Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument të panjohur të nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, që për vite ka mbajtur siglën “Tepër sekret” dhe tashmë i de klasifikuar, i cili i përket vitit 1987 dhe bën fjalë për një letër, që Ministri i Punëve të Jashtme, Reiz Malile, i dërgonte ambasadës shqiptare në Paris dhe personalisht titullarit të saj, Maxhun Peka, ku i kërkonte që ai personalisht dhe gjithë stafi i përfaqësisë sonë diplomatike, në atë vend perëndimor, do të merrte një detyrë të veçantë sipas porosive që ai u kishte shkruar. I gjithë personali i asaj ambasade duhej të angazhohej menjëherë dhe të ndante detyrat në mënyrë të preçizuar, duke filluar hulumtimet, kërkimet dhe takimet zyrtare apo private me individë të ndryshëm dhe autoritetet e shtetit francez e atij belg, në mënyrë që të evidentohej dhe të gjendeshin dokumente, regjistra, fjalime, gazeta, libra dhe filmime të ndryshme, të cilat kishin të bënin me gjithë veprimtarinë e Enver Hoxhës gjatë viteve 1930-1935, që ai kishte qenë në Francë “me studime” dhe në Belgjikë si sekretar i Konsullit të Nderit të Mbretërisë Shqiptare në atë vend, z. Maroth de Marthoy dhe kryekonsullit, Albert Calmes…
Letra e ambasadorit Malile për ambasadën shqiptare në Paris
REPUBLIKA POPULLOR SOCIALISTE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TE JASHTME
Tiranë, më 16. 3. 1987
Nr.909
AMBASADËS SE RPS TE SHQIPËRISË
(Shokut Maxhun Peka)
P A R I S
Qëndrimi në Francë zë një vend të veçantë në jetën e shokut Enver Hoxha, në edukimin dhe formimin e tij revolucionar.
Në kuadrin e punës për pasurimin e plotësimin me dokumente të fondit të tij arkivor, dalin një sërë detyrash urgjente, të cilat duhet të ndiqen dhe të realizohen nga ana juaj.
Në kofidencë po ju themi se shoku Enver Hoxha ka lanë të shkruara një cikël të tërë kujtimesh për vitet e studimeve e të qëndrimit në Francë e Belgjikë (1930-1935) dhe, ndofta më pas ato botohen (mundet më 1988)
Aktualisht ndodhemi para këtij problemi:
Për nevojat e pasurimit të fondit dokumentar arkivor:
Për nevojat e konkretizimit të periudhës 1930-1936 në Muzeun “Enver Hoxha” që po ngrihet në Tiranë: për nevojat e punës përgatitore për një film dokumentar që do të xhirohet në bazë të kujtimeve të shokut Enver për Francën etj., është e nevojshme që nga ana e ambasadës të bëhen sondazhet e nevojshme në disa drejtime:
1936. Të pyetet në parim me anë miqsh ose me sondazhe zyrtare se ku ruhen dokumentet e Universiteteve të Francës që i takojnë periudhës së viteve 1930-1936. Nëse dokumentet ruhen në Arkivin e Përgjithshëm (shtetëror), atëhere drejtojuni atij: nëse i ruajnë Universitetet përkatëse, atëhere duhet drejtuar Universiteteve.
Konkretisht:
- Të bisedohet me Universitetin e Monpeljes dhe, në vija të përgjithshme t’u thuhet:
“Në Universitetin tuaj, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Dega Biologji – Kimi, ka studiuar nga tetori i 1930 gjer në mars 1933, i riu shqiptar Enver Hoxha, i cili më pas u bë udhëheqësi i popullit shqiptar, Themelues i Republikës Popullore, udhëheqës i Partisë etj., (i dini vetë)
Monpeljeja, thojini, zë një vend të veçantë në jetën e kujtimeve të tij. Ai është shprehur me simpati e respekt për Universitetin tuaj, popullin francez. Do të donim të na ndihmonit: ç’dokumenta ruhen, ku pasqyrohet, ose përmendet shoku Enver në atë periudhë, ndonjë regjistër, amza ndonjë punim i tij, ndonjë shënim nga profesorët për të në ato vite, etj., etj., ç’të jetë e mundur…”.
Pasi t’i gjejnë, t’u njoftojnë nëse ka.
- Po e njëjta gjë duhet se në vitin 1934, mundet në tetor, në këtë Universitet është regjistruar, ndofta si student i jashtëm, në Fakultetin e Drejtësisë, i riu shqiptar Enver Hoxha…etj.
A ruhet ndonjë dokument, regjistër etj., etj.
- Po e njëjta gjë duhet bërë me Universitetin e Brukselit veçse me këto preçizime:
Dimë se ai, krahas punës në Konsullatë u regjistrua edhe në Universitetin e Lirë (L’Universite Libre dy Bruxel), në fakultetin e Drejtësisë. Mundet të ketë ndodhur kjo në shtator ose tetor 1935, mundet edhe më herët. Ju lutemi, a mund të na ndihmoni me çdo lloj dokumenti ose të dhëne që flet për shokun Enver Hoxha si student në këtë Universitet etj.”
Arkivit të Ministrisë së Jashtme të Francës:
T’i kërkohen me anë miqsh ose zyrtarisht dokumente të ndryshme për dy momente:
- Në vitet 1935-1936 shoku Enver Hoxha etj., shkoi me punë në Konsullatën e Mbretërisë Shqiptare në Bruksel të Belgjikës.
Në po kërkojmë dokumente në Bruksel, por do të na interesonte shumë ndihma juaj në një aspekt tjetër:
Konsull nderi në Konsullatën shqiptare në Bruksel në periudhën kur atje punoi shoku Enver Hoxha ishte qytetari francez me origjinë hungareze, Maroth de Marthy dhe kryekonsull Albert Calmes.
Mos ndofta në arkivat tuaja ruhen dokumente e material që pasqyrojnë qenien dhe veprimtarinë e Maroth Morthyt e Albert Calmes në vitet 1935-1936 si Konsull i Mbretërisë Shqiptare në Belgjikë? Kuptohet, ne do të na interesonin shumë ato dokumente (nëse dispononi), vetëm nëse ne to flitet direkt ose indirekt për Enver Hoxhën.
- Më 18 gusht 1946 shoku Enver Hoxha, tashmë kryetar i Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, mbërriti në Paris për të përfaqësuar shtetin e ri shqiptar në Konferencën e Paqes që në atë kohë zhvillonte punimet në kryeqytetin francez.
- Më 21 gusht 1946 shoku Enver Hoxha foli në seancën plenare të Konferencës së Paqes.
- Më 24 gusht 1946 zhvilloi një konferencë shtypi me gazetarët në “Hotel du Luvre”.
- Më 16 shtator 1946 në prag të nisjes për në Shqipëri bëri një deklaratë shtypi (botuar edhe në Shqipëri).
- A dispononi dokumente rreth veprimtarisë së Enver Hoxhës në Konferencë?
- A gjendet i plotë inçizimi i fjalës së tij në Konferencën e Paqes? Po teksti i inçizuar i Konferencës së shtypit?
- A gjenden (ruhen) syzhete nga kronika filmike kur ai foli në Konferencën e Paqes? Po nga Konferenca e shtypit?
- A ruhet proces-verbali i Konferencës së Paqes? Ç’është shënuar në të për Enver Hoxhën dhe fjalën e tij?
- Mos ndofta gjenden shënime, përshtypje etj., të pjesëmarrësve të Konferencës për Enver Hoxhën dhe veprimtarinë e tij”.
Këto, në gjuhën e përshtatshme u kërkohen francezëve.
Por, për më tej, për dijeninë tuaj duhet të keni parasysh dhe këtë:
Gjatë periudhës 20 gusht-16 shtator 1946, shoku Enver Hoxha mori pjesë në disa pritje që organizuan në Paris, delegacioni sovjetik dhe ambasada sovjetike në Francë: delegacioni jugosllav dhe ambasada jugosllave, polakët, çekët, etj. Në këto pritje merrnin pjesë edhe gazetarët e kineastët francezë. Mos ndofta, kushedi (!) në arkivat e filmit francez ruhen kronika nga ato pritje e, mos ndofta është fiksuar dhe shoku Enver?! Ku e si mund të interesohemi për këto?! Ndofta gjejmë diçka me vlerë.
Për këto të fundit, shoku Maxhun, veproni si t’u duket më e mira, ose lëreni në heshtje nëse është e vështirë ose jo oportune të kërkohet.
-Duhet interesuar, me anë miqsh ose zyrtarisht pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Belgjikës për të kërkuar se ç’dokumenta ruhen në arkivat e saj që kanë lidhje me:
-Çeljen e Konsullatës së Mbretërisë Shqiptare në Belgjikë dhe me veprimtarinë e saj në vitet 1934-1936.
-Regjistrimi i Enver Hoxhës në anuarin diplomatik të Ministrisë së Jashtme Belge.
-Gjithçka ka të bëjë me shokun Enver Hoxha në Belgjikë në vitet 1934-1936.
- Në ndonjë takim ju vetë, ose shoku Arqile ose Thoma, ose kë të quani ju të arsyeshme, të bisedoni me organet përkatëse (ndofta me Ministrinë e Jashtme të Francës ose me ndokënd tjetër ku ta mendoni ju), për një gjë të tillë. Pasi t’i flisni shkurt për shokun Enver, për vlerësimin që i ka bërë ai popullit e kulturës franceze, për vitet që ka kaluar në Francë etj.
- Të gjendet mënyra të pyetet, në se do të qe e mundur të vijnë në Francë, dy – tri shokë për t’i njohur nga afër vendet ku ka studiuar e jetuar shoku Enver, ku ka shëtitur, pikat historike të Monpeljesë e të Parisit, që ka vizituar në vitet 1930-1935, sallën e Konferencës së Paqes ku foli më 1946 etj., etj. Po ashtu a do të ishte e mundur të filmonim disa nga këto vende e qendra historike, banesat ku ka jetuar, sallën e Konferencës së Paqes, bibliotekat e librit (botimet e viteve ’30-të) që ka frekuentuar e lexuar etj. U theksoni se ky film, i mbështetur në kujtimet e shokut Enver Hoxha për Francën, do të ishte gjithashtu dhe një vepër për miqësinë mes dy vendeve e popujve tanë etj.
-Pra, shoku Maxhun, bëjeni me kujdes një sondazh dhe në këtë drejtim dhe na njoftoni.
-Nëse e shihni të arsyeshme e me të efektshme, mundet t’u drejtoheni miqve të Shqipërisë në Francë e Belgjikë dhe nëpërmjet tyre të sigurojmë ato ç’na interesojnë për fondet që kanë të bëjnë me Ministrinë e Jashtme franceze e sidomos për Konferencën e Paqes. Nëse kjo mënyrë s’jep rezultatet e duhura, atëhere drejtohuni rrugës zyrtare.
-Shokët këtu kanë përgatitur listat (në frëngjisht) të autorëve e të literaturës që studionte shoku Enver në vitet ’30-’36 në Francë, të organeve të shtypit që ai lexonte, të atyre gazetave ku është shkruar për të, etj.
-Po ju bashkëngjisim një kopje të këtyre listave.
Ngarkoni një nga shokët të interesohet se ku ruhen këto libra (kujdes – botimi i viteve 1920-1930, jo botime të mëvonshme).
Pastaj le të pyes në institutin ku ruhen libra të tilla:
A është e mundur që të sigurojmë fotokopje të kopertinave të tyre, a mundet në një moment të përshtatshëm t’i fotografojmë e t’i filmojmë të gjitha bashkë e disa më vete?
Për gazetat ku shkruhet për shokun Enver (sidomos ato që pasqyrojnë veprimtarinë e tij në Konferencën e Paqes) interesohuni në se mund të gjejmë ndonjë ekzemplar origjinal.
Dokumentet që përmendëm më sipër ne duhet të bëjmë gjithçka që t’i sigurojmë. Juve paraprakisht bëni një konsultë midis shokëve të ambasadës, shkëmbeni mendime si mund të organizohet puna për të arritur rezultate sa më të mira. Bëni një ndarje konkrete të detyrave për kontaktet që duhet të ndërmarrë secili nga shokët me miq të vendit tonë dhe institucionet e ndryshme franceze e belge të lartpërmendura dhe deri nga 10 ditshi i parë i prillit të vitit në vazhdim na njoftoni rezultatin.
Kini parasysh për gjithë punën që duhet kryer, përcaktoni qartë:
- Çfarë mund të kryhet nga miqtë e shoqatat:
- Ç’mund të sigurohet nga francezët, me ose pa pagesë, qoftë dhe në kuadrin e shkëmbimeve kulturore midis dy vendeve
- Kur duhet të vinë shokët tanë aty sikurse bëhet fjalë në faqen 5. Për problemin e fundit duhet të tregoni kujdes që të merret me kohë autorizimi i autoriteteve franceze, gjithçka të bëhet në rregull në mënyrë që në procesin e punës, sidomos të filmave nga shokët tanë, të mos dalin probleme. (Ju shihni edhe nëse ndonjë filmim ose mikrofilmim të bëhet nga francezët)
Presim sa më parë mendimet tuaja./Memorie.al
M I N I S T R I
(Rezi Malile)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016