Nga Vasil Qesari
Pjesa e tetëmbëdhjetë
Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit? Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?! Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi. Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!
JUSUF VRIONI OSE ‘FANTAZMA’ ELEGANTE
“… A mund të ndodhin vallë në Europën e sotme, në historinë tonë bashkëkohore, përvoja e fate aq verbues, aq të pasur, dramatikë e plot të papritura si jeta e atij njeriu…? Me një fëmijëri ala – Nabukov e “rini të artë”, shoqëruar me shumë vite studimesh, të cilat, më pas kultivuan tek ai një shpirt e karakter të fortë, të aftë për t’u bërë ballë situatave nga më të komplikuara, përfshirë edhe kampet staliniste të punës “ala – Solxhenicin …”!
PËRKTHYESI I NDALUAR
Kur, në vitin 1970, u mësua se romani i Ismail Kadaresë ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, qe botuar në Francë, ngjarja bëri sensacion të bujshëm jo vetëm në qarqet intelektuale, studentët, lexuesit e rregullt e të pasionuar të librave letrarë, por edhe tek shumë njerëz të thjeshtë. Të kam thënë, ai është një roman i madh! – më thosh plot emfazë, shoku im i fakultetit, frankofili P.S. Ai ka brenda tij atmosferën e tragjedive të Shekspirit e frymën drithëruese të librave të Kafkës. Ke për të parë! Jehona e tij jashtë nuk do të jetë e pakët…! Lajmi i publikimit nga Albin Michel, një nga më të njohurat e më prestigjiozet shtëpi botuese franceze, u bë i njohur nëpërmjet së përjavshmes letrare Drita. Njoftimi, edhe pse i shkurtër e pa hollësira, u komentua në mënyra nga më të ndryshmet. Ndërkohë, kritika letrare mbajti qëndrim pothuajse të heshtur, ndërsa shtypi i përditshëm nxitoi ta cilësonte atë, si afirmim të artit socialist jashtë vendit. Për shumë intelektualë, botimi i romanit të Kadaresë, atje larg, në Qytetin e Dritave, (si dhe fakti që, më së fundi, në Europë do të lexohej edhe një shkrimtar shqiptar), zgjoi ndjenja krenarie nacionale.
Për individë të tjerë, lajmi në fjalë u shoqërua me mendimin ngushëllues se, botimi i librit në Paris, tek e fundit, do t’i kujtonte botës se Shqipëria qe endé gjallë e se traditat e vyera letrare, s’kishin marrë fund. Disa, siç ish rasti ynë, (një grup prej tre-katër studentësh), uronim e luteshim që mesazhi i ngjarjes në fjalë, të ish krejt tjetër.
– O zot! – thoshte S.Y. nga Shkodra – Ndofta, ky lajm është një ogur i mirë! Jo vetëm për letërsinë, por edhe për jetën tonë!.
Në fakt, mendja jonë, punonte gjetkë. Na vinte mirë të supozonim se, ndofta, botimi i romanit mund të qe një sinjal hapje në mos ndaj Perëndimit në tërësi, të paktën ndaj Francës. (Për fat, Enveri nuk qe formuar, ashtu si shumë drejtues komunistë të Lindjes në atdheun e Stalinit, por pikërisht në Francë, ku edhe kish kaluar disa vite të rinisë. Ish ajo arsyeja pse, shpesh, në raporte e fjalime atij i pëlqente të përdorte, fjalë e ekspresione nga gjuha e atij vendi). Ndërkohë, ndofta qe për t’u habitur por, aso kohe, askujt nuk i ra ndërmend të pyeste se cili qe përkthyesi i ‘Gjeneralit…’ në frëngjisht. Vetëm tek ca studentë të letërsisë, interesimi për të mësuar rreth përkthyesit të panjohur të Kadaresë, ish shfaqur në formë insistuese. Dhe arsyeja qe e thjeshtë. Në të nuk zihej në gojë se kush qe përkthyesi i romanit. Cili pra, e kish çuar Kadarenë në Paris? Zakonisht në çdo botim, emri i përkthyesit nuk mungonte. Pse, kësaj radhe, ai ish anonim?! Pyetjeve të tilla këmbëngulëse, pedagogu i Letërsisë së Realizmit Socialist, i’u përgjigj duke ngritur supet e duke thënë se, nuk dinte absolutisht asgjë…!
Megjithatë, misteri, u zbulua shpejt.
Një asistent-pedagog i frëngjishtes, gjatë një bisede intime me ca studentë, kish treguar diçka shkurt e shkarazi, rreth emrit e biografisë së përkthyesit në fjalë. Fjala, pastaj qe hapur në gjithë fakultetin po aq shpejt sa edhe reagimi nga dekanati. Sipas sekretarit të rinisë të kursit tonë, i cili provokoi edhe një mbledhje të posaçme për sqarim politik, përkthyesi i Kadaresë qe dikush të cilit nuk ia vlente t’i a zije emrin në gojë. Shkurt, një person, i cili kish qenë i dënuar me burg për çështje politike. E, më keq akoma, pinjoll i Vrionasve…! (Një familje e pasur beratase, emri i së cilës na ish fiksuar në mend qysh në vegjëli, atëherë kur në tekstet shkollore të historisë kishim mësuar se bejlerët vrionas ishin gjakpirës e shtypës; shkurt, ndër përfaqësuesit më tipikë të feudalizmit shqiptar).
Mbas 8 vjetësh, në Francë do botohej romani i dytë i Kadaresë. Lajmin e dha përsëri gazeta ‘Drita’. Shkurt e pa hollësi. Por, kësaj radhe, e veçanta ish se informacioni shoqërohej me një foto të kopertinës së botimit në frëngjisht. Ne krye të saj, me germa goxha të mëdha qe shkruar emri i autorit, shoqëruar me titullin e romanit në frëngjisht: Le Grand Hiver (Dimri i madh). Pak më poshtë, me shkronja më të vogla, shënohej: Traduit en français par Jusuf Vrioni (Përkthyer në frëngjisht nga Jusuf Vrioni). Në fund të kopertinës, lexohej emri i shtëpisë botuese: Fayard.
Qe për herë të parë që lexuesi shqiptar, mësonte prej një gazete të kontrolluar rreptësisht nga Partia, emrin e përkthyesit anonim të Kadaresë. Por, si qe e mundur që ai emër i ndaluar të bëhej publik? Mos qe thjesht një gabim? Bie fjala, një lajthitje e kryeredaktorit? Apo, neglizhencë e redaktorit-dezhurn në shtypshkronjë ose nxitim në xingograf? Apo asnjëra, as tjetra…! Mendja të shtynte të fantazoje dhe plot gjëra të tjera. (Po sikur, ai gjest, të ish një harresë e qëllimshme për rehabilitimin e tij…?! (Ndërkohë që, në rrethe të ngushta qe marrë vesh se, Jusuf Vrioni ish përkthyesi kryesor i fjalimeve të Enver Hoxhës e materialeve të PPSH-së në frëngjisht). Por, siç u mësua më pas, hamendja e mësipërme, s’qëndronte. Në fakt, gabimin e rendë, e kish bërë redaktori-dezhurn i gazetës, i cili nuk e kish parë fare pllakën e xingos ku qe stampuar fotoja së bashku me emrin e Vrionit. Natyrisht, masat e marra ndaj tij, qenë të rrepta e, skandali u përfol gjer në instancat më të larta të Partisë.
Do kalonin dhe shumë vjet të tjerë, atëherë kur vargu i librave të Kadaresë përkthyer në frëngjisht do të shtohej, që emri fantazmë i Jusuf Vrionit të bëhej i njohur. Natyrisht, bëhej fjalë vetëm për disa rrethe të caktuara, sepse zyrtarisht, ai mbetej vazhdimisht i censuruar dhe, e drejta e publikimit të emrit, jo vetëm që nuk i njihej, por ish absolutisht e ndaluar.
Një ditë tetori të vitit 1980, një koleg gazetar, i cili gjatë një shërbimi kish udhëtuar me sekretarin e propagandës të Komitetit të Partisë, me tregoi se kish dëgjuar një bisedë sekrete rreth Jusuf Vrionit. Pak a shumë, ngjarja për të cilën qe folur, ishte kjo: Një zyrtar i Komitetit Qendror të Partisë, e kish thirrur atë në një takim të veçantë e i kish dorëzuar një ekzemplar të librit Hrushovianet, botuar në frëngjisht. Fillimisht, Jusuf Vrioni i befasuar nga takimi i papritur me të, nuk e kish fshehur shqetësimin. “Hape, hape! Shih shënimin në faqen e parë”!, i kish thënë zyrtari me ton qetësues. Me duar të dridhura, Vrioni kish ngritur kopertinën. Në faqen e parë të librit, me vetë autografin e tij, Enver Hoxha e përgëzonte atë, personalisht, për punën e bërë si përkthyes…!
Tregimi i kolegut, krahas ndjenjës së habisë, më gëzoi. Së pari, sepse për aftësitë e Vrionit si përkthyes, kisha dëgjuar të diskutohej e të flitej. E, përveç kësaj, personalisht gjykoja se, puna e tij për përkthimin e krijimtarisë së Kadaresë ish me vlera të mëdha, veçanërisht për njohjen e letërsisë shqipe jashtë vendit.
E, së fundi, duke njohur origjinën e tij sociale si dhe faktin që kish qenë i dënuar politik, shpresoja se, në një farë mënyre, ai gjest klemence i diktatorit mund të qe edhe një lloj sinjali në zbutjen e luftës së klasave. Ndoshta, një shikim me sy tjetër, më tolerant, ndaj atyre pak intelektualeve me biografi të keqe, të cilët, edhe pse të dërrmuar nga vitet e kaluara në burgje, bënin punën e Jusuf Vrionit, pra, përkthenin për të nxjerrë bukën e gojës.
JUSUF VRIONI RRËFEHET…!
Çuditërisht, dhe mbas rënies së komunizmit në Shqipëri, heshtja rreth përkthyesit të Kadaresë vazhdoi. Për publikun e gjerë, misteri Vrioni, vazhdoi të mbetej i pa zbuluar. Edhe pse në shtypin pluralist të kohës, subjektet, ngjarjet e kujtimet rreth personazheve të ndaluara të epokës totalitare zinin faqe të tëra, fantazma Vrioni, nuk kish arritur të hynte dot në sensacionet e Rubrikave Speciale. Do të kalonin endé mjaft vite të tjera që, ustai i përkthimit të shqipes në gjuhën e Molierit, të vendoste të fliste vetë, për të rrëfyer kulisat e jetës së tij. Po, kjo s’do të ndodhte në Shqipëri, por jashtë saj, në Francë.
Maj 1998.
Isha në librarinë Mollat të Bordosë, kur, (siç më qe bërë refleks i vazhdueshëm), po u hidhja një sy kalimthi, botimeve të reja nga ish-vendet komuniste të Lindjes. Shikimi im, kaloi shkarazi mbi një varg titujsh e, pastaj, ndali i shokuar mbi njërin prej tyre. A ish vallë e vërtetë ajo që kisha para sysh? Po! Fantazma Vrioni, më së fundi, kish vendosur të rrëfehej…?!
Në duar mbaja librin e tij me kujtime. Mbi 300 faqe në frëngjisht. Në to qe shkruar historia pasionante e një shqiptari, i cili pat përjetuar tallazet e Europës bashkëkohore. Jeta e një njeriu, aktor e viktimë e një drame rrenqethëse të zhvilluar në vendin kampion të totalitarizmit. Në moshën mbi 80 vjeç, Jusuf Vrioni, kish vendosur të rrëfehej. T’i jepte përfundimisht përgjigje, misterit të jetës së tij plot peripeci e të papritura . Për këtë, me sa dukej, sebep për botimin e kujtimeve të tij në Francë, qe bërë Eric Faye.
Intelektual, publicist e shkrimtar i njohur parizien:
Në prillin e 1990-ës, teksa ndodhesha në Tiranë për një seri intervistash me Ismail Kadarenë, më prezantuan me përkthyesin e tij, një “djalosh” 75 vjeçar. Gjatë takimit tonë, në kafén e hotel “Dajti”-t ndjeva menjëherë se kisha të bëja me një njeri, historia e jetës të së cilit, qe krejt e veçantë. Me kalimin e kohës, mes nesh lindi një miqësi e sinqertë dhe e thellë. Kështu që, kur Jusuf Vrioni më propozoi t’a ndihmoja në sistemimin e dorëshkrimeve me kujtime nga jeta e tij, nuk hezitova fare por iu vura punës me shumë dëshirë. Duke hedhur në letër kujtimet e tij, shpesh pyesja veten: A mund të ndodhin vallë në Europën e sotme, në historinë tonë bashkëkohore, përvoja e fate njerëzorë, aq verbues, të pasur, dramatikë e plot të papritura si jeta e atij njeriu? Me një fëmijëri ala – Nabukov e rini të “artë”, shoqëruar nga vite studimesh të gjatë, të cilat më pas kultivuan tek ai shpirt e karakter të fortë, të aftë për t’i u bërë ballë situatave nga më të komplikuara, përfshirë edhe kampet staliniste të punës “ala – Sollxhenicin”.
… E, më pas, ajo heqje zvarrë e pastaj, ngritja në një jetë që ai s’e kish zgjedhur vetë, e me të cilën iu desh të luftojë ditë për ditë, deri sa arriti të bëhet i njohur e të vlerësohet, falë universit të letërsisë. Një arritje kjo, tepër e vonuar për ta ndjerë veten të lumtur, shoqëruar me plot kujtime e dhembje për vitet e humbura…!
Jusuf Vrioni lindi në Korfuz më 1916. I ati, Iliaz Vrioni, pat qenë dy herë kryeministër i Shqipërisë: në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës më 1921 e më pas, pak muaj para “Revolucionit Demokratik” të Fan S. Nolit, më 1924. Mbas triumfit të Legalitetit, Ahmet Zogu e emëroi Vrionin ministër të plotfuqishëm të Shqipërisë në Paris, kështu që krejt familja u instalua në 11 bis, avenue Victor Hugo. Në qytetin Lumière, jeta e Jusufit të vogël 9 vjeçar, morri dimensione e hapësira të reja magjike. Regjistrimi, së bashku me vëllanë, në liceun Janson-de-Sailly, integrimi në shkollë e në jetën e Parisit, zbavitjet, lodrat me patinazh, garat sportive, leximet, pushimet në Saint-Tropez, Bretagne e Loire, – të gjitha këto e benë të zbulojë e të përjetojë bukurinë e një bote të re, gjer atëherë krejt të panjohur.
Vitet kalojnë pa u kuptuar. E ja, mes argëtimeve e pasioneve rinore, papritmas, një dramë familjare. Në moshë 16 vjeç ai provon një humbje mjaft të rendë. Më 17 mars 1932, vdes i ati. Duke qenë Grand Officier du Légion d’ honneur, Vrioni përcillet me nderime të veçanta. Trupi i tij varroset në Shqipëri, ndërkohë që familja vendos të qëndrojë në Paris. Plaga mbyllet shpejt e djaloshi u përkushtohet pasioneve të moshës, veçanërisht muzikës, letërsisë e argëtimeve. Autorët e tij të preferuar…? Proust, Mauriac, Montherlant, Gide. Dëfrimet…? Në shoqëri të zgjedhur. Në Villa d’Este mes orkestrave të xhazit. Në Hotel de Caux, ku njihet me të famshmen Coco Chanel, stilisten dhe krijuesen e parfumit të njohur Chanel 5, etj.
“Fundi i viteve ’30-të, qe për mua diçka e mrekullueshme. Më ndodhte shpesh të zgjohesha në mes të natës e të thosha me vete: O Perëndi ? Ç’mrekulli është të jetosh këtu !. Ato ishin edhe vitet më të bukura të jetës sime…”!
Në vjeshtën e vitit 1938, ai regjistrohet në fakultetin e Drejtësisë e Shkencave Politike. Ndërkohë, atmosfera e një lufte të re në Europë, ndihet përditë e më e pranishme. Mars 1939. Gjermania pushton Çekosllovakinë. Gazetat shkruajnë se, pushtimi i Shqipërisë nga Musolini, pritet me ditë. E, vërtet, në 7 prill trupat italianë zbarkojnë në plazhin e Durrësit. Të nesërmen, Jusufi me vëllanë, vendosin të kthehen në atdhe. Si pjesëtarë të një familje me emër e mjaft influencë, ai e rrethi i tij, shihen nga italianët me sy të mire e, ofertat për t’i shërbyer pushtetit të ri s’mungojnë. Vëllai emërohet me punë në ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë Italiane, e bashkë me të në Romë, shkon dhe Jusufi, i cili dëshiron të vazhdojë studimet e lëna përgjysmë në Francë.
Jeta në kryeqytetin italian, duket se është vazhdimi i asaj të Parisit. Vizita, gosti e miqësi të reja mes rinisë së artë romane. Me Edda Cianon, vajzën e Mussolinit, gjatë pushimeve në Sestriere. Me Susanna Agnellin, në mjediset e Albergo dei Duchi. Me Gioia Marconin, vajzën e të famshmit Gugleielmo Marconi, fitues i çmimit Nobel në fizikë. Me Luchino Viscontin, aso kohe asistent – regjisor i kineastit të shquar francez, Jean Renoir.
Me Anna Magnanin, aktoren e madhe të kinemasë italiane…!
“Ndjeja adhurim të veçantë për njerëzit që kisha njohur. Por, jeta prej paraziti në mjedise të tilla mondanë, natyrisht, shpesh herë më provokonte një ndjenjë poshtërimi, sepse dëfrimet në thelb, nuk më sillnin veç kënaqësi të përciptë. Ndjeja se duhej të merresha me diçka më të rëndësishme, por si, ku e qysh, nuk dija. Ajo gjendje shpirtërore, ato mendime e vrarje ndërgjegje, nuk vazhduan gjatë. Një ditë, një mik i ngushtë, më tha: Jusuf ! Më fal që po të pyes, po ti ç’bën këtu ? Nuk mendon se, vendi yt është të ndodhesh në Shqipëri?. Dhe ish pikërisht gjatë verës së vitit 1943 që, më së fundi vendosa të kthehem në atdhe. Ndofta, atje, mund të merresha me diçka. Bie fjala, të botoja një gazetë…”!
Vrioni, kthehet në Tiranë duke bërë një jetë, siç shprehet ai, relativisht të sigurt, por në një gjendje pasiviteti pothuajse fajtore.
“Shoqërohesha me ca miq, të cilët ashtu si unë, kishin studiuar jashtë e nuk ishin të angazhuar. Takoheshim së bashku pothuajse çdo ditë dhe e kalonim kohën duke diskutuar në Tennis Club apo te Kafé “Sahati”, pranë xhamisë. Ndërkohë, në 29 nëntor 1944, qeveria partizane e formuar në Berat, mbërriti në Tiranë. Viti në vazhdim, shënoi një periudhë pritje për Shqipërinë. Komunistët nisën të zbatonin politikën e “dorashkave të kadifenjta”. Ngado dukej fryma e një farë “tolerance”. Megjithatë, në prill 1945, u zhvillua një proces i madh kundër “kolaboracionistëve”, i cili përfundoi me rreth 20 ekzekutime. Shumë të tjerë, u pushkatuan në vend, nenë akuzat se kishin denoncuar tek pushtuesit, baza apo guerrilas të rezistencës. Ndërkohë, doli fjala se në fshehtësi, Garda e Mbrojtjes së Popullit me në krye sekretarin organizativ të Partisë Koçi Xoxe, kish nisur nga spastrimet…”!
Në atë atmosferë frike, pritje e dyshimi, duket se e kaluara dhe origjina familjare e tij, nuk merren parasysh. Ai, beson se nuk bën pjesë në listat e të dyshimtëve. Bile, për çudi, vetë Hysni Kapoja, e thërret në zyrën e tij dhe e njofton se e kishin caktuar anëtar të Komitetit Sportiv të Bashkimit të Rinisë Antifashiste. Pra, në dukje, asnjë dyshim, asgjë e rrezikshme. Jusufi shkon edhe në Beograd me ekipin shqiptar të Tenisit. Më pas, nis miqësi me pjesëtarë të Misionit Ushtarak Britanik, Amerikan e Francez në Tiranë. (Një prej tyre, oficer parashutist francez, të cilit i kish besuar dyshimet e frikën për çka mund t’i ndodhte në të ardhmen, i propozoi ta ndihmojë, duke i dhenë një uniforme ushtarake, e duke e kaluar me anije nga porti i Durrësit për në Francë).
“Propozimi i tij më prishi mendjen. Nena nuk ish kundër që të ikja. Bile, më bëri gati edhe një lloj brezi, ku kish fshehur dhjetëra monedha floriri, të cilat do t’i vendosja përreth mesit kur të nisesha. Ajo këmbëngulte që ta lija Shqipërinë, për t’u shpëtuar kërcënimeve të cilat ndaj nesh ishin ende të mjegullta Ne fakt, nga dita në ditë, rreziqet po bëheshin gjithmonë e më të dukshme edhe pse, akoma, gjatë verës së vitit 1945, jetohej me euforinë e çlirimit dhe fitores mbi armiqtë”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016