Nga Prof. Asoc. Dr. Thanas L. Gjika
-TRE MËSIME NGA JETA E 90-VJEÇARIT SEJFI PROTOPAPA –
Memorie.al / Para disa vitesh në Tiranë, u botuan një varg intervistash me atdhetarin shqiptaro-amerikan, Sejfi Protopapa. Duke qenë se e kam njohur prej 17 vjetësh, këtu në SHBA-ës, si atdhetar dhe bashkëpunëtor të të paharrueshmit Antoni Athanas, si një veprimtar aktiv të autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare, disa muaj më parë, ia mblodha disa kujtime, për t’i festuar me një grup intelektualësh, 90-vjetorin, në Worcester M A. Nga kujtimet e z. Protopapa dhe nga intervistat e tij, të botuara vitet e fundit, kam nxjerrë tre mësime shumë të vlefshme, për të gjithë ne shqiptarët:
- Nga e keqja, duhet të ndahemi menjëherë dhe përfundimisht
Sejfi Estref Protopapa, u largua prej atdheut në nëntor të vitit 1944, si një nga kuadrot e ‘Ballit Kombëtar’, si një nga personat e padëshirueshëm të Partisë Komuniste Shqiptare sepse, ai kishte bërë publike direktivën sekrete të Enver Hoxhës, të datës 10 shtator 1943, ku ky porosiste organizatat e partisë të qarqeve të Shqipërisë, që të fillonin luftën kundër organizatës së ‘Ballit Kombëtar’, për ta quajtur atë shkaktar të mos bashkimit dhe të vëllavrasjes…!
“Unë me kushërirën time Diturinë, – tregon Sejfiu, – pasi mbaruam studimet në Itali në qershor të vitit 1943, u kthyem në Berat, me dëshirën e madhe që të merrnim pjesë me armë në luftën Antifashiste. Babai im ishte mplakur, nuk merrej me politikë, qëndronte neutral; kurse xhaxhai, ndonëse nuk ishte anëtar i ‘Ballit Kombëtar’, ishte simpatizant i kësaj organizate, sepse ai vlerësonte udhëheqësit e ‘Ballit’ për shkollimin dhe atdhetarinë e njohur të tyre.
Të ndodhur para presionit të të rinjve komunistë, unë dhe Dituria, pranuam të bashkoheshim me ta, për të treguar se nuk ishim pro-fashistë, por atdhetarë antifashistë, që donim të luftonim pushtuesin. Dituria u bashkua me forcat e armatosura dhe doli malit partizane, kurse unë, si çalaman që isha, nuk më dërguan në mal, por më mbajtën në qytet, për të punuar si sekretar e shaptilografist në Prefekturë, ku ishin vendosur veprimtarë të PKSH-së. Midis të rinjve me të cilët unë fillova të bashkëpunoja për të shaptilografuar trakte dhe materiale të PKSH-së, ishin Kristaq dhe Margarita Tutulani, të cilët i njihja dhe i simpatizoja si njerëz të zgjuar dhe patriotë.
Margaritën, e cila ishte dhe mjaft e bukur, e kisha pasur bashkënxënëse në shkollën qytetase. Kristaqi herë më diktonte shkrime të veta, herë trakte të ardhur nga qendra. Bashkëpunimi me ta vazhdoi gati një muaj, mbasi forcat e karabinierisë italiane (forca të Mbretit Viktor Emanueli III-të), në korrik 1943, kryen një aksion spastrimi, duke arrestuar e vrarë 30 të rinj antifashistë beratas, shumica komunistë, midis të cilëve Margaritën dhe Kristaqin.
Unë u tremba, nuk shkova disa ditë në Prefekturë dhe prisja të më arrestonin. Por pas disa ditësh, më njoftuan të shkoja përsëri në Prefekturë. Nuk isha anëtar i PKSH-së, madje as kandidat i saj, punoja thjesht si sekretar, daktilografist dhe shaptilografist, për shumëfishimin e materialeve që vinin nga qendra.
Aty nga data 12-13 shtator 1943, postieri, solli dhe la një zarf në zyrën ku isha unë. Me që ai nuk tha se ishte material sekret dhe me që shefi im nuk ndodhej aty, unë, duke menduar se materiali duhej kopjuar e shumëfishuar, për ta shpërndarë sa më parë, e hapa zarfin dhe e lexova materialin. Ishte një direktivë sekrete firmosur nga “Shpati”. Midis të tjerash, më kanë mbetur në mendje këto fjalë:
…ne duhet të punojmë në drejtimin që vijon: Ta demaskojmë dhe ta diskreditojmë ‘Ballin’ në popull, ta paraqesim në popull ‘Ballin’ si përçarës dhe shkaktar të vëllavrasjes. Të bëjmë që populli… të revoltohet dhe kështu gjithë përgjegjësia historike e mos bashkimit të popullit shqiptar dhe e përpjekjes me armë të bjerë përmbi ‘Ballin Kombëtar’”.
(Këtë fragment e kemi verifikuar me materialin; Nga direktiva sekrete e Enver Hoxhës, dërguar më 10 shtator 1943, gjithë komiteteve qarkore të PKSH-së, botuar në veprën “Shqipëria në Luftë”, autor Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu, Tiranë, ‘GLOBUS R’. 2001, fq. 334. Shënimi ynë, Th. L. Gj.)
“Leximi i këtij materiali më tronditi, – vijon z. Protopapa. – Deri në atë ditë ekzistonte një atmosferë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, midis Partisë Komuniste dhe ‘Ballit Kombëtar’, vendimet që u morën në Mukje më 2 gusht 1943, për luftë të përbashkët për çlirimin e atdheut dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira pas luftës, për të vendosur populli me votën e tij regjimin që do të dëshironte; kishin mbushur me shpresa optimiste gjithë popullin, sidomos ne veprimtarët antifashistë.
Kurse pa pritur ‘Shpati’ (Enver Hoxha), po porosiste që të punohej për diskreditimin e ‘Ballit Kombëtar’, si përçarës dhe shkaktar të vllavrasjes, në një kohë kur një luftë vllavrasëse, nuk ekzistonte. Më vetëtiu në kokë, se PKSH-ja po synonte që ta krijonte luftën vllavrasëse dhe fajin t’ia hidhte ‘Ballit Kombëtar’, për ta mënjanuar si rival pushteti.
I tronditur futa materialin ne zarf dhe me të në xhep, shkova në shtëpi. Babai pasi e lexoi më tha: Shko tek Veliu. Ky më tha t’ia shpija Abas Ermenjit, kryetarit të ‘Ballit Kombëtar’, për qarkun e Beratit. Shkova në Bashki, ku ishin vendosur e punonin veprimtarët e ‘Ballit’, ia dorëzova zarfin z. Ermenji.
Ky më falënderoi dhe udhëzoi që të kopjohej dhe të botohej sa më parë në gazetën ‘FLAMURI’, organ i ‘Ballit’. Pas kësaj unë nuk shkova më në Prefekturë, madje u largova nga Berati, shkova disa ditë në fshatin Protopapë, për t’u takuar me kushërinjtë e atjeshëm. Në Protopapë më dërgonte, babai gjatë pushimeve verore, kur isha nxënës në shkollën qytetase.
Mendova të delja malit si ballist, por kushërinjtë e mi atje, ishin lidhur me lëvizjen partizane. Pasi u shpjegova atyre shkaqet pse nuk doja të punoja më për Partinë Komuniste, u ktheva në Berat. Mendoja të mos lidhesha me asnjë forcë politike, të shikoja punën time, si neutral.
Mirëpo një mesditë, kur kisha marrë babain tim në skarë të biçikletës, për ta kthyer nga kafeneja në shtëpi, për të drekuar, jo larg Prefekturës, më preu rrugën, Ceno Vermishi. Më ndali duke vënë dorën në timon e duke shtrënguar një pushkë që mbante në krahun tjetër, më tha me një ton aspak miqësor: ‘Sejfi pse nuk ke dalë nga Prefektura, hajde, hajde se na duhesh’!
Babai im, duke kuptuar kërcënimin, i tha me inat: ‘More djalë, duke hedhur një pushkë krahut, mendon se je bërë burrë dhe mund të na presësh rrugën. Na lër rehat, se po shkojmë të hamë drekë, Sejfiun takoje më vonë’. Unë nuk shkova në Prefekturë, por shkova në Bashki, ku takova z. Ermenji dhe i tregova kërcënimin që më bëri Ceno Vermishi. Ai e kuptoi se komunistët donin të më eliminonin fizikisht, si njeriun që kisha bërë publik direktivën sekrete të Enver Hoxhës. Më dha dy trima të armatosur të më mbronin në çdo situatë, vëllain e tij të vogël, Zeno Ermenjin dhe një trim nga Moglica e Korçës, Selim Moglicën. Mbas disa ditëve, vendosa të largohem nga Berati.
Abaz Ermenji më besoi një çetë të madhe, një batalion, me 150 ballistë të armatosur, për të vepruar në zonën e Roskovecit. Qëllimi ynë ishte ruajtja e rendit dhe e qetësisë, nuk organizuam asnjë ndeshje të armatosur, kundër partizanëve, por as kundër gjermanëve. Këta ishin vendosur në Kuçovë dhe në Ura Vajgurore. Qëllimi i tyre ishte shfrytëzimi i vajgurit dhe ruajtja e rrugëve. Gjithsej në Shqipëri, gjermanët sollën dy divizione me djem fare të rinj dhe me burra të moshuar. Luftime të vërteta kundër tyre, nuk zhvilluan as forcat partizane, as ne ballistët…”!
Nga kjo dëshmi e z. Protopapa dhe nga materialet e botuara këto vitet për Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, del e qartë se mbas hedhjes poshtë të vendimeve të Mukjes dhe shpalljes së ‘Ballit Kombëtar’, si organizatë armiqësore, prej udhëheqjes së PKSH-së, Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare, mori edhe tipare të një lufte civili, vëllavrasëse.
Kur formacionet balliste, panë se pushka partizane u drejtua kundër tyre, ato u çorientuan. Pati edhe formacione balliste, që ranë në po atë gabim, dhe filluan të kryenin veprime luftarake, kundër forcave partizane, madje disa prej tyre, bashkëpunuan me forcat gjermane.
Pra duhet pranuar se Lufta mori tipare të një lufte civile, luftë për të siguruar pushtetin, para se të arrihej çlirimi i atdheut, por për këtë dukuri nuk duhet të bëhet fajtor vetëm ‘Balli Kombëtar’, si është bërë deri më sot, mbasi shkaktari i parë i saj, ka qenë direktiva sekrete e Enver Hoxhës, të cilën e bëri menjëherë publike djaloshi i zgjuar e guximtar, Sejfi Protopapa.
Ky veprim i këtij 20-vjeçari, i cili diti ta vlerësonte si duhej direktivën sekrete të Enver Hoxhës, si akt antikombëtar, që nxiste kthimin e Luftës Antifashiste, në një luftë vëllavrasëse, në një luftë për pushtet, ka brenda mësimin e madh: prej së keqes, duhet të ndahemi pa hezitim dhe në mënyrë përfundimtare.
Mirëpo shumica e historianëve tanë, ende edhe sot, nuk e pranojnë faktin se, në fund të fundit, ‘Balli Kombëtar’ gaboi mbasi në atë gabim e shtyu pushka partizane, se përgjegjësia për deformimin e Luftës mbas shtatorit 1943, së pari bie mbi udhëheqjen e PKSH-së sepse, ajo e hodhi e para hapin e gabuar.
Fatkeqësish këtë faj të PKSH-së, historianët dhe pensionistët prokomunistë, e kanë mohuar dhe vijojnë ta mohojnë ende. Ata vijojnë ta quajnë ‘Ballin’, organizatë tradhtare, vëllavrasësve dhe ballistët e nacionalistët e rënë dëshmorë në luftimet kundër forcave italiane fashiste dhe atyre gjermane, nuk kanë pranuar t’i varrosin në Varrezat e Dëshmorëve.
- Autorët e veprave të realizmit socialist, duhet t’i dënojnë krimet e tyre artistike.
Për publikimin e direktivës sektete, Sejfi Protopapa u anatemua prej Partisë Komuniste Shqiptare, u fut në listat e armiqve të popullit, kurse prej artit të realizmit socialist, u kthye në një figurë negative, përmes tipit të ballistit me emrin Sali Protopapa, krijuar prej shkrimtarit Dritëro Agolli, në romanin ‘Komisari Memo’, i cili u bë dhe film me titullin ‘I teti në bronz’.
Në vitin 1992, gjatë vizitës së parë që bëri z. Sejfi Protopapa në Shqipëri, i shkoi në shtëpi shkrimtarit Dritëro Agolli, për të parë nëse ai, pas shkërmoqjes së diktaturës, kishte evoluar, në se kishte kuptuar dëmet që i kishte shkaktuar politizimi i skajshëm veprave të tij.
Gjatë bisedës, z. Protopapa i tha shkrimtarit, se ai si ballist, nuk kishte vrarë asnjë shqiptar dhe se nuk kishte bashkëpunuar me pushtuesit gjermanë, se i vetmi “faj” i tij, që nuk mund t’ia falte PKSH-ja / PPSH-ja, ishte denoncimi dhe publikimi i direktivës sekrete të Enver Hoxhës, të 10 shtatorit 1943. Mirëpo shkrimtari nuk i kërkoi të falur për deformimet që kishte sajuar, por duke qeshur i tha se; zgjedhja e emrit te personazhit, ishte rastësore.
Më tej ish ballisti i tha shkrimtarit, se mbas shfaqjes së filmit dhe botimit të romanit, familjarët e tij në Shqipëri, filluan të shikoheshin më egër se më parë, dhe ata, për të shpëtuar nga pasojat e luftës së klasave, ndërruan mbiemrin. Përsëri shkrimtari nuk shprehu asnjë keqardhje.
Kjo bisedë tregoi qartë, se Dritëro Agolli, një nga shkrimtarët më të talentuar të letërsisë së kohës së diktaturës, nuk kishte bërë asnjë hap drejt pendesës, asnjë hap evoluimi, për të dënuar politizimin e skajshëm të veprave të veta, të hartuara në përputhje me normat e metodës së realizmit socialist.
Fatkeqësisht, Dritëro Agollin, kalemxhinjtë prokomunistë e quajnë “Patriark të letrave shqipe”, dhe ky nuk revoltohet, nuk e konsideron fyerje, por e merr mburrje një epitet të tillë, një epitet që nuk u është dhënë as Gjon Buzukut, Pjetër Bogdanit, Jeronim De Radës, Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, etj. Dritëroi pra, e ka pas për mburrje, të quhej si “mjeshtri, krye ustai i letërsisë shqiptare të realizmit socialist”, duke mos dashur të kuptojë se shumica e veprave të tij dhe e kolegëve të tjerë, përbëjnë “krimin artistik”, të kohës së diktaturës.
Nga takimi midis z-injve Protopapa dhe Agolli, duhet të nxjerrim mësimin e dytë: Shumica e krijuesve të kohës së diktaturës, që jetojnë ende, nuk kanë punuar me përkushtim për rinovimin e tyre, për de-politizimin e tyre, për t’u çliruar prej mendësisë komuniste, kësaj njolle gjaku në trutë e tyre…!
- Autoqefalia e Kishës Orthodokse Shqiptare, është vepër kombëtare qe duhet mbrojtur edhe prej shqiptarëve myslimanë
Menjëherë mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste, Sejfi Protopapa, u angazhua në luftën për mbrojtjen e Autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare. Ai u bashkua me z. Antoni Athanas, Very Rev’ Arthur Liolin, etj., dhe shkoi në Shqipëri, për të mbrojtur Autoqefalinë e Kishës Orthodokse Shqiptare.
Ai ka shkruar artikuj të ndryshëm për këtë problem dhe investoi për të shugurar priftërinj orthodksë shqiptarë në Rumani, Maqedoni dhe këtu në Amerike, priftërinj që punojnë në rrugë të pavarur, prej Hirësisë së tij, Janullatos.
- Protopapa në këtë drejtim, punoi në përputhje me rrugën e ideuar prej Sami Frashërit, i cili kur e ngriti i pari problemin e Autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare, si vepër me rëndësi kombëtare, tha se atë duhej ta kryenin së bashku shqiptarët e krishterë, në bashkëpunim me shqiptarët myslimanë…! Memorie.al