Nga Ali Buzra
Pjesa e tridhjetë
– JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE –
(VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)
Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.
Bedri Kaza
Në vitin 1954, tregon ai, filluan të na lirojnë pjesë- pjesë. Nga familja e tyre për fat nuk pati të vdekur. Ata u kthyen të gjithë në shtëpi, në Vilan. Këtu i vendosin një çati mureve të shtëpisë së djegur për së dyti, të cilën e patën ndërtuar nga djegia e parë. Me të ardhur, vëllezër e motra, i u vunë punës në bujqësi. Vunë edhe pak blegtori, ndërkohë u martuan një e nga një. Duke qenë të cilësuar kulakë, ata dhanë e morën po me familjet kulake, nga fshatra e zona të tjera.
Kështu Dauti, mori te Qytyku në Gurshpatë, ku i ati i nuses kishte qenë me Ballin Kombëtar. Aliu, mori në Labinot, te Must Meta, edhe ky ishte kulak. Osmani, te Cani në Labinot, në një familje kulake. Shabani, u martua me vajzën e Nebi Doskut nga Dorëzi, i cilësuar kulak. Ganiu, vajzën e Selim Gurrës, në familje kulake në Dragostunjë, ndërsa Shemja, u martua me vajzën e Shaban Dashit, nga Bërzeshta. Ky i fundit ishte shpronësuar duke i marrë mbi 500 kokë bagëti, e qe dënuar me 15 vite burg. Babai i tyre Sherifi, ndërroi jetë në vitin 1959, kur gjendja ekonomike e familjes, ishte tepër e rënduar.
Deri në vitin 1967, qëndruan individë, pa u futur në kooperativë, por tatimet mbi tokën dhe blegtorinë qenë të papërballueshme, për të gjitha familjet kulake. Megjithëse nuk qenë përfshirë në kooperativë, por tokën e mirë ua morën dhe u dhanë toka in-produktive në shpatet e kodrave. Për këtë, Ruzhdiu thotë, se në ato toka nuk merrnim asgjë, “por ne burrat shkuam të punojmë në sektorin e Stabilimentit të Sharrës në Stravaj me mushka, ku paguheshim më mirë. Kështu me punë e lodhje mbanim edhe familjet, ndërkohë detyroheshim të shlyenim edhe tatimet e rënda ndaj shtetit, si drithë, të cilin e blinim, bylmet, mish, lesh etj”.
Në vitin 1967, kur procesi i kolektivizimit të bujqësisë përfundoi në shkallë vendi, i “pranuan” edhe familjet e kulakëve. Familjet e kulakëve, jo se e dëshironin futjen në kooperativë, por së pari tatimet mbi token, ishin të papërballueshme, së dyti, tokën e mirë ua kishin marrë, ndërkohë ndiheshin edhe të veçuar nga pjesa tjetër e popullsisë. Pjesëtarët e familjeve të Muzhaqit, ishin njerëz shumë punëtorë. Ata merrnin përsipër të kryenin çdo punë në kooperativë, për të mbajtur familjet e mbijetuara.
Ata qenë mjeshtra të mbarë shtrimit të blegtorisë, bujq të zotë, specialistë ndërtimi etj. Në familjet e tyre lindën dhe u rritën shumë fëmijë, por atyre nuk iu dha e drejta e shkollimit për në shkollë të lartë, megjithëse ishin shumë mirë në mësime. Diferencimi ndihej kudo. Është fakt, se kishte shumë prej banorëve të fshatrave fqinjë, që i nderonin dhe i respektonin ato, ashtu në heshtje, megjithëse nuk mund të shkonin hapur në shtëpitë e tyre. E themi për fshatrat fqinjë, sepse shumica e familjeve në Vilan, ishin kulakë.
Sheme Muzhaqi, fillimisht punoi direkt në bujqësi, më pas filloi marangoz në zdrukthëtarinë e sektorit. Ai ishte mjeshtër i punimit të drurit. Rastet e përbuzjes e të përçmimit nga ana e disa prej drejtuesve të partisë apo të pushtetit ndaj tyre, ishin të shumta. Po përmendim një rast që ka të bëjë me Sheme Muzhaqin:
Azis Noni, një kryefamiljar nga Qafë Dardha e Gurshpatës, kishte porositur në kooperativë, dyer e dritare të shtëpisë së re, që kishte ndërtuar. Mbasi shlyen detyrimin për to në arkën e kooperativës, dërgohet nga sektori i ndërtimit Shemja, për t’ia vendosur dyert dhe dritaret që i kishte përfunduar së bëri në zdrukthëtari. Azisi, kishte dasëm, martonte djalin. Megjithëse, Shemja u përpoq t’ia përfundojë montimin sa më shpejt, por koha qe e kufizuar dhe ai i përfundoi ato në ditën që dasma po fillonte. I zoti i shtëpisë, i thotë atij të qëndrojë, meqenëse u ndodh aty.
Shemja, e falënderoi atë për respektin, ndërkohë insistoi për t’u larguar, por qe e pamundur. Azisi ia kërkoi me detyrim që të qëndronte, duke e ulur në konak me dasmorët. Pas pak, në konak, vjen një person nga një fshat fqinjë, i cili ishte i ftuar në dasëm, ndërkohë ai ishte sekretar partie në fshatin e tij. Ky i fundit nxjerr një bllok e, fillon të shkruajë një letër në një fletë, të cilën ua përcjell burrave të konakut që ta lexojnë. Në letër shkruhej, se; “këtu kemi një kulak, i cili duhet të dale, ose të dalim ne. Po qe se i zoti i shtëpisë nuk e nxjerr atë, ne duhet të largohemi nga dasma”, u kërkonte ai dasmorëve të tjerë.
Për këtë, Shemja rrëfen, se e kuptoi qëllimin e tij, si dhe pëshpëritjet vesh më vesh në konak, por s’dinte ç’të bënte. “Më mirë të mos kisha qëndruar”, mendoi ai me vete. E ç’të bënte?! Të qëndronte…..të zotit të shtëpisë mund t’i krijonte probleme, të dilte….edhe kjo ishte e rëndë për të, aq më shumë në një “mexhlis” të tillë. “U ndjeva shumë ngushtë”, tregon ai. Në këto momente të vështira për të, Xhep Cekani, që e kishte nip djalin që martohej, i jep shenjë atij me dorë, që të qëndrojë, duke kthyer qeleshen në sy, që donte të thoshte; “mos u mërzit fare”.
“U ndjeva pak i lehtësuar”, – rrëfen Shemja. Ndërkohë letërshkruesi me dy persona të tjerë, dalin jashtë dhe e thërresin të zotin e shtëpisë në oborr. Ata i thonë atij, se; po e mbajte kulakun, ne do të ikim. I zoti i shtëpisë, Azis Noni, ua pret shkurt: “Sheme Muzhaqin e kam ndaluar unë sot në dasëm, e askush nuk më detyron ta përzë. Ju, në qoftë se doni me ik, udha e mbarë ju qoftë”! E kështu u nda me ta, në oborr, pa ua dhënë dorën. Kështu ata të tre, u larguan nga dasma.
Në tjetër dasmor, i afërm i familjes, pa dijeninë e të zotit të shtëpisë, i ndjek nga mbrapa, e jashtë oborrit i ndalon e, me të qeshur u thotë: “A jeni burra, apo çfarë jeni, të ftuar në dasëm e nuk dhatë paratë. A bëhet kjo! Në xhep kam paratë e të gjithë të ftuarve, jepini edhe ju”! Deshën s’deshën, i dhanë paratë që të tre, e u larguan të pavlerë.
Me emërtimin “kulakë”, të ndrojtur e të heshtur, punuan e jetuan familjet Muzhaqi, deri në vitin 1990. Mbas përmbysjes së sistemit komunist, pak familje qëndruan aty, shumica u larguan brenda e jashtë vendit, duke ndërtuar një jetë të re, të lirë, në kushtet e reja ekonomiko-shoqërore. Me Sheme Muzhaqin, i vetmi i mbijetuar nga shtatë djemtë e Sherif Muzhaqit, u takova dhe bisedova me të, më 15 tetor 2016, në Durrës, ku ai banon me të shoqen, dy djemtë e tij, si dhe me nipërit e mbesat.
FSHATI POLIS-GURSHPATË, POZICIONOHET ME BALLIN KOMBËTAR
Fshati Gurshpatë, ashtu si edhe Vilani, gjatë luftës u pozicionua me Ballin Kombëtar. Një ndër fiset më me influencë në këtë fshat, ishte ai i Cekanit. Ky fis në Gurshpatë, është i ardhur nga Polis Qendra. I pari që erdhi në Gurshpatë, ishte Met Cekani. Ai u vendos aty pas Shpalljes së Pavarësisë, bashkë me tre djemtë e tij, Aliun, Xhafën dhe Ibrahimin.
Aliu pati gjashtë djem: Jakupin, Hysniun, Ganiun, Metën Shefqetin e Samiun. Vëllai tjetër, Xhafa, pati Rexhepin, i cili thërritej shkurt; Xhep Cekani, ndërsa Ibrahimi, Feritin. Familja e tyre, përgjithësisht, pati një pozitë të mirë ekonomike për kohën. Ata merreshin kryesisht me bujqësi e blegtori.
8.1 Ali Cekani, një nga figurat më me influencë në Polis, dhe roli i tij në shmangien e konflikteve mes grupeve të ndryshme ndërluftuese
Figura kryesore që spikati në kohën e Zogut, e më pas në periudhën e Luftës, dhe që u bë e njohur në të gjithë zonën e Polisit, ishte ajo e Ali Cekanit. Aliu thërritej nëpër kuvende që organizoheshin në krahinë, si dhe merrte pjesë në ndarje gjyqesh. Ai vlerësohej për fjalën e tij, si burrë i drejtë e i paanshëm. Në kohën e luftës, në Gurshpatë, ngrihet çeta e Ballit Kombëtar dhe Ali Cekani zgjidhet komandant i saj. Në vitin 1943, kur Nezir Muzhaqi kryesonte Ballin Kombëtar për Prefekturën e Elbasanit, Ali Cekani kryesonte këtë organizatë për Poliset.
Aliu, ashtu si edhe shumë krerë të tjerë krahinorë, kishte miqësi me Beun elbasanas, Shefqet Vërlaci. Kur u ngrit çeta e tij, fillimisht me qëllime vetëmbrojtëse, ai mori furnizim me armë te miku i tij, Vërlaci. Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, kur situata midis Frontit Nacional-Çlirimtar e Ballit Kombëtar u tensionua, Aliu tregohet shumë i matur dhe i përmbajtur. Ai, në këto situata konfiktuale, në mjaft raste ka evituar përplasjen e armatosur me forcat partizane. Në momentet e konfliktit të Nezir Muzhaqit me Brigadën e Parë, ai u gjend në krah të tij dhe ishin të dy bashkë që vendosën të mos i sulmojnë partizanët, që kishin bërë dëme e plaçkitje në Vilan.
Thuhet se Ali Cekani kishte shumë autoritet në Polis, kjo edhe se ai ishte në moshë të pjekur, krahasuar me Nezir Muzhaqin, i cili ishte i shkolluar, por i ri në moshë. Në kohën e gjermanëve, ai lidhet me qeverinë e Regjencës të Rexhep Mitrovicës, e cila siç e kemi përmendur më lart ishte një qeveri shqiptare në kushtet kur në Shqipëri ishin forcat gjermane. Duke qenë përfaqësues i Ballit për zonën e Polisit, kishte një zyrë në Elbasan, ashtu si edhe Neziri. Nuk ka as edhe një fakt, që të dëshmojë se ai u ka shërbyer gjermanëve përkundër Frontit Nacional-Çlirimtar, apo të jetë pjesëmarrës në ndonjë krim, përkundrazi, ka patur dhe ka shumë dëshmi që vërtetojnë kontributin e tij në shpëtim jetësh të partizanëve.
Për këtë flet rasti i Dhimitër Shuteriqit. Aliut, i shkon në zyrë e ëma e Dhimitrit, ku i kërkon që ta shpëtonte nga mundësia e arrestimit. Ashtu siç e dëshmon edhe Nezir Muzhaqi në gjyq, Aliu i shkon në zyrë dhe i kërkon të gjejnë një mundësi për ta shpëtuar. Vetë ai, e shoqëron djaloshin 18-19 vjeçar, për ta nxjerrë nga qyteti deri në Mirakë. Po të kemi parasysh rrethanat në kohë lufte, ata morën përsipër një përgjegjësi dhe punë me rrezik, për të shpëtuar jetën e një partizani. Ali Cekani, ishte burrë dinjitoz, ai ishte shembull fisnikërie, besnikërie e humanizmi të pashoq. Mbas Luftës së Polisit, ku mbetën disa partizanë të vrarë, kur vjen Ali Cekani gjen 25 partizanë të kapur robër, të cilët mbaheshin në shtëpinë e Ballollit. Me urdhër të tij ata u liruan të gjithë, ndërkohë që vetë Nezir Muzhaqi u interesua të mjekohen në spitalin e Elbasanit.
Ali Cekani kishte shumë miq. Ai kishte miqësi edhe me Sami Bahollin, por në takimin me të, që në fillim, ashtu si dhe shumë nacionalistë të tjerë patriotë, Aliu nuk pranon të bashkohet me komunistët. Një ndër miqtë e tij ishte edhe Miftar Hoxha nga Miraka. Bashkëkohësit kanë dëshmuar, se kur Enver Hoxha ishte i strehuar te ky i fundit, Aliu merr informacion për lëvizjen e dy skuadrave gjermane në drejtim të Mirakës. Në këto rrethana, ai dërgon një person të besuar nga familja Shkurti, mundet të ketë qenë Qazim Shkurti, ku e porosit t’i thotë Miftarit: “Largoje mikun që ke aty, se po vijnë miq të tjerë”. Ky eveniment, ashtu si dhe dhjetëra raste të tjera, flasin për atë se dy burrat e Polisit, Ali Cekani e Nezir Muzhaqi, rrezatojnë maturi, guxim, largpamësi e dinjitet në marrëdhëniet aq konfliktuale të kohës së luftës.
8.2 Ali Cekani nuk pati një varr, ndërsa familja e Jakup Cekanit përjetoi vuajtjet dhe persekutimin komunist
Mbas lufte, Ali Cekani nuk bën tentativë për arratisje, por qëndroi në fshat. Ai, ashtu si edhe Nezir Muzhaqi, ishte i ndërgjegjshëm për pozicionimin e tij, si edhe për atë se nuk qe përzier në luftën vëllavrasëse, përkundrazi, në mënyrën e tij kontribuoi në ndihmë të luftës çlirimtare. Por, ashtu si edhe shumë nacionalistë të tjerë, u gabua. Në vitin 1945, e arrestojnë me motivacionin; “për bashkëpunim me pushtuesit”. Në hetuesi, ai nuk pranon akuzat, por jep fakte për ndihmën e dhënë. Djali i tij, Jakup Cekani, shkon në shtëpinë e Dhimitër Shuteriqit e, i kërkon që të lëshojë një deklaratë për të. Ky i fundit i thotë: “Unë e di se jetën prej Aliut e kam, por nuk guxoj të lëshoj deklaratë”.
