Adnan Muka
Pjesa e shtatë
(103 letra nga burgjet komuniste)
Letra nga burgu i Shkodrës 1951- 1953
Letra nga burgu i Burrelit 1953- 1965
Memorie.al/E diel 29.01.1967, ende pa ague dita, e errësina ishte drejt largimit, kur s’u shifte njeri i gjallë në rrugë, trokita fort në derën e Kuvendit Françeskan, në lagjen “Arra e Madhe” të qytetit. Duel roja (apo portjeri).
– Kërkoj Padër Frano Kirin.
– Asht fjetë, – m’u përgjegj.
– Çojeni, due me e lajmue për vdekjen e nji miku e shoku!
Mbas pak kohe dera u rihap e u përballa me Padër Franon. Sapo më pa, i ndrroj fëtyra, sikur u mpi, u mendue mirë e s’foli për nji çast, e së fundi pa më ngushllue, më tha: “Bir, ju ka lanë të pasun!”. Rrugës me biçikletë për kthim në shtëpi, ku më priste nji mal me punë e probleme, fare pak mendova për fjalët që ndigjova. Ashtu shpejt e shpejt e pyeta vehten: Ç’pasuni na la? Na asht konfiskue pasunija e luejtshme dhe e paluejtshme, na u konfiskue…kishim mbetun vetëm na, familja e tij: halla, e motra, grueja me tre djelm e dy varza.
Trashigimni e mirë e e lakmueshme…, po mbi të gjitha na la emën të mirë: punë të lavdueshme në dobi të Atdheut, arsimit kombëtar, kulturës e fees islame. La vepra konkrete, shkrime të botueme, dorëshkrime…po, po, na la edhe letrat nga burgjet komuniste me atë shkrim të bukur, tue shprehë dashnin ndaj familjes në mënyrë të përkryeme artistikisht.
Këto 103 letra u ruejtën si gja e shtrejtë, si relike, si thesari ma i madh i lamun prej tij. Kur mbrrita në shtëpi, në lagjen Parrucë, isha i qetësuem e i gjallnuem. U mbusha plotë me energji për me përballue atë ditë mortore, që njiherit ishte edhe ditë fitoreje, sepse na: baba dhe familja, mbrritme me triumfue mbi 7000 ditë vuejtjesh me privim lirije, në kampe pune të detyrueshme e burgje, dhe për afro 500 ditë (mbas daljes gjallë nga burgu) bashkëjetuem shumë gëzueshëm në shtëpinë mbi 200 vjeçare të Mukejve, në Shkodër.
Në vitin 1997, prof. Vehbi Hoti, pedagog i Psikologjisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, letrat nga burgjet i ka përkufizue në këtë mënyrë: “Letër-këmbimi me familjen … janë shprehje e personalitetit të tij të gjithanshëm. Janë prozë me frymëzime poetike, shumë emocionuese dhe edukative. Me plot të drejtë ato mund të quhen si një “doracak” për edukimin në përgjithësi dhe edukatën familjare në veçanti. Përfaqësojnë një bashkëbisedim intim me familjen, veçanërisht me fëmijët e vet. I këshillon dhe i udhëzon, u kërkon dhe i nxit për të ecur gjithnjë përpara. “108 Letrat nga burgjet, janë nji prej mënyrave që i burgosuni kishte mundësi me komunikue kryesisht me familjen. Për me dalë në “liri” ato duhet të plotësonin kërkesat e rregullores: t’ishin të shkurtra, rreth 1 faqe letre fletoreje shkrimi, të shkruheshin qartë e të kuptueshme, për çështje që kishin të bajnë me shëndetin e nevojat e të burgosunit; 1 letër në muej lejohej. Letra mbasi u kontrollonte, fati i sajë për t’i shkue familjes ose jo mbetej në gjykimin e operativit… Shumë herë letrat s’kanë ardhë, sepse në situata të caktueme, sidomos
kur të burgosunit ishin në kampet e punës, ose kur i burgosuni dënohej për “thymje të rregullores”, ndërpritej komunikimi dhe marrjet e letrave dhe ushqimeve. (Kjo ka ndodhë shpesh në burgun e Burrelit), prandaj dhe letrat s’janë rregullisht krye çdo muaji. Gjatë kohës që Sheuqet Muka ka vuejt dënimin në Shkodër, ka dërgue pak letra. kjo sepse bajshim takim mbas 1 palë hekurash të trashë në distancë 1 metër larg. Nga burgu i Shkodrës në këtë libër paraqiten 12 letrat e para (20.IX.1951- 15. III. 1953), ndërsa 91 letrat e tjera janë nga burgu I Burrelit (1953 – 1965).
Letërkëmbimi nga burgu i Burrelit, që ishte mbi 100 km larg Shkodrës, ka qenë më i shpeshtë. Për afër 19 vite burg, familja e tij ka muejt me ruejt 103 prej tyne. Mungesat si rrjedhim: s’janë lejue me u dërgue (janë ndalue) ose s’kanë muejt me u ruejt nga ana e jonë. Këto që janë ruejt, po botohen të gjitha, pa asnji ndryshim e nji pjesë e tyne (ato të lexueshmet, që s’janë shkrue me lapsë plumi), të skanueme. Qëllimi me kuptue disa aspekte të kushteve, po dhe me tregue si arritme me komunikue, pandërpremje, me babën në burgje, tue mbajtë të lidhun me ne, tue i dërgue në vitet e fundit të burgimit çdo javë (të hanen) nji letër dhe çdo mes muaji nji telegram me përgjigje. Komunikimi e mbajti gjallë dhe mirënjohja e këtij të burgosuni politik të ndërgjegjes, asht e pakufi, siç do të lexohet e përshkruhet me fjalë prekëse të bukura në këto letra. Këjo rregullsi me letra, telegrame komunikimi të thjeshtë familjar, u ba objekt vlerësimi nga komanda e burgut dhe i’u rekomandohej të burgosunve si shembull për t’u ndjekë.
Derg. Sheuqet Muka. Burgu i Anmiqve të Popullit, Shkodër
Dërg. nga Rep 321, Burrel
Letrat nga burgjet, që fillojnë në vitin 1951 dhe mbyllen me letrën 1 gusht 1965, janë të rralla në llojin e vet e ndoshta dhe të vetmet, që janë ruejt e po botohen. Vlerësimi i tyne i takon lexuesit.
Me zarfin derg. Sheuqet Muka. Burgu i Anmiqve të Popullit) Shkodër me siglen në krye të çdo letre V.F.L.P. (Vdekje –Fashizmi, Liri-Populli). Dërgue nga Rep 321 Burrel (adresa e këtij burgu A.M.)
Letra nga burgu i Shkodrës
(1951- 1953)
Letra nr. 26
12 .04. 1956
Juve, Tije e Lirije, qi ju kam si dy gonxhe të bukra drandofilesh të bardha, baba, për të cilin jeni përnjiheri edhe tejet të dashtuna, po ju uron me gjith shpirt ditlindjen! Para 11 vjetve, aty në shpín e katragjyshavet, n’ish lagje të Parrucës të qytetit të Shkodrës, ku jam le e rritë e qi për mue ka qenë vendi ma i bukur në këtë botë, paç lanë në nji moshë tepër të vogël, edhe 2 burbuqe, thuajse porsa të linduna, me të cilat me kënaqej shpirti, kur jetojshe pranë tyne e që prej dy muejve, si mos kurr, me këtë kënaqësi disi jam përmallue e për mâ tepër flladitë sepse mu në këtë muej, ti Tija e jeme, pate le në Shkodër e Lirija e Hakas në Tiranë! Oh, sa do të dishrojshe me qenë afër jush ndër këto ditët qi keni ditlindjen, për me ju sjellë gojarisht urimet e përzemërta të mijat, tue ju lemue lehtas kryet t’uej, të mbushun me ata flokë të butë ngjyrë ari e me ju marr erë, tue ju puthë edhe gushë e faqe, ashtu siç thashë ban nana e juej Symja bashkë me dy hallat e dashtuna: Xhevja e Fetja e vllaznit qi ju duen e ju hatrojnë bash si vetë. Me ty Tije, kah je ma e vogla, s’paç fatin me bashkëjetue s’afërmi për aq kohë sa u gjeta e jetova pranë Lirijes. Fati i líg i jemi, e suell e prue qi të rriteni larg sŷve të mi! Me këtë bashkë prap jam i kënaqun e i freskuem, kah ju shof të rrethueme me vllazën, me halla, me nanë e Hakan, me daja e teze edhe me vllaun t’em Zijan, i cili edhe ky ju kqyrë e ju don asgja mâ mangut se vetë n’emën t’em, si kujtim dhuratë urimi ka me ju sjellë ka’j tubë lule.
Qofshi jetëgjatë e paçi jetë të lumtun dhe çdo vit e kalojshi mâ mirë se tjetrin, tue kremtue ditlindjen t’uej përherë gjith si ju dishroftë zemra e emnat e bukur qi keni i gëzofshi me nderë. Kam marrë letër e kartolinë. Me shndet jam mirë. Shpresoj të sillem në Tiranë për operacionin e lehtë qi kam nevojë. Jam gëzue për lirimin e Vatit e Ruzhdis. Urimet e përshndetjet e mija që të dyve veçanarisht Vatin e falnderoj, për kartpostalin qi më çoj. Ushqim kam, e mund shtyhem edhe për nji muej, vetëm duhan më çoni me ndokend. Kam nevojë për pak pé të zi e të bardhë, për pak lek, për pantallonat e vjetër e sendet e tjera qi ju kam kërkue me letrën tjetër. Kur të vini, edhe pak qymyr. Po muejtet m’e m’a prue edhe nji kuran italisht. T’ardhunin, mundeni m’e lanë edhe për Bajram ose mbas. Të fala të gjithvet êmën për emën e gjith atyne qi pvesin. Prej Musas keni të fala.
Baba i juej
Sheuqet Muka
Letra nr. 27
04.05.1956
Biri i jem i dashtun Adnan,
Me gëzim, prit urimet e babës t’and!
Më 6 Maj, mbushë plot 21 prandvera të jetës s’ate. T’uroj u bafsh 100 vjeç, tue gëzue përherë shndet të plotë e tue mbajtë gjithnji sjellje të mirë, me të cilën je i dalluem. Me stinë të bardha lulesh, ngjyrash të ndryshme e ernash të kandshme t’u çfaqshin e t’u zbulofshin orizonte të gjalla, për të korrë për herë e ma tepër fitime në punën t’ande të përditshme. Me këtë rast, kam detyrë me të sjellë si peshqesh të ditëlindjes që ke mbasnesre, këtë kshillë atnuer: Të jeshë kontrolluesi i vehtes s’ate. Për çdo mbramje, për çdo javë e muej inspekto mirë vehten e sidomos në mbarim të vitit të bajsh bilancin e punës qi ké zhvillue. Tue veprue në këtë mënyrë, ke me fitue eksperiencë me shkue përpara me hapa të sigurtë. Për atë që nisë të numërojë në vend e s’âsht i zoti t’ecë mâ përtej, s’ka pikë dyshimi se asht fillesa e teposhtes, së cilës i mendshmi, këqyrë me i qindrue larg e mâ larg. Pra, lum aj qi zotnon vehten e del ngallnjyes mbi sentimentet e, me këtë këshillë të bukur, po e mbylli pjesën e letrës përsa i përket urimit të ditlindjes s’ate. Jam gëzue tepër kur pava letrën e Nazimit. Prej mallit e këndova sa herë, tue m’u mbushë sŷt me vajë. Shkrueni për mue qi jam mirë e të m’i çoni edhe të fala. Si vetë do të jeni shendue edhe ju, sidomos Fetja e Xhevja, sigurisht edhe ma tepër. Kam marr edhe kartpostalin e Zijas, të cilin e falnderoj për urimet qi m’çon. Edhe për Rasim Agën u shenduesh tepër. Urimet e përshndetjet e mija, më i a sillni edhe Hyrijes e Zades. Edhe Bajramin e Madh e pritësh me zemër të mire me gjith vllazën e motra e me nanë e halla. Përshndetjet e mija e urimet e Bajramit: Ragipit, Zijas, Axha Elezit, Hakas me daja e teze e gjith miqvet të tjerë e kojshivet dhe atyne qi pvesin për mue. Lirijes e Tijes u puthi dhe faqet.
Me, 4.V.1956
Baba i yt
Sheuqet Muka
Letra nr. 28
4. 06. 1956
Fetes e Zijas e ju tjervet të dashtunvet të mi!
Në takimin e fundit, u gëzova edhe vetë tepër ashtu siç u shenduet ju qi më gjetët shend e verë, prej gëzimit qi flakroj në zemrën t’eme, kur ju pava e mësova se ju kishe të gjithvet mirë. Më besoni se prej kësaj kënaqësije qi ndishe, s’kam pasë as gjumë deri vonë mbas mesnate e, me këtë gëzim në shpirtë kalova edhe të 24-tin bajram larg jush. Uroj të ju kemë përherë mirë e mâ mirë. Urani si po shkon me kurs? Bravo i qoftë! Pres që t’a kryej me sukses, tue dalë i parë. Atëherë do të gëzohem edhe mâ shum. Po Tija e jeme si po e mbyllë klasën e fundit t’Unikes? Pres qi të më shkruej letër me dorën e vet, tue më shenue në të edhe notat qi ka fitue. Un qysh tash, po i sjelli urimet e mija, e sikur të marrë dëftesën e lirimit me nota të dallueme, sigurisht mue do të më shendojë edhe mâ tepër. Në se po kam fatin të sillem në Tiranë për operacion, do të kem mundësin me pam edhe halla Xhevan e Symen. Që të dyjave përshndetjet e mija ma të përzemërta, veçanarisht Symes, po i uroj edhe 50-vjetorin e ditlindjes qi ka më 10 t.k.m. Me këtë urim kaq të thjeshtë, s’dij a po e plotësoj dishirin e Meserretit? Edhe Lirijen e Adnanin s’po më kande me i kalue pa nji të rrokun e të puthun, të cilvet un i u shkruej e ata s’më përgjigjen. Jam gëzue q’i kishin marrë letrat e mija.
Po të merrni letër prej nipit Nazim, mos e leni pa m’a çue. M’i thoni Symes edhe në qoftë se ka qenë q’i të shkojë n’emën t‘em te zonja Luti e te Saimja, e të ju sjellë urimet e përgëzimet e mija të lirimit të Shaqirit, gjithashtu të shkojë edhe te nana e Ruzhdis e t’i bajë urimet e martesës së të birit e të së bis. Edhe vetë kalova nji grip të lehtë e’ për nj’a tri dit, më shqetsoj pak edhe ana e djathtë e vetullës. Tashti jam mirë. U gëzova për axha Elezin. Selam edhe familjes së tij. Kah gjysa e këtij moji pres Uranin të vijë. Voe, qymyr, biskota, kësajë herë mos më bini. Tija le të vijë për Bajram. Përshndetje e përqafime të gjithvet, sidomos atyne qi më kanë çue të fala. Prej Qazimit selam.
Sheuqet Ahmed Muka
Letra nr. 29
4. 11. 1956
Burrel, me 4. XI. 1956
Adnan;
Nji mi e njí shyqyre bana kur mësova prej Meserretit lajmin e bardhë qi ishe bâ mirë. Qoftë e kalueme! Për nji zemër prindi s’ka si të jetë nji sihariq ma i madh se ky. Ishe në mes të frigës kur u takova me Meserretin e, fjala mâ e parë qi i drejtova, qe si asht bâ Adnani? Telegramet e fundit më qetësuen e më freskuen shqimit. Të paçim me jetë! Edhe Zijaja, të cilin përnjiherë edhe po e falnderoj, më pat telegrafue përmirsimin t’and, por kah ishe në ditët e para të sëmundjes, un kishe arsye me qenë në marak t’andin, mbasi atë sëmundje të randë e kam pasë kalue edhe vetë njiherë gjatë jetës s’eme e i dij mirë efektet e sajë, sidomos andrrat e pandërpreme qi shifen, trishtueshëm ende sod më kujtohen. Kam marrë dy letrat e Meserretit e telegramin e Zijas. U shendova mjaft. Për Nazimin u gëzuesh tepër qi ishte rehatue, pse ishe në kasavet të tij. Edhe me shndet shyqyr kish qenë mirë. M’i çoni të fala e të puthuna prej meje si prej Jashos. Si të mos ishe qenë i sëmuet, Symja e Fetja, njena prej tyne thojshe me vedi se do t’a shoqnonin Meserretin kur do të vinte. Por tash qi po afrohet stina e dimnit s’i këqyri qi të vijnë. Bile as ju, rrokull kësajë stine, s’due qi të bâni udhëtim, veç kur të jetë koha e mirë, pse mue s’më ban dobi, po të merrni ndo’i të ftoftë a të hiqni zi. Edhe nji muej a gjashtë javë po të shtyhet pa m’u sjellë ushqimi, anima ju, s’duhet të shqetsoheni, pse ne na jep mjaft dorë edhe gjella e kazanit, e këtë porosi, due qi t’a keni gjithnji parasysh.
Urimet ma të mira Ragipit e të shoqes e, vllaut të tij e të motrave të fala. Ngushllime Hakis për vdekjen e të vëllaut. Gjithashtu edhe vëllaznit Domnori e motrat e tyne të m’i ngushlloni për vdekjen e s’amës. Edhe e ndiera Naqe m’u dhimt tejet: ka qenë e mirë e e matun, më pritte e më qitte, jo ndryshe, por si t’ishe nji djalë i sajë. Me vdekjen e sajë, un humba nji mikeshë të pazavendsueshme e të paharrueshme. Qofshin vetë! Edhe vetë jam rahat e mirë. Lutjen me ndërmjetsi të Komandës së burgut, me 2 të vazhduesit i a paraqita Gjykatës Ushtarake të Tiranës. Kam nevojë për nji këmishë, nji xhamadan leshi ose pambuku. Më sillni dhe donat, qafat e çorapvet, nji pale çorapë, pak tarhan e qepë. Më blini nji vlagë uji 3 litrash e 6 pash konop e më shkrueni sa kushtojnë. Me halla Xhevan e axha Elezin në krye, të gjithvet selam e Lirijes e Tijes i u puthi gushat e faqet, me porosi qi të m’i doni e të m’i këqyrni si me qenë vetë aty. Prej tejet pres letër e jo me ardhë. Edhe Urani mos të harrojë me më shkrue. Prej Zijas e Meserretit po qi po. Po ju rroki me shum mallë edhe juvet.
Baba i yt
Sheuqet Muka
Letra nr. 30
04. 12. 1956
Fort të dashtunat e mija; Halla Xheva, Fete e Syme;
Ishe pa marrë ende letrën e Adnanit, kur u takova me të e me Lirijen në ditën qi erdhën me më pa. Sa u mallëngjuesh. M’u bâ zemra mal prej gëzimit, kur pava Adnanin se ishte shëndoshë ma së miri e Lirijen qi ishte rritë për bukuri, thue se âsht nji perri. Që prej asaj dite, e ndava menden me ju shkrue këtë letër së bashku ju të trijave qi u kam përherë mu në zemër e u due me gjith shpirtë! Unë që të trijave, u detyrohem shum, pse ju më rritët 5 fëmit q’i i laçë si një kllukë e keqe qi lëshon zogjt e vet para kohe e, këtë mirësi do t’u a dij për nderë sa të jemë gjallë. Gëzofshi përherë at shndet të plotë qi më shprehi letra e Adnanit. Kur mësoj për ju qi u kam mirë, më njiherë më largohet mërzija qi më kapë e bahem shend e verë. Nuk di pse s’më lajmoj kësaj herë Adnani kur u këthye. Meserreti, qi më premtoj se do të më shkruente, ka ma se nji muej qi ka heshtë. Urani mâ, e ka lanë shajak, ky kur ishte ushtar më shkruente rregullisht. Pra edhe në letrën para kësaj, me të cilën i bajshe Adnanit urimet e pështimit, pata kërkue prej si qi të më kujtonte here mbas here edhe aj. Për Tijen u gëzova shum qi ndjekë Licen. Mbasi ka pasë dëshirin dhe vullnetin me vazhdue mësimet e shkollës së mesme, pres prej sajë qi të përpiqet me mësue mâ së miri, tue u tregue m’u bâ shembullore e klasës së vet si në mësime e aq ma tepër në sjellje, ashtu si i ka hije nji vajze së urtë shqiptare. Kjo i ka të gjitha konditat m’u prûe e m’u sjellë e tillë, mbasi ka edhe vëllaznit qi e ndihmojnë. Le të më shkruej pra ajo vetë nji letër pse due t’i njof shkrimin, tue më shënue përnjiheri edhe notat qi ka marrë në bimestrin e parë të këtij viti shkolluer. Kam marrë edhe letrën e Zukut të datës 15 Ndanduer, të cilit po i sjelli falnderimet e përshndetjet e mija. Uroj qi Hyrija të jetë bâ mirë. Edhe Zades me varza e dhanuer e Verit të fala. Për mue të jeni të qeta. Kamba qi kishe frigë se po më mbledhë, me kurat e bamuna n’infermëri, m’u bâ krejtë mirë. Më pat dhimtë e më qe ajë e tash shyqyr, s’kam mâ dhimë e m’âsht ulë e ba si qefulli. Le të shpresojmë në lutjen e dhanun më 2. XI. 1956 për lirimin t’em kondicionel. T’interesohet Zijaja, në ka nevojë të përfaqsohem në gjyq me ndo I advukat. Po pat mundësi, më çoni ndoi lek. Me kaq po përfundoj tue ju përqafue me mallë si juve, djelmt e varzat, axha Elezit, Ragipit, Hakas e të tjervet kush pvesë selam.
Burrel, me 4. XII. 1956
Sheuqet Muka
Letra nr. 31
2. 03. 1957
I dashtuni Meserret;
Kam marrë letrën t’ande, t’Adnanit e atë të Zijas. U gëzova shum. Edhe vetë kam qenë e jam gjithnjë mirë si me shndet si me kambë. Voj peshku s’ka nevojë të më sillni ma. Prej Uranit e Fetes prita mos po marr letër. Uroj të jenë kthye mirë nga Tirana. Më shkrueni rreth shndetit të tyne. M’u ba qejfi qi për motmotin e ri kishi pasë dy nuset e dajavet. Për Hakan nuk më bante fjalë Adnani si ka qenë. Të m’I sillni nderimet e mija, kur të shkoni m’e pa. Për Zijan m’erdh keq. Uroj t’a ketë rregullue çështjen e dugajës. Edhe për Shuajbin më ra mjaft keq që I âsht këthye e bija. Ma për hajr. Le të shkojë Symja prej anës s’eme e t’i sjellë edhe të shoqes së tij e së bijës të falat e mija. Pritshe se po më lajmoni fejesën e Aishes. M’i thue Zades qi mos të mërzitet aspak për këtë punë. Le të shpresojmë të gjindet ndo’j vend i mirë qi na dishrojmë, jo vetëm për Ishen, por edhe për Zijan e dy varzat e tjera. M’i bani shum selam prej meje, ashtu edhe Hyrijes e të shoqit. Për fejesa mos më pyetni mue. Të pëlqeni ju, âsht edhe pëlqimi i jem. Axha Elezit, të cilit po i paraqes nderimet e mija, âsht përfaqsuesi i jem në këso rastesh. Si e kam Myhsinin? M’i bani selam si këtij si të shoqes e Irfanit po i puthi të dyja faqet. Edhe Jahit e gjith tjervet qi më çuen të fala, selam. Kullës së sanës të ia keshë kujdesin. Në rasë së s’mundeni m’e riparue, uljani landën, qi mos të shembet. E marr me mend se do të jetë ligshtue. Adnani më thot në letër se âsht ba demel. Këtë gja s’due t’a ndij ma prej gojës së tij. Un s’kishem dashtë gja tjetër veç t’u bajshe edhe nji herë në moshën e t’uej. Ditë natë do t’u merrshe me punë. Kurr dielli s’do të më kishte nxanë në gjumë. Deri diku e dini edhe ju vetë si kam punue. Pra pres prej jush qi në këtë pikë të më kaloni mue. Siç ju kam shkrue edhe në letra të tjera, kohën e lirë t’a kaloni me studime. Në ditët e sodit mos me dijtë me përfitue e m’e shkue kohën e lirë kot, asht faj tejet I madh. Ju qi keni krye shërbimin ushtarak duhet t’a mbani vedin mbrenda disiplinës qi keni jetue. Të mos harroni për asnji moment se vetëm aj qi sundon vehten, triumfon si duhet në jetë…
Nexhatija nuk më shkroj as më çoj notat e bimestrit të parë. Me asnji punë tjetër, s’due qi të merret, veç me mësimet e shkollës. As mue s’due të më vijë me më pa, deri sa të kryej vitin mësimuer. U puth faqet si kësaj, si Lirijes, ashtu dhe Gjylferozës e Brahimit. Kur të vini, pa qymyr mos më leni. Sa për tjetër gja, shka t’u vijë ma kollaj. Selam që të trevet halla Xhevas, Fetes, Symes, Ragipit, Zijas, dajavet e familjevet të tyne e kush të pvesë. Lekët që më keni çue i kam marrë.
Me 2. III. 1957
Baba i juej
Sheuqet Muka
Letra nr. 32
4. 03. 1957
Motrës Fete e Uranit t’onë;
Sa herë qi pres javën qi do të vijë njeni prej jush, kapem e prekem ma tepër prej nji mallëngjimi të natyrshëm, prej nji mërzije të çuditshme sa m’e pasë e m’e marrë vedin mni! Më vjen sikur ju kam gjithnji të vegjël, njashtu siç ju kam lanë gadi para 13 vjetve, kurse sod, shyqyr ju kam të treve burra si shkambij prej graniti, të kalitun e të farktuem në shkollë, të stërvitun e të regjun n’ushtri. Por edhe kjo e përkohshme mërzi e shkretë e ka nji farë soji arsyen e vet. Kurr s’më âsht përshkue ndër mend se vet gjatë jetës s’eme, do t’u bajshe ndonji ditë nji parasid sa me u bâm barrë tjervet vite me rradhë, kështu qi kah e shof sod vedin në këtë gjendje, trazohem e sekletisem aq tepër sa mërrij me thanë se s’jam gjallë, veçse bâj kot hije mbi tokë. Kështu paska qenë fati i lig i jemi, nëpërmes meje edhe i jueji, kah po u takon me hjekë keq, tue m’ ardhë rreth! Telegrami i mërritjes s’uej shndosh e mirë te shpija më gëzoj tepër. Ju paça mirë përherë të gjithvet. Edhe vetë shyqyr jam mirë. Le të shpresojmë të sillem së shpejti në Tiranë për operacion. Sod u muer emni i jem në shënim. Kur të nisem ju telegrafoj. Nexhatija s’më çoj notat e bimestrit të parë. Ani. Un pra në mojin tjetër do t’I sjelli urimet e ditlindjes si kësajë, si të Lirijes së mire qi erdh me më pa. Pardje kam apelue kërkesën e lirimit kondicional pranë gjykatës së Lartë. Kësaj here deshta t’i shkruej vet Qirjakos, por s’m’u ba pa ju shkru juvet. Le t’i shkruej pra Symja prej meje, sa me vue në dijeni për lutjen e apelit e me këtë rast t’I sillni edhe përshndetjet e mija. Ushqimin m’a sillni nji a dy dit para Ramazanit, në rast se s’merrni lajm qi u nisa për Tiranë. Edhe pak qymyr e kartuç të hollë për me ba nji kuti për ushqimet. Letrën e fundit të Nazimit, qi më shkruente Adnani s’ma keni çue. Gjyslykët më janë këputë rrânzës së hundës e, në se nuk mundem m’I ndreqë këtu, tash jua ap kur të vini, për me i ngjitë. Selam Xhevas, Symes, juvet, Meserretit, Adnanit, axha Elezit, Ragipit, Zijas, Vishos e familjevet të tyne, Danit, Qazimit e gjith tjervet. Lirijes e Tijes u puthi gushë e faqe. Osmanit e Abdullahit i u thoni për duhan dhe u bani selam.
Me 4. III. 1957
Vëllau dhe baba i juej
Sheuqet Muka
Letra nr. 33
1957
Dy të dashtunave burbuqeve të mija;
Të cilat i kam ma të bukura se gonxhet e drandofilles, me anë të kësaj letre po u sjelli me plot gojë e zemër urimet e ditëlindëjes. Siç e dini tashma edhe ju vetë, un ç’prej nji kohe tejet të gjatë, jetoj një nji atmosferë vetmije, larg gjinit të pastër familjar prej të cilit s’ m’ âsht ba kurr që të ndahem e të largohem për qejf makar qoftë edhe për nji minutë, kuer ishe i lirë ashtu siç ju kam fatbardhsisht juvet sod. Përveç erës së liris, s’ka erë ma t’ambël e të shijshme se ajo e rrethit të familjes, së cilës s’i përngjet asnji kënaqsi e shije tjetër në këtë botë, sado e vlefshme e e çmueshme që ajo të jetë. Sikuer t’ ishe para kësaj dileme: a don të jeshë I pari i dheut a të jetojsh pranë familjes, un pa nji pa dy do të hiqshe dorë prej së parës e do të zgjedhshe qindrimin tem në prehnin e familjes, ku njeriu lined e rritet, zinë e fërgohet. Ndonse sod vetë gjindem me kilometra larg jush, anima këtë duhet t’a dini mirë se erën tuej, për të cilën jam tepër i etshëm t’a shijoj me shqiset e jashme të trupit tem, prap se prap këtë e ndiej thellë tepër sa në trup aq në shpirtë. Mos m’a merrni për të tepërt kahë të shprehem se këjo erë e pashoqe e e pashembullt më dhuron nji galdim të papërshkrueshëm përnjiherë dhe më mban gjallë e më përtrin shëndet e jetë. Sidomos kuer vijnë e afrohen muejt e ditëlindëjes suej, shpirti i em me mendje e zemër bashkë me njiherë fluturon atje ndër jue e ju përkëdhelë, pa muejt me pa njenitjetrin me sye. Ky muej i prandverës së bardhë qi âsht i jueji, mueji Majë, Gusht e Tetuer qi janë muejt e bukur e t’ambël të vllazënvet tuej e aj i Kallnorit, I të vetmit nipit tem, për të cilin, nga malli që më ka marrë, më dridhet buza për buzë, un atëherë aq I lumtun vij e bahem sa për nji çast s’e ndiej ma vedin se jam në burg, por afër jush, midis jush. M’i pritëshi pra ditë- lindëjet tueja përherë shend e verë, i kremtofshi ato me atë shpirtë e zemër që po njelli vetë, mu bafshi edhe ma të mira e ma t’urta se ju kam sod, e kalofshi gjithë jetën tuej gjithëmonë në gëzime e në hare e mos pësofshi kurr trazime e turbullime në jetën tuej. Me kët rast të mallëngjyeshëm të gjithëve ju falem me shëndet e ju uroj edhe Ramazanin.
Burrel, 1 Prillë 1957
Ju puthi me mallë
Baba i juej
Sheuqet Muka
Letra nr. 34
3. 06. 1957
Fort i dashtuni Meserret;
Kam marrë letrën e Adnanit, kartpostalin t’and dhe letrën e Zijas. U gëzova shum qi ishi mirë. Edhe vetë jam mirë e kam gjithnji shpresë se shkoj në Tiranë për operacion. Përsa i përket fejesës së Lirijes e t’Aishes un, veç aprovimit, s’kam çë të ju tham. Dy djelmt e parë nuk i njof, të tretin e njof, po për të cilin s’mund të ju baj asnji observacion. Megjith këtë, ju jeni të lirë me veprue ashtu si t’a pëlqeni, mjaft qi të mendoheni mirë e t’i fejoni ndër vende të mira qi t’gëzojnë jetën e tyne e të trashigohen. Para së gjithash, âsht kusht i domosdoshëm qi djali të jetë i mirë, i shndoshtë e të ketë nji mjeshtri. Në se ju, jeni nji fjale i epni fund pa qenë nevoja me marrë fjalë tjetër prej mejet. Me qenë ju, të gjithi nji mendimi, âsht dishiri i jemi I plotë. Përndryshe, e shtyni deri në takimin qi të bani me mue në se puna pret. Edhe nji porosi.
Fejesat janë shum delikate. Prandaj duhet të jeni shum të matun e të rezervuem. Gjith ata qi duen të lidhin krushqi, duhen konsiderue se janë ma të mirë se na e të mirren në gojë me nderim. Në këto dit do të baj prap lutjen për lirim kondicjonel. S’ka nevojë për kopjen e fletë akuzës qi i paç thanë Adnanit. Nazimit kur t’i shkrueni m’I puthni faqet prej mejet, i çoni selam edhe i thoni se jam mirë e më ka marrë malli mjaft për të. Myzit, do t’ia çoj letrën e bukur qi kam gatue për të në mojin tjetër. Konopi në qoftë shtrejt, mos e bini. Rrypi më hini në punë mjaftë me gjithse na u këputte shpesh; por e lidhshim, sado qi u shkurtue na mjaftoj, se pusi kishe uj shum. Mbase shkojmë edhe pak ditë me të. Kah java e fundit të këtij moji ose në fillim të mojit tjetër, po patët mundësi le të vijë njeni prej jush me më sjellë ushqimin. Nexhatija mos të vijë, pse rruga âsht e largtë e lodhet. Prej sajë pres vetëm letër, tue më diftue si asht nda me shkollë. Po uroj t’i ketë mbyllë me sukses vitin shkolluer. Për axha Elezin u shendova qi i kanë ardhë veshët. Halla Xhevas, Fetes, Symes, Hakas t’ande, Zijas me motra, Ragipit me të gjith, dajavet e tezevet, Elez Barbullushit, Domnorvet, Tahirit e gjith kojshivet e atyne qi pvesin e veçanarisht Qazim Hoxhës, Hamitit, Myhsinit selam. Lirijes, Nexhatijes e Irfanit u puthi faqet.
Sheuqet Muka
Letra nr. 35
4. 09. 1957
Dy shpirtnave të mi: motrës Fete e Tijes s’onë;
Kur sytë e mi u ndriçuen me ju të dyjavet ditën e takimit, m’u ba se dola në nji botë tjetër, n’atë botë të lirë, qi keni fatin me gëzue ju qi jeni jashtë e e shijoni me të tana të mirat e jetës qi ajo ka në vetvedi. Sikur Tija të mos ishe me ty, un s’do t’u besojshe me njiherë syvet për me thanë se ajo âsht vajza e jeme e vogël qi kam lanë para 13 vjetve në shpí! Ishte rritë e ba e madhe, tamam ashtu siç m’a ka përshkrue Adnani në nji letër të veten. Megjithse s’e pritshe, prap m’u ba qejfi qi e kishe marrë me vedi, pse jam i bindun se sikur mue për të, ashtu edhe atë e ka pasë marrë malli qi të më shifte mue. Epo sikur të më përgjigjej me nji po, kur e pveta se a ka kalu klasë, do të më gëzojshi edhe ma tepër. Tija duhet t’i ngjajë t’et, përsa i përket zellit në shkollë. Un megjithqi mësimet e mesme i kam ba në gjuhë të huej, jo ma qi s’kam mbetë ndonjiherë në klasë, por kam kalue përherë, tue dalë përnjiheri edhe si i parë o i dytë. Sikur mos t’ishe qenë arsimtar, do t’ishe çuditë po të më thonte ndokush se studentet a studentët mbesin në klasë, kur ata t’i kenë ba edhe mësimet në gjuhë të vet. Gjatë kohës së shkollës, sidomos nji studenteje i ka hije m’u përqendrue vetëm e vetëm në kujdesin e mësimevet, për me dashtë me qenë e pajueme me stolin ma të çmueshme të kësaj jete. Çdo gja tjetër ka kohën e vet. Pra pres prej teje, o Tija e jeme e
dashtun, të keshë dishirë të zjarrtë për mësime, e me kaq po t’uroj sukses për vitin e ri mësimuer qi keni nisë. Megjithse takimit i u banë plot tri javë, veç telegramit të Meserretit e nji kartpostali të Zijas, prej jush s’kam pasë letër. Pritshe prej Uranit se do të më përgjegjte për urimet e ditë- lindjes q’i bana. Po uroj të ju kemë mirë të gjithvet. E dij sa jeni të marrun me punë, por nji kartpostal nuk sjellë pengesë sikur të m’a çoni, mbasi un me aq kishte me mjaftue për m’ u qetësue se ju kam mirë. Dita ditës pres se siellem në Tiranë për operacion.
Prandaj gjatë këtij moji mos më bini ushqim. Kishe me qenë i mendimit m’e e shty edhe ma, në rasë se s’ju telegrafoj. Fandelën e hollë të leshit që i u kërkova, e kishe pasë këtu. Të fala shumë halla Xhevas, Hakas, Zades, Symes e Lirijes. Gjithashtu djemvet, Zijas, Ragipit, axha Elezit, Vishos e familjevet të tyne. Edhe Hamidit, Danit e Qazimit, Barbullushit, Domnorvet, kojshivet të mëhallës e të dugajës e gjith tjervet qi pvesin për mue. Për qymyr s’kam nevojë.
Ju rrokë e ju puthë me shum mallë, vllau dhe baba i juej. /Memorie.al
Sheuqet Muka
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016