Dashnor Kaloçi
Pjesa e gjashtë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të gjeneral-major Panajot Plakut me origjinë nga fshati Hoçisht i Devollit të Korçës, i cili pasi u diplomua në shkollën “Normale” të Elbasanit në vitin 1936, u kthye në qytetin e Korçës ku u lidh me grupet komuniste dhe në periudhën e pushtimit të vendit 1939-1944, ai u angazhua në Lëvizjen Antifashiste dhe për aktivitetin e tij u arrestua e u burgos nga autoritetet italiane në qytetin e Durrësit e pasi u lirua, doli në radhët partizane, duke u emëruar si zëvendës komandant i Brigadës së Parë Sulmuese të komanduar nga Mehmet Shehu, që me formimin e saj në gushtin e vitit 1943, në fshatin Vidhkuq të Korçës. Si i ngjiti shkallët e karrierës ushtarake Panajot Plaku pas mbarimit të Luftës, duke filluar nga komisar dhe komandant Divizioni në rrethin e Korçës, komandant Korpusi, Drejtor i Drejtorisë Operative dhe zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore me gradën e gjeneral-major, zv/ ministër i Mbrojtjes Popullore për Drejtorinë e Kufirit, e deri tek posti i ministrit pa Portofol në qeverinë që kryesohej nga Mehmet Shehu? Si mundi të arratisej nga Panajot Plaku nga Shqipëria në qershorin e vitit 1957 (kur mbante funksionin e ministrit pa portofol dhe Kryetarit të Komitetit Shtetëror për Gjeologjinë) duke kaluar fshehurazi kufirin shtetëror në afërsi të liqenit të Pogradecit nga fshati Lin dhe të dilte në Jugosllavi, ku u vendos në Beograd si azilant politik dhe i dërgoi një letër udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, duke denoncuar të gjitha krimet e Enver Hoxhës dhe regjimit të tij?! Misteri i vdekjes së Panajot Plakut në vitin 1966 në hotelin ku banonte në Beograd dhe çfarë shkruante ai në kujtimet e tij për Enver Hoxhën e udhëheqjen e lartë të PPSH-së, të cilat i përmblodhi për t’i botuar në një libër me titull “Dhuna mbi revolucionin në Shqipëri”, dhe pas vdekjes së tij ai u përkthye edhe në gjuhën serbo-kroate (nga Predrag Vuqiviq, redaktor i gazetës “Borba” dhe Vela Popoviq, redaktor i Televizionit të Beogradit), libër që pati një jehonë të madhe dhe u botua më pas nga Shtëpia Botuese “Rilindja” e Prishtinës në gjuhën shqipe në vitin 1985.
Kujtimet e Panajot Plakut të shkruara në Beograd nga viti 1957, deri në ’66-ën
Nga maji i vitit 1957 kur fitoi statusin e azilantit politik në Jugosllavi e deri në qershorin e vitit 1966, kur Panajot Plaku, vdiq në një hotel të Beogradit, në rrethana krejt të panjohura pa vuajtur nga asnjë sëmundje, ndërmjet të tjerash ai shkroi edhe kujtimet e tija, të cilat i përmblodhi në një libër të veçantë, që e titulloi “Dhuna mbi revolucionin në Shqipëri”. Në atë libër ai ka përshkruar me hollësi të gjitha krimet dhe genocidin e regjimit komunist në Shqipëri dhe personalisht të Enver Hoxhës, si dhe metodat që ai përdori në eliminimin e bashkëluftëtarëve të tij, që nga koha e Luftës e deri në vitin 1966. Nga ky libër i cili u botua rreth 20 vite pas vdekjes së tij, nga aba e Shtëpisë Botuese “Rilindja” e Prishtinës,(nën kujdestarinë e dy gazetarëve Predrag Vukoviq, redaktor i gazetës “Borba” dhe Vela Popoviq, redaktor në TV e Beogradit), Memorie.al ka përzgjedhur disa pjesë që po i botojmë duke filluar nga shkrimi i mëposhtëm.
Panjot Plaku: Ja kush ishte Enver Hoxha?
Karakteristikat kryesore të Enver Hoxhës, të shënuara në letër, (letra e Nako Spiros, dërguar udhëheqjes jugosllave), janë plotësisht të sakta. Ai ka qenë përherë në radhën e atyre që nuk kanë pasur orientime të caktuara. Do të vë në dukje një hollësi, që nuk duket e rëndësishme, por më duket se e ilustron mirë pikërisht këtë karakteristikë të Enver Hoxhës. Si nxënës i Liceut të Korçës, ishte i njohur ndër shokët e vetëm për nga fakti që dukej i bukur. Por, ky djalosh i pashëm dhe i fuqishëm ishte i dobët, madje edhe në sport dhe në gjimnastikë. Por këto karakteristika i tregonte edhe në arsimimin intelektual.
Gjatë studimeve në Francë, kishte në fakultet vetëm nota të mesme dhe të dobëta. Pikërisht për këtë jeta e tij e mëvonshme, mund të jetë një nga motivet e sjelljeve të tija të paskrupullta. Ja edhe disa hollësi: Në kongresin e Parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë, isha i ulur në fundin e djathtë të radhës së parafundit, nën ballkon të sallës së Kongresit. Pranë meje ishte ulur Sotir Vullkani. Kur mbaroi mbledhja, ne të dy u ngritëm dhe u nisëm nga dalja. Në derë, Sotir Vullkani më dha shenjë me dorë që ta pres.
Me hapa të shpejtuar shkoi për ta arritur Enver Hoxhën, i cili ishte duke ecur para nesh. Pashë se si shkonin bashkë shkallëve përpjetë, në drejtim të bufesë së sipërme. Kur mendova se Sotiri nuk do të kthehet dhe u nisa nëpër shkallë, ai më arriti dhe me mallëngjim të dukshëm e i befasuar më tha: “E këshillova Enverin që të heqë dorë nga ndjekja e Koçi Xoxes dhe shtova: Ju të dy i keni bërë të gjitha këto gjëra bashkërisht, e prandaj bashkërisht edhe duhet t’i rregulloni. A ta varim tash Koçin, për shkak të kësaj çështjeje. U befasova”, tha pastaj Sotir Vullkani, për shkak se Enveri vetëm më shikoi i vërejtur dhe pa asnjë fjalë iku, duke më lënë në shkallë.
Fill pas Kongresit, Sotir Vullkani, i cili kishte deri në atë kohë një funksion me rëndësi në Ministrinë e Punëve të Brendshme (kryeshef i shërbimit të kuadrove, me gradë nënkolonel), mbeti pa gradë, mori dënim rigoroz të Partisë dhe u gjet në një gjendje materiale shumë të vështirë, në të cilën mbeti disa vite, derisa i’u dha grada e dikurshme dhe detyra e drejtorit të burgut, ku ishin torturuar shokët e tij, nga Grupi Komunist i Korçës (Pandi Kristo e të tjerë).
Pabesia e Enverit!
Tërë praktika e mëvonshme e Enver Hoxhës, tregon se kjo sjellje e tij nuk ishte e jashtëzakonshme, por se rezultonte nga karakteri i tij, që kishte më vonë pasoja edhe më dramatike, e madje edhe tragjike në vendin tim. Tërë Lufta Nacionalçlirimtare pas Konferencës së Parë të vendit, tregon jo vetëm aftësitë e kufizuara të Enver Hoxhës, por edhe luhatjet, pavendosmërinë dhe oportunizmin e tij. Ai edhe vetë e ka pranuar këtë disa herë dhe e ka theksuar si vese të veta (në Plenumin e Beratit, në Plenumin e tetë, e të tjera). Duke marrë parasysh pozitën në të cilën gjendej, është e qartë se me karakteristika të veta të tilla i ka bërë dëme jashtëzakonisht të mëdha Partisë dhe revolucionit në kohën e luftës.
Mirëpo këto dëme janë gati të parëndësishme në krahasim me pasojat e tmerrshme të këtyre cilësive të tij në periudhën e mëvonshme, kur pranë tyre nuk ishin më njerëzit më të mirë të revolucionit, të cilët do të mund t’i pengonin manifestimet ekstreme të dobësive të rënda të karakterit të tij. Pas ndërhyrjes së Stalinit në punët e brendshme të Shqipërisë dhe pas shpalljes së Rezolutës së Informbyrosë, Enver Hoxha filloi ta grabisë gradualisht tërë pushtetin në duart e veta.
Në atë kohë filloi t’i qërojë pa mëshirë hesapet me shokët e vet më të mirë, madje edhe me të atillë siç ishte Koçi Xoxe, të cilin e quajti në Plenumin e VIII-të, në shkurt 1948, si: “Epiqendër të shkëlqyeshme të bërthamës proletare të udhëheqjes së Shqipërisë”. Nëntë muaj më vonë, në Kongresin e Parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë, të njëjtin Koçi Xoxe, e shpalli “Epiqendër të fraksionit më të zi në udhëheqin e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe tradhtarin më të madh”! Sikurse dihet, pak pas Kongresit të Parë, Enver Hoxha e arrestoi këtë revolucionar, e dënoi dhe e pushkatoi.
Nga koshienca e Enver Hoxhës fillon të dalë gjithnjë e më shumë në sipërfaqe vesi i tij më i madh, në të cilin janë dominante dy komponentë: frika që të mos e humbë pushtetin e kokën dhe dëshira që të jetë i vetmi faktor vendimtar në udhëheqjen e Partisë së Punës të Shqipërisë. Në atë kohë, të gjitha veset e përmendura të karakterit të Enver Hoxhës, duhet t’u shtohen edhe veset jo më pak të rrezikshme, e madje edhe më gjakpirëse, të bashkëpunëtorit të tij “të dashur”, Mehmet Shehut!
Megjithëse dihet mirë se kurrë nuk e kanë duruar personalisht njëri-tjetrin, pikërisht bashkëpunimi i tyre i solli popullit të Shqipërisë të këqijat më të mëdha. Për marrëdhëniet e tyre, dëshmon, përveç të tjerash edhe një letër e Enver Hoxhës, dërguar Dushan Mugoshës: ku ai shkruan: “Shok i dashur Dushan Mugosha. Tash jam unë më i fortë se sa atë ditë që u ndamë, por malli është kurdoherë i madh. Aliu (Milladin Popoviç shën P.P.) qënkish më fortë nga ne, sido që sigurisht e marrë me mend, ai e dinte se sa e preku ndarja. Jo ne, por të gjithë ishin të prekur.
Dr. Nishani zuri të qante, duke thënë: ‘Kujtoj poshtërsitë që ka thënë armiku për Dushanin e Aliun, për këta dy shokë aq të mirë e të vendosur, që kanë lënë familjet, vendin e tyre dhe erdhën të na ndihmojnë, të luftojnë tok me ne’. Por të flasim pak për punë. Këtu kanë ardhur gati të gjithë: Tuku, Besniku, Hulo, Dalin, Beqir Balluku, Nexhipi, Pëllumbi etj. Nakua me Shulen s’kanë ardhur ende. Me ta kemi filluar të bëjmë disa konferenca. E filloi Tuku me Besnikun, konferenca publike për mbi aksionet e Brigadës, qëndrimin e partizanëve etj. Do të fillojmë dhe një kurs të vogël në formë konferencash me këto tema:
“Lufta imperialiste, e para dhe e dyta, lufta e drejtë dhe e padrejtë”,”Partia në ushtri”, “Organizimi i pushtetit”, “Lufta Nacionalçlirimtare” dhe do të organizojmë edhe disa kurse ushtarake.
Tuku nuk është shumë i kënaqur nga Mehmeti (mos e merr se po shkruaj post afat këtë gjë dhe me tendencë). Por Tuku raporton dhe thotë se: qëkur ka ikur Saliu (emër ilegal i Dushan Mugoshës P.P.), Mehmeti s’peshon njeri, përpara mbledhjes së Brigadës ka nënvleftësuar aksionin kundër Haki Blloshmit dhe atë të Pogradecit. Urdhra të çuditshme dhe jo shoqërore i ka dhënë Tukut, e mjaft gjëra të tjera. Të gjitha këto, mos ki frikë ne do t’i shohim me gjak të ftohtë, pa paragjykime dhe do të veprojmë ashtu si vendosëm. Zgjedhjet për Kongres po bëhen me sukses në zonat e lira, por kemi frikë se do na vijnë shumë pak nga zonat e okupuara. Do të lajmërojmë për zhvillimin e gjërave. Vetëm na shkruaj edhe ti kurdoherë.
Të përqafon me shumë mall Taras (Emri ilegal i Enver Hoxhës shën. P.P.)
Sherri i Enverit me Mehmetin!
Ja edhe një hollësi, e cila tregon se çfarë ishin marrëdhëniet ndërmjet Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Para nja dhjetë vitesh, kur Mehmet Shehu u shkarkua nga detyra e sekretarit të dytë të Komitetit Qendror dhe u emërua kryetar i qeverisë, ky, duke dyshuar ndaj motiveve të këtij ndërrimi, mendoi se ky mund të jetë hap i parë në drejtim të likuidimit të tij. Ky ishte shkak i konflikteve serioze të këtyre të dyve në disa mbledhje të Byrosë Politike. Mirëpo, meqenëse vendimi nuk u zbatua, Mehmet Shehu u mbyll në vilën e vet, në të cilën mbeti një kohë shumë të gjatë, i ruajtur nga partizanët e vet më besnik të Mallakastës (vendlindjes së tij).
Pas këtyre grindjeve me Enverin, na tha Sadik Bocajt dhe mua, se për pak qe duke ikur në male! Meqenëse konflikti nuk i eliminua në disa mbledhje të Byrosë Politike, por vinte duke u ashpërsua gjithnjë e më shumë, Mehmet Shehu shkoi te ambasadori i atëhershëm sovjetik dhe i’u ankua kundër Enver Hoxhës. Pas kësaj, ambasadori sovjetik u takua me Enver Hoxhën. U organizua një takim i të treve, në të cilin Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, u pajtuan. Shumë më vonë, Mehmet Shehu tregoi në formë të autokritikës për këto ngjarje në Komitetin Qendror, por në një mënyrë shumë më të butë.
Këta dy, të cilët kurrë nuk e kishin duruar kurrë njëri-tjetrin, lidhën më vonë “aleancë të shenjtë”, të ndërtuar mbi gjakun e mijra komunistëve më të mirë, patriotëve dhe njerëzve të pafajshëm të Shqipërisë, me qëllim që ta detyronin popullin e Shqipërisë që t’i ndërrojë qëllimet më bujare të socializmit, me parulla gjysmë fashiste, si p.sh.: “Në një dorë kazma, në dorën tjetër pushka”.
Rehabilitimi i Mehmet Shehut!
Në Plenumin X të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, që u mbajt pas shpalljes së Rezolutës së Informbyrosë, Shqipëria e sulmoi në mënyrë të ashpër Jugosllavinë, duka i’a ngarkuar fajin për mosrealizimin e programit, e të porosive të tjera. Në atë kohë u ndërprenë punimet në të gjitha objektet e mëdha, që ishin në ndërtim e sipër dhe u mor vendimi që të pakësohet racioni i bukës dhe i gjërave ushqimore të tjera, që i jepeshin popullit. Tregu filloi të zbrazet.
Duke realizuar direktivat e Stalinit, qeveria e Shqipërisë përgatitej për ashpërsimin dhe për ndërprerjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë, kurse populli shqiptar filloi t’i ndjejë mbi kurriz të vet pasojat e kursit të tillë të panatyrshëm dhe të dëmshëm të Enver Hoxhës. Në ato kushte u mbajt edhe Plenumi i XI i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, në të cilin u sulmua Jugosllavia në mënyrë krejt të hapët. Në këtë Plenum filloi edhe fushata kundër atyre anëtarëve të udhëheqjes, të cilët angazhoheshin për vazhdimin e marrëdhënieve të afërta me Jugosllavinë.
U rehabilituan: Nako Spiru, Liri Belishova, Kiço Ngjela dhe Mehmet Shehu. Njëkohësisht, u dënuan: Koçi Xoxe (i cili u shkarkua nga funksioni i sekretarit organizativ, por mbeti anëtar i Byrosë Politike), e pastaj Pandi Kristo dhe Kristo Themelko (të cilët u përjashtuan nga Byroja Politike, por mbetën anëtarë të Komitetit Qendror), kurse Xhorxhi Blushi dhe Nesti Kerenxhi (të dy kandidatë për anëtarë të Byrosë Politike) dhe Vaskë Koleci, anëtar i Komitetit Qendror, u përjashtuan nga K.Q. i Partisë Komuniste të Shqipërisë.
Në këtë Plenum, që u mbajt prej datës 13, deri më 24 shtator 1948, u vendos që Kongresi i Parë i P.K. të Shqipërisë, të mbahet gjatë nëntorit po të atij viti. Pas Plenumit, pa kurrfarë pyetjesh dhe çfarëdo diskutim të mëtejshëm, Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Kristo Themelko, Nesti Kerenxhi e të tjerët, u shkarkuan prej të gjitha funksioneve partiake e shtetërore dhe u izoluan plotësisht prej punës politike e partiake. Masat, që ishin ndërmarrë në Plenumin XI-të, nuk i mjaftuan Stalinit, kështu që tash këto masa ishin ndërmarrë në bazë të urdhrit të tij të drejtpërdrejtë, se si duhet vepruar me këtë grup udhëheqësish të spikatur. Në tetor 1948, Ramadan Çitaku që ishte deri atëhere ambasador i Republikës Popullore të Shqipërisë në Jugosllavi, u ftua për të paraqitur para Byrosë Politike, një raport për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
Sherri i Enverit me Çitakun!
Gjatë bisedës që u zhvillua në Byronë Politike, Ramadan Çitaku foli për përshtypjet që i kishte sjellë nga Jugosllavia, duke theksuar se derisa sa ishte në Jugosllavi, nuk kishte vërejtur kurrfarë ndryshimesh në anën e Jugosllavisë në pikëpamje të marrëdhënieve dhe të politikës ndaj Shqipërisë. Mirëpo, Enver Hoxha, i cili kishte pritur që pas aq sulmeve të aparatit propagandistik të Shqipërisë, të BRSS-së dhe të vendeve të tjera socialiste kundër Jugosllavisë, Ramadan Çitaku ta gërshetonte raportin e vet, me argumente për të bërë të besueshme ato sulme, e ndërpreu referimin e tij, duke i thënë përveç të tjerash, se: duhet ta ketë parasysh faktin se, Tito është “tradhtar”.
Përkundër këtij digresioni, Ramadan Çitaku vazhdoi ta lexojë raportin e vet, duke vazhduar t’i përshkruajë mbresat e veta nga Jugosllavia. Enver Hoxha, me ton brutal, e ndërpreu edhe një herë duke i thënë: “Tito është tradhtar, e unë jam sekretar i Partisë tënde”. Ramadan Çitaku u përgjigj se, në raportin e vet në asnjë vend nuk ka mohuar se Enver Hoxha është sekretar i Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe shtoi: “Por, jam komunist dhe si i tillë në raportin tim, i kam parashtruar vetëm përshtypjet e mia reale nga Jugosllavia. Unë nuk mundem as të them, as të dëshmoj, atë çka kërkon prej meje Enver Hoxha”. Atëhere mbledhja u ndërpre. Ramadan Çitaku (i cili deri në atë kohë ishte anëtar i Byrosë Politike), u përjashtua jo vetëm nga Komiteti Qendror dhe nga Partia Komuniste e Shqipërisë, por u shkarkua edhe prej të gjitha funksioneve shtetërore, gjë që më vonë u verifikua edhe formalisht në Kongresin e Parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016