• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Sunday, June 8, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Kujtime

“Kur e pyeta Dom Simon Jubanin; ça thot Shkodra, ai më tha; Or lum djali, te na janë shtue filistinët dhe ata q’i kan prish kisha e xhamia e që na kan spiunue dikur, tash…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit politik

“Si i njoha disa nga klerikët katolikë  në burgjet e Enver Hoxhës, të cilët…”/ Kujtimet e panjohura të intelektualit që vuajti 21 vite në ‘ferrin’ komunist
“Me Xhavit Murrizin, mezi e nxorëm Barba Jorgjin nga gropa e ujërave të zeza, por më pas ai vdiq dhe e varrosën aty afër nevojtores…”/ Historia e dhimbshme e minoritarit grek në kampin e Repsit, në ’69-ën
“Edhe pse vuajti 25 vjet burg në Tiranë, Spaç, Qaf-Bari, etj., ai doli i gjallë dhe pas ’90-ës, shkoi në SHBA-ës, për të cilat ishte dënuar, por kur pa atje torturuesit e tij…”/ Historia e trishtë e ish-të burgosurit politik
“Kryehetuesi sadist Llambi Gegeni, xhahili Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, në Degën e Shkodrës, më çanë kokën, më qorruan njërin sy dhe…”/ Dëshmitë e rralla të ish-të dënuarit politik
Dëshmia e Voglit, portierit kuq e zi që u arratis në ’56-ën dhe luajti me “Munchen 1860” / Nga joshja e një femre, ëndrra italiane, te kthimi e dënimi me 17 vjet burg…
Fotot e rralla të viktimës, nipit të Shefqet Peçit dhe skica me skemën e prokurorit për arratisjen e bujshme nga burgu i Burrelit në ’67-ën …

Nga Shkëlqim Abazi

Pjesa e dyzetetetë

Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.

Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!

Gjithashtu mund të lexoni

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

          Autori

   SHKËLQIM ABAZI

                                                             Vijon nga numri kaluar

                                                                         R E P S I

                                                             (Kampi i punës së detyruar)

                                                                      Memuaristikë

     Takimi i parë

(Varka e mbytur në stere)

Mbase sporti duket një zeje paksa e papranueshme për një prift, por meqë kisha njohur eksponentë fetarë, mjeshtra në disa profesione, s’u habita aspak që një prift, mund të kishte qenë edhe futbollist në rininë e vet. “Fundja edhe ata njerëz janë, s’kanë lindur pleq, po kanë kaluar fazat e zhvillimit në jetë, si gjithë të tjerët”! binda veten. Përsa i përket paraqitjes fizike, e klasifikova sipas ndarjes që aplikonte Dom Mark Hasi, pra, ai futej në kategorinë e “kokrroçave” dhe “burrakoçave”. Me atë fizik të fuqishëm sportisti gjithë vitalitet, ai s’e tregonte moshën e vërtetë. Ndaj edhe para Mondit, ngula këmbë si mushka; “Dom Simoni vdiq i ri, rreth të shtatëdhjetave”, fatmirësisht kisha gabuar me plot katërmbëdhjetë vjet. Por, me siguri në këtë gabim do kemi rënë të gjithë, ne që jetuam me të.

Ditët që pasuan, e njoha më mirë. Gjeta të mishëruar te ai edhe martirin e përvuajtur, edhe heroin e çartur! Dom Simoni ish prifti më trim, nga gjithë meshtarët katolikë që më rastisi të njoh. Ai e pohonte pa droje, qenien në shërbim të fesë. E kam dëgjuar vetë kur debatonte me përfaqësues të komandës së burgut dhe me çdo ofiqari kur vinin për kontroll: – “Unë jam prift, jam ushtar i bindur i Krishtit! Ndihem bukur fort, njitu ku jam! Kam qelën teme, për me kry detyrimet para Zotit e Jezusit! Jam gadi me duru edhe ma zi”! – pohonte ai, krenar. Ishte burrë me karakter shumë të fortë, intransigjent, i pathyeshëm. Për këto veti, e respektonin të gjithë, madje edhe policët e thjeshtë.

Nuk shquhej për ndonjë përgatitje të thellë teorike, si priftërinjtë e tjerë, ngaqë shkollat fetare u mbyllën pa e përfunduar ai ciklin e plotë, por këtë mangësi, e kompensonte dhe e tejkalonte me studime vetjake dhe me vendosmërinë e palëkundshme që demonstronte, në mbrojtje të parimeve. Ishte prifti më in-tolerant, kur dikush tentonte ta fyente në shenjtërinë e doktrinës dhe dinjitetin Kristian, që ai besonte verbërisht; reagonte ashpër, ndonjëherë edhe dhunshëm. Për të ilustruar këtë fakt, i tregova Mondit, për një ngjarje të dhimbshme, sa unikale aq edhe banale; ku rastësisht përfundova dëshmitar, në një sherr të papëlqyeshëm.

Siç përmenda më lartë, Dom Simonin gëzonte respektin e të gjithëve pa përjashtim, madje edhe të policëve. Një individ me karakter aq të fortë e burrëror, për më tepër prift i devotshëm, që krenar e deklamonte këtë në çdo rast, s’mund t’i shpëtonte syrit vigjilent të komunistëve intrigantë. Operativi dhe drejtuesit e lartë të burgut dhe të Degës së Punëve të Brendshme, i njihnin në perfeksion këto cilësi të individit Simon. Ndaj kërkonin me çdo mjet, ta poshtëronin, t’ia “thyenin hundën” priftit luftarak e krenar. Për këtë qëllim ndërsenin lamashët e burgut, që i ushqenin dhe i mbanin rreth e qark, për t’i përdorur kur ua donte puna, si kopaçe ndaj individëve dinjitozë. Inskenonin provokacione ordinere, që mundësisht në fund, të mbylleshin me sherre të dhunshëm.

Këta mjeranë, vegla qorre në duart e operativit, kishin cytur herë pas here edhe dom Simonin, po ai i kish shmangur me gjakftohtësi. Një ditë në pajtoz, bashkë me ca bashkëmoshatarë të mitë, barresnim tutje-tëhu, në oborrin e ngushtë të burgut. Grupi i “zagarëve” pak më tej, po gargarisnin si patat me zë të lartë; ishte e qartë, dikë kishin piketuar për të sulmuar. Megjithëse me përkrahje nga operativi, sherrxhinjtë e hurit dhe të litarit, me grupin tonë, s’kishin guxuar ndonjëherë të kruheshin, sepse i trembeshin reagimit tonë, të rinj e të fuqishëm, siç ishim në atë kohë, ne mund t’iu bënim gjëmën. Kur kishte ndodhur të provokonin, qoftë edhe njëri prej nesh, të gjithë si një trup i vetëm, i dilnim në mbrojtje; ndaj meqë i trembte përballja me të tërë ne njëherësh, tromakseshin dhe shmangeshin sherrit me marifet.

Vazhduam ecejaket pa ua varur dënglave të tyre. Ende pa mbyllur dy varavinga, dëgjuam një britmë të fortë që u pasua me sharje, me fjalor shumë vulgar, me zhargonin e ciganëve rrugaçë. Ndaluam. Pak metër më tej, dom Simoni i skuqur si speckë djegës, ballë tij, tre surretër i ndërseheshin me fyerje të ulta dhe sharje ordinere. Edhe pse i nxehur në kulm, me qetësi të habitshme, ai burr zemërak, u përpoq t’i shmangte. Për shans, bilbilat e policëve fishkëllyen në momentin më deçiziv; në sekondat e fundit të pajtosit. Sherrxhinjtë u larguan. Të gjithë iu drejtuam qelive. Hymë brenda. Pranë atakut, u ul Som Simoni. E pashë që turfullonte, po s’i fola, e lashë të qetësohej. Pas ca minutash, në derë ia behën tre horrat. Duket, ustallarët iu kishin ngarkuar detyrë, t’i shkonin gjer në skaj provokimit. Vet fakti i denonconte: i kishin lënë të vërdalloseshin nëpër korridor, kur ne të tjerëve, na hapnin derën vetëm dy herë në ditë.

Më i paturpshmi ndër ta, bëri para, po me atë fjalor vulgar që ma zinin veshët për herë të parë në burgjet politike, vazhdoi avazin e të sharave, e ku i kish ndërprerë në oborr. Derdhi në këtë lumë fyerjesh, gjithë gjirizin gjuhësor. E shau nga nëna, të cilën e adhuronte me veneracion të veçantë: – “Të q…sha nanën”! – shau zullapi. – “Të falemnderës, tash po t’thom babe”! – u përmbajt prifti i skuqur. E shau nga motra, e cila me trasta në krahë me dashuri motre, e ndoqi rg më burg: “- Të q…sha motrën”! – “Falemnderës, tash po t’thom kunat”! Ndoshta përgjigja e dytë, e nxiti për më tej provokatorin. Të papërgatitur për këtë reagim të butë, lamashët menduan se e trembën priftin, ndaj edhe detyra që iu kishin ngarkuar, po iu dukej se mund të përmbushej më lehtë, po të shtonin edhe më dozën e fyerjeve.

Dom Simoni mbeti në udhëkryq, i purpurosur deri në rrëzë të flokëve, me zor po përmbahej. Sido që e kuptoi se ata i kish shtyrë operativi, me gjakftohtësi maksimale, u përpoq ta shmangte sherrin por s’qe e mundur. Kulmi do të mbërrinte pak çaste më pas, kur sërish më guximtari apo, më budallai prej tyre, iu avit dhe i shfreu në fytyrë: – “Të q…sha Krishtin”! Kjo sharje e derdhi kupën! Ai burr trim që deri atë çast, kish gëlltitur çdo fyerje, s’mundi më! U përkul rrëmbimthi, kapi përfund shtratit nallanen e trashë prej dërrase pondçe, ia lëshoi mbi surrat provokatorit, me sa i hante krahu. Tashmë e kish kapluar inati, nën ndikimin e marazit për fyerjen e paimagjinueshme, kish humbur logjikën, kish marrë tiparet e një bishe të tërbuar.

Mbas dy përgjigjeve të buta, arsyeja iu errësua, përgjigja e tretë qe nallanja. Përgjigje gjakuese, vrastare! Jashtë etikës predikative, që aplikonte përditë me të tjerët. Pizgat e gjakut shpërthyen mbi jatakët tanë, spërkatën dyshemenë dhe muret e pista, ndërsa lamashi gjigant, u shtri sa gjatë gjerë mbi çimento dhe prifti i tërbuar iu vërsul, si qifti mbi preh. Qëllonte dhe ulërinte, me sa kishte në kokë: – “Mos eh burrë, jo gjer te Krishti! M’ke sha nanët, t’thash bab! M’ke sha motrën, t’bana kunat! Po njitash? Ç’kam me t’ba”?! – dhe shtinte, e shtinte mbi kurmin e shtrirë dhe fytyrën e gjakosur. Ne që u gjendëm pranë, fillimisht nuk ndërhymë, me mendimin se Zoti di ç’bën! Ky maskara dhe të tjerët pas tij, e meritonin një mësim të tillë! Por kur prifti i verbuar nga tërbimi, s’po rreshtëte, ndërhymë dhe e bllokuam.

Ai, duke u dridhur nga inati, i verdhë shafran, u suall drejt nesh e na tha: – “Më lini ta qëroi kët hale! Ky asht edepsëz e dinsëz, s’i vlen kërkujt”! Natyrisht, s’mund ta linim të vazhdonte më tej, në nismën e drejtë ndëshkimore. Jo se na dhimbsej dinsëzi, ai korri atë që mbolli, po menduam pasojat që do binin mbi mikun tonë. Sigurisht mbas kësaj, Domi bëri një muaj birucë, që se kishte për së pari, po këtë herë plotësisht të merituar. Kodoshi mori një mësim me vlerë unikale, për vete dhe të ngjashmit!

Mori edhe një damkë të përjetshme, që i dallohet qartë, si kujtim prej Dom Simonit, në mbrojtje të dinjitetit kristian. Ky palaço, që gjithë të dënuarit politikë të atyre viteve po dhe më të vonshëm, e dinë kush është, sot ka vetëmarrë pozitat e një lideri, me demek në mbrojtje të shtresave të ish-të persekutuara (shpresoj, kjo të jetë një formë ndjese, ndaj Domit dhe priftërinjve të tjerë për andrallat që iu shkaktoi ato vite). Ai ishte një ndër ata që Dom Simoni i quante; “spiuj të qelbun”.

Pas ca muajsh, më rikthyen në Reps, prifti mbeti në Burrel, po gjithsesi me Dom Simonin, do mbeteshim miq të mirë. Për njëzet vjet, s’u takuam dot. Në nëntëdhjetën, ai qe nismëtari që organizoj meshën e parë, në varrezat e Rrmajit. Rrjedhimisht, i pari fetar shqiptar, që shkallmoi barrierat e komunizmit! Mbas një viti u takova me Dom Simonin. Mbasi u përqafuam me mall, e pyetëm njëri tjetrin për shëndetin dhe familjet, po edhe për miqtë e përbashkët, ata që rronin dhe ata që s’rronin.

Dom Simoni më thotë: – “Kena shpresue gjatë, me ja mbrrit ksaj dite! Andrra te liria e besimit dhe te demokracia e mungume, na dhan forca me i rrezistue s’keqes e, me mbet gjallë! Po, qe besa e Zotin, s’e kena mendu, njishtu! Qyre or burr, si asht katandisë Shqypnia! Me djelm e me varza, që dun veç me ik; me horra e me lavira, me spiuj e filistrinë, që kan zanë kryet e vendit”! U rreka t’i jepja kurajë, këtij burri trim me zemër luani, tashmë i ligështuar. I predikova pak a shumë:

“E ardhmja do jetë ndryshe, secili do gjejë veten dhe se, ne të ndëshkuarit pa faj të diktaturës komuniste, do na jepej haku”! Natyrisht, s’i besoja as vet ato që i shpreha, po s’doja ta lëndoja priftin hero. Doja t’ia lehtësoja dëshpërimin dhe t’ia zhdukja zhgënjimin, në ëndrrat e lirisë. Kaluan ca vite, te ura e Milotit e takova sërish. Këtë herë i qeshte buza, faqet i skuqnin, i kish rënë një nur rinor; m’u duk i ripërtërirë tërësisht. M’u bë qejfi kur e pashë shëndetplotë. U përshëndoshën, u ulëm në një kafene buzë rrugës dhe ia krisëm muhabetit.

– “Dom Simon, gëzohem kur të shoh të rinohesh përditë! Duket, e paske gjetur veten”? – “Po qe besa, e kam gjet mir boll! Kam tash do kohë, jam kthye n’Mirditë, atje ku kam ken, para se me m’shti mbrend. Jam mirë me shndet dhe ndihem si don Zoti! Me tan kutundarët, kam dashni, më dojn dhe i due! Kena ba do punë, me kishat t’reja dhe rikonstruksionin e të vjetnave”. – “Po Shkodra, si i ka punët”? – e pyeta për shaka. “Shkodra? Po, si Shkodra, or lum djali! Janë shtue filistinët. Ata q’i kan prish kisha e xhamia e, që na kan pas spiunue dikur, jan ba t’mdhaj itash! Po, se nga kan ardh, ene do priftën kah jashtë, që s’e kan hjek kurrnji ditë burg, e tash dun me na kërkue hesap neve, gjoja s’paskemi mujt me i rezistue komunizmit, për me mbrojt kishën”!

E kuptova, ai kish mbetur po ai! Simoni i viteve të hershme! I ndershëm deri në dalldi, i drejtë deri në teh të briskut, kokëfortë deri në çmenduri! S’kish si të ndihej mirë ,kur ballafaqohej me ata që i konsideronte servilë dhe filistinë hipokritë! Asgjë shenjë ndikimi, s’kishin lënë mbi atë karakter vuajtjet dhe mundimet e gjata, madje as mosha s’kish mundur ta platitte llavën e atij krateri të zjarrtë! Edhe kur jam takuar më pas, kam gjetur përherë po atë; Dom Simonin e drejtë e krenar; burrin e besës, të papajtueshëm me të keqen! Madje, do shtoja: po atë sportist të hershëm, që për mbrojtjen e dogmës, ashtu siç e mendonte ai, ish gati të kacafytej sërish me grushta e shqelma, si atëherë në burg…

– “Ky ishte Simoni im, i dashur Mondi! Të paktën, këtë njohje kam unë”! Ishte një zemër e zjarrtë, në një shpirt të trazuar! Që asnjëherë s’u vlerësua, siç e meritonte! Shpresoj që ky “kokrrosh”, të gjej qetësinë e munguar pranë “Shenjtës Mari”, siç ma përmendte shpesh. U preftë në paqen e amshuar! Amen!

Vazhdim i pjesës së ndërprerë, për homazhin

Natyrisht përqendrimi në burgje, s’ishte i sigurt. Për arsye pa arsye, demografia mund të shkërmoqej e të ndryshonte nga dita në ditë, përbërja mund të shprishej nga java në javë. Në një kamp pune me kapacitet strehimi, ta supozojmë për dyqind vetë, brenda javës mund të dyfishohej në katërqind dhe për dy muaj, të reduktohej në njëqind. Pra, ndodhte pak a shumë fenomeni i dunave. Stacionimi i rërës së shkretëtirës, që në mëshirën e erërave përplaset sot këtu, nesër njëmijë kilometër më tej, përsëritej në kampin-burg, asnjëherë s’i dihej ku të linte mëngjesi e ku do të gjente mbrëmja.

Nëse organikat nominative ndryshonin pa pra, organiko-grama planizohej me direktiva statike. Lëvizjet kushtëzoheshin, në bazë të prioriteteve e planeve megalomanë pesëvjeçarë, si dhe në varësi të nevojave për forca pune, që kish iks apo ipsilon kantier. Çdo ngjarje, sado e imët në dukje, ndryshonte papritmas numrin e të dënuarve. Regjimi komunist, e kish bazuar ekzistencën e vet, mbi urdhra dhe direktiva, të pa mbështetura në realitete objektive. Kur shihte një ëndërr i Madhi, e parashtronte në plenumet e Partisë, gjithë të tjerët rendnin ta vinin në zbatim. I fanitej ta zëmë se kish tharë detin, se kish hapur tarraca në malet shkëmborë, se kish ngritur impiante për vaditjen e kulturave bujqësore, në qiej, se kish shtuar pambarimisht numrin e objekteve të banimit, se kish instaluar gjigantët industrialë, se… kish sfiduar Zotin, etj., etj.,..!

Kjo paranojë si epidemi murtaje, zaptonte shkallë shkallë shtetarët, deri edhe nëpunësin më të humbur i “Perandorisë së Kuqe”. Mandej niste në rang të gjerë, aksioni imagjinaro-fantastik, për realizimin në terren të ëndrrave nokturne. Ngrinin ekipe me specialistë të mirëfilltë, të të gjitha fushave, nën drejtimin e anëtarëve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, furnizonin me direktiva non stop, të gjitha institucionet e vendit, veçanërisht Komitetet e Partisë ne rrethe dhe Degët e Punëve të Brendshme.

Në udhëzimet që iu dërgonin instancave zbatuese, detajonin nevojat për forca pune, përcaktonin pak a shumë edhe profesionet e parapëlqyer, po sidomos specifikonin grupmoshat dhe përkatësinë klasore të personave që duheshin arrestuar. Për shtimin apo pakësimin e numrit në burgje, ndikonin ca faktorë që me gjithë dëshirën e madhe për të mbajtur një shifër pak a shumë konstante, s’varej vetëm në vullnetin e projektuesve; sepse vepronin një tërësi agjentë madhorë, si: sëmundjet e pashërueshme, që ishin murtajë e pandashme e burgjeve, pasojë e keqtrajtimeve dhe dhunës së përhershme, e keq-veshjes, e kequshqyerjes afatgjatë; shtohu këtyre vdekjet aksidentale në punë, vetëplagosjet pa dashje, vetëplagosjet me dashje, humbjet me vetëdashje mbi telat me gjemba apo, me mënyra të tjera; vdekjet për shkak moshe, si dhe lirimet e rralla, kur ndonjë plotësonte afatet e dënimit; krijonin boshllëqet për të cilat po flasim.

Rrjedhimisht mbeteshin vakanca, gjë që detyronte Ministrinë e Brendshme dhe Prokuroritë në rrethe, të nxirrnin qarkore dhe urdhër- arreste me shumicë, ndërkohë që Drejtoria e Përgjithshëm e Burgjeve, të planifikonte zhvendosje të herë pas hershme, nga një kamp në tjetrin, sipas nevojave për krahë pune. Sigurisht këto ishin disa nga arsyet që profesorët e mi ndërroheshin shpesh. Gjatë viteve të “universitetit”, m’u dha rasti të ndërroja disa “profesorë sezonalë”, nëse do t’i quaja kështu.

Në “pushimet” verore, për mos t’u plogështuar më planifikonin program të lehtë, gati argëtues. Orët i mbushnin me ndonjë aktivitet fizik, apo mësime muzike, pikture, biles edhe kanto, sido që te kjo e fundit, dola komplet fiasko, qysh në provat e para. Pavarësisht se lëndët fakultative, s’përbënin thelbin e programit akademik, për këto specialitete, kish profesorë me shumicë, madje ndër më cilësorët.

Në burgje kishin përfunduar trajnerë të mëdhenj, kampionë absolut, sportistë elitarë. Po përmend një pjesë: për kulturën fizike, ishin disa sportistë pararojë, si atletë, mundës, boksierë, futbollistë, etj., të niveleve më të larta përfaqësuese, deri edhe pjesëtarë të ekipeve kombëtare shqiptarë, të njohur në arenën ndërkombëtare, si: në futboll, Shyquri Gruda, ish-futbollist i “Vllaznisë” dhe i përfaqësueses, durrsaku, Zihni Dervishi, po i këtij kalibri, ish-portieri i dytë i kombëtares, Sefedin Juniku, të cilin do ta kisha për ca kohë edhe profesor matematike, ish-portieri i parë, Qemal Vogli ish liruar pak para mbërritjes sime. Atletë cilësorë si: korçari Guri Panariti, ish-kampion kombëtar në disa disiplina të atletikës, Pavllo Popa, ish atlet i po atyre niveleve, me “Vllazninë”, Franko Cara, etj. Mundës dhe peshëngritës rekordmenë, si: Sakip Kaloshi, Vladimir Kosturi dhe Bebi Shameti. Boksierë brilant, që nëse ky sport s’do ishte persekutuar, do ishin bërë patjetër kampionë të mëdhenj, si: Dhori Gërnjoti, Andon Vanko, Stavri Qirko, të tre nga Korça, Ndoc Gjoni nga Shkodra, Petrit Nallbani, nga Berati, etj.

Pra, në gjithë këtë armatë sportistësh cilësorë, dhjetëra ishin profesorë, po mua më atashuan pranë Shyq Grudës, si më i afti teorikisht. Në lëmin e muzikës, gjeje specialistë të dalë nga shkollat më prestigjioze, nga konservatori i Pragës, Ali Hoxha që ish njëkohësisht kompozitor dhe instrumentist për shumë instrumente frymorë, por dhe për kitarë dhe kontrabas, Fiqiri Muho nga Gjirokastra, që, në kohën kur mbërrita unë, zotëronte kitarën e Vaçe Zelës. Vëllezërit e famshëm Starova, nga Pogradeci, me kulturë muzikore italiane, etj. Me mua u angazhua më i përgatituri, kompozitori Ali Hoxha, ani pse s’premtoja për ndonjë talent të veçantë.

Në pikturë, disa dhjetëra piktorë të shquar shfaqën gatishmërinë të punonin me mua, me në krye Sadri Ahmetin, Robert Moravën, Myslim Fuatllarin, etj. Por më shumë u angazhua, piktori i peizazheve magjikë, Myslim Fuatllari nga Pogradeci. Përpos këtyre, kisha edhe teologët nga të katër besimet, si nga katolikët; At Zef Pllumi, Dom Eenest Trashani, Dom Mark Hasi, Patër Pjetër Meshkalla, Dom Nikollë Mazreku; nga myslimanët, Hafëz Sabri Koçi, myfti Faik Hoxha; nga Bektashinjtë, Baba Bajram Mahmutaj, Dervish Meleq Hasa; nga ortodoksit At Vasillaq Vangjeli, At Stavri Pilafi.

Meqenëse këto ishin lëndë fakultative, që zhvilloheshin përgjithësisht gjatë pushimeve verore, s’më hanin shumë kohë dhe s’më shkaktuan shumë mund, por dhe unë s’u vardisesha shumë, kush më pëlqente e ushtroja, ajo që s’më ngjiste, e lija. Kështu, në muzikë më pëlqeu kitara, po meqë isha tapë fare nga solfezhi, s’pata shans të përparoja, në fund u tërhoqa. Në boks, dola dështak i vërtetë; mbasi më përsheshën ca herë turinjtë boksierët realë, si; Andon Vanko, që kishim afërsisht një peshë, e lashë edhe këtë; me Gërnjotin apo Stavrin, as tentova të ndeshesha ndonjëherë. Vetëm piktura më tërhoqi, ndaj falë pasionit të profesor Myslimit, arrita të futem në botën e ngjyrave, bëra goxha përparime; pastaj me ardhjen e Sadri Ahmetit, fillova punën me laps dhe tush, ku ai ndihej mjeshtër i vërtetë.

