Nga Sokrat Shyti
Pjesa e dymbëdhjetë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Sapo kishin dalë në qarkullim botimet me ilustrime fantastike të piktorëve më të famshëm rusë: Mbreti i portretit, Rrjepin. Mjeshtri i kompozimit, Ivanovi. Poeti i pyllit, Shishkini. Poseidoni i detit, Ajvazovskij. I thashë me mirësjellje shitëses; “je grua e mrekullueshme, nëse mund t’iu hedh një sy këtyre librave kaq të mirë. Ajo buzëqeshi e kënaqur për këtë kërkesë, dhe doli nga banaku, më uli pranë një tryeze, e më pyeti: “me cilin nga këta piktorët gjenialë do ta filloni shikimin”?
– “Koha e shkurtër e qëndrimit, nuk më jep mundësi të vëzhgoj tablotë me detaje”, – ia ktheva unë me druajtje.
– “Këta piktorë janë kaq të mëdhenj, sa na duket çudi si kanë mundur të hedhin në telajo me mjeshtri të përsosur, ngjarjet më tronditëse të kohës! Tabloja ‘Ivani i tmerrshëm’ me trupin pa jetë të djalit, të cilit vetë ia ka ngulur shtizën në tëmth, nga frika mos i rrëmben pushtetin, portreti i tij i llahtarisur deri në çmenduri, më rrëqeth kur e përfytyroj! Rrjepin është një Shekspir i tragjedisë në pikturë”!
– “Në cilën shkollë i kryeni studimet”? – pyeti ajo me interesim. – Ata të Liceut Artistik, në degën e Arteve Figurative, i njoh të gjithë, pasi vazhdimisht vijnë këtu”.
– “Jam gjimnazist. Por në familjen time, vëllai i dytë është drejt përfundimit të Liceut Artistik. Ju me siguri duhet ta njihni…”, – shtova duke i treguar emrin.
– “Sigurisht e njoh, – ma ktheu ajo. – Më i zhurmshmi nga të gjithë shokët! – tha duke qeshur. – Ata vijnë shpesh në librari. Janë blerësit më të rregullt. I bëjnë porositë një muaj para se të sjellin furnizimin”.
– “Po paratë ku i gjejnë”? – e pyeta unë me kureshtje.
– “Bashkëpunojnë me revistat, bëjnë ilustrime. Në ndonjë rast thërriten nga piktorët e njohur, si ndihmës, kur tabloja ka përmasa të mëdha dhe duhet të paraqitet në ekspozitën kombëtare ditën e caktuar. Po ju në ç’drejtim e keni prirjen artistike”? – shtoi ajo me buzëqeshje.
– “Në atë të artit skenik…”.
– “Si vëllai juaj i madh”?! – plotësoi ajo.
– “Megjithatë e ndjej se në të ardhmen, më shumë do më tërheq letërsia”! – theksova unë.
– “Atëhere plotësohet trashëgimia gjenetike tek tre vëllezërit: I madhi, artist i skenës. I dyti – piktor dhe skulptor. I treti, shkrimtar”.
– “Për mua është shpejt të jepet përcaktimi, pasi jetës nuk i dihet, – ndërhyra unë. – Ndërsa dy vëllezërit e mi, e kanë saktësuar të ardhmen e tyre, i kanë dhënë provat dhe e dinë në cilat fusha do punojnë, unë akoma se them dot, ç’drejtim do marrë rrjedha ime pas mbarimit të gjimnazit, duke patur parasysh hapësirën e gjerë të mundësive që të jep kjo shkollë”.
– “Synimi dhe dëshira për t’u bërë shkrimtar, nuk janë në vartësi të degës së studimit, por të prirjes dhe vullnetit, sa do t’i përkushtohesh. Sepse letërsia ka vetëm një mjet artistik, fjalën, e cila duket si diçka fare e rëndomtë, krahasuar me ngjyrat në pikturë dhe notat në muzikë. Vetëm kush ka aftësi ta përdor fjalën për të krijuar ngjarje tronditëse dhe personazhe bindëse jetësore, i takon të quhet shkrimtar”, – theksoi ajo duke shkuar tek banaku. – “Do t’i them piktorit të familjes, se erdhi këtu vëllai i vogël, para se të nisej për në Shkodër dhe u interesua për veprat e artit figurativ. Sigurisht do shtoj dhe përshtypjen time: përsa i përket paraqitjes së jashtme dhe të folurit, s’keni asgjë të përbashkët me njëri-tjetrin”.
– “Këtë të fundit mos ia vini në dukje, sepse nxehet! – iu luta unë. – Del sikur jam ankuar dhe po i tërhiqni vërejtje. Ju me siguri ia njihni tipin, e dini që ai nuk pranon asnjë mendim e vlerësim, nëse preket sadopak tërthorazi uni i tij. Prandaj më mirë mos ia zini fare në gojë ardhjen time në librari”! – shtova duke i zgjatur dorën ta përshëndetja.
Dola nga libraria e madhe e librit sovjetik, me një ndjesi të përzier. Në njërën anë biseda me shitësen e sjellshme më dhuroi kënaqësi, ndërsa në anën tjetër, përshkrimi i vëllait të dytë nga ana e saj, si tip i zhurmshëm, më shkaktoi shije të hidhur, sepse përforcoi më tepër unin e tij të vështirë, i cili në të ardhmen mund të bëhet pengesë serioze e karrierës artistike, nëse nuk e frenon në kohën e duhur.
Dihet që tekat e tepruara, kur shoqërohen me unin e tërbuar, kthehen në bumerang për të zotin, në çastin që marrin përmasa të fryra, duke patur parasysh faktin e përhershëm, se në çdo rreth shoqëror, gjithnjë ka norma e cak durimi, të cilat duhen respektuar. Përndryshe, po i shkele, krijohen krisje e të çara, deri në shkëputjen përfundimtare, për rrjedhojë egoisti nihilist, mbetet individ qyqar, i braktisur, edhe pse ka krijuar një thesar me vepra dinjitoze”!
U riktheva tek agjencia e udhëtimit, pranë sahatit të qytetit, i ngarkuar me përshtypjen e vizitës në librarinë e librit sovjetik. Vura re që autobusi i linjës, kish parkuar fare ngjitur me platformën e lartë. Dëgjova që udhëtarët po ankoheshin me zë të lartë: “kur do t’i heqin nga qarkullimi këto makina të Luftës së Parë Botërore, të cilat na e marrin frymën me ngushtësinë e hapësirës së brendshme dhe ecin avash, si të sëmurët e porsa dalë nga spitali”?! Tek sporteli prisnin një grumbull nevojtarësh, me shpresë mos shiten biletat e rezervuara.
Unë trokita në derë. Përgjegjësi më tha se kam ardhur në kohën e duhur.
– “Tani merre valixhen dhe zbrit poshtë, pranë autobusit – tha ai. – Pas pak, kur të filloi hipja e pasagjereve, do jem dhe unë i pranishëm. Dhe mos harro: sapo të mbërrish në Shkodër-loce, t’i japësh të falat e mia kolegut…”, – shtoi me buzëqeshje.
Kthimi në qytetin studentor pati të tjera përfytyrime e përjetime, krahasuar me ditën e nisjes, kur pështjellohesha nga çoroditja e misterit të panjohur dhe me gëlonin mori dyshimesh, të cilat vërtiteshin rreth pyetjes; “pse e mori këtë vendim Këshilli Pedagogjik për mua”?! Pasi shpjegimet e drejtorit të Gjimnazit, nuk ma mbushnin mendjen. Gjatë rrugëtimit nisi të më shtohej kureshtja, si do më prisnin në konvikt pas një ndarjeje kaq të gjatë, prej tre muajsh, sidomos pas largimit tim të befasishëm, pa u takuar me asnjë shok.
Ndërkaq doja të dija nëse gjatë kësaj kohe, janë bërë ndryshime. Prandaj, me të mbërritur në qytetin verior, (pasi falënderova bileta shitësin për përkujdesjet ndaj meje dhe i përcolla të falat e përgjegjësit të agjencisë së Tiranës), hodha një vështrim mjaft të vëmendshëm, mos shihja ndonjë konviktor, i cili ka dalë të presë dikë dhe prej tij mund të merrja të dhënat paraprake.
Fatmirësisht me rroku syri shokun tim të klasës, Mitikën, i cili kish ardhur para dy ditëve me një “Xhip”, drejtpërdrejt nga Pogradeci. Pasi u përqafuam, ky më pyeti për shëndetin e nënës dhe shprehu ngushëllimet për humbjen e babait.
– “Nga e ka marrë vesh? Kush e ka njoftuar dhe kur”?! – u bëra unë kureshtar.
– “Të nesërmen e ikjes tënde, ne gjimnazistëve konviktorë, na ra menjëherë në sy mungesa jote, sepse nuk dinim si ta shpjegonim largimin, para sezonit të provimeve…”- vijoi ai gjatë rrugës. – “Shokët m’u drejtuan mua të ndërmjetësoja tek kujdestar Fadili, meqë kam një farë afrie, dhe roja i derës ju kishte parë të dy bashkë kur dolët, sidomos këtij i bëri shumë përshtypje që valixhen tënde e mbante kujdestari”.
– “Dhe çfarë të tha kujdestari”? – e pyeta me kureshtje.
– “Diçka i ka ndodhur në familje, pa e përcaktuar saktësisht cili nga pjesëtarët”, – ma ktheu ai.
– “Po me tej”? – u interesova unë.
– “Pas dy ditëve, kujdestar Fadili më njoftoi të vërtetën, se babai yt, kish ndërruar jetë! Ndaj drejtoria e shkollës dhe Këshilli Pedagogjik, e gjeti me vend të niste për në shtëpi, pas mbarimit të procesit mësimor e fillimit të provimeve”.
– “Po këtej nga konvikti, ka ndonjë të re”? – e ndryshova drejtimin e bisedës. – “Na ka ardhur drejtor i ri”, – më befasoi shoku i klasës.
– “Ka ndodhur diçka e rëndë gjatë këtyre tre muajve, që morën këtë masë”? – u interesova unë.
– “Sipas kujdestar Fadilit, largimin e drejtor Muhametit, e kërkon struktura organizative…”!
– “Si duhet kuptuar kjo shprehje”? – shtova unë.
– “Nga organet drejtuese, u pa e arsyeshme se duhet forcuar më shumë roli udhëheqës i Partisë në konvikt dhe në shkollë, – u përgjigj Mitika. – Këtij qëllimi i shërbejnë dhe prurjet e reja të disa konviktorëve në moshë madhore, me triskë partie. Mora vesh që në shkollën tonë këtë vit, kanë prurë një mësuese të re rusishte, komuniste, me synim që organizata bazë e partisë, të mbulojë drejtpërdrejte tërë veprimtarinë e konviktit dhe shkollës. Sipas meje, kjo nënkupton se këtë vit do shtohen spiunët. Ma do mendja që drejtori i ri, me siguri e ka krijuar rrjetën e tij të përgjimit dhe u ka caktuar si detyrë kryesore konkrete komunistëve konviktorë, të rritin vigjilencën revolucionare…” – theksoi ai, duke kthyer kokën drejt meje.
Kujdestar Fadili më priti me ngrohtësi e përmallim. Pasi falënderoi Mitikën, që më shoqëroi nga agjencia deri këtu, ngjitëm shkallët të më caktonte shtratin.
