Memorie.al / Hysen Haxhiaj, na sjell përmes kujtimeve të tija, episode sa komike aq edhe tragjike, atë të humorit të hidhur që arrinin të bënin të burgosurit, madje dhe me pasoja të rënda për ta. Që sot janë një version tjetër i letërsisë së burgut. Për këtë, njeriu që kaloi në kalvarin e shumëfishtë të burgjeve të njëpasnjëshme për arsye politike, ka shkruar kujtime të shumta. Të cilat në të shumtën e rasteve, janë tepër të rënda. Pasi kanë nota të thella tragjike. Janë kujtime të ngjizura në ferrin e galerive të Spaçit, atje ku morën jetë motivet e reja moderne të ferrit dantesk.
Atje ku ai zbriste pas dënimit që mori, deri në 2500 metra thellësi, thellësi që edhe vetë Dante s’i kishte përfytyruar. Hyseni është ri-dënuar po me të njëjtat motive politike. Dhe nga Spaçi, ai ka shtegtuar nga Ballshi, Vlora, Zejmeni, Qafë-Bari, për të përfunduar më pas në burgun famëkeq të Burrelit. Hyseni ka sjellë në kujtesë, ata që askush nuk mund ti harrojë, se çfarë vuajtjesh ka hequr me shokët e tij. Miqtë e qelive që pushuan së jetuari, si rezultat i dëshpërimit, torturave çnjerëzore apo dhe punëve të rënda, që ishin të detyruar që të bënin.
Mes malit të dhimbjeve që ka sjellë, Hyseni, si njeri i kujdesshëm, nuk ka harruar të sjellë edhe disa kujtime me nota humori, që përbejnë edhe humorin e zi të burgut. Disa i ka përshkruar me rreshta telegrafike në libër, disa I’a morëm shënim në një takim me të, rreth jetëshkrimit së tij në burgje, si dhe për shkëndijat e humorit, që ndizeshin në to.
“Radioloja” e të burgosurit për Flotën e VI-të Amerikane
Hysen Haxhiaj tregon se si u krijua kjo “radio-lojë”, me autor të burgosurin Kosta Gjoka. I cili tashmë është ndarë nga jeta. “Kosta, – kujton Hyseni, – ishte nga familje komunistësh, nga Berati dhe që fati e kishte përplasur si të burgosur, në kampin e punës në kriporet e Nartës në Vlorë. Në burg ai shërbente si ujar. Madje ai i mbante edhe bidonët e ujit, në një barakë. Një ditë, kur mjetet e informacionit kishin njoftuar se në Detin Mesdhe, po bënte manovra Flota e VI-të Amerikane, atij i u shkrep të luante një “skeç”, me policët e burgut.
Skena ishte baraka e të burgosurve. Baza materiale përbëhej nga një kuti mishi e boshatisur dhe një gozhdë e zakonshme. Spektatorët e këtij teatri absurd, ishin dy policë të komandës së burgut. Që gjithnjë i kishin veshët e mprehtë, për të mos u dalë gjendja nga kontrolli dhe vigjilenca që u kërkonte komanda.
Ata i ndante vetëm një kompensatë. Kosta, kur u bind se policët po e dëgjonin, mori kanoçen e mishit dhe filloi ta godasë me gozhdë, duke imituar alfabetin mors: – “Pi, pi, pi. Këtu Flota e VI-të Amerikane. Po ju presim. Po ju presim të marrim Tiranën. Pi, pi, pi…”, – etj.
Dy kapterët kur dëgjuan këtë lloj transmetimi të improvizuar mjeshtërisht nga “aktori”, ujari i burgut Kosta Gjoka, kujtuan me të vërtetë,se dikush nga të burgosurit, po lidhej me radio transmetuese dhe po komplotonte, dhe pasi u bindën se kishin bërë një zbulim të madh “patriotik”, njoftuan komandën, e cila dha menjëherë alarmin.
Finalja e këtij “skeçi”, ishte tragji-komike. Hyseni kujton tmerrin e përjetuar: “O zot i madh. Policët na e hynë me bishta kazme e lopatash, të 1000 të burgosurve, pa përjashtim dhe në fund na rreshtuan të gjithëve ashtu siç ishim, tërë gjak nga goditjet, me këmbë e duar të thyera, të çarë në kokë e në fytyrë.
Vjen komandanti dhe komisari dhe ulërasin: – “O të dalë radioja dhe ai që e ka, ose do t’ju marrim shpirtin të gjithëve”! Hysen Haxhija, vijon tregimin:- “Kosta, të cilin sapo e kapën xhelatët thirri: Ore, jeni në vete, se na vdiqët?! Po ku ka radio këtu?! Unë u talla me kapterët, me një gozhdë dhe një kanaçe”.
Në moment, policët e verifikuan që radio s’kishte dhe se e gjithë kjo zallamahi, ishte vërtetë një rreng, që kishte luajtur në një moment “trilli artistik”, i burgosuri nga Berati. Po i shkreti Kosta, se çfarë hoqi më pas, për këtë vlerë artistike të realizuar në burg! E shembën në dajak.
Episod i rrallë: Spiuni i burgut, denoncon vetveten!
Edhe ky lloj “arti”, ka lulëzuar realisht në burgjet e diktaturës, sipas dëshmisë së Hysen Haxhisë. Korrespondenca e të burgosurve agjentë me operativët e burgut. Deri në përmasa të papara humoristike. Si në këtë rastin që po paraqesim për lexuesin. Hyseni kujton: “Ishte ora një pas mesnate. Më del gjumi dhe hap sytë.
Ngrihem ngadalë dhe shoh me vëmendje një të burgosur, që se ç’po bënte. B.V., ishte duke shkruar përmbys mbi shtratin e vet. Dhomat tona ishin me nga 50 vetë me shtretër 3 katësh. Ishte poshtë meje. Zgjas kokën me kujdes dhe lexova se çfarë po shkruante. Për çudi, i zhytur në fantazinë e tij prej spiuni dhe dëshmitari portativ, pashë se po shkruante për vete. S’u besova syve! Në letrën që po nxinte, ai i lutej Partisë, që ta falte, se kishte bërë propagandë kundër pushtetit popullor.
Nuk mu durua dhe e pyes:- “Pse po rrëfehesh, çfarë bën”?! Ndërsa ai, – kujton Hyseni, – m’u përgjigj:- “I kam mbaruar spiunimet për të gjithë, por tani duhet plani, prandaj po shkruaj për vete. Po raportoj”. Hyseni kujton: “Mu nxinë sytë. E pështyva dhe i gjuajta një shpullë të fortë. Plasi nga inati dhe ulëriti sa kishte në kokë. E kuptova që do shkoja pas kësaj në birucë. I gjuajta nja dy të tjera dhe e hodha nga krevati poshtë…! Për këtë më dënuan me një muaj në birucë”.
Si u “çel” tunel në burgun e Burrelit…për një cigare duhan?!
Po në burg, gozhda nuk përdorej vetëm pët t’u lidhur me Flotën e VI-të Amerikane. Në burgun politik të Burrelit, me një gozhdë i burgosuri GJ.K., improvizoi edhe hapjen e një tuneli hipotetik. Për këtë rast humoristik, Hyseni kujton. Në burgje cigarja ishte shumë e shtrenjtë , sidomos në burgun e Burrelit. Një i burgosur që tashmë s’jeton më, u kërkonte shokëve të qelisë shpesh cigare, që ndonjëherë edhe nuk i jepnin.
Ai për tu hakmarrë, në orën 02.00 të natës, del në dritare me një tas që e gërvishtte dhe kjo krijonte idenë, që dikush nga brenda dhomës, po gërmonte për të hapur tunel. Kur ushtari afrohej te dritarja, ai fliste me intonacion për ruajtjeje sekreti: -”Shëët, erdhi ushtari”! E përsëriti disa herë, sa që ushtari i dëgjoi mirë fjalët e tija. Ishte muaji shkurt 1978. Kishte rënë nata dhe binte një vesë shi. Ushtari qëllon me automatik. Vjen oficeri i rojës i alarmuar. Ushtari i raporton se brenda në dhomën e burgut, po hapej një tunel.
Ushtari i thotë eprorit, se dikush nga te burgosurit qëndron në dritare dhe kur ai afrohej te dritarja, dikush u thërriste shokëve: “Pushoni! Erdhi ushtari”! U bë alarm në 02.20 të natës. “Na nxorën jashtë me dyshekë dhe jorganë. Tortura dhe kontroll gjithandej. Vetëm kur u bindën se s’kishte asnjë gjurmë tuneli, na lejuan që të hyjmë përsëri brenda.
Gjoka në mëngjes i kërkon shokut cigare duke i thënë: -Do më japësh cigare, apo t’ju nxjerr përsëri sonte jashtë? – Ti more qen, na e bëre atë katrahurë mbrëmë?!- ulëriti shoku i tij i xhindosur dhe i u sul me grushte. Ndërsa ne qeshëm, – tregon Hyseni, – duke mbajtur barkun me dorë…! Qeshëm deri sa erdhën policët. I morën të dy. I rrahën dhe i futën në birucë”. Kjo ishte edhe epilogu i nismave të tilla, me nota humori në burg.
Si “falsifikoi” diplomën nga burgu, autori i “Radio-lojës”
I burgosuri nga Berati, që bëri “radiolojën” e famshme, arriti të fusë në dosje të komandës së burgut të Ballshit, “Diplomë” falso, të fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe të bëhet përgjegjës punimesh, në ndërtimin e një ure. Në takimin e bërë me Hysen Haxhinë, e pyetëm për fatin e ujarit të famshëm që zhvilloi radio-lojën nga burgu me Flotën e VI-të Amerikane. Ai më tregoi për një “të pabërë” tjetër të tijën, pasi ai kishte fantazi të zhvilluar dhe shpirt inisiative.
Kosta Gjoka, tregoi Asllani, kishte dëgjuar se një person që kishte emrin e tij, kishte mbaruar studimet për inxhinieri ndërtimi. Pasi sigurohet për këtë, dërgon një njeri të vetin dhe tërheq në këtë fakultet, një vërtetim që tregonte që Kosta, në këtë rast kinse për të burgosurin, kishte mbaruar studimet e larta për inxhinieri. Këtë dëshmi ai, pasi falsifikon ditëlindjen dhe vendlindjen, i a paraqet komandës së burgut, për ta rregulluar di-kund në punë, me këtë “profesion”.
Komanda kishte nevojë për një profesionist të tillë, për të drejtuar ndërtimin e një ure në Uzinën e Ballshit, te Rafineria e Naftës.
Ura filloi të ndërtohej nën drejtimin e “inxhinierit”, por nuk shkoi gjatë dhe u shemb. Kur komanda filloi hetimin, rezultoi se inxhinieri, ishte fallco. Kishte arritur që ta mashtronte komandën. E shembën në dajak. Hyseni thotë se ai, ishte mbase një nga falsifikuesit e parë, të një diplome të shkollës se lartë, që në atë kohë, kërkonte këllqe për ta bërë. Sot me diploma fallco, janë me kope…por ato kohë ishte ndryshe…! “Tashmë, vijon tregimin Asllani, – Inxhinieri i famshëm i urës së Ballshit, ka rreth shtate vite, qe është ndarë nga jeta. Memorie.al
Marrë nga observatorikujteses.al