Nga Sokrat Shyti
Pjesa e dyzetedy
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
“Në të vërtetë, përveç disa gjuhëtarëve të shquar, që me punën e tyre shumëvjeçare studimore meritojnë vlerësime, ka të tjerë me tituj të lartë që bëjnë përpjekje të renditen në një radhë me këta, kur janë në fillesat e tyre. Pikërisht kjo kategori të përkëdhelurish, vendosen në poste drejtuese shkencore! Pothuaj i njëjti kriter ndiqet për caktimin e hierarkisë nëpër instancat e dikastereve.
Sado bëhet shumë zhurmë për vlerësimet sipas meritave, në të vërtete ngjiten në poste drejtuese të përkëdhelurit e njerëzve të fuqishëm, dhe shpërfillen në mjaft raste të aftët e talentuar. E njëjta dukuri si në proceset gjyqësore: kur në përbërjen e trupit gjykues s’ka juristë të aftë, vendimet dalin vetvetiu me mjaft mangësi dhe të pasaktë. Po kështu dhe në organin e akuzës, gabimet e kanë burimin tek paaftësia dhe mefshtësia e stafit drejtues. Në përgjithësi, me disa përjashtime shumë të rralla, ne juristët fillojmë të flasim e nuk dimë të mbarojmë. E di pse ndodh kjo dukuri?
Sepse ne ushqehemi vazhdimisht me nene e ligje të gatshme, rrallë mendojmë. Tani që i mbarova ato çfarë kisha ndërmend, po të drejtoj pyetjen, të cilën duhet ta kisha bërë në fillim: si e priti vjehrra lajmin e thirrjes ushtar”? – shtoi ai befas pas këtij leksioni te stërzgjatur.
– “Natyrshëm u dëshpërua. Dhe shprehu dyshimin se këtë e kanë sajuar keqdashësit tanë”, – iu përgjigja unë.
– “Dyshim i drejtë dhe i saktë”, – pohoi ai.
– “Pastaj mua më bëri pyetjen: pse u kujtuan tani, pas tre vjetësh, dhe s’të ngritën ushtar kur erdhe në rrethin e Lushnjes”?
– “E shikon çfarë nuhatje ka populli? Edhe pse s’e dinë që ligjërisht të internuarit nuk i lejohet të kryejë shërbimin në strukturën e Forcave të Armatosura, prapë e shfaqin dyshimin për kohën, pse nuk të thirrën para tre vjetëve, kur ishe më i ri, por tani…?! Dhe ti si iu përgjigje”?
– “Kështu e kanë planifikuar. Vetëm ata e dinë. Çfarë t’i thosha tjetër”?…
– “Kur nuk jemi në gjendje të japim sqarime ne, që merremi ditë e natë me ligje, vaj halli njerëzit e thjeshtë, sa të vështirë e kanë të përballojnë e përtypin shqetësimin e dhimbjes dhe poshtërimit. Prandaj tërë arsyetimi i tyre, vërtitet gjithnjë rreth dëshpërimit…”, – i dha fund shtjellimit të tij prokuror Bardhi.
– “Çfarë sajesa të poshtra u pjellë mendja njerëzve të ligj! Dhe ndjejnë kënaqësi kur të tjerëve u dhemb zemra e shpirti”?!
– “Pse ka kaq përhapje të gjerë ligësia njerëzore”?!… ia ktheva unë me pyetje retorike.
– “Sepse këtë përbërje sinetike ka shoqëria jonë njerëzore”, – u përgjigj në çast prokuror Bardhi
– “Ndaj kështu ka për të vazhduar…”!
Pas këtij shpjegimi të hollësishëm, e mblodha përfundimisht mendjen, se asnjë përpjekje nuk më shpëton nga kryerja e shërbimit ushtarak të detyruar, me gjithë që thirrja realisht quhet e kundërligjshme! Kjo do të thotë që askush nuk më ndihmon dot, përfshire dhe bamirësin tim me pushtet të fuqishëm. Sipas të gjithë arsyetimeve, po të mos kish patur ngacmime nga kreu i pushtetit të rrethit, nën shtysën hakmarrëse kundër autoritetit të sekretarit të parë të Komitetit të Partisë, Dega Ushtarake s’do t’i futej këtij veprimi, pa u siguruar më parë që nuk i sillte pasoja të hidhura më vonë.
Ndërsa tani, pas marrjes së vendimit nga Ministria e Mbrojtjes, vetëm një forcë madhore e fuqishme në majën e piramidës shtetërore, mund ta shtynte datën e ngritjes time ushtar për në vjeshtë, kur bëhet mobilizimi i përgjithshëm. Ndonëse ka dhe raste krejt të veçantë, kur as ndërhyrja nga lart se frenon dot përkohësisht fletë-thirrjen, duke patur parasysh që repartet e punës plotësohen me rekrutë të rinj vetëm në pranverë, stina më e vrullshme dhe e përshtatshme për bujqësinë.
I qartësuar plotësisht se s’ka shanse e gjasa për kthim prapa, askush nuk guxon të dalë në përkrahje kundër këtij vendimi, e mblodha mendjen se detyrimisht do shkëputem nga rrjedha e jetës familjare dhe e ngërtheva vëmendjen tërësisht tek ngjarja më kulmore e jetës time, fejesa. Koha shumë e shkurtër, që kish mbetur deri ditën e ikjes ushtar, më detyronte mua dhe njerëzit e mi, të bënim sa më shpejt përgatitjet e duhura, që kërkon kjo ngjarje, sigurisht brenda mundësive financiare. Sidomos në kushtet e mbijetesës të këtyre tre viteve, kur mezi mund të blinim ushqimet më të domosdoshme, s’kishim patur mundësi të kursenim asnjë qindarkë. Ndaj e vetmja rrugëzgjidhje për të përmbushur detyrimet zakonore, mbetej marrja borxh. Kjo gjendje kaq e sikletshme ekonomike, më futi në qerthullin më brejtës, sepse nuk bëhet fjalë për blerjen e bukës së gojës, që ka vetëm një zgjidhje, do shtrish këmbët sa ke jorganin.
Por del jashtë kornizës së mbijetesës, kërkohen shpenzime të tepërta për blerjen e peshqesheve të shtrenjta, të domosdoshme për të shpalosur para krushqisë dinjitetin e familjes. Krejt e natyrshme që në rastet më kulmore të përballjes së dinjitetit, sedra e familjes zë vendin më parësor. Dhe duke marrë përmasa të tilla, vetvetiu drejton e udhëheq tërë veprimtarinë, kanalizon arsyetimet, dhe për shkak të mungesës së buxhetit, bëhet shkak i kundërshtive të ashpra.
Nuk e vija në mëdyshje, që nënën pa tjetër e kishin ngërthyer brejtjet e shqetësimit para meje, dhe jepte e merrte me vete ku t’i gjente të ardhurat për të blerë dhuratat pa lënë gjë mangët. Pavarësisht arsyetimit, se krushqia sytë në ballë i ka dhe mendjen në kokë, ndaj në vija të përgjithshme, duhet ta nuhasë gjendjen tonë shumë të vështirë ekonomike, çuditërisht nuk merret fare parasysh ky realitet, duke e mbështetur këtë kundërshti, në ndjeshmërinë e sedrës, se turpi peshon shumë më tepër se kordha. Përcaktimi i fundit i jep sedrës vetëm përmasa të detyruara, që kërkojnë përpjekje maksimale, sa, si i thonë fjalës; duhet ta nxjerrin paranë nga guri!
Nëna e kishte përcaktuar dhe saktësuar ku do ta merrte borxhin. Pa më vënë mua në dijeni, ajo i nisi me njeri të besuar një letër vëllait të vetëm, në Berat, ku në fillim i shpjegonte shkurtimisht për kthesën e madhe, që ia solli si peshqesh i Madhi Zot nga qielli, nëpërmjet shefit të Partisë. Pastaj kaloi në thelbin e çështjes: “Falë dashamirësisë së Perëndisë Mëshirë-madhe, djali i vogël do të fejohet së shpejti me vajzën e një familje të nderuar nga Berati. (Më vonë do të shkruaj më hollësisht). Ti, vëlla i dashur, që e ke nisur punën ende çilimi, dhe të ranë mbi shpatulla barrë të rënda, e di se këto punë nuk bëhen vetëm me fjalë.
Për më tepër, ne jemi të detyruar ta bëjmë fejesën të nxituar, javën e parë të marsit, pasi djalin e kanë thirrur ushtar. (Kësisoj erdhën punët. Më vonë të jap sqarime). Përveç teje, s’kam tjetër me cilin t’i qaj hallet. Ti më je gjendur gjithnjë pranë në çastet më të vështira. Edhe kur ra tërmeti, që mbetëm në qiell të hapur, ti erdhe me duar plot për të na i pakësuar dhimbjet. Por sidomos kur ndodhi gjëma e llahtarshme e ikjes së vulë-humburit, dhe ne na plandosën në kasollen e lopës, pa kaluar dy javë, ti dërgove ato dhe çupën të ngarkuara plot me ushqime. Askujt nuk i jam ankuar, por ty po ta them: në ato çaste fëmijët e mi të rritur, vajza e madhe në Lushnje dhe djali në Tiranë, nuk e vranë fare mendjen, si duhet ndihmuar kjo nënë e katandisur nê pikë të mjerimit?!
Do thuash nuk kishin mundësi. Po t’i brente dashuria për mua, dhe të shqetësoheshin sadopak për vëllanë e motrën, do ta gjenin mundësinë. Nuk them të dërgonin djalin apo vajzën për të parë gjyshen, por të paktën dy lek sa për të blerë një pako kafe e një kile sheqer. Ty, vëlla i dashur, të dhëmbi zemra për motrën dhe i nise urgjent ato me çupen. Atë çast m’u duk sikur zbriti Shën Mëria nga qielli! Nuk ngopeshim duke bëre muhabet: e gdhimë tërë natën! Vëlla i dashur, t’u beftë motra kurban!
Jam fatmadhe që të kam kaq të dhimbsur, dhe që orë e çast tek ne e ke mendjen! Perëndia Mëshirë-madhe na ka falur të dyve një dashuri të rrallë për të na ushqyer shpirtin dhe mendjen, që asnjëherë të mos e ndjejmë veten të vetmuar. Nuk e di si do ta përballoja vetminë në kasollen e lopës, po të më mungonte dashuria jote vëllazërore! Rrezik të lajthitja! Atë çast që Neta jonë e dhembshur, (e cila na rriti me dashuri te rrallë, si nënë e mrekullueshme, njësoj sikur të ishte Sofia që na ka pjelle), pa djalin tim të kthehej nga puna, i mbathur me çizme llastiku deri tek gjuri dhe veshur me pantallona të vjetra kadife e xhup, i rrodhën lot nga sytë dhe me zor i mbajti ngashërimet!
Mbeti e mbështetur pas tij, duke e përqafuar dhe puthur! Ishte një mall i madh, i përzier me dhimbje e lot. Edhe pse dëshiroja të ishe i pranishëm atë çast, qe të shihje si përmallohet gjyshja me nipin, prapë më mirë që s’ndodheshe, sepse e marr me mënd si do shkriheshe së qari, kur ta shihje të veshur si lypsar nipin tënd të dashur, të cilin ti e adhuron. Shumë rrallë ndodh në këtë botë, një në në milion raste, që daja me nipin të jenë lidhur kaq shumë shpirtërisht, si ju të dy! E them me plot gojën, se këtë dashuri hyjnore, e ka dhuruar dhe bekuar i Plotfuqishmi. Pavarësisht që ti je komunist, e ke të ndaluar të besosh, Zoti gjendet brenda shpirtit tënd! Sikur vendi ynë të kishte me qindra komuniste, si ty, me këtë shpirt qelibari e zemër të artë, njerëzit këtu do rronin njëqind herë më mirë e, s’do ndodhnin gjëma të tmerrshme si këto, që na pllakosin ne, thuajse kemi hedhur gur kundër Qeverisë!.
Mbeta e shushatur kur më thanë se kanë ardhur, një plakë e veshur me të zeza dhe një çupë e re, të ngarkuara me trasta të rënda! Djali i fqinjës tonë, (një grua shpirtmadhe, fat për mua që rastisi kjo vejane kaq e mrekullueshme!), kur i vuri re që mezi po ngjitnin kodrën, duke hedhur hapat nëpër baltë, u doli përpara për t’i ndihmuar, u mori të dyjave trastat dhe u tha të mos nxitonin. Pastaj që të çlodheshin, i futi në fillim në strehën e tij, i qasi pranë zjarrit në vatër, u bëri të dyjave kafe të mblidhnin veten, pasi qenë të rraskapitura nga rrugëtimi i vështirë. Ky djalë xhevahir, rritur me një mijë mundime, gjatë këtyre viteve na është gjendur për çdo nevojë.
Bashkë me djalin tim, sikur të jenë vëllezër të pandarë, shkojnë në pyll të bëjnë dru për të djegur. Dhe mos kujto se drutë këtu gjenden lehtë, meqë është fshat dhe ka pyje. Nuk janë si drutë, që shesin në pazar. Priten vetëm rrënjët e kërcunjve, me shumë lodhje e mundime. Ky djalë xhevahir, ndihmon nënën e tij, (sepse kjo çdo ditë rrugëton për të shkuar në punë, në Depot e Gorresë, gati njësoj sikur të ecësh nga Ura Vajgurore në Berat, përveç punëve të rënda që përballon atje, pa pushuar asnjë minutë në tetë orë, dhe kthehet prej andej, po në këmbë, e ngarkuar me thasë plot me misërishte mbi kurriz!). Edhe pse ende i pa rritur, kryen mrekullisht të gjitha punët e shtëpisë: fshin, lanë enët, bënë gjellën, mbush ujë në sobë’, (burimi i fshatit), përgatit brumin, pjek bukën e misrit! Djalë flori, për kokën e djalit!
Këtë fëmijë, fqinja jonë e mrekullueshme, Shaja, e ka nxjerrë nga shpirti i saj qelibar. Perëndia ia lehtësoi vuajtjet e mundimet pas arratisjes së burrit, duke i dhuruar djalit virtytet më të vyera, që shumë rrallë i ndesh tek djemtë e kësaj moshe! Po të shkruaj kaq gjatë për këtë grua dhe djalin e saj, pasi këta të dy sikur i pruri Zoti për të më bërë shoqëri, të na gjenden në çdo kohë, natën e ditën, sa herë kemi nevoje. Shaja plotëson një boshllëk të madh shpirtëror. Mos të duket e tepruar, (pasi ti e di që unë gjithnjë shpreh atë që ndjej), Shaja gjatë këtyre viteve, më ka zëvendësuar dashurinë e bijës me dhembshuri të rrallë! Qenka me të vërtetë e çuditshme dhe e mrekullueshme, vëlla i dashur, që në dëshpërimin e madh të gjesh një shoqe, fqinjë e grua me zemër të artë, e cila të zëvendëson plotësisht vajzën e shpirtit, sidomos kur e di që kjo ndodhet larg nënës së saj, vetëm një vrap pele, (si shprehen fshatarët e kësaj ane, për largësinë prej këtu deri në Lushnje)! Zoti i Madh në qiell, na dhëntë fuqi e shëndet, që t’ia shpërblejmë me mirësi mundimet e përpjekjet e përditshme!
Por për një gjë jam e sigurt: unë dhe djali im, do t’i jemi mirënjohës në këtë dhe atë botë këtyre njerëzve të mrekullueshëm, nënë e bir, që kanë ndarë dhe vazhdojnë të ndajnë kafshatën e gojës bashkë me ne! Dritë ju bëftë jeta Nelit, (kështu e ka emrin djali), kur të rritet e të krijoje familje! Dhe Shaja zemërartë pastë pleqëri të bardhë! Këtë urim ia jep një nënë me shpirt të përvëluar, që ka përballuar në jetën e saj male me dhimbje, e sikur të mos mjaftonin dertet e vdekjeve të llahtarshme të djalit e vajzës, në lulen e rinisë, të burrit para dhjetë vjetësh, sot dergjemi të syrgjynosur në kasollen e lopës!…Pa patur ndërmend të shkruaj një letër, mbushur me brenga nga jeta e këtushme, zbraza një pjesë të dhimbjeve dhe tregova si i ngrysim netët dhe i gdhijmë ditët, ne të dëbuarit e ndershëm, pa bërë asnjë mëkat ndaj shtetit e njerëzve!
Tani të rikthehemi tek çështja e fillimit, që u bë shkaktare e shkrimit të kësaj letre. Me pak fjalë, ashtu erdhi puna dhe Sokrati për njëfarë kohe të ndodhet me shokët dhe shoqet e fëmijërisë, në Shtëpinë e Kulturës, bashke me vajzën, me të cilën së shpejti do fejohet. Dhe krejt papritur midis tyre, shkrepi syri i dashurisë. (Një herë tjetër, kur të vijë rasti, do ta tregoj më hollësisht). Sa për dijeni: vajza punon mësuese në shkollën 8 – vjeçare, është çupa e dytë e Zoi Tushes. Ty motra të ka vëlla të mençur. Besoj e merr me mend që, prindërit dhe farefisi i saj, patën kundërshtime të rrepta për këtë dashuri.(Dhe ne të ishim në vendin e tyre, kështu do silleshim).
Sepse cila nënë e cili baba pranon, ta syrgjynosi vajzën në kasollen e lopës e të lidhi jetën me një hamall, (pavarësisht shkollës së madhe që ka djali im e nipi yt), kur atë e kërkojnë djem nga dyer të kamura, që banojnë në qytete?! Por djali im dhe nipi yt, duke patur parasysh gjendjen tonë ku ndodheshim, tregoi pjekurinë e duhur, u frenua, nuk u bë yshtës i kësaj dashurie të rrezikshme. Edhe vajza nga ana e saj e mbajti të ndrydhur përbrenda dashurinë, deri në çastin që u detyrua ta nxjerr jashtë të fshehtën e shpirtit, atëherë kur u gjend e gozhduar para tre propozimeve për fejesë, duke lënë në dorën e saj përzgjedhjen. Kundërshtimi i tre rasteve, nga ana e vajzës, vetvetiu ngriti dyshimin tek prindërit: meqë ti nuk pranon të fejohesh me asnjërin nga këta, do të thotë i ke dhënë fjalën ndonjë djali, dhe neve na e mban të fshehur!…
Vajza s’kishte nga t’ia mbante, dhe tregoi të vërtetën: “Po, unë dua Sokrat Shytin”! – “Djalin e Thanasit dhe Anës”?! – pyetën ata me vështrim të trembur. Dhe mbi vajzën vërshuan si bubullima nga qielli, rrebeshet e kundërshtimeve, jo për djalin dhe familjen tonë, por për kushtet e tmerrshme, ku ne jetojmë. Besoj e merr vet me mend, sa të egra shfaqen kundërshtimet në këto raste. Sepse asnjë familje me biografi të mirë, nuk pranon të bëjë krushqi me një familje të internuar, për më tepër në kushtet tona, pa asnjë të ardhme. Prandaj djali im dhe nipi yt, gjatë kësaj kohe qëndroi i heshtur, si peshku në zall: as mua nuk me tregoi rreth kësaj lidhje të fshehtë! Kështu që s’kisha si ta merrja vesh, që në shtëpinë e saj ziente kazani i sherrit. Ti si komunist nuk beson, sepse të duket sikur motra jote i shpik nga mendja e saj. Por në të vërtetë këtë lëmsh të frikshëm, e zgjidhi Perëndia Mëshirëmadh.
Si? – do pyesësh ti. Kjo trokiti në mendjen dhe zemrën e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë, i tregoi rrugën e mbarë si duhet të veproje në këtë rast kaq të koklavitur, duke i kujtuar se demi i tërbuar kapet nga brirët, domethënë para së gjithash këtij i del për detyrë, të shpëtoje familjen tonë nga vuajtjet e skëterrshme. Pavarësisht që tek ne po mbillet fara e mosbesimit ndaj Perëndisë Mëshirëmadhe, Ajo, për të mos i lënë në mëshire te fatit besimtarët e saj, dërgon engjëjt të zgjojnë nga plogështia drejtuesit e paktë komunistë, që kanë shpirt të madh dhe janë të gatshëm të rivendosin drejtësinë në ato raste, kur përdhoset çmendurisht, siç ndodhi me ne.
Të tjerët le ta quajnë si të duan, por unë vazhdoj ta çmoj me mendjen time, si të bekuarin e Zotit, sekretarin e parë, pasi Perëndia i dha fuqinë, mençurinë, guximin dhe ia pajisi shpirtin me dashuri hyjnore. Ndaj pati kurajë dhe doli kundër keqdashësve, dha urdhër të shpërngulemi nga kasollja e lopës e, të strehohemi në një shtëpi, si shumica e banesave në fshatrat tanë.
Nuk ma merrte mendja, vëlla i dashur, që ligësia i paska rrënjët kaq thellë! Këtë radhë e provova: në vend që njerëzit të gëzonin për vendimin e sekretarit të parë, që na riktheu të drejtën e mohuar, mbetën të habitur e të pezmatuar, thuajse shpërngulja jonë nga kasollja e lopës, prishte interesat e tyre! S’ka ku të vejë shpirtligësi më e ndyrë se kjo! Pse është katranosur kaq keq bota, vëlla i dashur?! Pas luftës, mes njerëzve kishte dashamirësi dhe sjellje miqësore të mrekullueshme: shkonim e vinim tek njëri tjetri, në të gjitha festat e hidhërimet, ndihmonim me aq sa mundnim familjet në nevojë, jepnim këshilla sa herë na kërkohej! Kurse sot shumicës i ka hyrë maçoku në bark!…Pse ky ndryshim kaq madh me kokë poshtë?! Pse po varfërohet shpirti njerëzor?
Ne që besojmë tek Perëndia, e kemi një shpjegim: botën tonë po e prishin vetë njerëzit, dhe kryesisht ata që janë në krye. Sepse po dëbove nga shpirti besimin tek Mbretëria Qiellore, boshllëkun e zëvendëson qoftëlargu. Ndaj mendja jonë molepset çdo ditë e më shumë me ligësi, sa jemi gati t’i nxjerrim sytë njëri tjetrit! Po të mos katandiseshim deri në këtë pikë, nuk do arrinte puna të na flaknin nga shtëpia pa zbardhur drita e, të na syrgjynosnin sikur ishim kafshë të zgjebosura! Edhe sikur të kishim mëkatuar nuk do trajtoheshim kaq egërsisht, si u sollën me ne, thuajse kishim kryer blasfeminë më të turpshme!… Kujt t’i ankoheshe?! Të gjithë na shihnin me ca sy të tmerrshëm, gati të na shqyenin!…
O Perëndi Mëshirëmadhe, na mbro mendjen nga lajthitja! – lutesha orë e çast. Sidomos djalit, që dilte nga kasollja në pikë mëngjesit dhe kthehej në terrin e natës, duke u rropatur pa u çlodhur, dhe detyrohej të përballonte çdo angari, sado e vështirë qoftë! Tek ai e kisha mendjen çdo minutë. Ah, mor bir, që e more veten tënde më qafë: si nuk pati njeri ta mbushte mendjen të rrije aty ku ishe, por u ktheve këtu?! Edhe sikur kundër nesh të merrej një masë shtrënguese, nga goja ime s’do dilte asnjë ankesë ndaj tij, sepse do isha e qetë që im bir vazhdonte studimet, pa patur pasoja të hidhura, dhe më pas do rregullohej në punë.
E mban mend atë shkrimin në gazetë, që ti e mbaje gjithnjë me vete dhe ua tregoje shokëve të tu, kush e di sa herë, sepse të vinte mirë që nipi yt i adhuruar, vlerësohej kaq shume, sa e dërguan me pushime atje ku shkojnë udhëheqësit?…Besoj se gjatë këtyre tre viteve të skëterrshëm, s’e ke hequr nga xhepi i xhaketës. E marr me mënd si ndjehesh kur shikon gazetën dhe fotografinë e tij, çfarë dhimbje ta sëmbon zemrën, kur e përfytyron të katandisur hamall, nipin e shkëlqyer në mësime, të cilin e përmendje shpesh herë dhe mburreshe para miqësisë e shoqërisë. Më duket se edhe unë jam fajtore, që e lejova të kthehet, kur u prishën marrëdhëniet mes dy shteteve tona. Do thuash ti: s’të pyeti njeri, që të shfaqje mendim.
Pastaj nga ta dije ti, ç’po katranoste djali i dytë në mendjen e molepsur, se pas tre vjet do na bënte gjëmën, që t’i dërgoje djalit të vogël këshillën e domosdoshme, të qëndronte atje ku ishte? Edhe sikur nënë e bijë të na syrgjynosnin atje ku ha pula gur, prape shpirti im nuk do lëngonte siç po torturohet, pasi djali nuk do vuante. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016