– “Valixhen do ta lësh tek fjetorja ime – tha ai, kur u futëm në hapësirën e saj të ngushtë. – Pasi këtu e ke të sigurt nga çdo kontroll i befasishëm…”- theksoi me vështrim të mprehtë. – Këtë vit drejtorin e ri e kemi me dy funksione: shtetëror dhe partiak. Prandaj duhet bërë kujdes gjatë bisedave me shokët dhe shoqet…”!
– “Edhe me shoqet”?!…pyeta unë i habitur.
– “E keqja shfaqet e befasishme nga çdo drejtim. Duhet patur parasysh se fjalët s’kanë gardh mbrojtës, mund të përthyhen dhe marrin forma të shumëllojta, sipas synimeve të përcaktuara, – …theksoi kujdestari. – Sidomos duhet patur kujdes kur bisedoni në grup, tre veta e lart, pasi rritet probabiliteti i pranisë së spiunit dhe dalin si kërpudhat pas shiut ‘dëshmitarët’ okularë…- më këshilloi ai. – Ndërkohë që unë shkoj tek ekonomati ta njoftoj të futesh në forcë, ti zbrit poshtë të takohesh me shokët dhe shoqet. Por ka mundësi të thërret dhe drejtori i ri i konviktit, për të dhënë udhëzime sipas këndvështrimit të tij…”!
– “Drejtor Muhametin, ku e transferuan”? – e pyeta me kureshtje.
– “Hëpërhë në dispozicion të seksionit të Arsimit”.
– “Ndjej keqardhje që e larguan prej këtu! Ishte drejtues dhe edukator me botë të brendshme, dinte të komunikonte me ne”, – theksova unë.
– “Por i mungonte cilësia më e domosdoshme për të qenë drejtor”, – vuri në dukje kujdestari, me vështrim të mprehtë.
– “Nuk kishte triskën e Partisë”, – plotësova unë.
– “Pikërisht. Tek ne triska e Partisë, përbën kolonën kryesore të cilësive të individit”.
Vërejtja e kujdestarit u shfaq me përmasa të plota në një shtator, ditën e fillimit të vitit të ri shkollor, kur ne nxënësit qemë rreshtuar sipas klasave në oborrin e madh, dhe prisnim të dëgjonim fjalën përshëndetëse.
Të gjithëve u bëri përshtypje prania e një personi të panjohur, i dhjamosur dhe me kokë të shogët, që qëndronte përkrah drejtorit të Gjimnazit. Përveç fare pak nxënësve konviktorë, asnjë tjetër nuk e dinte funksionin e tij, se ky përfaqëson dhe kryeson organizatën bazë të partisë, në tre institucione arsimore të edukimit, (Konvikt, Gjimnaz, shkollë Pedagogjike), dhe zotëron autoritet të fuqishëm, me të drejtë veto, kthen mbrapsht çdo mendim e vendim të Këshillit Pedagogjik, se fjala e tij ka forcë zbatuese. Prandaj në përshëndetjen e tij, sekretari i Komitetit të Partisë për ideologjinë, kur iu drejtua trupës mësimore, përmendi dhe funksionin e rëndësishëm të personit të dhjamosur me kokë të shogët, që profesorët të mbledhin mendjen, të kuptojnë e të binden, se mbi Këshillin Pedagogjik dhe Drejtorinë e shkollës, qëndron sekretari i organizatës bazë të partisë. Theksoi disa herë se; forcimi i rolit pararojë të Partisë, veçanërisht në institucionet arsimore e kulturore, merr rëndësi parësore për formimin e njeriut të ri dhe ndërtimin e socializmit, pasi prej këtyre vatrave shpërndahet drita e diturisë, blatohen mendjet e brezave të rinj.
Kur u futëm nëpër klasa, shoku im i bankës, Xhaviti, më pëshpëriti pranë veshit:
– “Si ta merr mendja: pse e kanë prurë atë bark-madhin, si të Plotfuqishëm”?
– “Që të zbehin rolin e drejtorit dhe të frenojnë mendimet e profesorëve”, – iu përgjigja unë, po me pëshpëritje.
– “Jo vetëm kaq, shtoi shoku im. – Duan të kufizojnë argëtimet tona: Mbrëmjet e vallëzimit, ekskursionet, aktivitetet artistike. Prandaj kanë prurë mësuesen e re të rusishtes, si komuniste, që të na kontrollojë”.
– “Unë do kem zgjedhe të dyfishtë: një në konvikt, tjetrën këtu”! – theksova i dëshpëruar.
– “Këtu nuk të vjen e keqja, pasi të gjithë të duan, dhe nuk besoj që mes nesh ka hafije”, – tha ai.
– “Hafije ndoshta jo, por ambiciozët nuk përjashtohen”.
– “Sipas meje, duhet t’i ruhesh rrezikut kryesor në konvikt, pasi në turmën e madhe prej 500 vetash, vegjetojnë me bollëk spiunët. Ka mundësi që mes tyre të ketë komunistë, përveç ‘vullnetarëve’ 120 lekësha…”- shtoi ai duke i ngjitur buzët pranë veshit tim.
Bashkëbisedimi ynë i fshehtë u ndërpre menjëherë, sapo u hap dera: në klasë u fut drejtori. Në fillim kujtuam mos erdhi të na jepte një kumt a porosi të veçantë, si para-maturantë, nxënës në vitin e tretë. Por në fakt ishte ora e parë e mësimit, klasa jonë po e niste me Psikologji.
– “Së pari, më lejoni në emrin tuaj dhe Këshillit Pedagogjik, t’i uroj mirëseardhjen shokut të klasës e, nxënësit tonë të mrekullueshëm, Sokratit, me besim të plotë se do të vazhdojë të jete krenaria e shkollës”! – kumboi zëri i tij i plotë me vështrim të qeshur, drejt meje. Dhe menjëherë pas këtyre fjalëve, përplasi pëllëmbët.
Të gjithë përveç meje duartrokitën dhe u kthyen me trup nga unë. Disa puthën duart, në pamundësi të më përqafonin. Kurse Xhaviti më shtrëngoi me krahë i ngazëllyer: ndjehej krenar dhe i lumturuar, që isha shoku i tij i bankës!
Mësuesja e re e rusishtes, hyri ne klasën tonë hijerëndë, me një krehje flokësh tamam si mësuese fshati, një ndërthurje e gërshetave me tërheqjen e shtrënguar në pjesën e prapme, të shtrira e ndara me vijë anash përpara. Ndoshta kjo mënyrë i dukej më e përshtatshme për të zvogëluar moshën, kur në fakt me këtë paraqitje tregohej më e madhe. Apo synimi i saj ishte të rritej serioziteti i autoritetit, të tregonte se jam ndryshe nga të tjerat, pasi bart me vete diçka që ato s’e kanë, triskën e Partisë, ndaj fjala ime peshon shumë më tepër.
Xhaviti, si vëzhgues i shpejtë, e përcaktoi kështu natyrën e saj, duke më pëshpëritur:
– “Ku e paskan gjetur këtë sorrë? Duke patur parasysh kanarinën fantastike që na e mbushte klasën me aromë lulesh dhe na sillte fllade pranverorë, kjo me çehren e rëndë që ka, kam frikë do na e bëjë orën e mësimit të bezdisshme. E ndjej që këtë çast, se po më kaplon mërzitja dhe po më largohet qejfi i rusishtes”!…
Ajo e filloi orën e mësimit duke parashtruar metodën e saj të mësimdhënies, me një zë që na i gërvishti zorrët, për të na thënë se gjuha e huaj, shpjegohet nëpërmjet gjuhës tonë shqipe.
– “Si duhet përkthyer ky shpjegim”? – më pyeti me njëfarë habie shoku i bankës.
– “Me siguri do t’i japë vetë sqarimet”, – ia ktheva unë me pëshpëritje. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016