• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Monday, February 9, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Kur Haki Toska e pyeti Alizotin; po ‘Belami’-në e Mopasanit e ke? – ai i tha; e kam, po ti e ke marrë gruan me vete, se ai është libër me zarar, pasi…”/ Historia e panjohur e librarit të famshëm gjirokastrit

“Kur pashë librat marksiste-leniniste e serinë e veprave të Enverit dhe i thashë Alizotit; paske shumë nga këto, ai…”?! / Dëshmia e rrallë e Dritëro Agollit, për librarin e famshëm të Gjirokastrës
“Kur pashë librat marksiste-leniniste e serinë e veprave të Enverit dhe i thashë Alizotit; paske shumë nga këto, ai…”?! / Dëshmia e rrallë e Dritëro Agollit, për librarin e famshëm të Gjirokastrës
“Kur pashë librat marksiste-leniniste e serinë e veprave të Enverit dhe i thashë Alizotit; paske shumë nga këto, ai…”?! / Dëshmia e rrallë e Dritëro Agollit, për librarin e famshëm të Gjirokastrës
“Kur pashë librat marksiste-leniniste e serinë e veprave të Enverit dhe i thashë Alizotit; paske shumë nga këto, ai…”?! / Dëshmia e rrallë e Dritëro Agollit, për librarin e famshëm të Gjirokastrës
“Kur pashë librat marksiste-leniniste e serinë e veprave të Enverit dhe i thashë Alizotit; paske shumë nga këto, ai…”?! / Dëshmia e rrallë e Dritëro Agollit, për librarin e famshëm të Gjirokastrës
“Kur pashë librat marksiste-leniniste e serinë e veprave të Enverit dhe i thashë Alizotit; paske shumë nga këto, ai…”?! / Dëshmia e rrallë e Dritëro Agollit, për librarin e famshëm të Gjirokastrës

Pjesa e pestë

Pjesë nga libri: ‘ALIZOT EMIRI – Njeriu, librári e gázet fisnike’

                                                          DY FJALË SI HYRJE

Memorie.al / Kur ne, fëmijët e Alizotit, tregonim në ambiente të gëzueshme shoqërore “historitë” e Zotes (Alizotit), na ka qëlluar të na pyesin shpeshherë: – “A i keni shkruar? Jo! Sa keq, do të humbasin…! Kush duhet ta bëjë”?  Dhe jemi ndjerë gjithnjë e me shumë fajtorë. Në qoftë se duhej bërë, ne duhej ta bënim. Po a mund t’i shkruanim ne?! “Jo çdo njeri, që di shkrim e këndim, mund të shkruajë libra”, – thoshte Zotia, sa herë kalonte nëpër duar libra të dobët. Kur po bisedonim me njëri – tjetrin, ne fëmijët e Zotes, për këtë “detyrim”- për Librin, natyrshëm e ndjenim veten përballë paaftësisë për ta kryer. Nuk ishte punë për ne! Me “metrin” e Zotes, ne ishim të paaftë ta shkruanim këtë libër.

Gjithashtu mund të lexoni

“Alizot Emiri ishte një njeri i respektuar në të gjithë Gjirokastrën dhe atë, ashtu si edhe familjen e tij, e njihte i madh e i vogël, pasi…”/ Dëshmia e Prof. Muzafer Xhaxhiut, për librarin e famshëm e qytetit të gurtë

“Kur pashë librat marksiste-leniniste e serinë e veprave të Enverit dhe i thashë Alizotit; paske shumë nga këto, ai…”?! / Dëshmia e rrallë e Dritëro Agollit, për librarin e famshëm të Gjirokastrës

                                                         Vijon nga numri kaluar

                                                  MBRESA E KUJTIME PËR ALIZOTI

Prof. MUZAFER XHAXHIU: NJË JETË E LIDHUR ME LIBRI

Biseda me profesor Muzafer Xhaxhiun

Në janar 2011 shkova në shtëpinë e z. Muzafer Xhaxhiu. Më priste! Më mori pranë dhe donte muhabet. Kishte lexuar shkrimin e zotit Nasho Jorgaqi “Gazet fisnike të Alizot Emirit”. I kishte pëlqyer shumë.

– “E kishte shkruar shumë bukur! – më tha dhe vazhdoi: Është njeri i letrave Nashua”. Shkrimin e përgatitur nga vetë profesor Muzaferi, e kishte marrë i biri i tij, Artani për ta radhitur. Ndërkohë i qe kujtuar një histori me Alizotin dhe donte të ma tregonte:

– “Me mua bashkë, edhe djali i dajkos tim, Skënder Hajro, vinte shpesh tek Alizoti në dyqan. Një ditë Alizoti më pyet: Skënderi pse nuk më ka ardhur? I thashë: Skënderi, këto ditë, ka pas martesën e motrës së tij, me një nga fisi Shapllo, familja e të cilit ka emigruar në Amerikë. – Kanë shumë kohë që kanë shkuar në Amerikë? – më pyeti Alizoti.

Nga fillimi i shekullit të njëzet – e sqarova unë. Alizoti tundi kokën i menduar dhe u qau hallin: – Venë të shkretët, po se si u shkon fati atje ku vënë, një Zot e di.

– Eeeh, me fat është ajo punë. Ca rregullohen, ca…. – e vazhdova unë bisedën. – Do të të them diçka Alizot, e kam dëgjuar shumë herë nga nëna ime: Kishte ardhur nga Anadolli një gjirokastrit, i cili kish vite, që jetonte atje.

Kur erdhi në Shqipëri, për të mos shkuar më në kurbet, dikush e pyeti: E mor, i tha, ç’bëre atje në Anadoll, gjithë ato vite? – Më shkoi mirë fati – u përgjigj. – Ju s’e dini, po do t’ jua thom. Me ato që fitova kam blerë këtu në Gjirokastër di çifliqe: ‘Terelengun’ dhe ‘Çullon’.

(Tereleng = Pa një lek! – në gjuhën e folur të Gjirokastrës. Çullo – emri i përroit tek Zalli, tutje Palortosë).

Ai që e pyeti u habit nga kjo përgjigje dhe i tha me të njëjtën gjuhë humori:

-Po pse s’thua ti, s’të paska shkuar dëm kurbeti, paske bënë goxha bereqet!

Pas tregimit të kësaj historie reagoi Zotia, që e kish përjetuar dhimbjen e saj:

-Paska qenë i zgjuar kurbetçiu! Vërtet nuk e ka ndihmuar fati të fitojë, por, të paktën, nuk ka humbur mendjen i ziu. E ka shpëtuar hallemadhi atë!

Zotia, mor djalë, gjithë jetën vlerësonte mendjen, jo paranë, ndaja qe gjithnjë i qeshur e me humor. Ndihej shumë i pasur!! E kish mundur varfërinë me pasurinë e mendjes”!

– “Ç’keni të bëni me Lato Emirin”? – me pyeti më pas Prof. Muzaferi.

– “Kemi dëgjuar fjalë të mira, por nuk kemi të bëjmë me ta”, – i thashë.

– “Po me cilët ‘Emirë’ keni të bëni Ju”? – më pyeti përsëri Profesori.

– “Me Emirët e Kuvajtit” – ju përgjigja tërë “seriozitet” unë. Ktheu kokën dhe po më shikonte me buzën në gaz. – “Kështu na ka thënë Zotia” – vazhdova. – “Po ç’e do se nuk na kanë dhënë pjesën, që na takon nga puset e naftës në Kuvajt. Na kanë harruar! Tek e fundit të na kishin dhënë vetëm një pus nafte”! po vazhdoja unë, duke imituar Alizotin. – “Ky qe dhe ‘meraku’ i Zotes, që e kujtonte me humor ngahera”! – bërtisja, nga që profesori kishte mjaft vështirësi në dëgjim.

– “Këto cfinat (pykat) e Alizotit, i mbaj mend që në kohën e Zogut, në dyqanin e tyre”, – ndërhyri Profesori, që e mori vesh “hallin” tonë. – “E kupton kujt i thonë cfinë, more djali i Alizotit”? dhe, papritur përgjigje, Profesori më sqaroi: “Cfinë i thonë pykës. E di, apo jo”?

– “Unë e di ndryshe, që pykës i thomi cfinë ne në Gjirokastër – i thashë unë! Profesori qeshi me kënaqësinë e një gjirokastriti të madh, që ka përjetësuar këto ditë traditën e veçantë kulturore të qytetit, tonë me veprën e tij të çmuar, “Fjalori i të Folmës së Gjirokastrës”.

– “Uuuu, e kam vënë në fjalor ‘cfinën’, apo jo”? – ju drejtua së shoqes. Dhe e hapi menjëherë fjalorin me merakun e krijuesit. U përqendrua mbi fjalor dhe e gjeti. – “Ja! – tha -, e kam vënë”. U lehtësua! – “Kur më kujtohej ndonjë fjalë, nga ato të së folmes tonë, gëzoja more djalë, sikur të kisha gjetur ndonjë flori”! – më tha dhe i shkëlqyen sytë, duke përjetuar atë moment të lumtur. Ishte lumturia e gjetjes së thesarit më të madh të një populli, të gjuhës.

Më dhuroi një fjalor, ku shkroi një dedikim për Alizotin.

– “Dilna prapë”! – me tha, duke bërë të ngrihet e të më përcjellë me një respekt mbresëlënës.

– “Do të vij! – i premtova – Do të vij me librin e Alizotit”!

 Prof. NASHO JORGAQI: GAZET FISNIKE TË ALIZOT EMIRIT

  (Fije kujtimesh)

E kujtoj si nëpër mjegull njohjen e parë me Alizot Emirin. Ka kaluar përmbi gjysmë shekulli që nga ajo kohë. Atëherë sapo kisha filluar punën në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, e cila administrativisht përfshihej në një ndërmarrje tok me shtypshkronjën dhe sektorin e shpërndarjes së librit.

Mbaj mend një mbledhje të gjerë vjetore me librarët që u organizua dhe ku ishim të ftuar dhe ne, redaktorët. Drejtori i Ndërmarrjes, që drejtonte mbledhjen, i paharruari Spiro Xhai, pasi mbajti raportin, ftoi pjesëmarrësit për të diskutuar.

U bë një heshtje, që zgjati dhe kur nga presidiumi i mbledhjes drejtori përsëriti thirrjen që njerëzit të flisnin, u dëgjua një zë i qartë: “Unë propozoj që të flasim me radhë sipas rrogave. Të fillojnë ata që e kanë më të madhe”. Në sallë plasi gazi dhe veç kur dëgjova zërin autoritar të drejtorit: “Alizot, lëri shakatë. Nuk është vendi këtu për qyfyre”.

Unë ktheva kokën prapa dhe pashë një burrë me trup mesatar e fytyrë të qeshur që tha: “E mbylla”. Në pushim vura re se Spirua i kish vënë dorën në sup folësit, që për mua ish fare i panjohur dhe po qeshte. U afrova dhe drejtori ma prezantoi menjëherë:

“Ky është Alizot Emiri, librari i dalluar i Gjirokastrës”. Ndërkaq, ai ia priti: “Që ka rrogë trefish më të vogël se drejtori i madh”.

Ky qe takimi ynë i parë. Më vonë do ta njihja nga gjithë çdo të dëgjoja prej të tjerëve. Ai do të bëhej për mua një personazh anekdotik, sepse kohë pas kohe do të më vinin në vesh fjalët e bëmat e tij. Zakonisht, barsoleta të tilla vinin nga Shkodra, por ja që dhe Gjirokastra nuk mbetej prapa. Sado që ishim larg, kjo nuk na pengoi të njiheshim nga afër dhe të miqësoheshim.

Ai vinte herë pas here në ndërmarrjen tonë, ndërsa unë shkoja rrallë në Gjirokastër. Vetëm me shërbime, kur më merrte drejtori, dhe në këto raste, sapo zbrisnim nga makina, shkonim në librarinë e Alizotit, që e kish në mesin e rrugës së kalldrëmtë që të çonte te Qafa e Pazarit. Ishin takime gazmore e spontane, që i bënin të këndshme orët e qëndrimit në Gjirokastër. Spirua, që e donte fort, hiqej sikur e kritikonte dhe veç kur Alizoti fillonte të fliste e të tregonte përmes humorit, që na bënte të qeshnim e të harroheshim pas tij.

Për fat të keq, nga gjithë sa tregonte Alizoti, pjesën më të madhe të tyre, unë i kam harruar tani dhe këtë e quaj një humbje të asaj pasurie humoristike, që ai krijonte krejt vetvetiu, kohë pas kohe, në situata nga më të ndryshmet. Sigurisht, nga ato kohë të largëta më kanë mbetur vetëm disa nga ngjarjet anekdotike që i kam dëgjuar drejtpërdrejtë nga Alizoti.

Së pari, dua të them se Alizoti ishte njeri i mençur e me dinjitet, kish një personalitet që të ngjallte respekt për gjithë sa thoshte dhe mënyra se si tregonte. S’kish asgjë të shtirë e banale, ishte i natyrës shumë bindës dhe, ç’është më e rëndësishme, kish mprehtësinë, urtësinë dhe maturinë gjirokastrite dhe kjo e bënte humorin e tij të efektshëm, bindës dhe domethënës.

Në atë kohë, humori ishte me telashe, thikë me dy presa dhe shumë herë me rreziqe, aq më tepër për Alizotin, që në vitet e para të çlirimit qe burgosur për një fjalë goje. Po ja që dhe në këto kushte, pas rehabilitimit, ai nuk mund të dilte nga natyra e tij prej hokatari, nga ironia e sarkazma, që i përcillte tek të tjerët si pa të keq, por që kishin mendim, qortim, kritikë dhe sigurisht humor të vërtetë. Kishte raste që ai guxonte të ndërmerrte iniciativa që mund t’i kushtonin.

Por e vërteta është se opinioni e nderonte, e çmonte mençurinë dhe humorin e tij të shëndetshëm. Dhe jo vetëm opinioni, por dhe drejtuesit partiakë dhe të pushtetit vendor, nuk ia merrnin për të keq. Madje thonë se dhe Enver Hoxha e njihte dhe ia bënte me dorë, duke qeshur nga larg, kur vinte në Gjirokastër. Alizoti bile kish njohje dhe miqësi edhe me disa gjirokastritë me pozitë, me të cilët, kur i takonte, bënte shaka të kripura.

Njëherë i erdhi në librari Haki Toska, anëtar i Byrosë Politike, dhe në mes të tjerash, e lavdëroi që para çlirimit ai sillte dhe shiste fshehurazi gazeta të huaja të majta si “Humanite” etj. “E po kemi bërë dhe ne ndonjë gjë të mirë”, – ia priste Alizoti me gaz në buzë. “Po këta krah derës, ç’i ke, more Alizot”? – e kish pyetur Hakiu. Sepse në të dy krahët rrinin ulur disa burra, zakonisht hamej apo të papunë, që lexonin gazetat e ndonjë libër që ua jepte Alizoti. “Popull, o shoku Haki, lexojnë falas”, – ia ish pritur Alizoti.

Pastaj Hakiu i ish kërkuar librin “100 përralla”, që sapo kish dalë. “Sa bën”? “Pesëdhjetë lekë”! “Shumë, o Alizot”! “Gjysmë leku përralla, o shoku Haki”, – i qe përgjigjur librari. “Po Belaminë e Mopasanit e ke”? – e kish pyetur rishtazi. “E kam o, si nuk e kam, po ti e ke marrë gruan me vete, se ai është libër me zarar për burrat”. Kish shpërthyer gazi dhe në fund Hakiu i kish thënë: “Ore, Alizot, si nuk i le njëherë këto të hedhurat. Ke mbetur ai që ke qenë” dhe e kish rrokur në qafë.

Njëherë tjetër më tregonte: “Seç më shkoi mendja një ditë. Më kishin mbetur stok veprat e klasikëve të marksizëm-leninizmit në magazinë. Nuk i blinte njeri, veç rrallë e tek ndonjë, ndaj u ngrita dhe shkova drejt e në Komitetin e Partisë. Prita deri sa hyra te Sekretari i parë. Hë, – më pyeti ai, – ç’e mirë të ka sjellë? Në vend të përgjigjes, i zgjata një listë me emra. Ai hapi sytë. Ç’është kjo? – më pyeti. – Janë emrat e anëtarëve të Plenumit të Komitetit të Partisë dhe ata të Këshillit Popullor.

– E pastaj?- ia bëri ai. – Puna është kështu, shoku sekretar. Kanë mbetur në magazinë veprat e klasikëve. Nuk i blen njeri, se edhe kushtojnë. Nuk i blejnë as kuadrot, se në radhë të parë ato janë për ta. Prandaj, kam sjellë listën me emrat e tyre, ta firmosni dhe t’i urdhëroni t’i blejnë. Përndryshe, ato do të mbeten stok. Është turp, kush ta dëgjojë’. Sekretari mbeti për një çast dhe pastaj ia dha të qeshurit. – ‘Po ku të ka shkuar mendja, o Alizot’!? – tha.

Po unë këtë punë kam, o shoku sekretar. – ‘Punë me mend dhe bravo të qoftë’, – më tha dhe e firmosi pa mëdyshje e pastaj u ngrit në këmbë e më shtrëngoi dorën. Nuk kaloi shumë, kur pas disa ditëve, pasi kishin marrë rrogat, erdhën bilbilenjtë një nga një dhe i blenë librat e klasikëve që flinin. Disa prej tyre kishin marrë vesh marifetin tim dhe qeshnin, kurse kish të tjerë që s’u kish ardhur mirë dhe varnin buzët”!

Ndodhi, kur u takuam njëherë në Gjirokastër, të më rrëfente një histori tjetër. Për një kohë Alizoti, veç librarisë, punonte ngjitur në dyqanin me komision, ku shiteshin sende të përdorura. “Më erdhi një ditë një prift dhe më kërkoi të blinte një raso. U ngrita dhe i zgjata një fustan të zi. Ai e veshi dhe e provoi. I vinte pas trupit. Si duket i pëlqeu dhe e bleu. Iku, kur pas disa ditësh vjen me fustanin dhe më thotë: ‘Ore, Alizot, po kjo s’është raso. Qënkish fustan grash’?! Unë u nxeha dhe i thashë: ‘Po ti, uratë, s’je fëmijë që të ta hedhin. Sytë i kishe, mend po se po, atëherë pse e more?

Kur ai u nxeh më keq. ‘Më ke mashtruar, – thirri, – dhe do të ankohem! ‘Shko, ku të duash, – i thashë. – Dhe sa për atë mashtrimin që thua, ju me raso e ata me çallmë, tërë jetën na keni gënjyer nga një çikë. T’u gënjejmë njëherë dhe ne, populli. Iku prifti, po fjala mori dhenë, aq sa e morën vesh ata të Komitetit dhe një nga sekretarët më tha: ‘Mirë ia kishe bërë uratës’”.

Për herë të fundit me Alizotin u takova në Fier, kur kish dalë në pension dhe kish ardhur te i biri. U ulëm në kafen e turizmit dhe u shtruam në muhabet gjithë mall, duke biseduar e bërë shaka. Kishim kohë pa u parë. Vura re se ishte disi i plakur, por si gjithnjë energjik e fjalët brisk. Më habiti kur e pashë që kish rruar kokën dhe nuk e përmbajta veten.

“Ç’ke bërë kështu, o Alizot, me kokën”? Atij i qeshën sytë dhe më tha: “Ore, si të ta shpjegoj unë ty. Kjo koka ime tërë jetën ka qenë e papjekur. Thashë ta pjek në pleqëri. E rrova dhe me kokë të rruar gjezdis nëpër diell. Them se dielli do të ma pjekë më në fund”!

Qesha me gjithë shpirt, siç qesha për afro dy orë që ndenjëm bashkë. Nga goja e Alizotit rridhnin vetëm fjalë të mençura, gjithë kuptim, me nëntekste, nga më të ndryshmet, të drejt për-drejta ose alegorike e, ç’është më e rëndësishme, me një humor të papërsëritshëm. Ai tregonte e unë vijoja të qeshja, duke harruar kohën e gjithçka tjetër. Në fund, madje duke qeshur, u ndamë për të mos u takuar më.

Më dhëmbi sinqerisht kur mora vesh pas pak kohësh se zemra e gëzuar e Alizotit kishte pushuar. Tani, kur e kujtoj, më vjen shumë keq që shumë nga të thënat e bëmat e tij i kam harruar. Por kujtimi i tij rron akoma tek unë, si një nga kujtimet gazmore të jetës, për një njeri mendjekthjellët dhe zemërmadh, që rrezatonte humor dhe gaz fisnik./ Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Konti Durazzo dhe Moxarti biseduan rreth kësaj pjese, pasi para disa vitesh ai ishte përpjekur ta vinte atë në skenë në Teatrot e Vjenës, madje ai me Rusoin...”/ Historia e panjohur e familjes së famshme Durazzo

Artikuj të ngjashëm

“Kur pashë librat marksiste-leniniste e serinë e veprave të Enverit dhe i thashë Alizotit; paske shumë nga këto, ai…”?! / Dëshmia e rrallë e Dritëro Agollit, për librarin e famshëm të Gjirokastrës
Dossier

“Alizot Emiri ishte një njeri i respektuar në të gjithë Gjirokastrën dhe atë, ashtu si edhe familjen e tij, e njihte i madh e i vogël, pasi…”/ Dëshmia e Prof. Muzafer Xhaxhiut, për librarin e famshëm e qytetit të gurtë

February 8, 2026
“Kur pashë librat marksiste-leniniste e serinë e veprave të Enverit dhe i thashë Alizotit; paske shumë nga këto, ai…”?! / Dëshmia e rrallë e Dritëro Agollit, për librarin e famshëm të Gjirokastrës
Dossier

“Kur pashë librat marksiste-leniniste e serinë e veprave të Enverit dhe i thashë Alizotit; paske shumë nga këto, ai…”?! / Dëshmia e rrallë e Dritëro Agollit, për librarin e famshëm të Gjirokastrës

February 8, 2026
“Pas luftës, Alizotit i propozuan të bëhej anëtar i P.K.SH.-së e ta dërgonin me punë në Tiranë, por ai s’e pranoi këtë kusht dhe në korrik 1947, u arrestua…”/ Historia e panjohur librarit të famshëm të Gjirokastrës
Dossier

“Pas luftës, Alizotit i propozuan të bëhej anëtar i P.K.SH.-së e ta dërgonin me punë në Tiranë, por ai s’e pranoi këtë kusht dhe në korrik 1947, u arrestua…”/ Historia e panjohur librarit të famshëm të Gjirokastrës

February 7, 2026
“Stefan Kaçulini ishte i vetmi durrsak që priti Ismail Qemalin në Durrës dhe si përkrahës i Princ Vidit, Haxhi Qamili me Esat Toptanin, e…”/ Historia e panjohur e familjes së famshme, Kaçulini
Dossier

“Flamuri që ngriti Ismail Qemali në Vlorë, ishte një pëlhurë e kuqe, tre metro e gjatë dhe dy metro e gjerë, e cila u ble te një tregtar i quajtur Diamant dhe u qepnë…”/ Dëshmia e rrallë e ish-ministrit të Zogut

February 5, 2026
“Tragjedia e Fekenit ku humbën jetën 11 shokët tanë dhe u plagosën shumë të tjerë, ndodhi se komandanti i shkollës, Rustem Peçi, dha urdhër që…”/ Dëshmia e rrallë e ish-studentit që mbeti i paralizuar
Dossier

“Pas dy orë kërkimesh në dëborë, në mënyrë të befasishme goditi orteku i dytë, i cili u shkëput nga faqja tjetër e malit të Meçekut dhe mori para…”/ Ana e panjohur e tragjedisë së Fekenit, 6 shkurt ‘81

February 5, 2026
“Kultura e tij vinte natyrshëm edhe ngaqë ish pjesë e një rrethi shoqëror mjaft të ngritur, nga shkrimtarë dhe artistë, mjekë, gazetarë, politikanë, ku ai…”/ Refleksionet e regjisorit dhe publicistit të njohur
Dossier

“Kultura e tij vinte natyrshëm edhe ngaqë ish pjesë e një rrethi shoqëror mjaft të ngritur, nga shkrimtarë dhe artistë, mjekë, gazetarë, politikanë, ku ai…”/ Refleksionet e regjisorit dhe publicistit të njohur

February 7, 2026

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme