Dashnor Kaloçi
pjesa e dytë
Memorie.al/ publikon historinë e panjohur të ndodhur më 28 nëntor të vitit 1944 në fshatin Xhan të krahinës së thellë të Dukagjinit, ku një njësit partizan i Brigadës së VI-të Sulmuese, që komandohej nga komandanti Jaho Gjoliku dhe komisari Haki Toska, ekzekutuan një grup malësorësh nga fshati Bruçaj, të cilët duke udhëtuar natën për në shtëpitë e tyre pasi kishin bërë pazar në qytetin e Shkodrës, ndeshën në një pritë partizane të asaj brigade që komandohej nga pionieri 15 vjeçar, Çelo Sinani, (“Hero i Popullit”) që mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit mes tyre.
Dëshmia e rrallë e Prek Sokolit, me origjinë nga Dukagjini dhe me banim në fshatin Rranxa të Bushatit, i cili tregon të gjithë historinë e asaj ngjarje të dhimbshme, ku në shenjë hakmarrje ndaj pionierit partizan, që u vra gabimisht prej atyre malësorëve shtegtarë në pritën që kishin ngritur njësiti i “Batalionit të Spastrimit’ me urdhër të komandës së asaj brigade, një partizane e re, ‘motra’ e Çelo Sinanit, ekzekutoi dhjetë malësorë të pafajshëm: Tom Martini, Pëllumb Sokoli, Kol Vata, Pal Pëllumbi, Nikoll Mirashi, Mëhill Vocrri, Pal Vata, Shytan Deda, Prenush Zefi dhe Lazër Vuksani.
Dëshmitë e disa prej familjeve të viktimave, lidhur me ngjarjen tragjike, ku pas ekzekutimit, njësiti partizan i Brigadës së VI-të Sulmuese, i zhveshën lakuriq, dhjetë malësorët e vrarë, duke u’a marrë rrobat që u duheshin për shokët e tyre partizanë dhe i shpërfytyruan kufomat duke i goditur me bajonetat e pushkëve!
Dëshmia e nënkolonel Arif Bizhgës, ish-komisar kompanie në Brigadën e VI-të Sulmuese dhe pjesëmarrës në atë ngjarje, (ish-ushtarak madhor me gradën e nënkolonelit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Punëve të Brendshme) dhe e Reis Sinanit, (vëllait të Çelo Sinanit, që mban titullin e lartë “Hero i Popullit”), ish ushtarak, i diplomuar për Inxhinieri Elektronike në ish- Bashkimin Sovjetik.
Dëshmia e tre prej familjeve të viktimave
Për atë ngjarje tragjike të ndodhur në 28 nëntorin e largët të vitit 1944, Prek Sokoli, nuk është i vetmi dëshmitar që hedh dritë mbi çka ndodhi aty. Ajo histori është ruajtur e freskët në kujtesën e shumë malësorëve të asaj ane dhe sidomos në familjet e viktimave, ku njeri prej tyre, Dedë Marashi tregonte: “Më kujtohet si tani kur në fshatin tonë erdhi haberi për vrasjen e kushëririt tim, Tom Martinit, të cilin e sollën mbi një vig. Sapo trupi i tij mbërriti para shtëpisë, sipas zakonit, i pari doli babai i Tomës, Martin Gjoni, i cili kur e pa syrin e të birit që varej poshtë fytyrës prej goditjeve të bajonetës, i’u drejtua atyre burrave që e prunë trupin e tij, duke u thënë: ‘Pse ma keni sjellë kështu’ dhe e shkuli syrin e të birit e e flaku tutje në përrua”, kujtonte Deda lidhur me atë histori rrëqethëse, kur trupat e pajetë të malësorëve të vrarë u përcollën nëpër shtëpitë e tyre.
Dëshmia e Drane Vatës, për vëllanë e pushkatuar
Një tjetër dëshmitare e asaj ngjarje, është dhe Drane Vata, e motra e Kol Vatës, që u pushkatua nga partizania e brigadës së gjashtë, në shenjë hakmarrje për vrasjen e pionierit partizan, Çelo Sinani, e cila dëshmonte: “Lajmi për vrasjen e dhjetë burrave, na erdhi në atë kohë që unë isha e martuar në fshatin Gjuraj. Nga aty për në fshatin Xhan, mban rreth dy orë dhe rrugës për aty unë po mundohesha, që të nxirrja të vërtetën se kush ishte vra. Sepse për vëllanë tim Kolën, nuk më treguan që ishte vra, pasi e kisha vëlla të vetëm dhe mua më treguan vetëm për vrasjen e kushërinjve tanë dhe të tjerëve. Por unë shumë shpejt e morra vesh për vrasjen e vëllait tim, Kol Vatës, nga një fshatar i cili thirri: ‘Kujdes mos i dëftoni asaj për atë njeriun që kanë vra’. Nga ai e mora vesh se bëhej fjalë për mue dhe vëllanë tim Kolën, i cili kishte marrë dy plumba në vetull dhe dy në sy, të cilët i kishin dalë sipër kokës. Shtëpia jonë ku kisha lindur unë, kishte tre të vrarë dhe bashke me probatinin (vëlla gjaku prej gishti), bëheshin gjithsej katër që po qaheshin së bashku. Që nga ajo natë dhe për gjithë jetën e jetës, unë mbeta qyqe pa vëlla dhe po kështu prej asaj dite e deri sot, që jam në këtë moshë të thyer, unë nuk kam vesh gja tjetër në trup, përveçse ngjyrës së zezë”, kujtonte Drane Vata lidhur me vrasjen e vëllait të saj.
Dëshmia e motrës së Mëhill Vocrrit
Po kështu, Lezja, motra e Mëhill Vocërrit, njërit prej dhjetë viktimave që u pushkatuan atje, lidhur me atë histori të dhimbshme, dëshmonte: “Në atë kohë që ka ndodh ngjarja, unë isha e martueme në fshatin Pog të Komunës së Pultit. Natën e 28 nantorit, aty erdhën dy fshatarë tek kojshiu jonë dhe kërkun burrin tim, Kol Zefin. Meqenëse shtëpia e kojshisë sonë nuk ishte ma larg se 30 m. nga kurioziteti, unë u afrova fshehurazi dhe dëgjova të gjithë bisedën që bënë dy fshatarët me burrin tim, të cilit në mes të tjerash i thanë: ‘Kan plagosë partizanët në Xhan, vëllanë e Lezes dhe e kanë nisë për në Shosh’. Në ato momente kur dëgjova ato fjalë për vëllanë tim të vetëm, një tmerr i madh më pushtoi trupin. Burri im me dy fshatarët nuk më treguan të vërtetën dhe unë u nisa menjëherë për në Shosh, që mbante rreth katër orë larg ditën, e natën akoma më shumë.
Gjatë gjithë rrugës unë mendojsha se përse vallë vëllanë tim të plagosur e kishin sjellë në vendlindjen e tij në Shosh, në një kohë që atë fare mirë atë mund ta dërgonin për në Shkodër, që ishte fare pak më larg nga Xhani dhe atje kishte spital?! Me këtë shpresë të pashpresë, unë arrita deri në Shosh, ku shumë shpejt mora vesh gjamën e zisë së përjetshme që na pllakosi. Që nga ajo ditë, e 29 nantorit të vjetit 1944, e deri më sot, ne dy motrat e Mëhillit mbetëm me rroba të zeza dhe me dhembje në shpirt”, kujtonte Leze Vocrri, e motra e Mëhillit 17-vjeçar, të cilin para se ta pushkatonte, partizania e Brigadës së VI-të Sulmuese, i tha: “Lëreni këtë, se qenka moshatar me Çelon tim”.
Reagimi i fshatarëve ndaj partizanëve
Masakra e kryer nga forcat partizane të Brigadës së VI-të (që komandohej nga Jaho Gjoliku dhe komisari, Haki Toska), mbi ata dhjetë burra të pafajshëm, nuk kaloi lehtë nga malësorët e atyre anëve, të cilët reaguan menjëherë. Lidhur me këtë, 80-vjeçari nga Shkodra, Zef Zeka, i cili prej kohësh merret me hulumtime për terrorin dhe gjenocidin komunist të ushtruar mbi ato treva të veriut të vendit, ndërmjet të tjerash dëshmon: “Vrasja e dhjetë burrave të pafajshëm, i indinjoi pa masë malësorët e atyre fshatrave, të cilët u ngritën menjëherë me armë në dorë dhe dhanë besën për hakmarrje. Kështu pas disa ditësh, më datën pesë dhjetor 1944, një grup i madh fshatarësh nga Xhani dhe Kiri, filluan pushkën kundër ‘forcave spastruese’ të Brigadës së VI-të partizane. Nga ajo përplasje me armë, mbeti i vrarë një partizan, ndërsa nga fshatarët u vranë katër vetë, tre nga shtëpia e Gjon Palit dhe një probatin i tyne. Pas kësaj në shenjë hakmarrje, ‘forcat spastruese’ partizane, dogjën shtatë shtëpi të atyre fshatrave dhe u larguan për në drejtim të Malit të Zi”, shprehet Zef Zeka, lidhur me vazhdimin e konfliktit në mes partizanëve të Brigadës së VI-të dhe fshatarëve dukagjinas, konflikt i cili në forma të tjera, ndoshta dhe më të egra, vazhdoi edhe për gati një gjysëm shekulli me radhë nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Versioni zyrtar i vrasjes së “Heroit të Popullit”, Çelo Sinani!
Lidhur me vrasjen e pionierit partizan Çelo Sinani, historiografia zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës, do të shkruante duke dhënë një version tjetër lidhur me atë ngjarje:
“Nga ajo ditë pionieri Çelo Sinani u bë partizan. Në çetën e Kurveleshit e në batalionin “Asim Zeneli”, në grupin e parë të Kurveleshit e në Brigadën e 6 sulmuese, Çelua u dallua ndër shokët. Pushka e tij u rreshtua përkrah pushkëve të partizanëve të tjerë. Më vonë pushkën e zëvendësoi me automatik, me mitraloz. Me mitraloz në krah zbriti dhe ngjiti qafën e Dhëmbelit, kapërceu Vjosën, Osumin, Shkumbinin, Drinin. Me opinga të shqyera, me një mushama, që e përdorte herë-herë si batanije, me bukë e pa bukë, në shi, në breshër e në dëborë, luftonte dhe këndonte këngën aq të dashur:
“Mbi çdo vend të Shqipërisë /
Brigad’ e gjashtë kur kalon,/
Drithet fron’ i tiranisë /
Mali e fusha ushëton…”
Dy vjet luftë e kalitën Çelon. A u rrit nga shtati, mësoi shumë gjëra. Në një përpjekje që bëri me armikun grupi i parë i Kurveleshit, Çelua papritur mbeti i rrethuar.
-Të zura, more rrjepacak, s’ke ku më shkon, – i tha një ballist dhe iu vu prapa Çelos.
Pionieri, sado që ndjeu frikë nuk e dha veten. E priti të afrohej dhe e qëlloi. Ballisti klithi dhe ra shul në tokë. Nuk e humbi besimin në vetvete dhe vendosi të çante rrethimin. U shtri barkas dhe rrëshqiti pa u vënë re nëpër gërxhe e shkrepa gjersa doli jashtë çdo rreziku e u bashkua përsëri me shokët.
… Nëntor 1944. Çelua, partizani i Brigadës së gjashtë, bashkë me një shokun e tij bënte roje në Theth, në fshatin piktoresk në zemër të Alpeve. Kur partizanët e tjerë bisedonin përzemërsisht me malësorët, dy rojet që nga bregorja vërenin me kujdes çdo lëvizje. Nga deriçka e kishës doli një “prift”, i cili, si hodhi sytë rreth e përqark, u largua me të shpejtë në drejtim të bregut të lumit. Çelua dyshoi: “Pse ecën i trembur”?! Zuri vend mbi rrugë dhe i thirri të ndalej. “Prifti” shtangu në vend. Nisi të bënte kryq dhe në çast nxori “Valterin” nga gjoksi dhe shtiu tri herë.
Ciflat e gurit mbi të cilin ranë plumbat e gjakosën në njërën dorë pionierin, por ai nuk u tërhoq. I’u kundërpërgjigj menjëherë me një breshëri automatiku. “Prifti” vrapoi duke shtënë në të rrallë, ndërsa pionieri i gjakosur, i’u qep pas duke shtënë. “Prifti” hyri në ujë për të dalë në bregun tjetër. Në përpjekje për t’u mbrojtur nga plumbat e Çelos, përdrodhi këmbën, ra në ujë, u ngrit, po revolveri i ra nga dora. Në ndihmë të Çelos shkoi Alemi, shokët e tjerë dhe “prifti” u kap. Gjatë kontrollit Alemi i tha Çelos:”
– Shih dreqi, na qenka toger gjerman!
Akte trimërie të vogëlushit i gjen të shkrira në gjurmët e brigadës së tij. Kudo Çelua i vogël luftoi si trim. Episode nga më të ndryshme tregojnë shokët e tij për Çelon. Ai në kujtesën e tyre mbeti fëmijë i gëzueshëm, luftëtar trim që, si thotë populli, të merrte “gjak në vetull”.
Po afronte dita e çlirimit të plotë të Atdheut. Brigada e gjashtë ndodhej në afërsi të Qafë Thanës, në malësinë e Dukagjinit. Natën, duke u gdhirë 26 nëntor 1944, partizanët të lodhur e të pangrënë ishin grumbulluar në një vend, ku mund të mbroheshin sadopak nga shiu e furtuna. Papritmas hidhen dy bomba nga mercenarët.
Çelua i ndezur nga urrejtja për armiqtë vrapon bashkë me partizanët e tjerë për t’u hakmarrë. Ndodhet përballë me tre mercenarë. Qëllon me automatik, vret një mercenar dhe plagos nji tjetër. Mercenari i tretë qëllon nga dukej flaka e automatikut dhe plumbi armik godet trimin pionier, që puthi për herë të fundit tokën e shtrenjtë të Atdheut. Nga fytyra i rrodhën currila gjaku. Malësorët i kënduan trimërisë së heroit të vogël:
“Kush lufton në atë breg /
Çelo Sinani vetë i tret, /
Çelo Sinani kuq si molla /
Qit dhe njëherë, të lumtë dora /
Jo me një po qit me dy,/
T’lumshin krahët e ay sy”.
Ndërsa në gazetën lokale të vendlindjes së Çelos, për të u shkruan këto vargje:
”… Kush tha se s’di Çelua /
Në male të luftojë?!/
Kush tha se s’di Çelua /
Me pushkë të qëllojë?!/
Përballë me armikun, / Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016