• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Monday, October 20, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Kur Nezir Muzhaqi, u informua për plaçkitjen e fshatit Polis nga Brigada e Parë, u del para në Qafë Dardhë dhe i thotë Mehmet Shehut…”/ Ana e panjohur e “Luftës Nacionalçlirimtare” në Librazhd

“Kur Nezir Muzhaqi, u informua për plaçkitjen e fshatit Polis nga Brigada e Parë, u del para në Qafë Dardhë dhe i thotë Mehmet Shehut…”/ Ana e panjohur e “Luftës Nacionalçlirimtare” në Librazhd
“Mugosha dhe Miladini, ndikuan ndjeshëm në vendimet e marra nga ana e Enverit dhe PKSH-së, si dhe në Shtabin e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur
“Kur Nezir Muzhaqi, u informua për plaçkitjen e fshatit Polis nga Brigada e Parë, u del para në Qafë Dardhë dhe i thotë Mehmet Shehut…”/ Ana e panjohur e “Luftës Nacionalçlirimtare” në Librazhd
“Kur Nezir Muzhaqi, u informua për plaçkitjen e fshatit Polis nga Brigada e Parë, u del para në Qafë Dardhë dhe i thotë Mehmet Shehut…”/ Ana e panjohur e “Luftës Nacionalçlirimtare” në Librazhd
“Kur Nezir Muzhaqi, u informua për plaçkitjen e fshatit Polis nga Brigada e Parë, u del para në Qafë Dardhë dhe i thotë Mehmet Shehut…”/ Ana e panjohur e “Luftës Nacionalçlirimtare” në Librazhd

Nga Ali Buzra

Pjesa e njëzetetetë

                                                  –  JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE –

                                                     (VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)

Gjithashtu mund të lexoni

“Kur policët godisnin me shkopinj nën e bir, vajza gjermane, Amri, tha; autoritetet shqiptare dënojnë keqtrajtimet gjatë luftës në kampet gjermane, kurse vetë…”! / Historia tragjike në kampin e Tepelenës

“Kadri Hazbiu na kërkoi helme me veprim të ngadaltë, se donte t’i përdorte kundër Leka Zogut, duke ia dhënë…”/ Zbulohet dokumenti i rrallë i Sigurimit, me raportin sekret të oficerit të Zbulimit në New York

Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.

                                                                                                    Bedri Kaza

                                                     Vijon nga numri kaluar

Në Qarrishtë, në muajin prill ishte ende ftohtë, dhe jashtë unë kisha mërdhirë. U ulëm të gjithë rreth sofrës së madhe, afro 20 veta. Mbasi u ulëm të gjithë, Mefaili i hodhi sytë të të gjithë duke parë si kishim zënë vend dhe e ndali shikimin te unë. Isha i vetmi fëmijë aty. “Ai çuni do të vijë këtu te unë, – tha, dhe bëri me gisht, duke më thënë, – hajde”! U ngrita e ula pranë tij. Qëndronim të gjithë këmbëkryq njëri pas tjetrit. Ne nuk e kishim të vështirë për të qëndruar ashtu, mbasi kështu uleshim edhe në shtëpitë tona.

Në atë kohë në fshatrat tona, nuk njihej tavolina për të ngrënë, por sofra. E kisha pak larg tepsinë e, mezi mbërrija me lugën e drurit që mbaja në dorë. Si duket, ai e dinte këtë e, prandaj më mori pranë. Me të qeshur e tërhoqi tepsinë, më pranë meje, duke thënë se; “ju të tjerët arrini, unë plak e ky i vogël, duam më shumë hyzmet”. Më vinte pak turp, por uria më kish marrë, ndërkohë ai më nxiste të haja. Gjithçka kishte një shije të veçantë, por veçanërisht gjiza e bërë me gjalpë, që u shtrua në fillim, ishte e mrekullueshme. Nuk do doja tjetër gjellë veç asaj, por më vinte zor të thoja.

