Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon kujtimet e panjohura të ish-kolonelit Hysni Daja, partizanit të Brigadës së VII-të Sulmuese, e cila në përbërje të dy divizioneve shqiptare, në fundin e vitit 1944 dhe fillimin e 1945-ës, ndoqi gjermanët në tokat e ish-Jugosllavisë, deri në Bosnje. Peripecitë e pafundme të partizanëve shqiptarë të uritur në acarin e atij dimri dhe betejat e përgjakshme në Medun e luginën e Moraçës
Forcat e armikut që vinin nga Podgorica ishin aq të shumta dhe të shumëllojshme, sa kudo që të qëlloje plumbi nuk shkonte bosh. Duke e parë nga e djathta kodrën bardhoshe që po ndizej flakë nga sulmi i batalionit të dytë, komisari i saj, duke i prirë kompanisë së parë, hasi në pengesa artificiale, tela e drurë. Sakaq, dy partizanë trima, i shkuan pranë dhe e ndihmuan. Të dy u vranë para tij. Dy partizanë të tjerë u hodhën më tej, duke mbetur dhe ata të plagosur. Njëri nga komisarët e kompanive kapi me shpejtësi një mitraloz dhe hapi zjarr kundër kolonës së gjermanëve që s’kishte të sosur. Gjermanët u përforcuan me forca të tjera dhe pa e ndaluar sulmin shtinë në dorë disa objekte të lëshuara më parë. Pas kësaj ata përqëndruan një zjarr të paparë. Një predhë goditi për vdekje komisarin e batalionit të parë”. Këto pasazhe që duket se i përkasin trille filmash artistikë apo dokumentarësh mbi Luftën e Dytë Botërore, s’janë gjë tjetër, veçse ngjarje të vërteta dhe të jetuara të partizanëve të dy divizioneve shqiptare, të cilët me urdhër të komandantit të përgjithshëm të tyre, gjeneral kolonel Enver Hoxhës, në fundin e vitit 1944 dhe fillimin e 1945-ës, ndoqën forcat gjermane që tërhiqeshin për në Berlin, duke kaluar në tokat e ish-Jugosllavisë, nga Mali i Zi deri në majat e Vishegradit mbi Bosnje. Një prej atyre partizanëve që mori pjesë në ato luftime, ka qenë edhe koloneli Hysni Daja me origjinë nga fshati Sevran i Skraparit, ish-efektiv i Brigadës së VII-Sulmuese të komanduar nga Gjin Marku, (ku bënin pjesë dhe Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Luan Qafzezi e kuadro të tjerë të lartë të udhëheqjes së PPSH-së) i cili ka shkruar disa libra lidhur me ato ngjarje të ndodhura plot 75 vite më parë. Nga kujtimet e ish-kolonelit Hysni Daja, (i cili është ndarë nga jeta vite më parë) në këtë shkrim po botojmë disa pasazhe të atyre ngjarjeve, ku ai me mjeshtri e dhimbje, përshkruan gjithçka nga jeta, lufta, vuajtjet dhe peripecitë e pafund të bashkëluftëtarëve të tij partizanë, të cilët në emër të një ideali, shkuan për të luftuar kundër një armiku, në tokat e një armiku tjetër shekullorë.
Urdhri për të ndjekur gjermanët përtej kufirit
Ideja për të ndjekur armikun përtej kufirit tonë shtetëror të asaj kohe, shprehej qysh në urdhrin e komandës së Korpusit të Parë datë 16.XI.1944 ku ndërmjet të tjerash shkruhej: “Divizioni pasi të çlirojë Shkodrën të ndjekë armikun edhe përtej kufirit”. Kjo ide konkretizohej në urdhrin e komandës së përgjithshme të Ushtrisë Nac-Clirimtare të datës 11.XII.1944. Divizioni i VI-të pasi u kompletua dhe u përforcua edhe me Brigadën e VIII-të nga zona e parë operative, kaloi në mësymje kundër forcave naziste të përqëndruara në rajonet: Podgoricë, Bioç, Kuç, Tuz dhe Danilovgrad. Këtë grupim forcash e përbënte Korpusi i XXI-të i përforcuar dhe i bashkuar edhe me reparte të tjera të Gruparmatës E të ushtrisë naziste gjermane të Hitlerit. Sulmi i forcave gjermane në Nikshq-Trebinjë kishte dështuar. Në këtë mënyrë tërheqja e këtyre forcave përbënte një problem serioz për komandën gjermane të Evropës Jug-Lindore. Prandaj për të vendosur tërheqjen e tyre, erdhi me aeroplan të posaçëm në Podgoricë vetë komandanti i këtyre forcave, gjenerali Ëinter. U vendos që tërheqja të bëhej nga drejtimi: Bioç-Kolashin-Pripolje-Vishegrad-Sarajevë. Heqja dorë nga tërheqja e forcave gjermane nga bregdeti, vështirësohej nga që rruga ishte e zbuluar dhe përveç goditjeve nga ajri, ajo rrezikohej t’i nënshtrohej edhe goditjeve që mund t’i vinin nga deti nëpërmjet flotës së perëndimit, e cila ishte në funksion të frontit të dytë e përqëndruar tashmë në Adriatik. Detyra për të bllokuar dhe asgjësuar këto forca iu besua Divizionit të VI-të të Ushtrisë Nac-Clirimtare Shqiptare të përforcuar me Brigadën e IX-të jugosllave, pasi siç dihej Ushtria Nacional-Clirimtare Jugosllave e udhëhequr prej Marshallit Josif Broz Tito, i kishte përqëndruar forcat e saja në veri për çlirimin e Beogradit dhe operonte së bashku me forcat e Ushtrisë së Kuqe të Stalinit. Këto detyra që iu ngarkuan partizanëve shqiptarë, ata i bënë pjesë të vetes së tyre. Ata kishin marrë pjesë në betejat më të ashpra për çlirimin e atdheut dhe ishin përsëri të gatshëm të përballonin me sukses beteja dhe vështirësi të tjera për të nderuar popullin që përfaqsonin, duke i treguar gjithë botës se UNCL Shqiptare ishte ushtri e dalë nga gjiri i popullit dhe ushtri besnike e koalicionit antifashist. Këto gjëra theksoheshin edhe në thirrjen që lëshoi me këtë rast Komanda e Divizionit tonë më datën 9 dhjetor 1944.
Përqëndrimi i forcave partizane shqiptare
Komanda e Divizionit tonë lëshoi urdhrin nr.126 (AQSH. Fondi i Divizonit IV. Dosja 16) që kërkonte bllokimin dhe asgjësimin e forcave gjermane, ku jepeshin përqëndrimet e forcave armike dhe tonat. Brigada e IV-të shqiptare ishte vendosur nga Kuçi, Premçi deri në Harshovë. Brigada e VIII-të: Kurev-Skoraç e Arz, Brigada e XXII në Bozhaj, Karakoll dhe përballë Deçiçit, kurse Brigada e IX-të jugosllave ndodhej e vendosur në sektorin e Berskut në Lieva-Reka. Kjo brigadë pasi të zëvëndësohej nga Brigada e VI-të shqiptare do të shkonte në drejtim të Matashevës. Në pararojë të Divizionit, në krah të majtë të rrugës Hani i Hotit-Podgoricë, marshonte Brigada e VI-të. Kjo brigadë mësymjen do ta kryente në vargun e kodrave të krahut të djathtë të xhadesë ku forcat naziste kishin organizuar një mbrojtje të fortë. Lufta e kësaj brigade që u zhvillua për marrjen e Kalasë së Deçiçit dhe rrethinave të saj, pa dyshim që do të hyjë në historinë e saj si një nga luftrat më të guximshme. Brigada e VII-të për shkak të operacioneve që zhvilloi në Malësinë e Madhe e deri në afërsi të Tropojës, e kaloi kufirin me dy batalione (i I-ri dhe i IV-ti), kurse e gjithë brigada me efektivin e saj të kompletuar më 9 dhjetor 1944. Komunikimi i urdhrave konkretë dhe mbledhjet e jashtëzakonëshme, për detyrat që ajo do të kryente në anën tjetër të kufirit, brigada i zhvilloi në Koplik e Kastrat. Në pararojë të Brigadës së VII-të ishte batalioni i parë. Kolona e partizanëve të saj pasi la në krahun e djathtë kishin mbi Hanin e Hotit, iu qep shpatit përpjetë. Pas pararojës ecnin një grup kuadrosh të saj me në krye komisarin e batalionit, Skënder Libohovën. Kur dolëm në majë të kodrës ra drita. Si të ngrihej një perde, partizanët dalluan përtej majat shkëmbore e disa shtëpi mjaft të rralla. Por luginën poshtë e kishte mbuluar një mjegull e dëndur dhe nuk dukej asgjë. –Pushim, u dëgjua zëri i komandantit. Të gjithë partizanët u ulën menjëherë në krahun e djathtë të rrugës gjarpëruese, në anën e këtejme të lumit të Cemit. Fshati që shtrihet poshtë quhet Skaraç. Ky përballë nesh quhet Rudinë, ai atje më lart, Muzhënckë, më në veri Korita, kurse pas majës që duket në horizont është Kuçi-vazhdoi të tregonte udhërrëfyesi ynë.
Goditja e parë e gjermanëve kundër nesh
U nisëm përsëri për rrugë. Pasi kaloi lumin e Cemit, kolona partizane hyri në fshatin Selitë. Pa kaluar as 300 metra në veri të fshatit u dëgjuan një breshëri predhash artilerie që plasën poshtë rrugës.-Kaloni djathtas me vrap,-urdhëroi komandanti. Vrapuan të gjithë. Rreshti i parë u prish. Partizanët u strehuan prapa një kodre të vogël, në vëri-lindje të fshatit. Vetëm ata që u ndodhën ato çaste në luginën e lumit nuk luajtën nga vendi. Armiku që ishte vendosur në kalanë e Deçiçit, kishte diktuar lëvizjen e kolonës partizane dhe gjuante me artilerinë e instaluar në fshatrat Mileshi e Dinoshë. Pas predhave të para, filloi përsëri breshëria tjetër e artilerisë gjermane. Predhat e tyre na binin fare pranë, por përveç një shtëpie të rrënuar dhe dy partizanëve të plagosur lehtë, nuk patëm humbje të tjera. Ky zjarr i artilerisë gjermane u bë pengesë për ne dhe si rezultat, kolona e partizanëve mbërriti të nesërmen para Kalasë së Medunit. Batalioni i parë u vendos pas një qafe në disa shpella e vënde të mbrojtura nga era. Në disa gropa u ndezën zjarre të vogla me kërcej sherbeli. Në mëngjez mbërritën aty disa partizanë me intendentin e batalionit në krye. Kishin sjellë me vete bukë të ngarkuara në disa kafshë. Ishte bukë e bardhë e gatuar dhe e pjekur në Shkodrën e lirë. Ishte e para herë që partizanët furnizoheshin rregullisht me bukë. Hëngrën bukën e atdheut të lirë, një nga gjërat që kishin ëndërruar aq shumë. Partizani Andrea Kosta ishte në krye të intendencës. Në fillim partizanët e patën shumë të vështirë të siguronin ushqimin, pasi shumica e banorëve ishte larguar nga shtëpitë e tyre. Ushqimi më i shpeshtë që përdornin ata, ishte patatja që nxirrej nga disa copza toke midis gurësh. Por partizanët ishin të përgatur shpirtërish për të bërë sakrifica për hir të detyrës që kishin marrë përsipër.
Beteja në Kalanë e Medunit
Jo shumë larg nga qëndra e banuar Kuç, afër një qafe, në mbledhjen e parë të shkurtër që u zhvillua me kuadrot e batalionit u bënë të qarta detyrat konkrete. Aty u tha se me largimin e Brigadës së VI-të Sulmuese, armiku kishte ripushtuar pozicionet e humbura. Kalaja e Medunit kishte mbetur përsëri objektivi kryesor. Ishin gjithashtu dhe një sërë kodrash që shtriheshin në të djathtë, në të majtë dhe në thellësi të saj. Sulmi ishte çështje orësh. Më datën 12 dhjetor 1944, përkrah forcave të tjera të Brigadës u përgatit për sulm edhe batalioni i dytë. Afrimi u bë gjatë natës. Sulmi së pari të do niste në krah të kalasë dhe mandej në shpinë të saj. Në këtë mënyrë partizanët do ta kishin më të lehtë për ta marrë kalanë, kjo sepse mbështetej fort në të dy krahët e saj, ku dukeshin haptazi pozitat e forta natyrore. “Përpara partizanë”-u ndien zërat e bijve të shqipes dhe lufta vazhdoi me furi. Borizani me tingujt rrënqethës, u shtonte partizanëve kurajën. Kudo u dëgjuan krismat e armëve automatike të mitrolozëve dhe granatave. Armiku hapi zjarr. Të gjithë sektorët ishin mbuluar mirë nga ana e gjermanëve, por partizanët duke përfituar nga nata dhe befasia, u pykëzuan në drejtim të qëndrës së fashtit Medun. Në këto kushte gjermanët u detyruan të lënë disa pozicione. Në krahun e djathtë vazhdonin sulmet me sukses batalioni i dytë dhe i katërt. Në këtë mënyrë u lehtësua sadopak sektori ku vepronte batalioni i parë. Për t’i shpëtuar rrethimit, armiku filloi tërheqjen. Kur ra dita, partizanët ishin futur në fshat. Ndërkohë gjermanët filluanm të rrihnin me artileri të gjitha kodrat e Medunit. Tempi i mësymjes sonë u ul. Aty nga ara 16.00 partizanët arritën deri në vijën e rrugës Medun-Kuç, madje në të majtë të saj shtinë në dorë edhe një kodër sunduese. Të ecje përpara gjatë ditës ishte e pamundur, pasi zjarri armik të shkurtonte. Prandaj sulmi i partizanëve u ndal. Vija e mbërritjes tashmë ishte xhadeja Kuç-Podgoricë. Partizanët e të dy batalioneve u përqëndruan nëpër gropat karakteristike që ka ky rajon i Malit të Zi. Nëpër kodra e vende të caktuara qëndronin rojet partizane. Koha ishte e mirë por bënte mjaft ftohtë. Zjarr nuk mund të ndizej, por as dru aty nuk kishte. Në këto luftime armiku pati rreth 16 të vrarë. Nga partizanët tanë mbetën të vrarë Veri Tego Gjata, Llambi Ciko dhe Bektash Saliu.
Uria e të ftohit, pengesa e madhe e partizanëve
Si zakonisht partizanët qëndronin grupe grupe dhe bisedonin. Kishin shumë uri por bukë nuk kishte. Fshatarët e Malit të Zi ishin të varfër por më të varfër i kishte bërë koha. Atyre, si në Shqipëri, u kishte takuar të prisnin goditjet e njëpasnjëshme, të italianëve, të gjermanëve dhe të bashkëpunëtorëve të tyre. Kudo shihje shtëpi të djegura dhe të rrënuara nga bombardimet. Atë natë partizanët e kaluan duke duruar të ftohtin e madh dhe urinë. Uria bënte ta ndjenin të ftohtin dhjetëfish. Të nesërmën agoi një ditë e bukur dhe plot diell. Disa prej partizanëve filluan të shtriheshin rrëzë gurëve të rrahur nga dielli, ku ngrohtësia ishte më e madhe. Pati edhe nga ata që lëvizën për të soditur natyrën e bukur dhe të ashpër të Malit të Zi. Aty parën nesh ishin disa shtëpi të riparuara. Nikolla diçka bisedonte me një plak. Ai erdhi dhe i përshëndeti partizanët me fjalët: “Vdekje fashizmit”. Ndenji një copë herë me ta. I veshur keq, me rrudha dhe i parruar, i ngjante një cubi, por ishte i qeshur. U gëzua shumë kur mësoi qëllimin e ardhjes së partizanëve nga Shqipëria. Sakaq filloi një zjarr i dëndur i artilersë së armikut. Me predhat e para u vranë katër partizanë italianë dhe u plagosën dy të tjerë. Kur pushoi zjarri i artilerisë së armikut, në qiell, nga drejtimi perëndimor u duk një aeroplan. Pasi bëri një rrotullim deri në luginën e Moraçës, ai u kthye përsëri mbi Podgoricë. Aty u qëllua disa herë nga artileria kundërajrore gjermane. Bëri një rrotullim rreth vetes dhe mori drejtimin nga Adriatiku. Ishte aeroplan anglez. Në të hyrë të fshatit Mesun, kur vjen nga Podgorica, është një qafë e mandej një luginë e vogël që nga drejtimi i Podgoricës dhe xhadesë së Bioçës ka për mburojë një kodër. Aty u strehua pjesa më e madhe e batalionit. Në krahun e majtë ishte batalioni i tretë, ndërsa batalionet e tjera ishin në krahun e djathtë. Kodra kryesore në veriperëndim të luginës ku ishin strehuar partizanët u përforcua me mitraloza. Erdhi edhe toga e mortajave. Nga mbajtja e kësaj kodre varej qëndrueshmëria e brigadës tonë. Ndërsa partizanët po pushonin në vende te reja, Nikolla u solli dy kova me patate të zjera. I ndanë nga dy tre kokrra për secilin. Në këtë mënyrë veprohej edhe me partiznët e batalioneve të tjera.
Urdhëri i komandantit Gjin Marku
Sipër në kodër mbërritën shokët e komandës së batalionit të dytë e të tretë. Më pas erdhën dhe ato të batalionit të parë. Midis tyre ishte dhe komisari i batalionit të parë, Skënder libohova, i qeshur dhe me humor. Mbledhja kishte të bënte me urdhrin e firmosur nga komandanti Gjin Marku dhe komisari, Myzafer Spaho. E veçanta e atij urdhri ishte se gjermanët kishin mundur të shpërthenin në Matashevë, dhe lidhur me këtë jepeshin detyra. Brigada e VII-të ishte përsëri aty në qëndër të Divizionit. Ardhja e tyre kishte për qëllim bashkëveprimin për sulmin e mbrëmjes. Ende nuk ishte bërë përshëndetja me shokët e porsaardhur, kur tre aeroplanë fluturuan gjatë luginës. Ata çanë mes për mes qytetin dhe pasi bënë një rrotullim u kthyen përsëri në drejtim të Adriatikut. Ende nuk ishin larguar kur një skuadrilje me aeroplanë bombardues u dha mbi qytetin e Podgoricës.
Bombardimet e avionëve anglezë mbi Podgoricë
Aeroplanët bombardojnë,-thirri roja me zë të fortë. Në fillim hapi zjarr artileria kundërajrore gjermane, por pastaj heshti sepse aeroplanët e sulmit apo të shoqërimit siç i quanin ata, u turrën mbi pozicionet gjermane me mitralime të njëpasnjëshme e mandej nisi përsëri bombardimi. Aeroplanët anglezë bombarduan rëndë qytetin e Podgoricës. Shtëllungat e tymit u ngritën lart. Një pjesë e aeroplanëve largohej, një pjesë vinte e godiste përsëri. Partizanët u afruan tek buza e kodrës së lartë nga ku vrojtohej mirë ky sulm. Aeroplanët u larguan vetëm pasi e rrafshuan qytetin e Podgoricës. Skënderi e shikoi sulmin me neveri. Në këtë kohë arritën edhe disa kuadro të tjerë të brigadës. Kishte ardhur një lajm i mirë: Brigada e XXII-të Sulmuese kishte çliruar Tuzin. Lajmi ishte i gëzueshëm. Të tërëve u shkëlqyen sytë. Ishte data 14 dhjetor 1944 kur kuadrot mbaruan sqarimin e detyrës. Ata u shpërndanë dhe shokët u vunë në dijeni se Brigada e IX-të jugosllave do të spostohej në krahun e djathtë të Divizionit. Brigada e VII-të do të vepronte në qëndër të Divizionit. U mësua se armiku përbëhej nga më shumë se 40.000 forca, pa llogaritur çetnikët dhe mbeturinat e tjera të reaksionit jugosllav. Majtas e djathtas rrugës automobilistike kishin ndërtuar breza mbrojtës, me transhe të shkëputura dhe qëndra zjarri të fortifikuara. Kuptohej qartë se rruga jona nuk do të ishte e lehtë”.
Beteja e përgjakshme në luginën e Moraçës ku u vranë mjaft partizanë dhe komisari, Skënder Libohova
Në kujtimet e tij për luftën e partizanëve shqiptarë në tokat e Malit të Zi dhe ish-Jugosllavisë, gjatë fundit të vitit 1944, ish-koloneli Hysni Daja, ka përshkruar edhe betejën e përgjakshme kundra forcave gjermane të zhvilluar në afërsi të rrugës automobilistike Medun-Kuç, ku mbetën të vrarë mjaft nga shokët e tij partizanë. Lidhur me atë ngjarje Daja ka shkruar: “Forcat e armikut që vinin nga Podgorica ishin aq të shumta dhe të shumëllojshme sa kudo që të qëlloje plumbi nuk shkonte bosh. Duke e parë nga e djathta Kodrën Bardhoshe që po ndizej flakë nga sulmi i batalionit të dytë. Skënderi, komisari i batalionit duke i prirë kompanisë së parë, hasi në pengesa artificiale, tela e drurë. Sakaq, dy partizanë trima, i shkuan pranë dhe e ndihmuan. Ata ishin Muharrem Mehmeti dhe Faik Celi. Të dy u vranë para tij. Dy partizanë të tjerë u hodhën më tej, duke mbetur dhe ata të plagosur. Por shtegu u hap. Ndërsa komisari Skënder Libohova u shkoi në ndihmë dy të plagosurve, të tjerë partizanë e plotësuan atë pikë nevralgjike që gjermanët nuk donin të lëshonin. Njëri nga komisarët e kompanive kapi me shpejtësi një mitraloz dhe hapi zjarr kundër kolonës së gjermanëve që s’kishte të sosur. Ishte Fani Tangu. Gjermanët u përforcuan me forca të tjera dhe pa e ndaluar sulmin shtinë në dorë disa objekte të lëshuara më parë. Ata përqëndruan një zjarr të paparë. Një predhë goditi për vdekje Skënder Libohovën. Të gjithë për një çast shtangën, por lufta nuk u ndal. Shokët e tjerë e vazhduan atë me furi deri në mëngjezin e ditës së nesërme. Krismat dhe flakët e asaj nate nuk mund t’i krahasoje me asgjë tjetër. Në këtë betejë të paparë ne u ndihmuam edhe nga avionët aleatë anglo-amerikanë. Armikut i erdhën përforcime të mëdha nga lugina e Bioçes ku përqëndrimet e tij ishin më të mëdha sa s’i nxinte as vendi. Zjarri i armikut ishte i dëndur dhe plumbat që përplaseshin nëpër gurë lëshonin xixa verbuese. Dy partizanë plagosen njëherësh, por arritën të hidhnin granatat dhe ashtu siç qenë, duke shkelur mbi një kufomë gjermane të vrarë, mundën të kapnin fortinën kryesore. Pas zjarrit të fortë filloi përleshja. Lugina e Moraçës ziente në tërë vijën e frontit. Krismat dëgjoheshin që nga Verusha deri në jug të Podgoricës. Vija e zjarrit shpesh herë shëndrrohej në vijë gjarpërueshe. U bënë të gjitha përpjekjet për të mbajtur atë kodër që u mor me sakrifica të mëdha.-Na lini t’a mbajmë ne qafën këtu pranë-thanë njëzëri partizanët e plagosur që ishin ngjeshur rrëzë kalasë. Ky ishte morali i partizanëve. Edhe pse atyre u erdhi në ndihmë një pjesë e forcave të batalionit të katërt, situata nuk u përmirësua. U plagosën katër partizanë të tjerë, midis tyre dhe komandanti i batalionit, Mit’hat Luçi, si dhe komisari, Zoi Bano. Para agimimit partizanët u tërhoqën. Gjermanët kishin pësuar humbje të rënda. Dëmet e shkaktuara në njerëz dhe teknikë i pohuan edhe vetë forcat gjermane. Madje ata arritën të thonë se kolonën prej 200-300 automjetesh e dogjën vetë, kurse dikush ia atribuonte aviacionit aleat. Kurse në fakt ato u asgjësuan nga tre kompani të Brigadës së VII-të që me urdhër të shtabit të brigadës u futën thellë në formë diversioni deri afër tyre. “Ku shkel këmba e këmbsorisë, konfirmohet fitorja”, thotë arti ushtarak”.
Jetshkrimi
Hysni Daja, koloneli që u diplomua si artiljer në Moskë dhe autor i disa librave si historian ushtarak
Hysni Daja u lind në vitin 1928 në një familje mjaft të njohur të fshatit Sevran në rrethin e Skraparit. Gjatë viteve të pushtimit nazi-fashist të Shqipërisë, 1939-1944, e gjithë familja e tij në fshatin Sevran u lidh me rezistencën antifashiste dhe Hysniu me vëllezërit dolën partizanë duke u rreshtuar fillimisht me çetën e Skraparit dhe më pas më 17 mars 1944, duke u inkuadruar në rradhët e Brigadës së VII-të Sulmuese që u formua në fshatin Vlushë të Skraparit. Edhe pse nuk ishte më shumë se 16 vjeç, Hysniu mori pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi ajo njësi partizane, duke shkuar në ndjekje të gjermanëve deri në Vishegrad të ish-Jugosllavisë. Pas mbarimit të Luftës, Hysniu u gradua oficer, duke shërbyer në armën e Artilerisë në disa rrethe të vendit. Në fundin e viteve ’50-të, ai u dërgua për studime në Bashkimin Sovjetik, ku dhe u diplomua për armën e Artilerisë në një nga akademitë më të njohura të Moskës. Pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik, Hysniu shërbeu si komandant i Artilerisë fillimisht në një njësi të Tiranës dhe më pas për disa vjet në Brigadën e Këmbsorisë në qytetin e Laçit me gradën e nënkolonelit. Në fillimin e viteve ’70-të ai u rikthye përsëri në Tiranë ku shërbeu në disa njësi ushtarake deri sa doli në pension. Në fillimin e viteve ’70-të, Hysni Daja në përbërje të një grupi ish-partizanësh, u dërgua në Jugosllavi me mision për të gjetur eshtrat e partizanëve shqiptarë të rënë atje gjatë viteve 1944-1945. Që pas mbarimit të Luftës e deri në ditët e fundit të jetës, Hysniu iu kushtua studimeve të historisë së Luftës, duke botuar disa libra (“Armë të pathyera”,”Prova gjaku”, “Shtatë komisarët që ranë përtej kufirit”, “Historia e fshatit Sevran”, etj) dhe mjaft shkrime në shtypin e atyre viteve. Koloneli në pension, Hysni Daja, ndërroi jetë në janarin e vitit 2006 dhe trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit me një ceremoni shtetërore të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016