Nga Idriz Lamaj
Memorie.al / Vasil Gërmenji, rrjedh nga një derë e traditës atdhetare. Gjyshi i tij, Thanas Gërmenji, udhëtonte shpesh për në Stamboll dhe Misir, ku takohej me patriotë dhe veprimtarë të shquar të Lëvizjes Kombëtare, si me Naim Frashërin, Thimi Mitkon, Spiro Dinen, e sa e sa të tjerë. Thanasi, kishte miqësi të ngushtë me Jani Vreton, të cilin e përkrahu edhe materialisht për botimin e shkrimeve të para. Ai mbante lidhje me mërgimtarë të ndryshëm në kolonitë e shqiptarëve të Bukureshtit, Sofjes, Stambollit e Egjiptit dhe njëkohësisht u shërbeu dhe si ndërlidhës me të afërmit e tyre në vendlindje duke u dërguar lajme e të holla nga mërgimi, duke luajtur kështu rolin e një bankieri të vogël. Thanas Gërmenji ishte një prej themeluesve të lëvizjes së fshehtë “Dora e Zezë”. Ai u vra diku në Thrakë, duke lënë pas tre djem, Spiron, Themistokliun e Telemakun, të cilët mbetën jo vetëm jetimë por edhe në gjendje shumë të vështirë ekonomike.
Derë e traditës atdhetare
Më 1892, të bijtë e Thanas Gërmenjit emigrojnë në Rumani. Aty kryejnë punë të rënda fizike, si çirakë e në të njëjtën kohë, marrin pjesë në të gjitha veprimtaritë e shoqatave kombëtare në kryeqytetin rumun. Pas nëntë vjetësh, Telemaku e Themistokliu, kthehen përsëri në Korçë e, pas shumë peripecish, vendosen me banim në Manastir.
Në atë kohë, Manastiri ishte një prej qyteteve më të mëdha të Ballkanit, ku zhvilloheshin veprimtari të ndryshme politike e kulturore. Aty, ishte Valiu i Stambollit. Në atë qytet, zhvillonin veprimtarinë e tyre edhe shumë organizata shqiptare dhe të huaja, sidomos greke e bullgare. Në sajë të babait të tyre atdhetar dhe miqësive që kishte, kryetari i bashkisë, u dha atyre me kontratë një biznes për furnizimin me gaz të qytetit. Me anë të asaj sipërmarrje, vëllezërit Gërmenji, siguronin jetesën familjare e njëkohësisht, mbulonin veprimtaritë e tyre atdhetare.
Në fillim të vitit 1908, Telemak e Themistokli Gërmenji, hapën një hotel në qendër të qytetit dhe i vunë emrin “Liria”, i cili shumë shpejt, u bë qendra e shqiptarëve të Manastirit dhe gjithë atyre, që u binte rruga andej. Hoteli, veç dhomave për të fjetur, kishte një restorant, një sallë të madhe për konferenca dhe një bibliotekë që mund ta shfrytëzonin të gjithë. Në një dhomë të fshehtë, ndodhej shtypi kombëtar: libra, gazeta dhe revista të shtypura në gjuhën shqipe, në Sofje, Bukuresht, Boston e gjetkë.
Telemak e Themistokli Gërmenji, për t’i shërbyer kombit, nuk e ndërprenë asnjëherë veprimtarinë e tyre patriotike nga Korça, e cila prej kohësh qe bërë djepi i tërë atyre shoqërive e veprimtarive atdhetare kombëtare. Themistokli Gërmenji, luajti rolin kryesor në nënshkrimin e protokollit shqiptaro-francez, të 10 dhjetorit 1916, për shpalljen e Krahinës Autonome të Korçës, e njohur si “Republika e Korçës”, dhe në dëbimin prej andej, të pushtuesve grekë dhe të administratës së tyre. Por, “miqësia” e autoriteteve ushtarake franceze me Themistokliun, nuk do të zgjaste shumë.
Kur qeveria franceze, filloi të marrë anën e grekëve, gjenerali francez, Salle, në një bisedë që pati me Themistokli Gërmenjin, e pyeti ndër të tjera, edhe për hapjen e shkollave greke në Korçë. Themistokliu iu përgjegj gjeneralit prerë: “Kurrë ndonjëherë qeveria shqiptare nuk do të lerë hapjen e shkollave greke në Korçë”. Ky qëndrim i patundur atdhetar i Themistokliut dhe korçarëve të tjerë patriotë si ai, njihej mirë nga autoritetet ushtarake franceze. Tashmë, ata nuk kishin më interes për krahinën autonome të Korçës. Jo vetëm kaq por, për të kënaqur shovinizmin grek, me urdhër të qeverisë franceze, Themistokli Gërmenji, arrestohet dhe ekzekutohet në Selanik, më 9 nëntor 1917.
Sipas historianit Athanas Gegaj, Themstokliu, në momentin kur do ekzekutohej, nuk lejoi t’i mbylleshin sytë, si zakonisht në këto raste. Për më tepër, kur e vunë para skuadrës së pushkatimit, ai vetë urdhëroi në frëngjisht, me zë të lartë: “Feu” “Zjarr”! Ndërsa po hidhja në letër këtë shkrim të thjeshtë, vetëm sa për të kujtuar përvjetorin e vdekjes së Vasil Gërmenjit, miku im i ngushtë, Bejtullah Destani, më dërgoi nga Londra këtë letër të prekshme, të pa njohur deri tani, që përkon me datën e ekzekutimit të Themistokli Gërmenjit, të cilën ia dërgonte zonjës së vet:
“E dashura ime Evdhoksi,
Rashë dëshmor i çpifjeve. Me qenë se unë nuku kthenem në Korçë dhe më s’jam për shtëpi, tinë ke të drejt të martohesh, po për martesën tënde, të këshillohesh me Pandelinë e Tsalit, i cili ka për detyrë, si atdhetar që është, të mos të të lërë të vuash. Nënës i puth dorën. Vasilin dhe Efçën, i puth me mall sytë. Dijeni që, vdes i pafajshëm. Kërkoj ndjesë nga të gjithë atdhetarët, në qoftë se kam bërë ndonjë të ligë pa dashur.
Rroftë Shqipëria nën mbrojtjen e Francës.
Shoqi yt, Themistokli Gërmenji,
Selanik, 9.11.1917. Adresa Evdhoksi Th. Gërmenji, Në Korçë, Shqipëri”.
Telemak Gërmenji, babai i Vasilit, ishte vrarë tre vjet para Themistokliut, më 1914, bashkë me Mendu Zavalanin, në afërsi të Pogradecit. Në atë kohë, për vrasjen e tij, u fajësuan bejlerët e Starovës. Telemaku, konsiderohej si truri, strategu politik dhe organizatori i kryengritjeve të njohura antiturke. Novelisti i njohur korçar, Bendo Shapërdani, (Vasil Alarupi), shkrimet e të cilit, janë vlerësuar lart nga Noli, shkruan për Telemak Gërmenjin:
“…Me mençurinë e Telemakut dhe trimërinë e Themistokliut, u formuan çeta të mëdha luftëtarësh, për të fituar atdheu lirinë. Këto çeta, u bënë më me famë dhe aq kërcënonjëse nga trimëria e atyre djemve luftëtarë, me të vërtetë, trimëria tradicionale e shqiptarit. E provuan, duke shënuar një nga episodet më të guximshme, kur kryen vrasjen e komandantit të suvarinjëve otomanë, Rexhep Pashës. Vrasja u bë brenda në Korçë, nga e gjithë çeta e zbritur në qytet dhe prirej nga Themistokliu, që kish për krah Vasil Tromarën…”! (“Shqiptari i lire”, shkurt 1971, fq.3).
.Vasili lind në Manastir dhe rritet jetim.
Vasil Gërmenji, lindi në Manastir më 12 mars 1908, pikërisht në hotelin “Liria”, që siç thamë më lart, ishte pronë e vëllezërve Gërmenji. Me vrasjen e të atit, ai mbeti jetim qysh gjashtë vjeç. E ëma, qe nga prindër grekë dhe, siç duket, ata do ta kenë detyruar të bijën, që të ndahej nga familja Gërmenji. Vasili, u rrit në familjen e xhaxhait dhe, pas vrasjes së tij, jetoi me Teton, siç e thërriste ai, të shoqen e Themistokoliut, Evdhoksinë.
