• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Monday, November 17, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Kur Abaz Kupit i treguan, se djali i bajraktarit të Tropojës, komunist në batalionin ‘Perlat Rexhepi’, e preu në besë Patër Lek Lulin, i dërgoi fjalë Sali Manit…”/ Historia e panjohur e vrasjes së klerikut të famshëm

“Kur Abaz Kupit i treguan, se djali i bajraktarit të Tropojës, komunist në batalionin ‘Perlat Rexhepi’, e preu në besë Patër Lek Lulin, i dërgoi fjalë Sali Manit…”/ Historia e panjohur e vrasjes së klerikut të famshëm
“Në 1966-ën kur u suprimua Ministria e Drejtësisë, që sipas Mehmet Shehut, ishte e panevojshme, Aranit Çela, porosiste gjyqtarët; kodet futini në sirtar dhe nxirrni …”/ Refleksionet e ish-të dënuarit politik
Abaz Kupi - 1943 Memorie.al
Abaz Kupi Memorie.al
“Pjerin Kçira, ish-hetues i pushkatuem për shpërndarje traktesh kundra pushtetit, tha në gjyq: ‘armët në Kishë i ka fut Sigurimi…”/ Dëshmia e Padër Leon Kabashit
“Në krye të njerëzve të Sigurimit që më arrestuan, ishte Çesk Shoshi, kurse prokurori, Aranit Çela, dha 11 dënime me vdekje për…”/ Dëshmia e ish pjesëtarit të organizatës

Nga NDUE BACAJ    

Memorie.al / Malësia e Madhe ka qenë përherë “çerdhja” e patriotizmit shqiptar ku lindën e u rriten atdhetarë e fetarë, që nuk kursyen as jetën për lirinë, të drejtat njerëzore, zakonore dhe trojet etnike shqiptare. Në Malësi të Madhe ndër mote e shekuj, lindën dhe u rriten edhe simbole kombëtare të binomit jetëdhënës Fe dhe Atdhe. Një ndër simbolet e shquara të binomit Fe dhe Atdhe, është edhe nacionalisti kastratas Patër Lekë Luli, i vrarë pabesisht e mizorisht nga komunistët e pa fe e pa atdhe, me 16 korrik 1944…!

JETËSHKRIMI:

Patër Lekë Luli ka lindur në Katund të Kastratit të Malësisë së Madhe, me 8 mars 1908, me nanë Lenen dhe babë Lul Markun (fisi Vulaj). Familja e Lul Markut do të zbriste herët në qytetin e Shkodrës, para krijimit të regjistrit kombëtar të gjendjes civile (1929-1930) nga Mbretëria e Shqiptare. Kjo familje kastratase figuron në regjistrin e gjendjes civile në Shkodër, që në vitin 1930. Patër Lekë Luli qysh i vogël do të regjistrohej në Kolegjin Franceskan në Shkodër, ku kryen arsimin fillor dhe atë të mesëm, ndërsa në Troshan bënë noviciaten. Arsimimin e lartë për teologji e kryen në kolegjin e Shna Ndout në Romë-Itali.

Gjithashtu mund të lexoni

“Në dosjen e Sigurimit për Prof. Çabejn, agjenti ‘Shigjeta’, më 20 tetor 1957, informonte se; ‘Prof. i Universitetit të Tiranës, Q. Turdiu, M. Karajani e Rr. Zojzi, janë…”/ In memoriam për profesorin e famshëm

“Ganimeti, nuk zgjodhi të largohej me burrin e vet dhe që kontaktin me të e mbante me veshjet e hijshme të kohës së paktë martesore, apo…”/ Refleksione mbi librin “Eleganca e lotëve”, të Iris Halilit

Në vitin 1935 shugurohet meshtar. Meshën e parë e thotë me 28 dhjetor 1935. Pas kthimit të tij në Shqipëri, Patër Lekë Luli punon në gjimnazin “Illiricum”, si docent në gjimnaz dhe Drejtor i Shoqërisë “Antoniane” të Shkodrës me 1938-1939. (Shoqëria “Antoniane” u krijua me nismën e Patër Ambroz Marlaskaj, i cili ishte Drejtor i urdhrit tretë. Kishte si qellim t’i jepte djelmënisë shkodrane mjete e lehtësinë, në edukimin moral e fetar). Patër Lekë Luli shumë shpejtë do të bëhej një person i njohur e dëgjuar për Shkodrën, Malësinë e më gjerë, veçanërisht për atdhetari e gojëtari.

Me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së pavarësisë (nëntor 1937), në Shkodër do të organizohej një miting madhështor, ku me këtë rast u mbajtën disa fjalime, si ai i kryetarit të bashkisë Ndoc Çoba, Ymer Ruzhdia, Nush Topalli dhe Patër Lekë Luli. Tre të parët  fjalimet i kishin të shkruara në letër, ndërsa Patër Leka si orator që ishte, foli pa letër, duke u brohoritë e duartrokitë më shumë se asnjë nga ata që folën në këtë miting. Ai kishte qenë edhe iniciator për ngritjen e një monumenti, për dëshmorët e Shkodrës, vepër të cilës ju futen themelet, por që nuk u realizua për arsye të pushtimit fashist të Shqipërisë.

Ashtu si dhe shumica e popullit shqiptar, edhe françeskanët të edukuar dhe ushqyer me idealin Fe-Atdhe, nuk u pajtuan me pushtimin e Shqipërisë nga Italia…! Madje drejtuesit e shkollës kishin rezerva dhe kundërshtuan që në programet shkollore, të futej lënda e edukatës fashiste. Për këtë arsye qeveria e asaj kohe (qeveria fashiste e Shqipërisë N.B.), për vitin 1939-1940, e mbylli gjimnazin Françeskan. Patër Gjon Shllaku, Patër Lekë Luli dhe Patër Athanas Gegaj, ishin ata që demaskuan më me forcë pushtimin fashist të Shqipërisë dhe propaganduan si në mënyrë individuale, ashtu edhe në predikimet e tyre, që rinia të mos aderonte në Partinë Fashiste.

Patër Gjon Shllaku kishte arritur të shtinte në dorë një material sekret, ku paraqitej përgatitja e pushtimit fashist të Shqipërisë nga Italia. Ai vë në dijeni Patër Athanasin dhe Patër Lekë Lulin, ku Patër Leka merr përsipër ruajtjen e këtij dokumenti. Pushtetarët fashist të informuar për këtë, urdhëruan arrestimin e tyre. Arritën të burgosin vetëm Patër Gjon Shllakun, ndërsa Patër Lekë Luli dhe Patër Athanas Gegaj, arritën të ikin në Jugosllavi…!

Patër Lekë Luli qëndron në Jugosllavi gati një vit, deri në pushtimin e Jugosllavisë nga Gjermania. Kthehet në Shqipëri së bashku me Abaz Kupin, dy vëllezërit Kryeziu dhe majorin anglez Hill dhe rreth treqind nacionalist dhe zogistë të ikur në Jugosllavi. Me datën 5 prill 1941, në prani të treqind malësorëve në Bogë të Malësisë së Madhe, ngrenë flamurin shqiptar. Patër Lekë Luli, me oratorinë e tij të jashtëzakonshme mban një fjalim shumë të bukur atdhetar…! Patër Lekë Luli shfaqte haptas pikëpamjet e tij antifashiste. Për këtë burimet informative italiane e përkufizonin edhe si “frat revolucionar”.

Patër Lekë Luli i kishte dorëzuar Legatës Angleze në Beograd, një përkujtesë në janar 1941, që përfaqësonte një akuzë të drejtpërdrejtë kundër agresionit Italian në Shqipëri. Ngjarjet do të rrokulliseshin në mënyrë të tillë, që Patër Lekë Luli të arrestohet nga fashistët dhe të internohet në krahinën e Toskanës në Itali. Edhe në internim ai nuk reshti së shfaquri ndjenjat e tij patriotike. Në internim Patër Lekë Lulit i takon një “ditë” të zëvendësojnë famullitarin e e asaj zone, dhe kur një vajzë italiane shkon për t’u rrëfye, ajo gjatë rrëfimit i tregon Patër Lekës, për një mëkat që kishte bërë. Ndërkohë vajza tregon pendesë dhe i kërkon ndihmë Patër Lekë Lulit, për ta shlyer mëkatin.

Patër Lekë Luli i thotë vajzës; ke për të thënë tre herë në ditë fjalët: “Viva l’Albania” (Rroftë Shqipëria). Mbasi kryen dënimin e internimit kthehet në Shqipëri dhe drejtohet për në shtabin e Legalitetit. Atje (në mal, N.B.) qëndron pranë Abaz Kupit dhe kryen funksionin e sekretarit të OKLL (Organizatës Kombëtare të Lëvizjes Legalitetit), duke mos hequr asnjëherë petkun e fratit dhe gjithmonë duke u udhëhequr nga ideali “Fe – Atdhe”. Patër Lekë Luli ishte ndër të paktit meshtar që kishte përkrahur krahun zogistë së bashku me Imzot Nikollë Dedën e ndonjë tjetër, në kundërshtim me shumicën më të madhe të klerikëve, që i përkisnin “Ballit Kombëtar”….!

Patër Lekë Luli si nacionalist e antifashist i klasit parë do të vlerësohej edhe nga delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, në takimin e zhvilluar me 26 korrik 1943 në Tapizë të Tiranës, në shtëpinë e Ihsan Toptanit, ku u vendos  që edhe Patër Lekë Luli të pranohet si konsulentë. Takimin kishte karakter përgatitor per Konferencën e Mukjes…! Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, përbehej nga shumë figura pa dallime partiake, si major Abaz Kupi, Dr. Ymer Dishnica, Myslim Peza, Mustafa Gjinishi, Mit’hat Frashëri, Faik Quku e Hasan Dostit…!

Pater Lekë Luli do të merrte pjesë në Konferencën e Mukjes me 1-2 gusht 1943, me statusin e vëzhguesit, me vote konsultative. Në Konferencën e Mukjes merrnin pjesë figura të njohura të Ballit Kombëtar, me në krye Av. Hasan Dostin, Mit’hat Frashërin, Prof. Isuf Luzaj e tjerë…! Ndërsa nga Këshilli i Përgjithshëm i Nacionalçlirimtar, merrnin pjesë Abaz Kupi, Myslim Peza, Gogo Nushi, Dr. Ymer Dishnica e tjerë. Pas Konferencës së Mukjes, u bënë tubime e kuvende sipas krahinave, ku lidhen besën për të luftuar kundër okupatorëve nga njëra anë dhe kundër rrezikut sllav nga ana tjetër. Tipike për këtë është kuvendi i Kalishtit… Ai u zhvillua prej 2 deri me 12 shkurt 1944, nën kryesinë e Muharrem Bajraktarit.

Sipas dokumenteve gjermane, V. Mann, informon eprorët e vet në seksionin Dom Lc 297 Div. Inf., me 19 shkurt 1944, se; “është bërë bashkë-takimi i krerëve shqiptar në një konferencë në Kalisht, ku morën pjesë; Muharrem Bajraktari, Haxhi Lleshi, Cen Elezi, Faik Shehu, Patër Lekë Luli e tjerë…! Në konferencë muarën pjesë edhe tre oficer anglezë. Këtu u vendos të luftohej bashkërisht kundër çetnikëve serbë, kundër okupatorëve gjermanë dhe qeverisë kuislinge. Një kuvend burrash pa dallim ideje, feje e krahine, një lidhje bese si në Mukje, e njohur nga aleatët…!

