Nga Eugen SHEHU
Memorie.al / Shijaku, ai vend i vogël rreth 25 kilometra në perëndim të Tiranës, ka mbetur në memorien e kombit tonë, për luftërat e pareshtura ndaj armiqve shekullorë, si strehë e vazhdueshme e ndjenjave atdhetare, shtëpitë e këtij qyteti të vogël, veçanërisht në rrjedhat e Luftës së Dytë Botërore, do të shndërroheshin në karakollë të qëndresës emblematike shqiptare. Bijtë më të mirë të qytetit, do të prisnin me pushkë okupatorin Italian, por njëherazi ata nuk do të gënjeheshin prej mashtrimeve sllavo-ortodokse. Përkundrazi, duke rrëmbyer pushkën në krah, ata u përballën sa me pushtuesit që erdhën në vatrat shqiptare, aq edhe me farën e urryer komuniste, e importuar prej Uraleve, ku komunistët shqiptarë, faleshin jo para zotit, por para Beogradit. Por, ndër trimat e shquar të nacionalizmit shqiptar të Shijakut, ka mbetur i gjallë dhe i pavdekshëm, edhe kujtimi i burrit të madh, Mustafa Deliallisit.
Ai lindi në gushtin e vitit 1911, në qytetin e Shijakut. I ati Dalip Deliallisi, pati marrë pjesë në përcjelljen e Ismail Qemal Vlorës, për në Kuvendin historik të nëntorit 1912, me trima të tjerë të Durrësit. Ai, në bashkëpunim edhe me Sali Gjukën, janë nismëtarët e çeljes së shkollës së parë shqipe në Shijak, në pranverën e vitit 1913.
Ndërsa në trazirat e vitit 1914, atëherë kur Esat Pashë Toptani dhe përkrahësit e tij, kërkonin të merrnin pushtetin me kryengritjen fshatare të Haxhi Qamilit, Dalip bej Deliallisi, do të renditej në krah të atdhetarëve të tillë shqiptar, si Ismail Qemali, Mustafa Kruja, Mid’hat Frashëri, Eqrem Vlora, Mufid bej Libohova etj., të cilët donin ta shihnin Shqipërinë të pavarur nga Beogradi, e për më tej, të renditur në botën e civilizuar perëndimore.
Forcat esadiste, tentuan disa herë rresht të bënin për vete Dalip Beun, por ky kurrë nuk pranoi. Ka qenë kjo arsyeja që me largimin e Princ Vidit nga Shqipëria, atëherë kur dy-tri muaj qeverisnin rebelët e Haxhi Qamilit, Dalip bej Deliallisin e arrestuan me gjithë djemtë e tij dhe dhanë urdhër për t’i pushkatuar. Kanë qenë sigurisht disa shqiptarë të ndershëm të cilët, duke njohur Dalipin, si bartës të shqiptarizmës, e shmangën gjakderdhjen, duke u arratisur në pyjet e Librazhdit, së bashku me fëmijët.
Mustafai, do të fillonte mësimet në shkollën qytetëse të Shijakut, atë shkollë që pat ngritur me kontributin e vet financiar dhe mendor, Dali bej Deliallisi. I fundit nga djemtë, ai do të ndihej i rrethuar nga dashuria e vëllezërve më të mëdhenj, Ganiut, Ymerit, Masarit, Kapllanit dhe Jakupit, sidomos pas vdekjes së babait të tij, në vitin 1918. Ndonëse në shkollë të gjithë mësuesit e donin si djali i vogël i Dalip beut, Mustafai, kurrë nuk e shpërdori këtë dashuri, për t’u shndërruar në një djalë kapadai.
Përkundrazi, në plot raste, ai merrte shokët e klasës së tij, në shtëpi dhe nënë Tushja, jo vetëm që ju shtronte dreka të bollshme, por u jepte edhe nga një torbë me ushqime, për t’i çuar në shtëpitë e tyre. Ai do të donte ata shok vuajtjesh, njësoj si vëllezërit e tij më të mëdhenj dhe po ashtu, do t’i nderonte. Në verën e vitit 1924, pasi mbaroi me rezultate të mira shkollën qytetëse në vendlindje, Mustafai, i grishur edhe prej vëllezërve të vet, merr rrugën për në Shkodër.
Aty do të fillonte mësimet në gjimnazin e famshëm të qytetit, i cili ishte shndërruar në vatër të shqiptarizmës. Veçanërisht, në shoqërinë e vëllezërve Kazazi, Mustafai do të mësonte mbi betejat e lavdishme të shkodranëve, si për mbrojtjen e qytetit të tyre, në fillim të shekullit, ashtu edhe për luftimet në ndihmë të vëllezërve shqiptarë, në tokat arbërore të Plavës e Gucisë.