Në situatën e rëndë pas lufte, vërtet ishte e vështirë të dëshmoje në favor të atyre që shteti komunist i kishte piketuar. Ndërkohë, mjaft fshatarë të thjeshtë nga zona e Polisit, shkojnë në Elbasan e kërkojnë që ai të lirohet, duke thënë se Ali Cekani nuk ka kryer krime. Në këto rrethana, me një gjyq të inskenuar e pa fakte e dënojnë me 2.5 vjet burg. E kryen dënimin e vjen pranë familjes në Gurshpatë. Por, qeveria komuniste do të fillonte reformat. Ali Cekani, një person me shumë prestigj dhe autoritet në Polis, mund të përbënte pengesë në këtë rrugë. Në mentalitetin komunist, ai duhej eliminuar. E arrestojnë për së dyti, me një motivacionin tjetër.
Akuzohet, se ka ndihmuar me bukë e ushqime, Rexhep Kasën, i arratisur, Hamit Matjanin e Alush Leshanakun, që kishin desantuar në zonën e Polisit, si diversantë. Mbas disa muajsh torturë në hetuesi, e nxjerrin në gjyq. Me dëshmitarë të rremë e të përpunuar nga Sigurimi i Shtetit, dënohet sërish me burg. Dërgohet për të kryer dënimin në burgun e madh në Tiranë. Me gjithë vështirësitë që kalonte, familja i gjendet pranë duke i dërguar ushqime, sipas sasisë që u lejohej. Në rastin e fundit, kur djali i tij Jakupi shkon ta takojë e t’i dërgojë ushqime, komunikon me rojën te porta. Ky i fundit, nuk jep përgjigje, por nxjerr një të burgosur tjetër, i cili i thotë: “Bëhu i fortë se babai ka vdekur”.
Kërkuan pranë komandës së burgut disa herë për të marrë trupin, por përgjigja ishte negative. Ashtu si edhe shumë të tjerë, nacionalisti patriot, burri i shquar dhe i respektuar i Gurshpatës, Ali Cekani, sot nuk ka një varr. Familja që u përbuz dhe u përndoq gjatë gjithë viteve të komunizmit, në Gurshpatë, ishte ajo e Jakup Cekanit. Ky i fundit qe fejuar me Leke Muzhaqin, të bijën e Sherif Muzhaqit, e cila siç e përshkruam më lart, ndodhej bashkë me prindërit, motrat dhe vëllezërit, në kampin e përqendrimit në Tepelenë. Atje shkon Jakupi, bashkë me një të afërm të tij për ta marrë. Mbas shumë ecejakesh, ata mundën të bindin administratën e burgut, se do të martoheshin dhe së fundmi e marrin. Mbasi u martua me të, Jakupi cilësohet kulak. Ata lindën e rritën 9 fëmijë.
Ishin 5 vajza dhe 4 djem. Titullin kulak ata e mbajtën deri në vitin e fundit të sistemit komunist. Disa herë iu kërkua Lekes, të mohojë prindërit, motrat e vëllezërit, për t’u hequr titulli i kulakut. “Fëmijët ishin të vegjël, por edhe si u rritën, më dhimbseshin, – rrëfente ajo, – por unë nuk i shkëputa kurrë lidhjet me familjen, ku linda e u rrita”. Kështu, nëna sokoleshë, Leke Cekani (Muzhaqi), përballoi persekutimin, përbuzjen e diferencimin shoqëror të saj dhe të fëmijëve, me kokën lart e krenare, përballë shërbëtorëve të regjimit komunist. “Ne e ndjenim më shumë se të tjerët diferencimin e përbuzjen, – shprehen fëmijët e Jakup Cekanit, – sepse ndryshe nga Vilani ku ishin pothuaj të gjithë kulakë, në Gurshpatë ishte vetëm familja jonë”.
Djali i Jakup Cekanit, Ali Cekani i ri, tregon një detaj nga jeta në shkollën fillore. Një mësuese nga Korça, që e donte shumë, i jep dy numra për të demonstruar në grupin artistik të shkollës, që do të jepte shfaqje para fshatit. Kishte një recitim dhe një monolog. Kur i vjen radha, Aliu i vogël 9 apo 10 vjeçar, bën me shumë kënaqësi recitimin e vjershës. Ndërkohë që priste radhën për të demonstruar monologun që e kish përgatitur mjaft mirë, dëgjon debatin që një nga drejtuesit e Partisë, po bënte me mësuesen e tij. “Keni futur kulakun që të na recitojë”, -i thoshte ai me zemërim. – “Nuk e dija, unë këtë vit kam ardhur”, – përpiqej të shfajësohej ajo.
“Kështu numrin e dytë, që e kisha me shumë dëshirë, nuk më lejuan ta bëj”, – shprehet ai. Shkon fëmija në shtëpi dhe e pyet nënën: “Nënë, përse ne jemi kulakë”?!… Përpiqej nëna e gjorë t’ia lehtësojë shqetësimin djalit të vogël, por më kot. Që nga ajo ditë, ai filloi të ndjehet gjithnjë edhe më shumë “ndryshe” nga të tjerët. Këtë gjendje të rënduar shpirtërore, e ka përjetuar edhe vëllai tjetër më i vogël, Kujtimi, i cili ka shkruar mbresat e tij të hidhura nga dita e parë e shkollës, të cilat po i botojmë sipas origjinalit:
“Ne jetonim në fshat. Shtëpia jonë ishte në një vend majë kodre nga ku mund të shihej nga i gjithë fshati. Tek ne nuk hynte e dilte njeri, kur them askush, është fjala as kushërinjtë, as xhaxhallarët, as të afërm të tjerë. Të vetmit që na vinin ishin dajët, tezet (njerëzit e nënës) dhe motrat e martuara, e askush tjetër. Më kujtohet kur kam shkuar për herë të parë në shkollë ditën e parë, isha gjithë qejf dhe bashkë me vëllanë të kapur përdore u ngjitëm në kodër dhe shkuam tek shkolla. Vëllai ishte tre vjet më i madh se unë dhe i dinte ligjet e shkollës, kurse unë nuk dija asgjë. Mbasi u rreshtuam një vajzë doli para nxënësve dhe ngriti grushtin lart e po priste. M’u afrua vëllai afër dhe më tërhoqi nga krahu e më nxori nga rreshti. Mësueset ishin rreshtuar tek shkallët e shkollës dhe të gjithë po më shihnin mua. Vëllai me tërhoqi fort dhe u larguam nja 5-6 metra larg nga të tjerët.
Atëherë ajo nxënësja para shkollës filloi: Nxënës, fatosa e pionierë, në luftë për çështjen e Partisë të jeni gati!” Në fund oshtiu e gjithë shkolla, “Gjithmonë gati!” aq sa u tremba e m’u dridh trupi.U trishtova pa masë dhe sytë m’u mbushën me lot. Aty kuptova se isha ndryshe! Unë dhe vëllai im… vetëm ne të dy ishim ndryshe. Hyra në klasë me trupin që më dridhej, më thanë të ulesha në bankën e fundit… që nuk e lëshova derisa mbarova klasën e 8-të. Nuk kam asnjë kujtim të bukur nga shkolla. Ishim gjithmonë të përbuzur e të injoruar… Mësoja shumë, por sidomos lexoja shumë. Lexoja çdo gjë që më binte në dorë. Për fatin tim të mirë isha në bankën e fundit dhe mbas krahëve kisha dy dollapët e librarisë se shkollës plot me libra… çdo ditë do merrja nga një libër. I lexoja dhe i vija përsëri aty. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm