Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e dyzeteshtatë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Takimi i parë
(Varka e mbytur në stere)
Natyrisht me kohë, ky program strikt kultivoj te unë sensin e vetë disiplinimit. Meqë ditën e kisha të mbushur dhe s’kisha rast të merresha me muhabete të kota, u krijua përshtypje se isha shtruar. Vërtetë u shtrova. U shtrova aq shumë, sa miqtë e mi propagandonin sheshit idenë: “Ky djalë, tash e tutje do ndryshojë, s’do merret me tjetër, veç studimeve”! Për të qenë i sinqertë, kjo etiketë e pashkruar, që pleqtë e dashur ngjitën me shumë mund mbi emrin tim, do më shoqëronte vite të tëra. Dhe nisi të respektohej apo, pothuaj respektohej edhe nga punonjësit e thjeshtë të policisë. Tashmë s’më shihnin si sherrxhi, po me sy tjetër.
Natyrisht jo të gjithë e dëshironin këtë rrugë, për-shembull operativi kampit, do kish preferuar më mirë një rrugaç ordiner, se një nxënës të dijshëm, po kështu edhe ndoca pak spiunë që do donin shok pas vetes, pse një i angazhuar i përhershëm, s’kishte as kohë për të humbur dhe shansin për t’u marrë me ta. Duke përjashtuar ca gërr-mërre të vockla, të shkaktuara në punë nga policët dhe pas ca vicklave që nxori në krye brigadier Nasho korroziu, po hasën qysh ditët e parë në përbuzjen time dhe të miqve të mi, gjithçka dukej se po ecte mbrodh. Natyrisht një mbrodhësi brenda atij normaliteti denatyruar, të atij vendi të mallkuar; me sa mund të ekzistonte një e tillë nën cërgën e rrjetës së telave gjembaçë, nën fishkëllimat e kamxhikut e terrorin e dajakut.
Copëza jete
(ose kur ujqit shqyenin shoqi-shoqin!)
Atë pak kohë të lirë, sidomos në periudhën e verës, kur s’isha i impenjuar me shkollën, e kaloja në shoqëri me pleqtë e mi, po edhe me Jani Iliadhin e Namik Zenelin apo “Sançon dhe Don Kishotin”, siç i thirrja të pa të keq. Në kompensim të këtyre titujve fisnikë, ata më thirrnin mua “Gavrosh”. Me ata u lidha shumë. Në intervalet e pushimit mes orëve të mësimit ose, edhe kur i sajonim vetë për t’u çlodhur, diskutonim për tema të ndryshme. Më ëndej kur dëgjoja rrëfenja për ngjarje me fakte autentike. Sidomos një nga ata që në një farë mënyre, kish qenë edhe vet protagonist dhe zotëronte – oratori të lindur, të shoqëruar me një argumentim mjaftë të fortë logjik.
Ai ish i apasionuar pas së vërtetave historike të së shkuarës dhe një kampion i lirisë së fjalës. Ishte analist dhe gjykatës i rreptë i së shkuarës, parashikues largpamës pothuaj i pagabueshëm i së ardhmes dhe një bashkëbisedues i këndshëm. Ish-majtisti i thekur, kishte evoluar gjatë viteve të gjata të burgut, kish pësuar katarsis të thellë, aq sa idetë, bindjet dhe mentaliteti, kishin ndryshuar kryekëput. Vetia e vet korrigjimit, që te të tjerët s’para shihej, te ai ish bërë pjesë karakteri. S’i mungonte kuraja të pranonte botërisht, gabimet e viteve të Luftës, të merrte përgjegjësinë për fajet e asaj periudhe të mbrapshtë, të kërkonte ndjesë për përplasjet dhe konfrontimin e pandershme me “armiqtë e kombit”.
Te ky individ ishte pleksur gjykatësi i drejtë me analistin shterues, vlerësuesi i paanshëm, me korrektin absolut; objektiviteti i tij kapërcente madje edhe cakun e ish-“armiqve”. “Jepi Çezarit ç’është e Çezarit! apo Secilit hakun”! ish moto e tij. Enver Hoxhën e konsideronte politikanin më diabolik, të dalë ndonjëherë në krye të politikës shqiptare, gjatë dymijë viteve të fundit. “Është djall me brirë! Cinik dhe imoral i paskrupull, kobzi e shpirtzi, si Luçiferri! Ndërgjegjja i noton në gjak të pafajshmish! Por s’është fajtori i vetëm ai, të gjithë jemi nga pak! Ç’bënim ne, kur luhej në bixhoz karta e kombit? Po kur paravendoseshin kufijtë? Asgjë dhe.., asgjë apo, pothuajse asgjë! Kush heshti nga frika, kush rendi pas bishtit të emisarëve serbë e rusë, për përfitime të pamerituara! Kjo është e vërteta”!
Ditën e 5 majit 1969, kur nga altoparlanti në lartësinë e shtyllës para komandës, do gjëmonte zëri bubullimë i Enver Hoxhës, në varrezat e Dëshmorëve të Kombit: “Në kujtim të Qemalit, të gjakut të tij rinor dhe të njëzetetetë mijë të tjerëve…”, Ilia do shpërthente: – “Eh, or vëlla, e nisëm keq! A more Luçiferr, të rëntë damllaja! Turp! Betohesh për Qemalin”! – mallkoi Ilia dhe vazhdoi: – “E nisëm lojën e bërrylave, që herët! Qysh në krye, derdhëm gjak”! – u drejtua nga unë, – si të isha bash përgjegjësi për fajet e Enverit, po kur unë heshta, vijoi:
– “Mbase e keni dëgjuar tradhtinë ndaj tij? E pra, është e vërtetë! Dikur kisha dyshime, po s’doja ta besoja! Kur e fejuara e tij, Drita Kosturi, më parashtroi fakte, mbeta i shokuar! E qelbi burgjeve të gjorën, për këtë sebep! Sepse s’pranoi të mashtronte e të falsifikonte historinë, siç desh Luçiferri! A ka hipokrizi më të madhe, se kjo?! T’a flijosh vet tjetrin dhe paskëtaj, ta festosh këtë datë, si ditë Dëshmorësh?! Mashtrim, njëmijë here mashtrim! Po të tjerët, a i dinin këto? Sigurisht, i dinin! Atëhere, pse heshtin? Kemi frikë, justifikohen disa! Turp e për faqe të zezë”!
“Ehu-u, pse mo, me të vdekurit do merremi njimë”! mbrohen të tjerët. Batakçinj! – Jo, or jo, kanë arsye më të fortë! Të gjithë janë ngjyer nga një çikë, me këtë mender! E kuptuat tani, që s’është vetëm Enveri, po të gjithë! Të gjithë, të gjithë memecët e puthadorët”! – monologoi Ilia, duke iu kërcënuar zërit të padukshëm që çirrej nga hinka. Vazhdoi të akuzonte dhe të argumentonte më tej: – “Vërtetë kemi qenë pak naivë dhe ai e shfrytëzoi këtë! Ama, edhe ariu në pranverë zgjohet. Po ne, ç’bëmë?! Mbemë në gjumë, se në gjumë!
Edhe kur u kuptua ashiqare se gjasme sivëllezërit komunistë jugosllavë, po na i punonin pas shpine, ne prapë dremitëm! Shpresonim të ishim në ëndërr, si ai gomari i përrallës, kur po e shqyente ujku! Besonim se këto avari, do riparoheshin rrugës! Mendonim se rrota që po na ndiqte nga pas, s’do na shtypte ne, po të tjerët pas nesh! Secili e hoqi mënjanë e lutej: larg bythës sime! Por, jo! Rrota vërtitej e në rrotullimin marramendës bluante dhe do bluaj eshtra, linte e do lërë vazhdën e kuqe prej gjaku vëllezërish!
A pati guximtarë? Sigurisht. Por kush mori guximin të shprehte qoftë dhe ndonjë gjysëm të vërtete, të nesërmen e gjenin kufomë në hendeqe pas ferrave, vrarë nga pushka tinëzare e shokëve të idealit. Propaganduam përsosmërinë, mbollëm pabesinë! E pra, u zhdukën me tradhti Qemal Stafa, Vojo Kushi, Sadik Stavileci, Xhorxhi Martini, vranë pas shpine Anastas Lulon, Mustafa Gjinishin e, dhjetëra të tjerë. Dyshimtarët iu shmangën pritave; besimtarët vanë për dhjamë qeni! Të gjithë i kishim sytë në ballë, po bëmë qorrin, heshtëm pa dallim!
Vramë e vramë njëri tjetrin, t’i pastronim udhën Luçiferrit! Mbase edhe i diskutonim ndonjëherë mes miqsh, po mbyturazi sepse ishim verbuar, ndjenja e detyrës karshi atdheut që lëngonte nën hundën e të huajit gjatë Luftës dhe gjasme perspektiva e ndritur, sipas pikëpamjes sonë, më pas, na kishin qorrollepsur. Propaganda e shfrenuar serbo-sllave, na bëri të shpresonim lugën e florinjtë. Gjithë ç’ndodhte, i quajtëm keqkuptime të çastit, që do kapërcente koha dhe me kohën do rikthehej edhe normaliteti demokratik.
Po më pas, ç’bëmë? Zi e më zi! E zhveshëm pronarin nga prona! Ia morëm tokën zengjinit dhe ia dhamë fukarasë! Bukur fort! Ama, ja morëm sërish edhe këtij të fundit dhe e kolektivizuam! Ç’farë fituam? Skamjen! Prodhuam dy palë varfanjukë, të pasurit i bëmë të varfët, të vobektët i varfëruam fare! Për turpin e botës, sot pas njëzetepesë vjetësh, sheh një popull të tërë që rropatet për kafshatën e gojës, që jeton mes skamjes e mungesave ekstreme, i pa ngrënë, i rreckosur, që punon me shpirt ndër dhëmbë në ndërmarrje pa prodhim e, në kooperativa pa bereqet dhe s’ja dalin dot të sigurojnë, as kafshatën e kalamajve, po zhgërryhen mes këtij mjerimi, që ka pllakosur tej e ndanë Shqipërinë!
Kur dëgjon një grusht demagogësh sharlatanë, të flasin si në ekstazë, për të mirat materiale që me demek, në një të ardhme do na sjellka komunizmi, por që s’po duken gjëkundi e s’po i shijon dot askush, të vijnë zorrët në grykë! Pa le kur çirret për interesin kombëtar ata që na shkombëtarizuan dhe që për interesa vetjake, e falën kombin, ata që ende mashtrojnë me bashkimin, në kuadër të triumfit të revolucionit proletar, atëherë neveria shumëfishohet! Por atëkohë s’gjykonim kështu, ideali na kishte trallisur mendje dhe zemra!”
E përjetonte mjaftë dhimbshëm përçarjen, mes vëllezërit e gjakut. – “Për së pari shpresoja që mbas lufte, me ndëshkimin e atyre pak tradhtarëve dhe të një pjese kuislingësh që, me ndërgjegje apo jo, u vunë në shërbim të të huajve, do merrte fund urrejtja mes vëllezërve, do rilindte sërish dashuria mes shqiptarëve. Isha ndër të parët që i besova bashkimit, po kur Mukjen e flakën në koshin e plehrave dhe nisi vëllavrasja, u zhgënjeva ligsht. Pastaj kur pashë të shkelej me të dyja këmbët edhe marrëveshja shpresë-ndjellëse e Bujanit, zhgënjimi mbërriti kulmin.
Kurrë s’më kishte shkuar ndërmend, se do i lihej dorë e lirë Titos e Rankoviçit, të zhduknin pa nam e nishan, mijëra bijë nënash kosovare, t’i bënin kurban në Tivar e Ulqin dhe drejtuesit tanë të heshtnin, sikur jeta shkiste mbi vaj! Kamë parë t’i mashtronin trimat kosovarë; gjoja tashmë lufta kish përfunduar dhe se do ndërtonim Shqipërinë e re dhe Kosova do ishte pjesë integrale e saj. Kreshnikët e Shaban Palluzhës me dy pëllëmbë mustaqe, sy përlotur dorëzuan armët në besë të vëllezërve të pabesë. Dhe i vunë para, si cjapi te kasapi, drejt e në ekzekutime masive.
Atë që s’e arriti asnjë pushtues me forcë, e bitisi Ramiz Alia, Gjin Marku, Shefqet Peçi e kompani, me metodat më të turpshme, gënjeshtrën. Tradhtoi vëllai-vëllanë! E mbushën Tivarin me kufomat e masakruara, të mijra bijve të Kosovës dhe tanët zdërhalleshin me shkinat, haremeve të Nishit dhe Beogradit. S’na shpëlanë as lum, as det! Hapu o dhe, të futemi! Kur shqiptarët e Kosovës, ekzekutuan antishqiptarin e tërbuar, Miladim Popoviçin, ai qe gati ta çonte gjakun gjer në gju dhe ta shpallte malazezin hero kombëtar. Pa po, t’u bë bythë e brekë me jugosllavët, sa çdo parullë fillonte me druzhe Titon dhe mbaronte po me druzhen.
T’iu futnë dyqaneve dhe tregtarëve, iu grabitën mallin e floririn dhe drejt e te druzhja, deri edhe tufat me dhenë e me dhi, trena të tërë me ullinj dhe vaj ulliri, shkonin në dërzhavë, deri sa e kthyen fshatarin tonë, lypës në vendin e vet. Pllakosi ajo zi buke, që e njohim të gjithë! Gojët e liga duan të thonë: për shkak të karkalecave! Edhe Enveri me të vetët, kështu rreket të na e shesë! Por jo, karkalecat dykëmbësh të Beogradit, na qëruan hambarët! Atëbotë hodhën në qarkullim një parullë ala fshatarçe: ‘o misrin ne grazhdare, o lëkurën mbi gomare’! i rropën bujqit e shkretë, sikur të mos qenë pjesë përbërëse e popullit dhe pushtetin të na e gëzuakeshim vetëm ‘kllasa’ punëtore!
Kur fëmijët e fshatarit shqiptar, perëndonin sytë për krodhën e bukës dhe pikën e dhallës, Nexhmija me Jovankën, bënin banjo me qumësht, në pishinat e Budvës. Por s’kaloi gjatë dhe ata që ndër vite i qenë lëpirë Titos, po iu rrezikohej kolltuku. Duhej kthyer timoni sa s’ish vonë. U futën sërishmi në lojën e lashtë të bërrylave. Shokët që gjer dje qenë puthur buzë më buzë, sot shiheshin vëngër e i skërmitnin çatallat njëri tjetrit, si bishat në xhungël. Mes këtij perversiteti meskin ku gjithkush tregonte me gisht gjithkënd, pa respektuar as meritat, as vlerat, as moralin, iu sulën sho-shoqit. Nisën gjuetinë e shtrigave. Mbërriti momenti kur revolucioni po shqyente këlyshët e vet!
Dikush përfundoj me një plumb pas koke; me dorën e vet apo të të tjerëve, pak rëndësi kishte. Më pas se nga gjetën një leshko teneqexhi gjysëm analfabet, i bashkëngjitën dhe ca karrieristë pa taban e, t’iu futën nga një koqe plumbi; ca të tjerë i detyruan të bënin harakiri, ca i degdisën skërkave në internime. Gjithë të këqijat e deriatëhershme, ia faturuan Titos dhe të etiketuarve titistë, pavarësisht se sa fajtor ishin dhe, e mbyllën kutinë e Pandorës. Por faji edhe kur bëhet qyrk, s’e vesh askush!
Enveri me bandën e vet, më prapa tentuan të shfajësohen, po çdo e keqe që s’duhej të ndodhte, kish ndodhur dhe të vdekurit s’mund t’i ri ngrinin sërish nga baltovinat anonime të Maliqit, të Vloçishtit dhe gjithkund ku i sikterosën. Intelektualët po soseshin; lindi një soj i ri kalemxhiu sahanlëpirës, që dinte veç të bënte hosanara! Pra, s’qe i vetëm Enveri, po edhe të tjerët! A s’jemi të gjithë nga pak fajtorë? A s’i shihnim ne, këto mysybete? A s’i shohim edhe sot? A s’i bëmë duart gjak, duke duartrokitur Luçiferrin? A nuk po i rrjepim ende? Ku ishim? Ku jemi? Pse heshtëm? Pse heshtim? Të gjithë kemi pjesën tonë të fajit, paçka se shumica s’duam ta pranojnë!
Gomarin nga balta e nxjerr i zoti! Po ne si zotër shtëpie, i vumë shqelmin mbi zverk, i shitëm idealet e pararendësve tanë, e braktisëm Kosovën, e sikterisëm Çamërinë, i lamë vëllezërit e gjakut, nën mëshirën e kasapëve. E, ç’vlejnë lotët e krokodilit tani?! Asgjë, vetëm hipokrizi! Na dalkan ca birbo pseudo-historianë dhe na e nxjerrkan Enverin të larë! Biles, na i thurkan edhe ditirambe trimërore! Jo, të gjithë janë fajtorë, po ai ka faj veçan! Ishte dhe është i pari i të parëve! I shiti vëllezërit Çamë! Le të justifikohet si të dojë Enveri me të vetët, unë kam qenë i angazhuar, që nga dita e parë, e di mirë ç’ka ngjarë!
