Nga Hamid Gjylbegaj
Pjesa e katërt
DËSHMI HISTORIKE 1912 – 1925
(Disa kujtime biografike të Hamid Gjylbegaj)
Memorie.al / U linda në Shkodër më 1 mars 1888. Mësimet e para i mora në qytetin e lindjes, në shkollat turke, mejtepe dhe ushtarake. Vitin e fundit të gjimnazit ushtarak, e përfundova në Manastir, prej nga kalova në Akademinë Ushtarake të Turqisë, në Stamboll. Me përfundimin e shkollës, jam emëruar nëntoger në Korparmatën e Pestë të Divizionit të 13 të regjimentit të 38 të Selanikut, ku kam shërbyer deri më tetor të vitit 1912. Gjatë kësaj kohe kam luftuar në Kumanovë, Prelep, Manastir (ku jam plagosur dy herë ) e më në fund në Kalanë e Janinës, në Bizhan, deri më 28 shkurt të vitit 1913. Për veprimet ushtarake gjatë luftës, si oficer i dalluar, jam graduar para kohe me gradën toger. Kam hyrë në historinë ushtarake të Luftës Ballkanike si, i pari oficer në botë që zbulova në bazë të shkencës së balistikës, se topat automatikë fushorë gjermanë 7.50 mm., krahasuar me ata francezë 7.50 mm., ishin inferiorë. Ka qenë një gabim teknik i gjermanëve, që i kanë bërë tytat e topave 25 cm. më të shkurtër se të topave Francezë, gjë e cila më vonë, në Luftën e Parë Botërore, u zbulua edhe prej kryetarit të shtabit, gjeneralit Ludendorf. Raporti im për këtë çështje, gjendet në arkivat ushtarake të Turqisë. Me dorëzimin e Kalasë së Janinës më 6 mars 1913, e gjithë komanda e lartë turke, ku edhe unë bëja pjesë, u zu rob lufte. Si rob lufte, kam qëndruar shtatë muaj e gjysëm në ishullin Zanta (Zaqinthon). Me firmosjen e Traktatit të Paqes, në tetor të vitit 1913, u transferova në Stamboll.
Zgjedhjet e para (prill 1921)
Para zgjedhjeve sipas ligjit për vënien e kandidaturës për deputet dhashë dorëheqjen si oficer. Mirëpo, Ismail Haki Tatzati me “Klikën”, Sulçebegu, Ahmet Zogu dhe Kleri i madh, u përpoqën që unë të mos dilja deputet. Në fakt u bë mirë, mbasi në të katër anët, u bënë tradhti ligjore (manipulime).
Më vonë plasi ngjarja e Mirditës. Shteti u gjet ngushtë dhe nuk kishte forca për ta shtruar, prandaj Ministri i Luftës, Selahedin Shkoza, kërkoi nga unë që të rikthehesha në shërbim, mbasi kisha kredi në malet e Pukës. Un ju përgjigja se isha gati për të kryer detyrën që më kërkonte atdheu por, më parë duhej të pyetnin komandantin e Divizionit, Ali Pashë Kolonjën. Mbasi ata nuk më pranuan për të hyrë në shërbim, nuk u aktivizova.
Selahudini më dha të drejtë. Edhe Bajram Curri më dërgoi fjalë nga ana e tij për të shkuar si delegacion për t’u marrë vesh me parinë e Mirditës, por edhe këtë herë nuk pranova.
Takimi me Avni Rustemin. Vjeshtë 1921
Mbasi u kthye në Shqipëri, Avniu erdhi në Shkodër ku u prit me nderime nga shoqëritë e ndryshme, sidomos nga pjesa katolike. Me këtë rast, së bashku me Sezai Çomon, erdhën për një vizitë në shtëpinë time. Sezaiu, në kohë të turkut, kishte qenë shok shkolle me mua në Shkodër.
Në bisedë e sipër më propozuan që të dilnim së bashku në malet e veriut për të organizuar rininë e turmat popullore për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë. Ju thashë se nuk isha në gjendje ekonomike, mbasi sipas zakonit të vendit, kudo që të shkonim së bashku ndër male, malësorët do na prisnin, por unë duhej që t’i darovisja, mbasi njihesha në ato vende si Hamid Gjylbegaj, shtëpi e madhe dhe ish nënprefekt. Për këtë arsye nuk mundja të dalja me ta.
Kur i thashë këtë shkak, ndërsa më ngacmoi dukë thënë se isha plakur, Avniu tha se ky problem ishte i zgjidhur, mbasi kolonitë shqiptare i kishin dhuruar 10 mijë franga, e këto ai mund t’i vinte në dispozicion. Kur të hollat të na mbaronin ktheheshim, unë në Shkodër e Avniu në vendin e tij.
Në bisedat që bëmë i thashë Avnisë se sipas parimit tonë, mbasi e kishte kryer detyrën e tij, duhej të largohej nga Shqipëria, mbasi ishte në gjak me Toptanët. I sugjerova të shkonte në Amerikë, ku të mbaronte universitetin e të bashkëpunonte me shoqërinë “Vatra” dhe në gazetën “Dielli” e të përkrahte çështjen shqiptare. Ai e mbështeti mendimin tim, mbasi kishte respekt ndaj meje si atdhetar.
Mbasi u përgatitëm, morëm rrugën për Pukë, ku gjendej dhe Bajram Curri, që kishte ardhur me forcat e veta për të marrë pjesë në operacionin e Mirditës. Natën e parë e kaluam në çelën e kishës afër Vaut të Dejës. Me ne ishte dhe Ragip Kajo Begolli dhe një xhandar që shteti ja kishte dhënë Avniut si roje personale.
Në çelë me priftin, Avniu ishte i interesuar të dinte shkaqet e kryengritjes së Mirditës. Në bisedë e sipër, prifti deklaroi se për të qetësuar Mirditën, duhej të merreshin vesh me Monsinjor Gjergj Kolecin, Ipeshkvin e Zadrimës, mbasi dioqeza e Mirditës varen prej tij. Në këtë mënyrë u kuptua qartë se në këtë kryengritje, kishte dorë Kleri Katolik.
Të nesërmen morëm rrugën për Pukë, pa mbërritur në vend, më vjen një telegram nga Ministria e Luftës, ku më njoftonin se isha caktuar si oficer teknik, pranë Komisionit të Lidhjes së Kombeve që kish ardhur për të parë kufijtë dhe për të caktuar edhe zonën neutrale.
I tregova Avniut telegramin. Ky u gëzua shumë që unë isha caktuar në këtë detyrë, mbasi kishte besim të plotë se unë e kryeja më së miri.
Emërimi si oficer teknik në Komisionin e Lidhjes së Kombeve
Gjatë kohës kur Mirdita ishte ngritur në këmbë dhe operacionet ishin në veprim, erdhën përfaqësues të Lidhjes së Kombeve për të vërejtur kufirin dhe caktuar vijën neutrale të kufijve të Shqipërisë. Përfaqësues politik i shtetit tonë ishte Mehdi Frashëri, ndërsa oficer teknik isha unë.
Mbas kryerjes së kësaj detyre u emërova inspektor dhe organizator i kufijve të vendit. Kur erdhi harta topografike e vijës së kufirit të caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve, u urdhërova nga shteti për të marrë në dorëzim kufirin. Isha unë që për të parën herë ngrita flamurin e Shqiprisë në Vermosh dhe mora iniciativën, bashkë me arkipeshkvin e Shkodrës, Dom Lazër Mjeda, për themelimin definitiv të një Kishe Katolike në Vermosh.
Ndërkohë, jugosllavët hynë në zonën neutrale duke bërë kontrabandë dhe marrë drutë e pyllit të Lulash Pepaj Kastratit. Në bazë të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve, asnjë shtet fqinj nuk kishte të drejtë të hynte në zonën neutrale, as për të blerë, as për të shitur dhe as për të sunduar, deri sa të vinte vija e kufirit e caktuar në mënyrë definitive.
Për këtë arsye dhe nuk i lejova jugosllavët të hynin për të marrë dru në këtë zonë. Konsulli jugosllav Vugotiç, ndërhyni pranë prefektit të Shkodrës, Reuf Fico, për t’u lejuar marrja e druve.
Prefekti dhe Rexhep Shala më thirrën e më urdhëruan që të lejoja marrjen e druve në mënyrë që të mos krijohej ngjarje kufiri. Unë nuk pranova mbasi ata nuk kishin të drejtë të ndërhynin në këtë punë. Unë isha syri i shtetit, në përcaktimin e kufirit dhe ngjarje kufiri do të krijohej po t’i lejoja të merrni drutë.
Me rastin e festës së 28 Nëntorit, në Shkodër u bë parada e regjimentit e cila u organizua sipas rregullores gjermane. Në këtë paradë isha ftuar edhe unë si gjithë kryetarët e zyrave.
Në këtë ditë të shënuar më ngarkuan për të mbajtur fjalimin e rastit, fjalim për të cilin jugosllavët protestuan te Zogu, që në atë kohë ishte i lidhur me Pashiqin. Për oportunizëm politik më pushuan nga puna dhe më emnuan komandant batalioni në Elbasan.
Porsa mora urdhrin e transferimit, dorëzova zyrën dhe u nisa për në krye të detyrës së re. Rastësisht në Tiranë, takova Ismail Haki Tatzatin dhe Xhaferr Ypin, që ishte ministër i Drejtësisë. Tatzati më tha se e kisha tepruar me Jugosllavinë, duke e sharë me fjalë të papërshtatshme, në fjalimin që kisha mbajtur me rastin e 28 Nëntorit.
Un i thashë se kisha bërë detyrën. Isha oficer i edukuar me ligje morale, dhe edukatë ushtarake që më ngarkonin dhe detyronin t’ja tregoja dhe mësoja ushtarëve të mi armikun tradicional të kombit tonë.
Në fjalën që mbajta tekstualisht kam thënë: “Un që sot kam nderin, për të parën herë, të mbaj fjalën në ditën e flamurit, para regjimentit shqiptar, në ish-garnizonin e Turqisë ku kanë kaluar kushedi sesa ushtri të huaja, nën hijen e flamurit tonë kombëtar, që i nderuari Ismail bej Qemali ngriti në Vlorë, ndoshta kam për të pasur fatin e bardhë, për ta mbajtur fjalën edhe ndonjë herë tjetër në këtë kazermë, kur Kosova, që sot po shuhet nën dhunën e racës sllave, të jetë bashkë me ne, nën hijen e këtij flamuri të shenjtë”.
Kjo është ajo që un kam thënë e jo ajo çka thoni ju i thashë Tatzatit dhe Ypit. “Unë nuk e kam ditur se ju jeni të lidhur kaq fort me jugosllavët, sa për tu shqetësuar, se çka flet oficeri shqiptar përpara ushtarëve të tij. Un nuk jam prej atyre oficerëve që dëmtoj vijën politike të Shtetit Shqiptar. Nëse e kam dëmtuar më jepni pasaportën e të shkoj në Amerikën e Jugut”.
Shërbimi në Elbasan si komandant batalioni
Me të mbërritur në Elbasan, mora në dorëzim komandën e batalionit. Ky jetonte në shtëpi private me qira dhe në një kazermë gjysëm të rrënuar. Disiplina dhe sjellja e oficerëve ishte plotësisht e shkatërruar.
Para kësaj situate më lindën dy detyra. E para t’i siguroja strehimin batalionit dhe e dyta të vija në vend disiplinën dhe dinjitetin e humbur nga sjellja e keqe e oficerëve.
Me ndihmën e popullit, ushtarëve dhe oficerëve, kazermën e rindërtova pa i marrë asnjë lek shtetit, punë për të cilën shteti më ka falënderuar në “Fletoren Zyrtare”. Të gjitha borxhet që kishte pasur batalioni më parë, i pagova dhe në këtë mënyrë e vura batalionin në disiplinë dhe dinjitet ushtarak.
Kur erdhi në Elbasan, Mehdi Frasheri, si ministër i Jashtëm, prefekti i Elbasanit e solli në kazermë, duke i treguar të gjitha përpjekjet e mija, për të cilat ai më falënderoi.
Në kohën që isha komandant batalioni në Elbasan, shteti jugosllav kërkoi nga shteti shqiptar, të zhdukte zonën neutrale dhe të merrte në dorëzim kufirin, në bazë të vijës të kufirit të ratifikuar, dhe bashkë me komisionin tonë, vendosjen e piramidave të kufirit.
Për këtë punë më vjen një telegram me shifër në mes të natës, ku më kërkohej që të nesërmen të paraqitesha në Lin të Pogradecit, për me marrë në dorëzim kufirin. Mbërritja në Lin sipas urdhrit të dhënë nga Ministria e Luftës, ishte i pamundur, megjithatë unë u nisa për në vendin e caktuar.
Kur mbërrita në Librazhd, rashë në kontakt me Pogradecin dhe ata më lajmëruam se konsulli jugosllav që po shkonte për Korçë, e kishte njoftuar Pogradecin se, komisioni i tyre do të vinte mbas tri ditësh. Në Pogradec prita delegacionin e tyre, dhe të dy palët u bashkuam në Lin.
Veprimi i parë që bëmë, ishte kontrolli i hartave topografike nëse ato përkonin me njëra tjetrën. Vijat e kufirit ishin në rregull, si e tyrja dhe e jona. Por harta e tyre kishte një mungesë, nuk i kishte të dhënat topografike të terrenit e me të nuk mund të zbatohej kufiri. Atëherë ata u detyruan të punonin hartën e dhënë nga shteti jonë.
Pjesën e kufirit tonë deri tek kodra 114, pranë katundit të Rrajcës, ja dorëzova prefekturës së Korçës dhe nënprefekturës së Pogradecit. Pjesën prej Rrajcës deri në Zerqan, e mori në mbrojtje batalioni i Elbasanit.
Për dy javë qëndrova në Jugosllavi si atashe i shtetit shqiptar. Si kreva këtë detyrë, u ktheva prapë në detyrën time në Elbasan.
Pak javë mbas këtij veprimi, një toger xhandarmërie i Pogradecit, bëri një padi në Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë, ku ishte komandant Shefqet Korça, duke denoncuar se bëhej kontrabandë në Lin dhe gjatë bregut të liqenit të Pogradecit, dhe duke akuzuar se kjo bëhej në dijeni të komandës së batalionit të Elbasanit.
Këtë aktakuzë komanda e xhandarmërisë ja përcolli Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ahmet Zogut, që të merrte masat e nevojshme kundra komandantit të batalionit të Elbasanit, Hamid Gjylbegaj. Ministria, këtë aktakuzë për dënim, i’a përcjell Ministrisë së Luftës, Ismail Haki Tatzati dhe kjo e fundit ma dërgon mua, duke më tërhequr vërejtjen dhe duke më kërkuar sqarime për këtë kontrabandë.
Porsa mora shkresën, në çast ju përgjigja Ministrisë së Luftës: “Më vjen turp të regjistroj në arkivin e batalionit një akt-akuzë të tillë, mbasi është turp për shtetin shqiptar që, ju atje lart nuk dini rajonet e xhandarmërisë, as rrethet e qarqet e nënprefekturave e prefekturave e, pranoni një marri të një oficeri gomar të xhandarmërisë së Pogradecit, të cilit i kalon kontrabanda nëpër hundë e, akuzon batalionin e Elbasanit, të cilit ky rajon nuk i takon aspak”.
Mbas kësaj ngjarje erdhën tek unë të gjitha autoritetet e vendit si prefekti, komanda e xhandarmërisë, për të më pyetur se ku i kishin kufijtë e rajoneve. Unë i drejtova tek superiorët e tyre që duhej t’i sqaronin për problemin.
Martesa
Në Elbasan u martova me Zonjën Neire, e bija e Mehmet bej Xheladin bej Abdulla Pashës, Taushanllinj. Mirëpo kësaj martese partitë e ndryshme i dhanë një kuptim politik, duke e paraqitur si një lidhje me bejlerët e Shqipërisë së Mesme. Filloi smira, antagonizmi dhe lufta ndaj meje. Me këtë rast Ministria e Luftës, më dënoi me 30 ditë arrest, me pretekstin se nuk kisha marrë lejen ligjore si oficer, për të bërë martesën. Memorie.al
(Përgatiti, Dr. Shefqet Deliallisi)
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016