NIKOLLË LOKA
Av. ALFDRED DUKA
NIKOLIN KURTI
Pjesa e tridhjetë e dy
-VRASJA E PARALAJMËRUAR E NJË KLERIKU RILINDËS –
Memorie.al / Përpara se të fillojmë të analizojmë përciptazi dosjen hetimore e gjyqësore në ngarkim të pandehurit Shtjefën Kurti e të tjerë, për lexuesin do të bëjmë një parantezë të të drejtës dhe historisë se saj në shoqërinë njerëzore, me qëllimin e përqendruar për të ardhur tek e drejta jonë penale e procedurale, që në fillimet e saj dhe përgjatë viteve të diktaturës.
Një rishqyrtim i gjykimit të parë, për të kuptuar gjyqin e dytë
Shuma e vjedhjeve të kryera përgjatë viteve 1962 deri në vitin 1970, sipas akuzës është në vlerën 5.900 lekë, apo pesëdhjetë e nëntë mijë lekë të vjetra!!! Kjo shumë e ka “minuar” kooperativën e Gurëzit!!! Këto vjedhje janë sabotim!!! Për këto vjedhje që quhen sabotim, kanë dhënë një dënim me vdekje, me pushkatim dhe me pesë vjet heqje të drejtash elektorale pas pushkatimit! (O zot, ne ankohemi se çfarë na kanë bërë turqit osmane, grekët, serbët, gjermanët e italianët!!!), 72 vjet burg për pesë të gjykuarit e tjerë, si dhe me nga 3 vjet për secilin heqje të drejtës elektorale, pas vuajtjes së dënimit!
Në respekt të lexuesit, nuk do të bëj asnjë koment në lidhje me dy paragrafët në vijim, lexuesi do të kuptoje vetë kontradiktat e tyre, të cilat janë aq të rënda dhe flagrante, sa që këdo e sjellin në dyshimin se përfaqësuesi i akuzës, mund të mos ketë qenë mirë nga pikëpamja psikike, për shkak të lejimit të aq shumë gafave të rënda në një faqe të vetme të pretencës së tij të famshme. Por, nuk kemi të bëjmë me këtë fenomen, pasi më pas këto “çmenduri”, si vera bëhen dimër, pastaj darka programatike për sabotimin e kooperativës në fund të vitit 1969, i paska ndërprerë vjedhjet, për pasoje edhe sabotimin, e me radhë, shndërrohen në vendime gjykate dhe asaj të Lartës fare, madje pa përjashtuar Presidiumin e Kuvendit Popullor! Te kenë qenë të gjithë! Ta shohim! Ja se si:
“… Shkallёn mё tё lartё veprimtaria armiqёsore e kёtyre tё pandehurve e arriti nёn drejtimin e tё pandehurit Shtjefёn Kurti gjatё vitit 1969. Nё verёn e vitit 1969, i pandehuri Shtjefёn Kurti, Zef Nishi Pjetёr Biba takohen nё dhomёn e tё pandehurit Shtjefёn, ku zhvillojnё qё tё tre biseda me karakter armiqёsore si pёr rrёzimin e pushtetit e tё tjera. Nё kёto raste i pandehuri Shtjefёn vjen nё dijeni tё vjedhjeve qё zhvillonte Zef Nishi me Pjetёr Bibёn dhe nё pёrfundim tё bisedёs, i ka thёnё tё pandehurve tё tjerё, qё: vidhni, se vidhni djersёn tuaj. I pandehuri Pjetёr Biba shpjegon nё verёn e vitit 1969, nё fund tё bisedave tona, Shtjefёni tha: vidhni se merrni djersёn tuaj. Unё mё parё, – thotё i pandehuri, – i kisha shpjeguar Shtjefёnit se me Zef Nishin vidhnim. Nё lidhje me kёtё i pandehuri Shtjefёn Kurti tha: Unё i thashё Zef Nishit qё ёshtё mirё mё dalё me vjedh, kёshtu qё pakёsohen tё ardhurat e popullit e, populli tё ngrej krye e tё shkatёrrojё kooperativёn, bile tё ngreni dhe tё tjerё pёr tё vjedhur.
Nё fundin e vitit 1969, nё darkёn e organizuar me pjesёmarrjen e tё pandehurve: Shtjefёn Kurti, Mark Marku, Zef Nishi e Pjetёr Biba, ku kanё asistuar pёr njё kohё dhe Davë e Prena Biba, pёrveç bisedave pёr rrёzimin e pushtetit, pёr arratisje jashtё shtetit e tё tjera, ёshtё thёnё nga i pandehuri Shtjefёn qё: tё vidhnin me qёllim qё tё bёhen njerёzit e pakёnaqur, tё ulet vlera e ditёs sё punёs, tё ngrihen njerёzit nё revoltё pёr shkatёrrimin e kooperativёs. Edhe pas kёsaj, – shpjegojnё tё pandehurit: Mark Marku, Zef Nishi e Pjetёr Biba, ne i vijuam vjedhjet pёr tё realizuar kёtё porosi. Bisedat e zhvilluara nё kёtё darkё veç tё katёr tё pandehurve, i shpjegojnё edhe dёshmitarёt Dava e Prena Biba”.
Pak më poshtë vijon: “…Ne mendojmё se pohimet e tё pandehurve Agostin Preçi dhe Mark Marku, janё plotёsisht tё besueshme duke mbajtur parasysh kёtё qёndrim pendues dhe tё sinqertё tё kёtyre dy tё pandehurve, si dhe qёndrimin mohues qё ka mbajtur i pandehuri Fran Ndoci pёr kёtё akuzё. Fakti se mbas vitit 1968, tё tre tё pandehurit nuk kanё kryer me veprime tё kёsaj natyre nuk duhet tё shёrbejё si argument pёr tё rrёzuar kёtё akuzё, sepse siç shpjegojnё tё pandehurit ata u ndanё nga njёri tjetri dhe nuk i’u dha mundёsia pёr tё vepruar bashkarisht.
Fajёsia nё ngarkim tё tё pandehurve: Shtjefёn Kurti, Mark Marku, Agustin Preçi, Pjetёr Biba, Zef Nishi dhe Fran Ndoci, pёr akuzёn e neneve 72 dhe 73 tё K. Penal, vёrtetohen me pohimet e tyre tё bёra nё hetuesi dhe gjykatё, me atribuimet e njёri tjetrit, si dhe me dёshmitarёt e pyetur nё kёtё drejtim. Edhe akuza nё drejtim tё pandehurit Ndue Leti, sipas neneve 73/1,80/1 dhe 285/2 të Kodit Penal, vёrtetohen me pohimet e bёra prej tij nё hetuesi, me atribuimet e tё pandehureve: Mark Marku, Pjetёr Biba, Zef Nishi, Fran Ndoci si dhe me shpjegimet e dёshmitarёve: Bajram Cefi, Pashk Miri, Gjok Nika, Martin Rroku e tё tjerё, me proçes-verbalin e kontrollit tё banesёs, si dhe me dokumentin e datёs 28/11/1969”.
Me “veprimet” e më poshtme, “provohet veprimtaria e sabotimit »! Po me çfarë? Ligji procedural penal i kohës, kërkonte detyrimisht që veprimtari të kësaj natyre, duheshin provuar me një akt ekspertimi, nga ekspertë të fushës, të cilët të kishin njohuri të nivelit të ekspertizës! Megjithatë, nëse do t’i marrim të mirëqena të gjitha këto veprime të të pandehurve, në asnjë mënyrë nuk kemi të bëjmë me elementë të veprës penale, të sabotimit, por me një vepër tjetër penale, atë të parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal të kohës, dispozitë e cila parashikon se: “Shkatërrimi, ose dëmtimi me dashje i pasurisë shtetërore dhe shoqërore, kur vepra nuk formon krim kundër shtetit, dënohet me heqje të lirisë gjerë në pesë vjet. Po këto vepra, kur kryhen me zjarr, ose me mjet tjetër që sjellë rrezik të përbashkët, ose kur shkaktojnë një dëm të madh, ose pasoja të tjera të rënda dënohen, me heqje të lirisë nga pesë, gjerë në pesëmbëdhjetë vjet, me ose pa konfiskim të pasurisë dhe kur ka pasoja veçanërisht të rënda edhe me vdekje”.
Prej çdokujt kuptohet se në asnjë prej formave të anës objektive të veprimeve të këtyre të pandehurve, nuk kemi asnjë lloj element të veprës penale të sabotimit. Prokurori dhe gjykatat me të “çmendura”, këto veprime mund t’i kualifikonin sipas nenit 85, paragrafi i parë i Kodit Penal të kohës, i cili kishte për marzhe maksimal dënimi pesë vjet heqje lirie.
Më poshtë vijmë te paragrafi i famshëm i sabotimit!!! “…Nё vitin 1968, tё pandehurit: Mark Marku, Agostin Preçi dhe Fran Ndoci, pasi mё parё kishin zhvilluar midis tyre veprimtari armiqёsore nё formёn e agjitacionit dhe propagandёs, duke qenё tё lidhur qё nga viti 1968, me tё pandehurin Shtjefën Kurti, bisedojnё me njёri tjetrin, qё me qёllim pёr tё sabotuar, tё kryejnё punime tё dobёta nё kooperativёn bujqёsore. I pandehuri Agostin Preçi, ka shpjeguar: “Unё, Mark Marku dhe Fran Ndoci, biseduam nё vitin 1968 qё tё punojmё keq nё kooperativё, pёr shkatёrrimin e saj. Pёr kёtё qёllim, – thotё i pandehuri Agostin, – ne kur punonim nё shpёrndarjen e plehut, me qёllim qё tё pengonim e linim traktorin pa punё, linim njё pjesё tё plehut kimik pa shpёrndarё. Gjithashtu, – thotё i pandehuri Agosti, – kur punonim me prashitjen e misrit, tё tre sё bashku me qёllim sabotimi hiqnim bimёt e shёndosha dhe linim ato tё dobёtat.”
Ky është thelbi konkludiv i mënyrës së kryerjes së sabotimit, për të cilin janë dhënë një dënim me vdekje, me pushkatim dhe me pesë vjet heqje të drejtash elektorale pas pushkatimit, 72 vjet burg për pesë të gjykuarit e tjerë, si dhe me nga 3 vjet për secilin heqje të drejte elektorale, pas vuajtjes së dënimit!
Dëshmitarë në gjyq kundër Shtjefën Kurtit
Në procesin gjyqësor u paraqitën 40 dëshmitarë.
R A P O R T
“Gjatë kohës që kam qëndruar me një dhomë me të quajturin Shqefën Kurti në lidhje me akuzën që i bëhet më thotë: Unë, thotë Shqefni, është e vërtetë se kam organizuar vjedhjet edhe për të bërë sabotime, por këta qenë të fortë dhe na zbuluan. Mue, – thotë Shqefni, shumë herë më caktonin në depot e kooperativës për të bërë pastrim, por këtu mbushja thasët me misër, groshë, grurë etj. Gjatë kohës që punoja këtu, merrja groshë dhe i fshehja jashtë magazinës dhe natën vija i merrja e i shpija në shtëpi, i përzija misër dhe groshë bashkë, sikur i kishin hëngër minjtë dhe i hidhja jashtë me bidonë në plehra. Vazhdimisht në shtëpi ku banoja, u kam dhanë groshë për të gatuar Davës, vajza e të zotit të shtëpisë, që më sillte edhe mua, mbasi unë nuk gatuaja vetë. Magazinjeri, të cilin më përpara unë e kam pasur punëtor në shtëpinë time, më ka dashur shumë. Kam biseduar me të gjerë e gjatë për fenë që e prishën, pse këta janë pa fe, i tregoja lajmet që dëgjoja në emisionet e huaja dhe ai ishte dakord për të gjitha, por vazhdimisht më thoshte: Bëj kujdes, mos bisedo më këdo se të fusin në burg! Këtij magazinier unë i kam falur edhe një orë xhepi të markës ‘Omega’, që akoma e ka ai. Kur unë lija punën në darkë, më pyeste për çfarë ke nevoje dhe vazhdimisht më jepte ndonjë send nga magazina. Një ditë magazinieri më tha se nga magazina e kooperativës, i kam dhënë sekretarit të Partisë kur u martua vajza, vaj ulliri, vezë, groshë pa lekë dhe as që i pagoi fare.
Me Luigj Prekën, dhe ky qe djalë shumë i mirë,- thotë Shqefni, – kam biseduar vazhdimisht, në lidhje me kooperativën, se marrim pak lekë, punojmë gjithë ditën dhe për të ngrënë po vuajmë. Për fenë vazhdimisht kemi folur që këta në shekullin e XX-të prishen kishat.
Po pse nuk e heq kryqin, më kishte thanë ai. Unë nuk e heq pse jam njeriu i Krishtit. Kemi me e lavdërue Krishtin thotë Shqefni, se këtu në Shqipëri këta nuk e kanë të gjatë. I kam treguar Luigjit lajmet që japin radiot e huaja dhe ai, Luigji, i aprovonte të gjitha. Një ditë duke biseduar me Luigjin, vjen Zef Arsi, i kunati i Luigjit, i cili ka qenë kryetar kooperative më përpara, tash agronom dhe unë ja shkela me sy Luigjit që të mos bisedonin të tilla fjalë, por Luigji tha që mos ke frikë nga Zefi or Pater, se është i joni dhe biseduam vetëm për fenë, pikërisht çfarë thue ti, më tha Zefi, or Shqefën dhe unë vazhdova të bisedoja ato që dija, ato që thotë Krishti.
Jam takuar edhe herë të tjera me Zef Arsin, i cili u interesua që të më vinin në ndonjë punë të lehtë në Kooperativë.
Një ditë, – thotë Shqefni, – u takova me Preng Fran Dacin, u përshëndeta me të, dhe thotë të kam ardhur në shtëpi, por nuk të gjeta, mbasi kam ca punë, dhe filloi të më pyes se si s’bëhet puna, mbasi kishte një fëmijë dhe donte me e pagëzue dhe unë rashë dakord, mbasi ashtu thotë Krishti. Frani thotë që këtë punë ta bëjmë mes nesh, të mos na e marrë vesh njeri. U ulëm në një vend me Franin dhe biseduam gjerë e gjatë, folëm për fenë-për kishat që i prishën, mbi lekët që ka përdorur dhe na jepte pak shteti. Frani ishte dakord mbi të gjitha. Më tha se: si mendon ti Patër Shqefni, bajnë këta që kanë fuqinë në dorë dhe i thashë: Kurdo që punon, mos puno mirë për këto kooperativa, nuk janë për ne. I thashë kur të kesh rastin merr nga kooperativa se nuk bën gjynah. Zoti të fal për çdo gjë i thashë dhe hajde e rrëfeu me mue që të lash gjynahet.
Në shtëpinë teme, – thot Shqefni, – natë për natë mblidheshim bënim muhabet dëgjonim radion si: Pjetri, Zefi, Prena, Dava etj. Një ditë, – thotë Shqefni, – dëgjova në radio Zërin e Amerikës që vajza e Stalinit qenka në Amerikë dhe është bërë shtetase amerikane. Ajo thotë paska shkrue një libër gjatë gjithë veprimtarisë 40 vjeçare të Bashkimit Sovjetik, ku shkruan mbi Stalinin dhe më në fund thotë se, vjetët e fundit Stalini ishte bërë si i çmendur, nuk është më në vete, ishte bërë matuf dhe me njerëzit e shpisë së vet, nuk bisedonte fare. Këto gjëra i ka shkruar vajza e Stalinit në një libër.
Këta të hetuesisë, – thotë Shqefni, – më kërkojnë me insistim për një libër që unë e kam përkthyer kundër doktrinës komuniste, por unë e kam djegur. Ata deri diku më kanë besuar, por vazhdimisht ma përmendin, pasi atë që e dinë dy vetë, duhet që këtyre t’ua thuash së pari, kurse ato që i di vetëm unë, do mundohem që mos t’u them gjë. E di se do të më torturojnë por, pres se si do përfundojë.
Shqefni thot, se vëllai i Luigjit, Nush Preka, ka vjedhur shumë, sidomos kur ka qenë kryetar Zefi dhe tash ai atë punë po e vazhdonte por, ka patur rast të mirë Nushi, mbasi i furnizonte Luigji. Këtë ma ka thënë Pjetri, që ata po vjedhin dhe ditën jo natën, por janë shumë të vendosur, nuk besoj të tregojnë.
Këta të hetuesisë kërkojnë nga unë, se mos unë kam përdorur Prenën ose Daven, por unë këtë gjë nuk e pranoj, – thotë Shqefni.
Me Pater Doçin, ka biseduar vazhdimisht, kur e ka takuar. Ai e ka këshilluar të ketë kujdes, të mos bisedojë me këdo kundra qeverisë ose gjë më të vogël, po ashtu edhe me Pater Troshanin, ka bisedue kundra Partisë dhe pushtetit, për fenë, kishat. Të mundohesh, – i ka thënë Patër Troshani, sa të kesh mundësi, t’i ndihmosh njerëzit e pakënaqur, sidomos në lidhje me fenë, me kishat.
R A P O R T
Prej datës 24 deri me datën 26/8/1970, që kam qenë me të quajturin Dom Shqefni, ai më ka thënë këto gjëra:
Jam i arrestuar, pse unë kam shtyrë disa fshatarë në katundin Gurëz, ku unë banoj që, të vjedhin mallin e kooperativës, të cilët e kanë vjedhur, në muajin janar të vitit në vazhdim, në shtëpinë ku banoj unë, jemi mbledhur një natë, kemi bë një darkë, vetëm kanë qenë pjesëtarët e familjes dhe Bardhoku. Aty unë u kam folur për të vjedhur sa më shumë në kooperativë, të sabotojnë, u fola mbi situatën që ndodhet Shqipëria, u komentova lajmet që japin radiot e huaja, në lidhje me Shqipërinë e tjera. Vazhdimisht, – thotë Shqefni, unë kam folur me familjen ku banoja, sidomos me të zotin e shpis, për të ardhmen tonë, mbas regjimit të pushtetit popullor. Prenës së Bibës, i kam thanë se do të vije dita jonë. Enverin do ta çojmë qytet më qytet, për të dhanë llogari dhe për ta tërheq zvarrë; Davës se, do ta dërgoj në Itali për ta bë murgeshë.
Kam përkthye një libër nga italishtja në shqip kundra doktrinës komuniste. Këtë e ka ditë vetëm vajza e të zotit të shtëpisë. Ajo u ka thanë këtyre por, unë nuk ju japë gjë. Këtyre u kam thanë se librin, i’a kam dhanë Dom Mark Dushit. Materialet e tjera që i kam pas, i kam djeg.
Në shtëpi, – thotë Shqefni, vazhdimisht më kanë ardh si gra dhe burra, vazhdimisht më ka ardh e shoqja e Llesh Mirit, të cilën e njoh para se t’i pushkatonin burrin. Me atë kam fol ma parë, mbasi burri i saj ka qenë një nacionalist i mirë. E kam ndihmue atë grue me sa kam pas mundësi. Kanë ardh gra që janë rrëfye ose, kanë kërkue të venë kunorë për martesë. Unë te njerëzit që kam pas besim ma shumë, u’a kam plotësue dëshirat që kanë pas.
Me burrin e Prena Bibës që asht dënue nji vit, kam patur vazhdimisht muhabet, kemi dëgjue radion në emisione të ndryshme. I’a mbusha mendjen për të marrë një grua tjetër, mbasi nuk bënte fëmijë. Prena dhe ai ma dëgjuen fjalën, si njeriu i Krishtit. Unë thotë Shqefni, – jam nacionalist, doktrinën komuniste nuk e due dhe këtë gja u’a kam bë të qartë të gjithë familjeve të nacionalistëve që kanë ardh në shtëpi. Këta na prishën kishat në shekullin e xx-të; këta na e morën në qafë popullin.
Me mijëra nacionalistë i kanë pushkatuar dhe internuar. Unë thotë Shqefni, para se të futesha në burg herën e parë, jam takuar me Shefin e Misionit Amerikan në Tiranë, më ka furnizuar me se kam pas nevojë, bile m’u lutën që të më merrnin në Amerikë, por unë nuk desha me shkue. Këta më thanë kush të ka ardh në shpi dhe nëse ke fol kundra pushtetit, por unë nuk do të tregoj pse, katundarët mua ma kanë puth dorën dhe unë t’u baj të këqija! Ata kanë pas besim te unë për çdo gjë dhe unë nuk mund t’u sjell telashe. Unë, – thotë Shqefni, jam njeriu i Krishtit dhe do të vdes me emrin e tij dhe këta nuk do ta kenë të gjatë, se janë të përkohshëm, vetëm Zoti asht gjë tjetër, i përhershëm.
Shumë frikë ka vetëm nga Prena Biba dhe vajza e të zotit të shtëpisë, pse ato e dinë çdo gjë, kush i vinte në shpi dhe me kënd ka bisedue gjerë e gjatë, mbasi për natë, në dhomën e Shqefnit mblidheshin, dëgjonin radion, sidomos italiane dhe Shqefni u bënte komentet se si jetohet atje, ku populli asht i lirë të flasë, mbasi partitë politike atje janë të pavarura nga shteti.
Shqefni në Tiranë ka ca nipa dhe ka frikë shumë se mos hetuesi ka vajt në shpinë e tyre, i ka pyet, mbasi Shqefni ka jetue në shtëpinë e tyre vazhdimisht. Njani nga nipat asht shofer taksie.
Këta, d.m.th., hetuesi më ka pyet se me cilët fretën ke bisedue dhe çfarë lidhje ke me ta. Unë nuk i them gjë, se këta ne priftërinjve katolikë duen të na shfarosin të gjithëve, se na e kanë frikën, na me fjalë dhe këta me dhunë, por prap na e kanë frikën. Thonë se jemi të fortë. Bashkimi Sovjetik mbas 40 vjet e ndërroi rrugën dhe filloi të blejë grurë në Amerikë dhe në Danimarkë dhe jeton me bukë dhe kripë. Unë këto gjana ja kam bë të qartë çdo personi që më ka ardh në shtëpi, pse jam nacionalist dhe Krishti na mëson që ti themi popullit të vërtetat që thotë Zoti dhe jo atë të vërtetë që gënjen. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016