Nga Namik Mehmeti
Memorie.al/ Ndoshta edhe nuk më takon si gazetar sportiv, të përfshihem në vorbullën e një debati që nis nga Korça, Tirana, Shkodra e deri ne Prishtine. Po replikojnë edhe profesorë, akademikë, politikanë, shkrimtarë dhe gazetarë. Secili ka të drejtën e të shprehurit pa censurë dhe këtë debat e bënë dhe më zhurmëmadh debati tjetër me përmasa diplomatike në mes ‘Ballkan i Hapur’ dhe Kosovës, ose direkt debati ‘Kurti-Rama’.
Po le të shprehem për atë që më nxiti ti kthehem kujtesës dhe të drejtohem drejtë Korçës, qytetit të kulturës europiane.
Kam kaluar ditë të bukura dhe shumë mbresëlënse në mes korçarëve me të cilët kam kalue në Kolonjë vitet e ushtrisë. Më tërhiqnin serenatat, kitarat e mandolinat , këngët të cilat I këndonim edhe në Shkodër.
Asnjëherë nuk më ka rastisë që korçaret të shfaqnin nostalgji për këngët sllave, bile edhe i urrenin ato pasi trashëgonin edhe motive antishqiptare. Aq shumë i urrenin serbët, jo vetëm serbët, por të gjithë popujt e ish Jugosllavisë sa edhe ne shkodranëve, kur shkonim për aktivitetet sportive na shënjestronin “erdhën serbët”.
Ky është një fakt që mund ta argumentojë me shumë shembuj por ai më skandalozi ishte kur ekipi i volejbollit i “Vllaznisë” sapo ishte kthyer nga turneu miqësor në Kosovë në vitin 1971.
Dihet se çfarë ka ndodhur pas atij turneu jo vetëm me ekipin e volejbollit, por me të gjithë ekipet e këtij Klubi Sportiv, të cilat u përjashtuan nga aktivitet ndërkombetare, u përjashtuan drejtues nga Partia, u dënuan me punue në zonat e Dukagjinit e Shllakut.
Dhe njolla që i kishin vënë diktaturës komuniste, se kishin pranuar dhurata dhe ma esktremistja se kishin marrë pjesë në koncertin e dhenë për nder të tyre nga kangëtarja e madhe Nexhmije Pagarusha, ku në atë natë muzikore me këngë shqiptare ishin kënduar edhe këngë sllave. Pas pak ditëve, ky ekip do të luante në Korçë me Skënderbeun.
Dhe sapo ekipi i “Vllaznisë” kishte hyrë në fushën e lojës, një kor i tërbuar korçar, gjëmoi me thirrjet: “jashtë serbet”, “jashtë titistët”. Volejbollistët shkodranë nuk e pritnin këtë ofendim e sharje, sa e detyruan ish sekretarin e parë të Komitetit të Partisë, Enver Halili, të zbriste nga tribuna e t’i bënte thirrje spektatorëve korçarë, të shfaqnin një qëndrim më dinjitoz, ndaj ekipit shkodranë. Ai e ndërmori atë nisiativë, më shumë, se edhe ai ndihej i ofenduar si shkodran. Ndeshja u luajt sa për sy e faqe, siç thotë një proverb popullor.
Mbas 50 e sa viteve, pyes veten: si korçarët paskan kthyer shijet për këngët sllave, deri sa Bashkia ka guximin e në festën më tradicionale, asaj të Birrës të ftojë një kangëtar i cili simbolizon karieren e tij me këngen ‘Kallashnikov’, armë kjo që vrau me mijra e qindra kosovarë dhe boshnjakë?!
Në fillimet e Demokracisē u ba një përpjekje edhe në Shkodër, bile u afishuan me dhjetra reklama mbrenda një nate, në mënyrë klandestine, në sheshin e Piacës, por ndërhyrja e shpejtë e Bashkisë, e Këshillit të Rrethit, i preu rrugën një shfaqje me këngëtarë malazezë dhe serb, kur Kosova po provonte genocidin e Millosheviçit.
Dihet se në Shkodër janë këndue këngë sllave, dashurie e historike, pa dyshim me theks nacoinalist serb, edhe në kohën Diktaturës. Dhe internimi i një familje qytetare me shumë tradita në lagjen, “Çinari i Hoxhëdheut”, familja e ‘Mësuesit të Popullit’ Hysen Lohja, edhe sot kujtohet nga shkodranët, pasi në dasmën e djalit të tyre, dikush guxoi e dual mbi urdhërat e Partisë, duke këndue këngë sllave.
Aq i vërtetë është fakti që muzika sllave është pëlqyer nga shkodranët, sa në barcaletat që i’u veshën Pal Vatës, ishte edhe ajo, “kur po e shëtitnin nga lagja Kiras, pra nga Zooteknika, kur dëgjoi se nga radiot e qytetarëve muzika sllave që e shoqëroi në çdo hap, u tremë dhe tha: -Ku jam këtu ,bre burra, në Jugosllavi , mos më koritni më Shokun Enver.
Por shkodranët kur i hapën portat kosovarëve pas genocidit të serbit Millosheviç dhe u njohën me barbarizmat që sollen ‘Kalloshnikovët’ e Bregovicit, i dhanë jo vetëm bukën, por më kryesoren, i falën fjalën, buzëqeshjen, muzikën tradicionale të Shkodrës e të Veriut, u banë si vëllazën, e sot e kësaj dite trokasin në portat e njeri tjetrit, duke i gjetur ato të hapura çdo orë.
Nuk e di nëse ajo nënkryetarja e Bashkisë së Korçës, si nënë, e ka ndjerē në shpirt atë mizori dhe gjakderdhje që shkaktuan ‘Kallashnikovët e Bregoviçit, a ka pasur rast të takojë një nga nënat, motrat e fëmijët që pësuan atë tronditje psiqike e shpirtërore, nga vrasjet, prerjet dhe përdhunimet?
I bindur se jo. Pasi ajo nuk e njeh respektin e dhimbjes!
Po Presidentet amerikan, Clinton e Biden, e kanë ndjerë këtë masakër, ndaj nuk kursyen asgjë për t’i falur Kosovës lirinë, e për të harruar ‘Kallashnikovët’ e Bregoviçit me shokët e tij. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016