Nga Astrit Jegeni
Pjesa e parë
Memorie.al / Ahmet Jegeni, funksionar i lartë i regjimit Enverist, ka pasur funksione të shumta partie e pushteti, në atë sistem politik, midis të tjerave ka qenë drejtor i portit të Durrësit për shumë vite. Më vonë fillon punë në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme dhe emërohet Sekretar i Organizatës të Partisë i kësaj Ministrie, derisa arrestohet me akuzën për “veprimtari armiqësore” me të ashtuquajturin grupi i Kiço Ngjelës me shokë, akuzë që nuk e pranon, për pothuajse një vit. Dhuna e ushtruar në hetuesinë komuniste e thyen dhe ai shkruan këtë promemorie, duke pranuar bashkëpunimin me akuzën, që në fillim nuk e pranoi. Në kushte ekstreme fizike e psikologjike vetjake, përshkruan me shkrim veten, bashkëpunëtorët, familjarët e tij sipas dëshirës e mendësisë morale politike komuniste.
Në memorien time në fëmijëri, kam të ngulitur një burrë me shtat mesatar, pak i bëshëm, i veshur mirë me rroba të blera jashtë Shqipërisë, dinjitoz. Në rrugë, dhe kur i binte të takoheshin me babain tim, e përshëndeste me kokë, por gjithmonë me distancën e ftohtësinë e duhur, që rridhte nga fakti që i përkisnin dy shtresave të ndryshme politike e, pozicione shoqërore të kundërta. Ata ishin gati moshatarë, ishin kushërinj, kishin qenë bashkë në çetën partizane të Dibrës së Madhe, me komandant Haxhi Lleshin.
Im atë më ka treguar momente nga dorëzimi i ushtrisë italiane pas kapitullimit të Italisë, dhe ishte Ahmeti, që hipi në një “Caro-armato”, një automobil i forcuar me llamarina të trasha e, shkoi vetë në kazermat italiane të Dibrës së Madhe, për të negociuar me komandën italiane aty. Im atë e luti e i kërkoi që të mos shkonte, se italianët do ta vrisnin, por ai nuk u frikësua. Pas disa orësh, italianët pranuan marrëveshjen me Ahmetin, ata me armët personale e ushqimet ditore, ua liruan kazermat e tyre partizanëve dhe u drejtuan drejt Peshkopisë.
Në muhabetet e pafund të fisit tim, Ahmeti trajtohej me kujdes, falë faktit se ishte një funksionar i lartë komunist, besoj se ishte Jegeni, që kishte postin më të lartë në regjimin komunist, shumica absolute e Jegenëve, ishin antikomunistë. Një tjetër Jegen me bindje komuniste dhe që kishte funksione të larta partie e shtetërore, ishte dhe djali i xhaxhait tim, Eqerem Begut, Besnik Jegeni, por ky kishte funksione në Maqedoni dhe realisht dinim pak, ose aspak, për peshën reale shoqërore të tij.
Gjithsesi Ahmeti shihej me simpati, si njeri që dinte të mbante një qëndrim të arsyeshëm respekti ndaj fisit të tij, që në përgjithësi etiketoheshin “reaksionarë”, nga propaganda e mendësia komuniste. Vetëm në raste vdekje, Ahmeti dukej për vizitën e rastit dhe këto shumë të rralla. Kemi qenë në internim politik, kur na erdhi lajmi që e kanë arrestuar Ahmetin, im atë shprehu keqardhje, por vetëm kaq. S’e zuri në gojë, as për mirë e as për keq.
Ma vonë, kur u kthyem nga internimi, me Pranverën, motrën e Ahmetit, që ishte në Tiranë, kemi bërë biseda të pafund e të gjata për Ahmetin e, marrëdhëniet e tij me familjen, për nanën e tij që jetonte me Pranverën, e jo me djalin, gruan e tij nga fisi i Strazimirëve, Dhurata, motrën, vëllain, që jetonin jashtë Shqipërisë, fisin e afërt, dhe këndvështrim im për Ahmetin, ndryshoi.
Kam në memorie Mitrushin, kunatin e tij, “Hundëleshin”, kështu i thërrisja sepse kishte lesh në hundë, një mashkull simpatik, i kulturuar, mjaft argëtues e shumë modern për kohën, kur na vinte në shtëpi, krijonte një atmosferë të këndshme. Ishte kënaqësi ta dëgjoje atë burrë. Fatkeqësisht, raportet e Ahmetit me gruan, nanën e motrën e tij, ishin, sipas këndvështrimit të Pranverës, të pakëndshme e problematike. Gjithsesi të njohur e të panjohur të ndryshëm që takoja, kur më pyesnin për mbiemrin, pyetja e parë pasuese, ishte; ç’lidhje ke me Ahmetin?
Ata të gjithë flisnin mirë për të. Kur më ra në dorë kjo promemoria dhe e lexova, u shtanga, nuk më pëlqeu e u zhgënjeva nga personaliteti i Ahmetit, i përçudnuar. Ylli Selenica, një mik i mirë i imi, që ka qenë i burgosur politik, më pati thënë, kur qe gjallë, të mos i gjykoj njerëzit nga të dhënat e hetuesisë komuniste, sepse ka qenë një organ drejtësie shumë e dhunshme dhe pak njerëz mund ta përballonin, ishin të detyruar të pranonin çdo gjë që ju imponohej, mjafton që torturat të ndalonin. Gjithsesi kam hezituar shumë, ta bëja publike promemorien.
Moralisht figurën e Ahmetit, nuk e pëlqeja. Sebep për të ndërruar mendje, u bë një person që e njihte Ahmetin. Në një debat me mua fliste me superlativa për figurën e Ahmet Jegenit, duke e çuar në kufijtë e himnizimit. I nervozuar dhe i lodhur nga mungesa e sensit të realitetit për figurat njerëzore që kanë njerëzit në subkoishencën e tyre, vendosa ta botoj këtë promemorie. Kjo që po botoj, është një pjesë e vogël e kësaj promemorie e, ndoshta ma e “fismja” nga e gjithë promemoria, që për mua është tejet e pahijshme, gati në kufijtë e turpit.
Promemoria e Ahmet Jegenit, e bërë në hetuesinë Enveriste, në formën e dorëshkrimit, përbëhet nga 184 faqe, është shkruar në kushtet e diktatit të dhunshëm fizik e psikologjik në hetuesi. Është shkruar në letër A-4, të cilësisë së dobët, prodhim vendor, i shkruar me laps të zi, në të dyja krahët e letrës, shumica e dorëshkrimit është me laps rreth 80%, pjesa tjetër me stilolaps blu dhe të kuq, një shkrim dore relativisht i imët, por qartësisht i lexueshëm dhe pa gabime ortografike.
Gjatë hetuesisë një pjesë e këtij materiali, rreth 10-15%, është daktilografuar nga nëpunësit e Hetuesisë dhe i është dhënë për ta lexuar Ahmet Jegenit, i cili në disa vende, ka ndërhyrë me shkrimin e tij, për ta qartësuar fjalinë dhe për ma tepër me vetë-dëshirën, për ta rënduar më shumë veten e tij para ligjit. Tregues i dorëzimit psikologjik e fizik, ndaj dhunës që i është bërë gjatë hetuesisë.
Gjatë daktilografimit të tij, disa fjalë janë përshtatur nga gegnishtja e Dibrës së Madhe. në gjuhën letrare, por pa ndryshuar kuptimin e fjalisë. Disa shprehje dhe fjalë nuk janë transkriptuar saktë, por nuk e kanë deformuar logjikën e fjalisë. Duhet theksuar se për shumë kohë, rreth një vit, Ahmet Jegeni nuk pranonte asnjë nga akuzat e hetuesve, por mbas shumë muajsh dhunë fizike e psikologjike, Ahmeti dorëzohet e, pranon akuzën.
“Për veprimtari armiqësore” dhe fillon të shkruaj kujtimet e tija vetë-denoncuese, të cilat unë besoj se janë shkruar jo se ndjehej i penduar për veprimtarinë e tij politike e shtetërore, por i dorëzuar totalisht nga presioni i madh fizik e psikologjikisht, ka shpresuar se do dalë gjallë nga ferri i hetuesisë komuniste. Mund të vepronte ndryshe, por nuk ka vepruar. Realisht shumica e të burgosurve politikë nga regjimi komunist, nuk e kanë përballuar dhunën fizike e psikologjike dhe janë dorëzuar e kanë firmosur çfarë ka dashur hetues komuniste.
Dorëshkrimi i shkruar me dorë, mban datë n 4.10.1976 dhe është i firmosur nga ai, ndërsa material i transkriptuar me makinë shkrimi, ka të njëjtën datë, por nuk është i firmosur. Duhet të vemë në dukje se, ka mospërputhshmëri në kohë midis datës së arrestimit dhe datës kur Ahmeti filloi të shkruajë këto dorëshkrime. Ahmet Jegeni vdiq në hetuesi. Sipas dokumentacionit mjekësor, vdekja ju krijua nga një atak në zemër. Jam i prirur të besoj, se vdekja i ka ardhur nga kushtet e papërballueshme jetësore të hetuesisë dhe dhuna fizike e psikike. Çështja e tij, nuk kaloi në gjyq. Ligjërisht Ahmet Jegeni, cilësohet i padënuar.
Ne po i japim për t’u lexuar, siç janë shkruar në origjinalin e daktilografuar, duke e ballafaquar në çdo rresht apo, emra të përveçëm me origjinalin me shkrim dore. Promemoria për mua, është interesante, se përveç karakterit të përgjithshëm historik që informohemi, në këtë promemorie interesante, është informacioni që marrim nga raportet tregtare shumë të mira, të Shqipërisë me Jugosllavinë. Jugosllavia në këtë kohë, ishte partnerja e dytë mbas Kinës, në volumin tregtar të Shqipërisë, duhet theksuar se kriza politike e ekonomike Shqiptaro-Kineze, kishte filluar të jepte efektet e saj në ekonominë e vendit, ironike është fakti, që kemi një raport të zhdrejtë me propagandën armiqësore Enveriste për Titizmin dhe marrëdhëniet shumë të mira tregtare, me Jugosllavinë.
Dorëshkrimi i të pandehurit Ahmet Jegenit
Kam lindur me 1920, në Dibër të Madhe, rrjedh nga një familje e ndigjuar në qytet e rreth, me origjinë i pasur (çifligar), kemi patur toka e shtëpia, gjë të gjallë si në Dibër (Jugosllavi), ashtu dhe në kufirin Shqiptaro-Jugosllav), ashtu si të gjithë dibranët edhe familja e jonë, ka vojtur nga Serbët, dhe u janë djegur shtëpitë, gjyshi i mbytur nga ta, me tel telefoni, babai i persekutuar, prandaj me 1930, kaluam në Shqipëri (Durrës).
Unë vazhdova shkollën e mesme (shkollën mbretërore) por me 1933, babai vdes dhe familja detyrohet për të jetuar, të kthehet në Dibër (Jugosllavi), ndërsa unë mbetem këtu, për të vazhduar shkollën. Në 1935, shkoj për studime në Itali (shkollë ushtarake), në Napoli dhe 1937-1939, në Akademinë Ushtarake. (Torino).
Në këtë kohë ndodh okupacioni, dhe unë megjithëse nuk kisha ndonjë orientim politik të caktuar, më lindi ideja e atdhedashurisë, nuk u pajtova me okupacionin, kërkova të kthehem në atdhe, nuk u betova për besnikëri ndaj fashizmit (që u organizua me këtë rast me të gjithë ish-studentët ushtarakë shqiptarë, që studionin në Itali), si rrjedhim u burgosa dhe u internova në ishullin Ventottene (Itali), ku ndenja nga 1939, deri shtator 1941. Këtu bie në kontakt me komunistët italianë, të cilët filluan të me fusin ndjenjat dhe përgatitjet fillestare komuniste.
Në ishull, erdhën edhe të internuar të tjerë shqiptarë, si nga Shkodra (nga Grupi Komunist) e tjerë. Në shtator 1941, mbasi mbaron afati i dënimit, kthehem në Shqipëri, shkoj në Dibër të Madhe, pranë familjes (kisha gjyshen, nënën, dy motra dhe një vëlla) dhe pasi në 1942, arrestohem për aktivitet antifashist, pas lirimit, në shtator 1942, shkoj në çetën partizane të Dibrës (Komandant shoku Haxhi Lleshi dhe qëndroj në repartet e ushtrisë Nacional-Çlirimtare, deri në gusht 1944, ku me urdhër të Partisë, kaloj në pushtet, pastaj në 1946, caktohem me punë në Tiranë, me vonë në Durrës, gjene në Tiranë, përsëri në Durrës. (ku qëndroj 18 vjet) dhe në 1971, përsëri në Tiranë (deri gusht 1975), më pas në Tepelenë, ku me 4.6.1976, arrestohem.
Sikurse thashë më parë, unë, në fillim nuk kisha ndonjë orientim politik të caktuar, në Itali lexoja gazeta dhe në përgjithësi isha i prirur për të ndjekur, me anën e shtypit, ngjarjet ndërkombëtare, por nuk isha në gjendje t’i kuptoja ato, pra më tepër si kuriozitete. Lexoja me kureshtje shkrimet që botoheshin në gazetat italiane për Bashkimin Sovjetik, ndër të tjera flitej shumë për fenë (unë nuk kisha prirje fetare mbasi që i vogël rritur larg familjes dhe gjithashtu), shkruhej shumë për Stalinin, i cili paraqitej si njeri i rreptë.
Duke u nisur nga këto unë nuk mbaja miqësi me student shqiptare që shfaqnin simpatira për Bashkimin Sovjetik (në Napoli, Kadri Hoxha, në Torino Skënder Çaçi, Hamit Keçi dhe mbaja jo qëndrim armiqësor ndaj Bashkimit Sovjetik, ose miqësor ndaj fashizmit, por më tepër si indiferent për çështje politike, u vija rëndësi mësimeve që të dilja mirë e të mbaroja shkollën.
Duke qenë se më kishte dhënë bursë, studimi kisha simpati për Zogun (jo se e kuptoja karakterin politik të regjimit, por vetëm se ishte në krye të shtetit). Në Itali, unë pashë mjaft qytete dhe të them të drejtën, më bënte përshtypje zhvillimi i atëhershëm, dhe kisha simpati e kujtime të mira, për vendin dhe popullin.
Me rastin e okupimit të Shqipërisë, filloi urrejtja ndaj fashizmit (karakterin shoqëror e politik të cilit nuk e kuptoja), si okupator, por ruaja kujtime të mira për popullin dhe vetë Italinë si vend, këtë e kam patur edhe gjatë Luftës, pas çlirimit dhe kjo ka influencuar edhe në punën time në Ministrin e Tregtisë, kur në shtator 1973, më kaloj mua drejtimi i tregtisë së valutës së lirë.
Kështu në takimet e mija me delegacionin italian, me ata të ambasadës, që ndiqnin çështjet tregtare, kam qenë i predispozuar që të rritej tregtia me këtë vend, kjo për faktin se deri atëhere, ky vend zinte vendin e parë në tregti me Europën Perëndimore me ne, nga ana tjetër konstatova, se edhe Ndërmarrjet Tregtisë së Jashtme, si dhe udhëheqja e Ministrisë, kishin këtë mendim.
Në Venttotene (internim Itali), unë rrija ma tepër me Skënder Çaçin, Xhemal Punavinë, Abdyl Këllezin, Qazim Kapisyzin. Me Abdyl Këllezin, studionim për lëvizjen punëtore italiane dhe pjesë të kapitullit të Marksit (vlera, mbivlera, etj.), kam patur të njëjtin edukator, komunistin italian (Pietro Secelie dhe Pietro Griforçe). Sigurisht, ata që mësonim nga këta, unë i përsëritja me Abdylin. Megjithatë, unë akoma nuk kisha një bindje të plotë komuniste, mbasi shumë gjëra nuk i kuptoja dhe vazhdonte të më ekzistonte më tepër, ndjenja nacionaliste.
Edhe për Bashkimin Sovjetik, mjaft gjëra sigurisht u bënë më të kjarta, por akoma nuk i kuptoja se ç’përfaqësonte ai në aspektin shoqëror, mbasi si fuqi shtetërore, u kuptua rëndësia e tij me sulmin nazist dhe unë dëshiroja që patjetër të fitonte Bashkimi Sovjetik, mbasi kuptohej që ky fakt, lidhej edhe me vendin tonë.
Mua nuk më kujtohet ndonjë çështje e veçantë për Abdyl Këllezin, nuk mbaj mend biseda politike ose interpretime, apo situata politike të më jenë bërë nga ai. Ay shoqërohej shumë edhe me Xhezmi Dellin (rrinte me të shumë dhe gati vazhdimisht, si dhe me familjen e këtij, kur erdhi për vizitë). Abdylit i ka ardhur dy herë kushëriri tij (tregtar); po kështu rrinte edhe me Shefqet Myslin (ky erdhi me ato të Shkodrës, në Venttotene).
Në vitin 1949 (shtator, kur unë shkova në Beograd, e gjermanët të mbetur atje transit për Shqipëri), Shefqeti kryente funksionin e përkthyesit (vetëm 1 ditë) dhe më kujtoj Ventotenën dhe pyeti se si është e, si shkon Abdyli, unë më vonë ja kam thënë këtë Abdyl Këllezit, mbasi ai është kunati i tij. Abdyli e mirëpriti këtë. Kur u ktheva në Shqipëri, shkova pranë familjes, atje u takova me Nazmi Rushitin (të cilin e njojta në Venttotene) dhe vazhdova të punoj nën drejtimin e tij.
Në Dibër, kam njohur edhe mjaft të rinj dibran, si Xhafer Kodra (më vonë ka qenë si përkthyes i Tempos, pas vitit 1948, Ministër në Maqedoni, më vonë i burgosur nga Jugosllavët, Met Kërliun (me duket me funksione në Maqedoni, e kam parë njëherë në shtator të 1949, në hotel “Moska”, Beograd dhe më tha që vazhdonte studimet aty), Azmi Muça, Jashar Hemija, Lutfi Rusi etj.
Me këta unë u miqësova dhe gjatë kohës që ndenja në qytet, jam shoqëruar me ta dhe kam zhvilluar propagande antifashiste. Kam ndigjuar që të gjithë këta, kanë qenë me Lëvizjen dhe njëkohësisht më vonë i kanë shërbyer Titizmit me besnikëri, në këtë kohë sigurisht sipas direktivave të Partisë, zhvillonim një propagandë të luftës së përbashkët me popujt jugosllavë, me ato ndjenja anti serbe, që kisha më parë (nga vuajtjet e mëparshme të Dibranëve e të familjes time), i lashë mënjanë, bile u flisja ashpër disa pjesëtarëve të fisit tim, që shfaqnin dyshime në këtë luftë të përbashkët. Në këtë mënyrë, fillova të simpatizoja Jugosllavët.
Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, unë, përveç personave dibranë që përshkrova më parë, të cilët i kam ri takuar në shtator -nëntor 1943, kur ne çliruam dhe e mbajtëm të tillë Dibrën e Madhe, kam takuar në prill-maj 1943, edhe Veli Devën, i cili kalonte transit nga Shqipëria, për në Kosovë. Me të kam qëndruar 4-5 ditë në një fshat, se isha i plagosur dhe nuk kam bërë ndonjë bisedë të veçantë, me përjashtim të atyre që bëheshin në çetën tonë nga partizanët.
Si lufta këtu, e në botë, etj., çështje të kohës, flitej mjaft për Kosovën, Dibrën etj, ose si do bëhet, por konkludohej që ne luftonim për një qëllim, prandaj nuk ishte problemi kohës. Gjatë luftës Nacionalçlirimtare, unë nuk jam shkëputur kurrë dhe nuk kam takuar persona të tjerë dhe as dibranë që banonin në Jugosllavi. Një natë (tetor 1943), ka qenë në shtëpinë time në Dibër, Miladin Popoviçi me sh. Haxhi.
Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, unë i kisha venë detyrë vetes, që vetëm të luftoja fashizmin për çlirimin e vendit, e di që nuk kam luftuar keq, por nuk isha në gjendje të parashikoja, se si do të ishte gjendje konkretisht pas lufte, sigurisht kisha besim në fitoren tonë, por çfarë do ta ndodhte, me fatet tona konkrete e të shtetit, marrëdhëniet tona me fqinjët e, interesat reciproke etj., unë nuk i kuptoja si dhe sa duhet.
Gjithashtu e kisha vendosur, se pavarësisht se unë kisha familjen dhe pasurinë në Dibër të Madhe, do të qëndroja në Shqipëri se isha shqiptar, këtu isha rritur dhe këtu kisha luftuar dhe më takonte ti shërbeja këtij vendi.
Kur ishim në Dibër në shtator-nëntor 1943, kisha ndigjuar për disa biseda që kishte bërë sh. Haxhi me Tempon në lidhje me marrëdhëniet, por neve nuk na u tha gjë me hollësi, ato i kam mësuar vetëm më vonë kur u shpallën këto çështje, kështu që unë nuk kam pas zhvilluar me asnjeri biseda të këtij karakteri dhe asnjë person nuk me ka folur mua çështje të tilla, unë kam vazhduar të bisedoja për interesa të përbashkëta, qëllim të njëjtë midis nesh dhe jugosllavëve. Memorie.al
Marrë nga radiandradi.com
Vijon numrin e ardhshëm