Ndonëse gjimnazi i Shkodrës, asaj kohe kryente veprimtari të shumta kulturore e artistike, biri i Shijakut, do t’i pëlqente së tepërmi, vizitat në kalanë e qytetit, apo ato në Tuz e Ulqin, ku takohej me vëllezërit e tij të gjakut. Pas mbarimit të shkollës së mesme në Shkodër (veçanërisht me propozimin e vëllait, Ganiut, i cili pat mbaruar shkollën e lartë ushtarake në Stamboll), Mustafai, vendos t’i futej studimeve ushtarake. Ai shkon në Tiranë dhe në vitet 1928-‘29. ndjek aty Shkollën e Plotësimit të Oficerëve.
Në këtë shkollë, përveç të tjerave ai njihet edhe me trimin e shquar të Kosovës, Ali Riza Kosova, i cili përpara se t’u mësonte nxënësve të tij artin ushtarak popullorë dhe teoritë e luftës moderne, u kujtonte atyre, se kufijtë e Shqipërisë, nuk ishin ato të vitit 1913, por akoma më të hershëm dhe u mbante të ndezur shpresat, se një ditë, përmes pendës e pushkës së shqiptarëve, këta kufij do të rimerreshin.
Trup gjatë, me shikim të vendosur, biri i Shijakut, i cili që në fëmijërinë e pare, pat vendosur të bëhej komit dhe dilte maleve, aty do të dallohej ndër të tjerët, sidomos për përvetësimin e dijeve ushtarake dhe manifestimin në praktikë të tyre. Në përfundim të kësaj shkolle, Mustafa Deliallisi, merr gradën e togerit dhe pret emërtimin në detyrë. Sidoqoftë, me gjithë tematikën që përmbante, Shkolla e Plotësimit të Oficerëve në Tiranë, nuk mund t’i pajiste kursantët e vet me dijenitë e duhura.
Për këtë arsye, i shtyrë edhe nga vëllezërit e tij, Mustafai merr rrugën për Itali, duke nisur studimet në Akademinë e Lartë Ushtarake, në Torino.”Në Itali, Mustafai kishte pritur me padurim, t’a mbaronte shkollën që të kthehej në atdhe dhe të jepte ndihmesën e vet, si të gjithë studentët e tjerë shqiptarë, që kishin mbaruar shkollat evropiane. Si antifashist dhe nacionalist njëherësh, në çastin e betimit tradicional, oficeri i ri, refuzoi puthjen e flamurit italian. Pikërisht këtë, fashistët nuk do t’ia falnin kurrë, ashtu sikundër edhe Mustafait, urrejtja për ta nuk i rreshti asnjëherë”.(A. Faja “Trimi plumbin e fundit e ruan për vete”, “Omska”-Tiranë 2000, faqe 26-27)
Në fillim të viteve ‘30-të të shekullit që lamë pas, me urdhër të Ministrisë së Luftës Shqiptare, Mustafa Deliallisi, caktohet si komandant i degës ushtarake në Burrel. Ndonëse Mbreti i Shqiptarëve, Zogu i Parë, pati graduar mjaft prej burrave të Matit, edhe fjala e Mustafait, bënte vend në vatrat e matjanëve. Burrat e Matit, shihnin tek Mustafa Deliallisi, jo vetëm oficerin kërkues të disiplinës ushtarake, por edhe trimin që ngarendte në kufijtë e Shqipërisë, për t’u bërë ballë krejt provokacioneve serbe.
Ka qenë pikërisht trimëria e tij, që në vitin 1940, me krijimin e Komisariatit Civil për Tokat e Lirueme, ai caktohet në funksionin e komandantit të trupave të Ushtrisë Shqiptare, në trevat etnike në Mal të Zi. Gjatë qëndrimit të tij si post-komandant në Ulqin, Mustafa Deliallisi, do të merrte në mbrojtje të gjithë shqiptarët e atyre viseve të cilët, ç’prej vitit 1880, ndjenin në supe peshën e rëndë të robërisë malazeze.
Ai ngriti në Ulqin e Tuz, flamurin shqiptar dhe u kujdes që shqiptarët etnikë, të mësonin gjuhën e nënës së tyre. Kanë qenë këto arsyet, që në marsin e vitit 1941, forcat malazeze në bashkëpunim me ato italiane, organizuan një pritë kundër tij, por falë trimërisë Mustafa Deliallisi, i plagosur mundi të shkojë në rrethina të Shkodrës, ku u strehua dhe mjekua tek miqtë e dikurshëm të tij, vëllezërit Kazazi.
