Nga Mr. Sc. Nikollë LOKA
Pjesa e katërt
Memorie.al / Të parët e familjes Gjika largohen prej Zërecit të Përmetit dhe vendosen në Kostandinopojë, në kërkim të një jete më të mirë. Ata u morën me tregti dhe arritën të hynin në lagjen “Fanari”, ku qëndronin të krishterët e pasur të Perandorisë. E vazhduan profesionin e tregtarit, madje edhe Gjergj Gjika, themeluesi i dinastisë, e ushtronte këtë profesion kur u njoh me krye-vezirin me origjinë shqiptare, Mehmet Pashë Qypriliu, i cili e ndihmoi të ngjiste shkallët e rangut shoqëror dhe i hapi dyert e pushtetit. Familja Gjika, ndoshta në kohën e Gjergjit, shpërngulet nga Kostandinopoja dhe vendoset në territoret rumune, që përfitonin prej statusit të “Dar al sulli”, – toka e pajtimit, që u lejonte këtyre territoreve të kishin strukturat e tyre politike, administrative dhe ushtarake, pra të kishin vetëqeverisje të plotë të brendshme, ndërsa politikën e jashtme ishin të detyruar ta harmonizonin me shtetin osman, sipas parimit se principatat danubjane do të ishin “miku i mikut dhe armiku i armikut” të Perandorisë Osmane.
Pantazi Gjika lindi më 15 mars të vitit 1831. Ishte i dymbëdhjeti ndër pesëmbëdhjetë fëmijët e princit Dhimitër Gjika, me Maria Campineanu, që rridhte prej familjes fisnike të Campineanuve. Ion, Pantazi, Themistokle dhe Maria, ishin katër fëmijët që mundën të jetonin; të tjerët vdiqën.
Ashtu si vëllezërit dhe motrat e tij, Pantazi i filloi studimet në Kolegjin Shën Sava në Bukuresht. Pastaj shkoi në Paris dhe qëndroi atje pranë së ëmës. Pantazi u bë politikan dhe jurist, u njoh edhe si poet, shkrimtar, dramaturg, kritik letrar, eseist, komedian, satirist etj. E filloi karrierën politike si pjesëmarrës në revolucionin vllahian të vitit 1848 dhe anëtar i grupit radikal të udhëhequr nga Rosetti. Megjithëse dy herë u përfshi në administratën e kontesë Buzau, Pantazi e kaloi shumicën e kohës në ekzil, apo në Bukuresht.
Pas vitit 1875, Pantazi Gjika u bë njëri ndër drejtuesit e Partisë Liberale. Megjithëse Pantazi përgjithësisht është parë si shkrimtar mesatar, dallohet për marrëdhëniet e ngushta me shkrimtarët si Nicolae Filimon, Vasile Alecsandri, Dimitrie Bolintineanu, Alexandru Odobescu dhe Alexandru Macedonski, si dhe për polemikën e gjatë me shoqatën letrare konservatore “Junimea”.
Veprat e Gjikës dhe bindjet e tij politike ishin kritikuar shpesh prej intelektualëve junimistë si Titu Maiorescu, Mihail Eminescu dhe Ion Luca Caragiale. Ai ishte njëri ndër ata politikanë liberal, për të cilët bën fjalë poema e Emineskut “Scrisoara” a III-a.
Rreth vitit 1850, Pantazi ra në dashuri me Camila de Fernex. Ceremonia e dasmës së tyre u zhvillua në kishën ortodokse greke të Marsejës. Vëllezërit Gjika u kthyen në Bukuresh të ndarë. Ardhja e tyre në atdhe u bë në kohën e shpërthimit të luftës së Krimesë. Pantazi Gjika u bashkua me ushtrinë otomane dhe shërbeu si uzbash në trupat kozake. I dekoruar dhe i vlerësuar kthehet në Bukuresht. Me traktatin e Parisit, Vllahia lejohej të kishte një administratë të re.
Prokuror, avokat dhe gazetar
Në vitet 1856-1858, Pantazi u bë prokuror për kontenë Dambovita, përpara se të kalonte në aktivitet privat si avokat. Përfshihet në politikë dhe bëhet njëri ndër veprimtarët më të dalluar liberal, i lidhur me krahun më radikal të udhëhequr nga Rosetti. Kjo ndodhi në kohën e bashkimit të Vllahisë me Moldavinë nën sundimin e princit Alexander John Cuza.
Pas zgjedhjes së princit Cuza, Gjika hyri në shërbimin civil, duke u bërë inspektor në Ministrinë e Drejtësisë dhe pastaj drejtor Departamenti në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kthehet në profesionin e avokatit dhe në vitin 1861, u bë përfaqësues ligjor i njerëzve që u arrestuan gjatë trazirave antiunioniste në Craiova.
Një vit më vonë emërohet përfaqësues ligjor në Ministrinë e Arsimit. Në vitin 1859, së bashku me Dimitrie Bolintineanu, botoi revistën Dambovita, por shpejt artikujt e saj shkaktuan skandal dhe Pantazi u arrestua për mungesën e etikës në organin e tij.
Ndau të njëjtën qeli me kolegun e tij, Orasanu, një kundërshtar i vendosur i sundimit të mbretit Karol. Pantazi u bë mik me shkrimtarin Alexander Odobescu dhe më vonë, në vitin 1861 bashkëpunoi me revistën e tij letrare, Revista Romana. Po gjatë këtyre viteve, Pantazi Gjika botoi dy revista satirike, Pacala dhe Scranciobul.
Në vitin 1863 Pantazi shkoi në Moldavi, ku fillimisht vizitoi kushërirën e tij, Kleopatra Gjika, që ishte martuar në familjen ruse Trubetskoy. Atje mori pjesë edhe në veprimtaritë e shkrimtarit moldavian Iacob Negruzzi, të cilin e kishte paraqitur në rrethin e Rosettit. Duke filluar me vitin 1870, Gjika botoi disa artikuj në revistën e Rosettit, “Romanul”. Gjatë kësaj periudhe filloi të publikojë pjesët e tij letrare në Revista Contimporana.
Në vitin 1866, sundimtari Cuza u zëvendësua me Karolin e Hohenzollernit. Pantazi Gjika kishte luajtur një rol të dorës së dytë në përpjekjet për të rrëzuar Cuza-n si komandant lokal i Gardës së Qytetarëve. Atij iu dha detyra e Prefektit të kontesë Buzau. Emërimi ishte mirëpritur nga Vasile Alexander, që kishte patur një korrespondencë të gjatë me të dy vëllezërit Gjika.
Koha e qëndrimit të tij në detyrë kishte qenë e shkurtër për shkak të antipatisë së Mbretit Karol. U kthye në Bukuresht dhe bleu një vilë në rrugën Cometei. Në kryeqytet u angazhua si përfaqësues i Alexandri-t në një konflikt ligjor me fshatarët që kishin hyrë në pronat e tij.
Vitet e fundit të jetës. Vila e Pantazi Gjikës në Bukuresht u bë vendi i takimit për shumë personalitete letrare të kohës. Gjika ishte i lidhur shumë me poetin simbolist Alexandru Macedonski, që banonte aty afër. Pantazi u bë deputet dhe pastaj senator, duke përfaqësuar atje liberalët dhe në fund të jetës nacional liberalët. Pantazi Gjika vdiq në shtëpinë e tij në rrugën “Cometei”, më 17 korrik 1882. U varros në varrezat familjare në Ghergani. Ai u trashëgua nga e bija Camila Gjika që vdiq në vitin 1908 në moshën tetëdhjetëvjeçare.
Albert Gjika
Albert Gjika është pjesëtari i trungut të Gjikajve, që është marrë shumë me çështjen shqiptare. Në drejtimin e tij u mbajt në Bukuresht një kongres mbarëkombëtar i shqiptarëve. Ai bashkëpunoi me rrethet patriotike shqiptare në mërgim dhe me patriotë që jetonin dhe vepronin në Shqipëri. Në nëntor të vitit 1902, formon një komitet shqiptar në Paris dhe u fut në lidhje me shqiptarë të shquar që jetonin në vende të ndryshme të Europës, në Amerikë dhe në Egjipt.
Programi politik i Komitetit Shqiptar të Parisit në fillim parashikonte marrëdhënie të mira në mes të shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane, por pas vizitës që Gjika bëri në Stamboll u bind se marrëdhëniet e mira me Portën e Lartë, nuk ishin në interes të shqiptarëve. Albert Gjika ishte një njeri shumë energjik dhe kishte ambicie për t’u angazhuar në politikën shqiptare.
Për të siguruar mbështetje bëri shumë udhëtime nëpër Europë dhe takoi shumë njerëz. Nga fundi i vitit 1904 shkoi në Angli dhe në fillim të vitit 1905 në Itali dhe në Mal të Zi. Ai ishte ndër të parët që i deklaroi ambiciet e tij për t’u bërë Mbret i Shqipërisë së pavarur. Nisur nga pretendimet e tij, si kryetar i kombit, në vitin 1909, kërkoi autonominë e Shqipërisë.
Në vitin 1911, u rishfaq në skenën politike me një deklaratë, ku u drejtohej Fuqive të Mëdha, duke i informuar mbi kryengritjen shqiptare dhe botoi një projekt të kushtetutës së Shqipërisë autonome. Pas shpalljes së pavarësisë edhe zyrtarisht u shfaq si njëri ndër pretendentët për fronin mbretëror të Shqipërisë.
Vladimir Gjika
Vladimir Gjika lindi më 25 dhjetor 1873. Ishte diplomat dhe eseist dhe pas konvertimit nga ortodoks në katolik, u bë prift. Shërbeu në Transilvani, ku kishte dy milion katolikë, të organizuar në shtatë dioqeza. Arriti të bëhet kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Rumanisë. Pas vendosjes së regjimit komunist në Rumani arrestohet dhe vdes në burg nga torturat, më 17 maj 1954. Për nder të tij është krijuar në Rumani Qendra e Studimeve Katolike që mban emrin e tij.
Dhimitër J. Gjika
Dhimitër J. Gjika lindi në vitin 1875 në Bukuresht. U bë ministër në vitet 1919-1922.
Matila Costiesco Gjika
Matila Gjika lindi më 13 shtator 1881 në Iasi të Rumanisë dhe i përket familjes fisnike Gjika, nga ana e nënës. Prindërit e tij ishin Matila Costiescu dhe Maria Gjika. Ai është stërnipi i Grigor Aleksandër Gjikës, princit të fundit të Moldavisë.
Fillimisht studioi në kolegjin jezuit në Jersey, pastaj në Akademinë Detare Franceze në Brest, Shkollën e Lartë Elektrike në Paris dhe së fundit në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Lirë të Brukselit, ku mori edhe doktoratën. Iu bashkua shërbimit diplomatik në vitin 1910 dhe shërbeu në ambasadat rumune në disa kryeqytete të Europës, si Romë, Berlin, Londër, Madrid, Paris, Vjenë dhe Stokholm.
U bë ambasador i Rumanisë në Suedi dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 1918 u martua me Eileen O’Conor, vajzën e Sir Nicholas Roderick O’Conor, ish-ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Perandorinë Osmane dhe në Rusi. Matila pati formim të gjithanshëm. Ishte oficer marine, diplomat, shkrimtar, matematicien, esteticien, shkrimtar dhe historian.
Ai u prezantua në rrethet letrare franceze dhe angleze nga Paul Morand dhe princi Antoine Bibesco. U bë mik i Marcel Prustit dhe poetit Leon-Paul Fargue. Si vizitor i shpeshtë i sallonit letrar të Natalie Cifford Barneyt, ai u takua me shumicën e shkrimtarëve amerikanë, që kishin emigruar në Europë. Interesi kryesor i Matilës ishte gjithmonë sinteza e matematikës me poezinë.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjes së regjimit komunist në Rumani, Matila Gjika largohet nga vendi dhe shkon të punojë si profesor i estetikës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Universitetin e Kalifornisë së Jugut dhe Kolegjin “Mary Washington” në Virxhinia. Megjithëse studiues i pasionuar, Matila tregoi interes edhe për politikën.
Kujtimet e tij që u publikuan në vitin 1961 përfundojnë me një mesazh besimi mbi natyrën njerëzore. Princ Matila Gjika vdiq në Londër më 14 korrik 1965, dy vjet pas vdekjes së gruas së tij dhe ishte varrosur në varrezat Gunnersbury të Londrës.
Veprat e Matila Gjikës
‘Estetika e proporcioneve’ (1927)
‘Numri i artë’ (1931)
‘Shiu i yjeve’ (1936),- e vetmja novelë që shkroi.
‘Ese mbi ritmin’ (1938), me parathënie të shokut të tij Paul Valéry
‘Turi i horizontit filozofik’ (1946)
‘Magjia e foljes’ (1949)
‘Një kronologji dokumentare e historisë rumune prej periudhave parahistorike deri në ditët e sotme’ (1941)
‘Gjeometria e artit dhe jetës’ (1946)
‘Një doracak i gjeometrisë praktike’ (1952)
‘Filozofia dhe mistika e numrave’ (1952)
‘Matila Gjika’, kujtime (1961). Memorie.al