Kur turmat e pleqve, grave dhe fëmijëve dëboheshin me zjarr dhe hekur nga paraushtarakët e Zervas, Enveri argalisej me Titon. Por më gjej të lutem, një rast të vetëm, që sllavët të kenë qenë kundër grekut, në krahun tonë? E them me bindje të patundur, s’ka ndodhur ndonjëherë dhe s’ka për të ndodhur, as në të ardhmen! Dëmet në popullsinë çame, do ishin disa fish më të vogla, nëse Enveri dhe shteti shqiptar, do kishte marrë mbi supe përgjegjësinë e momentit. Po fatkeqësisht ata njerëz të dëbuar, pa strehë, pa ushqim, zbathur, zhveshur, u lanë në mëshirë të fatit dhe, po të mos qe bujaria e vëllezërve të gjakut, dëmet do ishin edhe më të mëdha. Edhe për këtë, Enverin na e nxjerrkan qelibar!?
Jo, or zotni, ky njeri ishte dje, është edhe sot e gjithë ditën fajtori kryesor, të mos them më kryesori! Ama pa pa diskutim, gjeti një tufë zagarësh, që i jargaviteshin dhe i lëpiheshin pas hijes dhe një popull mjeran, pa shtyllë kurrizore. Inteligjencën e zuri gafil. Përsa kohë iu desh, e përkëdheli në sedër dhe pastaj si ai kasapi që çdo ditë zgjedh më të majmin e tufës për ta therur, i kositi një nga një cokat më të zgjuara. Dhe vazhdon kurbanët çdo ditë e çdo muaj, e çdo vit; kështu pambarim! Dhe të gjithë heshtin, kryeulur presin radhën në gijotinën proletare…”!
Ilia ishte i drejtpërdrejtë, e shprehte mendimin pa ngurrim, para kujtdo. Ishte polemist i shkëlqyer, kishte shprehi të forta dhe argumenta bindës, ishte i ndershëm dhe trim, po mbi të gjitha, nacionalist i flaktë. Më qëlloi shpesh, të asistoja në debate mes tij dhe ish-shokëve të të njëjtit ideal si, me Bedri Spahiun, me gjeneral Halim Xhelon, me Maqo Çomon, me gjeneral Gjin Marku, që dikur e kish patur epror në qarkorin Beratit por, që për probleme ideologjike dhe morale, ishin prishur, etj. Me argumente të pakundërshtueshëm, i vinte me shpatulla pas murit.
Kur Ilia u dënua, Bedriu, Halimi, Gjini, Maqua, etj., ishin yje në ngjitje drejt zenitit, por njeri pas tjetrit edhe ata u thërrmuan dhe nisën rënien e tyre, deri sa u fikën. Mbas ca vitesh përfunduan aty, me Ilian. Gjithsesi pikëpamjet e tyre politike, kishin mbetur diametralisht të kundërta; nëse Ilia ish konvertuar në një nacionalist fanatik, Bedriu vazhdonte të ishte po ai prokuror djallëzor. Megjithëse për shumë probleme, ishte kthjelluar, sërish për krimet në emër të idealizmit, nuk shfaqte pendesë. Bedriu ishte i kthjellët në qëmtimin e së vërtetave të padeshifrueshme të labirinteve të errëta të politikës, kishte përvojë të gjatë dhe aftësi interpretuese të admirueshme. Pra, ishte njëfarë barometri, për të matur oshilacionet ulje-ngritje të politikës së ditës. Kishte karakter të jashtëzakonshëm, mund të them i papërkulshëm në sojin e vet. Edhe Halimi kishte mbetur po ai, ndihej krenar për rrugën që pati zgjedhur në rininë e hershme.