Duke njohur autoritetin e madh, që Mustafa Deliallisi gëzonte në Shijak e rrethina, në fillim të vitit 1942, kryeministri Mustafa Kruja, e cakton me detyrë në Qark-komandën e qytetit të Durrësit. Vetë funksioni që kryente, do ta çonte burrin trim të Shijakut, të njihej lagje me lagje e shtëpi më shtëpi, jo vetëm në Durrës, por sidomos në Vorë, Pezë e Shijak. Gjatë takimeve të tij në Pezë me Kajo Karafilin dhe Myslim Pezën, ata do t’i paraqisnin një “antiitalian” të tërbuar, Mehmet Shehun. Por ky që në bisedën e parë që bëri me Mustafain, u shpreh hapur se; legalistët dhe ballistët, ishin armiq të komunizmit dhe nacionalçlirimtarëve, por ai, do të vazhdonte tanimë lidhjet e tij me Abaz Kupin, për të ringjallur idetë monarkiste dhe për të luftuar që Mbreti Zog, të vinte sërish në atdhe, si simbol i bashkimit të shqiptarëve, në luftë ndaj okupatorit dhe mortajës komuniste.
Vetë dokumentet e historiografisë komuniste, na bëjnë me dije, se: “Elementë kryesorë kundër çetës së Pezës, përbëhen prej armiqve personal të familjes Peza, që janë Deliallisët në Shijak dhe Jahja Mancaku, në Ndroq”(Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë, Fondi “Konferenca e Pezës” dosja 195, fleta 4). Në të vërtetë, këto familje ishin armike të komunizmit dhe jo familjes Peza, pasi vëllanë e Myslimit, Shyqriun, i cili ishte komandant i një çete nacionaliste, Mustafa Deliallisi, ruajti deri në fund respektin dhe mirënjohjen e thellë të tij.
Në nëntorin e vitit 1943, menjëherë pas kapitullimit të ushtrisë italiane, komunistët e Tiranës, të yshtur nga Beogradi, filluan nga sulmet e tyre konfrontuese, ndaj forcave gjermane. Këto sulme në të vërtetë, nuk mund t’i kundërviheshin divizioneve gjermane, por në thelb, kërkonin djegien e qyteteve të Shqipërisë, pasi komanda gjermane ishte shprehur qartë, që; për çdo ushtarë të vrarë të saj, do të vriste dhjetë shqiptarë e do digjte vendin.
Komunistët e Pezës, me anë të fijeve të tyre në Shijak, u përpoqën të luanin edhe në atë qytet vallen makabre të rrënimit e të shfarosjes, por falë zgjuarsisë së Mustafa Deliallisit. nuk ia arritën dot qëllimit. Kapiteni i Xhandarmërisë së Shijakut, duke ndjekur me fanatizëm urdhrat e ministrit të Brendshëm, Xhafer Deva, u përpoq të shmang sa më shumë konfliktet e shqiptarëve, me komandën gjermane, madje u përballë vetëm në dy-tri raste, me bandat komuniste të klikës Beograd – Tiranë. Në fillim të vitit 1944, ishte pikërisht kjo bandë, që kërkoi t’i bënte atentat Mustafa Deliallisit, por pa sukses. Atentatori, një djalosh 18 vjeçar, nga rrethina e Shijakut, u mbajt i burgosur vetëm 24 orë, e më pas u lirua me urdhër direkt të Mustafait.
Ndërkaq, marsi i vitit 1944, shënoi betejën e parë të hapur të nacionalçlirimtarëve shqiptarë, kundër forcave Mbretërore të Lëvizjes së Legalitetit, të kryesuara prej majorit legjendar Abaz Kupi. Tashmë ishte e qartë se, klika komuniste e Tiranës, nuk pati dalë në mal për të luftuar okupatorin, por shprazte disa pushkë aty-këtu dhe deklaronte se; nuk do ta ndante pushtetin, as me “Ballin Kombëtar” dhe as me “Lëvizjen e Legalitetit”.
Për më tej, në pranverën dhe verën e vitit 1944, lufta vëllavrasëse e iniciuar nga Beogradi, merrte qindra e mijëra jetë njerëzish të pafajshëm, ndërsa gjermanët, sodisnin këtë akt makabër të tragjedisë shqiptare. Mustafa Deliallisi, në bashkëpunim të ngushtë me Abaz Kupin, fillon nga organizimi i çetave legaliste, në zonën e Durrësit, Ndroqit dhe Shijakut, të bindur se Lëvizja Mbretërore, do të ishte përcaktuese për fatet e ardhshme të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ushtarak me horizont të gjerë, e sidomos i prirur për luftën dhe kauzën e drejtë të kufijve etnike shqiptare, Mustafai do të bashkëpunonte ngushtësisht dhe me Rexhep Mitrovicën, Bedri Pejanin, Xhafer Devën e Fuad Dibrën, për të vënë në jetë vendimet historike të Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit. Gjatë kësaj periudhe, si kudo edhe në Shijak, patën nisur idetë komuniste. Mandej traktet e tyre, të futura nën derë, në errësirën e natës, bënin fjalë për “armiq” dhe “tradhtar” si Mustafa Deliallisi etj. Disa të tilla, shpërndaheshin kohë pas kohe, sidomos në shkollën qytetëse të Shijakut, atë që e pat ngritur vite më parë, me aq mund e sakrifica, vetë i ati i Mustafait.
Burri nga Shijaku, jo vetëm që nuk u hakmor ndaj mësuesve të shkollës, por edhe gjente kohë, pa rënë në sy,t’u kumtonte atyre për përrallat e rrejshme të komunistëve. Madje, edhe kur nga komanda ushtarake gjermane, i kërkonte kapitenit të Xhandarmërisë Shqiptare, Mustafait, të jepte informacion mbi propagandën komuniste në shkollë, ky duke numëruar rreth 20 mësues shkruante; “Janë me sjellje të mirë morale e politike”. (Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë. Fondi 470, viti 1944, dosja 2, fleta 1).
Njëherazi, janë me dhjetëra njerëz që kanë dëshmuar dhe dëshmojnë, për burrin nga Shijaku me zemër të madhe, burrë i cili deri në fund, luftoi vëllavrasjen midis shqiptarëve.
Në shtator – tetor 1944, në krye të çetës legaliste të Shijakut, Mustafa Deliallisi, shkon në Pezë, duke kryer një varg aksionesh kundër gjermanëve. Duhet thënë së në këto aksione të përbashkëta me “Ballin Kombëtar” dhe Legalitetin, ngjallën shpresën tek mijëra shqiptarë të ndershëm, për misionin e madh të nacionalizmit.
Por, pikërisht në këto momente, makina dhunuese e internacionalizmit proletar, filloi të godasë më fortë se kurrë, shqiptarizmën e kulluar të “Ballit Kombëtar” dhe “Lëvizjes së Legalitetit”. Preza, u shndërrua në një arenë përleshjes të egra, ku ditën nisën të bombardojnë gjermanët, ndërsa natën, forcat komuniste, vinin deri në rrethina të Kalasë, duke djegur shtëpitë e fshatarëve, që ishin shndërruar në baza nacionaliste.
Edhe në këto momente kaq tragjike, Mustafa Deliallisi, do të tregohej kurdoherë i pjekur dhe i matur. Ai do të njihej veç të tjerëve në këto luftime edhe me burra të tillë të shquar, si: Gaqo Gogo, Mid’hat Frashëri, Ali bej Këlcyra, Abaz Ermenji etj. Në bashkëpunim të ngushtë, sidomos me komandantin tjetër Mbretëror, Xhemal Gjergjin, ai për javë të tëra, do të ishte mburojë e sigurt e Prezës, prej sulmeve të komunistëve të Tiranës. Në ditët e para të nëntorit 1944, ndërsa po organizonte burrat e Shijakut, pas një luftimi të ashpër, dikush e kërkon Mustafa Deliallisin, të shkojë fshehurazi në një shtëpi në Pezë. Aty gjen korrierin nacionalçlirimtar, me një letër të Dali Ndreut, i cili ishte caktuar si komandant i Shtabit për Tiranën.
Daliu, e pati njohur Mustafain, që në Akademinë Ushtarake në Torino, ku kishin qenë shokë klase. Për më tej, duke njohur besën dhe burrërinë e shijakasit, Dali Ndreu, pati pirë gjak me Mustafanë, duke u bërë vëlla. Me anë të një letre, ky e fton Mustafanë, të linte idealin mbretërorë dhe t’i bashkohej Lëvizjes Nacionalçlirimtare, duke mos u gënjyer nga “përrallat me Mbretin Zog”. Mustafai, pasi e lexoi letrën, drodhi një cigare dhe i tha korrierit partizan: “Se kush është gënjyer, unë apo Daliu, do ta provojë historia. Por unë s’mundem me u vu nën urdhra të Beogradit. Jeta kurrë s’do më dhimbset, me e dhanë për Atdhe e Mbret!”.
Në mënyrë barbare, ashtu siç e kishin zakon komunistët, vetëm dy ditë pas kësaj përgjigjeje, ata vrasin tradhtisht vëllezërit e Mustafait, Kapllanin dhe Jakupin. Dy varre do të çeleshin brenda një dite, në shtëpinë e Deliallisit në Shijak dhe mijëra banorë të qytetit, do të merrnin pjesë në përcjelljen e tyre. Duke u ndarë me vëllezërit e tij të shtrenjtë, në heshtje, Mustafa Deliallisi, betohej se do të mbetej deri në çastin e mbrëmë, një luftëtar i paepur kundër mortajës komuniste. Ai do të vazhdonte luftimet, në krye të çetës së tij, jo vetëm në Prezë, por deri në Laç, Lezhë e Mirditë, tanimë kundër nacionalçlirimtarëve vrastarë, emri i Mustafa Deliallisit, përcillej ndërkaq me respekt, në krejt Lëvizjen Mbretërore Shqiptare, si një prej mbështetësve të Abaz Kupit, në Durrës e rrethina.
Me largimin e ushtrisë gjermane në nëntorin e vitit 1944 (ajo që më pas u quajt fitorja legjendare e komunistëve të shtetit amë), ishin me dhjetëra nacionalistë, që muarrën rrugën e mërgimit. Mustafa Deliallisi, shkoi vetëm për një natë në shtëpi, në janarin e vitit 1945 dhe i tha nënës e gruas se, nuk kishte ndërmend të largohej, por do të luftonte me armë në dorë, kundër komunistëve. Ai i përqafoi në mesnatën e ftohtë të janarit nënën, gruan dhe fëmijët, i bindur se nuk do t’i shihte më, kërkoi uratën e nënës.
“Perëndia të ndihmoftë”, kish mundur t’i thoshte nënë Tushja. Dhe prej atij momenti, për trimin Mustafa Deliallisi, do të niste jeta plot rreziqe e kaçakut. Ai, Mbretërori që pati shkelur flamurin italian, që pati luftuar përkrah Abaz Kupit, më 7 prill 1939, u shndërrua në simbol të bashkimit të popullit të Shijakut, pa dallim idesh, ai që kreu sa e sa aksione, kundër gjermanëve, nga Preza deri në Shkodër, tani duhej t’i fshihej dorës tradhtare të komunistëve shqiptarë.
Shijaku, Durrësi, Rrogozhina e Ndroqi, u bënë vendet e shenjta që ruanin kaçakun Mustafa Deliallisi. Me dhjetëra here, forcat e Sigurimit famëkeq të shtetit komunist, i zunë pritë trimit të Shijakut, por ai doli fitimtar, duke qenë trim, ushtarak me përvojë dhe ngase njihte mjaft mirë terrenin, dalëngadalë, Mustafa Deliallisi, po shndërrohej në legjendë, për krejt nacionalistët në Shqipërinë e Mesme. Ndërsa në veriun e vitit 1945, klika komuniste e Tiranës, bastis shtëpinë e Mustafait në Shijak dhe internon në rrethina të Beratit, nënën, gruan dhe fëmijët e tij.
Kalvari i tyre, do të fillonte atje, për të vazhduar katër dekada me radhë. Ndërkaq, shtëpia kasolle në rrethina të Beratit, ruhej prej gjithfarë strukturash të Sigurimit famëkeq shqiptar, nga frika se mos shkonte aty Mustafai dhe i merrte me vete fëmijët e gruan. Por ai, ndjente se s’do të kish asnjë mundësi t’i shihte së paku për disa çaste të afërmit e vet. Ai endej nëpër pyjet e Shqipërisë së Mesme, i mbrojtur kurdoherë nga populli i asaj zone,i cili shihte tek Mustafai, mishërimin e anti komunizmit të papërkulur, deri në vdekje.
Kështu deri në çastin e mbrëmë, në 18 dhjetor 1948, i rrethuar nga qindra forca të ardhura enkas nga Tirana, në një prej shtëpive të Shijakut, plumbi gjen zemrën e burrit. Vdekja e Mustafa Deliallisit, u tregonte komunistëve të Tiranës, se ideali kapërcen jetën fizike, për të jetuar përfundimisht në memorien e Kombit dhe shtratin e Atdheut. Kostoja e një nacionalisti, asht sublimja, por morali e shenjta e tij. Memorie.al