• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Friday, October 17, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Kur drejtori i burgut të Strugës, u thotë: ‘ju jeni enveristë’, Kadriut, që i kishin ngrirë këmbët dhe ishte i rraskapitur, ia kthen…”/ Historia e trishtë e K. Biçakut e F. Doskut, që u arratisën në Maqedoni, në mars 1965

“Mugosha dhe Miladini, ndikuan ndjeshëm në vendimet e marra nga ana e Enverit dhe PKSH-së, si dhe në Shtabin e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur
“Pasi ikën natën nga Roskoveci ku ishte mësues, me shokun e ngushtë, Mustafa Lleshnaku, arratisën nga kufiri e dalin në Strugë, ku UDB-ja…”/ Historia e panjohur e Adil Biçakut që sot jeton e punon në Suedi

Nga Ali Buzra

Pjesa e njëzetepestë

                                                      – JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE –

                                                        (VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)

Gjithashtu mund të lexoni

“Nën ritmin e orkestrave popullore, çingijet e gdhinin bashkë me dasmorët apo klientët e zgjedhur të lokaleve e, në vende të fshehta me të pasurit…”/ Historia e panjohur e “femrave të përdala” të Elbasanit

“Pasi ikën natën nga Roskoveci ku ishte mësues, me shokun e ngushtë, Mustafa Lleshnaku, arratisën nga kufiri e dalin në Strugë, ku UDB-ja…”/ Historia e panjohur e Adil Biçakut që sot jeton e punon në Suedi

Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.

                                                                                                                Bedri Kaza

                                                                Vijon nga numri kaluar

Në Qafë Shapkë, zbresin poshtë te Loma e Belegut e shkojnë kanalit për në Rinë, pa hyrë në fshat, mbasi aty ndodheshin ushtarët e postës së kufirit, të cilët qëndronin ende në postën dimërore. Ecin duke kaluar në Rranishta, Fushë Zezë, Përroi i Pishës, ecin nëpër Zall të Rrinës, ke Boka e Kuqe, te Gurra që del në vend, ke Zharrat, në Tumen e Zezë e, përfundojnë në Qafë Kryq. Kalojnë kryqin duke gdhirë, përballë ishte toka e Maqedonisë. Kadriu e njihte mjaft mirë territorin nga kaluan. Gjatë rrugës nëpër shtigje të vështira, me borë herë të ngrirë e herë të shkrirë, ku në shumë raste u binte të ecnin këmba-dorazi, kaluan kufirin, tokën mëmë, me shpirt nëpër dhëmbë. Dhe pse? Sepse në Shqipëri i priste vdekja.

Kaluan kufirin duke rënë në Ligatat e Belicës, përballë ishte posta e shtetit Maqedon. Ajo ishte një barakë prej druri, që nuk e dinin se qe postë kufiri. Tejet të lodhur e të rraskapitur deri në palcë, iu duk sikur para barakës, ishte një plakë, në fakt ishte ushtari roje maqedonas. “Stoi” – u thërret ushtari dhe u drejton automatikun. Dalin ushtarët e tjerë, e baraka u duk sikur lëvizte. Për momentin i lidhin dorë për dore dhe i fusin në kuzhinë. Sapo i drejtuan këmbët për nga stufa, për t’i ngrohur, ato ashtu të nxira siç ishin, filluan menjëherë të enjten.

I zgjidhin e u japin ushqim për të ngrënë, por ata nuk mundën të hanin. Pasi pushuan, i nisën për në Strugë, të shoqëruar nga dy ushtarë. Por, tashmë, ata nuk qëndronin në këmbë. Duke i ndihmuar ushtarët, që i mbanin për krahu, arritën në një kodrinë ku pritnin dy oficerë, ndërsa poshtë në xhade, ndodhej makina. Kadriu, duke menduar se edhe mund t’i kthenin në kufi, i drejtohet oficerit: “Më vrit këtu, le të vdes, e në Shqipëri nuk kthehem më”! Por ata, tregon Kadriu, i ndihmojnë për të shkuar deri te makina, e prej aty i dërgojnë në Degën e Punëve të Brendshme të Strugës.

Mbasi i pyesin e u marrin intervistën, u bëjnë mjekim e u sjellin ushqim. Atë natë i vendosën për të fjetur në një magazinë materialesh. Aty, afro me një orë natë, i zgjojnë duke thirrur: “Kadri Biçaku, hajdeni te dera”, në sllavisht. – “Këtu jam e mos qofsha”, – u përgjigjet ai në shqip. U japin me vete bukë e konserva dhe me një polic shoqërues, në autobus i nisin për në Shkup. Në vendin e quajtur Dorzanë, pa mbërritur në Shkup, ndodhej burgu, ku dhe do t’i linin. Doli Drejtori i burgut, – tregon Kadriu i përshëndet me kokë, e u thotë: “Ju jeni enveristë”. Kadriut që i kishte ardhë në majë të hundës, e që ndodhej krejt i rraskapitur, i përgjigjet, – “Vetëm enverist nuk jam, veç ashtu mos qofshi edhe ju”!

I kërkon duhan, e ata u japin nga dy paketa. E vendosin në një birucë, ku ishin dy maqedonas dhe një grek, ndërsa Feritin e vendosën në një birucë tjetër. Më pas të tjerët u larguan e ai mbetet vetëm. Në mëngjes i sjellin makarona për të ngrënë, në një gavetë ushtrie. Tashmë gjendja e tij shëndetësore ishte shumë e rënduar. Mbi këmbët e ënjtura, nuk qëndronte dot. Dhimbja u bë e padurueshme. U përpoq të ngrihej, por më kot. Përpiqej t’i shpjegohej policit, por nuk merreshin vesh. Ky i fundit ia afron gavetën me makarona, ndërsa Kadriu e hedh tutje në mur.

Nga zhurma e kërcitja në mur, vijnë menjëherë dy policë të tjerë për të parë se ç’ndodhi. Ai, heq çorapët e u tregon këmbët e ënjtura, edhe thonjtë i kishin rënë. Në këtë gjendje, ata e marrin dhe e dërgojnë te doktori i burgut. Doktori u kërkoi t’a çonin urgjent në spital, duke u thënë se gjendja ishte e rëndë. “Kur më çuan në spital, – tregon Kadriu, – në banjo më ra të fikët. Kam ardhur në vete, – shprehet ai, – kur ndodhesha në krevat”.

Të nesërmen vijnë disa mjekë dhe doktori që e thërritnin “Profesor”, i cili thotë se duhet t’i priten këmbët. Këtë ia komunikojnë Kadriut. “Vdekjen e kërkoj, – u thotë ai – e këmbët nuk i pres”. Qëndroi kështu për tre muaj në spitalin ushtarak të Shkupit, ku i bëhen mjekime për çdo ditë. Feriti, që ishte në gjendje më të mirë shëndetësore, qëndroi në burg. Mbas daljes nga spitali, atë dhe Feritin, që e nxorën nga burgu, i dërgojnë në një lagje të Shkupit, që quhej “Sillovoda”. I vendosën të dy në një shtëpi banimi, duke u dhënë një dhomë e cila ishte me orendi. Ishte i lirë, e pati shkuar edhe në Strugë te miq të familjes, të cilët e patën ndihmuar financiarisht.

Aty qëndrojnë dy vjet. Në vitin 1967, u kërkon autoriteteve shtetërore maqedonase, që t’i jepet vizë turistike për në Suedi. Atje, kishte punë dhe pagë të mirë, ndërkohë atje ndodhej edhe djali i vëllait të tij, Nexhipit, Adili, i cili qe arratisur vite më parë. Dhe kështu u bë. Kadriu, shkon në Suedi, ku u rregullua me punë e gjithçka, ndërsa Feriti, shkon në Amerikë, mbasi për atje kishte kërkuar, ku ndodhet edhe sot.

Mbas arratisjes së Kadriut, në Degën e Punëve të Brendshme Librazhd, ishte dhënë alarmi. Familja e Eminajve në Qarrishtë, po u bënte sfidë. Ajo sipas tyre, duhej larguar. Më 15 maj 1965, në mbrëmje vonë, rrethohet përsëri nga forca policore e të kufirit, kulla e Eminajve. Vëllai i Eminit, Kapua, tashmë i moshuar mbi 70 vjeç, atë natë nuk ndodhej në shtëpi. Ai pati shkuar si mik te krushku i tij, Riza Hasa, aty në fshat, bashkë me nusen e djalit Shadien, e cila ishte 19 vjeçe, si dhe me nipin e vogël, Dashamirin, i cili ishte një fëmijë 5 muajsh.

Rizai i kishte ftuar ata, sepse bënte darkën e dhënëve të ardhur nga meraja. Qarrishtarët, bagëtitë e imta, gjatë muajve të dimrit, i çonin për mera në zonat fushore, ndërsa në pranverë, mbasi i mbanin disa ditë në fshat, i çonin në mal ku kishin stanet verore. Në zonat malore, ende nuk qe kryer kolektivizimi. Atë natë pati ardhur në shtëpi edhe djali i Nexhipit, Besimi, 18 vjeçar, i cili ishte gjatë muajve të dimrit, në kodrat e Peqinit me tufën e dhive, të cilën e mbarështonin atje. Me gjithë vështirësitë e krijuara nga shteti për vjeljen e tatimeve, familja e tyre ende mbahej mirë.

Në atë kohë, tregon Besimi familjet e tyre kishin shtuar përsëri numrin e bagëtive dhe mbarë-shtronin, afro 300 kokë dele, 100 kokë dhi, 10 krerë lopë e, kafshë ngarkese. Policët, të shoqëruar nga kryetari i Këshillit Popullor të fshatit, të cilin e merrnin me vete formalisht, i bien derës e u kërkojnë familjarëve të dalin jashtë. Havaja, e shoqja e Kapos, një grua trimëreshë, motra e Latif Mustës nga Borova, nuk ua hap derën e kullës. Ata godasin derën me shqelma, duke kërcënuar, por ajo u përgjigjet shkurt, se nuk do t’ua hapte derën, pa gdhirë mëngjesi. Shtëpia u mbajt e rrethuar gjithë natën, nën të bërtiturat dhe hakërrimet e tërbuara të policëve.

Ky ishte “pushteti popullor”, që arrestoi e dënoi pa shkak burrat e shtëpisë, njëri pas tjetrit; Eminin, Kapon, Nexhipin, Rrahimin, e më së fundmi mbante në burg Veliun, me motivacione qesharake e të pa principta. Ishte ky shtet, që ka sakatuar padrejtësisht familjen e Eminajve, duke u përballur me sfidën e burrave të zotë të saj, e tashmë merr hak në mënyrën më të përçmuar e çnjerëzore, ndaj grave, pleqve e fëmijëve, duke i mbajtur tërë natën nën terror. Në mëngjesin e 16 majit, shkon një banor i fshatit te shtëpia e Riza Hasës, i cili i thotë Kapos të shkojë te shtëpia, se e kërkojnë.

Kapua, i thotë nuses së djalit të rregullojë fëmijën e të vijë më pas, ndërsa vetë niset menjëherë, duke e ndjerë se diçka mund të kish ndodhur. Kur shkon te shtëpia, ç’të shihte?! Kulla ishte e rrethuar me police, që u kërkonin familjarëve të dilnin jashtë. “Përse po i nxirrni njerëzit jashtë”?! – u thotë ai policëve. – “Do t’ju heqim prej këtu, – i thonë ata, – Ka ikur Kadriu”. Nuk vonoi dhe erdhi nusja e djalit Shadia, me fëmijën ngarkuar në djep. “Isha shumë e trembur dhe e trishtuar, tregonte ajo, – kur shihja vjehrrin që veç pinte duhan, ndërsa vjehrra qante e ngashëruar pa zë”.

Djali i vetëm i Kapos, Ilmiu, burri i saj, ishte ushtar. Një oficer i postës së kufirit, u duk se ishte burrë i përmbajtur e njerëzor. Ai u thotë: “I merrni të gjitha plaçkat, se ju duhen”. E merr një batanije e shtron në tokë, e u thotë komshinjve që ndiqnin ngjarjen, të ndihmojnë familjarët për nxjerrjen e plaçkave nga shtëpia, me qëllim që të merrnin sa të mundnin. Kështu, disa nga komshinjtë i lidhën plaçkat dhe orenditë në batanije e në thasë, sepse familjarëve nuk u bënin duart.

“Detyrohen të derdhin bulmetin për të marrë enët, ndërsa pastërmanë ua morën”, – tregonte Shadia, sot dëshmitare e gjallë e asaj dite të trishtuar, për familjet e Emin dhe Kapo Biçakut. Për bagëtitë, dele, dhi e lopë u interesua kushëriri i tyre, Pasho Biçaku, që banonte në lagjen “Qytezë”, i cili i ruajti e u kujdes për to. Në vitin 1967, edhe Qarrishta u bë kooperativë, shumica e familjeve të fshatit i shitën ato që kishin mbi statut, ndërsa një pjesë u detyruan t’i dorëzojnë në kooperativë, duke krijuar tufat e kooperativës.

Atë ditë të 16 majit 1965, boshatiset kulla e Eminajve, për të mos u kthyer më kurrë. Nisen kështu, duke mos ditur se ku po i çojnë, 9 familje të një trungu. Ishte familja e plakut Kapo, e Veliut, e Shukriut, e Isait, e Hakiut, e Eshrefit, e Saipit, e shoqja e Kadriut, të arratisur, Mejtja me dy fëmijët e mitur, si dhe djemtë e Nexhipit, me nënën e tyre. Vetëm Saipi ishte i pamartuar, ndërsa të tjerët ishin të martuar e me fëmijë. Ky i fundit do të martohej në internim, me një vajzë nga Borova. Me fëmijë e plaçka në krahë, me dy mushka ngarkuar, ecin më këmbë rreth katër orë, të shoqëruar nga policë, deri në lagjen “Kopal” të Librashd- Katundit.

Aty pritnin dy makina tip “Zis”, ku në njërën u vendosën plaçkat, ndërsa në tjetrën mbi karroceri u vendosën familjarët. Një gjenocid, që e kanë praktikuar në kohë të ndryshme serbët dhe grekët, ndaj popullsisë kosovare e asaj çame, ndërsa në rastin konkret, e bën shteti shqiptar ndaj popullit të vet. Udhëtojnë deri në Rrogozhinë. Aty i ndalojnë duke qëndruar rreth 4-5 orë. Siç duket, ishin planifikuar të dërgoheshin në kampet e internimit në Lushnjë, ku kishte të internuar të ardhur nga kampi-burg i Tepelenës, por një urdhër i dytë e ndryshon destinacionin.

I kthejnë e i dërgojnë në Belsh (Fierzë, sektori III). Mbasi mbërritën atje, i strehuan në një hangar duhani, të hapur, mbuluar me kashtë gjoli. Mbulesa ishte thjesht për të mbajtur diellin, mbasi shiu binte i gjithë brenda. “Lartësia e hangarit nuk ishte më shumë se 1.5 metra”, rrëfente djali i Nexhipit, Besimi. Burrat e familjeve, e perduan atë, me drunj e me gurë në mes, duke e ndarë çdo familje më vete. Ata meremetuan më mirë çatinë, po me kashtë gjoli. Në këtë hangar jetuan dy vjet. Nga 9 familje, 5 prej tyre ishin pa krahë pune, me fëmijë të vegjël, me prindër të arratisur apo në burg.

Megjithatë, kolektiviteti dhe harmonia midis pjesëtarëve të trungut familjar, ishte për t’u admiruar. Ata i vinin në ndihmë njëri-tjetrit, për të siguruar mundësi jetese. Jo vetëm burrat, por edhe gratë, mbas 2-3 ditësh dolën në punë në kooperativë. Në Qarristhë ata patën jetuar mirë. Kishin me bollëk bylmet, mish, fasule, patate, pastërma etj., por nuk mundën të merrnin gjë, veçse enët për gatim e, teshat për fjetje. Familja e Kapos, ishte më ligsht, sepse ai me të shoqen ishin të moshuar, ndërsa nusja e djalit, ishte me fëmijë të vogël, afro 5 muajsh, por siç e theksova më lart, ndihma e pjesëtarëve të aftë për punë të familjeve të tjera, nuk mungoi.

Megjithatë kjo nuk zgjati shumë, sepse pas një muaji, lirohet nga ushtria Ilmiu, djali i vetëm i Kapos. Ai kryente shërbimin ushtarak në një repart pune, në Çermë të Lushnjës. Ligji mbi shërbimin ushtarak, parashikonte në një nen të tij, 1 vit ushtri për ata djem, që kishin prindërit të shkuar në moshë dhe ishin me fëmijë të vegjël. Ilmiu duke qenë në dijeni për këtë, kishte bërë kërkesë komandës dhe në bazë të ligjit, përfitoi lirimin nga ushtria. Ai lirohet më 16 qershor 1965, duke mos ditur gjë për internimin e familjes. Niset nga Lushnja, e sipas rregullit ndalon në Degën Ushtarake Librazhd, për të kryer veprimet ligjore. Porsa mbërriti e firmosi dokumentin përkatës, këta të fundit, e kalojnë në Degën e Punëve të Brendshme.

“Nuk do të shkosh në Qarrishtë – ia komunikojnë ata, sepse familja juaj është internuar”. Kështu, të shoqëruar me polic, e çojnë në zonën e Belshit, te familja. Për këtë Ilmiu tregon: “Kur mbërrita në Belsh, gjej aty babain, nënën dhe gruan me djalin e vogël Dashamirin, në një kasolle, hangar duhani. Kushërinjtë, kishin ndarë e perduar dy dhoma të vogla, me përmasa tre me dy metra, aq sa mundësonte hapësira, ku i kishin vendosur të gjitha familjet tona. Dhomat i kishin lyer me baltë e, mbuluar me kashtë gjoli. Dritare nuk kishte. Gatuhej jashtë sepse brenda kishte rrezik zjarri. Në një pus mbushte ujë i gjithë fshati. Në këtë banesë ndenjëm tre vjet. Vërtet gjendja ishte shqetësuese. “Në Qarrishtë, vërtet lamë mall e bagëti, por krahët i kishim me vete. Kemi punuar sa na ka dhembur shpina për të rritur fëmijët” – shprehet ai. Ilmiu, megjithëse i ri në moshë, ishte mjeshtër ndërtues.

Ai fillon punë në brigadën e ndërtimit, sepse për ndërtues kishte nevojë. Vendasit nuk e njihnin këtë mjeshtëri. E shoqja, Shadia punonte te serat. Të dy, punonin me sforco e realizonin mjaft ditë pune. Pas tre vjetësh, ai ndërton shtëpinë e re, tre dhoma, po me gardh e me gurë në mes. E suvaton brenda e jashtë, duke e siguruar nga të ftohtit. Qëndruan në këtë shtëpi 10 vjet, e më pas ndërton shtëpi tjetër me 4 dhoma me tulla, të mbuluar me tjegulla. Të njëjtën gjë bënë edhe familjet e tjera, ku nëpërmjet punës, përmirësuan kushtet e strehimit. Kapua ndërroi jetë në vitin 1975, ndërsa e shoqja, e ëma e Ilmiut, në vitin 1989. I varrosën atje në internim, vetëm me pjesëmarrjen e të internuarve. Nuk morën pjesë fshatarët e Fierzës, as edhe nga Qarrishta.

Natyrisht kishte mjaft njerëz që donin të merrnin pjesë, e të ngushëllonin familjen, por nuk ishte e mundur për shkak të survejimit që bëhej ndaj familjeve të cilësuara kulakë. Nga viti 1965 deri në vitin 1970, masa e dënimit për ta ishte “internim i plotë”. Nuk kishin asnjë të drejtë largimi nga vendbanimi. Mbas vitit 1970, u hoq kjo masë dhe mund të lëviznin vetëm me leje nga Dega e Punëve të Brendshme. Ndërsa apeli bëhej për çdo ditë. Përbuzja dhe diferencimi që u bëhej familjeve të persekutuara, ishte i vazhdueshëm. “Vetëm punën nuk na e hoqën, ndërsa çdo të drejtë tjetër, na e mohonin, apo na e kufizonin”, – shprehen vëllezërit Fatmir e Reif Biçaku. Megjithëse në këto kushte, Fatmiri, regjistrohet në shkollën e mesme natën, dhe e mbaron atë, ndërkohë që gjatë ditës punonte.

Po kështu bën edhe vëllai i tij Reifi, por nuk arriti ta mbarojë atë. Në vitin e dytë, e pezullojnë nga shkolla, e më pas mobilizohet në ushtri. Ashtu si dhe shumë djem të tjerë të familjeve të persekutuara, atë e caktojnë në një repart pune, në Peshkëpi të Vlorës. Punonin në hapjen me krahë të tuneleve, jashtë kushteve minimale të sigurimit teknik. Në ato tunele disa ushtarë qenë aksidentuar, por edhe kanë vdekur nga shembjet e dheut. Një gjë e tillë i ndodh edhe Reifit. Në tetor 1977, bie një masë e madhe dheu dhe e godet atë në kolonë. Dërgohet në spital në Tiranë, ku qëndroi për 6 muaj, por në mes e poshtë ai mbeti i paralizuar. Edhe atje Reifi ndjeu diferencimin shoqëror.

“Isha në gjendje shumë të rëndë. Fillimisht më shtruan një sfungjer, por më pas ma hoqën, duke më thënë, se nuk kemi, s’kemi ç’të bëjmë! Duhet të jetë marrë vesh, se jam nga familja e kulakëve, mendova me vete”, – tregonte ai. Mbas gjashtë muajsh del nga spitali e, kthehet në familje. I lidhet 380 lekë te reja pension invaliditeti, por më e keqja ishte se i duhej për çdo vit, të paraqitej pranë komisionit mjeko-ligjor në Elbasan. Në atë kohë ishte problem transporti, e në ato kushte shëndetësore, lëvizja qe shumë e vështirë. Vetëm vëllai i tij Fatmiri dhe ai vetë, e dinë se ç’kanë hequr çdo vit, për t’u paraqitur pranë komisionit në Elbasan.

Në vitin 1976 u lirua nga burgu Veliu. Gjatë kohës kur ishte në burg, ai apeloi dhe iu ul masa e dënimit, nga 25, në 20 vjet. Bëri 14 vjet e u lirua, mbasi 6 vjet i shleu me punë. U kthye në familje atje në Belsh. Djemtë tashmë ishin rritur. Fatmiri punonte në ndërtim, ku paguhej mirë, ndërsa Reifi në bujqësi, por edhe ky i fundit realizonte dhe tejkalonte normën ditore. Vetë Veliu, kur doli nga burgu i kish kaluar të 60-tat. Megjithëse i moshuar e i përvuajtur, ai ende mbahej mirë fizikisht. Djemtë nuk e lejuan të dalë në punë. Në vitin 1980, bashkë me Fatmirin, ndërtuan shtëpinë e re me mure guri e mbuluar me tjegulla.

Fatmiri u martua me vajzën e Hamdi Gurrës nga Dragostunja, që ishte familje kulakësh. Sigurimi i Shtetit në atë kohë, përpiqej të penetronte te familjet e persekutuara, duke bërë për vete persona në radhët e saj, me qëllim që t’i hedhë kundër njëri-tjetrit. Këtë e bënin jo vetëm me të rriturit, por edhe me moshën e re, 15-16 vjeçare, duke u premtuar favore. Te asnjë prej personave të familjes së Eminajve, nuk mundi të depërtojë arma e Sigurimit të Shtetit. Ata ishin të përgatitur për këtë, duke qëndruar vigjilentë e të papërkulur ndaj çdo provokacioni ta mundshëm. Për shtetin komunist, Veliu, mbetej person “i rrezikshëm”. / Memorie.al

                                                         Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Sytë e Inga Vitaljevnës, me vlagën e lotëve, janë gati të shpërthejnë dhe për të shpëtuar burrin e vajzën nga pasojat, pranoi në hetuesi, se...”/ Dëshmia e Todi Bozos, për skenarin e filmit “Kur u prishën foletë”!

Next Post

“Nën ritmin e orkestrave popullore, çingijet e gdhinin bashkë me dasmorët apo klientët e zgjedhur të lokaleve e, në vende të fshehta me të pasurit...”/ Historia e panjohur e “femrave të përdala” të Elbasanit

Artikuj të ngjashëm

“Nën ritmin e orkestrave popullore, çingijet e gdhinin bashkë me dasmorët apo klientët e zgjedhur të lokaleve e, në vende të fshehta me të pasurit…”/ Historia e panjohur e “femrave të përdala” të Elbasanit
Dossier

“Nën ritmin e orkestrave popullore, çingijet e gdhinin bashkë me dasmorët apo klientët e zgjedhur të lokaleve e, në vende të fshehta me të pasurit…”/ Historia e panjohur e “femrave të përdala” të Elbasanit

October 16, 2025
“Në 1952, i ndihmuar nga vëllai i tij, Tafili, merr me vete të shoqen e Ismail Balliut, me dy vajzat, që kërkonin të largoheshin dhe arratiset në Jugosllavi, ku…”/ Historia e panjohur e Hamit Lukës nga Funarësi
Dossier

“Pasi ikën natën nga Roskoveci ku ishte mësues, me shokun e ngushtë, Mustafa Lleshnaku, arratisën nga kufiri e dalin në Strugë, ku UDB-ja…”/ Historia e panjohur e Adil Biçakut që sot jeton e punon në Suedi

October 15, 2025
“Emin Biçaku nga Qarrishta, në 1944-ën, orientoi Mehmet Shehun me Brigadën e Parë, të ndiqte itinerarin drejt Qafës së Lespriskës, por pas mbarimit të Luftës, ata…”/ Historia e trishtë e familjes nacionaliste
Dossier

“Emin Biçaku nga Qarrishta, në 1944-ën, orientoi Mehmet Shehun me Brigadën e Parë, të ndiqte itinerarin drejt Qafës së Lespriskës, por pas mbarimit të Luftës, ata…”/ Historia e trishtë e familjes nacionaliste

October 16, 2025
“Pas arratisjes nga Shqipëria në 1949-ën, Azis Biçaku me djalin, Isufin, shkuan në Greqi, ku morën pjesë në luftën civile kundër forcave komuniste dhe…”/ Historia e panjohur e familjes nacionaliste nga Librazhdi
Dossier

“Pas arratisjes nga Shqipëria në 1949-ën, Azis Biçaku me djalin, Isufin, shkuan në Greqi, ku morën pjesë në luftën civile kundër forcave komuniste dhe…”/ Historia e panjohur e familjes nacionaliste nga Librazhdi

October 16, 2025
“Tom Stefan kishte lidhje me Enverin, duket edhe nga fotot ku janë bashkë, por miqësia u prish, kur Tomi u lidh me Lulu Vrionin…”/ Dëshmia e rrallë e gazetarit amerikan, që erdhi në Shqipëri në ’87-ën
Dossier

“Tom Stefan kishte lidhje me Enverin, duket edhe nga fotot ku janë bashkë, por miqësia u prish, kur Tomi u lidh me Lulu Vrionin…”/ Dëshmia e rrallë e gazetarit amerikan, që erdhi në Shqipëri në ’87-ën

October 12, 2025
Dëshmia e italianit Paolo Saggioti: “Tarasconi solli 150 napolona flori dhe me sugjerimin e anglezëve ne bëmë një sabotim, duke i vënë zjarri në Kuçovë…”/ Gjyqi i ‘Deputetëve’
Dossier

“Terrori komunist mbi fshatin Zgosht, nuk u ndërpre gjatë vitit 1945, pasi më 14 mars, në Ditën e Verës, partizanët u vënë zjarrin shtëpive të Zylyf Shpatës…”/ Ana e panjohur e “Luftës Nacional-Çlirimtare”

October 14, 2025
Next Post
“Nën ritmin e orkestrave popullore, çingijet e gdhinin bashkë me dasmorët apo klientët e zgjedhur të lokaleve e, në vende të fshehta me të pasurit…”/ Historia e panjohur e “femrave të përdala” të Elbasanit

“Nën ritmin e orkestrave popullore, çingijet e gdhinin bashkë me dasmorët apo klientët e zgjedhur të lokaleve e, në vende të fshehta me të pasurit...”/ Historia e panjohur e “femrave të përdala” të Elbasanit

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme