Nga Xhevahir Gradica
Memorie.al /Një nga figurat që ka ngjallur jo pak kureshtje në Durrës është ajo e djalit të ish-kryeministrit shqiptar Mehmet Shehu, i cili shërbeu si inxhinier dhe kryeinxhinier në Uzinën e Radio-Televizorëve në qytetin e Durrësit. Vladimir Shehu, për moshatarët dhe njerëzit që kanë punuar me të, thuhet se ka bërë një jetë prej bohemi, duke mos rënë as nën skllavërinë e autoritetit politik të të atit dhe as në shtegun tjetër, të mbushur me antikomunistë. Pozicioni tij ka qenë i qytetarit human dhe specialistit shumë të pasionuar, që gjithnjë ka vlerësuar tek të tjetër punën dhe ndërgjegjen. Ndonëse rridhte nga një familje shumë e privilegjuar e regjimit komunist, Vladimir Shehu, sipas dëshmive të kolegëve, nuk e ka shfrytëzuar qoftë dhe një herë të vetme këtë “pasuri”. Ai shërbeu në URT-në e Durrësit, fillimisht si inxhinier i thjeshtë elektroteknik, më pas si shef i Byrosë Teknike e kryeinxhiner për periudhën 1971 – 1979.
Kjo është edhe periudha që ai krijoi shoqëri dhe njohje në këtë qytet bregdetar, duke lënë në kujtesën e shumë prej tyre episode e ndodhi të veçanta. Ish kolegu tij, ing. Bashkim Kopliku, me të cilin ka pasur edhe shoqëri personale veç marrëdhënie pune, dikur ka tentuar të trokasë në ndërgjegjen e shoqatave dhe institucioneve të Durrësit, për të vlerësuar punën e Vladimir Shehut, të shkëputur nga fakti se ai ishte i biri diktatorit Mehmet Shehu. Të tjerë kujtojnë se Vladimir Shehu, (Ladi-siç edhe e njohin në Durrës), ishte disident dhe se tavolina ku ai pinte kafe, shpesh herë ishte nën përgjim.
Regjimi komunist
Kur ndodhi arrestimi dhe dënimi i Beqir Ballukut, në Uzinën e Radio-Televizorëve në qytetin e Durrësit dhe në të gjitha ndërmarrjet e institucionet e rrethit, ashtu si kudo në të gjithë vendin, nisi ndëshkimi politik, lufta e ashpër e klasave. Vladimir Shehu asokohe, djali i kryeministrit Mehmet Shehu, bëri shumë ndërhyrje për, të mos lejuar të merreshin në qafë pa asnjë lloj shkaku, punonjësit e ndërmarrjes.
Konstatime të tilla vinë nga persona që kanë punuar e jetuar në të njëjtin kolektiv teknik me Ladin, si dhe e kanë njohur nga afër edhe jetën humane të tij. Në atë kohë Ladi ishte inxhinier dhe me shumë pushtet shoqëror. Ai bënte jetën e qytetarit të thjeshtë, rrinte në kafe e bisedonte me këdo, pa i ndarë në: njerëz të partisë apo, kundër partisë edhe pse ishte i biri kryeministrit të vendit.
Të gjithë në atë periudhë ishin në fije të perit dhe askush nuk e dinte se cili do e pësonte i pari dhe cili i dyti, por as Ladi (Vladimiri), nuk kishte dijeni për gjëra të tilla. në vitin 1974 diktatori Enver Hoxha kishte vendosur të godiste një figurë të madhe politike dhe asokohe qarkullonin fjalë që, ose Beqir Balluku, ose Mehmet Shehu, do të sakrifikoheshin në emër të luftës së klasave dhe “armikut të brendshëm në radhët e Partisë”. Ladi u transferua në vitin 1979, nga URT-ja e Durrësit, në Tiranë, ndërsa lidhjet me qytetarët dhe punonjësit e dikurshëm, i ruajti deri sa vdiq.
Shpesh ndodhte që, kur ndokush nga Durrësi shkonte në Tiranë, për t’i kërkuar ndihmë si specialist shumë i zoti që ishte, Ladi linte çdo punë, linte mbledhjet dhe i gjendej. Sot në Durrës ka shumë teknikë e inxhinierë të cilët, ruajnë mbresa të pashlyera për marrëdhëniet shumë të sinqerta. me inxhinierin Lad Shehu, djalin e ish-kryeministrit Mehmet Shehu, emri të cilit do të bëhej objekt i goditjeve më të egra e më barbare të regjimit komunist, vetëm dy vite pasi Ladi transferohet në Tiranë.
Vladimiri ka ardhur në Durrës si inxhinier i thjeshtë, pa asnjë lloj posti dhe disa vite më pas, u bë edhe shef i Byrosë Teknike në URT, kryeinxhinier, për t’u transferuar në Tiranë, në qendrën e Elektronike. Në Tiranë, drejtor ishte Sokol Hoxha, i biri Enver Hoxhës. Kolegë të djalit të ish-kryeministrit Shehu, tregojnë se; Ladi ishte shumë i zotë, specialistët nisën të kthejnë sytë dhe të ndjekin këshillat e tij.
Kjo bëri xheloz asokohe djalin e kryetarit të shtetit dhe sipas disa bashkëpunëtorëve të inxhinierit Lad Shehu, një arsye me shumë që kryeministri Mehmet Shehu, u eliminua, ishte edhe kjo, pasi djali diktatorit, nuk donte që dikush tjetër, qoftë edhe i biri kryeministrit Shehu, të ishte më i zoti se ai. Sokoli shkoi tek Posta Qendrore, si drejtor dhe kjo nuk kaloi pa pasoja. Personat që e kanë njohur nga afër, tregojnë se Ladi Shehu, kishte zotësi dhe përgatitje për t’u lavdëruar.
Ai arriti që përmes shfrytëzimit të literaturës së huaj të kopjojë “Ford”-in. Këtë e bëri në bashkëpunim me Esat Ferën, Bashkim Koplikun, e të tjerë inxhinierë të zotë të URT-së, por këtu, merita e djalit të kryeministrit ishte e padiskutuar, për faktin se ai guxoi të këmbëngulte, për të hedhur këtë hap të rëndësishëm. Në fillimet e saj URT-ja, ishte afër godinës së Komitetit të Partisë, diku në qendër të Durrësit dhe më pas u transferuar.
Ndikim në këtë zgjerim, kishte puna, përvoja dhe projektet e këtij grupi inxhinierësh, mes tyre edhe Lad Shehu. Shumëkush thotë se URT-ja u nda nga UEM-i (Uzina Elektro-Mekanike), vetëm në saj të përpjekjeve dhe ndikimit të drejtpërdrejtë të Vladimir Shehut. Mbledhja e parë, sipas dëshmitarëve, dështoi. Kryeministri kohës Mehmet Shehu, ishte në Francë për kurimin e syrit dhe mbledhja u drejtua nga zëvendësi i tij, Adil Çarçani. Me shumicë të votave, u hodh poshtë kërkesa për ndarje.
Me t’u kthyer Mehmet Shehu nga kurimi në Paris, gjërat folën në anë të specialistëve dhe grupit të inxhinierëve që kërkonin me ngulm ndarjen. Kështu nisi e u bë uzina e re e cila, pas disa vitesh numëronte rreth 1.200-1.300 të punësuar, duke përfshirë edhe administratën. Ladi dhe inxhinierët që bashkëpunonin me të, morën projektin e “Ford”-it amerikan dhe e kopjuan.
Këtë gjë mund ta bënin vetëm njerëz të tillë si Ladi, që në atë kohë kishte krahët e ngrohtë, për të kërkuar dhe për të marrë nga jashtë vendit, projekte të tilla. Dikush tjetër nuk do të guxonte ta bëntë, për arsye se ndëshkimi, do të ishte tejet me pasoja të rënda. Kjo kategori shoqërore e kupolës së shtetit dhe politikës së kohës, kishte mundësinë të blinte jashtë shtetit me porosi, televizorë e paisje të tjera elektronike, duke e justifikuar për përdorim familjarë.
Pastaj shumë prej tyre, si edhe Ladi, kishin në shtëpi literaturë të huaj dhe studionin atë, të papenguar nga regjimi a përndjekja politike. Kjo kategori, kishte dijeni e plotë se çfarë po ndodhte në botë, ndërsa për të tjerë, izolimi ishte i madh dhe përpjekja për të gjetur një literaturë të kohës në kuadrin e punës novatore, do të ishte vetëvrasje.
Në këtë kohë, URT-ja prodhonte fare pak radio, ndërsa, me krijimin e bërthamës teknologjike me inxhinierin e specialistë, mes të cilëve edhe Lad Shehu, çdo gjë nisi të merrte ngjyrime të reja. Kështu nisi prodhimi i televizorëve. Prodhoheshin radio, televizorë, magnetofona, kasetofonë, makina llogaritëse etj. Prodhimi u rrit ndjeshëm. Në pak kohë, URT-ja arriti të prodhonte deri në 10 mijë televizorë në vit, shifër e paimagjinueshme deri në atë periudhë.
Televizorët “Iliria”, “Adriatik” “Dajti”, “Super-ambasador” dhe radiot e dorës e ato të shtëpisë, si “Iliria”, “Fatosi”, “Mimoza”, “25-vjetori”, “Drita”, etj., u përhapën gjithandej, pasi uzina prodhonte për të gjithë Shqipërinë. Pjesët merreshin përgjithësisht në qytetin Nish të ish- Jugosllavisë, zonë e madhe industriale, më e madhja në Ballkan dhe me standarde perëndimore.
Nishi kishte kontratë me “PHILIPS” duke u marrë skemat, projektet dhe çdo gjë, sigurisht jo atë linjë e prodhim të atij viti, por të dy a tre viteve më parë, pra kur “PHILIPS” linte një skemë e kalonte në një skemë të re më të avancuar. Asokohe debati vërtitej nëse televizorët do të prodhoheshin me projektet që kishin inxhinierët e URT-së, apo do të kopjoheshin. Debati dhe diskutimet kanë vazhduar gjatë dhe në fund fitoi ideja e Vladimir Shehut dhe e Bashkim Koplikut.
URT-ja nuk kishte Byro Teknike të tilla që, të eksperimentonte dhe se për të bërë një gjë të tillë, do të kërkoheshin edhe fonde të mëdha, në shuma të pallogaritshme. Një kërkesë e tillë do të ishte jo vetëm e kotë, por edhe e rrezikshme, ndaj u vendos të kopjohej. Me të tillë inxhinierë që ushtronin përgjegjësitë dhe dijet tek URT-ja në Durrës, studentët e Universitetit të Tiranës (dega e Inxhinierisë Elektrike,) mbronin diplomat.
Pra URT-ja, në një farë mënyrë u transformua edhe në filial universitar. Kolegët e ing. Vladimir Shehut, tregojnë se ai ishte aktiv dhe i gjallë gjithandej, por edhe i qetë e shumë i matur. Ai nuk ishte fanatik i regjimit, madje tendenca e tij ishte drejt liberalizimit. Kjo vihej re në jo pak raste e diskutime, ku ai merrte pjesë. Grupi i kanaleve të aparateve të televizorëve, vinte me gjithë UHF-në, dhe me to bëhej e mundur të kapeshin kanale të vendeve perëndimore. Kjo e fundit, hiqej që në magazinë.
Ishte një laborator më vete kontrolli, për mallin e importuar dhe aty bëheshin të gjitha. Hiqeshin grupet e kanaleve dhe magazinoheshin. Me autorizim të drejtorit të URT-së, dhe miratim të Komitetit të Partisë së rrethit, për të parë mbarëvajtjen e televizorëve të prodhuar, u jepeshin disa personave që njiheshin si të besuar politik të regjimit të asaj kohe.
Kjo bëhej për të parë se si po ecte cilësia e televizorëve të përgatitur në Durrës. Përfituesit e kësaj kategorie, kishin të gjithë grupin në shtëpi dhe jepnin mendime lidhur me cilësinë e televizorit, në pastërtinë e figurës, zërit, kanaleve, etj. Si rregull, grupi duhej dorëzuar pas 6 a 8 muajve, por që realisht, me ndonjë përjashtim të vogël, nuk e dorëzonte njeri.
Vetëm për këtë gjë, drejtori i URT-së, u fut në burg. Ladi dha kontributin kryesor që të ngrihej në URT, një qendër studimore dhe një uzinë moderne e prodhimit të pajisjeve elektronike. Inxhinierë e teknikë në saj dhe nën ndikimin e plotë të autoritetit profesional të Vladimir Shehut, nisën jo vetëm të montojnë sasi të konsideruara radio e televizorë, por edhe shumë pjesë e pajisje elektronike. Inxhinierët e URT-së, arritën të prodhojnë edhe televizorët me ngjyra “Blaunkt Punkt”, që ishte teknologji gjermane dhe kjo, sipas specialistëve, në saj të mendimit kolegjial, ndërkohë që iniciativa ishte e Ladit.
Disidenca e Lad Shehut…!
Ladi Shehu ishte vërtet disident. Sipas atyre që kanë pasur një miqësi të ngushtë me të, thuhet se dhe atij nuk i pëlqenin disa nga veprimet politike që bënte Enver Hoxha dhe as i ati i tij, Mehmet Shehu. Duke qenë një njeri shumë human, Ladi e shprehte atë gjë në rrethet e tij shoqërore dhe kjo ishte kundërvënie ndaj regjimit, nuk mund ta kalonte aq thjeshtë. Ladi në Durrës jetonte me familjen e tij të vogël, në një pallat pranë shkollës së Muzikës, pallat në të cilin ishin sistemuar edhe të tjera familje me njerëz me pozitë të asaj kohe.
Në dallim nga shumë fëmijë dhe të afërm të njerëzve që asokohe kishin shumë pushtet, Ladi jetonte thjeshtë, i pëlqente të pinte kafe në lokale të frekuentuara nga kolegë e njerëz të thjeshtë. Kjo e mbante atë larg syve për të kërkuar “modelin” e pinjollit të një familje të nomenklaturës më të lartë, siç ishte në fakt ai. Edhe sot, të shumtë janë moshatarët e Ladit që e mbajnë mend atë, sit ë pasionuar shumë pas motorit “JAVA”, të cilin e ngiste shumë mire, duke tërhequr edhe vëmendjen e të tjerëve, e vetmja gjë që e diferenconte nga të rinjtë e tjerë.
Mënyra se si ai sillej e fliste, bëri që disa kolegë të afroheshin më shumë me të. Edhe ata kishin një farë disidence të heshtur, por jo kundër komunizmit. Në të njëjtën kohë që në Durrës punonte Lad Shehu, në prokurorinë e rrethit, ishte edhe Spartak Ngjela, edhe ky një disident për kohën por, si shumë intelektualë, pëlqente filozofë të majtë, nobelist.
Bashkëmoshatarët e tyre, thonë se edhe Ngjela, nuk ishte kundër komunizmit, por ishte kundër atij lloj komunizmi që, ishte vendosur në Shqipëri dhe vetëm vonë, shumë vite më vonë, përqafoi filozofë të djathtë. Mjedisi shoqëror i Lad Shehut, ishte përgjithësisht i arsimuar dhe një pjesë e tyre, nisën të frekuentojnë më shumë kafet me Ladin dhe të flisnin me kodet e tyre, me të cilat kuptoheshin lehtë me njëri-tjetrin. Një gjë e tillë nuk bëhej për të krijuar grupazhe e komplote por, vetëm për të shprehur mendimet e tyre për regjimin komunist në fuqi dhe botën e jashtme që na rrethonte.
Të gjithë ishin bij e pinjollë familjesh komuniste dhe nuk e çonin nëpër mend të flisnin për të rrëzuar sistemin. Ata donin që, regjimi komunist në fuqi, të rregullonte padrejtësitë dhe gjendjen aktuale ku ndodhej vendi. Kjo kërkesë rridhte nga drejtësia e tyre shpirtërore. Flitej për shtresën e të dënuarve dhe persekutuarve politikë dhe Ladi, si dhe të tjerë, thonin se shteti nuk duhet t’i marrë në qafë, por t’i bëjë për vete ata.
Sipas kolegëve e miqve të tij, Ladi, nuk donte t’ia dinte nëse dikush ishte çuni, vëllai, nipi, daja i filanit të dënuar a të pushkatuar. Por, as që rridhte nga një familje me përbërje shumë të mirë politike të atij sistemi. Rrinte me të gjithë, por fliste vetëm me një grup të vogël dhe me kode, kur vinte fjala për regjimin. Kodet nuk është se i përdorte nga frika, por nuk donte që bisedat e tyre, të bëheshin objekt diskutimi që më pas do i hapnin telashe në familjen e të atit, me të cilin thuhej se nuk puqej në ide.
Ladi thoshte hapur dhe mbronte ata punonjës që bënin punën, duke mos shikuar dhe duke mos qenë fare të interesuar për biografinë. Ka pas mjaft raste që ai ka ndërhyrë për t’u dhënë shtëpi atyre personave që, Komiteti Partisë nuk u jepte strehim, për arsye politike. Ladi këmbëngulte në ndërmarrje dhe në Komitetin e Partisë për, t’u dhënë strehë e autorizim për shtëpi, si e drejtë që ata e fitojnë me punë dhe me qëndrim të rregullt e të mirë njerëzor.
Këto veprime ai i shprehte në rastet kur në ndërmarrje bëheshin mbledhje partie dhe në kohën që vinin shkresa për të bërë listat për t’u dhënë shtëpi të pastrehëve. Ai nuk paragjykonte njerëzit, donte vetëm punën dhe kjo bëri që ndërmarrja, të jepte rezultate shumë të mira. Inxhinier Ladi vihej në krahun e atyre që ishin me Partinë dhe nga ana tjetër, mbronte këtë shtresë, jo të gjithë, vetëm ata që punonin dhe që ishin cilësuar padrejtësisht të padëshiruar për regjimin e asaj kohe.
Ladi i mbronte duke thënë se; në punë janë shumë të rregullt dhe nuk ka dëgjuar njeri që të flasin kundër shtetit. Këto dy armë ai i shfrytëzoi shumë dhe u bëri mjaft ndere njerëzve. Është ky grup që në bisedat e tyre, pohonin se duhen pranuar edhe njerëz që janë kundër me idenë se, komunistët me punën e tyre, do të bindnin këtë kategori. Por, nuk e quanin të justifikuar bindjen me dhunë, me burgosje, internime dhe metoda të tjera jonjerëzore.
Në vitet ’50-ë, në Shqipëri kishin hyrë shumë pak radio dhe aq televizorë sa numëroheshin me gishtat e dorës. Persona që e kanë njohur nga afër Ladin, thonë se ai u ka treguar se deri në fund të viteve ’50-të, nuk kishin televizor në shtëpitë e tyre, as Enver Hoxha dhe as Mehmet Shehu. Televizori i parë në Shqipëri është prodhuar në fillim të viteve ’70-të, dhe etja e uria për to dhe për radio, ishte shumë e madhe.
Pas viteve ’70-të dhe me nisjen e prodhimeve në masë të televizorëve në Durrës, gjendja nisi të ndryshojë, por përsëri vijonte marrja e tyre me autorizim. Deri në vitet 1973-‘74 mjaftonte vendosja e antenës dhe dilnin stacionet italiane, një dëshirë e madhe, sidomos e qytetarëve të Durrësit të cilët, ndiqnin sportet, lajmet, spektaklet e koncertet e ndryshme të përtejdetit. Kjo bëri jo pak përshtypje dhe solli nervozizëm tek udhëheqja e lartë dhe strukturat përkatëse të saj partiake dhe shtetërore.
Duke parë ndikimin e madh që kishte televizioni dhe stacionet e huaja, (kryesisht ato italiane dhe jugosllave, e më pak ato greke në jug të vendit), regjimi komunist në fuqi, donte të bllokonte çdo informacion që vinte nga jashtë, ndërkohë që për Ladin dhe grupin e inxhinierëve kolegë të tij, një konsumim kohe dhe nervash për këtë gjë, ishte pa vlerë dhe me kosto të madhe, pasi ndëshkoheshin kryesisht të rinj që, donin të shikonin Perëndimin.
Në këtë periudhë kohe, u vendosën zhurmuesit për të bllokuar valët televizive në shtëpitë e qytetarëve që dispononin një aparat televizori, ndërsa për fshatin nuk para kishte interesim, nisur edhe nga fakti se, fshati nuk kishte shumë televizorë e as radio dhe se niveli arsimor i tyre ishte akoma i ulët.
Përgjimi nga Sigurimi…!
Bashkëmoshatarët e Lad Shehut tregojnë se, ata merreshin vesh me njëri-tjetrin me mimikë, duke lënë të kuptohet se, nuk bëhej fjalë për të biseduar hapur. Përgjithësisht kafen e pinin tek “Vollga” dhe pasi uleshin, e çonin dorën një herë nën tavolinë, për të parë se mos kishte gjë të instaluar, për t’u përgjuar. Një kujdes i tillë dhe që tregohej edhe nga Ladi, ndonëse ishte djali kryeministrit, dëshmonte se Ladi e kuptonte si dhe grupi, temën e thelbin e bisedës që duhet të bënin.
Ladin e kanë thirrur disa herë në Degën e Punëve të Brendshme në Durrës, ku i është thënë disa herë, që të mos rrinte me këtë apo me atë person, duke i kujtuar se emrat konkret për të cilët flitej, ishin të padëshiruar për regjimin. Kjo ishte e mjaftueshme për të dyshuar se Sigurimi i Shtetit, vinte përgjues tavolinës ku rrinte Ladi, i cili nuk hiqte dorë nga shoqëria edhe pse Dega e Brendshme, i’a kishte tërhequr vëmendjen disa herë!
Kolegët e tij thonë se; një moskokëçarje e tillë, vinte edhe ngaqë ai ishte djali njeriut më të fortë në Shqipëri, pas Enver Hoxhës dhe se këtë gjë, ai ua kishte thënë vet shokëve e miqve të tij. Vladimir Shehu, nuk kishte as shokë e as miq, që të ishin anëtarë të partisë. Djali Mehmet Shehut, në kulmin e karrierës së të atit, nuk rrinte dhe as nuk kishte shoqëri qoftë me një anëtar partie.
Kjo nuk mund të mos binte në sy, por Ladi i mbulonte me thjeshtësinë e tij, dyshimet e të tjerëve. I vetmi komunist me të cilin rrinte Ladi, ishte një inxhinier druri dhe këtë e shfrytëzonte sa për të thënë se; po rri me një njeri të partisë. Më atë bënte sikur rrinte sa për të treguar se kishte edhe shokë në parti, veprim të cilin e bënte për të mos zemëruar ata të partinë, apo “shokët” e Degës së Brendshme dhe Sigurimit të Shtetit.
Disa nga shokët e tij ishin: Adrian Qereshniku, (me origjinë nga Berati), të cilin e kishte mik e fis të largët nga e ëma, Fiqreti. Adriani kishte pasur të atin në burg, (Ihsan Qereshniku, i dënuar me burg politik në vitin 1946, si “agjent i anglo-amerikanëve”), ndërsa Ladi, rrinte vazhdimisht me të. Po kështu, Esat Ferra, ishte djali i ish-avokatit të njohur të Vlorës, të cilin Ladi e kishte shok të ngushtë. Bashkim Kopliku, nuk kishte ndonjë biografi të mirë për kohën, se halla e tij, ishte gruaja e njeriut më të pushtetshëm në kohën e regjimit të Zogut, por
Ladi e donte dhe e respektonte shumë Bashkimin e, biografia e tij nuk e pengoi të rrinin bashkë, madje hapur, pa u merakosur fare. Deri sa shkoi në Qendrën e Elektronikës në Tiranë (që më pas u bë Instituti Elektronikës), Ladi u miqësua me shumë njerëz me biografi jo të mirë. Njerëzit e partisë nuk është se e kapërcenin dot këtë gjë, por Ladi si djalë i kryeministrit që ishte, nuk kishin çfarë t’i bënin. Por nën rrogoz, aty nga fillimi i vitit 1981, po vinte edhe perëndimi “Yllit” për Vladimir Shehun.
Nuk shkoi shumë dhe për të do të vinin ditët më të vështira, ditë që, vetëm dy vite pasi transferohet nga Durrësi, përfundon në Gramsh, si teknik në Repartin e Riparim-Shërbimeve të Ndërmarrjes Komunale, për ta mbyllur jetën në mënyrë misterioze. Pas ngjarjes së 17-18 dhjetorit të vitit 1981, ku Mehmet Shehut u gjend i vdekur në dhomën e tij të gjumit nga plumb (a) pistolete dhe emri i tij u përfshi në fjalorin më të rëndë të Enver Hoxhës dhe bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij në udhëheqjen e lartë të regjimit në fuqi, duke e quajtur: “armik të popullit, tradhtar dhe poli agjent”, Vladimir Shehu, e kuptoi fundit e afërt të tij.
Në pamundësi për të duruar tërë atë mllef që vinte nga politika dhe pas shkatërrimit të plotë të jetës së pjesës tjetër të familjes dhe të të afërmve, Ladi, gjendet i vdekur në shtëpinë e tij në qytetin e Gramshit ku e kishin dërguar të internuar. Para se të ndërronte jetë, ai u degradua në një radio-teknik të thjeshtë. Edhe pse në një punë të tillë, ai nuk u lejua të takonte klientët. Radion e prishur e merrte dikush tjetër, Ladi e rregullonte dhe e dorëzonte. Regjimi komunist në fuqi, vdekjen e tij e klasifikoi si vetëvrasje, por persona që e kanë takuar në ditët e fundit të jetës, janë të bindur se Vladimir Shehu, është ekzekutuar nga shteti.
Për hir të fëmijëve të tij, Ladi i pati kërkuar bashkëshortes, të bënin divorc, si rrugë e vetme për të mos u ndëshkuar familjen. Në kujtimet e kolegëve të Vladimir Shehut, thuhet se, bashkëshortja e tij, vajti në Gramsh dhe pasi ajo u kthye në Tiranë, mbërriti edhe lajmi për vet vrasjen e Ladit! Asaj i kërkuan të fliste kundër të atit të Ladit dhe Sigurimi i Shtetit, bëri të gjitha përpjekjet për ta përdorë kundër ish-kryeministrit, tashmë të vdekur dhe të cilësuar si armik e poli agjent.
Shumë nga kolegët me të cilët ndau për afro një dekadë mendime dhe përvojë, e takuan Ladin edhe në ditët e tij të vështira në Tiranë. Por ai ua kërkoi atyre dhe mori vendimin e prerë për, të mos pranuar më takime me inxhinierët e URT-së, i bindur se po bënte veprimin me të denjë për të mos njollosur e ndëshkuar ata. Takimet e tyre përgjoheshin dhe një ditë çdokush prej tyre do të kishte përfundim të hidhur, ndaj Ladi ua bëri të ditur këtë gjë.
Ndërkohë, tregojnë se javët e fundit të jetës, Ladi kishte rënë plotësisht në pesimizëm dhe ishte i bindur se nuk kishte asnjë rrugëdalje përballë regjimit të Enver Hoxhës. Gjithnjë sipas pohimeve të tyre, ka pasur edhe nga ata kolegë të cilët, kanë shkuar deri në lajthitje për atë kohë, duke i kërkuar të shkonin në varrim të ish-kryeministrit Mehmet Shehut, edhe pse u deklarua se vrau veten, çka nënkuptonte qartë se, tashmë ai ishte një armik dhe po varrosej me “Zuk”-un e Komunales dhe në kortezhin e tij ishin vetëm pesa a gjashtë veta dhe këta nga familja.
Shumëkush e ka cilësuar veten me fat që është njohur dhe ka punuar me Vladimir Shehun. Por fare pak, për të mos thënë askush prej kolegëve, shokëve dhe miqve të tij, nuk kanë marrë guximin për të dalë hapur edhe pse kanë kaluar më se tre dekada nga shembja e regjimit komunist, që të flasë me emër të përveçëm për, mbresat e kujtimet e njohjes së tij me Vladimir Shehun, djalin e ish-kryeministrit Mehmet Shehu, i cili, nga një prej figurave më më të mëdha të atij regjimi, u përgojua, akuzua dhe u denigrua, në figurën më të goditur nga Enver Hoxha dhe nga regjimi komunist në fuqi, deri në fundin e viteve ’80-të. Memorie.al