha format për ta bërë atë statut sipas interesave të tij. Nga kjo situate, Ireneu u mundua të shpëtonte ç’të mundte nga të drejtat e Kishës, duke mos pranuar në mënyrë kategorike, shkeljen e të drejtave të fesë. Kjo u bë dhe shkaku kryesor që ai nuk u thirr në Kongresin e Tretë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, pas ndërhyrjeve që Sigurimi i Shtetit kishte bërë pranë krerëve kryesorë të Kishës Ortodokse të asaj kohe. Përveç kësaj, Ireneu nuk pranoi të merrte pjesë në dorëzimin e Episkopëve të rinj, sepse ajo gjë ishte në kundërshtim me statutin e Kishës dhe si rezultat i kësaj, më 22 gusht të vitit 1952 (një ditë para kremtimit të festës së emrit të tij), erdhi dhe arrestimi i dytë i tij. Pas një hetuesie të gjatë, më 9 prill 1953, u dënua me pesë vite burg politik. Dënimin e dytë, Ireneu e kreu të plotë dhe doli nga burgu në 25 gusht 1957. Pas kësaj ai u internua në Manastirin e Ardenicës, ku jetoi në një vetmi të plotë e varfëri të thellë. Në atë Manastir, shteti komunist nuk e lejoi Ireneun, që të kryente ritet fetare si Episkop, por meqenëse kishte qenë i dënuar politik, ai u lejua që ato rite t’i kryente vetëm si meshtar i thjeshtë. Gjatë atyre viteve që Ireneu qëndroi atje, (e kishte të ndaluar të lëvizte jashtë rrethit pa aprovimin e Degës së Brendshme), u muar me studime dhe mblodhi shumë të dhëna, rreth historisë së Ardenicës dhe Manastirit të saj të famshëm e njerëzve që shërbyen atje, i cili ishte ndërtuar rreth shekullit të XIII-të dhe ku kishte vënë kurorën e martesës Skënderbeu. Gjatë atyre viteve që Ireneu jetoi në atë Manastir, ai pati një ndihmë morale dhe materiale nga fshatarët e asaj zone, të cilët e nderonin dhe e respektonin me një adhurim të veçantë.
Si e mbrojti Manastirin e Ardenicës?
Në vitin 1967, pasi regjimi komunist mori vendimin për ndalimin e fesë, me porosinë dhe organizimin e Komiteteve të Partisë të rretheve, me dhjetëra të rinj u nxitën që t’u drejtoheshin kishave xhamive dhe objekteve të tjera të kultit, për t’i shkatërruar ato dhe për t’i kthyer në “Vatra Kulture”, magazina kooperativash, siç dhe ndodhi realisht me pjesën më të madhe të objekteve të kultit në mbarë vendin. Në këtë kohë, një grup i madh nxënësish të shkollës 8 vjeçare të fshatit Kolonjë (që ndodhet afër Manastirit), të pajisur me kazma e lopata dhe të udhëhequr nga një mësues, (anëtar i PPSH i asaj shkolle) shkuan për të prishur Manastirin. Lidhur me këtë, Xhovani Gallani, (djali i mësuesit Vasil Gallani, miku i ngushtë i Ireneut) dëshmon: “Pasi hynë me forcë në ambientet e brendshme, duke thyer dyert e vjetra, ata nisën shkatërrimet dhe thyen shandanin e madh të kishës, ku ndodheshin objektet antike, me vlera të mëdha historike e artistike (unike ndoshta dhe në Europë), të bërë nga vëllezërit Zografi dhe Konstandin Shpataraku. Në këtë kohë, murgjit që ishin aty thirrën menjëherë Irineun (i cili ishte i internuar aty), që shkoi me të shpejtë dhe u bëri thirrje atyre që të ndalonin shkatërrimin. Ai me sytë e përlotur dhe me inteligjencën që e karakterizonte, iu drejtua atyre “Daleni bre djema, ç’po bëni, hajdeni që të merremi vesh njëherë, të hani një copë bukë dhe të bisedojmë”. Pas këtyre fjalëve, ata i ndaluan thyerjet që po bënin dhe Ireneu u foli me të butë, duke iu thënë atyre dhe mësuesve që i shoqëronin, se ai Manastir nuk duhej shkatërruar, sepse ishte një monument i rrallë i kulturës shqiptare. Pas kësaj nxënësit u bindën, ndërruan mëndje, dhe u larguan nga Manastiri, pa e prekur më tej atë. Nisur nga kjo situate, Ireneu bisedoi me babanë tim, Vasilin, i cili i bëri një letër Enver Hoxhës, ku i shpjegonte rëndësinë e madhe që kishte ai Manastir, si dhe arsyet përse nuk duhej të shkatërrohej. Vetëm pas kësaj, Manastiri i Ardenicës mundi t’u shpëtonte shkatërrimeve të mëdha të vitit 1967-të”, kujton Xhovani.
Vdiq në mjerim në vitin 1973
Aty nga viti 1967-të, Irineu e la me lot në sy rrobën e meshtarit dhe u vendos të banonte në qytetin e Lushnjes, ku e caktuan punëtor magazine, në Ndërmarrjen e Ndërtimit të Hekurudhës dhe më pas si magazinier dhe llogaritar, në Parkun e Automjeteve. Ndonëse ai mundi që të rregullohet në këto punë, me të ardhurat e pakta që merrte, mezi e përballonte jetesën dhe survejohej rregullisht nga Sigurimi i Shtetit. Lidhur me këtë, Pandeli Stringa, një nga njerëzit që e ka njohur nga afër dhe që ka pasur miqësi të ngushtë me Ireneun, gjatë viteve që ai jetoi në Lushnje, kujtonte: “Zakonisht xha Irineu e kalonte darkën tek Restorant “Myzeqeja”, ku unë e takoja pothuajse çdo natë, pasi ai kishte qenë miku i babait tim, Avokat, Dr. Spiro Stringës. Miqësia ime me xha Irineun nuk i pëlqente “syrit të Partisë”, të cilët më dërguan fjalë, që unë mos të shoqërohesha më me “priftin”, siç e thërrisnin atë. Sepse ai ishte një “njeri i deklasuar”. E vërteta është se unë e kam shoqëruar xha Irineun edhe në shëtitjet në bulevardin e Lushnjes dhe në parqet dhe lulishtet, ku bisedonim për orë të tëra për muzikën, letërsinë, historinë, ku ai ishte një njohës i thellë i atyre fushave dhe unë e dëgjoja me vëmendje. Gjatë viteve që xha Irineu banoi në qytetin e Lushnjes (megjithëse ai ndiqej nga Sigurimi), atë e nderonin dhe e respektonin pothuajse i gjithë qyteti, e në veçanti familjet: Gallani, Syllari, Mone, Çabej, Korça, dhe vëllezërit Libohova. Këto familje e merrnin atë në shtëpi për dreka e darka, pasi vlerësonin tek ai: sinqeritetin, bujarinë, inteligjencën, dhe kulturën e madhe që ai zotëronte”, kujtonte Pandeli Stringa, lidhur me respektin e madh që gëzonte Irene Banushi në rrethin e Lushnjes. Ndonëse ishte i sëmurë rëndë, Irineu vazhdoi të punonte për të siguruar bukën e gojës, deri në prag të 70-ve. Aty nga viti 1973, atij iu përkeqësua shëndeti dhe pas disa ndërhyrjesh të dashamirësve të tij dhe mbesës Vitorisë, që e kishte marrë në shtëpinë e saj, atë e sollën në Tiranë, për ta kuruar. Por atëherë ishte tepër vonë dhe Irene Banushi ndërroi jetë më 25 nëntor të vitit 1973. Shumë miq e dashamirës e shoqëruan trupin e tij të pajetë, nga Tirana për në shtëpinë e tij të thjeshtë, ku iu bënë të gjitha nderimet e duhura dhe në fshehtësi të madhe edhe ceremonitë fetare. Varrimi i tij sipas amanetit që la, i’u bë në Tiranë, ku ai kishte kryer aktivitetin më të madh si Klerik i lartë i Kishës Ortodokse Autoqefale. Pas viteve ’90-të, miku i tij i ngushtë, Pandeli Stringa, i’a rregulloi varrin në varrezat e Sharrës, duke marrë një thes me dhe nga Manastiri i Ardenicës, ku ai banoi për shumë vjet, pasi kishte mundur që ta shpëtonte nga shkatërrimi i plotë i vandalëve në vitin 1967-të./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016