Nga Ali Buzra
Pjesa e dyzetekatër
– JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE –
(VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)
Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.
Bedri Kaza
MUHARREM SALLAKU PRE E PËRNDJEKJES NGA ANA E REGJIMIT
Keqtrajtimi dhe përndjekjet ndaj personave dhe familjeve që ishin ose dyshoheshin për kundërshtarë të regjimit, ka qenë objekt i veprimtarisë së partisë-shtet, pothuajse në çdo fshat e qendër banimi. Në pamundësi për t’i përshkruar të gjitha ato në këtë libër, po japim vetëm një shembull të familjes Sallaku në Dranovicë (Kostenjë).
E përmend si rast, mbasi Kostenja gjatë periudhës së Luftës, ishte e lidhur pothuaj, krejtësisht, me lëvizjen Nacional-Çlirimtare, duke shërbyer si bazë e rëndësishme e saj. Por, për fat të keq, edhe ky fshat nuk i shpëtoi përndjekjes e persekutimit. Në lagjen “Dranovicë” të Kostenjës, sot fshat më vete, jetonin dy familje të fisit Sallaku. Tradicionalisht, burrat e familjes Sallaku kanë qenë njerëz punëtore dhe dalloheshin për besë e trimëri.
Muharremi ishte i biri i Liman Sallakut. Familja e tyre ishte e vogël, me pak pjesëtarë. Ata merreshin me punë bujqësore e blegtori. Ishin njerëz të thjeshtë, por që me punë kishin arritur një nivel mesatar jetese. Limani ndërroi jetë në moshë të re, ndërsa djali i tij Muharremi, forcoi ekonominë familjare duke shtuar blegtorinë. Ai martohet me Aishen, të bijën e Sinan Metës, që ishte nga i njëjti fshat.
Gjatë periudhës së luftës, me ngritjen e Çetës së Martaneshit, ai, ashtu si dhe shumë bashkëfshatarë të tij, bëhet pjesë e saj në të, në luftën për çlirimin e vendit. Ai tashmë ishte 27 vjeç. Pas masakrës së kryer në Martanesh në mars 1944, nga Brigada I-rë partizane Sulmuese (e Mehmet Shehut), ku u vranë pa gjyq mbi 20 burra të pafajshëm, Muharremi mbeti i zhgënjyer.
Disa prej tyre ai i njihte personalisht, mbasi në zonën e Martaneshit kostenjasit kishin miq. Ai, shpesh, nuk ishte dakord me urdhrat e dhëna nga komanda, të cilat shprehnin ashpërsi ndaj kundërshtarëve. Muharremi, megjithëse i paarsimuar, kishte një inteligjencë për t’u admiruar.
Ndërkohë, kontakton me miq të tij të cilët i japin informacion mbi reformat që do të ndërmerrnin komunistët pas çlirimit të vendit. Tashmë, ai i bindur se lufta çlirimtare nuk po çonte në një fitore të vërtetë të popullit shqiptar, pas një debati me drejtuesit, largohet nga Batalioni i Martaneshit, duke u kthyer pranë familjes.
Muharremi, nuk u bashkua me ndonjë grup tjetër nacionalist, por komanda partizane kishte marrë vendim për ta arrestuar. Pas çlirimit të vendit, njësia partizane që vjen në fshat i rrethon shtëpinë, ndërsa ai ndodhej në arrati. U kërkojnë dhe i kërcënojnë familjarët për të treguar vendndodhjen e tij, por më kot.
Nëna dhe gruaja e tij besnike me gjithë presionin e jashtëzakonshëm, nuk hapën gojë, ndonëse ai ndodhej në pyllin përball, jo shumë larg shtëpisë. Hapën dyert në katin e parë ku ndodheshin bagëtitë, ndërsa nëna dhe gruaja e tij me djalin e vogël, Fadilin dy vjeçar, pa mundur të marrin asnjë plaçkë, u nxorën jashtë. Partizanët i vunë zjarrin kullës trekatëshe të familjes Sallaku, ndërsa Muharremi shihte flakën të ngrihej në qiell e, çatinë me lëndë drusore që binte brenda mureve madhështore të saj.
Partizanët sekuestruan dhe morën të gjithë gjënë e gjallë; dy lopë me viça, një mëshqerrë, qetë e parmendës, kalin, 80 kokë dhi e mbi 20 kokë dele. Po atë natë, nënën e moshuar të Muharremit, Meremen, gruan dhe djalin e vogël i marrin më këmbë për në Elbasan. Këtu, bashkë me shumë familje të tjera “reaksionare”, i mbajnë për disa muaj.
Aishja ka rrëfyer se aty u jepnin vetëm një racion bukë misri të mykur në ditë dhe asgjë tjetër. Nëna e Muharremit nuk mundi të mbijetojë. Ajo u sëmur dhe ndërroi jetë brenda kampit, pa iu dhënë asnjë ndihmë mjekësore. Si dhe shumë të tjerë të internuar ajo edhe sot nuk ka një varr ku familjarët të ngushëllohen.
Pas Elbasanit, grupi i të internuarve dërgohet në Berat, ku qëndruan për afro dy vjet. Në këto rrethana Muharremi vendos të dorëzohet. Ai nuk kishte kryer asnjë krim, veçse qe larguar nga Batalioni. Me gjithë kushtet e rënda të regjimit të vendosur, mjaft bashkëfshatarë të tij, pjesëtarë të çetës, me ndërgjegje ishin garant për të.
Kështu ai nuk u dënua, por mbajti për disa vite titullin kulak, ndërsa familja e tij u lirua nga internimi. Muharremi ndërtoi shtëpitë e reja në vendin e quajtur “Krushë” të Dranovicës. Aty jetoi e punoi ku i lindën dhe rriti edhe tre fëmijë të tjerë. Përgjithësisht familja e tij nuk u përndoq më, por elementë të veçantë në momente të caktuara i kanë krijuar edhe shqetësime.
Në vitin 1982, djali i tij i fundit, Beluli, me një vendim të pushtetit lokal të zonës, emërohet shitës në dyqanin e fshatit. Babai i tij, Muharremi, nuk ishte i qetë për këtë. Ai i thotë të birit se nuk do ta linin rehat aty.
Vazhdoi të punojë në sektorin e tregtisë deri në vitin 1984, por një letër anonime dërguar Komitetit Qendror të Partisë së Punës, bëri që një ekip i Komitetit të Partisë së rrethit, të vijë në fshat për të “analizuar” problemin “e madh” që kishte lindur. Më në fund u arrit në konkluzionin se; djali i ish-kulakut, nuk duhej të ishte në atë pozicion pune. Kështu e hoqën nga puna në këtë sektor, pa asnjë motiv tjetër.
Dëshiroj të ndaj me lexuesin edhe disa kujtime personale me familjen Sallaku. Në fund të muajit janar 1976, mbas lirimit nga shërbimi ushtarak, u emërova mësues në shkollën vartëse, me klasa kolektive të fshatit Dranovicë. Shkolla kishte dy ambiente mësimore dhe një dhomë të vogël për mësuesin, e cila ishte e ndarë me dërrasë nga brenda. Aty ndodhej një minder prej druri, një tavolinë e vogël dhe dy karrige portative.
Gatuaja në një furnelë korrenti të thjeshtë. Mësimin e zhvilloja me sistem 6-orësh, me 4 klasat e ciklit fillor. Një pasdite pas mësimit vjen te shkolla një djalë zeshkan me trup të bëshëm e më përshëndeti. “Mora vesh se ka ardhë një mësues i ri, – më tha, – prandaj erdha t’ju takoj e të njihemi”.
Ishte Belul Sallaku. Edhe ai qe liruar ato ditë nga ushtria. Në vështrimin e parë dukej pak i vrazhdë, por në realitet ai qe mjaft i dashur e gazmor. Kaluan ditët, ai vinte shpesh dhe ne u bëmë shokë të ngushtë. Më kërkoi të shkonim në shtëpinë e tij, e cila ndodhej në shpatin e malit përballë dhe dukej që nga shkolla. Pranova me kënaqësi dhe në një mbas dite të vonë u nisëm për te shtëpia e tij.
Kur mbërritëm, vura re se shtëpia ishte një kullë trekatëshe, ku në katin e dytë futeshe direkt pa shkallë, mbasi pjerrësia e shpatit ishte e madhe. Për rreth saj ndodheshin disa parcela të vogla e përtej tyre, shtrihej një pyll i dendur dushku. Ngjitëm shkallët për në katin e tretë, ku ndodhej babai i tij.
Kur u futa brenda, vura re se dhoma qe e madhe dhe e shtruar me qilima lecke e leshi, si dhe ishin vendosur mbi to disa lëkura deleje të bardha e të zeza. Oxhaku i mbushur plot me dru lisi, bubulonte nga flakët e prushi. Në qoshen e tij rrinte këmbëkryq i ati i Belulit, Muharrem Sallaku. E shihja për herë të parë.
U ngrit menjëherë më këmbë duke thënë; “bujrum”. Më dha dorën, por edhe më vuri tjetrën në krah. Ai ishte më i gjatë dhe më i madh me trup se i biri. Tanimë në moshën 60 vjeç, ai mbahej mirë. Ndenjëm deri vonë duke biseduar. Beluli pothuaj nuk foli më. Ai dëgjonte dhe respektonte babanë e tij.
Muharremi fliste qetë e rrjedhshëm. Të bënte kurioz, mbasi për çdo ngjarje që tregonte e kishte një pikësynim për të dalë diku, duke argumentuar problemin në fjalë. Pata vajtur disa herë te Muharremi, gjithmonë në darkë. Kur më përcillte të nesërmen, më thoshte: -“Të pres të vish”. Ai ishte shumë bujar e mikpritës.