I njihte mirë kulisat e Sigurimit që shtinë në kurth kundërshtarët ose, ata që i kishin piketuar si të tillë, madje ishte pikërisht ai që së pari i kish vënë në zbatim. Por kokëshkëmb dhe hundëpërpjetë, si asnjë tjetër, kishte ngecur në grackën që ngrehu vet. Tani e ndjente peshën e fajit, po s’nënshtrohej kurrë, ndoshta kryeneçësia i kushtoi jetën. Gjini mbeti rob i përjetshëm i ideve utopike, të viteve të rinisë. Paçka se me vonesë, edhe ai arriti të kuptonte se ish shokët, e kishin prerë në besë, e kishin ngrënë prapa shpine, siç ua kishte futur edhe ai të tjerëve. Maqua ishte më ekuilibruari, ndoshta i vetmi ish-komunist tolerant, që në rrjedhën e viteve, e kuptoi se ku të shpinte ajo doktrinë e nëmur, që e kishte molepsur në moshë të re. Ja disa copëza nga debatet mes tyre.
Debatet e Ilia Iljadhit me Bedri Spahiun
Ilia: – “Bedri, si shumë u zhytëm në gjak”?
Bedriu: – “Vërtetë, ama në fillim ishte e justifikuar. Mendo, ishim anëtar të koalicionit antifashist, dolëm nga lufta si forcë fituese, pastaj si kudo në Europë, edhe ne kishim kuislingët tanë. Ti e di shumë mirë, gjithë shtetet fituese organizuan gjyqe special, për dënimin e kriminelëve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Aq më tepër te ne, që patëm dy pushtues njeri pas tjetrit, rrjedhimisht edhe dy grupe kuislingësh”.
Ilia: – “Më duket s’u kuptuam? S’e kisha fjalën për dënimin e kuislingëve, megjithëse edhe ndër ta duhej bërë dallimi, kuislingët realë, nga ata që vunë në shërbim të kombit jetën dhe dinjitetin e tyre. Pra, ato figura s mëdha me kontribute të shquara, që i shërbyen interesave të larta të kombit, qysh nga pavarësia e tëhu! Ata po të donin, mund të ishin tërhequr në azilet e tyre, të gëzonin të mirat materiale që kishin vënë për një jetë të tërë dhe kur të kuptonin se fundi s’ish i favorshëm, të iknin e të jetonin në çdo shtet, ku të dëshironin! {or përkundrazi, zgjodhën me ndërgjegje në ato kushte, të sakrifikonin për të shpëtuar ç’mund të shpëtohej.
Bedriu: – “Në çdo shtet u dënuan bashkëpunëtorët, Franca dënoi Petenin, heroin e vet kombëtar”!
Ilia: – “Jo, o i nderuar, Bedri! Nëse këto shtete që përmende zotrote, gjithçka ia lanë drejtësisë, te ne u veprua me metoda ilegale. Kujto masakrën e ‘Bristolit’ dhe të rrugicave të Tiranës, po dhe anembanë vendit, ku dhjetëra dhe qindra intelektualë, që pa kryer asnjë krim, u ekzekutuan pa vendim gjykate, skutave në errësirë, në kohën kur kish mbetur më këmbë gjermani”.
Bedriu: – “Tradhtarët në të gjithë botën, i pret i njëjti fat, plumbi”!
Ilia: – “Shumë e drejtë, tradhtarët i pret plumbi! Po cili i gjeti fajtorë këta burra të nderur, për t’i çuar në plumb”?
Bedriu: – “E kush tjetër, Partia”?!
Ilia: – “O zoti Bedri, kur u ngritëm, propaganduam luftë kundër pushtuesit e huaj. Në Pezë u bashkuan të gjithë, pa dallim feje, krahine dhe ideje. Partitë ekzistuese dhe ato që do krijoheshin më pas, s’mund të kishin monopolin mbi drejtësinë, aq më tepër mbi padrejtësinë. Do ishin gjykatat ato që do jepnin verdiktin. Kush vendosi se pikërisht këta mjeranë, ishin fajtorët”?
Bedriu: – “Të thashë pra, Partia! Pastaj mos harrojmë, ishim ende në luftë”!
Ilia: – “Jo të lutem, lufta kishte mbaruar. Gjermani i fundit kishte kaluar me kohë kufijtë shtetëror. Kemi qenë të gjithë bashkë, po kremtonim fitoren me parada e fanfare, po të ka dalë nga mendja”?
Bedriu: – “Jo, kujtesën e kam në rregull, po fundja ata ishin piketuar si bashkëpunëtor të pushtuesve dhe gjithsesi ai fund i priste”.
Ilia: – “Domethënë, eliminimi i tyre paska qenë i paravendosur! Po, nga kush”? Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016