VRASJA MIZORE E PATËR LEKË LULIT NGA KOMUNISTËT… 

Patër Lekë Luli si nacionalist i klasit parë, si intelektual e zotërues i disa gjuhëve të huaja, i ngarkoheshin detyra të rëndësishme nga Abaz Kupi dhe Lëvizja e Legalitetit, për të takuar e komunikuar me misionet antifashiste të aleatëve, siç ishte Misioni anglez në Shqipëri. Pikërisht në një mision të tillë, vritet pabesisht e mizorisht Patër Lekë Luli, në Bytyç të Tropojës, nga komunistet e spiunët e tyre, me 16 korrik 1944.

Batalioni komunist “Perlat Rexhepi”, vrau dhe dogji në zjarr Patër Lekë Lulin…! Ish komandanti i batalionit “Perlat Rexhepi”, komunisti Rexhep Haka, në librin e tij për aktivitetin e këtij batalioni, shkruan: “…Ne e kapëm spiunin Lekë Luli dhe e pushkatuam”. Ndërsa shërbëtori i zellshëm i komunizmit, Ragip Beqaj, në librin e tij me titull: “Veprimtaria antikombëtare e Klerit Katolik shqiptar”, e paraqet Patër Lekë Lulin me “fotografi” të veshur me petkun e meshtarit dhe me automatik në krah, si dhe shkruan: “Lekë Luli ishte përfaqësues i Demokristianes, pranë organizatës tradhtare të Legalitetit.

Duke zbatuar vijën e dhënë nga Papa, Kleri Katolik krijoj lidhje të ngushta edhe me ‘Legalitetin’. Ashtu siç kishte krijuar më parë me ‘Ballin Kombëtar’ dhe me ‘Indipendentët’. Me kërkesë e Abaz Kupit për një koordinim më të mirë të veprimeve, pranë shtabit të tij u emërua si përfaqësues i Klerit Katolik…”! Ndërsa ish drejtori i arkivës të Ministrisë së Brendshme, studiuesi e historiani Kastriot Dervishi, duke u bazuar në dokumentet e kësaj arkive, dhe përshkrimin e partizanit kryesor vrasës të Patër Lekë Lulit, ndër të tjera shkruan: “At Leka udhëtoi nga Kastrati i Malësisë së Madhe në Tropojë, për të marrë pjesë në një mbledhje të forcave politike. Komunistët si injorantë edhe në shpjegime, e justifikuan vrasjen sikur ndodhi nga shkaku se kleriku ishte ‘ndërlidhës midis gjermanëve dhe britanikëve’” (!).

Në fakt, vetëm komunistët mund të bëjnë aleatë gjermanët dhe britanikët në vitin 1944. Partizani vrasës kryesor, e ka përshkruar në këtë mënyrë krimin makabër: “Vrasja u krye në pyllin e errët të Valbonës. Patër Lekë Luli ish dërguar nga armiku i popullit Abaz Kupi, që të lidhte veprimet e Gani Kryeziut me reaksionin e Dukagjinit dhe me partitë e tjera reaksionare të Lumës e të Mirditës, për të ndaluar forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, për çlirimin e krahinave të veriut. Kufoma e tradhtarit të popullit Patër Lekë Luli, u vu në zjarr të madh ku iu dogjën edhe eshtrat. Më vonë, shkuan 100 reaksionarë të shtyrë nga Kleri reaksionar i Shkodrës, për t’i gjetur shenjat, por pluhuri i tij ishte zhdukur”.

Një e dhënë interesante për vrasjen e Patër Lekë Lulit, e ka marrë Patër Zef Pllumi, nga nacionalisti e luftëtari i njohur i lirisë, Nikë Sokoli. Nika ishte i informuar mirë se djali i bajraktarit të Tropojës, ishte komunist dhe bënte pjesë në batalionin “Perlat Rexhepi”. E mori përsipër për ta çuar Patër Lekën në misionin anglez, por u tregua i pabesë dhe i urdhëroi dy shoqëruesit që ta vrisnin rrugës, dhe ata e zbatuan. Abaz Kupi sa mori vesh këtë vrasje dhe tradhti, i pikëlluar e i indinjuar thellë, i dërgon një mesazh shumë të ashpër Sali Manit, duke i thënë: “Na preve në besë o bajraktar dhe se do të përgjigjesh për këtë”.

Vdekja (vrasja) e Patër Lekë Lulit në Nekrologun e provincës shqiptare të Zojës Nunciatë përshkruhet: “Me 16 korrik 1944 ka vdekur, fra Lekë Luli nga Kastrati, meshtar. Qe varë nga një bandë partizanësh dhe aty qe varrosur në një vend të panjohur. Ishte predikatar i aftë, plot dashuri ndaj atdheut. Qe docent në gjimnaz, drejtor i Shoqërisë ‘Antoniane’ të Shkodrës. Jetoi 36 vjet.

DËNIMI I VËLLAIT TË PATËR LEKË LULIT, PROF. GJELOSH LULIT

Vlenë të kujtohet se pas ardhjen në pushtet të komunistëve, vëllai i Patër Lekës, Prof. Gjelosh Luli, do të ishte një nga anëtarët e organizatës nacionaliste e antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”. Prof. Gjelosh Luli në tetor të vitit 1945, do të përkthente në frëngjisht memorandumin që përpiluan seminaristët në Shkodër, për t’ia dërguar misionit Anglo-Amerikan. Memorandumi përshkruante hollësisht situatën e vajtueshme kriminale-terroriste, që kishin krijuar komunistët në Shqipëri.

Prof. Gjelosh Luli së bashku me anëtarët e tjerë të “Bashkimit Shqiptar”, do të arrestoheshin dhe me 19 shkurt 1946 fillon gjyqi ndaj anëtarëve të kësaj organizate nacionaliste. Për 11 anëtarë  të organizatës “Bashkimi Shqiptar”, duke përfshirë edhe Prof. Gjeloshin , prokurori komunist, kapiten Aranit Çela, kërkonte dënimin me vdekje…! Ndërsa gjykata ushtarake e kryesuar nga toger Mustafa Iljazi, në seancën e 17-të dhe të fundit të 22 shkurtit (1946), e dënon Prof. Gjelosh Lulin, me burgim të përjetshëm.

NË VEND TË  EPILOGUT:  

Në vend të epilogut mendova të citoj një poezi të publikuar në një trakt të vitit 1942, shpërndarë nga ‘Balli Kombëtar’ gjatë Luftës Dytë Botërore. Poezia (apo më shumë…) përshkohej nga “nota” të forta patriotizmi, të shkruar nga nacionalisti simbol i binomit Fe dhe Atdhe, Patër Lekë Luli, kur ai ndodhej në mal me pushkë në krah, kundër pushtuesve fashistë. Poezia titullohej “Zani i shqipes”…! / Memorie.al

ZANI I SHQIPES

Nalt mbi male tue dihatë

Idhshëm shqipja po piskatë:

“Braf në kambë djelmëni Shqiptare!

Rrokni armët e qitnje fare

Italinë, qi n’kater vjet

Fé u zhduki, Atdhé e shtet

Mbi zogj t’tjerë, se d’bamë robneshë,

Krah e kambë keq m’i ka lidhun,

pa u tjetë kush, qi me m’i zgidhun

Prej verigave të robnisë?!…”

Po a thue kaq, djelmt e Shqipnis,

ftyren marrja u ka mbulue,

sa mos t’mundni m’u kujtue,

Se Italija e ka qitë cekën

Shqiptaris me ja sjellun dekën

Me çdo mjet! S’jeni tue pa,

Se ca poshtersitë e mëdha

po ban mbi ne tash katër vjet,

Q’se na ka nën thember t’vet?

Shifni ç’ban n’ne Italija:

Djelmt ma t’mirt, qi ka Shqipnija

Dalë ngadalë po i qet t’gjithë fare

Ken n’konop, ken grijë n’batare,

Ken ndryj n’burg t’tjerë n’mergim

A ka kund ma t’madh poshtnim:

Daj njerzt vendit, ku kan lé,

Merr o treti n’nji tokë t’re;

Daj me shokë, miq, dashamirë,

Mos i len Shqiptar m’u thirrë.

Gra e varza tue koritun.

Fmijtë e vegjël n’treg tue shitun,

Kndej djeg Kishë e andej Xhamija,

Tredhen burrat si bagtija

Para syvet t’gravet veta!…

Ç’na vien t’gjallt, sot ç’na vie jeta.

Paj qe besa e t’madhit Zot

S’asht kashatë qi bluhet dot

Me i puthë hasmit kamë e dorë

E mbi krye me i vu kunorë

Për mbrapshti, çi po veprueka,

Atme e shpi kur t’i zaptueka!

Kush Shqiptar pra i thot vedit

N’mal e n’fushë o n’breg të detit:

Kapni pushkën e lenje shpin,

Kapni pushkën e bashk me mue:

Kapni pushkën pa u vonue

Ja me vdekë ja me fitue

Atdhen t’onë për me librue!!!

S’asht nevoja për me pvetë

Ku ju pres? e dini vetë:

Mbi ato male mbushë me borë

Me Flamur t’Shqipnis në dorë

Aty u pret ju…

Mos t’ua tusin synin deka,

Pse fitimi asht i joni.

Ku luftoni ju fitoni,

Si fituen t’part tuej perherë

Para Botes damun me nderë:

Teuta, Pirri e i Madhi Leka.

Por dhe n’kjoftë, se na vjen deka

Ardhët e bardhë, pse besa e Zotit,

Dekë ma e bukur s’ka n’ditë t’sotit

Se me dekë me pushkë në dorë,

Si qytetas si malsorë,

Tue luftue kundra italijanit,

Per me i sjellë lirinë Balkanit.

E me flamurë përmbi krye

Kuq e Zi pa përlye

Tue u valvitë neper ajri

N’sa djelmnija për rreth tij

Pa ndalë turrin pa ndalë hapin

Shoqi shoit zemer t’i napin:

“Urra djelm u dhashtë e mbara,

Se né, fati na hecë para!”…

Kshtu do t’marrin zjarm beteja

N’mal e n’fushë si t’shkrepte rrëfeja

Gjithkahë pushka do t’ushtojë,

Toka deti do t’gjimojë,

Dersa topi pa ia da

T’rrahin logje dhe kala

Dhe avionat përmbi krye

N’hekur tanksat mirë mbërthye

T’bombardojn dhe t’mitraljojn

Por Shqiptarët luftën s’do t’lëshojn:

Fyta fyt n’ia mbajt anmikut

pa ju shmang kurrnji rrezikut

Si ka hikun i balkanasi

Por atme e shtet, Ilirianasi

Asht mësue m’u vra e m’u pre

Me hasm t’Kombit. për Atdhe

Kur Shqiptari n’luft t’ket ra

Tjetër fat lufte aty s’ka:

Por ja vdekje, ja liri!…

Vetëm at herë pra n’shqiptari

Ka me prajtë kjo luftë titane

Kur krejt forca italiane

T’jetë shue, e shqiptari                                        

T’gzojë lirinë siç i a la i pari!

Kshtu do t’marrë vesht rrokullija:

Gjallë robneshë s’bahet Shqipnija.  

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Më pyetën një javë rresht, madje një herë më erdhi natën zv. ministri Brendshëm Rexhep Kolli, i cili donte të dinte se ç’mendonte Kadareja për Enver Hoxhën ...”! / Dëshmia e rrallë e Bashkim Shehut

Next Post

“Kur isha në një qeli me Havzi Nelën në burgun e Burrelit, ai më tregonte se kur ishte me Lavdijen, në burg në Jugosllavi, UDB-ja...”/ Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit politik, Bedri Çoku

Artikuj të ngjashëm

“Më 27 shtator 1942, Çabej i dërgoi letër Ernest Koliqit, ku i kërkoi ta hiqte si anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare, pasi, aty ishte edhe…”/ Historia e panjohur e profesorit dhe akademikut të njohur
Personazh

“Në dosjen e Sigurimit për Prof. Çabejn, agjenti ‘Shigjeta’, më 20 tetor 1957, informonte se; ‘Prof. i Universitetit të Tiranës, Q. Turdiu, M. Karajani e Rr. Zojzi, janë…”/ In memoriam për profesorin e famshëm

November 15, 2025
“Ganimeti, nuk zgjodhi të largohej me burrin e vet dhe që kontaktin me të e mbante me veshjet e hijshme të kohës së paktë martesore, apo…”/ Refleksione mbi librin “Eleganca e lotëve”, të Iris Halilit
Personazh

“Ganimeti, nuk zgjodhi të largohej me burrin e vet dhe që kontaktin me të e mbante me veshjet e hijshme të kohës së paktë martesore, apo…”/ Refleksione mbi librin “Eleganca e lotëve”, të Iris Halilit

November 15, 2025
“Bashkë me Revolucionin Kulturor, kinezët sollën edhe gripin ‘Hong Kong’, ku sipas mjekut të njohur, në Tiranë pati 300 vdekje dhe…”/ Dëshmitë e poetit dhe  shkrimtarit të njohur nga SHBA-ës
Personazh

“Ndonëse ia dinin vlerat, pasi ai punonte sa për katër veta, drejtuesit e Institutit, nuk i dhanë asnjë titull a gradë shkencore, nuk e dërguan asnjëherë jashtë shtetit, pasi…”/ Historia e panjohur e Palok Dakës!

November 11, 2025
“Telegrami i nëndrejtorit të policisë së Korçës, dërguar shefit të tij në Paris, kapiten Votit, e zgjoi delegacionin shqiptar…”/ Historia e kapiten Blloshmit, i cili shpëtoi Korçën nga okupimi grek
Personazh

“Telegrami i nëndrejtorit të policisë së Korçës, dërguar shefit të tij në Paris, kapiten Votit, e zgjoi delegacionin shqiptar…”/ Historia e kapiten Blloshmit, i cili shpëtoi Korçën nga okupimi grek

November 10, 2025
“Përse tre kriminelët më tipikë, Aranit Çela, Rrapi Mino e Zylyftar Ramizi, që pas ’92-it u dënuan me vdekje, gjetën strehim politik, pikërisht në Perëndim…”?! /Refleksione të historianit dhe diplomatit të njohur
Personazh

“Prof. Repishti ishte i bindur, se koha e gjyqit për dënimin e krimeve të komunizmit do të vijë, sado që ta vonojnë qeveritarët e Shqipërisë…”/ Refleksionet e publicistit të njohur nga SHBA-ës

November 8, 2025
“Kur i dënuan me vdekje, Mexhiti i tha trupit gjykues, le të pushkatohej ai dhe të shpëtonte vëllai, se kishte tre fëmijë të vegjël, por Beqiri, reagoi…”/ Historia tragjike e familjes Capa, që e ktheu UDB-ja
Personazh

“B. Dani, I. Derguti dhe M. Cacaj, të tre djem të vetëm, i vranë rojet kufitare dhe i lanë të qelbeshin në sheshin e qytetit ditë me radhë, por…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur për veprën “Nën hijen e Rozafës”

November 9, 2025
Next Post
“Ore shokë, Avzia Nela s’asht burr i keq, po në anët tona, na jena të lidhun me fjalën, kush e qet, quhet besëpremë. E pra, kjo asht arsye, që Avzia hesht…”/ Dëshmitë e rrallë të ish-të burgosurit politik

“Kur isha në një qeli me Havzi Nelën në burgun e Burrelit, ai më tregonte se kur ishte me Lavdijen, në burg në Jugosllavi, UDB-ja...”/ Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit politik, Bedri Çoku

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme