Nga Ali Buzra
Pjesa e njëzetë
-JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE –
(VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)
Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.
Bedri Kaza
Për fatin e keq, në kohën e demokracisë pas viteve ’90-të, disa persona me prirje hakmarrëse, arritën të kenë karrierë, duke bërë që sistemi i ri t’i ngjante të vjetrit. Shefqet Dobra ishte dhe mbeti burrë dinjitoz, me tiparet e një malësori të urtë, trim e krenar. Ai, tashmë në moshën 50 vjeç, nuk u përpoq për të bërë karrierë ushtarake, por punoi në administratën shtetërore. Fëmijët u rritën e i martoi. Ata sot janë shumë mirë. Dy djemtë e tij dhe njëra vajzë, kanë emigruar në Itali dhe atje banojnë familjarisht. Vajza tjetër ndodhet në Belgjikë. Shefqeti, bëri përpjekje për t’u lidhur me të atin, por nuk u bë e mundur.
Nga kontakti me një person të ardhur nga Amerika, u konfirmua se babai i tij, pas përmbysjes së sistemit komunist, ka kërkuar të dijë mbi gjendjen e fëmijëve të tij në Shqipëri. Ka pyetur në postën e Librazhdit me telefon, por ka marrë përgjigje, se personat që ai kërkon, nuk janë në Librazhd. Ai, është shprehur se kërkon të dijë në janë gjallë, apo i kanë vrarë. Në moshë të thyer mbi 90 vjeç, dhe me identitet të ndryshuar, ai nuk mundi të lidhet me fëmijët. Në vitin 2002, me gjithë përpjekjet e bëra, Shefqetit nuk iu dha viza për në Amerikë, mbasi ishin bërë gabime nga përkthyesja në dokumentacion, në lidhje me vitin e arratisjes së Islamit, si dhe të lindjes së Shefqetit.
Më vonë, mori konfirmimin e Xhelal Çelës, nga Ngurëza, që banonte në Çikago, se Islami kishte ndërruar jetë, në moshën mbi 100 vjeç. Kështu, Shefqeti, nuk mundi të takohej me babanë e tij. Ata, i ndau shteti, që kur ishte 2-3 vjeçar. Ai vetëm e përfytyron të atin, nga tregimet e nënës së tij, si dhe nëpërmjet fotove, por nuk arriti kurrë, ta njohë e të bisedojë me të. Kjo ka qenë dhe mbetet brenga e përhershme e tij. Gruaja e tij, Bukuria, pas një sëmundje të rëndë që nga viti 2011, ndërroi jetë në vitin 2016. Kjo qe një goditje tjetër e rëndë për të.
Shefqet Dobra, i përvuajturi që foshnjë, në kampet makabre të diktaturës, i dënuar politik në moshë të re, kur duhet të gëzonte jetën, kalon sot vitet e pleqërisë, me djemtë e vajzat e tij, si dhe me nipërit e mbesat, në Itali. Ai shkon shpesh edhe te vajza e tij në Belgjikë, ku takon edhe pasardhësit e miqve të shumtë të babait të tij, Islamit, si dhe bashkëfshatarë nga Letmi, prindërit dhe gjyshërit e të cilëve, janë arratisur shumë vite më parë. Historia e dhimbshme e familjes së Islam Dobrës, përbën një nga episodet tragjike, të shumë familjeve shqiptare, që janë pjesë e krimeve monstruoze të komunizmit gjysmëshekullor në Shqipëri.
Sali Burufi, ishte i biri i Tahir Burufit nga fshati Letëm. Ashtu si dhe mjaft bashkëmoshatarë të tij, Saliu mori arsimim fetar në fshat, ndërkohë mësoi edhe të lexojë e të shkruajë shqip. Nuk ka të dhëna të sakta se ku e kryen arsimin e detyruar fillor, por të afërmit rrëfejnë se ai ka mbaruar edhe shkollën e mesme në Tiranë. Në kohën e Zogut, ai mobilizohet ushtar. Aty bien në sy aftësitë e tij që e dallojnë nga të tjerët. Me interesimin e komandës, Ministria e Mbrojtjes së kohës, i mundëson një të drejtë studimi për në Itali. Mbasi kryen studimet në Parma të Italisë, ku dhe u diplomua, kthehet në Shqipëri dhe emërohet njëherazi oficer xhandarmërie.
Ka shërbyer në këtë detyrë për disa vite në zonën e Krujës. Shumë vite më vonë, disa të moshuar krutanë, në kontakt me fshatarë nga Letmi, kanë dhënë përshtypje të jashtëzakonshme për sjelljen e tij atje. Në kohën e luftës ai nuk u aktivizua me ‘Ballin Kombëtar’ dhe forcat e tjera nacionaliste, por qëndroi pranë familjes. Kjo ishte dhe dëshira e Azis Biçakut, i cili ishte shprehur se sido që të vinte puna, Saliu si një person i shkolluar dhe i papërfshirë me politikën e kohës, të qëndronte në krye dhe në mbrojtje të interesave të fshatit. Por një gjë e tillë nuk ndodhi.
Komandat partizane nuk do të anashkalonin e të linin pa ndëshkuar ish-oficerin e Mbretërisë Shqiptare, i cili në fakt kishte qenë shumë i kujdesshëm e, nuk kishte kryer asnjë veprim që të binte ndesh me Frontin Nacional-Çlirimtar. Megjithatë ata fillimisht e aktivizojnë duke e vendosur Kryetar të Këshillit Nacional-Çlirimtar në fshat, ndërkohë survejohej në mënyrë të vazhdueshme. Shumë shpejt preteksti u gjet, kur njërit prej djemve të fisit Dobra, iu gjet një letër, të cilën e kishte nisur Sali Burufi, për Islam Dobrën. Thuhet se në të Saliu i shkruante Islamit, që të bënte kujdes se në fshat kishte forca ushtarake.
Gjithsesi, kjo mbetet enigmë, mbasi mund të ketë qenë e kurdisur, pra e organizuar, me qëllim që të futej në kurth. Letra edhe mund t’i jetë vënë në xhep personit në një moment shkujdesje. E arrestojnë menjëherë. Gjatë kontrollit të banesës, iu gjet një fotografi dalë me Islam Dobrën, nga jeta ushtarake. Kjo i forcoi edhe më shumë dyshimet për të, ndërkohë përbënte edhe pretekst për ta eliminuar. Pasi e torturuan e nisën për në Librazhd dhe prej andej në Elbasan. Në qelitë e burgut, ndërroi jetë nën tortura nga më çnjerëzoret, Sali Burufi, djaloshi fisnik dhe inteligjent i fshatit Letëm. Ai la pesë fëmijë, katër vajza dhe një djalë, Tahirin të mitur.
ISAK ALLA, HEROI I SHPELLAVE TË LIBRAZHDIT
Fshati Zgosht, ndodhet 9 km. në veri të qytetit Librazhd. Ai shtrihet mbi disa kodrina në të dy anët e rrugës automobilistike Librazhd-Dibër. I veshur nga të gjitha anët me pyll dushku, fshati ka kullotë të mirë për mbarë-shtrimin e blegtorisë së imët, veçanërisht për dhitë. Por Zgoshti tradicionalisht ka mbajtur edhe delet, për të cilat ka kullota malore. Mali i Zgoshtit, i ndodhur mbi fshatin Qarrishtë, është ndër më më të mirët për kullotat alpine verore. Në Zgosht banojnë disa fise të cilat historikisht kanë punuar e jetuar së bashku në mirëkuptim, ndërkohë në bashkëpunim me Letmin, ata kanë punuar për ndërtimin e kanaleve vaditëse, duke siguruar mundësi të mira për kultivimin e kulturave bujqësore.
Kështu, shumë herët, së bashku, kanë ndërtuar kanalin e marrë në burimet e Kusarit, 40 km. të gjatë, me të cilin kanë siguruar mjaftueshëm ujin e vaditjes, për të dy fshatrat. Me shtimin e sipërfaqes së tokës së punueshme, aty rreth viteve ‘30 të shekullit XIX-të, ata ndërtuan kanalin tjetër 13 km. të gjatë, të marrë në vendin e quajtur, Gurra e Karajt, në fshatin Kosharisht, me të cilin kanë siguruar ujë të bollshëm për vaditje. Tradicionalisht, fiset në fshatin Zgosht kanë qenë kompakt në vendimet e marra për probleme të ndryshme, si dhe në marrëdhëniet me fshatrat e tjerë përreth.
Një historik i shkurtër i fisit dhe emrat më të spikatur të tij
Një ndër fiset që ka bërë emër dhe histori në Zgosht, është ai i Allajve. Para shpalljes së Pavarësisë, aty rreth viteve 1880-‘90, në kodrinën mbi vendin e quajtur Qafë- Drizë, ishin dy kulla të Allës, në të cilat jetonin nga tre vëllezër me familjet e tyre. Në njërën kullë jetonte Fez Alla i vjetër, me dy vëllezërit, Destanin e Jonuzin, ndërsa në tjetrën, Selman Alla me dy vëllezërit, Avdiun e Limanin. Ky i fundit shpërngulet në Dorëz, ku ata kishin tokat e tyre, pasardhësit e të cilit jetojnë aty, edhe sot. Familjet e Allajve për kohën, jetonin mirë.
Ata ishin njerëz punëtorë e merreshin me bujqësi e blegtori. Punonin vetë burrat dhe gratë e shtëpisë, njëkohësisht mbanin edhe hyzmeqar. Në këto rrethana me një ekonomi të stabilizuar e me autoritet në fshat e krahinë, Feza Alla i vjetër, thërritej “Pashë”, ndërsa kushëriri i tij i parë, në kullën tjetër, Selmani, thërritej “Aga”. Emërtimet “Fez Pasha” dhe “Selman Aga”, janë përdorur deri sa ata qenë gjallë. Familjet e tyre, mundet aty rreth vitit 1900, hynë në konflikt me administratën e shtetit turk.
Edhe më herët burrat e familjes Alla, shpesh bënin jetën e kaçakut, si rezultat i kundërshtimit për pagimin e taksave, si dhe të detyrimit ushtarak në shërbim të shtetit osman. Flitet se një njësi ushtarake turke, me afro 200 forca, rrethojnë shtëpitë e tyre. Duke përfituar nga errësira si dhe nga epërsia e forcave, ata mundën të marrin kullat, ndërsa burrat e rritur të familjeve mundën të dalin nga rrethimi. Gratë dhe fëmijët ende ndodheshin në banesë. Komandanti i forcave ushtarake, lejon gratë e familjeve për të ndërmjetësuar me burrat, për t’u dorëzuar. Thuhet se gratë, kur dolën nga shtëpitë u çuan burrave municionin tjetër, që mbahej në shtëpi.
Ata jo vetëm nuk pranuan të dorëzohen, por u përgjigjen me të shtëna armësh forcave të ushtrisë, që ndodheshin brenda e jashtë kullave. Burrat e allajve i bëjnë thirrje komandantit të ushtarëve turq, i cili sipas të dhënave gojore, quhej Maliq Caushi, që të lironte kullat. Në këtë natë të errët, Feza thërret nga pozicioni ku ndodhej: “Mos cënoni robt e shtëpisë, se askush nuk del i gjallë! Të rrethuar jeni ju, e jo ne…”! Për afro 24 orë, përballë qëndresës së paparashikuar, e të sulmit të allajve mbi kullat e veta, komandanti kërkon marrëveshje.
Thuhet se me ndërhyrjen e Beqir Hoxhës nga fshati Dorëz, u bë e mundur të ndalohej konflikti. Sipas marrëveshjes, ushtarët dhe komandanti i tyre, u larguan me gjithë armatim. Ngjarja bëri jehonë në të gjithë krahinën, ndërkohë “Fez Pasha” e “Selman Aga”, bashkë me vëllezërit, mbetën legjendë në kujtesën e familjes, të fshatit Zgosht, e më gjerë. Në këtë mjedis familjar, me histori e tradita trimërie, patriotike e liridashëse u rritën djemtë e rinj, Nazifi, Zeqi, Isaku, Hamiti, Halili, Jakupi, Kamberi, Xheladini etj.
Krijimi i çetës nacionaliste në mbrojtje të fshatit nga reprezaljet e luftës
Në fund të periudhës së Mbretit Zog e në fillimet e pushtimit fashist, figura kryesore e fisit Alla, si dhe e të gjithë fshatit Zgosht, ishte djali i Selman Agës, Isak Alla. Ai ishte nip te fisi Hunçi, në Arrëz të Gizaveshit. “Nëna e tij, e cila thërritej Gizaveshja, – dëshmon, Fez Alla i ri, – ishte një grua zonjë, zemërbardhë e shumë dorë-dhënëse”. Isaku, që në moshë të re, ishte pjesëmarrës në kuvende të fshatit e në krahinë. Ai dallohej për besë e trimëri, si dhe si gjyq-ndarës i drejtë e i paanshëm. Ka qenë pjesëmarrës në zgjidhjen e konfliktit për malin, me Steblevën, ku thuhet se fjala e tij, është pranuar edhe nga pala kundërshtare. Në vitin 1933, megjithëse në moshë të re, Isaku u mor me zgjidhjen e konfliktit që lindi mes fshatrave Dorëz e Gizavesh nga njëra anë dhe Letëm e Zgosht, nga ana tjetër, për nxjerrjen e Kanalit, që do të merrej te Gurra e Karait. Për këtë, me iniciativën e tij u thërritën kryepleqtë e disa fshatrave të zonës, me qëllimin e zgjidhjes së konfliktit pa probleme.
Nga dëshmitë e të moshuarve rezulton se mosmarrëveshja u zgjidh sipas fjalës së kryeplakut të Prevallit, Hasan Musta (Troshku). Thuhet, se ky i fundit ishte burrë i urtë, i matur, dhe orator i zoti. Hasan Musta, rezulton të ketë marrë pjesë në disa kuvende, për zgjidhjen e konflikteve të ndryshme. Po, cila qe fjala përfundimtare e kryeplakut të Prevallit për të pranishmit, që bëri të mundur ndarjen e gjyqit? Meqenëse gurrat ku do të merrej uji buronin në territorin shkëmbor të fshatit Letëm, Hasan Musta, u thotë pjesëmarrësve në kuvend: “Nuk ka mundësi, që lopa të ushqehet në Letëm, e qumështin ta marrë Dorëzi”. Me këtë fjalë u mbyll kuvendi e kështu, te gurrat mori ujin Zgoshti e Letmi, ndërsa më poshtë morën dy fshatrat e tjerë. Kështu është edhe sot kjo ndarje, e cila është vendosur në vitet ’30-të të shekullit XX-të. Ashtu si dhe në fshatra të tjerë në zonë, edhe në Zgosht, pas pushtimit fashist të vendit, u krijua çeta me qëllim vetëmbrojtje në krye të së cilës u vu Isak Alla.
Sipas të dhënave gojore, ajo numëronte rreth 50-60 burra të armatosur, të cilët mblidheshin kur u bënte thirrje drejtuesi i saj. Duke qenë drejtues i çetës, si edhe person me mjaft influencë, Isak Alla thërritet për bisedime nga përfaqësues të Qarkorit të Partisë Komuniste, në shtëpinë e Miftar Hoxhës në Mirakë. Aty i kërkohet që të bashkohet me lëvizjen komuniste e të bëhet pjesë e saj, bashkë me çetën e tij. Ai nuk pranon të bashkëpunojë me komunistët, e më pas bashkë me çetën e tij inkuadrohet me organizatën e ‘Ballit Kombëtar’. Në vitet e pushtimit Italian, Isaku, mban lidhje me këta të fundit, punëson njerëz, e u kërkon që të mos cënohej fshati i tij, ndërsa nuk merr pjesë në asnjë luftim, e nuk ndihmon në asnjë rast forcat italiane të pushtimit. Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, me acarimin e situatës mes forcave politike në Shqipëri, si dhe pas ardhjes gjermanëve, ai hyn në lidhje me qeverinë e Regjencës të Rexhep Mitrovicës, figurë e njohur nga Kosova.
Ndërkohë merr pjesë në një takim në Orenjë me përfaqësues të Frontit Nacional-Çlirimtar. Kjo tregon se ai ishte i prirur për marrëveshje e bisedime. Aty i kërkohet përsëri të bashkohet me ta, e të luftohet kundër gjermanëve. Nga të moshuarit thuhet, se në vija të përgjithshme, përgjigjet e tij ishin: “Ju jeni të lidhur me Jugosllavët, gjermani kërkon një rrugë-kalim, e nuk do të qëndrojë këtu. Partinë tuaj nuk e njoh, por edhe besim nuk kam. I rëndësishëm për mua është fshati. Po të bashkohemi me ju, fshati im, që ndodhet në buzë rruge, do të digjet, e ne më mirë po shohim punën tonë. Mos na bini më qafë, se po na ratë, do djegim veten edhe ju”! Nga sa thuhet, Azis Biçaku e Isak Alla, kishin miqësi me Beg Ballën.
Ata u prishën me të, dhe me Kostenjën, sepse me urdhër nga shtabi partizan, u tentua të shkatërrohet ura në Lunik, ku do të kalonin gjermanët. “Nuk digji ju, – i thonë ata Beg Ballës, – por digjet Zgoshti e Letmi, që janë në anë të rrugës”.
Çeta e Zgoshtit e udhëhequr nga Isak Alla, vepronte në bashkëpunim me atë të Letmit, të udhëhequr nga Azis Biçaku. Nga fundi i vitit 1943, e gjatë vitit 1944, kur lufta mes forcave partizane e atyre nacionaliste, u acarua në shkallë vendi, ashtu siç e kam trajtuar edhe më lart, çeta e Zgoshtit dhe ajo Letmit, kanë lëvizur në zona të ndryshme, jo vetëm aty ku mbështetej Lëvizja Nacional-Çlirimtare, por edhe në zonat, që ishin mbështetëse te forcave nacionaliste. Të dy drejtuesit nacionalistë, Isak Alla e Azis Biçaku, janë përpjekur të evitojnë përplasje të armatosura me forcat partizane, me përjashtim të rastit të Kostenjës, ndaj drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm, si dhe të Qafë Drizës, ndaj Brigadës së Dytë Partizane. Të dy këto raste, i kam trajtuar më lart.
Në Kostenjë forcat e ‘Ballit’, ishin në ndjekje të Shtabit të Përgjithshëm, ku rastësisht u kap gjenerali anglez Deivis, ndërsa në Qafë Drizë, çetat e ‘Ballit’ u mbrojtën nga sulmi i Brigadës së Dytë partizane, e cila kishte marrë urdhër të sulmonte fshatrat Zgosht e Letëm. Qerim Shpata, nga Zgoshti, ka shoqëruar Isuf Biçakun, i cili u kthye nga Belgjika pas rënies së regjimit. Në kodrinat e Qafë Drizës mbi Rrapun, Isufi, i kërkon Qerimit të ndalojë, e me këtë rast i rrëfen ngjarjen. “Babai, – tregon ai për Azisin, – ishte duke dredhur një cigare ulur mbi një gur. Kamberi bënte roje përtej dhe vrojtonte. Dihej se Brigada partizane ishte në Çermenikë, e kish vepruar në Funarës. Në këto rrethana, Isaku dhe Azisi i kishin mbledhur çetat për të qenë në gatishmëri, nga ndonjë sulm i mundshëm. Një ditë më parë, Azisi ishte pozicionuar te Guri i Prasit (Lunik), ndërsa atë ditë afrohet në Zgosht.
Në momentin që Azisi ishte duke dredhur cigaren, vjen rrëmbimthi Kamberi, vëllai i Isakut, e i thotë: – Jemi të rrethu. Azisi e mbyll kutinë, u thërret luftëtarëve e niset poshtë drejt Zallit të Rrapunit, për të marrë krahët. Ndërkohë drejt rrugës automobilistike niset një autoblindë me mitraloz, të cilën partizanët e dispononin. Siç duket u ishte marrë forcave fashiste gjatë luftimeve. Kamberi, që dallohej për guxim në luftime, me një shpejtësi të paparë hidhet mbi të, e kap drejtuesin e mjetit, duke e nxjerrë nga vendi, dhe e hedh në tokë, por nuk e vret. Autoblinda ikën disa metra dhe fiket. Pas autoblindës, ishin forcat këmbësore që përparonin në anë të rrugës dhe drejt kodrinës, në të dy anët e saj. Isaku ndërmerr sulmin me forcat e veta ballë për ballë tyre. Mbas disa orë luftimesh, siç e kemi përmendur edhe më lart, njësia partizane u shpartallua, pothuaj plotësisht. / Memorie.al