Nga Shpendi Topollaj
Pjesa e dytë
Memorie.al / Kur simbolet e komunizmit, pas gjysmë shekulli kapardisje, u shembën, u bë një zhurmë aq e madhe, sa ne u zgjuam nga gjumi i thellë. Hapëm sytë, por jo të gjithë e besuam atë që kish ndodhur: shpesh njeriu, siç sheh disa ëndrra që i merr për të vërteta, ashtu sheh edhe disa të vërteta, që i merr për ëndrra. Për më tepër, nuk qenë të paktë ata që iu kundërvunë kësaj përmbysjeje historike, me demonstrime e, deri kërcënime. Për të kapërcyer këtë situatë, duhej durim e mençuri. Ishim vëllezër. E si të tillë e kishim detyrë intelektuale, morale e shpirtërore, që të denonconim demagogjinë e komunizmit dhe krimet e përbindshme të inkuizicionit të kuq. Natyrisht, që më të besueshëm ishin ata që kishin lënguar e vuajtur, burgjeve e internimeve. Heshtja, do të qe me të vërtetë, një mëkat i madh i tyre…!
HOMAZH ATYRE QË GUXUAN TË NDESHEN ME TË KEQEN
-Rreth librit “Ridënimi” i Fatos Lubonjës-
Por përbindëshi i përbindëshave ka qenë Enver Hoxha, se duke qenë sundimtar i një populli e vendi të vogël, ai pati edhe mundësinë që t`i njihte personalisht të mençurit, të kulturuarit, të aftët, kurajozët e demokratët e vërtetë. Dihet fati i Fatos Lubonjës dhe i babait të tij, pas Plenumit të IV – të të Komitetit Qendror, por autori i “Ridënimi” -t, nuk e ka fjalën për vete.
Ai, dramën e tij, vuajtjet fizike e psikologjike, i përdor vetëm për të treguar, se ç`u bë me të tjerët, e sidomos me ata që e kishin kuptuar shumë më parë dhe i shpallnin pa frikë, fjalët e Hygoit se: “Mbretit i takon e sotmja, popullit e ardhmja”. Në pamje të parë, autori merret me një proces të montuar gjyqësor.
Në Shqipëri ndodhnin çudi mbi çuditë: edhe ata që ishin dënuar me një çerek shekulli, si “armiq të partisë” – shtet, ndërsa vuanin dënimin në burgje të llahtarshme, përsëri dilnin para trupit gjykues, për krimin e agjitacionit dhe propagandës, për t`u dënuar edhe një herë aq. Diktatori dhe diktatura, gënjenin veten, duke pritur që të dënuarit politikë, t`i donin ata që nga ferri ku i kishin futur, si pasojë e leximit të disa veprave paçavure.
Zor se ishin aq naivë, por mesa duket, donin të tmerronin të tjerët. Modelet ekzistonin; kështu kishte bërë Hitleri, Stalini, etj. Enveri që shkonte në plumb, pa pikë mëshire, anëtarët e Byrosë Politike, as që donte t`ia dinte për të tjerët, si fjala vjen, gazetarët Fadil Kokomani e Vangjel Lezho.
Por ai harronte një gjë jo të vogël: se karakteri i njeriut s`kishte të bënte fare me ofiqet që ai mund të mbante. Në qoftë se anëtarët e Komitetit Qendror e Byrosë politike, të PPSh-së, ministra apo gjeneralë, do të ndaheshin nga Komandanti, duke bërë autokritika të thella, më së shumti për faje të pa qena dhe duke e garantuar për besnikëri të pafund ndaj tij, apo duke kërkuar mëshirë si burracakë, shumë njerëz të thjeshtë, me një kurajë të paimagjinueshme, do të dinin të ruanin dinjitetin e tyre, pa iu trembur edhe vdekjes!
Aq sa siç e ndeshim në këtë libër, kur kryetari i seancës gjyqësore, e pyet Fadil Kokomanin: “A njeh ti i pandehur, ndonjë pendesë, për ato që ke kryer kundër partisë dhe pushtetit”?, ky me një qetësi që nuk e kishte tradhtuar asnjë çast, gjatë gjithë asaj seance, iu përgjigj; “Sigurisht që jo, përderisa i kam kryer me vetëdije”.
Heroizmin e njerëzve të tillë, Fatos Lubonja, nuk e ka me të dëgjuar apo, me të lexuar. Ai, ndodhej aty, në sallën e gjyqit. Në qëndrimin e Fadilit dhe Vangjelit, ai pa aq pamposhtësi, sa gati e harroi fare veten. Apologjitë e Fadilit dhe të Vangjelit, në klimën që mbizotëronte, janë akte nga më të rrallat në tërë historinë e gjyqeve shqiptare. Atyre, vështirë t`u gjendet një rast analog, në tërë vendet e Lindjes Komuniste.
Duke njohur mirë natyrën gjakatare të sistemit, F. Lubonja dedukton, se; Fadil Kokomani, po ligjëronte për herë të fundit. Ai e kish të qartë se ç`e priste një njeri si ai, kur deklaronte me vendosmëri: – “Kam qenë dhe jam kundër terrorit dhe kundër gjakut që ka derdhur Stalini dhe që është derdhur edhe në Shqipëri, nga politika staliniste e Enver Hoxhës…”!
Ish e qartë si drita e diellit dhe as që vihej në dyshim fundi i atij, që me logjikë të hekurt, argumente të pakundërshtueshme dhe kulturë shembullore, denonconte tiraninë dhe parashtronte bindjet e tij, prandaj i akuzuari Fatos Lubonja, shpresonte se ndofta nga vdekja, do të shpëtonte Vangjeli.
Fatosi, duke qenë kaq apatik ndaj fatit të tij, të ngjet më shumë me një spektator të një tragjedie të madhe, ku duke u përhumbur, mesa ngjet në skenë, për vete, as që ka kohë të mendojë. Ky rrëfim i këtij autori, nga një anë ngjet si një roman, ku ai në plan të parë, ka vendosur dy personazhe kryesore, që aq shumë ngjajnë mes tyre. Sfidojnë me profilet e tyre, edhe shumë të tjerë.
Edhe ata janë skalitur me shumë kujdes e vëmendje, por sidoqoftë, janë ata të dy që duke u ngritur mbi vdekjen, zënë një vend shumë të rëndësishëm, janë ata të dy që i ngrenë vetes një përmendore të një stili, madhësie e mjeshtërie gati të harruar. Është kjo arsyeja, që autori prezantohet ashtu siç është: i ri rebel, por edhe që i dhimbset jeta, pasi në emër të saj, ai pranon dhe përballon sfidën që i bëhet. Ai nuk ka përvojën e një disidenti të vjetër, në luftën me tiraninë, ndaj dhe në fillim të arrestimit, si ai rekruti që çohet drejt e në front, manifeston dhe ndonjë shenjë dobësie.
Kjo është e justifikueshme, derisa ai kalitet si një militant i progresit. Dhe bëhet aq i vetëdijshëm, sa ndërsa admiron sinqerisht Fadilin dhe Vangjelin, ndërsa mrekullohet prej tyre, e ndien dhimbje për fatin e mëtejshëm që i pret, të ngjet me një vëzhgues analitik i cili, nuk ka lidhje direkte me këtë proces e, që di njëkohësisht edhe të nënqeshë, lidhur me maskarallëqet e shtetit dhe ligësitë e disa bashkëvuajtësve apo, përfaqësuesve të të ashtuquajturës diktaturë e proletariatit.
Realisht, ai në burg ka hyrë për aksident politik, vetëm pse, po për aksident politik, qe burgosur dhe i ati. Mirëpo, vjen një moment që, ai deklaron: “I thashë këto zotërinj gjyqtarë, për të shprehur mendimin, që edhe pse kundërshtar në pikëpamje me Fadil Kokomanin, po qe se ai do të mbetet gjallë, do ta konsideroja mikun tim më të shtrenjtë”. Vetëm kjo frazë është plotësisht e mjaftueshme, për ta ngritur atë në lartësinë e dy heronjve të tjerë.
Ndoshta u desh ky gjyq, që ata ta kuptonin se ç’ideale i lidhnin, sesa e deshën njëri – tjetrin, dashuri që del shumë qartë, te vëzhgimi aq i imët i çdo gjesti apo, te fiksimi i çdo fjale të Fadilit e Vangjelit, nga ana e autorit të këtij libri, me gjithë hallin e madh, që ai kishte vetë. Në kushtet e marra lehtë me mend, të një gjyqi të përmasave të tilla, ai “kap” aq imtësi, sa arrin në përshkrime shumë interesante, si p.sh.: “Kur Vangjeli doli para trupit gjykues, u pa se ishte ligur jashtë mase. Midis lëkurës së irnosur të fytyrës dhe kockave të kokës tulle, s`kishte mbetur asnjë fije mish. Mund t`ia dalloje shkoqur të gjitha gungat e kafkës!
Pastaj të binte në sy qafa e hollë, një xhaketë së cilës në dy – tre vende, i dukej astari dhe pantallonat që dukeshin sikur kishin brenda vetëm dy purtekëza, që përfundonin me ato zhargat e zeza prej gome. Kjo pamje, e kombinuar me mendimin se e kishte vdekjen thuajse të sigurt, të bënin të mendoje se ai, më shumë se sa fliste, do të lëshonte ca tinguj drithërues. Gati, sikur u befasova, kur dëgjova të fliste me një zë të plotë dhe me një mënyrë, që tregonte se ruante ende një kthjelltësi të pacënuar gjykimi”.
“Ridënimi”, është ndoshta shembulli më klasik në letërsinë e pas diktaturës, për të parë se si montoheshin nga profesionistë të së keqes, vazhdues të shkollës së Jagodës e Berias (krahasoni me “Lubjankën” e Enco Biaxhit), proces ku ishte e pranishme gjithçka, veç së vërtetës, shpirtit njerëzor, e fundja mëshirës, paçka se ato përfundonin me kurbanë si vëllezërish apo, burgosje pa mbarim.
Fatos Lubonja gjithashtu, me durimin dhe skrupulozitetin e një hulumtuesi, jep një mësim të vyer, në kombinimin e kujtimeve me dokumentet arkivore. Ai, edhe pse i jepet rasti, di të shmangë autolëvdatat, di të paraqitet i thjeshtë e modest dhe duke bërë curriculum – in e njerëzve të ndryshëm, i lë të tjerët ta vlerësojnë atë, si ta gjykojnë vetë. Për të ka rëndësi të tregohet i çiltër, ashtu si Haki Stërmilli te “Burgu” i tij, pa sugjestionuar te të tjerët nderim artificial dhe pa i shkuar ndërmend, të presë dekrete dekorimi.
Për të mjafton, që të gjithë ta dinë, se ai në një moment shumë të vështirë, për jetën e tij të re, në fjalën e fundit para trupit gjykues, deklaroi: “Kërkoj pafajësinë time… gjithashtu kërkoj për Fadilin, duke shpresuar se Vangjelit, do t`i mbetet më jetë, fisnikërinë e më të fortit, karshi një armiku dinjitoz”. Në jetë ai ish i prirur nga letërsia, e jo nga politika, por jeta mesa duket, e detyroi të merret me politikë. Dhe ai me kulturën e tij, arriti t`i alternojë mrekullisht ato.
Te “Ridënimi”, autori nuk moralizon, as nuk vë etiketa sipas dëshirës. Ai pikturon besnikërisht dhe nuk është faji i tij nëse dikush është i shëmtuar. Ai për spiunin, frikacakun, imoralin e intrigantin, nuk gjen emër tjetër, veçse spiun, frikacak, imoral e intrigant, emër të cilin sekush e ka të shkruar në ballë.
Sikur të mos mjaftonte dënimi i padrejtë disa vjeçar dhe frika e përhershme e birucës ku i ftohti arrinte deri – 20 gradë, por duhej të ruheshe çdo ditë nga lloj – lloj provokatorësh shpirt liq, nga policët sadistë, nga spiunët e mbiquajtur; “minj birucash” dhe nga njerëz që edhe pse kurrë nuk kishte shkëmbyer dy fjalë, përsëri, të paraqiteshin në gjyq, me lehtësinë më të madhe, si dëshmitarë të rremë.
Ja sesi e përshkruan autori një të tillë: “Ato rrudha të fytyrës sikur i lakoheshin e i spërdridheshin në harmoni me lakimin e spërdredhjen e gjithë trupit dhe të intonacionit të zërit, kurse herë pas here, kur gjykatësi ndërhynte, fytyra i ngrinte në një ngërdheshje servile. E gjithë kjo pamje, e bënte atë plak 65 vjeçar, aq të shtirë dhe të pështirë, sa më dukej se vetëm pamja e tij, ishte e mjaftueshme për të provuar se po shpifte”! Aq pa personalitet ishin të tillët, sa shpesh, as që ia vlente të merreshe fare me ta.
Fatos Lubonja, për një të tillë, shkruan: “Të dukej absurde edhe të mbroheshe, kundër tij! Në atë paradë paturpësie, ai nxirrte më shumë në pah, anën komike të saj, aqsa gati të bëhej të mendoje, që e gjithë kjo punë, do të përfundonte me një të qeshur të madhe”! Aq të përhapur qenë spiunët në kamp, sa edhe mes kësaj lukunie gjeje vend për diferencime e individualitete. Ja si thuhet për njërin: “Doda, ishte më simpatiku nga të gjithë spiunët e kampit”.
Duke u marrë me luftën, midis të mirës dhe të keqes, për atë pjesë që ai e përjetoi vetë, Fatos Lubonja, si pikën më të nxehtë të kësaj ndeshjeje, ka zgjedhur sallën e gjyqit. Këtu, jo vetëm që secili ka zënë pozicionin e vet, por dhe ka hequr përfundimisht maskën. Këtu, para madhështisë së Fadilit, Vangjelit, Fatosit etj. edhe akuza e pretenca e prokurorit apo ndërhyrjet e pyetjet e kryetarit të seancës, duken mjerane e shpesh dhe qesharake.
Apologjia e të akuzuarve kryesorë është një shembull i papërsëritshëm për të parë se deri ku mund të lartësohet dinjiteti njerëzor, kur guximi e bindja bashkohen në një me inteligjencën, kulturën e lartë e gojëtarinë. Nuk dimë rast tjetër, ku të ketë shkëlqyer kaq madhërishëm një njeri në prag të vdekjes, si Fadili! Ai e hutoi trupin gjykues e krejt sallën, ai e çarmatosi dhe e shndërroi në karagjoz e injorant, prokurorin.
Natyrisht, dënimi qe i përcaktuar, siç qe i tillë edhe për Krishtin, Xhordano Brunon, e Nikolla Kopernikun. Fadili me shokë e dinin se vdekja, ishte kurrgjë para atij prezantimi, para një gjyqi inkuizicioni, me përmasa historike. Ndaj dhe autori, vëren pas dhënies së dënimit: “Për habinë time, Fadili kishte një fytyrë shumë të çelur, të çliruar nga tensionet dhe makthet e vdekjes…! M`u duk sikur ndërmjet portave të syve, ai donte të derdhte vetë jetën e tij, brenda meje”!
Dhe ne kemi bindjen se heronj të tillë, me luftën e tyre vetëmohuese për liri e drejtësi, që nga faqet e këtij libri, sa historik aq dhe artistik, do të derdhin përherë jetën e tyre jo vetëm në portat e syve të çdo lexuesi, por edhe në portat e zemrave të tyre, duke ngjallur shpresën se në ndeshjen e të keqes me të mirën, e mira do të triumfojë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016