Nga Ndue Oroshi
Pjesa e dytë
Memorie.al / “Dera e Kapedanëve të Mirditës, në namë e në za në krejtë gadishullin ballkanik e tutje, qe një arkë e shugurume, ku u ruajtën ndër shekuj normat kanunore, d.m.th. esenca heroike-patriarkore, me palcë të çmueshëm njerzuer, esencë që e shpëtoi rodinë e shqiptarit, nga zvetnimi e çoroditja. Ai visar dokesh ishte dikur paji i mbarë kombit, mandej kushtet e egra të zotnimit aziatik, erdhën tue ia ngushtue qarkun e ndikimit, dhe tue e kufizue në malet e Shqipnisë. Fryma e vjetër e ligjeve dokësore, ku ma pak e ku ma shumë, lëviti i rrahi pajada, në gjak të shqiptarit, e shtrime në krejt tokën e atdheut, dhe ngjeti kudo, qi njerz robi shqiptar u shpërngulën. Studiues e hulumtues të huej, në Kanun të Malevet, hetuen substancën ma të kulluet, të fisit arbnuer dhe patentet e fisnikërisë, së ti shumë të lashtë indoeuropiane. Kapidan Gjon Marka Gjoni, burrë i gdhendur, një copë në curr t’ashpër, të landës sonë raciale, përfaqësoj traditën autoktone, më të pikatun. Në te u mishnue shembullisht burrnia e njerzia e rracës”.
Sëmundja e rëndë, vdekja dhe varrimi madhështor i Kapidan Gjon Marka Gjonit
Duke u bazuar në shkrime te botuara dhe të dhënave të drejtpërdrejta nga bashkëkohësit qe ende jetojnë, Kapidan Gjoni u sëmur rëndë në vitin 1960. Diagnoza e mjekëve qe menjëherë dëshpëruese. Ata nuk i jepnin jetë më shumë se dy – tre muaj. Përkundrazi, trupi i Kapidan Gjon Marka Gjonit, qëndroi aq shumë saqë mbetën te çuditur edhe mjekët që kujdeseshin për shëndetin e tij.
Dhe pas 45 ditësh qëndrimi në spital, ai u kthye sërish në shtëpi, kurse tek mbesat e vogla, vajzat e Ndout, dhe për disa vite të tëra e vazhdoi jetën e zakonshme. Në vitin 1964, sëmundja i’u shfaq përsëri. E për dy vite e dhjetë muaj, prap mbeti i shtruar në spital.
Asnjë ankim nuk i duel kurrë nga goja. Vizituesve, pasi zërin ia kishte këputur sëmundja, iu fliste me dritë të syve, që nënqeshëshin nën një hije trishtimi, në thellësi të minxave. Ishte një nënqeshje qe lulëzonte nëpër therje të dhimbjeve. Priste burrnish pa u tutë timtat e fundit. E drita e nënqeshjes në buzë të zbardhura prej vuajtjeve, vinte përherë tue pakun, por nuk zhdukej.
Kaloi në jetë të pasosme, në orën 21,15 të ditës së 28 Prill 1966, duke ia shtrëngue dorën Ndout, të birit që u kujdes për te, me dashuri birnore të pashoqe gjatë sëmundjes së gjatë që ia ndali ngadalë fuqinë e trupit, bërë asht e lëkurë.
Pas kalimit në jetën e pasosun, Kapidan Gjon Marka Gjoni u varros me 30 Prill të vitit 1966.
Varrimi i’u bë në mënyrë madhështore. Fjalën e fundit e mbajti profesor Ernest Koliqi, ndërsa miq e dashamirë dy djemve të tij, Kapidan Ndue Gjon Markut dhe kapidan Nikollë Gjon Markut, i’a shtrëngonin duart për krye shëndosh. Në këtë varrim morën pjesë, përveç mbarë diasporës shqiptare, edhe miqtë italianë, siç ishin: Shkëlqesat Cassiani e Gjeneral Palandri, prof. Schiro, zonja Maja Jacomoni, në përfaqësi të shoqit, profesor Gradilone, Dott. La Francesca, Comm. Zanutto, Pio Montanari e shumë të tjerë.
Kurorat ishin te shumta, ku veçohen ato te familjarëve e nipave dhe mbesave dhe shumë të tjera dërguar nga familjet atdhetare, si: Verlaci, Shkreli, Zorzoli, Mirakaj, Koliqi, e nga zotërinjtë; Tahir e Rifat Kolgjini, Asllan Zeneli, Iljaz Kraja, Lazër Qupi, një kurorë e porositur nga grupi i ‘Bllokistave’ të Belgjikës, që arriti më vonë.
Te dy djemve të Kapidan Gjon Marka Gjonit, nga mbarë mërgata shqiptare nacionaliste, i’u erdhën telegrame ngushëllimi. Po përmendim vetëm disa preji tyre: në emër te Mbretërisë Shqiptare Leka I-rë, më pas Cardinale Antoniutti dhe Francesco Jacomoni, në emër të Komitetit “Shqipnia e Lirë” profesor Rexhep Krasniqi, në emër të Organizatës Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit”, Selim Damani, në emër të “Lidhjes se Prizrenit”, Ismet Ukë Sadiku.
Në emër të “Grupit të Rezistencës Shqiptare”, Mit’hat F. Dine, në emër të organizatës “Balli Kombëtar”, Qazim Emra, në emër te “Bllokistave”, Melyshi – Ashta – Quni, në emër te “Grupit Bllokist”, të Belgjikës, Rrok Maloki, nga Pukasit me qëndrim në New York, nga Qendra Ndërkombëtare për Studimet Shqiptare, Petrotta – Valentini – Gurakuqi, nga Madridi, Hysen Selmani, nga Brukseli, Muharrem Bajraktari.
Nga Londra, Maria Selma dhe Tajar Zavalani, nga Firenze, Isa Ndreu, nga New Yorku, familja Myftia e Xhemal Laçi, nga New Yorku, Dom Zef Oroshi, nga Roma, Dhimitër Berati, nga Brukseli, Hysen Prishtina, Tahir Zajmi e Rifat Kolgjini, nga Brukseli, Sabri Domi, nga Stambolli, Tahir Kolgjini, nga New Yorku, Said Kryeziu, nga Brukseli, Prenk Pervizi.
Gjithashtu, vëllezërve Ndue dhe Nikollë Gjomarkaj, i’u kanë ardhë edhe tjera telegrame, nga Shtetet e Bashkuara te Amerikës, Ndue Përpepaj, Dedë Pjetërnikaj, Bardhok Ndreu, Shemsedin Vendresha, Dr. Hamdi Oruçi, Haki, Jonuz, e Elez Ndreu, Ndrecë Kaziu, Nikollë Shkoza, Gjokë Dragusha, Gjon Marka Qupi, familja Nik Kajtazi, Mexhit Dibra, Lem e Lec Koliqi, Zef Luka, Pjerin Shkreli, Gac Gurakuqi, Toni Leka.
Nga Anglia, Lazer Çupi, nga Belgjika, Beqir Rroji, Nikë Gjeto Daka e Arif Zekollari, nga Kosova familja Kazazi, nga Austria familja Koka, nga Gjermania, Profesor Martin Camaj, Hil Topalli, Gjon Gjinaj, Ahmed Demi, Bardhok Shkurti, nga Roma, Neki Libohova, Generale Amedeo Verge, dhe familja Ottolino Marinelli, familja Di Porto, familja Del Monaco, familja Fabiano si dhe familja Erminia Battisti-Melgushi, nga Palermo, Hanni e Gilbert Gurakuqi, familja e Lazer Bojaxhiu (vëllai i Nënë Terezës Gongje Bojaxhiut).
Letra në shenjë ngushëllimi, kanë dërguar edhe inxhinier Xhafer Deva, Profesor Rexhep Krasniqi, Nikollë Mëlyshi, Shukri Biçaku, Dr. Spiro Muka, Albert Curtani, Profesor Zef Nekaj, Ymer Doda, Ndue Lala, Nos Çirjaku, Prenk Pervizi, Ndue Mëlyshi, Dul Rroji, Gjergj Koka, Gjon Marka Gjini, Gjet Gjonaj, Haki Ballanca, Zef Suti, Pashk Margjonaj, Lec Shllaku, Adem Tafani, Qani Lesk Tatzati, Ahmet Sata, Hetem Zeqiri, Kamer Alla, Bardhok Doda, Daut Elezi, Kolë Frroki, Gjin Mirakaj, Dedë Gjini, Lazër Çupi, Viktor Koliqi, Gjokë Preng Markaj, Dodë Frroku, Ndrekë Kola Prend Ndue Qupi etj.
Jo rastësisht i dhashë një pjesë të emrave të këtyre atdhetarëve të cilët ndienin një dhimbje të madhe për humbjen e Kapidan Gjon Marka Gjonit.
Me një fjalë, këtë dhimbje e ndjenin të gjithë atdhetarët e Shqipërisë Etnike, atëherë si mund t’ia humbin shkëlqimin atdhetar veprimtarisë kombëtare te Kapidan Gjona Marka Gjonit, disa shkrime të shkruara në kohën e komunizmit dhe më parë, të porositura nga qarqet pan sllaviste e të shkruara nga disa mbeturina, të cilat nuk e vlejnë as emrin t’ua përmendim.
Kapidan Gjon Marka Gjoni, mbetët në Historinë Shqiptare se përkundër aktivitetit personal në shërbim të Kombit, veprimtarinë e tij e vazhduan dhe e kryen me shumë sukses edhe pesë djemtë e tij.
Po e fillojmë nga më i madhi Kapidan Dr. Mark Gjon Marku, udhëheqës i luftës për Shqipërinë Etnike, ai përpos që u shqua në aktivitetin politik, ku për dy mandate ishte ministër i Punëve të Brendshme, kur thirri zëri i atdheut e kapi edhe pushkën, deri sa u vra me 14 qershor te vitit 1946, duke e udhëhequr luftën antikomunist për Shqipërinë Etnike. Pasi që ishte plagosur rëndë, i ra vetit dhe ra heroikisht siç ranë mirditasit nëpër shekuj.
Kapidan Ndue Gjon Marku, i cili e udhëhoqi për gjashtë muaj luftën në Mirditë dhe, për 45 vjet “Bllokun Kombëtar Independent”, Kapidan Llesh Gjon Marku, i cili e mori komandën e luftës me 14 qershor të vitit 1946 dhe këtë luftë e vazhdoi përplot një vit e tre muaj, derisa ra heroikisht me 9 gusht të vitit 1947.
Një vend të merituar zën edhe Kapidan Ded Gjon Marku. E them kapidan Ded Gjon Marku, sepse nuk kam dëgjuar asnjëherë në historinë e popujve, për një te burgosur dhe të internuar aq gjatë dhe nuk mund të bëj një krahasim me dikë tjetër.
Kapidan Ded Gjon Marku, djali i katërt i Kapidan Gjon Marka Gjonit, i mbajti 41 vjet burg dhe internime në regjimin komunist të Shqipërisë, dhe më i vogli, Kapidan Nikollë Gjon Marku, i cili në moshën 17 vjeçare, theu burgjet komuniste, ku më vonë i’u bashkua Kapidan Gjonit dhe Kapidan Ndout në Itali, duke dhënë edhe ky një kontribut të çmueshëm në “Bllokun Kombëtar Independent”.
Pasiqë këtë shkrim e fillova me fjalët e profesorit dhe atdhetarit të madh, profesor Ernest Koliqit, e do burrnia që edhe përfundimin e këtij shkrimi, t’ia japim fjalëve te Koliqit, i cili në fjalimin e mbajtur në varrimin e Kapidan Gjonit, do të thoshte: “U përpijë nga hijet e mëdhaja të vdekjes edhe ky burrë në të cilin gjatë shtegtimit mbi këtë dhe, u shfaqen të skalitura vetitë ma tipike të gjakut tonë shqiptar.
Jetoi në një kohë kapërcimi prej një epoke në tjetrën, e cila shkaktoi përleshje të frigueshme në mes të dy botëve në kundërshtim: një botë që perëndonte, e që ndër ne kishte ngjyra heroiko-patriarkore, e një botë mendimesh të hovshme, që synonte në vrull të saj, me shqymbë çdo shenjë kalese, para se me përtri mbi baza të reja jetën e njerëzimit. Çka ishte virtyt e meritë për etënt e gjyshat, u quajt papritmas e mbetuni faj për breznitë e reja.
Kapidani i Mirditës, u përshkue në mes këtyre lagjeve në luftim, duke besue ngultas në vlerat e përvojës stërgjyshore, i bindur se vetëm ky trashëgim i urtisë së lashtë qet në breg të mirqenjës në këtë jetë, në dashtë një njeri, në dashtë një votër shtëpiake, një rreth shoqërues, një komb”.
E këtyre fjalëve të profesor Koliqit, i’a shtojmë vetëm edhe dy fjalë te profesor, At Zef Valentinit, i cili thoshte se: “Kapidani i Mirditës, Gjon Marka Gjoni, ishte Shtylla e Flamurit Kombëtar”, atë flamur, i cili për pesë shekuj me radhë, u ruajt në Mirditën Heroike. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016