Ku njerëzit pushonin së ngrëni, njëri nga të pranishmit, sipas zakonit e luante sahanin apo tepsinë, ndërsa ai vazhdonte të hante, duke i thënë atij me mirësjellje; “mos e luaj, vini nga larg e jeni të lodhur, duhet të hani”. Në fund u vu një sahan me mjaltë. “Këtë do të ma pastroni”, – tha. Vërtet ishte shumë bujar e mikpritës. Kurrë nuk e kam harruar atë drekë të shijshme, në sofrën bujare të Mefail Biçakut në Qarrishtë.

Kur erdha në shtëpi, babai më pyeti se ku kisha qenë për drekë. Ia rrëfeva me detaje. Babai dëgjoi me vëmendje, por nuk më tha gjë se ka qenë i burgosur, por vetëm se e kishim mik të vjetër. Vitet ‘70-’80-të, siç e kam përshkruar në kapitujt e tjerë, qenë më “aktivët” për regjimin diktatorial. Vala e arrestimeve përfshiu gjithë vendin. Familjen e Mefail Biçakut, përsëri nuk do ta linin të qetë. Në vitin 1978, arrestojnë djalin e tij të dytë, Burhanin, një burrë i thjeshtë, punëtor e i drejtë.

Në brigadën ku punonte, pa ndonjë qëllim të keq, ai tregon një ëndërr që e kish parë në gjumë, natën: Sikur shkonte ne Greqi me një kalë të bardhë dhe sheh Athinën e cila, rrëfeu ai, ishte një qytet shumë i bukur. Burhani në atë kohë ishte 48 vjeç, e kishte një tufë me fëmijë në shtëpi, që me shumë vështirësi i mbante vetëm me punën në kooperativë. E mbajtën për disa muaj në hetuesi, ashtu si dhe babain e tij 15 vite më parë, nën presion e tortura, nga më mizoret. E nxjerrin në gjyq, ku gjashtë dëshmitarë, të përpunuar nga Sigurimi i Shtetit, dëshmojnë për “ëndrrën armiqësore”.

Dënohet me 7 vjet burg, të cilin e kryen në Ballsh. Familjarët që shkonin herë pas herë për vizitë te ai, rrëfejnë për kushtet e tmerrshme të kampit të Ballshit. Vapa përvëluese aty merrte me dhjetëra jetë të burgosurish. Në vitin 1982, përfiton nga amnistia dhe lirohet duke kryer vetëm katër vjet. Erdhi pranë familjes, por ai tashmë ishte i sëmurë. Gjendja e tij shëndetësore me gjithë kujdesin e treguar nga familjarët, nuk u përmirësua. Ndërroi jetë pas nëntë muajsh, në moshën 51 vjeçare. Në morinë e gjyqeve politike komuniste, edhe ky qe një rast ku njeriu dënohet, edhe për ëndrrat që sheh natën në gjumë.

Në librin tim nuk është e mundur të paraqes apo të përshkruaj të gjitha rastet e arrestimeve për motive politike në tetë fshatrat përkatës, mbasi kam përshkruar kryesisht rastet më tipike, për të cilat kam mundur të marr dëshmi nga vetë personat apo të afërmit e tyre. Kërkoj ndjesë për ato raste, që nuk janë pak, por që personalisht nuk kam mundur të kontaktoj. Mbetet detyrë në të ardhmen, jo vetëm e imja, por edhe shkruesve të tjerë të historisë nga fshatrat përkatës që t’i pasqyrojnë ato.

                                           – PASARDHËSIT E MUZAKAJVE NËN DIKTATURË –

7.1   Fisi i Muzhaqëve, një histori e hershme shtrirë në vite e shekuj. Pinjollë të fisit Muzhaqi bëjnë histori

Fisi Muzhaqi, mendohet të ketë prejardhjen nga familja e Muzakajve. Kjo familje fisnike feudale, e forcuar dhe konsoliduar në shekujt XIII-XV-të, është shquar për qëndresë ndaj pushtuesve anzhuinë të Napolit, ndaj vendosjes së sundimit serb, si dhe më pas ndaj turqve osmanë. Junt dhe Teodor II-të Muzaka, janë pjesëmarrës me forcat e tyre në Betejën e Fushë-Kosovës, më 1389. Teodor Koron dhe Gjin Muzaka, morën pjesë në Kuvendin e Lezhës, në vitin 1444. Ky i fundit ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut.