Kaluan disa kohë dhe siç duket miqësia ime me ta ra në sy. Në një rast, një nga kuadrot e kooperativës më tha të bëja kujdes e të mos afrohesha shumë me atë familje, mbasi kanë qenë cilësuar kulakë dhe vetë Muharremi për disa kohë, ka qëndruar në arrati. Për të qenë i sinqertë, dua të them se me gjithë respektin e madh për ta, u ndjeva i tronditur.
Në atë kohë, Sigurimi i Shtetit me veglat e tij, s’e kishin për gjë të të përgatitnin “letrat”, që jo vetëm nga puna mund të largoheshe përgjithmonë, por edhe mund të përballeshe me vite të gjata burgu, si “bashkëpunëtor me armikun”.
Atë natë qëndrova gjatë pa fjetur në dhomën e vogël, duke ndezur disa cigare njëra pas tjetrës, mbasi në atë kohë e pija duhanin. Por ky ankth për fatin tim nuk vazhdoi gjatë. Të nesërmen, mbas dite shkova në zyrën e sektorit, ku bënin shërbim me turne tre roje të depos së armatimit, e cila ndodhej në një kodrinë të vogël përballë shkollës.
Aty ishte dhe një telefon. Unë shkoja shpesh aty pas mësimit. Dy më të moshuarit ishin Hamza Peshku dhe Selaudin Meta. Aty gjeta vetëm Hamzanë. Zakonisht punonte në zyrë normisti i sektorit, ndërsa vinin edhe kooperativistë për ndonjë problem që kishin, por në rastin konkret, nuk pati njeri tjetër.
E pyes Hamzanë duke i thënë: “Unë shkoj me Belulin dhe në shtëpi i kam vajtur, a përbën ndonjë problem kjo”? – “Jo” – m’u përgjigj ai. – “Po.…, kam dëgjuar se ka qenë shpallur kulak”? – “Ajo ka qenë kot, ishte një keqkuptim. Muharrem Sallaku është burrë i mirë dhe nuk ka asgjë të keqe me pushtetin.
Ne shkojmë në shtëpinë e tij”. U çlirova krejt nga ankthi që më kish kapur. Hamzai ishte vëllai i Qazim Peshkut, i cili kishte qenë komandant njësie në batalionin e Martaneshit, e unë për këtë isha në dijeni. Ata si familje ishin të lidhur ngushtësisht me pushtetin.
Një ditë tjetër, në bisedë me Selaudinin i them: – “Kam zënë shoqëri me Belulin, e i kam qenë në shtëpi. Më duket familje e mirë”! Ky i fundit me atë vështrimin e tij të mprehtë e sfidues, duke kuptuar qëllimin e bisedës, më tha: – “Tani pres të ndërroj turnin, hajde të shkojmë sonte bashkë te Muharremi”. Kështu bëmë.
Selaudini mund të ishte mbi 55 vjeç. Edhe familja e tij ishte pjesëmarrëse në luftë. Vëllai i tij, Ibrahimi, një burrë serioz, i matur e mjaft i ekuilibruar punonte në organet e pushtetit të kohës. Kalova me dy të moshuarit një natë të mrekullueshme. Ata tregonin ngjarje të zonës e të krahinës. Më shumë flitej për krahinën e Martaneshit, për burra të përmendur në atë zonë, ku kostenjasit mbanin lidhje miqësore.
Kështu me kurajon që më dhanë Hamzai dhe Selaudini, mbajta dhe ruajta miqësinë me familjen Sallaku, që m’u bë aq e dashur për kohën që qëndrova atje, miqësi të cilën e ruaj edhe sot, me Belulin, mbasi Muharremi ka ndërruar jetë në vitin 1986.
Mbyllje
Duke evidentuar dhe përshkruar përndjekjet, persekutimin dhe vuajtjet e disa prej familjeve në fshatrat e zonës që kam përfshirë në këtë libër, shpresoj të kem ndikuar në lehtësimin sadopak të barrës së rëndë fyese, përçmuese e diskriminuese të këtyre familjeve nga regjimi komunist i kohës.
Ekzekutimet me ose pa gjyq, që nga fundi i vitit 1944 e në vazhdim, burgimet e rënda me motivacion politik të shumë burrave me emër në krahinat e Librazhdit, si dhe vuajtjet e panumërta të familjeve të tyre, përbëjnë një pjesë të skenarëve të frikshëm, të krimeve të rënda, të kryera nga shteti diktatorial, që u vendos me dhunë në Shqipëri pas çlirimit të vendit.
Peshën e diktaturës së proletariatit, e provoi dhe e përjetoi i gjithë populli shqiptar. Rrëzimi i diktaturës dhe i simbolit të saj, bustit të Enver Hoxhës, ishte një moment kthese për Shqipërinë e përvuajtur. / Memorie.al

	    	
		    











