Nga SIMON MIRAKAJ
Pjesa e katërt
‘Kampeve nën hijen e Tomorrit, 44 vite internim’
Kujtime
H Y R J E
Memorie.al / Këto kujtime i kam hedhur në letër pas një periudhe të gjatë hezitimi. Kjo mbase, sepse subjektet i kisha gjithnjë të freskëta në mendje, që më ndiqnin pa mëshirë gjatë viteve pas rënies së komunizmit. Por vjen një moment – kur koha bën të vetën – dhe pamjet e tmerrit dhe të pësimeve, erdhën duke m’u zbehur – thuajse pësimet kaluan në harresë. Atëherë vendosa t’i ripërsëris ngjarjet më mbresëlënëse – fillimisht në mendje – derisa morën trajtën e këtyre rrëfimeve. Sado të zbehta që mund të duken këto rrëfime – krijojnë idenë e realitetit të ashpër dhe mjeran të kampeve.
Divjaka “zonë kufitare” – Savër 1966
Nga fundi i muajit gusht e fillim shtatori, fillonte korrja e misrit. Ishte një punë mjaft e rëndë. Korrja bëhej me drapër, pra do rrije gjysëm i përkulur, vështirësinë e kësaj pune e shtonte dhe të nxehtit, pasi dielli akoma ishte përvëlues. Kur korrja përfundonte në sektorin ku ne banonim (Savër), atëherë na dërgonin në ndihmë të sektorëve të tjerë, për të korrur misër. Në sektor vinin makinat e na çonin në destinacion.
Kur shikoje punëtorët në makinë, vije re fytyra të fishkura e ngjyrë çokollatë, a thua se gjithë verën kishin bërë plazh. Ngjyrën e kishin marrë nga dielli, pasi të gjithë në kohën e verës, punonin gjysmë lakuriq. Për të shkuar në Çerëm, kërkohej leja nga Dega e Punëve të Brendshme (pasi ishim të internuar). Fusha e Tërbufit gumëzhinte nga zërat e punëtorëve. Aty brigadieret i shpërndanin punëtorët duke thënë:
– “Ti do shkosh në korrje, ti në transport”.
Kur po i afroheshim përmes fushës, një nga punëtorët në makinë bërtiti:
– “Shikoni, shikoni trenin”!
Të gjithë i çuan në këmbë, mes tyre dhe unë e, fillova të numëroja vagonat. Rrotulloja kokën duke parë se ku ishim, nuk njihja, kisha dhe frikë të pyesja, se; “ku jemi dhe si quhet ky vend”? Shumica e njerëzve ishte frikësuar. Po unë, thashë me vete; “kur do hipi në tren”?
Më caktoi brigadieri në transport me dy të tjerë, që nuk ishin të internuar. Transporti bëhej me “Zetor”, njeri nga punëtorët rrinte larg e, dy të tjerët poshtë, që merrnin degët e misrit e i hidhnin lart. Kur mbushej rimorkio, ne hipnim në “Zetor”, për ta shkarkuar degën e misrit pranë makinës grirëse, që e bënte silazh për lopët.
Rruga deri te makineria, bëhej mjegull nga pluhuri që shkaktonte “Zetori”, pluhuri na ngjitej për fytyrë, që kullonte nga djersët. Kur kishte një numër të madh punëtorësh, shihje se nëpër parcela dhe të plotfuqishmit e zonës, kapterat e policisë, që kishin hedhur krahëve një çantë lëkure. Herë pasë herë unë freskohesha duke pirë ujë, që sa vinte e bëhej i pa pijshëm nga të nxehtit.
Në Çerëm nuk vuaje për ujë, se kishte burime uji që kishin nxjerrë sondat. Kur po afrohej dreka për punëtorët, bashkë me zetoristin, m’u drejtuan:
– “Ne do ikim të zhytemi në det në Divjakë, nuk është larg nga këtu e, rimorkion do e lëmë këtu, e do ikim me ‘Zetor’”.
Në orën 12 ata u bënë gati, i plotfuqishmi ishte shtrirë poshtë një peme. Mendova nga dëshira për të parë detin, t’i kërkoja leje të shkoja në det me “Zetor” me ata dy shokët që punonim bashkë, unë në fakt not nuk dija, kisha vetëm dëshirë të shikoja detin. Isha larë gjithmonë nëpër kanale. Kur iu afrova kapterit, ai u ngrit:
– “Hë’- më tha, – çfarë ke”?
– “A ka mundësi të shkoj në plazh në Divjakë, me dy shokët që punojmë në transport”?
Ai u nxi. M’u kthye:
– “Çfarë thua, do të shkosh në plazh? Ti e di që Divjaka është zonë kufitare, ik, nuk ka leje, e di kush je ti, apo jo?! Divjaka është zonë kufitare. Ik, vazhdo punën”.
U largova duke buzëqeshur. Divjaka zonë kufitare?!
– “O Zot, – thashë me vete, – kur do shpëtojmë nga këta njerëz të pashpirt”. Pastaj arsyetova, më mirë që nuk më dha leje, se ata edhe mund të kurdisin ndonjë akuzë për arratisje. Jo, bëri mirë që nuk më dha leje. Se mund ta kisha ngrënë burgun.
U futa nën rimorkjo për të pushuar e, duke pritur shokët e punës që kishin shkuar në plazh. Nuk ndejta shumë aty, se nuk të linte vapa. U drejtova në një kanal vaditës, që ishte me ujë dhe u zhyta brenda, për t’u freskuar sado pak.
Provimet e maturës – Lushnje, 1968
Nga fundi muajt maj e fillim qershori, nisnin provimet. Në muajin maj, pothuajse nuk bëhej mësim, shkonim pa libra. Kishte profesorë që na thonin të zhvillojmë pyetjet e provimeve. Shoqja ime e klasës dhe e bangës më thotë; nëse do pyetjet e provimit, t’i zhvillojmë bashkë?
Ajo ishte nxënëse shumë e mirë, dakord i them i bëjmë bashkë. Të nesërmen u nisa me biçikletë, ajo me priste të kinemaja, e përshëndeta e pyeta se kishte shumë që me priste?
– “Jo, – më tha, – kam nja dhjetë minuta”.
– “Mirë atëherë, shkojmë e marrim nga një akullore, pastiçeria ishte përballë kinemasë. Biçikletën e mbështeta në trotuar dhe nisëm për te vendi, ku do mësonim. Pyetjet e para ishin të lehta.
– “Sa pyetje do mësojmë sot”? – më pyeti.
– “Po mundëm, mësojmë nja 25, mirë. Kur po i afroheshim gjysmës së pyetjeve, ajo m’u drejtua:
– “Bëjmë pak pushim e, fillojmë më vonë”?
– “Dakord”. Ajo u kthye me fytyrë nga unë:
– “A mund të bëj një pyetje”?
– “Kush të pëlqen nga gocat e klasës, se me sa di unë, ato të gjitha kanë simpati për ty”?
– “Rëndësi ka, sa më pëlqejnë ato mua, – i them unë. – Ja p.sh., mua me pëlqen ti”! – ajo i skuq dhe vuri buzën në gaz e vazhdoi:
– “Ti je një çik i ftohtë…”!
– “Unë i ftohtë”?! – dhe i vura dorën në qafë.
– “E si të duket dora, e ftohtë?! Dëgjo, unë nuk jam i ftohtë, mua me pëlqen e bukura, por ndjenjat mundohem t’i mposht. Ti e di se kush jam unë. – A e di ti, se para se të nisem për shkollë, unë paraqitëm në apel, në mëngjes e në darkë?! Unë nuk erdha dot në mbrëmjen e vallëzimit, se nuk më dhanë leje”.
Ajo më shikonte me habi.
– “Çfarë ke bërë”?!
– “Pyete babain, se ai di se çfarë kam bërë”.
Babai i saj punonte në Komitet Ekzekutiv, ishte zyrtar i lartë. Me kaq i lamë diskutimet e filluam pyetjet. Mbaruam 20 pyetje dhe i them:
– “E lemë për sot, se u lodhëm”?
U ngritëm, mora biçikletën, u nisa për shtëpi. Zakonisht ajo nuk hynte në klasë pa me pritur mua, që të hynim bashkë. Rrinte te porta, duke pritur. Ju afrova portës, ajo nuk ishte. U ngjita në klasë, ndeja pak dhe zbrita, ajo erdhi, po mezi me përshëndeti, duket babai e kishte sqaruar mirë, se kush jam. E përshëndeta pa e pyetur. Dola në oborrin e shkollës, mbas një çerek ore erdhi dhe ajo më kaloj pranë, pa ngritur kokën, më tha:
– “E pyeta babain, ai me tha se ju jeni si familje, familje armiqsh të rrezikshëm”. – Ajo m’i tha këto fjalë dhe e pashë që sytë i kishte plot lot.
– “Ju nuk e doni Partinë e, as shokun Enver”!
– “Dëgjo, nëse mundesh ngrejë kokën, në do mbetemi miq, unë do të kujtoj si një vajzë të mirë, e të zgjuar. Unë nuk kam bërë asnjë faj, asnjë, mirë u pafshim. Po shkoj të luaj me top me shokët”.
Miqësia filloi të shuhej dal nga dal. Kur mbas viteve ’90-të, kishim një takim të maturës, e kishin lajmëruar që të vinte:
– “Mbasi në takim ka ardhë dhe shoku jot i bankës, dikur – Simoni”!
– “Jo nuk mund të vi, por i thoni se i kërkoj të falur, ishim të rij”!
Mbrëmja e maturës – Lushnje, 1968
Isha në vitin e fundit të gjimnazit, sapo mbaroi ora e gjashtë e mësimit, në klasë u fut profesori kujdestar. Ne ishim ngritur të gjithë në këmbë për të ikur, profesori na bëri me dorë; uluni dy minuta.
– “Sot në orën 20 e 30 do kemi një mbrëmje letrare e vallëzimi, ju lutëm të vini të gjithë”.
Dolëm nga klasa me nxitim duke diskutuar të gjithë rreth mbrëmjes, vetëm unë rrija i heshtur. Dëgjoj një zë:
– “Simon prit pak të lutem”, ndalova.
– “Nuk të gëzoi lajmi i profesorit, që sonte kemi mbrëmje vallëzimi”?!
– “Po, u gëzova”.
– “Besoj se do vish”?
– “Nuk di çfarë të them, dëshirë kam por nuk varet nga unë”.
– “Nga kush varet? Të lutem eja më përcill deri në shtëpi dhe më shpjego se nga kush varet”.
– “Unë po të shoqëroj, nuk është mirë që të na shohin bashkë”.
– “E hu, ti kështu thua gjithmonë”. Po ecnim rrugës të heshtur, ajo ngulte këmbë:
– “Të pyeta nga kush varet”?
– “Ti e di që unë jam i internuar, çdo ditë unë paraqitem para policit, në mëngjes e në darkë. Unë për të ardhur në mbrëmje, duhet t’i marr leje policit, ardhja ime, varet nga polici”. Ajo më pa me çudi dhe uli kokën.
– “Tani unë po kthehem”.
– “Jo mos ik, deri sa unë të dal në ballkon e, ta bëj me dorë”.
Ajo ngjiti shkallët e pallatit dhe menjëherë doli në ballkon, duke ma bërë me dorë. U nisa drejt shtëpisë, duke menduar përgjigjen e kapterit; ‘A do më japi leje’?
Apelin e bënim në ora 18.00 (në dimër). Mbasi kapteri thirri emrat, unë qëndrova deri në fund. Isha bërë gati, kisha veshur një palë pantallona doku dhe këpucë me lëkurë derri, kisha punuar verës, për t’i blerë ato. Pantallonat i kisha futur poshtë dyshekut të krevatit, për t’u hekurosur. Ju afrova kapterit:
– “Zotni kapter, a ka mundësi të më jepni leje, për të shkuar në shkollë, se kemi mbrëmje vallëzimi”?
– “Pse, di të kërcesh ti”?!
– “Kam mësuar, di pak”.
– “Në mbrëmje, nuk shkoj unë, e do që të shkosh ti…?! Jo, jo, nuk ka leje”. – U ktheva i mërzitur, më tepër se ajo do rrinte duke parë rrugës, se kur do të vija. Të nesërmen ajo nuk më foli. Në pushimin e gjatë më pyeti:
– “Hë Simon, nuk të dha leje polici”?
– “Jo, nuk më dha”.
– “Unë mbeta në rrugë, duke pritur se kur po të shoh”.
– “Të thashë, se nuk varet nga unë”.
Ditë shiu 1967
Marsi kishte hyre me shi e, me një të ftohtë të egër. Ne, të mbrojtur disi me çadra e, dikush i mbuluar me mushama të sajuara, vazhdonim rrugën për të vendi i punës, duke shpresuar se shiu do ndalonte vrullin, por më kot, shiu vazhdonte me të njëjtin ritëm, i shoqëruar dhe me një erë, që nuk i rezistuan as çadrat, të cilat dolën jashtë funksionit.
Dikush thoshte të kthehemi, se shiu s’ka ndërmend të ndaloje, qielli ishte i mbuluar nga një cipë e hollë si mjegull, duke ja marrë pak dritën ditës. Eja të kalojmë këtej e, të ndalemi te shkolla që është këtu afër, atje s’do na dukët gjë e lagura e shiut, se do shohim një mësuese shumë të bukur, po ne, si do i dukemi asaj, si skllevër e, do shtrembërojë turit!
Vazhduam rrugën, rrobat na ishin ngjitur për trup, kur mbërritëm te vendi i punës, filluam të kërkojmë ndonjë çik shpëtim nga pemët, për t’u futur nën krahët e tyre, për t’u mbrojtur sa do pak. Qëndruam rreth një orë të vendi i punës, lagur qull prej shiut, ora kishte kaluar 11, vendosëm të kthehemi.
“Unë do shkojë nga shkolla, se atje ndezin dhe zjarre në klasa, – tha D., kur të na shikoje ajo mësuesja, do i vijë keq, e do na fusi brenda për t’u ngrohur, t’i bëj si të duash, ika”.
Iu vura dhe unë pas, rrobat ishin ngjitur për trup. Shkolla nuk ishte larg, mbas pak mbërritëm, disa u futën në korridore, unë vendosa të rri përjashta, nën strehën e çatisë. D., ndiqte lëvizjet e mija, kur nuk më pa në korridore, thirri; “Eja o budalla futu brenda, hajde, dëgjomë mua, se do pendohesh”.
Mësuesja hapi pak penxheren, duket ndigjoi D., që thërriste, ajo vështrojë nga unë dhe unë e pashë pak vjedhurazi. Shumica e punëtorve u larguan ashtu të lagur, morën rrugën për shtëpi. Vendosa t’i afrohem korridorit, të ftohtit më kishte hyrë në palcë, po dridhesha.
Dëgjova se mësuesja i ra ziles, për të lajmëruar mbarimin e mësimit. Dera e klasës u hap, nxënësit filluan të dalin me vrap nga klasa, duke u përcjelle me vështrimin e mësueses e cila nga njëherë, e hidhte vështrimin me keqardhje, dhe nga unë. Vërtet ishte e bukur, s’kishte faj D., bishtaleci i hedhur mbi gjoks, më dukej se ja shtonte bukurinë.
Kur u larguan nxënësit, me një buzëqeshje të ëmbël, m’u drejtua; “Eja brenda, se soba është e ndezur dhe ngrohu, eja mos nguro”! Pa iu përgjigjur, e ndoqa nga pas.
Ajo hapi derën, klasa ishte e ngrohtë, zjarri kërciste në sobë. Mësuesja u ulë përballë meje; “Qenke lagur, afroju zjarrit me shumë”, isha nën urdhrat e saj, krejtësisht.
Doli pak dhe u kthye me një peshqir në dorë; “Merre dhe thaje kokën”, kapa peshqirin duke prekur dorën e saje, pashe që faqja iu skuq, më kapi duart.
– “O sa të ftohta i paske”! – më afroi pranë zjarrit.
– “Mos ki frikë, këtu nuk ka njeri, vetëm edhe një mësuese ka mbetur në shkollë, ajo është shoqja ime”.
O zot çfarë po ndodh, më dukej si ëndërr, – çfarë të bëja?! Ajo u ul përballë, duke ngritur pak fustanin.
Tingulli i Çangës, në kampin e Savrës
Çanga ishte një disk i marrë nga plugjet e traktorit kinez, i varur në një shtyllë, që qëndronte përpara komandës së policisë, e përbërë nga togeri i kampit të Savrës, Sulo Stërneci Lame dhe kapteri, Hekuran Malija, që të dy për hir të së vërtetës, nuk kujtohen për keq, sigurisht që detyrën e bënin.
Toger Sulo, nuk ndejti shumë në atë detyrë, se i ashtuquajturi “nëntëmijshi”, e çmobilizoi si ushtarak, një kohë u bë përgjegjës sektori, pastaj doli në pension, por gjithmonë njeri serioz, ndërsa Hekurani, vazhdoi më gjatë, deri nga ’65-sa, pastaj e liruan nga , por mbeti gjithmonë njeri i besuar i Sigurimit.
Lirimin nga policia, nuk e priti mirë, se i iku rroga, ai merrte 8000 lek në muaj. Hekurani vazhdonte të na bënte apelin, jo i veshur polic. Një ditë, Fran Tina, që ishte i internuar, më afrohet afër Hekuranit, i cili po bëhej gati të lexonte emrat, pra të bënte apelin e, i thotë:
– “O Hekuran, ty të lumtë u lirove, po ne, ku na le, të lirë”?! Atij nuk i erdhi mirë thënia e , se i kishte ikur rroga e majme, i nxirë në fytyrë e pa Franin, por nuk i ktheu përgjigje, filloi të bëjë apelin.
Partia e sektorit të kampit, sigurisht dhe me porosinë e Degës së Brendshme – si shpërblim për kryerjen e detyrës, e bënë brigadier e, më vonë në mos gabohem, përfundoi roje fushe, ai ishte pa shkollë, por jo njeri negativ.
Çanga, siç thashë më lart, ishte përballë zyrës policisë dhe herë i binte kapteri me një gur, ose kapteri i thoshte Ali Gorricës, rojës së lopëve, që t’i binte. Aliu kishte qejf dhe i binte fort, i dukej vetja njeri me rëndësi dhe nuk dinte me u ndalë, deri sa ja bënte me dorë kapteri, ose ndonjë kalimtar i rastit, që shkonte për punë.
Tingulli i saj rrëqethës, lajmëronte te internuarit, që të dilnin në apel në orarin që kishte caktuar komanda, zakonisht në orën 6 në mëngjes dhe në orën 6 në darkë në dimër, se në verë ndryshonte orari, 5 në mëngjes dhe 8 në darkë…!
Në oborrin para zyrës së policisë, mblidheshin në njërën anë gratë dhe në tjetrën burrat, në mes ishte pusi, ku ne me kovë nxirrnim ujë për të pire e, për të larë. Apeli i grave vazhdoi deri në vitin 1964, se i liruan me kufizim, apo siç quhej, i dëbuan.
Mbaj mënd kur ju komunikua zj. Hajrie Mulleti lirimi, nga kryetari i Degës së Brendshme të Lushnjes, Nuçi Tira, i cili i drejtohet: “Hajrie Mulleti, lirohesh, por nuk të lejohet të shkosh në Tiranë, në Durrës, Korçe, Shkodër, Sarandë, Gjirokastër”, si përfundim asaj i mbeten për të shkuar në dy qytete; në Fier, Berat dhe Lushnje.
Hajria mbasi e dëgjoi listën e gjatë të ndalimeve i thotë: “Zoti Kryetar, çfarë është ky lirim, liro e mos lësho”?!
Dëbimi disave ju komunikua 5 vjet e, disave 3 vjet, e pastaj i liruan, në apel mbetën vetëm burrat. Unë nuk i kisha mbushur ende, të 15 vjetët.
Vëllai nuk i kishte mbushur as 17 vjeç, kur na vjen kapteri mbasditë e, thërret Sokolin, vëllain dhe mua:
– “Ejani të dy, se ju kërkon operativi te zyra”! Nëna dhe motra ishin në punë, u shqetësuam pak, por shkuam, unë isha veshur me pantallona të shkurta dhe me vëllain e kapterin, u nisëm. Mbas tre minutash, hymë në zyrën operative, ku Llazar Goga që ishte ulur në një tavolinë, sa na pa, u çua në këmbë, e na u drejtua me një letër, ku thuhej: “Sokol e Simon Mirakaj, dënohen me nga pesë vjet internim”, dhe na lexoi rregullat, që duhet të paraqiteshim dy herë në apel, në mëngjes e, në darkë.
Kapter Hekurani na tha orarin e paraqitjes në apel, në darkë. Unë gjithë qejf, e shikoja vetën mes burrash e, thosha me vete; sa më paskan vlerësuar mes këtyre zotërive, ata të gjithë u habitën kur na panë:
– “Po ju këtu”? – “Ja, na kanë thanë me u paraqitë dy herë në ditë, me ju në apel”. – Nuk e kisha idenë, më vonë e kuptova që isha lidhë me zinxhirë të padukshëm. E drejta për të lëvizur lirshëm, pa kërkuar leje te polici apo, operativi, ndodhi vetëm në 4 korrik të 1989-ës, mbas plot 44 vjetësh. Dokumentet e Ministrisë së Brendshme, tregojnë se unë dhe vëllai, kemi qenë pa ndërprerje të dënuar, me nga 5 vjet, që nga viti 1945 – por për shkak të moshës e, për ta mbajt të fshehur, nuk na nxirrnin në apel para policit apo, të besuarve të tyre, që Sigurimi i kishte besuar kontrollin tonë.
Në dokumentet e Ministrisë së Brendshme, thuhet se në vitin 1954, u mblodh Komisioni i Internim – Dëbimeve dhe vendosi që në bazë të ligjit nr. 649, të vitit 1949, të dënojë familjen e Kol Bib Mirakajt, Xhina, Mojs, e Lek Mirakaj, familjen e Pal Bib Mirakajt, Kune, Lajde, Sokol e Simon Mirakaj, familjen e Pashuk Mirakajt, Cuba, Klora, Katrina e Zef Mirakaj, dënohen me nga 5 vjet internim. Komisioni i Internim – Dëbimeve, u krijua në vitin 1955.
Ne, internimin e kishim filluar në vitin 1945, në Berat, në vitin 1949, në Tepelenë, më 1954 në Saver të Lushnjes, në vitin 1969, në Gjazë të Lushnjes, deri në vitin 1989, kur do të liroheshim nga aty. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016