Familja e tyre ka nxjerrë edhe kronikanë siç ishte Gjon Muzaka, kronika e të cilit jep të dhëna mbi historinë shqiptare të mesjetës e, veçanërisht për periudhën e sundimit osman. “Memoria” e Gjon Muzakës, konsiderohet si dokument i rëndësishëm i shkruar nga një bashkëkohës i Skënderbeut. Pas luftërave të udhëhequra nga Gjergj Kastriot Skënderbeu, ashtu si edhe mjaft familje të tjera feudale, Muzakajt u vendosën në Napoli, ndërkohë, ata që mbetën këtu, ose pinjollë të kësaj familje të rikthyer në ish pronat e tyre, kanë qëndruar në Berat, Myzeqe, Elbasan etj.

Në shkrimet e studiuesve Lazër dhe Josef Radi, jepen të dhëna interesante mbi origjinën e fisit Muzhaqi. Kështu nga gojëdhënat e pleqve të Vilanit, rezulton se të gjithë trashëguesit e këtij mbiemri; në Elbasan, Gurshpatë, Rafje, Fushë-Buall etj, janë degë e të njëjtit fis. Sipas disa intervistave të fundit lidhur me këtë fis, i pari i familjes ka banuar në Berat dhe kishte prona në Lushnjë. Më pas thuhet se largohen në zonën e Kavajës, e prej andej vijnë në Labinot. Këtu, sipas dëshmive, ishin tre vëllezër; Ahmeti, Qerimi dhe Limi. Nga të dhënat e marra nga i moshuari, Sheme Muzhaqi, del se djali Ahmetit, Hasani, me dy vëllezër, vendoset në Polis të vogël.

Vilani shtrihet në zonën malore të Polisit. Ai dallohet për klimën, ujërat dhe bimësinë mjaft të përshtatshme, për rritjen e blegtorisë. Deri aty nga mesi i shekullit XIX-të, në vitet 1840-1850, ky territor malor shërbente si vend-qëndrim e vend mbarë-shtrim për blegtorinë në stinën e verës, ku banorët e disa prej fshatrave përreth, ngrinin stanet verore. Afërsisht në këtë kufi kohor, mundet aty nga viti 1870-‘80, Hasan Muzhaqi, bashkë me dy vëllezërit e tij, Zenunin dhe Dulen, ngjiten në vilan me gjithë familjet e tyre dhe vendosin të jetojnë atje. Për këtë qëllim, Hasani blen tokë, duke i zgjeruar territoret e duke shndërruar disa kullota në toka buke.

Mbas tij atje shkon edhe Hysen Muzhaqi, një kushëri i largët i tij. Në fillimet e shekullit XX-të, pasardhësit e Hasan Muzhaqit u bënë shtatë shtëpi, ndërsa Hysen Muzhaqi, tre shtëpi. Vend-banimi në Vilan, nis të zgjerohet përsëri. Aty vjen edhe një familje e fisit Tanushi, nga fshati Polis Qendër. Hasan Muzhaqi pati shtatë djem; Sherifin, Sadikun, Mehmetin, Musain, Rexhepin, Azisin dhe Qazimin. Në Vilan, ekonomia e familjes u rrit ndjeshëm, duke shtuar blegtorinë. Numuri i krerëve të imta, mund të ishte mbi dy mijë.

Punët bujqësore dhe blegtorale, i kryenin burrat e shtëpisë, por mbanin edhe hyzmeqar. Gratë e Vilanit, qenë mjeshtre të punimit të bulmetit. Ato punonin edhe leshin, duke bërë qilima, si dhe pritnin e qepnin veshje tradicionale, për burra e gra. Hasan Muzhaqi, i cili thirrej “Hasan Aga” ose “Hasan-ai”, ishte dhe mbeti një figurë kryesore në zonën e Poliseve. Ai njihej si burrë i zgjuar, i matur, besnik dhe drejtues kuvendesh krahinorë, duke luajtur një rol të rëndësishëm në lidhjen e krahinës me qeveritë e kohës.

Nga burimet gojore thuhej, se Hasan Muzhaqi kryesonte Poliset, ndërsa Osman Çota, Çermenikën. Hasan Muzhaqi, përmendet si figurë e rëndësishme e qëndresës anti osmane, në prag të shpalljes së Pavarësisë. Gjatë aktivitetit të tij në interes të çështjes kombëtare, ai ka bashkëpunuar me familjen Blloshmi në Bërzeshtë, e cila njihet historikisht për veprimtari të shquar patriotike e liridashëse, në periudhën e sundimit osman e më pas. Për Hasan Muzhaqin është kënduar edhe këngë, ku vihet në dukje figura e tij, si udhëheqës i Poliseve në luftë kundër pushtuesit.

Kënga e Hasan Agë Muzhaqit: “Ku e bëre ferk, o/ për herë të parë/ Dede bej, o Stavovar/ Openo polit te Hasan-ai/ Dede bej o Stavovar/ Për një kosaxhi, u vranë dy xhandar/ Ky Sherif Muzhaqi qenka kumanar/ Dede bej, o Statovar/ S’pate pamur trima, trima polisar”.

Kjo ngjarje bën fjalë për vitet kur Hasan Muzaqi ishte burgosur nga autoritetet osmane, ndërsa djemtë e tij, dalin në arrati. Ata në bashkëpunim me Shaban Blloshmin, u bëjnë prita garnizoneve turke. Këta të fundit ngjiten në Polis, e vrasin një hyzmeqar të Muzhaqëve, që ishte duke kositur. Në luftimet e zhvilluara midis garnizonit Osman, të komanduar nga Dede bej Starova, e Muzhaqëve të drejtuar nga djali i Hasanit, Sherif Muzhaqi, u vranë dy oficerë, që kënga i quan xhandarë dhe një tjetër u plagos.

Fisi Muzhaqi për disa kohë ishte në hasmëri me Zharrin e Cekanin, por kjo nuk ka vazhduar gjatë. Në të tre fiset e lartpërmendura, kishte burra të mençur e fisnikë, të cilët gjetën urat e pajtimit, e më pas lidhën miqësi, duke marrë e dhënë nuse të njëri tjetri. Në trungun familjar të Hasan Muzhaqit, lindën 35 djem. Kështu Sherifi, djali i madh i tij, pati 7 djem, Mehmeti 7, Sadiku 7, Musai 4, Rexhepi 2, Azisi 4, dhe Qazimi 4 djem.

Në prag të pushtimit fashist, numri i meshkujve në familjet e tyre me gjithë prindërit, arrin në 41 vetë, ku shumica e tyre, pas çlirimit të vendit u burgosën, u vranë dhe persekutuan nga regjimi komunist. Dhe kjo gjë, nuk është rastësi. Tashmë i njohur dhe i përsëritur si rast, do të shohim se edhe ky fis, me rrënjë dhe tradita të hershme, do përjetojë, do gjendet në të njëjtat situata.

  1. 2 Nezir Muzhaqi, një ndër figurat kryesore në Polis dhe më gjerë. Formimi dhe roli i tij.

Një nga figurat kryesore në Polis, dhe jo vetëm këtu, në periudhën e Luftës Antifashiste, ishte Nezir Muzhaqi. Neziri lindi në Vilan,në vitin 1917, në familjen e madhe të Muzhaqit. Ai ishte djali i dytë i Mehmet Muzhaqit dhe i Hatixhesë. Në vitin 1924-’25, fillon shkollën fillore në Elbasan, duke qëndruar në shtëpinë e Qerim Muzhaqit. Më pas ai ndjek liceun e Korçës, të cilin e mbaron me rezultate të shkëlqyera.

Në vitin 1940, ndodhet për studime në Francë, por për arsye të luftës nuk i përfundon ato. Kthehet në atdhe duke marrë pjesë në qëndresën antifashiste. Ai ishte pjesëmarrës në demonstratën antifashiste në Korçë, ku thuhet se është plagosur. Neziri nisi organizimin e çetës së tij, aty nga mesi i vitit 1942. Çeta e tij përbëhej kryesisht nga fshatarë të Polisit, por edhe të Labinotit, Shushicës etj., e cila arrin në rreth 60 luftëtarë.

Pasi krijohet organizata e Ballit Kombëtar, ai, ashtu si dhe shumë nacionalistë të tjerë inkuadrohet në të, në kuadrin e luftës antifashiste. Nga informacionet që kemi, si nga bashkëkohësit, ashtu edhe nga të dhëna dokumentare, rezulton se çeta e tij, si dhe vetë Neziri, i shërbeu luftës kundër fashistëve italianë e, mbrojtjes së zonës së Polisit nga reprezaljet. Nezir Muzhaqi, kishte miqësi me Abaz Ermenjin, të cilin e kishte patur profesor, me Kadri Hoxhën, Sami Bahollin etj.

Ashtu si dhe shumë intelektualë të tjerë patriotë të kohës, ai kishte rezerva ndaj Partisë Komuniste Shqiptare, duke e parë atë, si faktor të rrezikshëm për atdheun e kombin. Megjithatë, ai asnjëherë nuk hyri në konflikt të armatosur me forcat partizane të udhëhequra nga kjo e fundit, pavarësisht provokimeve e veprimeve plaçkitëse të tyre, në Vilan e Polis. Në verë të vitit 1943, Neziri merr pjesë në përpjekjen e Mirakës, kundër forcave fashiste italiane.

Në gusht të këtij viti, ai organizon sulmin ndaj forcave italiane te kazermat e Babjes, duke i shpartalluar ata, dhe rrëmben armët e depove të municionit. Në fund të gushtit, apo fillim i shtatorit të vitit 1943, ai ishte autor i shmangies së një konflikti të mundshëm të armatosur me forcat partizane të Brigadës së Parë Sulmuese. Kjo ndodhi, pasi Mehmet Shehu, komandanti i Brigadës së Parë, që vinte nga Sopoti për në Mirakë, kalon me forcat e veta partizane nëpër Polis, duke dëmtuar ndjeshëm të mbjellat e fshatarëve. Ata i lëshuan natën, kafshët e ngarkesës që mbanin me vete, në arat e mbjella, si dhe morën me forcë mall nëpër shtëpitë e tyre.

Ky nuk ishte një provokim spontan, por sepse Polisi ishte një zonë e lidhur me Ballin. Atë natë Neziri nuk u ndodh në shtëpi. Kur erdhi të nesërmen në mëngjes dhe u informua për batërdinë e bërë në të mbjella të fshatarëve, si dhe plaçkitjen e tyre nga ushtria partizane, i del përpara Brigadës në Qafë Dardhë të Gurshpatës, në vendin e quajtur “Stani i Poçit” dhe e ndalon atë. Ai, i thotë Mehmet Shehut, se; nuk ishte mirë të bënin vëllavrasje, sepse ishin për luftë kundër Italisë e, jo mes vetes, se kishin dëmtuar prodhimet e kishin marrë mall me forcë.

Ai dinte, se në shtëpinë e tij partizanët kishin marrë çfarë kishin gjetur, megjithatë i thotë Mehmet Shehut se; i lejonte të kalonin e se deri në Mirakë, ishin në besë të tij. Kështu, për të shmangur konfliktin e ndezur nga forcat partizane me banorët e Polisit, të cilët ishin shumë të irrituar nga veprimet plaçkitëse, Neziri i lejon të kalojnë ata, duke u thënë se në rast se përsëritet, nuk do t’i toleronin më. Mehmet Shehu, i njohur për veprime hakmarrëse e dhune, nuk do ta harronte këtë “fyerje”, që i bëhej nga polisarët.

Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, si dhe me ndezjen e luftës midis forcave kundërshtare në Shqipëri, Nezir Muzhaqi, nuk u përfshi në luftën kundër forcave gjermane. Ai, si edhe shumë intelektualë të tjerë të kohës, duke qenë koshjent për rrezikun komunist në Shqipëri, si dhe i bindur për qëndrimin e përkohshëm gjerman në vend, lidhet me qeverinë e regjencës në Tiranë. Në Shqipëri pas çlirimit të vendit u vendos diktatura komuniste.

Në vitin 1948, ishte gati të nënshkruhej marrëveshja midis Qeverisë shqiptare dhe asaj Jugosllave, për përfshirjen e Shqipërisë brenda Federatës Ballkanike, me në krye Jugosllavinë. Për fatin e mirë tonin, mosmarrëveshjet mes Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Partisë Komuniste Jugosllave në vitin 1948, kishin arritur kulmin. Në këto momente të vështira për Shqipërinë, Stalini u dërgon një letër gjithë partive komuniste në rajon, ku kritikohej Partia Komuniste Jugosllave, si dhe akuzohej ajo, se ka devijuar nga vija marksiste – leniniste.

Kjo letër i vjen edhe Partisë Komuniste Shqiptare. Enver Hoxha, që mori mbështetje nga Bashkimi sovjetik, në rrethanat e krijuara, i prishi marrëdhëniet me jugosllavët, duke siguruar pushtetin personal, ndërkohë u eliminua rreziku i bashkimit me Jugosllavinë. Kjo, nuk ishte meritë e Partisë Komuniste dhe Qeverisë shqiptare, por ndodhi, më shumë për shkak të divergjencave mes Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, e asaj jugosllave, ku u bë e mundur të shpëtonte Shqipëria nga kthetrat e kësaj të fundit.

Ndërkohë, nuk ka patur dhe nuk ka asnjë fakt që të provojë se Nezir Muzhaqi, ka bashkëpunuar me gjermanët në dëm të interesave kombëtare. Përkundrazi, ka shembuj dhe dëshmi që provojnë se ai, dhe Ali Cekani, komandant i Ballit në fshatin Gurshpatë, kanë ndihmuar dhe shpëtuar jetë partizanësh. Vetë Nezir Muzhaqi, ka ndërmjetësuar për lirimin e dy personave nga Labinoti, që ishin të arrestuar. Në qershor të vitit 1944, ai hyn garant dhe janë liruar nga Komanda Operative e Xhandarmërisë, Demir Lulja, Makbule Baholli e Qemal Zaimi, të cilët mbaheshin në arrest.

Në fillim të vitit 1944, Dhimitër Shuteriqi, ndodhej i sëmurë në lagjen “Druni” në Kala. Lagja ndodhej e rrethuar dhe kishte kontrolle. Nëna e Dhimitrit, shkon te Ali Cekani, i cili kishte një zyrë në Elbasan e, i kërkon ndihmë për të shpëtuar djalin. Ky i fundit, i kërkon Nezirit që të mundësojë shpëtimin e tij. Vetë Neziri, duke marrë parasysh rrezikun, futet në shtëpinë e Shuteriqit, e merr atë dhe të veshur me rroba katundari, e nxjerrin nga shtëpia, duke e vendosur në një makinë. Bashkë me Ali Cekanin dhe shtatë ushtarë polisarë të Ballit, e shoqërojnë për në Mirakë.

Gjatë rrugës, në postbllok i ndalojnë, duke i zbritur të gjithë nga makina. Neziri që vinte pas me makinën tjetër, ndërhyn duke u thënë rojave të postbllokut, se nuk është nevoja të kontrollohen ballistët. Kështu e dërgojnë te një mik i tij në Polis, ku ndenji deri sa u shërua. Me dhjetëra herë ai ka shkuar në Komandën operative, për të liruar persona nga Mokra, Bërzeshta etj., që ishin të kapur rob në Operacionin gjerman të Qershorit, 1944. / Memorie.al

Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Kur partizanët filluan me i keqtrajtu njerëzit e shtëpisë, Patër Antoni doli nga vendi ku ishte fshehur dhe u tha atyre...”/ Kujtimet e panjohura të ish-ministrit të Hitlerit në Shqipëri, Neubacher, në 1944-ën

Next Post

“Kadri Hazbiu na kërkoi helme me veprim të ngadaltë, se donte t’i përdorte kundër Leka Zogut, duke ia dhënë...”/ Zbulohet dokumenti i rrallë i Sigurimit, me raportin sekret të oficerit të Zbulimit në New York

Artikuj të ngjashëm

“Kur policët godisnin me shkopinj nën e bir, vajza gjermane, Amri, tha; autoritetet shqiptare dënojnë keqtrajtimet gjatë luftës në kampet gjermane, kurse vetë…”! / Historia tragjike në kampin e Tepelenës
Dossier

“Kur policët godisnin me shkopinj nën e bir, vajza gjermane, Amri, tha; autoritetet shqiptare dënojnë keqtrajtimet gjatë luftës në kampet gjermane, kurse vetë…”! / Historia tragjike në kampin e Tepelenës

October 20, 2025
“Kadri Hazbiu na kërkoi helme me veprim të ngadaltë, se donte t’i përdorte kundër Leka Zogut, duke ia dhënë…”/ Zbulohet dokumenti i rrallë i Sigurimit, me raportin sekret të oficerit të Zbulimit në New York
Dossier

“Kadri Hazbiu na kërkoi helme me veprim të ngadaltë, se donte t’i përdorte kundër Leka Zogut, duke ia dhënë…”/ Zbulohet dokumenti i rrallë i Sigurimit, me raportin sekret të oficerit të Zbulimit në New York

October 19, 2025
“Burrat me pamje të vrazhdë, shikojnë një djalosh me zinxhir floriri të trashë në qafë me ‘BMW’, simbol i ‘lumit’ të parave, që i tërheqin nga Western Union…”/ Reportazhi i panjohur për Beratin, i gazetarit nga SHBA-ës
Dossier

“Burrat me pamje të vrazhdë, shikojnë një djalosh me zinxhir floriri të trashë në qafë me ‘BMW’, simbol i ‘lumit’ të parave, që i tërheqin nga Western Union…”/ Reportazhi i panjohur për Beratin, i gazetarit nga SHBA-ës

October 18, 2025
“Pasi Nako Spiro ndodhej në Moskë, Lef Nosin e çuam për ta fshehur te nipi i një miku të tij, personalitet i shquar, por ai, e dorëzoi te Sigurimi…”/ Kujtimet e hebreut, Marko Menahem
Dossier

“Kur Sigurimi i Shtetit, nga fundi i 1960-ës, kapi në postën e Librazhdit, dy letra të dërguara Mefailit nga Rusia, prej miqve izraelitë që kishte mbajtur dikur në shtëpi, ai u tha…”/ Historia e panjohur e familjes Biçaku

October 18, 2025
“Si e varën në litar, Nezir Muzhaqin, komandantin e ‘Ballit Kombëtar’ për Elbasanin, me vendimin e Gjykatës së Lartë Ushtarake, pasi…”/ Ish-i dënuari politik, publikon dokumentin
Dossier

“Anëtar i Rinisë së Ballit, i ati milic e spiun i SIM-it, dy dajo komandantë Balli…”/ Dokumenti sekret i Sigurimit, për ballistin që hetoi Koci Xoxen, Dali Ndreun, Teme Sejkon, “sabotatorët e naftës”, etj.!

October 18, 2025
“Në vitin 1978, kur punonjësi i Degës i tha: ‘e more vesh moj plakë, djali yt në Suedi, Agimi, është vrarë’, nënë Fizja iu përgjijgj; ‘të rroni ju more bir’, dhe…”/ Historia e trishtë e familjes Biçaku nga Librazhdi
Dossier

“Në vitin 1978, kur punonjësi i Degës i tha: ‘e more vesh moj plakë, djali yt në Suedi, Agimi, është vrarë’, nënë Fizja iu përgjijgj; ‘të rroni ju more bir’, dhe…”/ Historia e trishtë e familjes Biçaku nga Librazhdi

October 17, 2025
Next Post
“Kadri Hazbiu na kërkoi helme me veprim të ngadaltë, se donte t’i përdorte kundër Leka Zogut, duke ia dhënë…”/ Zbulohet dokumenti i rrallë i Sigurimit, me raportin sekret të oficerit të Zbulimit në New York

“Kadri Hazbiu na kërkoi helme me veprim të ngadaltë, se donte t’i përdorte kundër Leka Zogut, duke ia dhënë...”/ Zbulohet dokumenti i rrallë i Sigurimit, me raportin sekret të oficerit të Zbulimit në New York

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme