• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Monday, October 20, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Kur isha ministër i Brendshëm, ju bana thirrje me u bashkue, ta shpartallojshim komunizmin dhe po të kishit ndigjue ju të tjerët (me Mit’hat Frashërin në krye), jam i sigurt…”/ Letra e Kol Bib Mirakaj

“Ju të Ballit, i shpëtuet disa herë, Enverin e Mehmet Shehun, pa mbetë në duert e autoriteteve qeveritare, ose të vriteshin nga nacionalistë, siç ngjau…”/ Letra e Kol Bibës, për Abaz Ermenjin, në ’67-ën
“Koçi Topçe dhe Koçi Kolloquku, partizan të Brigadës së IV-të prej Korçe, n’oborr të shtëpisë, i kanë ra babës pesë herë pistoletë kresë…”/ Historia e dhimbshme e shërbyesit të Kol Bib Mirakajt
“Ju të Ballit, i shpëtuet disa herë, Enverin e Mehmet Shehun, pa mbetë në duert e autoriteteve qeveritare, ose të vriteshin nga nacionalistë, siç ngjau…”/ Letra e Kol Bibës, për Abaz Ermenjin, në ’67-ën
“Në Washington, mendonin se figura të tilla, mund të ishin; Kupi, nga zogistët, Dilo, nga ‘Balli Kombëtar’ ose Vërlaci, nga ‘Blloku Indipendent’…”/ Si dështuan përpjekjet për rrëzimin e Enver Hoxhës
“Ne të ‘Bllokut Kombëtar Indipendent’, nga Roma dërguam disa parashutistë në malet e Mirditës, por piloti Italian…”! / Intervista e Kapidanit të Oroshit, për gazetën ‘L’Albanie libre
“Me eliminu gjakderdhjen si në Rumani, më 24 dhetuer ’89, ‘Blloku Kombëtar Indipendet’, u mblodh urgjent në New York dhe vendosi që në Shqipni…”/ Dëshmia e studiuesit nga SHBA-ës

Nga Fritz Radovani

Pjesa e tretë

                                                          Vijon nga numri kaluar

                 DERI KUR N’SHËRBIM T’ANMIKUT?! PËRGJEGJET KOL MIRAKAJ

Gjithashtu mund të lexoni

“Kur policët godisnin me shkopinj nën e bir, vajza gjermane, Amri, tha; autoritetet shqiptare dënojnë keqtrajtimet gjatë luftës në kampet gjermane, kurse vetë…”! / Historia tragjike në kampin e Tepelenës

“Kadri Hazbiu na kërkoi helme me veprim të ngadaltë, se donte t’i përdorte kundër Leka Zogut, duke ia dhënë…”/ Zbulohet dokumenti i rrallë i Sigurimit, me raportin sekret të oficerit të Zbulimit në New York

                                          LETËR  E  HAPËT, Z. ABAZ ERMENIT

Nju Jork – Qershor 1967

Memorie.al / “…Besoj se shprehi ndjesitë e mbarë Popullit Shqiptar, se po të jetë që fqinjët tone, e kuptojnë nevojën e bashkëjetesës paqësore e bashkëpunimin legal të fqinjësisë së mirë, tue na kthye të Drejtat që na përkasin, Populli Shqiptar, dishron miqësi të sinqertë edhe me Grekët dhe me Sllavët e Ballkanit.”

Kolë Mirakaj (1967)

Veprimet dhe frytet e dy kolaboracionistëve, Na:

  1. Ndër ato rrethana që u përmendën e dihen, na vepruem me squtësi e guxim së bashku, tue vu shumherë në rrezik personalitetin tonë, e me kët mënyrë, shpëtuem figurën juridike të Shtetit Shqiptar, që të vazhdonte jetën (nobare formalisht) si Shtet sovran – monarkist.
  2. Patme Qeveri Shqiptare me Parlament, që vepronte në bazë të Statutit që Mbreti i Tij, Victor Emanueli (simbas traditës së Shtëpisë Savoia), ia dha Mbretnisë Shqiptare, siç ia kishte dhanë i ati, Mbretnisë Italiane, të bashkueme nën skiptrën e Tij.
  3. Ruejtëm të pacënueme Gjuhën Shqipe, jo vetëm në Parlament, po në të gjithë administratën e Mbretnisë dhe n’Arsim, që e përmirësueme me shtimin e shkollave, me programe kombëtare-edukative, me botime librash, që ma përpara mungojshin, sidomos për klasët e nalta të gjimnazeve, në Gjuhë Shqipe. Krijueme edhe Institutin e Naltë të Studimeve Shqiptare, drejtimi i të cilit, i kje besue mendjes së ndritun, të Mustafa Krujës.
  4. Sollëm përmirësim ekonomik, aq sa Shqipnia nuk e kishte pasë prej shumë e shumë kohe, sa që nga pikpamja ekonomike, Shqipnia kje ba si në ishull lumnije, në ngushtica që Lufta i kishte sjellë Europës mbarë, na kishim aq, sa kemi shpëtue edhe Greqinë pa vdekë urije!
  5. I Bashkueme Atdheut, tokët e robnueme, tue realizue të Drejtën ma të Shejtë të Kombit mbarë.
  6. Hapem Shkollën Shqipe në Kosovë e, të tjera Krahina të Lirueme, shkollë që përveç  përparimit e qytetnisë, ka ngjallë edhe ndërgjegjen e vetëdijen (koshjente) kombëtare, që nuk mund të shuhet kurrë ma!
  7. Hoqëm spatat e fashizmit në Flamur, tue e kthye në pastertinë origjinale.
  8. Nxorrëm mundësinë që pranë legatave e konsullatave italiane, ku Shqipnia kishte interesa, t’ishin aty diplomatë Shqiptarë, për të trajtue ata interesa.
  9. Arritëm të ndrrojmë (shkëmbejmë), Përfaqësi diplomatike edhe me Italinë, në rangun e Legatave, ku ishin akreditue; Ernest Koliqi, Perfaqësues i Shqipnisë, pranë Qeverisë Italiane, me cilësi Ministër Fuqiplotë; dhe Dr. Silenzi, Përfaqësues i Italisë, pranë Qeverisë Shqiptare, po me të njajtin Titull, si Koliqi.
  10. Kemi nxjerrë pëlqimin nga vetë Mussolini, me suprimue Partinë Fashiste Shqiptare, dhe me e zëvendsue me Lëvizjen: “Bij të Shqipes”.

Ju:

  1. Bashkëpunuet me ne, n’administratë shtetnore dhe në Partinë Fashiste Shqiptare, deri ditën që Mussolini kje arrestue në vilen private të Mbretit, me 25 Korrik 1943.
  2. Në të njajten kohë e, deri në Mbledhjen e Mukajëve, bashkëpunuet edhe me komunistë, tue u dhanë atyne prestigj nacional.
  3. Koha e faktet, treguen se për at lloj bashkëpunimi, që patët me agjentët e Aleatëve, nuk kishit asnji marrëveshje protokollare me Aleatët, për t’ardhmen e Shqipnisë, mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botnore, asnji plan veprimi, për ruejtjen e asaj që ishte fitue, nga kolaboracionizmi ynë, sidomos, fitimi që solli; Prilli fatbardhë i vitit 1941.
  4. Nuk ishit të zotët të mbanit nji qëndrim të caktuem e të përhershëm, siç e mbajtëm né, po njiherit, ishit me neve e me komunistë, me agjentët e Aleatëve, me Italinë e Gjermaninë. Ky sistem akrobacinash, u bani të humbni çdo konsideratë, nga të gjitha anët, sa që edhe vetë Aleatët erdhën në përfundim, që të përkrahin bandat komuniste, ma tepër se juve.
  5. Fryti i këtij lloji bashkëpunimi tuej e, sabotimi që i bajshit planit të tyne të mbrojtjes me aksione të pafrytëshme, solli realitetin tragjik, që po dërmishet Populli Shqiptar, tash 22 vjet.

Këta janë veprimet e faktet dishmuese, për të dy palët, të cilat kronika i ka rregjistrue e, që Historia ka për t’i gjykue! Prandej, z. Abaz Ermeni, as Ti, as unë, nuk kemi mandat, as nuk jemi të cilsuem, me gjykue njani tjetrin!

Megjithatë, unë personalisht, nuk mohoj atdhedashuninë tuej, as t’atyne që u ndjekin në mirëbesim. Por jam i bindun, se ju krenëve, ua ka terratisë arsyen e tha zemrat lakmia e Arrivizmës.

Si e keni guximin, para ndergjegjes suej, t’ua mohoni atdhedashuninë e patriotizmin Atyne, që këta virtyte, i kanë të zieme në furrën e therorivet eprore? Vetëm egoizmi i verbët, mund t’i përligjin vetes, nji qëndrim të tillë.

Apel Ndërgjegjeve të Pastërta

Megjithëqë, tash 22 vjet na keni sulmue paburrnisht me çdo lloj intrige e shpifje, na të Blokut Kombetar Indipendent, jemi prap gati për hirë t’Atdheut t’iu shtrijmë dorën lealisht edhe juve, pse dijmë që pa Bashkim të të gjithë Shqiptarëve nuk mund të bahet forca e nevojshme, dhe pa Vllaznim e therorina të përbashkëta, nuk mund të rindërtohet Shtet e Komb!

Po kje se udhëheqësit e Partisë Agrare Internacionale e Blertë nuk doni të hiqni dorë nga rruga që asht vetëm në dobi të regjimit gjaksuer komunist, atëherë u baj apel atyne burrave e sidomos djelmoçave që u kanë ndjekë në mirëbesim, të hulumtojnë ndërgjegjshmënisht me gjetë të vërtetën e dobisë kombëtare, të tërhiqen nga rruga e juej antikombëtare, nga verbënia e juej dhe të ktheheni në rrugën kombëtare, në rrugen e Vllaznimit Shqiptar!

Nuk i ftoj të hyjnë në rreshtat e B.K.I., ose të O.L.L., apo të ndonji grupit politik që nuk asht origjinalisht i tyne. I ftoj të kthehen në Ballin Kombëtar të vërtetë, që kërkon  bashkëpunim e vllaznim me të gjithë Shqiptarët, në Ballin që udhëhiqej nga zemrat patriotike si, Nuredin Vlora, Ali Klisyra, Koço Muka, Rasim Babameto, Kolë Tromara, Isuf Luzaj, etj.

Me këta Burra pata disa herë bashkëfjalime kur isha Ministër i Punëve të Mbrendshme, kur akoma ishim në gjendje po t’ishim të Bashkuem, ta shpartallojshim komunizmin, po të kishit ndigjue ju të tjerët (me Mit-hat Frashërin në krye), zanin e këshillat e Tyne, jam i sigurt edhe sot, se Shqipnia nuk do të kishte pësue fatin tragjik që pësoi.

Ata Burra e patën kuptue se të perçamë do të humbëshin të gjithë!

E patën kuptue se po të bashkoheshin forcat nacionaliste me forcat e qeverisë, edhe këta nacionale, jo vetem që do të zhdukshim rrezikun komunist në pak kohë, po të kishim kenë në gjendje me vu në veprim edhe Planin e Mbrojtjes që kishte qeveria, e që ua kishim tregue këtyne Burrave, e fort e mundëshme ishte që Shqipnia, nuk do të kishte pësue as tragjedinë bolshevike, as coptimin e dytë që pësoi.

Plani ynë i Mbrojtjes

  1. Me u armatosë sa ma tepër e me u organizue ushtarakisht, për me përballue me sukses luftën e vërtetë që parashihnim se do të shperthente kundër Shqipnisë nga ana e fqijëve, në rasë se ushtritë e Boshtit do të shtrëngoheshin me u tërhjekë nga Shqipnia, para mbarimit të Luftës.
  2. Me këte plan, ishte përfshi edhe mbrojtja e Kosovës me të tjerat Vise të lirueme me 1941, që prej Ulqinit deri në Rozhajë, që prej Tetove deri në Dibër
  3. Qeveria merrte përgjegjësinë e veprimit të këtij plani dhe të konseguencave personale ndaj Aleatëve.
  4. Kur vendi të okupohej i tani nga forcat Aleate, qeveria i dorëzonte pushtetin korrentit të mbajtun proaleat.
  5. Për të mbajtë kët korrent proaleat, mendojshim se disa personalitete nacionaliste të deklaroheshin me propagandë përkrahës të kauzes Aleate, por jo, me ba aksione sa me pengue armatimin e planit të tyne. Gjithshka duhej ba në marrëveshje konfidenciale dhe me pëlqimin e qeverisë.

Se çfarë fryti do t’epte ky plan, provën e kemi pasë në qëndresën që bane kosovarët, tue pasë përkrah vetëm nji regjiment të vogël ushtrije të rregullt të komanduem nga Heroi kolonel Fuat Xhaferaj Dibra, që jo vetëm ndaloi sulmet e gjithanëshme t’anmikut, po edhe shpartalloi dy divizione bullgare, tue u marrë edhe topat e që ajo rezistencë u shue vetëm me tradhëti të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, që dërguen divizionet e tyne, tue i gënjye kosovarët, se ata do të mbeteshin me Shqipni, kështu, mbasi i çarmatosi me besë edhe i masakroi, ua dorzoi ato Tokë Ilirjane – Dardane, Jugosllavisë.

Merret me mend se mbrojtja simbas planit tonë me 200.000 luftarë, do t’ishte e pathyeshme nga askush derisa t’arrinin ushtritë anglo-amerikane, e merret me mend se tue pasë gjetë ato Tokë në dorë të nji ushtrije kombëtare antikomuniste, e vendosun  me vdekë para se me i lëshue në dorë t’anmikut, se çeshtjen kuptohet se e kishim të fitueme 90%, që mund të zgjidhej paqësisht me Jugosllavinë, me nji plebishit nën kontrollin e Aleatëve.

Kushtet për realizimin e planit

  1. Zhdukja e bandave komuniste, kolonë e pestë e sllavizmit, për t’mos i pasë thikë mbas shpine.
  2. Organizimi e armatimi i Dyqindmijë Luftarëve që Shqipnia bashkë me Tokat e Lirueme, i nxirrte nga klasat ushtarake të zgjedhuna. Nji forcë e tillë, do të ishte e mjaftueshme për të mbrojtë kufijtë në Veri, Lindje e Jug, derisa t’arrijshin ushtritë anglo-amerikane, me që ishte parashikue (siç ngjau) se forcat jugosllave në shumicen e tyne, do t’ishin t’okupueme me ushtritë gjermane në tërheqje nëpër Jugosllavi.
  3. Për armatim e ndihmë organizimi, kishim premtim solemn nga Mussolini, jo vetëm me na dhanë të gjithë armatimin e nevojshëm, po edhe me na lanë teknikët që do të na nevojiteshin për armët ajrore e artilerinë e randë etj. Po na duhet t’epshim proven se n’asnji rasë ato armë nuk do të ktheheshin kundër ushtrisë italiane.

Marrëveshjen për Planin e Mbrojtjes, e pata përfundue unë me Mussolinin, n’audjencën që pata me Duce-n të Premten e Madhe të vitit 1943, në prani të katër kolegëve të mij Shqiptarë, ndër të cilët Hilmi Leka, Hysref Frashëri, Vasil Alarupi, dhe (kujtoj) edhe nji që në këte rasë nuk më kujtohet emni. Ishte pranë edhe shefi i kabinetit të Duce-s, pranë Ministrisë së P. Jashtëme, ambasadori Babuscio Rizzo. Kët takim e di në hollësi edhe Profesor Namik Ressuli, të cilit, si shok që e kishim, ia tregueme po at ditë.

Për të fillue vumjen në veprim të planit të Mbrojtjes, u vendos n’at takim rekrutimi i njizetë batalioneve shetitës, si hap i parë me uniformë të gjendarmerisë Shqiptare dhe me nji shej të ri dallues që do t’ishte distiktivi  i “Bijëve të Shqipes”. Me këta batalione do të bahej spastrimi i bandave komuniste. Këta batalione do të liroheshin t’armatosun e me divizat ushtarake, mbas gjashtë muej shërbimi, që kështu t’ishin të gatshëm për çdo rast nevoje.

Prap do të zevëndsoheshin me njizetë batalione tjerë e kështu me rradhë, derisa të plotsohej numuri i parashikuem prej 200.000 vetësh.

N’at audjencë Mussolini pranoi përfundimisht edhe kërkesën e bame me kohë nga Mustafa Kruja e të tjerë (që kemi përmendë) për suprimimin e P.F.SH., dhe zëvendsimin e sajë me “Lëvizja e Bijëve të Shqipes”.

Kët emen të Lëvizjes së Ré thjesht Shqiptare e propozova unë n’at audjencë dhe Mussolini komentoi: “Il Movimento degli aquilloti, un nome degno per i figli del aquilla di Skanderbeg!”.

Faktorët e dështimit

  1. Unë si Minister i Punëve të Mbrendëshme, isha i ngarkuem që ta vijë në veprim Planin e Mbrojtjes. Nji dekret i Mëkambësit të Mbretit (gjeneral Pariani), më autorizonte me zgjedhë oficerat nga çdo armë si dhe civila, e me i gradue e emnue deri në graden e nënkolonelit.

U sabotova nga të gjitha anët, jo vetëm nga t’ashtuquejtunit kundërshtarë të regjimit, po edhe nga vetë personalitetet që ishin të regjimit. Nuk di a asht e vërtetë, por lexohet në procesin që u pat dënue nji grup personalitetesh, se i ndjemi Hilmi Leka kishte deklarue n’atë proces se kryesisht ai me Ekrem Libohoven, kishin sabotue tek Mëkambësi i Mbretit planin tim, të rekrutimit të njizet batalioneve që u sipërpërmendën.

  1. Vazhdimi i bashkëpunimit të Ballit Kombëtar e i Abaz Kupit me komunistë, me aksionet e tyne, e vinin në dyshim Mëkambësin e Mbretit, se mos edhe nga ata batalione mund t’u dilte kush nga rradhët për të kalue në rradhët kundërshtare.
  2. Arrestimi i Mussolinit me 25 korrik 1943, i pamundun të parashihej, kje shkaku kryesor i falimentimit. Megjithë ato sabotime, pata arrijtë që në qershor të regjistroj dymbëdhjetmijë vetë të inkuadruem në 20 batalione nga mosha 21 – 35 vjeçare, bashkë me kuadrot e tyne, dhe pata emnue Komandant të Pergjithshem të tyne kolonel Bilal Nivicën.

Pritshim armët tjera dhe të tjera paisje për thirrje, që Mëkambësi i Mbretit i sugjestionuem nga sabotuesit akoma nuk i kërkonte.

Nga gjysma e korrikut, mbas nji arsyetimi që i bana Mëkambësit, e vuna para dilemës: O me kërkue armatimin dhe çka ishte e nevojshme, o me pranue dorëhjekjen time. Më premtoi se deri me 15 gusht, do të më ishte dorëzue gjithçka, dhe do të më jepej autorizimi me thirrë edhe njerzit nën armë. Si u pa, Mussolini u arrestue. Italia ndrroi fletë e me 8 Shtator 1943 kapituloi. Memorie.al

                                                  Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Konsulli austriak në Shkodër, i tha Preng Bib Dodës, se; përfaqësuesit e Austrisë dhe Francës, kanë folur në favor të autonomisë së fisit të tij...”/ Libri i ri i studiuesit të njohur, Dr. Nikoll Loka

Next Post

Kalendari Historik 22 Qershor 2023

Artikuj të ngjashëm

“Kur policët godisnin me shkopinj nën e bir, vajza gjermane, Amri, tha; autoritetet shqiptare dënojnë keqtrajtimet gjatë luftës në kampet gjermane, kurse vetë…”! / Historia tragjike në kampin e Tepelenës
Dossier

“Kur policët godisnin me shkopinj nën e bir, vajza gjermane, Amri, tha; autoritetet shqiptare dënojnë keqtrajtimet gjatë luftës në kampet gjermane, kurse vetë…”! / Historia tragjike në kampin e Tepelenës

October 20, 2025
“Kadri Hazbiu na kërkoi helme me veprim të ngadaltë, se donte t’i përdorte kundër Leka Zogut, duke ia dhënë…”/ Zbulohet dokumenti i rrallë i Sigurimit, me raportin sekret të oficerit të Zbulimit në New York
Dossier

“Kadri Hazbiu na kërkoi helme me veprim të ngadaltë, se donte t’i përdorte kundër Leka Zogut, duke ia dhënë…”/ Zbulohet dokumenti i rrallë i Sigurimit, me raportin sekret të oficerit të Zbulimit në New York

October 20, 2025
“Kur Nezir Muzhaqi, u informua për plaçkitjen e fshatit Polis nga Brigada e Parë, u del para në Qafë Dardhë dhe i thotë Mehmet Shehut…”/ Ana e panjohur e “Luftës Nacionalçlirimtare” në Librazhd
Dossier

“Kur Nezir Muzhaqi, u informua për plaçkitjen e fshatit Polis nga Brigada e Parë, u del para në Qafë Dardhë dhe i thotë Mehmet Shehut…”/ Ana e panjohur e “Luftës Nacionalçlirimtare” në Librazhd

October 19, 2025
“Burrat me pamje të vrazhdë, shikojnë një djalosh me zinxhir floriri të trashë në qafë me ‘BMW’, simbol i ‘lumit’ të parave, që i tërheqin nga Western Union…”/ Reportazhi i panjohur për Beratin, i gazetarit nga SHBA-ës
Dossier

“Burrat me pamje të vrazhdë, shikojnë një djalosh me zinxhir floriri të trashë në qafë me ‘BMW’, simbol i ‘lumit’ të parave, që i tërheqin nga Western Union…”/ Reportazhi i panjohur për Beratin, i gazetarit nga SHBA-ës

October 18, 2025
“Pasi Nako Spiro ndodhej në Moskë, Lef Nosin e çuam për ta fshehur te nipi i një miku të tij, personalitet i shquar, por ai, e dorëzoi te Sigurimi…”/ Kujtimet e hebreut, Marko Menahem
Dossier

“Kur Sigurimi i Shtetit, nga fundi i 1960-ës, kapi në postën e Librazhdit, dy letra të dërguara Mefailit nga Rusia, prej miqve izraelitë që kishte mbajtur dikur në shtëpi, ai u tha…”/ Historia e panjohur e familjes Biçaku

October 20, 2025
“Si e varën në litar, Nezir Muzhaqin, komandantin e ‘Ballit Kombëtar’ për Elbasanin, me vendimin e Gjykatës së Lartë Ushtarake, pasi…”/ Ish-i dënuari politik, publikon dokumentin
Dossier

“Anëtar i Rinisë së Ballit, i ati milic e spiun i SIM-it, dy dajo komandantë Balli…”/ Dokumenti sekret i Sigurimit, për ballistin që hetoi Koci Xoxen, Dali Ndreun, Teme Sejkon, “sabotatorët e naftës”, etj.!

October 18, 2025
Next Post
Kalendari Historik 01 Qershor 2023

Kalendari Historik 22 Qershor 2023

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme