Nga Giovanni Maddalena*
Memorie.al/ Një miku im i mirë shqiptaro-armen me dhuroi dy libra të Ismail Kadaresë, “Kështjella” dhe “Dantja i pashmangshëm”, drama prej rrethimit osman të një kalaje shqiptare dhe historia e pritjes së Dantes në Shqipëri. Për një nga ato rastet e jetës që jam i sigurt se do t’i pëlqenin autorit, e lexova librin e parë në anglisht ndërsa isha në New York, dhe të dytin në frëngjisht, në bregun tjetër të Adriatikut, në qytetin e vogël e të shkëlqyer të Termolit, ku jetoj prej disa vitesh. Ky gërshetim gjuhësh, qytetesh, historish dhe detesh, kanë të bëjnë me poetikën joshëse të Kadaresë që dy librat më përcollën dhe mbase, ky është tingulli më i mprehtë i interesit dhe i mallit që të frymëzon Kadare. Arsyeve që sollën lindjen e njërit dhe tjetrit, u kushtohet ky shkrim. Nisim nga malli.
Mendoj se kemi të bëjmë me një mall të dyfishtë që lidhet me historitë dhe vendet. “Dante” i Kadaresë nuk është një shtjellim, nuk është një ese, nuk është shpikje. Është një histori dashurie dhe urrejtje, gati një roman pasional, mbi Danten dhe Shqipërinë. Dhe romani mbi rrethimin shqiptar, është përsëri një histori dashurie dhe urrejtjeje, përsëri një pasion, mbi Perandorinë Osmane dhe Shqipërinë.
Pazolini kishte zakon të thoshte se çdo njeri shkruan të njëjtin libër dhe luan gjithnjë të njëjtin film. Ka shumë vërtetësi në këtë shprehje: secili nga ne ka një bërthamë të tijën, një tingull zotërues, dhe sa më shumë ky tingull i përket gjithësisë, aq më shumë ia del t’u flasë të gjithëve.
Tingulli zotërues i Kadaresë, të paktën ashtu si e zbulova unë, neofit i mahnitur pas tij, mund të paraqitet me vargjet e poetit Rebora:
Oh, për njeriun të bëhet i fuqishëm
Qartësi e pashmangshme e së vërtetës
thure thure me penjtë e tu pëlhurën
dhe vulose në cohë historinë
por fatin Zoti shkruan përjetësisht:
kështu qorr dhe i panxënë,
Mes vdekjes dhe vdekjes,
ndiej tingullin e poshtër ikanak,
Edhe unë do të të kem bërë, edhe unë.
Ai është gjithnjë një diferencë potenciali mes vogëlsisë apo vuajtjes së jetës dhe fatit të madh për të cilin ndiejmë se jemi krijuar. Por malli i Kadaresë është dashuri. Nuk është pabesia mendjengritur e dijetarëve racionalistë për të cilët gjithçka duhet shtjelluar me përdorimin deduktiv të arsyes, universale ama pa përkatësi, për të gjithë, por pa lidhje me kohën. Dhe nuk është cinizmi ose nihilizmi i atij që mendon se fati nuk ekziston.
Kadare në fakt flet gjithnjë për fatin, qoftë kur shkruan për Shqipërinë, për Danten apo osmanët. Është misteri i këtij fati nga i cili lind kjo diferencë potenciali mbi të cilën shtohet malli: ndiejmë se jemi krijuar për lumturinë dhe për një madhështi, por këto nuk duket se po përjetohen në historinë tonë. E ndiejmë se jemi bërë për lumturinë dhe e ndiejmë mbi të gjitha nëpërmjet vendeve dhe personave që duam.
Në fakt lumturia është gjithnjë e veçantë, e lidhur me fytyra dhe shëmbëlltyra, me gjuhë e zakone. Lumturia duhet të kalojë përmes një lloj shkëmbi dhe një lloj gjuhe dhe duhet të jetë e lidhur me atë fytyrë gruaje aq të dashur, me atë bir fatkeq, por të dëshiruar në të njëjtën kohë. Nuk ekziston lumturia për të gjithë të tjerët nëse nuk lind madje vetëm për dikë, këtë kam mundur të kuptoj. E megjithatë, kjo jetë duket se gjithnjë e shtyn çastin në të cilin madhështia do të vijë, lumturia do të përmbushet.
Përmbushja duket e pamundur dhe ndonjëherë dëshpërimisht në mungesë ose e pamundur fare, ashtu si kthimi i Dantes në Firencen e tij, ashtu si liria e gjuhës dhe e popullit shqiptar nga osmanët o nga pushteti komunist, ashtu si bashkimi i shumë jetëve të thyera nga një emigracion i dëshpëruar.
Jeta është bërë për të qenë e lumtur, kurse, shpesh fati të bie kokës i ankthshëm dhe deri kërcënues. Ose edhe më keq, mospërfillës, ashtu si qielli që Tursun Pashai vështron, përpara veprimit të dëshpëruar vetëvrasës. Por Kadare nuk mendon se pa kuptueshmëria dhe dhimbja që shkakton fati nënkupton tërheqjen nga dëshirat, dhe as nga lodhja që kjo dëshirë mbart: personazhet e tij, të shpikur a historikë, e përjetojnë dëshirën e përmbushjes së këtij fati dhe vonesën e përmbushjes së tij. E përjetojnë në mënyra të ndryshme, osmanë e të krishterë, por fati, qoftë larg o afër, është synimi i secilit.
Për Kadarenë nuk ka dyshim: brenda historisë, duke filluar nga ajo e dheut të tij, e popullit të tij, e gjuhës së tij. Kadare tregon se një poet i madh është gjithmonë “një i gjallë mes të vdekurish” dhe që i gjalli ka një atdhe, një shëmbëlltyrë dhe një gjuhë të cilave u përket me gjithë vetveten. Nuk ka Dante pa Firencen dhe italishten dhe nuk ka Kadare pa Shqipërinë.
Duket një parim i veçantë ndërsa është fillimi i një përgjithshmërie të vërtetë, shumë e ndryshme nga ajo iluministe. Sa më shumë njeriu i përket dikujt dhe diçkaje dhe e di cila është dashuria zotëruese e jetës së tij, aq më shumë është i aftë të lexojë e të kuptojë të tjerët, të jetojë nën çdo qiell e në çdo lloj gjendje: është si atëherë kur di për kë lufton dhe nuk ke frikë të nisesh. Kështu, fati i Kadaresë nuk është fati i errët e i përgjithshëm që zotëron filozofinë e ushtarëve myslimanë që kanë rrethuar kështjellën shqiptare, por është ideali me të cilin liria e njeriut bashkëpunon edhe kur gjendet në mërgim si Dante i shkretë, edhe në burgun e Pound apo të Koliqit, madje dhe në ferrin e komunizmit.
Në fakt, ideali vonon të realizohet dhe disa vende, si Shqipëria, paraqiten si dëshmitarë të një martirizimi të pafund. Por Kadare nuk mendon se martirizimi është i kotë ose dëshpërues, ai vuan trishtimin, por pa dëshpërim. Ndërthurja e ngjarjeve quhet histori dhe në shkrimin e fatit në përjetësi është Zoti. Jemi ne njërezit që luftojmë për të bërë historinë madje edhe kur duket se gjithçka përfundon keq; por rrugës ka kthesa të papritura e fatmira, dhe në fund duket, sikur dhe thotë Kadare, të gjitha këto sakrificat tona mund të kenë një domethënie të mirë, shenjat e së cilës janë ato kthesat e vogla fatsjellëse.
E ja ku lind interesi. Domethënia e historisë, e thurjes dhe e shkrimit të fatit, luhet në zemrën e secilit person, është një histori detajesh, sepse te detajet shihet madhështia dhe vogëlsia, lufta për fatin ose dorëzimi ndaj tij. Zemrat e njerëzve nga ky pikëvështrim janë të një soji, pa dallim gjuhe, dere, prejardhjeje. Historia luhet në mendjen fataliste të Tursun Pashait, në krye të një ushtrie të pafund në dialogët e grave të haremit, të shkathëta e të trembura, te Dante i madh apo te i madhërishmi Kastriot, si dhe te prostituta e emigruar në Milano. Interesi lind, sepse problemi i ndërlidhjes mes jetës dhe idealit, fati pra, është i njëjtë për të gjithë, edhe për lexuesin e fundit, kudo që të ndodhet.
Pikërisht kjo nuk do të thotë që lexuesit janë njësi të izoluara dhe të paprekura nga çështja. Mirëkuptimi i një autori si Dante ose i një ngjarjeje si ajo e luftës me osmanët është përsëri i lidhur me një fenomen të veçantë, atë të një populli. Njësitë ndërtojnë një popull kur ndodh bashkandarja e temave, e pyetjeve, e mundimeve për t’iu përgjigjur. Dhe historitë e popujve, siç vërteton pritja e Dantes në tokën shqiptare, janë edhe histori miqësie midis popujve. Të gjithë popujt detarë, e aq më tepër të këtij deti, e kuptojnë kthimin në shtëpi të Uliksit, lotët e emigrantit ose të mërgimtarit, vdekjen e papritur, mbizotëruese dhe të pashpjegueshme, që vetëm deti e mali dinë të japin.
Kadare e ndriçon afërsinë e shkëlqyer të përrallave popullore – me rrëfenjat dhe porositë e tyre – me ngjarjen e përkryer të Dantes mbi tre botët qiellore, bashkandarjen e thellë midis pyetjeve të vogla e të mëdha që përbëjnë jetën e secilit prej nesh, që jemi të përzgjedhurit për të rënë në harresë dhe të vargjeve që përgjithmonë do të bëjnë të pavdekshëm personazhet danteske. Pikërisht këto të fundit, përfaqësojnë ndoshta rrethanën më joshëse të gërshetimit të fatit me historinë e përditshme, të madhështisë së ndjesisë sonë e të vogëlsive të historive tona që Kadareja shtron duke përzier fjalitë e Dantes me zërat tanë të shkretë prej detarësh: “çfarë ndodh në Romë, luftë a paqe? U nisëm nga Durrësi dhe u mbytëm në kanalin e Otrantos. Kujtohu për mua që jam Pia. Siena më bëri, Maremma me shpërbëri 1. Ndiz një qiri për mua në varrezat e Rmait. E dhashë shpirtin duke thirrur emrin e Shën Mërisë”. Janë historitë tona të vogla që ndërtojnë historinë e madhe, ajo traditë për të cilën të luftosh për një kështjellë a për mësimin e një gjuhe nuk është e padobishme edhe nëse fitorja nuk do zgjasë; dhe të përcjellësh vargjet e Dantes është themeltare edhe nëse përfitimi nuk do shihet. Ashtu si shqiponjat mbi shkëmbinjtë e Shqipërisë, vepra e Kadaresë dallon horizontin e largët në detajin më të imtë e të errët. Por horizonti nuk qëndron pa imtësitë dhe anasjelltas. Në ndërthurje gjendet historia dhe në shkrimin e fatit është Zoti.
- Pia: Komedia Hyjnore, kënga V e Purgatorit. Personazh nga Siena, Pia de’ Tolomei, gruaja e Nello d’Inghirano dei Pannocchieschi, që e vret në rrethana të mistershme në kështjellën Pietra, në Maremma.
*Autori i shkrimit që do të botohet në gazetën “L’osservatore romano” është doktor shkencash dhe profesor në Universitetin e Molizës.