Vasili, u rrit dhe u edukua në Korçë, ku kreu edhe Lyceun e njohur të atij qyteti. Studimet e larta, për Inxhinieri Hekurudhash, i kreu në Marseille të Francës. Gjatë studimeve, u njoh me Geramaine, me të cilën edhe u martua, para se të kthehej në Shqipëri, më 1934. Meqë Shqipëria në atë kohë, nuk kishte hekurudha, u emërua profesor në Shkollën Teknike në Tiranë, ndërsa e shoqja, profesoreshë e frëngjishtes, në Institutin “Nëna Mretënshë”. Bashkëshortët Gërmenji, shumë shpejt u bënë tepër popullorë, në kryeqytetin shqiptar.
Më 1935, me ardhjen në fuqi të qeverisë së kryesuar nga Mehdi Frashëri, u duk se në Shqipëri, po shfaqej një lloj lirie në zgjedhjet që do të bëheshin për deputetë. Vasili, mendoi të shfrytëzojë rastin dhe vuri kandidaturën në prefekturën e Korçës. Por, kjo iniciativë e tij, zgjati vetëm dy javë. Autoritetet e vendit, e thirrën atë dhe i thanë se; “nëse donte të mbante kandidaturën, duhej të hiqte dorë nga detyra e profesorit në Shkollën Teknike”. Ai e kuptoi lojën që po luhej edhe në ato zgjedhje dhe u tërhoq nga çdo lloj veprimtarie politike. Dy-tre javë para pushtimit të Shqipërisë nga Italia, Vasili, i la lamtumirën atdheut, për të mos u kthyer dot kurrë më në të. Vendoset me banim në Marseille, të Francës.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjendja ekonomike, veçanërisht për shtetet e ndërlikur në luftë, u bë tepër e vështirë. Njerëzit, vuanin deri edhe për kafshatën e bukës. Vasili me të shoqen, për të përballuar jetesën, hapën një dyqan të vogël për riparim këpucësh, me fjalë të tjera, punon si këpucar. Me atë punë të thjeshtë, arrin jo vetëm të bëjë një jetë normale, por dhe të ndihmojë shumë shokë e miq. Vasili, ishte i njohur për bujari. Pas pushtimit të Francës jugore nga forcat gjermane, i bashkohet Frontit Luftarak Francez, (“Resistence Nacional”), që kryesohej nga Francois Mitterand, i cili, kur vdiq Vasili, ishte president i Francës. Në mbarim të Luftës, i jepet në shenjë nderimi “Kryqi i Meritës” i Klasit të Parë dhe njihet zyrtarisht si veteran i Çlirimit Kombëtar Francës. Pas Luftës, vazhdoi punën në dyqanin e këpucëve.
Gazetar i pavarur në mërgim
Si çdo periudhe tjetër historike, edhe asaj të emigracionit të gjatë politik shqiptar, të pas-Luftës së Dytë Botërore, i përkasin ngjarje dhe personalitete të shquara e të veçanta. Me formimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, më 1949, përveç figurave të njohura politike, nacionaliste, që ishin larguar nga Shqipëria, duke lënë pas familjet, të afërmit e tyre dhe popullin në përgjithësi, në një gjendje të tmerrshme persekutimi, torturash, ekzekutimesh, internimesh e burgosjesh, shquhet edhe Vasil Gërmenji i cili, me veprimtarinë e gjithanshme që zhvilloi, iu bashkua fushatës politike antikomuniste.
Pas përfundimit të Luftës, Vasilit iu afruan menjëherë “shokët” e dikurshëm duke i propozuar të kthehej në Shqipëri e të bashkëpunonte me regjimin e ri komunist, duke i ofruar madje edhe poste të larta në qeveri. Vlen të theksohet fakti se Vasili e njihte prej kohësh personalisht Enver Hoxhën. Me të, madje, kishte pasur edhe një farë miqësie, si në Korçë edhe në Francë. Sipas Vasilit, Enveri, në kohën kur e kishte njohur ai, nuk kishte pasur ndjenja apo aspirata komuniste. Vasili e lidhte fanatizmin e Enver Hoxhës, si komunist e diktator, qysh në momentin e rënies së tij, nën kontrollin e agjentëve sërbo-malazez.
Lidhur me ftesën që iu bë Vasilit, për t’u kthyer në Shqipëri, të cilën ai e refuzoi me përbuzje, Dr. Ramazan Shpati, na njeh me një bisedë të zhvilluar në mes Vasilit dhe Behar Shtyllës, në Paris, më 1947-ën. Konflikti i tij i hapur me Beharin, kishte nisur rreth çështjes së Kosovës. Kur Vasili, e kishte pyetur z. Shtylla, për problemin e Kosovës, ai i qe përgjigjur: “Mjaft i kemi në Shqipëri, një milion injorantë, (atëherë thuhej se Shqipëria kishte një milion banorë), pa i shtuar edhe katër apo pesëqind mijë të tjerë”. Vasili, nuk kishte duruar më dhe ia kishte përplasur në fytyrë: “Këtë tradhti të lartë kombëtare, do ta paguani shtrenjtë”! – dhe ishte larguar pa u përshëndetur me të, megjithëse e njihte prej kohësh. Menjëherë, pas këtij refuzimi, ai u angazhua intensivisht, në fushatën politike të ashpër, kundër regjimit të Enver Hoxhës.
Tërheq dhe mbledh rreth vetes, emigrantë të pa ndërlikuar në partira politike. Si i pavarur, përgatit, publikon dhe shpërndan, për katër vjet, 1950-1954, buletinin mujor: “I mërguemi”, të cilin, pas disa numrash, e kthen në gazetën dy gjuhësh, shqip e frëngjisht, “Liri e Kombit”. Në këtë gazetë, ai trajtoi me hollësi, jo vetëm zhvillimet e brendshme në Shqipëri, por dhe në regjimet e tjera komuniste, në përgjithësi.
Në komentet e analizat e tij, ai dallohet si social-demokrat i vendosur dhe bën thirrje, për bashkimin e të gjitha forcave nacionaliste, në një fushatë të përbashkët kundër regjimit komunist. Regjimin komunist të Tiranës, ai e akuzon gjithashtu; edhe për tradhti të lartë kombëtare, lidhur me çështjen e Kosovës. Gjatë tërë veprimtarisë së vet atdhetare-diplomatike, ai asnjëherë, nuk e ndau problemin e Kosovës nga kauza e bashkimit kombëtar. Në shtypin e tij, si në asnjë tjetër të emigracionit, ai ndjek me vëmendje ,gjithë zhvillimet e brendshme në Jugosllavi.
Në fushatën e tij politike, kundër regjimit komunist në Shqipëri, ai del me një program të qartë politik. Buletini “I mërguemi” dhe gazeta “Liri e Kombit”, janë dëshmi e gjallë e përpjekjeve të tij të gjithanshme për çlirimin e atdheut nga regjimi komunist dhe realizimin e Shqipërisë etnike demokratike. Polemikat e tij në shtyp, janë konstruktive në plot kuptimin fjalës. Ai u bën thirrje grupeve politike në mërgim, që mos të grinden me njëri tjetrin, për pikëpamjet e tyre partiake, por të përqendrohen, në një platformë të përbashkët, thjesht për çështjen shqiptare.
Në artikullin “Parullat”, botuar tek “Liri e Kombit” para 60 vjetësh, ai shkruante: “Nuk na pëlqejnë parullat. Veçanërisht ato që premtojnë vdekje, prerje, varje, vrasje dhe kusure, kujt do qoftë…! Sot në Tiranë, ku mbretëron një diktaturë e urrejtur kriminale, nuk del një gazetë, nuk bëhet një shkresë, nuk shkruhet as një kartolinë edhe private, pa patur në krye parullën; “Vdekje Fashizmit – Liri Popullit”…! Sidoqoftë, me gjithë parullën e tyre, “Liri Popullit” nuk i dhanë. Nuk i dhanë as bukë e as veshmbathje…! E futën popullin në punë të detyrueshme…!
Edhe sikur të ndërtojnë vepra arti dhe teknike madhështore e gjigandeske, dhe që mund të mbeten për një kohë të gjatë, ato do të na kujtojnë veprat e mëdha, që kanë mbetur edhe sot, që kanë bërë faraonët e Egjiptit të vjetër, me skllevër…! Mjaft diktatura dhe diktatorë…! Le të punojmë me urtësi për heqjen e diktaturës së sotme të Tiranës dhe për zëvendësimin e saj, me një demokraci të vërtetë. “Urtë e butë e tigani plot…”, themi në Korçë e gjetkë”.
Po të studiohen me kujdes, shkrimet e tij gjatë katër viteve, sidomos artikujt në frëngjisht, shihet qartë se ai ishte një njohës i thellë i problemeve të brendshme të shteti komunist shqiptar, i shqetësimeve të mërgatës nacionaliste shqiptare, apo dhe i hendekut të thellë midis komunizmit sovjetik dhe demokracive perëndimore.
Antar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”
Me 26 gusht 1949, shpallet në Paris, Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, nën kryesinë e Mit’hat Frashërit. Për themelimin e atij Komiteti, shkruan gazeta të ndryshme perëndimore. Gazeta: “The Christian Science Monitor”, e 26 gushtit 1949, bëri këtë njoftim: “…qëllimi i tij, do të jetë përfaqësimi i të gjitha shtresave shqiptare, të cilat dëshirojnë vendosjen e një qeverie, e cila respekton të drejtat dhe lirinë e shtetasve të vet…! Në këtë Komitet, përfshihen personalitete të shquara shqiptare, në sferën shoqërore dhe politike e, do të ketë selinë e vet në Nju York…”! Në fakt, ndryshe nga ç’shkruan gazeta e mësipërme, në atë komitet përfaqësoheshin vetëm disa nga rrymat politike nacionaliste, të mërgimit. Grupet politike që kishin mbetur jashtë përfaqësimit në Komitet, filluan menjëherë reagimin e tyre serioz.
Vasil Gërmenji, i paangazhuar në asnjë grupim politik, pa vonuar, në fillim të vitit 1950, përmes buletinit “I mërguemi”, përkrah idenë për një përfshirje sa më të gjerë, në këtë komitet. Faktin që Komiteti e kishte selinë në Nju York, megjithëse akoma nuk ishte anëtar i tij, e vlerëson si diçka të rëndësishme e shpresëdhënëse. Pas reformimit të Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, kur drejtimin e tij e mori Hasan Dosti, Vasil Gërmenji, emërohet anëtar i këtij komiteti. Pavarësisht nga kjo, ai nuk angazhohet aq tepër në veprimtaritë e tij, thjesht për atë që e cilësonte si; “një grumbullim njerëzish dhe intrigash të rrezikshme, për çështjen shqiptare”. Ai, me sa duket, e kishte nuhatur infiltrimin në radhët e anëtarëve të Komitetit, të Sigurimit të Shtetit Shqiptar dhe të UDB-së jugosllave.
Më 1956, kur në krye të këtij komiteti emërohet Dr. Rexhep Krasniqi, Vasil Gërmenji, ishte anëtari i parë që u ftua për të marrë pjesë në të, ftesë që ai e pranoi menjëherë. Pas rregullimit të shpejtë të dokumenteve të udhëtimit, emigron në SHBA-ës dhe shërben me kompetencë të jashtëzakonshme në çdo fushë të veprimtarisë së Komitetit.
Për bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror midis Krasniqit dhe Gërmenjit, thjesht për kureshtje, po i sjell lexuesit disa rastësi të çuditshme! Të dy kishin lindur jashtë territorit të shtetit politik shqiptar, Vasili në Manastir e, Rexhepi në Gjakovë. Ishin rritur jetim e në varfëri të skajshme, njëri nga zonja e Themistokli Gërmenjit dhe tjetri nga zonja e Bajram Currit, në dy qytete të ndryshme: Vasili në Manastir e në Korçë, tjetri në Gjakovë e në Shkodër. Megjithëse me përgatitje të ndryshme shkollore, Vasili me kulturë franceze dhe Rexhepi gjermane, bashkoheshin në të gjitha idealet nacionaliste shqiptare.
Kishin të njëjtin mendim, për regjimin komunist në Shqipëri, duke e konsideruar atë, thjesht si vegël të interesave sllave, e si i tillë, duhej luftuar pa mëshirë dhe në çdo mënyrë. Të dy, megjithëse i përkrahnin dhe i respektonin partitë politike shqiptare në mërgim, kishin qëndrime të rezervuara ndaj tyre. Për ta, çdo çështje shqiptare, duhej parë mbi interesin personal e partiak. Tërë këto, nuk i pengonin ata, që të ishin plotësisht të pavarur, në personalitetin e tyre: prof. Krasniqi më konservator, ing. Gërmenji më liberal.
Diplomat i shquar në kryqëzatën politike kundër komunizmit, kryetar i Kuvendit të ‘Kombeve Evropiane të Robëruara’.
“…Në mbledhjen plenare të Kuvendit të Kombeve Evropiane të Robëruara, (Assambly of Captiv Europian Nations, – ACEN), të mbajtur me 15 shtator 1970, në Nju York, anëtari i Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe përfaqësuesi i tij permanent, pranë kësaj organizate, Ing. Vasil Gërmenji, u zgjodh kryetar për të dytën herë. Ky ishte një nder që i bëhej në mërgim, Shqipërisë tonë aq të vuajtur, një njohje të kontributit të par reshtur që i kishte dhënë Kuvendit, Komiteti “Shqipëria e Lirë”, që prej fillimit të tij, dhe njëkohësisht një vlerësim i lartë personal i z. Vasil Gërmenji, nga kolegët e tij të ACEN-it. “Nëse mund të supozohet se zgjedhja e parë e tij, ka qenë një shenjë kortezie ndaj një organizate anëtare, zgjedhja e dytë, duhet konsideruar pa asnjë dyshim, si shenjë e prestigjit që gëzonte z. Gërmenji, ndër kolegët e tij në ACEN”, shkruante ndër të tjera gazeta, “Shqiptari i lirë”, (shtator-tetor 1970, fq.1), organ i Komitetit “Shqipëria e Lirë”.
Po ç’ishte ACEN-i, Kuvendi i Kombeve Evropiane të Robëruara? Kjo ishte organizata më e madhe dhe më e fuqishme antikomuniste në botë, e mbështetur moralisht dhe materialisht nga qeveria e SHBA-së. Që nga themelimin i saj, më 1954, kur zuri vendin e Komitetit “Evropa e Lirë”, ACEN-i vazhdoi veprimtarinë e vet gati, deri në rënien e regjimeve komuniste në shtetet europiano-lindore. Kuvendi Ekzekutiv ose Asamblea e kësaj organizate, përbëhej prej përfaqësive të; Shqipërisë, Bullgarisë, Çekosllovakisë, Hungarisë, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë dhe Rumanisë. Këto nëntë shtete të Evropës Lindore dhe Qendrore, që kishin qenë të lira dhe sovrane para 1939-së, ishin anëtare të rregullta të ACEN-it dhe secila prej tyre, kishte të drejtën e një vote.
Aty bënin pjesë edhe disa organizata ndërkombëtare, pa të drejtë vote, si; “Ndërkombëtarja Agrare”,” Bashkimi Demokratik i Krishterë i Evropës Qendrore”, “Qendra e Sindikatave të Lira në Mërgim”, etj. Qendra e Kuvendit, ishte në Nju York, në një pallat afër Misionit Amerikan, pranë Kombeve të Bashkuara. ACEN-i kishte zyra edhe në Uashington, D.C. Gazeta e njohur “The Nju York Times”, e ka vlerësuar ACEN-in, si një OKB të vogël. Ai kishte përfaqësi të përhershme në; Argjentinë, Australi, Brazil, Kanada, Francë, Gjermani, Angli, Itali, Suedi, Danimarkë, Kolumbi, Ekuador, Greqi, Indi, Japoni, Liban, Meksikë, Filipinë dhe Zvicër.
ACEN-i e realizonte veprimtarinë e vet me anë të këtyre organeve: Komiteti i përgjithshëm, organ ekzekutiv që drejtonte shërbimet e organizatës gjatë vitit; Komiteti i punës, Komiteti politik dhe juridik, Komiteti ekonomik dhe social, Komiteti kulturor dhe informativ e Sekretariati, me zyrën përkatëse të shtypit dhe të kontabilitetit. Kjo organizatë e fuqishme antikomuniste, përbëhej nga personalitete të njohura e të shquara të vendeve përkatëse, si burra shteti, diplomatë, ushtarakë, etj., të cilët kishin gëzuar popullaritet në vendet e tyre, si gjatë Luftës dhe mbas ardhjes në fuqi të regjimeve komuniste.
Midis tyre mund të përmendim: Ferenc Nagy, ish kryeministër i Hungarisë; Constandin Visoianu, ish ministër i Jashtëm i Rumanisë; Stefan Korbonski, ish-kryetar i lëvizjes kryengritëse kundër okupatorit gjerman në Poloni dhe shkrimtar i njohur; Dr. George Dimitrov, kryetar i komitetit Bullgar dhe mik i Shqipërisë; Dr. Lettrih, ish kryeministër sllovak; Dr. Stefan Osuki, një nga themeluesit e Çekosllovakisë dhe figura të tjera të shquara, patriotë demokratë, që luftuan për lirinë e popujve të tyre të shtypur nga regjimet komuniste.
Në tetor 1962, Vasil Gërmenji u zgjodh nënkryetar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve të Lirë. Është e gjatë lista e intervistave, fjalimeve, konferencave shkencore, analizave, debateve dhe shkrimeve të tij të ndryshme me karakter kombëtar e ndërkombëtar. Gjatë karrierës së tij, ai shkroi qindra artikuj, analiza dhe raporte diplomatike. Në shtypin e kohës, emri i tij përmendet shpesh për rolin që ka luajtur në veprimtari të ndryshme, apo për takimet e nivelit të lartë që ka pasur në Washington, me burra shtetesh e diplomatë nga të katër anët e botës. Siç e vumë në dukje dhe më parë, në tërë këto veprimtari, ai vazhdimisht ngrinte edhe çështjen e Kosovës, e protestonte energjikisht, ndaj regjimit të Beogradit.
Përshëndetja e fundit
Për Vasil Gërmenjin, 28 Nëntori ishte dita më e shenjtë. Ai, edhe pasi doli në pension më 1973, kërkonte me këmbëngulje që; përkujtimi i Festës sonë Kombëtare, nga Komiteti “Shqipëria e Lirë”, të organizohej sa më mirë dhe sa më dinjitoz. Ditën e Festës, aty nga ora 10 e mëngjesit, na telefonate në zyrë dhe na kërkonte hollësitë e fundit, si dhe numrin e telefonit të sallës së hotelit, ku do të zhvillohej ceremonia. Megjithëse dërgonte një përshëndetje me shkrim, ai bënte edhe një përshëndetje me telefon në sallë, për të uruar të pranishmit dhe për të falenderuar mysafirët e huaj, për pjesëmarrjen e tyre. Në përshëndetjen e fundit me shkrim, që i dërgoi Dr. Krasniqit, më 19 nëntor 1988, shkruan ndër të tjera:
“Më vjen keq që, për arsye largësie dhe shëndeti, nuk jam në gjendje të marr pjesë në përkujtimin e 76-të të festës Kombëtare Shqiptare. Edhe një herë tjetër, po përkujtojmë dhe festojmë në mërgim, ditën më të shenjtë të kombit tonë. Ashtu si e kemi bërë çdo vit, që kur kemi ikur prej atdheut, për arsye të ndryshme, por më shumë se çdo gjë, sepse nuk kemi dashur të pranojmë, zaptimin e tokës tone, nga të huajtë, as që nuk kemi dashur t’i bindemi diktaturave të inspiruara ose të shtrënguara, mbi kombin tone, prej të huajsh, ose prej ideologjish të huaja. Jemi të bindur se, bashkatdhetarët tonë në Shqipëri dhe në tokat tona të robëruara, e festojnë gjithnjë këtë ditë të shquar, dhe shpresojnë të gëzojnë jetë të lumtur, në paqe me të gjithë liritë demokratike, që duhet të kenë njerëzit e lirë dhe për të cilat, kanë luftuar me gjak të parët tonë”.
Ndërkaq, telefonatën në sallën e hotelit, ku Komiteti “Shqipëria e Lirë”, po përkujtonte Festën tonë Kombëtare, nuk arriti ta bënte. Atë ditë, më 28 Nëntor 1988, ai mbylli sytë përgjithmonë, në një aksident automobilistik, aty nga ora 12 e ditës. Trupi i tij ishte përgjakur, skenë kjo që të kujtonte fundin tragjik si të babait ashtu edhe të gjyshit të vet.
Lajmi i vdekjes tragjike të Vasil Gërmenjit dhe të zonjës së tij, na erdhi pa përfunduar akoma ceremonia e Festës së Flamurit. Prof. Rexhep Krasniqi dhe Dr. Hamdi Oruçi, miq të ngushtë të familjes Gërmenji, u nisën menjëherë për në Florida. Atje, organizuan në mënyrë dinjitoze funeralin e tyre në varrezat e qytetit Inverness. Komiteti “Shqipëria e Lirë”, mori letra e telegrame ngushëllimi, nga personalitete të ndryshme të ACEN-it, ministria e Jashtme amerikane, etj. “Zëri i Amerikës”, transmetoi të nesërmen, një nekrologji të zgjeruar të Gërmenjit, ku u evidentua veprimtaria e tij në shërbim të atdheut.
Gazeta kryesore e qytetit Inverness, në Floridën qendrore, botoi një përmbledhje, të veprimtarisë politike të Vasil Gërmenjit, si anëtar i Komiteti “Shqipëria e Lirë”, bashkë me një fotografi të tij, para ndërtesës së Kongresit Amerikan, në Washington, kur ai po i dorëzonte kongresmenit të Nju Yorkut, Horton, një memorandum politik, mbi gjendjen e Kombeve të Robëruara Evropiane, nga ACEN-i në vitin 1969, kur ai ishte Kryetar i organizatës në fjalë.
Heshtje e dhimbshme ndaj tij…!
Vasil Gërmenji, trashëgimtar i një dere të njohur atdhetarësh, rritur jetim me vuajtje e varfëri të skajshme; njeri praktik dhe i gjendshëm në jetë; bujar, besnik dhe atdhetar i shquar, sot pushon në heshtje larg atdheut. Emri tij gadi nuk njihet as në Korçën e tij të dashur e, lëre më në atdheun e tij etnik, të cilit i kushtoi jetën. Kam pasur fatin të njihem me Vasil Gërmenjin dhe të bashkëpunoj me të, për njëzet vjet, qysh ditët e para të ardhjes time në SHBA-ës, më 1968 dhe përpjekjeve për të ndihmuar prof. Nexhat Peshkëpinë, në përgatitjen e gazetës “Shqiptari i Lirë”, e deri ditën që ai mbylli sytë, në aksidentin e përgjakshëm automobilistik. Vite pas vdekjes së tij, mësova nga Dr. Krasniqi, se Vasili kishte insistuar, para se të ndërronte jetë Nexhati, më 1970, që të hyja unë në komitetin “Shqipëria e Lirë” dhe të merresha me problemet e shtypit të tij.
Kthimi i eshtrave të Vasilit në atdhe dhe ngritja e një busti pranë xhaxhait të vet në Korçë, do të nderonte Korçën dhe korçarët. Emërimi i një rruge ose Bulevardi në Tiranë, me emrin e tij, do të nderonte Shqipërinë dhe shqiptarët. Është detyrim moral, atdhetar e kombëtar edhe për shqiptarët e Kosovës të nderojnë Vasil Gërmenjin, sepse manastirliu i Korçës, i doli zot Kosovës edhe në Pallatin e Organizatës të Kombeve të Bashkuara. Kolegëve të Vasil Gërmenjit, burrave të shteteve, diplomatëve dhe politikanëve mërgimtarë të Kombeve Europiano-Lindore, të sunduara prej komunizmit sovjetik, u janë ngritur përmendore në kryeqytetet e vendeve të tyre. Pas 20 vjet demokracie në Shqipëri, është dhimbje e tmerrshme kur mendon se veprimtaria kombëtare e Vasil Gërmenjit po iu jepet bashkëkombësve të tij vetëm përmes këtij shkrimi të thjeshtë. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016