Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur e grupeve shqiptare antikomuniste që u morën nga anglo-amerikanët dhe u dërguan në bazën sekrete në Maltë, ku stërviteshin nga koloneli i shërbimeve sekrete britanike, Harold Adrian Russell, i njohur ndryshe si Kim Philby, agjenti i njohur me detyra të larta në shërbimet e fshehta anglo-amerikane, i cili më pas u vu në shërbim të sovjetikëve, duke i shërbyer me zell të madh KGB-së, ku dhe ndërroi jetë në vitin 1988, pasi për vite me radhë kishte punuar për rusët, duke dekonspiruar mjaft nga operacionet që anglo-amerikanët kishin ndërmarrë me shërbimet e tyre sekrete në disa vende të Lindjes Komuniste, siç ishte dhe Shqipëria. Dëshmia e Arif Xhaferrit, me origjinë nga fshati Sasaj i Sarandës, ish-ballistit që u arratis nga Shqipëria, në nëntorin e vitit 1944 dhe u dërgua nga Komiteti “Shqipëria e Lirë” me grupin e shqiptarëve që u stërvitën nga Philby në Maltë dhe zbarkuan disa herë në Shqipërinë komuniste.
Xhaferri, fshatari nga Sasaj i Sarandës, që u largua me ballistët në ’44-ën dhe shërbeu 19 vite në policinë e Ilinois në SHBA-ës
Arif Xhaferi u lind në vitin 1928 në fshatin Sasaj të Sarandës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij e cila asokohe, merrej me blegtori dhe me prodhimin e vajit. Gjatë periudhës së pushtimit të vendit familja e Arif Xhaferrit, pati një fat tragjik pasi ai humbi tre vëllezër dhe babanë, Izetin, i cili u vra në rrethana të panjohura në vitin 1942 në Gjirokastër. Nisur nga kjo, po atë vit Arifi u largua nga fshati i lindjes dhe pasi qëndroi pak kohë tek i vëllai i tij, Zyberi, që punonte në qytetin e Durrësit, iku nga Durrësi dhe erdhi në Tiranë, ku filloi punë si çirak në Kinemanë “Kosova”. Gjatë viteve 1943-’44, ai u angazhua me Rininë e “Ballit Kombëtar” dhe bashkë Bajram Golemin, Luan Dostin, Rizvan Bankën etj, mori pjesë në disa veprimtari e aksione të asaj organizate rinore nacionaliste. Për shkak të atij angazhimi, në nëntorin e vitit 1944, ai u detyrua të largohej nga Shqipëria, bashkë me eksponentët kryesorë të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit. Pasi qëndroi për tre vjet në kampet e Italisë, në vitin 1948 ai u rekrutua nga shërbimet sekrete angleze dhe u dërgua për tre vite në ishullin e Maltës. Në vitin 1951, me dëshirën e tij ai u lirua nga shërbimi ushtarak dhe u vendos në Chicago të SHBA-së, ku dhe krijoi familje duke u martuar me një vajzë, me origjinë angleze të quajtur Egnes. Nga ajo martesë u lindën katër djem: Drini, Kalemi, Fatmiri dhe Arifi (xhunjor). Në vitin 1970-të, bashkëshortja e Arifit ndërroj jetë, nga një infarkt dhe disa vite më vonë i vdiq edhe djali, Kalemi, në moshën 34-vjeçare. Që pas vendosjes në SHBA e deri në vitin 1997, Arifi ka punuar për 15 vite, në një restorant të tijin privat dhe 19 vite të tjera në policinë e shtetit Ilinois, ku mori edhe gradën e rreshterit. Ndërkohë që Arifi jetonte në SHBA, në vitin 1960-të, i’u arratis nga Shqipëria edhe i vëllai i tij, Zyberi, që shërbente si oficer me gradën e kapitenit të Ushtrisë shqiptare, i cili u vendos me banim në Vankuver të Kanadasë, ku jeton edhe sot. Për herë të parë Arifi erdhi në Shqipëri në vitin 1993 dhe që nga ajo kohë, ai ka ardhur dhe dy herë të tjera në atdheun e tij, ku përveç vëllait Magribit (që jeton në Sasaj të Sarandës) ka edhe shumë nipa e mbesa. Ndërsa djali i madh i Arifit, Drini Xhaferri ka ardhur në Shqipëri në 1992-in, duke punuar për gjashtë muaj në Ministrinë e Mbrojtjes në Tiranë, i dërguar nga qeveria e SHBA-së, me një ekip ushtarakësh amerikanë.
Zoti Arif, në ç’rrethana u vutë në shërbim të anglo-amerikanëve?
Në vitin 1948 kur UNRRA, filloi shpërndarjen e emigrantëve politikë shqiptarë dhe të huaj që ndodheshin në kampet e Italisë, Mit’hat Frashëri me Vasil Andonin, nuk donin që të më linin mua në kamp, pasi isha më i vogli nga të gjithë emigrantët. Pasi u formua Komiteti “Shqipëria e Lirë” në New York, Mit’hati me Vasilin, biseduan me anglo-amerikanët, për të më dërguar në ishullin e Maltës, bashkë me 40 emigrantët e tjerë shqiptarë të cilët u zgjodhën nga kampet e Italisë, Greqisë etj, në kuadrin e marrëveshjes që ishte bërë me Komitetin “Shqipëria e Lirë”.
Çfarë ishte kjo marrëveshje dhe ça do bënit në Maltë?
Të gjithë ne që u zgjodhëm për të shkuar në Maltë, do të shërbenim pranë anglo-amerikanëve, si për nevojat që ata kishin, ashtu dhe për Komitetin “Shqipëria e Lirë”, që synonte rrëzimin e qeverisë komuniste të Enver Hoxhës me ndihmën e tyre.
Kur shkuat në Maltë?
Në Maltë unë kam shkuar aty nga fillimi i muajit shtator të vitit 1948. Në atë kohë unë ndodhesha në Romë dhe aty erdhi e më mori një oficer anglez me të cilin u nisa për në Maltë me një avion ushtarak anglez. Aty në ishullin e Maltës më dërguan në një bazë ushtarake angleze të quajtur Fort Buchanan, e cila ndodhej brenda disa mureve të një kalaje të vjetër.
Çfarë ishte ajo bazë dhe kush e komandonte?
Ishte një bazë ushtarake nën komandën e kolonelit anglez të Inteligjent Servis-it, Kim Philby dhe bashkë me të aty ishin edhe tre oficerë të tjerë britanik si: kapiteni Kew etj.
Si e kujtoni Philby në atë kohë?
Philby ishte një djalë i hollë e i gjatë rreth 1.80, cm. shumë i sjellshëm me kolegët dhe vartësit e tij, të cilëve iu impononte respekt. Ai fliste rrjedhshëm disa gjuhë të huaja. Që të nesërmen e vajtjes sime atje, Kim Philby, më thirri në zyrë dhe me që dija pak anglisht, më tha që të filloja një kurs si radist, duke më caktuar edhe një oficer i cili do të më bënte një kurs për radiot marrëse-dhënëse.
Kishte shqiptarë të tjerë atje?
Pas disa ditësh, pak para se aty në bazë të vinin dhe grupet e tjera të shqiptarëve, që ishin zgjedhur për të shërbyer pranë anglo-amerikanëve, Kim Philby më mori me vete dhe më një avion të vogël ushtarak, shkuam në Libi. Gjatë rrugës para se të mbërrinim në bazën ushtarake angleze, Philby më tha se më kishte marrë me vete për të më provuar se sa kisha përparuar në mësimin e radios. Gjatë provave që bëra në atë bazë ushtarake, duke u lidhur me radio me bazën në Maltë, Philby mbeti i kënaqur prej meje dhe duke buzëqeshur, më tha se e kisha kaluar provimin.
Sa ndenjët aty?
Po atë natë me avion ne u kthyem në bazën e Maltës dhe pas pak ditësh aty filluan të vinin edhe grupet e shqiptarëve të tjerë.
Kush ishin ata, ju kujtohen emrat e tyre?
Grupi i parë që mbërriti më 15 shtator 1948, ishte ai i Vlorës ku bënin pjesë: Hysen Lepenica, Zagoll Shena, Sami Lepenica dhe Safet Kaba nga Çorushi i Mallakastrës i cili ishte kushëri i parë i kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu. Grupi i dytë që mbërriti aty ishte ai i Gjirokastrës i përbërë nga: Haki Kaba nga Lazarati, Bardhyl Gërveshi, (Lazarati) Pëllumb Sino nga Nivica, Xhemal Ibrahimi nga Luftinja e Tepelenës dhe Ago Dauti nga Rrëzoma e Delvinës. Grupi i tretë që erdhi aty ishte ai Kolonjës, që përbëhej nga: Alo Luarasi, Petrit Butka, Përparim Aliu dhe Muço Dako. Grupi i katërt që erdhi ishte ai i Skraparit i përbërë nga: Ali Koçollari, Muharrem Blezencka, Izedin Tomorri dhe Baki Ermenji. Grupi i pestë që mbërriti aty ishte ai i Kurveleshit, që përbëhej nga: Ramiz Matuka, Bido Kuka, (nga Nivica) Ahmet Kuka, Hysen Isufi, (nga Konispoli) Turan Aliko, (Zhulati). Aty nga mesi i tetorit mbërriti edhe një grup nga Korça, ku prej tyre mbaj mënd vetëm Seit Pilurin dhe të tjerët s’më kujtohen.
Nga dhe me se vinin ato grupe shqiptarësh?
Të gjitha grupet e shqiptarëve që erdhën aty, vinin me anë të nëndetëseve britanike në fshehtësinë më të madhe.
Pasi mbërritën të gjithë shqiptarët në atë bazë, ju komunikuan qëllimin e vajtjes tuaj atje?
Po, pasi kishin mbërritur të gjithë grupet e shqiptarëve, oficerët anglezë me në krye kolonelin Kim Philby, i cili ndryshe nga të tjetër, rrinte gjithnjë i veshur civil, na mblodhën në një sallë të madhe për të na bërë të ditur qëllimin e vajtjes sonë në atë vend.
Çfarë ju tha Philby?
E kujtoj si tani kolonelin Kim Philby i cili na tha: “Pasi të stërviteni këtu për disa kohë, ne do t’u dërgojmë me misione sekrete në vendin tuaj në Shqipëri. Atje ju do të shikoni e vëzhgoni situatën në mënyrë, që ne të dimë se a mund të ngrihet populli në kryengritje kundër regjimit komunist në fuqi, gjithnjë në qoftë se do të ketë ndonjë ndërhyrje ushtarake nga jashtë. Po kështu ju atje do të shikoni dhe do të merrni informata, rreth pozitave që kanë rusët në atë vend, ku janë vendosur ata, sa është numri i tyre, sa rusë janë në repartet e xhenjos, sa depo e kazerma kanë dhe ku i kryejnë punimet fortifikuese, detyra që ne do t’ua precizojmë saktësisht para nisjes”. Kaq na tha pak a shumë Philby.
Më pas çfarë bënë me ju?
Pas kësaj ne na organizuan nëpër grupe, sipas rretheve duke pasur çdo grup komandantin e vet dhe një radist. Unë u caktova në grupin e Gjirokastrës, me detyrën e radistit dhe komandanti ynë ishte Xhemal Ibrahimi. Na dhanë edhe uniformën ushtarake të “Rojal Army Ordinar Korpus” të cilën nuk duhet ta hiqnim edhe kur të dilnim në qytet.
Pse ju lejonin të dilnit në qytet?
Pasi u bë organizimi i grupeve ne na lanë të lirë për të dalë në qytet, duke na dhënë secilit si fillim nga 50 lira floriri.
Po stërvitja kur filloi dhe çfarë bënit konkretisht?
Të nesërmen filluam nga stërvitja dhe oficerët anglezë, na mësonin llojet e përdorimin e minave, fotografimin e objekteve të ndryshme, luftimet trup me trup me thika, stërvitje dhe qitje me armë të ndryshme, ngjitje zbritje me litar nëpër shkëmbinj, zbërthim bombash e granatash, mësime në harta etj. Pas disa ditëve ne filluam përgatitjet për t’u hedhur me parashutë, nga avionët luftarakë në lartësi të ndryshme. I gjithë programi ynë stërvitor zhvillohej me përkthyes anglezë të cilët e dinin shumë mirë gjuhën shqipe.
Çfarë kushtesh jetese kishit në atë bazë ushtarake?
Aty ne kishim kushte shumë të mira dhe nuk na mungonte asnjë gjë. Ishim katër veta në një dhomë dhe çarçafët na i ndërronin dy herë në javë. Po kështu dhe ushqimi ishte shumë i mirë. Ne ishim vendosur në një zonë ushtarake, ku nuk lejohej të hynte njeri, se përndryshe eliminohej nga rojet, që bënin shërbim të vazhdueshëm 24 orë. Një herë në javë ne shkonim në depon e bazës dhe merrnim çfarë të donim, ushqime apo veshmbathje. Pas stërvitjes dhe drekës ne pushonim pak, e në ora 17.00 ishim të lirë për të dalë në qytet ku shkonim në kinema, bilardo, klube etj.
Kush ishte Kim Philby?
Harold Adrian Russell, ose siç është njohur ndryshe, Kim Philby është konsideruar spiuni më i rëndësishëm në historinë e spiunazhit botëror. Në 9 vjet karrierë ai u ngrit nga radhët e Shërbimit Sekret Britanik (SIS) për t’u bërë në vitin 1949, oficer Ndërlidhës Britanik në Uashington, pranë CIA–s dhe FBI-së, një pozicion në qendër të shërbimeve sekrete perëndimore, kundër Bashkimit Sovjetik. Kim Philby u rekrutua dhe u vu në shërbim të KGB-së, pas ardhjes nga studimet në universitetin e Kembrixh dhe duke pasur parasysh shërbimin e tij afatgjatë në SIS, mundësia e tij për të penetruar aty ishte mjaft e madhe. Ky lloj rekrutimi dhe shërbimi i jashtëzakonshëm i tij në favor të sovjetikëve, e bëri Philby agjentin më të suksesshëm që penetronte në shërbimet sekrete, një spiun sovjetik që kishte akses të posaçëm, në të gjitha rangjet e shërbimeve sekrete anglo-amerikane. Philby u ekspozua dhe u dekonspirua si agjent i rusëve, përpara se ai të bëhej shefi i shërbimeve britanike dhe më pas në marsin e 1963, u largua në Moskë. Por pavarësisht nga kjo, ai dëmtoi shumë rëndë shërbimet sekrete perëndimore. Një nga ato vende ku ai dekonspiroi planet e anglo-amerikanëve, për rrëzimet e qeverive komuniste, ishte dhe Shqipëria, ku me informatat e tij Sigurimi i Shtetit Shqiptar, arriti të shtinte në kurth me dhjetëra antikomunistë shqiptarë, që zbarkuan këtu pasi ishin stërvitur nga anglo-amerikanët në kampet e tyre. Pas vendosjes në Moskë, Philby jetoi në një vend sekret dhe nuk dilte kurrë në vende publike, e në rastet kur dilte ishte nën ruajtjen e KGB-së. Nga viti 1963 deri në 1988 që qëndroi në Moskë, ai ruajti heshtjen për 25 vite, deri pak ditë para vdekjes. Pak kohë para vdekjes, në një lëvizje të paprecedentë, ai ftoi gazetarin Philip Knightley në apartamentin e tij në Moskë dhe në 6 ditë tregoi të gjithë sekretet e tij./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016