Nga Maksim Rakipaj
Pjesa e tridhjetë e dy
Memorie.al/ Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976, i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015), ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.
Një arvanit gjakprishur që kërkon “vorio-epirotë”
Anija “Vlora” nën komandën time, mbërriti në radën e Pireut në fillim të muajit tetor. Ishim nisur para nja dy ditësh nga porti i Aleksandrisë (Egjypt). Koha mbajti për bukuri dhe lundrimi shkoi mbarë. Sapo hodha spirancën, më foli në VHF Dhori, një vlonjat që është bashkëpronar i agjencisë, që ka marrë me qera anijen. Pas përshëndetjeve të rastit, më thotë; nesër, që është e djelë, ai me të shoqen dhe unë, jemi të ftuar për drekë tek Andrea. Andrea është pronari i shipchandler-it, (shipchandler janë firma që furnizojnë anijet dhe ekuipazhet, me mallra të ndryshme), që na furnizoi në muajin mars me ushqime, kur nisi ky udhëtim.
“Eja, – më thotë Dhori, – se i bëhet qejfi Andreas, më bëhet mirë edhe mua, sepse bashkëpunojmë dhe kam leverdi prej tij”! Pranoj me kënaqësi. Nuk kam hyrë deri tani në shtëpinë e ndonjë greku dhe jam kureshtar. Të nesërmen, marr motoskafin dhe dal në breg. Dhori, me të shoqen, pret në mol me makinë. Koha është e bukur, me diell dhe Pireu ngjan edhe më i bukur.
Rreth mesditës, mbërrijmë në vilën e Andreas, që del dhe na pret në oborr. Buzëqesh dhe na fton të hyjmë. Ulemi nëpër kolltuqe, ndërsa e bija na shërben qerasjet e mirëseardhjes. Unë flas shqip, kuptoj diçka nga greqishtja, por nuk di ta flas. Dhori bën përkthyesin.
– “Nga ç’vend e kemi kapedanin? Është i martuar, ka fëmijë”?
– “Banoj në Durrës, i martuar, kam dy djem”.
– “Andrea do të dijë, nga ç’qytet je si origjinë, Maksi”? – më sqaron i buzëqeshur Dhori.
– “Jam nga Përmeti, Andrea. Besoj se e di që është në kufi me Greqinë”.
– “Oooo, po ti na qenke vorio-epirot, qirie kapetanje”, u çel Andrea.
– “Po i dashur Andrea, nga zemra e Epirit të lashtë iliro-shqiptar, jam. Dhori, do ta përkthesh apo të flas në anglisht, se ky miku jot, e flet anglishten”, – iu ktheva Dhorit, kur pashë se ky po përtypej dhe po sajonte në greqisht, tjetër gjë nga ato që thashë unë. Andrea nuk po merrte vesh, se ç’thoshim ne në shqip. Ia thashë në anglisht.
– “E di gjithë bota, që Epiri është Greqi, por kapetanje nuk e ditka”, foli greqisht Andrea. Nuk prita përkthimin e Dhorit dhe iu ktheva në anglisht Andreas, megjithëse Dhori mundohej të më frenonte: “Mos u nxeh Maksi, nuk tha ndonjë gjë të keqe, fundja kështu e kanë mësuar në shkollë këta, lere tani…”!
Por nuk mund ta lija, nuk doja ta lija të kalonte kjo gjë pa i dhënë një mësim historie dhe gjeografie grekut, për kufijtë natyralë të Shqipërisë në Jug, për tokat shqiptare të përvetësuara nga Greqia, me ndihmën e Rusisë dhe Evropës, për heronjtë shqiptarë të Revolucionit Grek, të pavarësisë, Boçarët…!
Në mes të fjalës sime, hyri në sallon një grua e mbajtur, paksa e moshuar. “Nëna e Andreas kjo”,- pëshpëriti Dhori. U ngritëm në këmbë të gjithë në shenjë nderimi. Nëna e Andreas, duke buzëqeshur, na foli për habinë time, në shqip. Në shqipe të pastër:
– “Si jini, more djelm? Si ju ka mëma juve”?
– “Faleminderit, zonjë”. U përkula dhe i putha dorën asaj zonje. Më përkëdheli kokën:
– “Më rruash. Ti je kapedani, hë”?
I mallëngjyer dhe i emocionuar, pohova me kokë. U ktheva nga Andrea, duke i folur shqip:
– “Po tani more Andrea? Doje të gjeje grekun te unë, kur ti qenke shqiptar për vete”?!
– “Lëre, mos e nga, ishtë bënë fis grek. Ka marrë nusen greke dhe çoç i duket… uuu pika! Në kohë tënë, kur jeshë e re, e keshëm për turp, të marrëm grek, do për burrë, do për nuse; kush ish nanjë i pabrekë, marrëj grek, po shtëpitë e fisme, jooo, nuk qasnim grek në prak na, vetëm për hyzmeqar. Kur nanjëra merrte grekun për burrë, e neverisnin gjithë soji. Iii, ajo që muarr ifton për burrë! Ja, kështu, të keqen mëma. Po ishtë prishur dunjaja sot, ishtë kokolepsur e bënë lesh arapi…”!
Dreka kaloi për bukuri. Gruaja e Andreas, na shërbente me gjithë të bijat, nën shikimin e rreptë të së vjehrrës. Folëm vetëm shqip, gjithë kohën. Andrea nuk hapi më gojë. Mbeti turivarur, megjithë përpjekjet e Dhorit, për ta bërë të qeshte, duke i folur në greqisht. Më përqafoi me mall plaka, kur u ndamë:
– “Të keqen mëma, keshë kohë, pa folur në gjuhë tënë…”!
Kujtime nga Pireu, tetor-dhjetor 1995
Një herë në javë, në agjencinë që mbulonte anijen “Vlora”, vinte një ekonomist, që bënte veprimet që kishin të bënin me kontabilitetin e agjencisë. Ishte shumë pordhac ky greku (ata që kanë veshë delikatë, mund ta lexojnë pedant) dhe jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj grekëve, që punonin në atë zyrë.
Mbiemri i tij, ishte i njëjtë me mbiemrin e një mbreti mitologjik. Nuk kishte punë me mua, por mospërfillja që tregoja ndaj tij, e tërbonte dhe mezi priste një rast, për t’u gërricur me mua. Ia plotësova dëshirën dhe i dhashë më shumë se një rast të tillë…! Kërkonte të hapte një bisedë me mua. Me çdo kusht, donte të tregonte epërsinë e tij si helen, në gjithçka. Kishte tërhequr në diskutim, disa prej punonjësve të agjencisë.
Unë rrija në një kënd, duke biseduar për diçka tjetër, me juristin z. Viron Sadiraj, që drejtoria e Flotës, pati dërguar për të sistemuar disa probleme të vjetra ligjore të ndërmarrjes. Kuptoja pothuaj gjithçka që thoshte ekonomisti grek, me emrin Ilia. Me tonin e lartë, mimikën e gjestet, donte të tërhiqte vëmendjen time. Kur pa që nuk po ia varja, m’u drejtua në anglisht:
– “Kapiteni nuk flet greqisht? Pyes veten, si ka mundësi, që nuk e ka mësuar gjuhën më të bukur në botë”?!
– “Sepse gjuhën më të bukur në botë, unë e di, zoti Ilia. Ma ka mësuar nëna ime, shqipen…”!
Kaq u desh dhe midis meje dhe Ilias, filloi një duel i gjatë mes dy nacionalistëve. Ishte i tërbuar, fliste me pasion, kur qe fjala për Helladhën, fliste gjithnjë me përbuzje, për të huajt: rumunë, bullgarë, ukrainas dhe patjetër… edhe për shqiptarët. Ishte mësuar të mos ia kthente fjalën asnjeri, prej shqiptarëve që punonin pranë tij! E ngriti një herë shumë zërin me mua, gati bërtiste…! U ngrita nga vendi, iu afrova dhe duke e parë në sy, i thashë me zë fare të ulët:
– “Me mua, të lutem shumë, ule zërin. Nuk jam refugjat në Greqi, të kem frikë prej teje. Nuk jam unë që punoj për ty, por ti që punon për një agjenci, që i shërben anijes ku unë jam kapiten dhe jo një copë llogaritar! U kuptuam, zotni Ilia”?!
Por, zakonisht, më duhet të pranoj që Ilia, ishte një gentleman i vërtetë dhe ajo sjellje pompoze e tij, ishte e veshur gjithmonë me një cipë të hollë shakaje, që i linte gjithmonë vetes një shteg, për t’u tërhequr me nder, në rast disfate. Dhe nuk i munguan disfatat e vogla, të përditshme, sepse ishte mësuar të fliste dhe të mos e kundërshtonte njeri, sepse i mungonin argumentat, sepse nuk dinte asgjë, as nga historia e Heladhës së tij, të dashur. E mundja lehtësisht, çdo ditë.
Filloi të lexonte dhe të vinte më i përgatitur në debatet me mua. Merrte në telefon agjencinë dhe pyeste, a ndodhesha unë aty. Filloi të vinte, jo më një herë në javë, si më përpara, për punën që kryente aty, por çdo ditë pothuaj. Edhe atë ditë erdhi, pasi u sigurua nga Leonidha dhe kapiteni grek, Kristo, që punonin aty, se unë ndodhesha në agjenci. “Bëhu gati, kapiten Maks, po vjen Ilia, për sherr”, më tha kapiteni grek, duke qeshur. Erdhi Ilia, hyri me vrull, vari pallton dhe kapelen në varse dhe m’u drejtua mua, serioz me ton dramatik:
– “A e di ti, i dashur kapiten Maks, përse ne grekët jemi së paku 200 vjet përpara jush?! E…nuk e di. Nuk ke si ta dish. Nuk është faji yt që je shqiptar…! Ta them unë: 200 vjet më parë, kur ju shqiptarët bëheshit synet, ne, grekët, me presidentin tonë, Joanis Kapodhistrias, vumë ligjet gjermane, në Greqi. Më more vesh”?!
Dhe, triumfator, pa nga grekët e zyrës që “përplasnin pëllëmbat me një të madhe trokëllimë”, si do thoshte, Andon Zakoja i Sheperit…!
– “E di këtë, Ilia, e di. Por ti nuk di një gjë tjetër. Që ky Joani, është shqiptar, jo grek. Quhet Gjon Kapodistria, shqiptar si Boçarët, Laskarina Bubulina, Kollokotroni e, të tjerë që të thashë dje, pardje…! Prit! Të mbaroj unë njëherë! Pasi ne shqiptarët luftuam me armë për pavarësinë tuaj, se ju për luftë dihet që nuk jeni, Evropa pa që ju grekët, jeni edhe të trashë nga trutë! Duhej të gjente edhe një njeri me tru, që t’ju qeveriste! E di ti Ilia, se kur erdhi mbreti gjerman Otto, nuk kuptohej dot me vendasit me greqishten që pat mësuar para se të vinte? Sepse kishte pak grekë në Athinë! Sepse komandantët e revolucionit grek, flisnin shqip! Meqë 80 % e banorëve ishin arvanitë – shqiptarë pra, ju gjeti edhe presidentin, kryeministrin, ministrin e Jashtëm shqiptar! Sa për synetin tonë, unë di që zonjat dhe zonjushat greke, nuk kanë mendim të keq…”!
– “Ky është kulmi! Kulmi! Të jetë edhe Joanis shqiptar!? Nesër ti, rrezik më nxjerr edhe mua shqiptar! Ky është i çmendur more, trellos. Ky duhet rrahur që të marrë vesh”! – iu drejtua grekëve të zyrës në greqisht.
– “Të mbeti të më nxjerrësh edhe mua shqiptar tani”, – shtoi gjysmë anglisht e gjysmë greqisht.
– “Nuk i dihet Ilia, mbase je shqiptar. Të kam thënë se gjyshi im në periudhën 1914-1918, kur vinin andartët grekë për raprezalje tek ne, vinte në krye të një grupi trimash, për të marrë hak në Greqi? Ka që thonë për të, se ditën vinte përpara burrat grekë, kurse natën… vinte për poshtë greçkat. Deri në Athinë ka qenë…kam dashur të ta them, por ne të dy, sikur ngjasojmë nga pamja më duket…”?!
– “Kjo punë duhet të zgjidhet. Ta mban të vemë bast”?
– “Dakord! Unë kam 4 mijë dollarë, verë edhe ti 4 mijë dhe ia japim kapiten Kristos”.
– “Jooo, jo. E caktojmë që kush humb bastin, duhet të paguajë një darkë, për të gjithë të pranishmit këtu. Katër mijë dollar, janë shumë. Por si do ta vërtetojmë, kush ka të drejtë”?!
– “E ke Enciklopedinë greke në shtëpi, Ilia? Po? Shko, lexoje dhe eja na jep darkën. Unë të pres këtu”.
E mbajti fjalën Ilia. U kthye pas 40 minutash me Enciklopedinë greke me vete. Si qen i rrahur. Sa e panë grekët e tjerë, ulën kokën.
– “Fitove, – tha – Ilia”, dhe më dha dorën. Na çoi në një lokal në periferi të Pireut, ku gatuhej vetëm mish gjahu. Një gatim i përsosur, më mbeti peng, që nuk e shënova adresën e lokalit, do të kthehesha me dëshirë, përsëri atje…! Shqiptarë ishim tre: unë, Viron Sadiraj dhe Dhori. Darka kaloi në një atmosferë të përzemërt dhe miqësore, si shkruanin dikur gazetat. Vetëm Ilia u mërzit pak, kur pagoi. “Nuk ve më bast me ty, kapiten. Po humba edhe një bast tjetër si ky, më vrau gruaja”!
Udhëtimi i fundit me “Vlorën”
(Kthim piratesk, në Durrës)
…Detin e kam dashur që i vogël, jam lindur në Vlorë (kemi qenë në ishullin e Sazanit, kur u linda unë, im atë ishte me shërbim atje, si oficer artilerie), por kurrë s’e kisha menduar se një ditë, do të arrija të bëhesha kapiten, te anija “Vlora”
Në mars të vitit ’95, u nisa si kapiten i saj, pa e ditur që do të isha kapiteni i fundit i saj dhe ajo anije e mrekullueshme, lavdia e Flotës Detare Shqiptare, do të bënte të fundit lundrim, me mua kapiten, nën flamurin shqiptar! Nuk do të hyj në hollësi për nisjen e saj, shumë donin që ajo të kalbej në port dhe të shitej për 5 lekë. Ndërrova krye mekanikun e anijes, një pjesë të ekuipazhit dhe ditën e nisjes befas, nga 4 oficerë, që duhet të kisha, më mbeti vetëm oficeri I-rë, Albert Koço; tre të tjerët, për arsye që nuk dua t’i përmend, u larguan.
Dikush u pat bërë presion dhe ata u trembën. Drejtori më tha, se kishte në dispozicion, tre oficerë të rinj, që sapo kishin mbaruar shkollën dhe pa përvojë lundrimi; oficeri I-rë dhe miku im i mirë Bert Koço, qe gati të niseshim edhe po të mos vinin ata. Ishin tre djem të shkëlqyer, i ndanë vetë pozicionet e tyre: oficer II-të, oficer III-të dhe oficer IV-ët. Shkuam në Jemen-Port Aden; Eritre; prapë Jemen, dhe në fund në Aleksandri – Egjypt. Nuk ma merrte mendja, se do të vuaja aq shumë në atë lundrim. Dhe nuk mund t’i them, që të gjitha hollësitë. Për shumë arsye.
Nga korrespondenca me agjencinë në Greqi, kuptova se shumë lojëra po luheshin. Lojëra të pista, që kishin të bënin me pronësinë e anijes. Një roman i tërë, mund të shkruhet për të gjitha. Pronari i agjencisë në Egjypt, u miqësua menjëherë me mua. Një ditë më thirri në zyrë. Sekretarja e tij, nuk më futi si zakonisht, atje ku punonte pronari, Ashraf e quanin, por në një zyrë tjetër, shumë më të madhe dhe më luksoze. Ashrafi ishte flokëverdhë dhe sykaltër. Kur i shfaqa habinë time: “Një egjyptian biond”?! ai më shpjegoi, se origjinën e kishte nga Shqipëria…!
Atë ditë Ashrafi, ishte tepër serioz:
– “Maks, unë kam studiuar Mjekësi, jam kardiolog…! Kjo është zyra ku ka punuar babai im. Në shtratin e vdekjes, babai ma la amanet: Në agjenci, do të punosh ti Ashraf’! Kështu që e lashë spitalin. Por nuk kam punuar asnjë ditë, te zyra e babait tim, për mua është si vakëf kjo zyrë; ti ke parë zyrën, ku punoj unë. Kurse këtu, futem vetëm për të medituar, ose për të pirë ndonjë gotë, me ndonjë mik të dashur. Ti Maks, ke respektin tim dhe të llogaris te miqtë e mi, më të mirë. Dëgjo pse të thirra: e ke kuptuar edhe ti miku im, se ke të bësh me mafien. Nuk mundesh ta shpëtosh dot ‘Vlorën’. Ke të bësh me mafie greke, turke, shqiptare…!
Dëgjo, të flas si vëlla, jam miku yt dhe shqiptar si ti, prandaj po të flas hapur. Anija le të niset, nën komandën e oficerit I-rë për në Pire, qysh nesër. Ty do të të shtroj në spital. Spitali, është pronë e familjes sime. Rri nja dy ditë në spital, ndërkaq unë, do të të sjell këtu familjen, gruan dhe dy djemtë. Shikoje këtë hartë në mur. Ata flamurët e veckël aty, janë degët e agjencisë sime, nëpër botë. Zgjidh vendin që të pëlqen. Rroga 3 mijë $ në muaj, plus banesa dhe shërbëtori, me gjithë shofer. Do të jesh përfaqësuesi im. Mendohu sonte. Nesër më kthe përgjigje”.
U ktheva në anije…! Thirra vetëm oficerin e I-rë dhe shokun tim të burgut, mekanikun Fadil Hyka, që e mora atë rrugë si mekanik, pa e ditur që ai, do të më shpëtonte jetën. Berti, nuk pranoi të merrte komandën e anijes, sado që edhe Fadili u mundua t’i mbushte mendjen, ishte e kotë, i fola hapur, i premtova që do të mundohesha ta tërhiqja, ku të shkoja edhe unë…! Ai jo dhe jo. Kishte frikë, nga ndonjë rebelim i ekuipazhit.
– “E ke fajin vetë, – më tha Fadili, – duhet të ma thoshe vetëm mua, Bertit ia bënim fakt të kryer, Maksi u sëmur, u shtrua në spital dhe kaq. Tani s’ke ç’bën, u zbulua loja”.
Të nesërmen takova përsëri Ashrafin. Ai sa më pa, e kuptoi përgjigjen time – “…e dija përgjigjen tënde, kapiten Maks”, – më tha dhe më përqafoi, më shtrëngoi dorën dhe më uroi suksese. “Duhet të nisesh se s’bën nesër”, – më tha, – “sepse po të zuri e hëna këtu, anija rrezikon të bllokohet me vendim nga gjykata, për borxhe të drejtorisë së Flotës. Por duhet të marrësh edhe një letër justifikimi, nga ambasadori juaj në Kajro, sepse të mungon një dokument i anijes; ka dy muaj që është ky rregull, ti s’mund ta merrje dot në Shqipëri atë, sepse ke qenë në lundrim, kur u vendos rregulli. Mjafton një letër justifikimi, prej ambasadorit shqiptar, ku ai të zotohet se tjetër here, ai dokument do të jetë në anije. Eja ta marrim në telefon nga zyra ime”! Ambasadori refuzoi të lëshonte atë letër justifikimi “Është ditë pushimi sot. Të shohim nesër, të pyes edhe Tiranën njëherë”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016