Kështu, studimet ecnin një farë soji. Rezultatet më kënaqnin e më shtuan optimizmin për më tej. Po më të lumturit, ndiheshin mësuesit e mi, që nëpërmjet përparimit tim, vlerësonin aftësitë e tyre didaktike. Pavarësisht nga mangësitë në mjete mësimore, ata shpenzonin energji të tepërta, për ta bërë mësimin sa më praktik e atraktiv. Por ata që endeshin ndër ëndrra dhe fluturonin mbi re, që bënë ç’mundën të më lehtësonin e të më krijonin kushte, për të më lënë sa më tepër kohë në dispozicion për studime, ishin tutorët, pleqtë e mi të shtrenjtë. Mes njëri-tjetrit, kishin bërë një pakt pa protokoll, i ndanë vullnetarisht detyrimet e mia personale, në mënyrë të atillë, sa mua s’më mbeti tjetër, veç të pranoja këtë ujdi.

Bajram Hoxha, gatuante ato pak ushqime që më sillte familja, njëkohësisht kishte marrë mbi vete edhe kazanin e ujit të nxehtë për dush, Xhelal Beu, lante teshat dhe sipas rastit i arnonte kur griseshin; përherë te koka e shtratit, do gjeja rroba të lara. Xha Esherefi më merrte gjellën te kazani në kuzhinë dhe ma sillte te jataku, por njëkohësisht ndiqte edhe regjimin e studimit dhe përpiqej të mbante rregullin dhe qetësinë; xha Dauti, Sulua, Rizai, At Vaska e të tjerët, si më të moshuar, kishin marrë përsipër ndonjë detyrë më të lehtë, sidomos të më argëtonin me rrëfenja dhe ngjarje të shkuara, kur më mbetej ndonjë çast i lirë; Muharremi vazhdonte në detyrën e tij të engjëllit mbrojtës, vigjilonte me grushtet shtrënguar e, mjerë kush kapërcente cakun. Me Refat Arixhiun, Et’hem Hiton e ndonjë tjetër, bëja ndonjë dorë domino edhe pse s’më vinte ndorësh. Por të gjitha këto, në kohën e lirë që sa vinte bëhej më e shtrënguar. Memorie.al

                                                                       Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Në 1967-ën, kur Ilia Dilo Sheperin, e zhvarrosën nga oborri i kishёs, eshtrat ia morën fëmijët dhe u binin rrugëve, kurse komunistët talleshin me kafkën e tij, duke...”/ Historia tragjike e familjes Dilo

Next Post

“Kur i thashë Profesor Ramadan Sokolit, se; pse nuk e citon udhëheqësin kryesor të Partisë në hyrje të librit, siç ta ka kërkuar redaktori, ai më...”/ Dëshmia e rrallë e gazetarit dhe studiuesit të njohur

Artikuj të ngjashëm

“Gjon Ljarja, më tregonte për Pjerin Kçirën; ditën e fundit, erdhen te qelia e tij, shefi i Sigurimit, Rasim Dedja dhe Ali Xhunga, të cilët i komunikuen, se lutja për falje jete…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Edhe pse Ollga Schweizer, në ‘44-ën shpëtoi nga pushkatimi gjermanëve 100 burra, komunistët e internuan dhe ia burgosën…”/ Historia tragjike e danezes, që u dashurua me firmëtarin e pavarsisë
Kujtime

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

May 30, 2025
“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Tragjedia e trimëria e Kazazëve dhe familjeve shkodrane nën terrorin komunist, hakmarrja e heshtur mbi Dedjakupejt, Bushatllijt dhe Çobajt…”/ Historia e rrallë e fisnikëve të humbur të Shkodrës
Kujtime

“Zefi, i rritun jetim, se i ishte djeg shpia bashk me prindit, del partizan te batalioni ‘Perlat Rexhepi’, por ra në burg, ku rrahu një polic dhe kur i dhanë 25 vjet, kërkoi me vdekje, pasi…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
Next Post
“Kur i thashë Profesor Ramadan Sokolit, se; pse nuk e citon udhëheqësin kryesor të Partisë në hyrje të librit, siç ta ka kërkuar redaktori, ai më…”/ Dëshmia e rrallë e gazetarit dhe studiuesit të njohur

“Kur i thashë Profesor Ramadan Sokolit, se; pse nuk e citon udhëheqësin kryesor të Partisë në hyrje të librit, siç ta ka kërkuar redaktori, ai më...”/ Dëshmia e rrallë e gazetarit dhe studiuesit të njohur

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!