Nga Mehmet Latifi
Pjesa e dytë
Memorie.al / Djali i dytë i Ismail Qemalit, Plakut të Vlorës dhe Shqipërisë, njëkohësisht sekretar i tij personal dhe shef i kabinetit të tij, jetoi në Strugë, që nga viti 1936 e, deri në vdekje, kah fundi i dhjetorit të vitit 1953. Dëshmitarët e gjallë me respekt flasin për këtë figurë, këtë personalitet të “harruar” në Strugë! Respekt të veçantë tregojnë edhe fëmijët e tij të birësuar. Shtëpia ku ka jetuar dhe ka ndërruar jetë Qazim Bej Qemal Vlora, edhe sot e kësaj dite është funksionale, po në atë gjendje në të cilën ka qenë në kohën kur jetonte Qazim bej Vlora, por pa asnjë shënim ose shenjë të duhur. As varri i tij nuk ishte shënuar deri më 27 nëntor të vitit 1997 –(sepse nuk dihej, ishte harruar nga struganët) – , kur falë mirëkuptimit nga Shoqata e Historianëve Shqiptar, Dega në Strugë, u shënua simbolikisht.
Qazim bej Qemali, në Strugë, ndër të tjerë gjeti dhe takoi edhe kushëririn e Behijes, Belul efendi Kadiun. Belul efendi Kadiu, ishte shok dhe mik i Qazim Beut, që nga shkollimi në Stamboll. Ishte personalitet i lartë ushtarak turk, saktësisht ishte ish komandant i dikurshëm i Gardës së Portës së Lartë të Stambollit, i cili kishte mbaruar studimet në akademinë ushtarake dhe ishte gjeneral i ushtrisë turke.
Duke u shoqëruar me Belul efendi Kadiun, Qazim bej Qemali, ka filluar të njohë edhe personalitete të tjera në Strugë, bashkë me njerëz të rëndomtë, por të ndershëm dhe të vyeshëm. Një ndër ata njerëz të rëndomtë që njohu Qazim bej Qemali në Strugë, është edhe Shaban Tateshi- “nismëtari, ideatori, nxitësi i zbardhjes së figurës dhe jetës e vdekjes së Qazim bej Qemalit”, që nuk ishte ndonjë personalitet, por i ndershëm, i sinqertë, besnik dhe mbi të gjitha atdhetar. Njohja me Shaban Tateshin u mundësua përmes dhëndërrit të Shaban Tateshit, Riza Pollozhanit, me të cilin Qazim bej Qemali kishte krijuar një miqësi të mirë dhe e këshillonte për shumë çështje.
Nga afërsia që kishte me Riza Pollozhanin, dhe kunatin e tij Shaban Tateshin, Qazim bej Qemali, “mëshirohet” që këtij të fundit, t’i blejnë një shtëpi në Strugë, për ta sjellur nga fshati dhe për ta rritur numrin e shqiptarëve në qytet. Dhe pikërisht, Qazim bej Qemali, ia “shet” shtëpinë e vet (të Behijes), në qendër të qytetit, që Shaban Tateshi të zbresë nga fshati. Kjo shitë-blerje e shtëpisë, i mundëson Shaban Tateshit, që të gjindet më pranë Qazim bej Qemalit dhe ta njohë më mirë dhe nga afër, duke mbetur që të dy, vetëm qytetar modest të Strugës.
VITET E QAZIM BEJ QEMALIT TË STRUGË
Ardhja e Qazim bej Qemalit në Strugë nuk ishte rastësisht. Ai me vete solli bibliotekën e vet të pasur dhe solli të gjithë dokumentacionin e veprimtarisë politike dhe diplomatike të babait të tij, Ismail bej Qemal Vlorës, në angazhimin e tij për krijimin e shtetit shqiptar, për ta shpëtuar nga asgjësimi, shkatërrimi ose djegia e tërësishme, sepse kishte përvojë të hidhur nga kjo e fundit.
Qazim bej Qemali, prej vitit 1936 e deri në vitin 1939, herë shkonte në Tiranë, herë vinte në Strugë. Në vitin 1939, Qazim bej Qemali, nuhati dhe vlerësoi situatën që sa vinte e keqësohej në Shqipëri, duke vlerësuar se do të ndodhin edhe gjëra të papritura dhe të paparashikuara, dhe në pamundësi që t’i parandalojë, ose të ndërmarrë çfarëdo mase parandalimi dhe pengimi, ai vendosi përfundimisht të vendoset në Strugë. Ardhja e Qazim bej Qemalit në Strugë nuk ishte rastësisht.
Ai me vete solli bibliotekën e vet të pasur dhe solli të gjithë dokumentacionin e veprimtarisë politike dhe diplomatike të babait të tij, Ismail bej Qemal Vlorës, për krijimin e shtetit shqiptar, për ta shpëtuar nga asgjësimi, shkatërrimi ose djegia e tërësishme, sepse kishte përvojë të hidhur nga kjo e fundit. Ai e dinte vlerën e këtij dokumentacioni ndaj me fanatizëm kujdesej për këtë dokumentacion! Nga biblioteka e pasur që solli me vete, ai shpesh lexonte diçka dhe ua huazonte të tjerëve ato libra për të zgjeruar njohuritë e tyre shkencore. Ai vetë, kurrë nuk iu nda librit.
Në Strugë, ishte i respektuar ndër ata pak miq me të cilët shoqërohej dhe këmbente diçka, edhe pse nuk kishte rreth të gjerë me të cilët komunikonte dha bashkëbisedonte, sepse konsideronte se nuk mundet të bashkëbisedojë me secilin për çështjet që nuk janë temë interesimi i tyre. Nuk i kishte të nivelit të tij dhe nuk i kuptonin çështjet që e preokuponin Qazim bej Qemalin.
Në vitin 1948, kur fillojnë turbulencat dhe ngrirjet në marrëdhëniet diplomatike dhe miqësore shqiptaro-jugosllave, Behija i shkroi një letër Qazim bej Qemalit, në të cilën ajo e porositë në mënyrë të prerë, që ta braktisë shtëpinë dhe pemishten dhe të kthehej në Tiranë, për t’iu bashkangjitur familjes-gruas dhe fëmijëve, sepse Behija kishte informacione nga bijtë, që tashmë ishin oficer të Ushtrisë Shqiptare.
Qazim bej Qemali, atëbotë, që vetes i kishte vënë një objektiv të përjetshëm, ia ktheu përgjigjen Behijes me shpejtësi rrufeje. Në përgjigjen e tij drejtuar Behijes, ai shkruan: “Ti qëndro në Tiranë dhe kujdesu për fëmijët, ndërsa unë do të rri këtu e do të kujdesem për pasurinë që e kam, sepse kufijtë janë momente të tilla politike, që sot mbyllen e nesër hapen dhe anasjelltas. Janë këto çështje të politikës ditore, e nuk janë çështje të përjetshme”.
Qazim bej Qemali, në përgjigjen që i kthen bashkëshortes Behijes, kur përmend fjalën “…do ta ruaj pasurinë”, ai këtë fjalë e shkruan të nënvizuar, që Behija ta kuptojë se për çfarë pasurie bëhet fjalë, sepse ai me këtë nënkupton pasurinë që ka me vete, e kjo pasuri është i gjithë dokumentacioni i krijimit të shtetit shqiptar, nga babai i tij Ismail Qemal bej Vlora, dokumentacion që ai e kishte me vete, e nuk kishte aspak shqetësime për pasurinë e patundshme që kishte.
Ky dokumentacion ishte histori më vete. Ishte dëshmia e veprimtarisë dhe aktivitetit politik dhe diplomatik të Ismail Qemalit, gjatë periudhës së krijimit të shtetit Shqiptar, ku pjesëmarrës i drejtpërdrejtë ka qenë edhe vet Qazim bej Qemali. Refuzon me këmbëngulje braktisjen e Strugës dhe kthimin në Tiranë, përkundër sugjerimit të bashkëshortes Behije, dhe mbetet në Strugë, i vetëm, i vetmuar, deri në fund të jetës së tij. Pra ai nuk pranon të kthehet në Tiranë, duke ngelur në Strugë deri në vdekjen e tij, ku varroset dhe ku edhe sot prehen eshtrat e tij.
ÇFARË I KISHTE THËNË QAZIM BEU ENVER HOXHËS?!
Nga ana tjetër, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare) dhe formimit të Qeverisë së re në Shqipëri, Qazim bej Qemalit, iu ndërpre dhe iu ndal pensioni që gëzonte nga Mbreti Ahmet Zogu! Kah fundi i vitit 1946 dhe gjatë vitit 1947, ai kërkoi disa herë takim nga Enver Hoxha, duke mos treguar saktë identitetin e tij, duke mos treguar saktë se kush është!.
Më në fund, kur sheh se nuk “mundet” ndryshe, e deklaron të plotë identitetin e tij dhe Enver Hoxha e pranon ta takojë në kabinetin e tij, ku në murin e kabinetit, mbi kokën e Enverit, ishte e vendosur fotografia e Ismail Qemalit.
Qëllimi i këtij takimi ishte për tu sqaruar shkaqet e ndërprerjes së pensionit që gëzonte. Por, kur vërejti se përpjekjet e tija do të përfundojnë pa sukses për të vazhduar marrjen e pensionit, i drejtohet Enver Hoxhës me fjalët: “Ti nuk meriton që fotografia e babait tim të qëndrojë në zyrën tënde”!
Ky ishte takimi i parë dhe i fundit me Enver Hoxhën, të cilin kurrë nuk e kishte adhuruar. Po ashtu ka vërejtur se në shtëpinë e tyre në Tiranë, nga ato pak dokumente dhe fotografi, si dhe pronësia e saj, ishin përfshirë nga një shkatërrim i paparë, duke zhdukur dita ditës gjithnjë e më shumë çdo gjurmë.
Ai, mblodhi ato pak sende, letra, dokumente etj., që kishin mbetur dhe për t’i shpëtuar i mori edhe ato me vete në Strugë, për t’i sistemuar e strehuar dhe për t’i shpëtuar nga shkatërrimi i tërësishëm. Çështë e vërteta, shtëpinë e gjeti gati tërësisht të rrënuar e të djegur, bashkë me të gjitha sendet që kishte aty, bashkë me fotografitë nga albumi familjar, kështu që janë humbur të gjitha gjurmët e tilla.
Ç’U BË ME DOKUMENTACIONIN E KRIJIMIT TË SHTETIT SHQIPTAR?
Që nga ajo ditë kur mblodhi ato pak sende në shtëpinë e djegur dhe të rrënuar, Qazim bej Qemali, kurrë më nuk është rikthyer më në atë shtëpi, që tashmë nuk i ngjante shtëpisë por një gërmadhe të vërtetë! Nga letërkëmbim që patën me të shoqen Behijen, dhe pasi e këshilloi atë që të kujdeset dhe t’i shkollojë fëmijët në Tiranë, nëpër shkolla dhe fakultete, sepse ishte arsimdashës, ai u bë rob i vetë-vetes dhe dokumentacionit që kishte me vete.
Dokumentacioni, atë pasuri, ai konsideronte se nuk mund t’ia besoj kujtdo qoftë. Atyre që eventualisht ka mundur t’ua besojë, nuk ishin pranë tijë, ose tashmë kishin ndërruar jetë, kishin vdekur.
E shoqja Behija, me të kuptuar se Qazim bej Qemali, përfundimisht nuk do të rikthehet më në Tiranë, pas mbylljes së kufijve, iu drejtua me letra dhe mesazhe familjarëve të sajë në Strugë, në rend të parë familjes së Belul efendi Kadiut, Osman Hajrullahut dhe familjes Laçka, që të kujdesen për Qazim bej Qemalin, sipas mundësive të tyre.
Qazim bej Qemali, i lodhur nga mosha, i rraskapitur nga traumat që kishte përjetuar nga vetmia si dhe nga sëmundja kronike, si pasojë e helmimit më 1919 në Perugjia, Qazim bej Vlora, në moshën 83 vjeçare, mbyll sytë përgjithmonë në Strugë, në fundin e dhjetorit të vitit 1953.
Me vdekjen e tij, mbyllet një kapitull, ose së paku një faqe e historisë së veprimtarisë së tij dhe të babait të tij Ismail Qemali, së bashku me shumë iluministë, veprimtar dhe atdhetar të tjerë shqiptar, për krijimin e shtetit të parë Shqiptar në vitin 1912 dhe shpalljen e Pavarësisë në Vlorë.
Për të qenë ironia më e madhe, fat ose ironi që i përcjell shumë figura të tilla të mëdha të historisë shqiptare, Qazim bej Qemal Vlora, u gjet i vdekur katër ditë pasi mbylli sytë në shtëpinë e tij ku jetonte, shtëpi, që edhe sot e kësaj dite, është e pandryshuar nga jashtë dhe është funksionale siç ka qenë në kohën kur aty ka jetuar Qazim bej Qemali. Ndryshim i vetëm që ka pësuar kjo shtëpi, është rregullimi i brendshëm enterierik dhe mobilimi. Aty tani jeton një familje shqiptare.
Në këtë shtëpi, nuk ka asnjë shenjë apo simbol që do të dëshmonte dhe do të tregonte se: “këtu ka jetuar dhe….” U gjet i vdekur pikërisht nga anëtarët e familjes Laçka, të cilët jo rastësisht i kishte porositur bashkëshortja e tij Behija, për t’u kujdesur për Qazim bej Qemalin. U gjet i vdekur, pasi u vërejt se katër ditët e fundit, në oborrin e tij, të cilin e kishte mbuluar dëbora, nuk kishte gjurmë këmbësh dhe dëbora nuk ishte shkelur.
Kjo i “detyron” familjen Laçka të afrohen tek shtëpia ku jetonte Qazim bej Qemali dhe…gjetën Qazim bej Qemalin të shtrirë dhe të ngrirë! Pasi u njoftuan miqët dhe të afërmit e tjerë të Qazim bej Qemalit, u varros në varrezat familjare të Belul ef.Kadiut në varrezat e qytetit në Strugë, në mënyrë modeste, ashtu siç ishte edhe ai vetë, ku edhe sot prehen eshtrat e tij. / Memorie.al
















