Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të ngjarjes së ndodhur në marsin e vitit 1908, kur Çerçiz Topulli në bashkëpunim me komitët e tij, vrau me atentat Komandantin e Xhandarmërisë së Gjirokastrës, Bimbashin turk, Halil Efendiun, që ishte me origjinë nga Bosnja. Historia e panjohur vjen nëpërmjet kujtimeve të Javer bej Hurshitit me origjinë nga Afkazia e Kaukazit, ish-kryetar bashkie, prefekt, deputet, ministër dhe senator, që nga periudha e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, e deri në mbarimin e Luftës në nëntorin e vitit 1944, (kur ai do të arrestohej dhe do të pushkatohej pak muaj më vonë pasi ishte gjykuar në Gjyqin Special), të cilat janë trashëguar dhe ruhen nga nipi i tij, Shahin Hurshiti, në Tiranë.
Komandanti i Xhandarmërisë së Gjirokastrës, Bimbashi Halil Efendiu, nga gjiriti, donte të diktonte se cilët ishin personat që i bënin strehë Çerçizit, që t’i internonte ata. Dikush kallëzoi se e fejuara e Çerçizit, Qamoja ishte me barrë. Po të provohej kjo, do të ishte një provë e gjallë që Çerçizi mbahej prej fisit të gruas. Kështu Bimbashi vendosi që të dërgonte një doktor për ta ekzaminuar Qamon. Kjo gjë iu njoftua Çerçizit i cili për të ndaluar një punë që ishte e turpshme si mbas zakonit tonë, vendosi që t’a vriste Bimbashin e Gjirokastrës. Në atë kohë që unë arrita te Hani i Çiçove në të hyrë të pazarit nga ana e Hazmuratit, u dëgjuan dy të shtëna një pas një dhe kur u afruam për të parë ç’kish ngjarë, pamë Bimbashin të shtrirë për dhe që kish vdekur”.
Kështu shkruhet idhur me ngjarjen tashmë shumë të njohur në historinë e Shqipërisë, që bën fjalë për vrasjen e Bimbashit turk të Gjirokastrës në vitin 1908 prej çetës së Çerçiz Topullit, në kujtimet e Javer Bej Hurshitit, ish-kryetar bashkie, prefekt, deputet, ministër dhe senator që nga periudha e shpalljes së Pavarësisë e deri në mbarimin e Luftës në vitin 1944, i cili pak muaj më pas, në prillin e vitit 1945, do të ekzekutohej me pushkatim, pasi ishte gjykuar nga “Gjyqi Special” së bashku me 63 të pandehur të tjerë, të gjithë ish-funksionarë, zyrtarë të lartë dhe intelektual të njohur që nga qeveria e parë e Ismail Qemalit e deri tek ajo e fundit nën pushtimin gjerman në nëntorin e 1944-ës.
Kujtimet e tij, Javer bej Hurshitit janë në dorëshkrim dhe ato janë shkruar prej tij në katër fletore të trasha në vitin 1939 dhe ato posedohen nga nipi i tij, Shahin Hurshiti, i cili na i ka vënë në dispozicion për t’u publikuar nga Memorie.al.
Lidhur me këto e ngjarje të tjera nga historia e familjes Hurshiti, na njeh dëshmia e nipit të tij, Shahin Hurshitit dhe nga kujtimet e Javer Beut, po botojmë ngjarjen e vrasjes së Bimbashit turk nga çeta e Çerçiz Topullit, duke qenë se ai është një nga figurat më popullore të luftëtarëve në Jugun e Shqipërisë.
Javer Hurshiti
14-Vjeshtë e I-939, Tiranë
Kush ishte Javer bej Hurshiti?
Sipas kujtimeve që Javer bej Hurshiti ka lënë të shkruara me dorën e tij, ai lindur në Afkazi të Kaukazit, në vitin 1883. Ai ka ardhur në Shqipëri rreth vitit 1889, kur nuk ishte më shumë se gjashtë vjeç, pasi u adoptua nga Maliq Pashai, i cili ishte nga Libohova e Gjirokastrës. Maliq Pashai ishte nipi i Shanishasë, motrës së Ali Pasha Tepelenës. Ai ishte martuar për herë të parë me vajzën e Tahir Beut nga Gjirokastra, të cilën e ndau vetëm pas pak muajsh, dhe për herë të dytë u martua me Shemshie Hanëmin, që ishte e bija e Nurullah Beut po nga Gjirokastra ,me të cilën bëri katër vajza e katër djem. Mbas shumë vitesh që kishte bërë të tetë fëmijët, Shemshie Hanëmi u sëmur nga tuberkulozi dhe për këtë arsye Maliq Pasha, vendosi që të martohej përsëri. Por për të mos hidhëruar gruan dhe fëmijët, nuk deshi që të martohej me ndonjë grua prej familjeve shqiptare, e vendosi që të martohej, duke marrë si grua një Xharije (skllave). Lidhur me këtë në kujtimet e tija, Javer Beu shkruan: ”Nga mezi i shekullit XIX-të, Maliq Beu vajti në Stamboll dhe bleu për 300 lira turke, Esma Hanëmin, e cila atëhere ka qenë siç thoshte vetë, 17 vjeç, dhe Maliq Pashai 50 vjeç. Në ato kohra në tregun e Stambollit shiteshin lirisht djem e çupa ku më të shumtit e tyre ishin çerçezë (Çirscasien). Ky komb pasi luftoi prej 50 vitesh trimërisht kundër Rusisë, më së fundi u pushtua prej saj. Shumica e madhe e popullsisë muhamedanë e kafkazianë e ashkë me këta dhe çerqezët emigruan në Turqi, ku shumica e emigrantëve nga që nuk e përballonin dot jetesën, filluan të shisnin fëmijët e tyre. Kjo gjë bëhej kryesisht me vajzat çerqeze të cilat shquheshin për bukurinë e tyre dhe shumica bliheshin për pallatin e Sulltanit. Kështu mbasi e bleu në Stamboll, Esma Hanëmin, Maliq Pashai e mbajti atë për grua dhe e dërgoi të jetonte brenda në sarajet e tij në Libohovë, ku kishte pronat. Megjithëse kishte dhe Shemsie Hanëmin si grua, Maliq Pashai mbajti dhe Esmanë, duke lindur me të dhe tre vajza e një djalë, por që asnjë nuk i rrojti më shumë se dy vjet. Maliq Pashait i sugjeruan që për t’i rojtur fëmijët, ai duhet ta lironte nga skllavëria Esmanë dhe të vendoste me të kurorë. Maliq Pashai kështu veproi dhe lidhi martesë legale me Esmanë, me rekomandimin e tij adoptoi një fëmijë të quajtur Ferhat, i cili u vra në grindje e sipër në moshën 25 vjeçare, me një gardian në Libohovë. Në këto rrethana dramatike për Esmanë, Maliq Beu i sugjeroi që të adaptonte një fëmijë tjetër, që ta kishte si fëmijën e saj. Kështu motra e Maliqit, Shanishaja, që rrinte në Stamboll, me porosi të vetë Maliqit i gjen një djalë të vogël rreth pesë vjeç, puro çerqez i cili ishte nga një familje fisnike”. Ky djalë që motra e Maliq Beut e gjeti në një familje të pasur shqiptare në Stamboll dhe e mori për të vëllanë e gruan e tij, ishte Hurshiti, të cilin më pas Maliq Beu me Esmanë ja ndërruan emrin, duke e quajtur Javer. Lidhur me këtë, në kujtimet e tija midis të tjerash, Javer bej Hurshti shkruan: “Në Libohovë kam ardhur në vitin 1890. Përsa i përket vitit jam i sigurt se siç më thoshte Esma Hanëmi, unë kam ardhur në Libohovë pa mbushur vitin që Ferhati kishte vdekur. Si në ëndërr më kujtohet që kur erdha në Sarajet të Libohovës, më shpunë drejt e në odën e Pashait, i cili sipas zakonit rinte i shtrirë afër zjarrit dhe rreth e rrotull i rrinin pas macet. Unë kam hyrë në dhomë me një shufër në dorë dhe porsa pashë macet fillova që t’i rrihja me shufër. Pashai qeshi dhe tha: me tërsëllëm na ka ardhur ky djalë, do të bëhet shumë i mençur”. Maliq Pashai ashtu dhe Esmaja, gruaja e tij e konsideronin djalin e adoptuar, Javerin sikur ta kishin fëmijën e tyre të vërtetë. Po kështu dhe Javeri i donte dhe i respektonte shumë dhe për të cilën shkruante: ”Nuk doja në asnjë mënyrë të largohesha prej nënës, të cilën e doja më shumë se një nënë të vërtetë dhe ajo më donte më shumë se një djalë të barkut. Nuk e ndjeja veten aspak çerqez. Jeshë shqiptarizuar aq shumë dhe idetë nacionaliste shqiptare më sundonin aq shumë sa që nuk mund të largohesha prej Shqipërisë edhe sulltan sikur të më bënin….”. Javeri i vogël u mbajt prej dy prindërve që e adoptuan në kushte përrallore. Ai u shkollua në shtëpinë e tij në sarajet e Libohovës me mësues privatë që i vinin nga Gjirokastra të cilët paguheshin shumë mirë nga Maliq Pashai. Provimet e shkollës së mesme ai i dha në gjimnazin e “Zosimea” të Janinës dhe më pas mbaroi shkollën e lartë në Stamboll. Po me mësues private, ai mësoi frëngjishten, italishten, greqishten dhe turqishten që e dinte mjaft mirë që i vogël. Në vitin 1889, Maliq Beu vdiq dhe Javeri mbeti vetëm me Esmanë në sarajet e Libohovës. Ata qëndruan aty deri nga viti 1900, kur u shpërngulën për në Gjirokastër. Javeri shkonte çdo vit për pushime në Athinë, ku e thërrisnin Beu i Megalles, titull të cilin e kishte marrë që në moshën 12 vjeçare. Edhe pasi u rrit, ai shkonte vazhdimisht në Athinë ku kishte zënë shumë miq dhe kishte çifligun e tij në Argjirohar. Pas vitit 1900, Javeri u vendos në Gjirokastër dhe filloi që të ingranohej në jetën publike të qytetit, duke bërë emër që në moshë fare të re kur akoma nuk i kishte mbushur të njëzetat. Lidhur me këtë në kujtimet e tija Javeri shkruan: ”Në vitin 1900, blemë në Gjirokastër shtëpinë e Nurullah Beut, për 700 lira turke. Në vitin 1902 erdhi Prefekt në Gjirokastër Xhavid Pashaj, i cili ishte një nacionalist i flakët çerqez. Zonja e tij ishte motra e të famshmit Hasan Çerqezit, që vrau tërë Këshillin e Ministrave kur rrëzuan prej froni Sulltan Azizin. Kur Xhavid Pashai mori vesh se në Gjirokastër ndodhej një djalë çerqez, dërgoi dhe më thirri në shtëpinë e tij. Sa më pa më tha: dukesh nga fytyra që je çerqez. Pas kësaj Pashai filloi të më donte si djalin e tijë dhe megjithëse isha i ri, më pyeste shpesh dhe shumë herë i pëlqente mendimi im. Unë në atë kohë vazhdoja mësimet arabisht në Medrese dhe në vitin 1902 u emëruash anëtar i Këshillit Shkollor e inspektor i shkollave fillore të qytetit. Këto detyra i bëja pa rrogë për të kënaqur Xhavid Pashanë, i cili më stërviste për detyra zyrtare. I përkrahur siç jesh prej Xhavid Pashait, fillova të kesh një farë pozite dhe të gjithë nëpunësit e shtetit më nderonin. Po kështu më nderonin dhe populli i Gjirokastrës, i cili më lutej për nevojat që kishte në Prefekturë. Kështu fillova që të ç’quhesha në Gjirokastër si një njeri me influencë dhe që i shkonte fjala pranë autoriteteve të vendit. Por kjo influencë e imja dihej se nuk do të vazhdonte gjatë pas largimit të Prefektit Xhavid Pashaj, prandaj mundohesha që të bëja të mira për të siguruar pozitën time pranë opinionit vendas”. Javeri, krahas punëve që filloi të kryente në administratën shtetërore të Gjirokastrës, i kushtonte një kohë të konsiderueshme librave dhe për të cilat në kujtimet e tija, midis të tjerash shkruan: ”Jesh mik me konsullin e grekut të Gjirokastrës, me të cilin këmbenin romane në frëngjisht. Një ditë më dërgoi një roman të cilin e kishte mbështjellë me një gazetë të vjetër në gjuhën greke”. Po kështu Javeri ishte i dhënë shumë dhe pas teatrit, e shkonte deri në Athinë për të ndjekur shfaqet që jepeshin aty. Javer Hurshiti së bashku me nënën e tij Esmanë, bënin një jetë mondane të zhytur në lluks, duke harxhuar si familje 700 deri 900 lira turke në vit nga pasuria e madhe që ju kishte mbetur pas vdekjes së Maliq Pashait. Ata mbanin rreth vetes shërbëtorë e roje personale të shumta, kurse pronat e tyre gjendeshin brenda kufijve të Shqipërisë që fillonin nga Radati në Kakavijë, Bularat, Zervat, Voshtinë, e deri në malin Makri-Aleksi e Koshovicë të Greqisë së sotme. Kështu shumë nga këto prona si toka bujqësore, kullota, pyje, mullinj etj., ata nuk ishin në gjendje që t’i kontrollonin dot. Lidhur me këtë, Javeri shkruan:”As unë, as nëna ime Esmaja, nuk ishim në gjendje që të kontaktonim dot drejt-përsëdrejti me nënshtetasit grekë që kishin në përdornim tokat tona për t’ju marrë qeratë. Por bujqtë tanë grekë i depozitonin qeratë e pronave që na takonin neve në bankat greke ku kishin dhe numrat e llogarisë. Ne merrnin prej tyre gjithmonë aq sa na jepnin dhe kurrë nuk i detyronim që të paguanin aq sa u takonte, sepse kishim aq shumë prona, që sido të ishin detyrimet e bujqve neve na dilnin e na tepronin”.
Kujtimet e Javer bej Hurshitit
Pse doli Çerçizi komit?
Komitët e ndryshëm të dallkaurit që ronin për ndë zgjedhën e imperatorisë Otomane, kishin shumë vjet që kishin organizuar Komitete dhe mundësisht me çdo mjet që të shpëtonin prej zgjedhës. Cilido komb kishte organizuar çeta komitësh për të prishur qetësinë. Sidomos Maqedonia ishte mbushur me komitë bullgarë dhe grekër. Komitët e këtyre dy Kombeve, lëftonin kundra armikut të përbashkët, Turqisë, po lëftonin dhe me njëri jetrin pasi nuk vinin dot në marrëveshje që të caktonin zonën e influencës si mbas racës. Në ato kohëra shqiptarët që rronin jashtë Turqisë, sidomos ata të Bukureshtit dhe të Sofjes, me dëshirë dhe me gazeta i ftonin shqiptarët që rronin në atdhe të ngriheshin kundra Turqisë dhe të mos ia linin sheshin të lirë vetëm Bullgarisë, Greqisë dhe deri diku Rumanisë.
Shahin Be Kolonja me gazetën e tij dhe Faik Be Konica me të përkohshmen, propagandonin për të zgjuar shqiptarët që t’i kthenin pushkën turkut. Qëllimi i tyre i shenjtë, midis zërave që ankoheshin prej zgjedhjes otomane, duhesh të dëgjohesh dhe zëri i Shqipërisë që të mundte dhe kjo të kishte të drejtë të lypte independencën e saj kur të vinte koha e shkatërrimit të Turqisë. Kjo kohë kuptohesh çiltas se kishte afruar.
I pari në mos gabohem që doli në male kundra Turqisë ishte Bajo Topulli nga Gjirokastra. Ky ishte drejtor gjimnazi në Selanik. Patriotizma e shtyu t’ë linte detyrën dhe të arratisesh. Pas pak muajsh ish shoqëruar vëllai i tij Çerçiz Topulli, Mihal Gramenua nga Korça dhe disa të tjerë me më pak rëndësi. Bajua nuk ishte njeri i kësaj mjeshtërie, prandaj çeta e vogël shqiptare komandohesh prej Çerçizit. Guverna turke këtë çetë të vogël shqiptare e quante shumë më të rrezikshme prej mijrash komitësh grekë dhe bullgarë.
Çeta shqiptare që ishte e një feje me turqit, kishte një rëndësi të posaçme në opinionin e botës së jashtme, kurse bullgarët dhe grekërit, mund të quheshin si elementë që e urrenin turkun, pasi kishin një fe tjetër dhe kryengritja e tyre nuk provonte doemos administrim barbar të Turkut. Çeta shqiptare, e përbërë me shumicë prej muhamedanësh, provonte qartë se turku nuk ish në gjendje të kënaqte popujt që rronin për nder flamurin e tij, qoftë dhe atë pjesë të popullit që kishin një fe të përbashkët.
Kur Çerçizi vrau Dhespotin e Korçës, qeveria turke i shtiu ca më shumë fuqitë për ta shtënë në dorë Bajon dhe Çerçizin. Aktiviteti i kësaj çete kreshnike zhvillohesh më shumë në Korçë, Kolonjë dhe Gjirokastër. Kur Kushellat turke e ndiqnin Çerçizin këmba këmbës, ky dogji shkollën dhe disa godina të tjera të katundit Kustanjan, afër Koshovicës për të marrë hakun e Refik Budos nga Gjirokastra që komitët grekë, çeta e Vasil Killovit, i dogji kullën në katundin Lluvinë.
Vrasja e Bimbashit boshnjak, Halil Efendiu
Çerçizi qendrën e fshehjes e kishte në qytet brenda të Gjirokastrës dhe në katundin Mashkullorë e në Kardhiq ku kishte dhe të fejuarën e tij, Qamon, e mbesa nga motra e Mirkës që kemi përmendur më nalt, kur kemi bërë fjalë për shkatërrimin e teqesë së Baba Hajdarit. Komandanti i Gjindarmërisë së Gjirokastrës, Bimbashi Halil Efendiu (Boshnjak), nga gjiriti, donte të diktonte se cilët ishin personat që i bënin strehë Çerçizit, që t’i internonte.
Dikush kallëzoi se e fejuara e Çerçizit ishte me barrë. Po të provohej kjo do të ishte një provë e gjallë se ai mbahesh prej fisit të gruas. Vendosi për të dërguar një doktor për të ekzaminuar Qamon. Kjo gjë i’u njoftua Çerçizit, i cili për të ndaluar një punë që ishte e turpshme si mbas zakonit tonë, me gjithë që Çerçizi jo që nuk ish bashkuar, por as që e kishte parë të fejuarën e tij, vendosi t’a vriste Bimbashin e Gjirokastrës, i cili ishte një oficer i shkuar nga mosha por shumë i zoti.
Këtë kishin dashur ta vrisnin dhe në Berat, por shpëtoi vetëm me një plagë të rëndë. Siç e thashë në faqen 45, duke lënë nënën të sëmurë dolla për në pazar. Bimbashi rrinte në shtëpinë e zonjës së Dervish Pashait, komshi me ne. Kur unë kalova edhe shtëpitë e Xhafer Karalliut, pashë që Bimbashi dolli nga shtëpia e tij dhe filloi të ngjitesh lart. Kur unë arrita te Hani i Çiçove, në të hyrë të pazarit nga ana e Hazmuratit, u dëgjuan dy armë një pas një. Me turmën bashkë u kthyesh dhe unë që të shikoja se ç’kish ngjarë: për ndën furën e gurgenjet pamë të shtrirë përdhe Bimbashin, i cili kishte vdekur.
Deri sa të veja unë në Prefekturë, filluan të dëgjoheshin shtimjet e armëve të paprera nga ana e tejme e përroit të Palortosë. Çerçizi kish dërguar në qytet dy veta, Hiton nga Kardhiqi dhe Hajredinin nga Tremishti i Përmetit, që ta vrisnin Bimbashin. Vetë Çerçizi me shokët e tjerë kishte zënë vend në Palorto. Këta të dy e pritën Bimbashin tek furra ime. Bile kur dolla unë, u ngritnë në këmbë dhe më nderuan. Kur dolli Bimbashi i ranë nga pas dhe kur arriti në vendin që thamë, kryen detyrën e tyre patriotike dhe u kthyen përsëri posht.
Duke shkuar nga lulanjtë, i’u drejtuan vendit ku i priste Çerçizi. Gjindarëmt po i ndiqnin nga pas, por i godiste Çerçizi me shokët e tij dhe kështu Çerçizi u bashkua dhe me dy shokët q’i erdhën, morri përpjetë malin dhe shtinte kundra gjindarëmve që të mos i afroheshin. Ne nga Prefektura i shihnim si gjindarët, ashtu dhe çetën e Çerçizit deri sa u larguan. Kjo ngjarje më detyroi që të mos kthehesh shpejt në shtëpi dhe të haj drekën jashtë. Kur u kthyesh në shtëpi, vajta drejt e në odën e nënës. E gjeta këtë që rinte në një koltuk afër penxheres dhe pinte duhan. Fillova t’i kallëzoj ngjarjen e vrasjes së Bimbashit dhe i kërkova ndjesë që u vonuash. Nuk mu përgjigj aspak. Pandeha se ishte zëmëruar nga vonesa ime, se kur nuk pranonte të haja unë drekë jashtë. Pas pak e morra vesh se nëna ime e kishte humbur gojën, nuk fliste dot, ndofta dhe nuk dëgjonte. Doktor Taseja më njoftoi se nuk kishte mbetur më asnjë shpresë për shpëtimin e saj, megjithëse ajo dukej të ishte e qetë dhe nuk ndjente asnjë dhimbje. Afër mezit të natës u shtri në dyshek dhe vdiq pas dyzet e tetë orësh, ditën e fundit të shkurtit, ose ditën e parë të Marsit të vitit 1908. (Kalendari i vjetër)./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016