Adnan Muka
Pjesa e gjashtë
103 letra nga burgjet komuniste
Letra nga burgu i Shkodrës (1951- 1953)
Letra nga burgu i Burrelit (1953- 1965)
Memorie.al/E diel 29.01.1967, ende pa ague dita, e errësina ishte drejt largimit, kur s’u shifte njeri i gjallë në rrugë, trokita fort në derën e Kuvendit Françeskan, në lagjen “Arra e Madhe” të qytetit. Duel roja (apo portjeri).
– Kërkoj Padër Frano Kirin.
– Asht fjetë, – m’u përgjegj.
– Çojeni, due me e lajmue për vdekjen e nji miku e shoku!
Mbas pak kohe dera u rihap e u përballa me Padër Franon. Sapo më pa, i ndrroj fëtyra, sikur u mpi, u mendue mirë e s’foli për nji çast, e së fundi pa më ngushllue, më tha: “Bir, ju ka lanë të pasun!”. Rrugës me biçikletë për kthim në shtëpi, ku më priste nji mal me punë e probleme, fare pak mendova për fjalët që ndigjova. Ashtu shpejt e shpejt e pyeta vehten: Ç’pasuni na la? Na asht konfiskue pasunija e luejtshme dhe e paluejtshme, na u konfiskue…kishim mbetun vetëm na, familja e tij: halla, e motra, grueja me tre djelm e dy varza. Trashigimni e mirë e e lakmueshme…, po mbi të gjitha na la emën të mirë: punë të lavdueshme në dobi të Atdheut, arsimit kombëtar, kulturës e fees islame. La vepra konkrete, shkrime të botueme, dorëshkrime…po, po, na la edhe letrat nga burgjet komuniste me atë shkrim të bukur, tue shprehë dashnin ndaj familjes në mënyrë të përkryeme artistikisht.
Këto 103 letra u ruejtën si gja e shtrejtë, si relike, si thesari ma i madh i lamun prej tij. Kur mbrrita në shtëpi, në lagjen Parrucë, isha i qetësuem e i gjallnuem. U mbusha plotë me energji për me përballue atë ditë mortore, që njiherit ishte edhe ditë fitoreje, sepse na: baba dhe familja, mbrritme me triumfue mbi 7000 ditë vuejtjesh me privim lirije, në kampe pune të detyrueshme e burgje, dhe për afro 500 ditë (mbas daljes gjallë nga burgu) bashkëjetuem shumë gëzueshëm në shtëpinë mbi 200 vjeçare të Mukejve, në Shkodër.
Në vitin 1997, prof. Vehbi Hoti, pedagog i Psikologjisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, letrat nga burgjet i ka përkufizue në këtë mënyrë: “Letër-këmbimi me familjen … janë shprehje e personalitetit të tij të gjithanshëm. Janë prozë me frymëzime poetike, shumë emocionuese dhe edukative. Me plot të drejtë ato mund të quhen si një “doracak” për edukimin në përgjithësi dhe edukatën familjare në veçanti. Përfaqësojnë një bashkëbisedim intim me familjen, veçanërisht me fëmijët e vet. I këshillon dhe i udhëzon, u kërkon dhe i nxit për të ecur gjithnjë përpara. “108 Letrat nga burgjet, janë nji prej mënyrave që i burgosuni kishte mundësi me komunikue kryesisht me familjen. Për me dalë në “liri” ato duhet të plotësonin kërkesat e rregullores: t’ishin të shkurtra, rreth 1 faqe letre fletoreje shkrimi, të shkruheshin qartë e të kuptueshme, për çështje që kishin të bajnë me shëndetin e nevojat e të burgosunit; 1 letër në muej lejohej. Letra mbasi u kontrollonte, fati i sajë për t’i shkue familjes ose jo mbetej në gjykimin e operativit… Shumë herë letrat s’kanë ardhë, sepse në situata të caktueme, sidomos kur të burgosunit ishin në kampet e punës, ose kur i burgosuni dënohej për “thymje të rregullores”, ndërpritej komunikimi dhe marrjet e letrave dhe ushqimeve. (Kjo ka ndodhë shpesh në burgun e Burrelit), prandaj dhe letrat s’janë rregullisht krye çdo muaji. Gjatë kohës që Sheuqet Muka ka vuejt dënimin në Shkodër, ka dërgue pak letra. kjo sepse bajshim takim mbas 1 palë hekurash të trashë në distancë 1 metër larg. Nga burgu i Shkodrës në këtë libër paraqiten 12 letrat e para (20.IX.1951- 15. III. 1953), ndërsa 91 letrat e tjera janë nga burgu I Burrelit (1953 – 1965).
Letërkëmbimi nga burgu i Burrelit, që ishte mbi 100 km larg Shkodrës, ka qenë më i shpeshtë. Për afër 19 vite burg, familja e tij ka muejt me ruejt 103 prej tyne. Mungesat si rrjedhim: s’janë lejue me u dërgue (janë ndalue) ose s’kanë muejt me u ruejt nga ana e jonë. Këto që janë ruejt, po botohen të gjitha, pa asnji ndryshim e nji pjesë e tyne (ato të lexueshmet, që s’janë shkrue me lapsë plumi), të skanueme. Qëllimi me kuptue disa aspekte të kushteve, po dhe me tregue si arritme me komunikue, pandërpremje, me babën në burgje, tue mbajtë të lidhun me ne, tue i dërgue në vitet e fundit të burgimit çdo javë (të hanen) nji letër dhe çdo mes muaji nji telegram me përgjigje. Komunikimi e mbajti gjallë dhe mirënjohja e këtij të burgosuni politik të ndërgjegjes, asht e pakufi, siç do të lexohet e përshkruhet me fjalë prekëse të bukura në këto letra. Këjo rregullsi me letra, telegrame komunikimi të thjeshtë familjar, u ba objekt vlerësimi nga komanda e burgut dhe i’u rekomandohej të burgosunve si shembull për t’u ndjekë.
Derg. Sheuqet Muka.
Burgu i Anmiqve të Popullit, Shkodër
Dërg. nga Rep 321, Burrel
Letrat nga burgjet, që fillojnë në vitin 1951 dhe mbyllen me letrën 1 gusht 1965, janë të rralla në llojin e vet e ndoshta dhe të vetmet, që janë ruejt e po botohen. Vlerësimi i tyne i takon lexuesit.
Me zarfin derg. Sheuqet Muka. Burgu i Anmiqve të Popullit) Shkodër me siglen në krye të çdo letre V.F.L.P. (Vdekje –Fashizmi, Liri-Populli). Dërgue nga Rep 321 Burrel (adresa e këtij burgu A.M.)
Letra nr. 10
15. 01. 1953
Vijim i letrës 15 Shtatuer 1952
V.F. L.P.
Sa e gjatë m’âsht dukë dita e pjekjes o…!
As novelë as pjesë romanzi, por çfaqje të ndryshme dashtnije, të daluna prej nji burimi të kulluet mâ të bardh se biluri, të cilat përmbajnë në vetvete të vërteta, qi në t’ardhmen ke me i vertetue edhe ti vetë ma mirë. Në takimin qi pata më 3. XI. 1952 mësova prej familjes se në javën e parë të Dhetorit, pritej lirimi yt. Këtë shpresë m’a shtuen edhe disa fshatarë të liruem, qi erdhën m’u takue me të vet, me datën 4.XII. 52, ditën e mërkurë. Prandej u bana në qejf sa s’ka e nisa me thane me vedi se edhe Meserreti i jonë do të jetë lirue e do të jetë në këthim e sipër e, në mos pastë ardhë, sigurisht do të mërrijë deri ditën 7 Dhetuer, ditë e diellë, ditë takimi për ne qytetarët me privim lirije e ditë pushimi e prehjet, ditë gëzimi e harejet për popullin qi gëzon bukurin e shijen e liris.
Jemi prá, në mbarim të javës në fjalë. Më vlon shpirti e më zin mishi, due me dijtë a ké mërrijtë, por si se? Në këtë mënyrë më zbardhë dita e diell. Çohem e veshem, lahem e rrij gadi me të pritë. Në se ka ardhë, vjen i pari sikur ditën e lamtumirës e, në se jo âsht tu ardhë. Në sa për të diell tjetër s’do fjalë s’ka me mbetë për pa ardhë. Nonse koha jo e bukur, nonse dita jo e mirë, unë shpresën prap s’e humba. Kupa e qiellës mbushë me ré e shi bjen porsi rrëke. Epet sheji i takimit. Zani pritet e veshët rrijnë në pritje në mos po më thirret emni i pari e, prej gëzimi zemra nisë, si sahati për me lëvizë. Heshtje e plotë, pse
mbretnon malli, s’e prishë gjâ këtë, jo mâ potera, por as gazi. S’vonon mâ e thirren emna, porse mua ndër të parët, nuk më del emni! Ani ça? Ka ndollë shi a, në ka mërrijtë s’len pa hi, pse pa motra edhe vëllai, pa nanë edhe pa halla, s’i a bam veç me ardhë m’u pa e, ky do të jetë shkaku, qi s’u thirra un i pari, pse përndryshe do të kish dalë! Por kaloj dita e un s’u thirra, qi s’ke ardhë atherë u binda. Hi në dhomë. Pyetjes së shokut: “A bâne takim”? I përgjegja me nji jo, nuk m’erdh kush! S’paska ardhë veç! Duket qi e presin, qysh se s’m’u duk as familja. Mbase s’âsht lirue ende ose do të jetë rrugës tue ardhë e, porsa të mërrijë, ka me kërkue leje specjale për nji takim, pse edhe atij i ngjatet të shifet me mue deri në javën tjetër, edhe atë sigurisht e ka marrë malli për mue mjaft, edhe Atij ja don shpirti qi të piqet sa mâ pare me babën e vet qi e don tepër. Mbasi u solla e u pështolla në kët mënyrë i thaç vedit: “Ç’ë je tue bâ?”
Prite mâ se dy vjet e s’u ndive e tash, pse gjith ky trazim me tý e s’po mund u duroke edhe për nji javë?! Mbi këtë, me’i herë tensjoni më ra e u qetova, pa bâ mâ very me gojë, deri natën e ditës së takimit.
Vijon:
Me, 15. I 1953
Sheuqet Muka
P.S.Peshqeshin e Adnanit për Vitin e Ri e prita me evari! Falnderime të xeta, urime të përzemërta e përqafime të kundruellshme po i sjelli qysh sod e përgjegjen mallëngjyese porsa të marrë fund së shkruemi letra e yte. U shendova shumë edhe për nipin.
Letra nr. 11
30. 01. 1953
V.F. L.P.
Vijim i letrës 15 Dhetuer 1952
Data e pjekjes së dy shpirtnave të përmallueshëm për njeni-tjetrin, s’ka pagim e do të mbetet e pashlyeshme në kujtesën e tyne për jetën e jetës pse i a duel me shue aty për aty, etshmëninë e mallit ma shpejt se uji shuen gëlqeren. Nata e ditës 14 Dhetuer më kaloj tepër e qetë dhe e e ambël, pse pata sihariqin e mbrritjes t’ande. Ata pak kokrra sheqeri e biskoti qi më kishin shti Halla Xhevja, Fetja e Symja në strajcen e ushqimit të përjavshëm, m’epshin me kuptue edhe gëzimin e tyne qi ndijshin për këthimin t’and shndosh e mire në shpí. U bana pra dhe un shend e verë, pa pasë ma ndopak marak a dyshim për tý qi s’ke mbrrijtë. Tashti s’më kish mbetë tjetër dishirë veçse malli për me të pá e me këtë mallë, raçë e fjeta për bukuri e me të u çova në nade përsëri! Kur do të ketë ardhë vall? Mbas së mërkurres apo ma parë. Sidoqoftë, pse s’ka kërkue leje të posaçme për pjekje, por e ka shtye deri sod? Këto ishin pyetjet q’i bajshe vedit. Qi s’kishte arsye të mendoj e të gjykoj në këtë mënyrë, me i herë m’u kujtue m’i përgjegjë vetvehtes. Meserreti tashti mâ âsht mësue n’ushtri me qenë i rregullt e i përpikt, e pra don me qen e m’u mbajtë gjithnji i tillë edhe kështu e këndej qi asht i lirë me veprime të veta pa nji mbikëqyrje e kërkesë prej kuej, pse rregull e përpikmëni, janë pika me randsi në jetën e njeriut. Me muejt me sundue vedin e mos me shkue mbas andjevet e ndiesivet pa i peshue e mbatë nji here punët, asht fitorja ma e madhe për njerin, prandaj tue u sjellë në këtë mënyrë, u bâna në qejf edhe ma tepër kah je durue me pritë rendin e pjekjes e, për këtë arsye ndij nji kënaqësi në shpirtë me të thane edhe nji të lumtë!
Që do të vijsh sod isha i sigurtë e pra s’bana si të diell tjetër. Le të më dalë takimi kur të doen; në dashtë paradite në dashtë mbasdite, në dashtë i pari në dashtë i fundit, aq më ban, mbasi ka ardhë në shpí, sod pa tjetër ka për të hy. Koha veç prap me shi, e kjo pak, m’ep disi mërzi. Pa çë ka! Edhe me stuhi po të bijë shi, sod Meserreti s’mbetë pa hy! Mbas dreket s’vonova e u thirra, porsa të pava u freskova. S’më mbet mallë as tjetër në mes e prej gëzimit larg dikujt tres.
Vijon:
30. I. 1953
Sheuqet Muka
Të gjithvet të fala, veçanarisht Xhevas e Fetes i uroj ditlindjen e nipit. Për emnimin t’and u gëzova, Lirijen e Nexhatijen i puthi.
Letra nr. 12
15. 03. 1953
V.F.L.P.
Uran!
Uroj të jeni përherë mirë e ma mirë. Me letrat e nji mbas njishme që më ke çue, s’më ke lanë me u mërzitë, veçanarisht sjella yte shembullore më gëzon tepër e më freskon tejet. Mbas nji heshtje plotë dy muej e gjysëm, sod po nisi me të shkrue përsëri. Megjithse të paç lajmue se për nji kohë s’do të muejshe me të shkrue rregullisht krye mojit, prapseprap u trazojshe në shpirt, kur kalojshe rradhën t’ande pres me i shkrue Meserretit. Rrokull kësaj kohe, njiherë m’u desht t’a ndërpres edhe letrën e Meserretit për m’i ba qejfin Nexhatijes e cila njenen prej ditvet të takimit qi shmallohemi, kërkoj prej meje q i t’i çojshe edhe asaj nji letër! Përgjegjen m’a dha menjiherë. Në këto ditë ka ditëlindjen. Po i a uroj me anë të kësaj letrës
s’ate, mbasi pa të shkrue ty, s’mund u mbajta. Me shëndet, megjithse kam një numër të mire shnjergjash mbi supa, me gjithkëtë në përgjithësi jam mirë e s’duhet të jesh në merak për mue. Edhe te shpija e Hakja i ke të gjithë mirë. Daja Samis, kur t’i shkruejsh, m’i çoni të fala prej mejet. Ragipi, për të cilin më ka marrë mjaft malli m’e pá, po më thonë se âsht ba mirë.
Meserreti e Fetja më flasin mirë për ty e prandaj un bahem në qejf edhe ma tepër. Meserreti në një letër që më shkruete më thonte se Urani po ka rastin e bukur m’u stërvitë në 3-4 zanate e mjeshtri, s’ka gjâ mâ të mirë, me kusht qi të u a mësojsh mirë pjesën teknike; tjetër asht me qenë nji puntuer i thjeshtë e tjetër me qenë i kualifikuem. Këtë pike edhe ti e çmon ma së miri. Shpejt e mirë edhe kursim në material janë kushte të domosdoshme në punën e dorës për me pasë një rendiment të mirë.
Nga letrat që marr prej teje kam konstatue nji send të mirë, se ti nuk ndien aspak mërzi, gja kjo qi âsht për t’u admirue e për të cilën ti duhet t’a dijsh vedin fatlum. S’të kanë mbetë ma, por edhe 9 muej m’e krye shërbimin ushtarak. Edhe në këtë kohë të shkurtër uroj t’a përballojsh me atë vullnet pune që të karakterizon a të përpiqesh me përfitue edhe ma tepër prej sajë!
Adnani me rastin e motmotit të ri më çoj si peshqesh se do të marrë gjatë këtij viti shkolluer vetëm katërsha e pesa ndër mësime. Gjaset e ka se premtimin do t’a mbajë e këjo gja ka për t’u vërtetue mbas 3 muejve qi ep maturën. Me kaq po e mbyll letrën tue të puthë të dyja faqet.
Baba i yt
15. III. 1953
Sheuqet Muka
Letra nga burgu i Burrelit (1953 – 1965)
Letra nr. 13
10. 12. 1953
Letra e juej më freskoj e më hoqi krejt mërzin qi kishe për ju. Këtë sunojshin dy letrat e mija. Të më besoni mirë se që prej ditës që jam këtu, më bahet se jetoj në nji botë tjetër, si me qenë i lirshëm. Përveç se s’mund të shifem me ju krye dyjavësh, asgja tjetër s’dishroj asajë anë. Me këtë due të ju tham se jam faret i qetë në shpirtë e mirë me shndet. Pra kurrfarë marakut për mue. Fetja m’u dhimbt ditën e takimit pse qe mjaft të ftohtë. Si asaj si juvet shndet e të fala. Due pak ullijë e hudra.
10. XII. 1953
Sheuqet Muka
Letra nr. 14
15. 05. 1954
Me telegramin e ushqimin qi më çuet, më freskuet e më gazmuet. Përherë gëzime paçi! Vet jam ma mirë se kurr me shndet. Këtë uroj edhe për ju të gjithvet. Në takim jam përmallue mjaft. Më ra keq për Zukun që kish vuejtë prej romatizmës. Meserreti m’u duk pak i dobsuem. Halla Xhevan, e Symen, ashtu edhe varzat s’i kqyri që të vijnë për takim. Si Fetes e Zijas e gjith ju tjervet e atyne qi pvesin për mue të fala e përqafime me urim të Bajramit. Zihnijes të fala e urime të posaçme.
Me, 15. V. 1954
Sheuqet Muka
Letra nr. 15
18. 07. 1954
Kur mësova se vajza me motrën kanë ardhë m’u takue sŷtë më flakruen prej gëzimit e mendja me’ i herë ju kujtoj nji nga nji edhe ju të gjithvet. Uroj të ju kemë përherë mirë e mâ mirë. Porsa të vijnë urdhni, mbase sillem në Tiranë për m’u shtrue në spital për nji operacion të lehtë. Për këtë, s’ka aspak nevojë të tronditeni mbasi me shndet jam faret mirë. Kësaj here sheqer, marmeladë, shkrepca mos më sillni. Edhe bukë jo. Ju, Zijas e gjith tjerve u uroj Bajramin. Lirijes e Nexhatijes u puthi dhe faqet.
Me, 18. VII. 1954
Sheuqet Muka
Letra nr. 16
22. 02. 1955
Të dashtunat e mija: hallë, motër, grue e varza;
Letra e Adnanit më përmalloj, pos edhe më freskoj. E dij sa e ndjeni thellë largimin e tij nga mesi i juej e unë po i thom: Udh’ e mbarë i qoftë, tue i urue t’a kryej me sukses shërbimin ushtarak, siç e kryen dy vllazit e tij me fletë lavdim. Pres prej jush të jeni të qeta e të keni bindje se ka për t’u këthye te shpija shndosh si molla, tue u ba përnjiheri edhe mâ i aftë e i shkatht për punë e tue i a dijtë vlerën edhe mâ tepër. Urani m’a largoj mërzinë që kishe për ju. U kënaqa me te, kah e pashë mirë e të burrnuem e prej gëzimit i u raçë syvet. Uroj të ketë mrrijtë rahat e mirë te shpija. Për mue mos bani aspak marak, pse më keni ma mire se kurr. Faleminderes as kryet s’më ka dhimbt njiherë. Po pat axha Elezi e Xhevja ndo’i pale gjyslykë jasht përdorimit, m’i sillni. Sapun, faculeta e pê kam. Për tash s’due tjetër veç pak arrna. Nebit do t’i shkruej letër. Ty, Gëzimi i jonë, po të puthi faqet, tue m’I përshndetë Zijan e tjerët.
Me, 22. II. 1955
Sheuqet Muka
Letra nr. 17
18 03. 1955
Të dashtunve të mi: hallë, Meserret, Tije etj.
Të gjithë kartpostalet, si t’uejt si ata të Zijas I kam marrë e jam gëzue tepër, veçanarit për Adnanin qi âsht rahat e mirë. Kam shpresë se së shpejti kam m’u sjellë në Tiranë për operacion. Ushqim njiherë kam. Prandaj deri më 15 Prill, mos eni. Në muejshi me më çue pak voj peshku e duhan për ndokend, kishte me u plotësue nji nevojë e nji mungesë. Para se të vini, interesonu me pvetë në mos jam në Tiranë. Në paça mundësin, ju lajmoj edhe vetë telegrafisht. Të më falin Nebi që s’muejta m’i shkrue as kësaj herë. M’i sillni urimet e mija për shpëtimin e Syres e lirimin e Abdylit, për të cilin u gëzuesh shumë. Si Nebit dhe Abdylit përshndetjet e mija. Halla Xheva si ju kam? Pse s’më shkruen Ti njiherë. E din se m’u mbushen sŷt me lot, kah po shkruej këto fjalë? Ju paça mirë me Feten e Symen e me nipat e mesat! Të fala axhës, Ragipit, Zijas, Hakas, Zades, Qazimit e Danit, Reçit e të shoqes e tjervet.
Me, 18 III. 1955
Sheuqet Muka
Letra nr. 18
21. 04. 1955
Kartë – Postale
Lirijes së mirë e t’urtë, qi m’i ngjet motrës Fete e Adnanit t’onë, i cili ka arsye të mburret se âsht ka kryen detyrën e shejtë të shërbimit ushtarak, me kënaqsi shpirti të mallëngjyeshëm të nji prindi qi jeton larg tyne prej kaq vjetësh, po i u uroj ditlindjen! Nexhatijes së bukur, të cilën e kemi si hana pesëmdhetsh përveç se po i uroj si gjith ju tjervet që të gëzojë shndet të plotë, pres prej sajë t’a kryej klasën e fundit të shkollës unike me nota të mira, po i puthi të dyja faqet. Vetë jam mirë e, po t’a hjekshe qafet operacionin qi kam nevojë, do t’u qetsojshe krejt, mbasi edhe ju gjthvet u kam mirë. Këpucët më bijnë ngusht. Po të keni ndonjeni nevojë për vedi, më bleni nji palë mâ të gjana, me rrypa ma të gjatë e të paçilme ndër maje. Për Nazimin jam shendue shum fort. Urime hallës e motrës. Të fala të gjithvet emën për emën.
21. IV. 1955
Sheuqet Muka
Letra nr. 19
22. 05. 1955
Meserret Sheuqet Muka e vllazën
Sa herë qi vijnë e shkojnë festat, s’âsht e muejtun qi mos te ju pershkoj, nji nga nji gjithvet para syvet e mandej më bâhet se nisi e flas me sejcilin e sejcilën prej jush. Kështu e habis vedin tue ba pallë me mend. Megjithse kjo qi baj vetë s’asht kurrgja në vetvedi, prap se prap freskohem e ndiej nji farë kënaqsije në shpirtin t’em, kah mendoj se ju kam mirë të gjithvet me shndet. Uroj qi edhe ky Bajram të ju gjejë sa mâ mirë e gëzueshëm. Jam i bindun se kësaj herë, e ndieni mâ tepër mungesën t’eme, kah s’keni pranë vedit Adnanin, i cili më gëzon tepër me letrat e bukura të përmuajshme qi më çon. Por vetë, këtë Bajram e pres mâ me qejf, kah patëm lajmin se nipin Nazim, e kemi mirë. Pres prej jush qi mungesa e jonë, mos të ju bâjë asnji efekt. Të fala Zijas me familje, ashtu Ragipit, axha Elezit, Hakas e gjith tjervet êmën për emën.
Letra nr. 20
19. 06. 1955
Kartë – Postale
Të dashtunvet të mí. Symes po i uroj ditlindjen. Sod nji vjetë e kremtoftë gjith si i dishroftë zemra, tue pasë edhe të shoqin prânë vedit. Tash ka me qeshë. Lus të gëzojë shndet të plotë, rrnoftë sa të jetë hajri e, gjith jeta e sajë shkoftë me gëzime e mos i raftë asnjiherë me pá keq! Kartpostalin e Zijas e gjith sa më keni çue ju, i kam marrë. Për rrypa s’kam nevojë, veçse nji qese leshi të vogël e të rrumbullaktë, me dy lidhca nga nji pllame e gjysëm në të dyja anët. Me sŷ jam ba krejtë mirë. Prej Adnanit jam i kënaqun. Do t’i shkruej herën tjetër. Edhe Lirija m’a ka bâ qejfin. Nexhatija ka m’u ba edhe ma e bukur. Të gjithvet të fala.
Me 19. VI. 1955
Sheuqet Muka
Letra nr. 21
09.08. 1955
Kartë – Postale
Uran! Data 16 gusht 1932, për familjen t’onë shënon nji etapë të ré gëzimi. Lindja e yte me emnin e bukur qi të njiti i ndjeri miku ynë i paharrueshëm, kanë me mbetë të gjalla ndër ne, për sa të jetë jeta. U bafsh 100 vjeç e e gëzofsh dhe emnin e bukur, me të mira e daulet! Tue të bâ këtë urim sa të përzemërt aq të përmallshëm, ka m’u gëzue thellësisht i gjith rrethi familjar e, me Meserretin n’krye, kam m’i festue përzemërsisht, tue më kujtue edhe mue. Për Hakan u gëzova shum që âsht bâ mirë e po uroj qi edhe gjith ju tjerët të jeni mirë. Edhe vetë jam mâ mirë se kurr. Ushqimet, duhanin e telegramin i morra. Edhe prej Adnanit kam marrë nji buketë urimesh. Të gjithvet selam. Lirijes e Tijes i puthi sŷt.
Burrel, 9 Gusht 1955
Sheuqet Muka
Letra nr. 22
09.09. 1955
Fort i dashtuni djal’i jonë Adnan,
Tubëza e bukur e urimevet të tua radhitë në varg inxhije e rrethue me fletë të bardhemta drandofilje, mbushi me erë të mirë gëzimi zemrën t’eme të ndezun flakë dashtunije për ju të gjithëvet, e cila hova hova rreket sikuer shiu e fluturon nder jue për me ju pá s’afërmi, mu kënaqë e mu shmallue e mu galdue, tue ra dikuer fashë si me dashtë me u qetue e kuer e shlodhun ambël zgjohet, vjen e naltohet aq sa syni s’mundet mâ me e ndjekë përtej. Por era e kandshme e tubzës s’ate, qindisë e thurë me maje të pupëls i a del me e ulë s’nalti e me e prue në vedi, kështu që tash I kapluem prej bukuris saj qi shkëlzen si vjollcë behari strukë në kaçubë bari, merrem për dore e siellem pranë teje, për me sjellë edhe un urimet e mija e me t’urue fitore mbas fitoresh. Edhe letra e 15 korrikut më ka gëzue tejet, sidomos ajo e fundit e 16 Gushtit që po mbante erën jetëdhanëse të motërs e të vajzës që kishin ardhë me të pa, më freskoj e më ngushlloj për shpí, prej së cilës ka 6 javë që s’kam letër! Vetë jam mirë e njiherë përnjiherë s’e kam menden mu plakë, mbasi qysh në moshën e re 20 vjeçare kam vue kandidaturën mu bâ 100 vjeçë, tue pasë në rregull edhe pesë shiset e jashtëme e të mbrendëshme e, për me muejt mu mbajtë si i tillë, kam marrë me kohë masat paraprake hygjenike, tue ba jetë të thjeshtë, të rregullt e të pastërt e tue qindrue larg qejfevet, pijevet alkoolike e abuzimet, madje edhe nëpër kafehane rrallë jam dukë. Detyra e studimi kanë qenë ushqimi ma i gjallë e i kandshëm i trupit e i shpirtit tem. Me Symen sigurisht do të jeshë kënaqë. Un u përmallova e s’muejta mu mbajtë. Të rrokuna e të puthuna të pandërpreme të gjithëvet. Hyrijes e Uranit edhe falnderime
Burrel, IX.1955
Sheuqeti
Letra nr. 23
26. 10. 1955
Të dashtunve të mi;
Këtë letër po ju shkruej me erë t’Uranit, me të cilin u takuesh pardje. U gëzova qi ju kishe mirë. M’u hoq malli kah pava Uranin e bisedova me të. Adnani prej të cilit kisha nga 2-3 letra në muej, që prej datës qi asht transferue në Vlonë, s’më ka shkrue faret. Edhe Zuku qi më shkruente shpesh edhe ky në këto ditë, ka hesht krejt: Mbasi mësova prej Uranit se gëzojnë shndet të plotë, u shendova edhe për ta qi janë mirë. Për halla Xhevan më ka marrë malli fort. Gjatë këtyne dy vjetve, vetëm me të s’kam pasë fatin m’u pa! Besoj se shpejt sillem në Tiranë për operacion e aty ka me pasë mundësi me ardhë m’u takue. Unë s’e kam këqyrë as s’e këqyri me marrë mundin qi të vijë këtu m’u takue, bile ju kam shkrue mos me ardhë deri për Symen, jo ma për Halla Xhevan qi më ka rritë e edukue. Urani do t’i ketë diftue se më ka lanë shndosh si molla. Të m’a doni e të m’a këqyrni fort. Dy varzave të mija: Lirijes e Tijes q’I kam si dy gonxhe të bukura drandofilesh, baba u puthë të dyja faqet. Dita ditës pres përgjegjen e letrës qi të çova me rastin e ditlindjes. Adnanit sigurish do të i a keshë postue letrën. Kishe me dishrue me dijtë se cili prej jush shkon ma mirë me motrën Fete. Sa për Symen e marr me mend, se cili e ndigjon ma tepër. Ndoshta pse jam plakë kujtoni se s’di ku i ka thnegla sŷt? Këtë frazë e shkrova sa me ju ba me qeshë. Siç porosita edhe Uranin, ushqim mos më sillni gjatë mojit Nanduer. Shifnu e rregullonu me të shoqen e Shaqirit, para se të më sillni ushqimin në Dhetuer. Po muejtet më çoni duhan për ndokend e tjetër s’due. Kur të më sillni voe, hiqjuni letrat para se i shtini mbrendë. Nji çorap mos më ka mbetë në valixhe?
Të fala e përqafime gjith juve, veçanarisht përshndetje atyne qi më kanë çue të fala si edhe Hakas, Ragipit, Zijas e Myhsinit e familjevet të tyne e të tjerve qi pvesin.
Me, 26. X. 1955
Sheuqet Muka
Letra nr. 24
12. 01. 1956
Të dashtunve të mi;
Viti i Ri me kambë të mbarë! Adnani u lirue dhe prej nipit Nazim shyqyr kishi pasë letër. Në këtë rast përgëzimi qi keni, marr pjesë edhe vetë, sado qi jam larg jush. Telegrami i lirimit t’Adnanit, më ra në dorë në ditën e parë të motmotit të ri e dy kartpostalet e Meserretit i morra njeni mbas tjetrit. Edhe për Nazimin u shendova mjaftë, veçanarisht Fetja e Halla do të jenë shendue edhe mâ fort. Lirija e Nexhatija do të jenë gëzue tepër kur kan pá Adnanin se u erdh në shpí. Symas e Hakas u sjelli urimet e mija për pështimin e Nurit. I pastë le me fat e nafakë. Për axha Elezin, uroj të jetë bâ mirë. Të m’i sjellni nderimet e mija. Besoj se Adnani mbrenda 3-4 ditëve do të vijë me më sjellë ushqimet. Me shndet jam fort mirë. Këtë uroj edhe për ju të gjithvet. Kur të më sillni ushqim mund të më sillni oriz të paziem, petë a ndo’i send tjetër pse kemi leje me zí edhe këtu. Për nji fes, zarfa e letër, pak lekë kam nevojë. Të fala të gjithvet êmën për emën, veçanarisht Ragipit, Zijas, dajavet, Barbullushit e Domnorvet.
Letra nr. 25
13. 03. 1956
Me ty në krye Meserret,
Familjes s’eme të dashtun!
Freskija e takimit qi më qetsoj mende e zemër kah pata motrën t’eme të dashtun, për të cilën më kish marrë malli fort e Adnanit t’onë porsa lirue prej sherbimit ushtarak qi gëzonte shndet të plotë, më dha fuqi me përballue dhe zehrin e dimnit që u kalue këto ditë, pa psue makare ndonji të ftofun të letë. Dy letrat e Zijas e ajo e jotja me të Nazimit, vllaut t’uej má të madhit, ndihmuen me shtue e me mbajtë gjithnji gjallë këtë freskim. U gëzova shum qi ju kam të gjithvet mirë e uroj qi edhe ju t’a keni kalue këtë të ftoftë të rreptë, pa pësue gja prej gjaje prej si! Rradhën tjetër, do të i u uroj ditëlindjen dy varzave të mija: Tijes e Lirijes, sado qi këto, mue nuk më shkruejnë. Prej Lirijes sidomos, pritshe të më shkruente si u bá Hakja, për shndetin e së cilës as ti Meserret s’më lajmove faret. M’i sillni prej mejet nderimet e mija, djelmvet e varzavet të saja edhe dhanduervet, me nipa e mesa qi ka, u sjelli përshndetjet e mija. Të gjithvet e të voglave u puthi faqet. Halla Xhevan, Feten e Symen si i kam? Axha Elezi si u ba? Që të gjithë i përshndes me mallë shum. Për Rasim Agën më ra shumë keq. Përsa më pvetë Zijaja, e pëlqej. Të më falin qi s’muejta m’I telegrafue. Të më lajmojë përfundimin e m’i báni të fala si atij, si familjes së tij, ashtu edhe Hamidit e Feridit. Kah mbarimi i mojit ose në fillim të Marsit ju pres, nëse keni me pasë mundësinë me ardhë për mot të mirë. Kam nevojë për pak qymyr e krypë, për qypin e porositun me çmim të shënuem në të edhe për nji qyp të vogël nji okë qi më nevojitet mue. M’i thuej Vishos të më gjejë duhan të fortë, pse ky i fishekvet qi po më sillni asht tepër i butë. Në mos muejshi me më bá nji rryp bezje tre gisht gjanë me pulla qi të mbërthehet përpara e nji shtesë me lëkurë ljepuri të mbushun me pambuk e lesh e në të dy anët me lidhca qi t’a mbërthej rryp simbas modelit këtu poshtë më çoni atherë nji tjetër si atë të parin. Të fala reciproke gjith atyne që më kujtuen e përshndetje atyne që pvesin. Veçanarisht Ragipit, Myhsinit, Damnorvet, Barbullushit, Zihnijes e Nebit. Së mbramit po të rroku ty me vllazën e motra edhe Irfanin. Më bini çarçafin e jorganit e dy faculeta. /Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016