Nga Fritz Radovani
Pjesa e katër
DERI KUR N’SHËRBIM T’ANMIKUT?! PËRGJEGJET KOL MIRAKAJ
LETER E HAPËT, Z. ABAZ ERMENIT
Nju Jork – Qershor 1967
Memorie.al / “…Besoj se shprehi ndjesitë e mbarë Popullit Shqiptar, se po të jetë që fqinjët tone, e kuptojnë nevojën e bashkëjetesës paqësore e bashkëpunimin leal të fqinjësisë së mirë, tue na kthye të Drejtat që na përkasin, Populli Shqiptar, dishron miqësi të sinqertë edhe me Grekët dhe me Sllavët e Ballkanit.”
Kolë Mirakaj (1967)
4. Erdhi ushtria gjermane, komandanti i të parave reparte, gjenerali Carchanico, më kërkoi bashkëfjalim me anë të të ndjemit major, Lek Marashi. Më deklaroi se ushtria gjermane, kishte ardhë vetëm për nevojat strategjike të Luftës, për të nxanë zbraztinën që lente ushtria italiane, në Adriatik, se e konsideronte Shqipninë vend mik, e n’atë kuptim, do të qëndronte ushtria gjermane, se nuk do të përzihej në punët e brendshme dhe më premtoi ndihmën e Tij.
I premtova bashkëpunim, për mbajtje të qetësisë me kusht që po të zbarkojnë ushtri anglo-amerikane, forcat shqiptare, nuk marrin pjesë në luftim, përkrah asnjanës palë, meqë Shqipnia deklarohet neutrale. E pranoi edhe këtë tezë, mjaft që mbajshim qetësinë mbas frontit.
I tregova se për të mbajtë qetësinë pa trazime, duhen zhdukë bandat komuniste, e i tregova planin tim, tue i kërkue armatimin që do të merrej nga ushtria italiane. Ma premtoi! I tregova se kjo qeveri, duhet të bijnë, por unë gjithnjë jam gati, me dhanë të gjithë kontributin tim, për çka u bisedue.
Mbas dy ditësh, erdhi Ministri Neubacher, bashkë me Xhafer Devën, nga Beogradi. Kundërshtarët ia dolën t’ua mbushnin mendjen, Neubacher-it e Devës, që të rrëzojnë qeverinë tonë dhe ashtu ngjau. Gjeneral Carchanico, kje largue menjëherë nga Komanda e Tiranës dhe vendin e Tij, e zuni nji tjetër gjeneral, që nuk kishte detyrim moral ndaj meje.
Jo vetëm kaq, po kjeshë lajmue nga njeni nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, që u formue nen kryesi të Bedri Pejanit (tregue me besë), se Gjermanët, do të më arrestojshin dhe internojshin në Gjermani, si badoljan(!). Kjo më shtrëngoi, të lâ Tiranën menjëherë e, në zbardhun të dritës së ditës 13 shtator 1943, bashkë me familje e, me 25 djelmoça të vendosun me vdekë, t’armatosun deri n’dhambë, lashë Tiranën e, po atë ditë, arrita në Pukë.
Vetëm në gusht të vjetit 1944, munda të sqarohem me Komandën Gjermane. Gjenerali Fitztum, dërgoi tre oficerë të vet n’Iballë, të më ftonin me besë, të shkoi në Tiranë. Shkova!
I bisedova gjeneralit haptas e, më kuptoi, se nuk ishte ashtu si më kishin paraqitë kundërshtarët. I tregova Planin e Mbrojtjes (që atëherë i kishte dalë koha asistoj), e marrëveshjen që pata, me gjeneralin Carchanico.
U bind n’argumentet e mija e më premtoi, me më dhanë gjithçka ishte e nevojshme, por me konditë që, forcat që do të mblidheshin, mos të kishin karakter partinash, por vetëm kombëtar – ushtarak. Kërkoi besën nga Sylço Beg Bushati, Gjon Marka Gjoni, Mit’hat Frashëri e timen, që armët tona, nuk do të zbrazeshin kundër ushtrisë gjermane, në asnjë rasë.
Porsa dola nga audienca e gjeneralit, (kje edhe këtu prezent major Lek Marashi), shkova menjëherë, tek Ministri i Arsimit, shkëlqesa Koço Muka dhe i kërkova të më bënte nji pikëpjekje, me Mit’hat Frashërin. Pikëpjekja u ba po atë ditë, në shtëpi të Koços. Biseduem me Mit’hat Frashërin’ në prani të Koço Mukës, situatën kritike të vendit. I tregova fill për fillë, bisedimin me gjenaral Fitztum-in, premtimet dhe kushtet e Tija.
I thashë se; Shkodra me Malësina të Veriut, do t’ishin gati me iu përgjigje nji thirrjes së Tij. Kët ma kishin sigurue, Sylço Beg Bushati, Gjon Marka Gjoni e, në përgjithësi, Krenët e Maleve, dhe jo ma pak se 12.000 luftarë, do të dilnin vetëm nga krahina e Shkodrës.
I pëlqej puna ime e, u deklarue i gatshëm, me e marrë at barrë, por m’u lut, t’ia propozojshe Mehdi Beut, që ta merrte Iniciativën, si; Kryetar i Regjencës e se përkrah Tij, do t’ishte edhe vetë Mit’hat Frashëri. “Po kje se Mehdi Beu, nuk e merr iniciativën, atëherë – tha – e marr unë!”
Të nesërmen, u paraqita tek Kryetari i Regjencës, që më pranoi menjëherë e, me shumë njerëzi. I shpjegova gjithshkafen, si Mit’hat Beut. Pranoi të ftojnë në Tiranë, Krenët e Malësive, me përjashtim të Gjonit Marka Gjonit e të Sylçe Beg Bushatit. Pa këta dy Burra, nuk bahej gja, e kështu, nuk mbetem dakord me Mehdi Beun!
Iu drejtova prap Mit’hat Beut, po nuk e gjeta në enthuzjazmin e fjalët e ditës së parë. Edhe kjo ndërmarrje, u ba të dështojë nga i ndjemi Mit’hat Frashëri, në Tiranë, dhe nga nji tjetër personalitet në Shkodër, që nuk ishte i ‘Ballit Kombëtar’.
Për hir të së vërtetës historike, pohoj e dishmoj se; në mbledhjen e “Besëlidhjes së Shkodres”, që kje në shtëpi të Hafiz Ali Krajës, kur u referova rreth bisedimeve të Tiranës, siç më kishin kërkue dy përfaqësuesit e ‘Ballit Kombëtar’: Lec Kurti e Omer Ruzhdija, n’emën të ‘Ballit’, të krahinës së Shkodrës, u deklaruen të gatshem, me qitë kushtrimin së bashku, pa karakter partish, ashtu si kishte vu konditë, gjenerali Fitztum, edhe po t’ishte se Komiteti Qendror i ‘Ballit’, nuk do t’jepte pëlqimin.
Kjé nji tjetër personalitet, që nuk hoqi dorë nga karakteri partiak i cili, deklaroi se; ana e tij; kishte vendosë të dilte ilegal që at natë, e megjithëkëtë, pretendonte t’i dërgojshin pjesën e armëve, ushqim etj., që do të merreshin nga Gjermanët.
Ata ilegalë; të deklaruem kundër Gjermanëve, dhe me marrë armët nga Gjermanët!?
Pse i qendruem leal ‘Boshtit’?
- Pse prej ‘Boshtit’, kishim premtim e siguri me pasë Shqipninë Indipendente, ndër Kufijtë e vërtetë të sajë Etnikë. Ky premtim, filloi të bahet realitet, me bashkimin e Kosovës e të tjerave Krahina, që iu bashkuen Shtetit Shqiptar, në vitin 1941, i forcuem edhe nga koncesionet, që radhë mbas rradhët, po na i lëshonte Mussolini, në bazë të kërkesave të deklaratës së Shkodrës, të datës 12 Prill, 1939.
- Këto premtime, nuk i jepshin Aleatët dhe nuk mund të priteshin prej tyne, me që ishin aleatë me Jugosllavinë e Greqinë; për ma tepër, Ministri i Punëve të Jashtme, të Britanisë së Madhe, shkëlqesa Anthony Eden, kishte deklarue zyrtarisht, në Dhomën e Komuneve, që më 1942:
“Mbas kësaj Luftë me fitoren Aleate, Shqipnisë do t’i njihet indipendenca e integriteti toksor, ndër kufijtë e 1913-ës, me nji rektifikim, në kufijtë e Jugut”. Kjo për neve, do të thonte me ua lëshue Korçën e Gjinokastrën, Greqisë, pa të cilat nuk do të kishte mâ kuptim, nji Shtet Shqiptar.
Donte të thonte që patjeter, duhej t’i lëshonim Jugosllavisë Kosovën, e të tjerat Krahina të Lirueme, në Prillin e vitit 1941. Né, nuk mund të tradhëtojshim këto pjesë të shejte t’Atdheut.
Përveç kësaj, (e që vërtetonte angazhimet e marruna nga Anglia në dam të Shqipnisë), ishte edhe fakti që Aleatët, nuk pranonin formimin e nji Qeverie Shqiptare në mërgim, nën Mbretin Zog, siç kishin veprue për të tjerat kombësi t’okupueme nga ushtritë e ‘Boshtit’. Me u vue në shërbim t’agjentave Aleatë, kundër Boshtit, ndër të tilla kondita, neve na dukej se; i vejshim thikën me dorën tonë, Nanës!
- Bindja e nevojës së lealitetit ndaj ‘Boshtit’, ishte forcue në mënyrë të posaçme, mbasi patëm shti në dorë planin e gjeneralit serb, Dragutin Mihajloviç (Drazha), aso kohe Komandant i Përgjithshëm i Çetnikëve në Jugosllavi, e Ministër i Luftës në Qeverinë e M. Tij, Pjetri II-të, me qendër në London.
N’at plan, e në urdhënat për zbatimin e tij, ai i jepte udhëzime komandantëve të reparteve çetnike, që në diten që do të caktohej të marrshonin mbi Kosovë e Metohi dhe Sanxhak, të shfaroseshin çka ishin Shqiptarë e, muslimanë. Të marrshonin edhe mbi Shkodër dhe t’okuponin edhe portin e Shëngjinit, e që do t’i aneksoheshin Jugosllavisë së ré. Që Shqiptarët e Tokave të robnueme, nuk u shfarosën, kjé fati që nuk fitoi Mihajloviçi!
Drejt Aleatëve
Na nuk bame akte anmiqësie veprimit, kundër Aleatëve. Nuk i ndoqëm me i kapë, as vra misionet e tyne ushtarake, që u zbritën në Shqipni, për të ba turbullime në dobi të kauzës Aleate. Kët, mund ta vërtetojë, majori i atëherëshem i RAF-it Neell, që e shpëtova pa ra në dorë të Gjermanëve, në Truen të Pukës e që dy here, e pata mysafir për bisedime (kërkue nga Ai), por që përfunduen, pa marrëveshtje bashkëpunimi, me që unë refuzova ofertat, për përfitime personale, tue i kërkue kondita kombëtare, që nuk kjé në gjendje, të m’i apin.
Sot rrethanat historike, kanë ndryshue, e me që politika nuk asht demagogji, po realitet, me ato fuqi Aleate t’atëherëshme, na do t’ishim lealë e besnikë, siç ishim me ‘Boshtin’, mbasi edhe ata si na Shqiptarët, janë antikomunistë, po kjé se, na sigurohen të Drejtat, që i përkasin Kombit Shqiptar!
Ju z. Abaz Ermeni, për ma shumë se njizet vjet, jeni krenue me fjalë dhe shtyp, se keni vra ushtarë italianë e gjermanë, tue i dhjetëfishue numurat. Harroni se ata ushtarë, nuk mund të konsideroheshin fashista e nazista, po Bijtë e dy popujve, për miqësinë e të cilëve, Shqipnia ka pasë përherë nevojë e, ka për të pasë, e se ju me ata kapadaillëqe, i fyeni ata popuj.
Turkia, na pat okupue e na mbajti në robni e errësinë, për gati pesë shekuj, prandej e kishim anmike, por mbas vjetit 1912, kanë ndryshue rrethanat historike edhe me Turki. Sot Turkia e Ré, e përkrah Pavarsinë e Shqipnisë, prandej asht n’interesin kombëtar, të përpiqemi ta kemi mike e, jo ta fyejmë vazhdimisht, siç bani ju!
Kemi ba na, e ju, çka na e ka marrë mendja, se ishte e dobishme për çeshtjen kombëtare. Mirë o keq, dishka koha e ka tregue e, historia ka me dhanë verdiktin përfundimtar. Por, mos harroni se, dishka e randë ka ngja! Shqipnia u rrënue! Kush e ka fajin?
Përgjegjen ka me e dhanë vetëm ndërgjegja e Shqiptarëve dhe Historia! Nji gja do ta kishit për detyrë: Nobare, mos u përpiqni me i ba gjithkëndin, anmik të Shqipnisë!
Pa më thoni: Mbasi Lufta mbaroi si mbaroi, me rrjedhimet e saj Fatzeza, për vendin tonë, çfarë dobije i del Shqipnisë për t’ardhmen, me u tregue anmiq kundër Italisë e Gjermanisë, me vazhdue tue përbuzë e denigrue Turkinë?! E që këta janë sot të vetmit popuj, që bajnë pjesë në aleancë me Amerikën, në Paktin e Atlantikut! A e dini se, në Paktin e Atlantikut, asht edhe dikush anmik i Shqipnisë, e se Shqipnia zyrtare, (jo Populli) asht anmike e kolegëve të atij Pakti; prandej, sot kemi nevojë për miq mbrenda Paktit!
Mos harroni se; sot Italia; asht Shteti ma i interesuem për ruejtjen e Pavarsisë e integritetit të Shqipnisë! Ju kujtoj deklaratën e de Gasperit! Ju njoftoj se; kur kishin në rrezik Triesten; me ia dorëzue Aleatët Jugosllavisë, dhe Shqipnia me u përpi si republikë autonome, nga Jugosllavia, Shtatmadhoria Italiane, i pat thanë Qeverisë së vet: “Po të jetë se Italia, nuk mundet sot të mbrojë njiherit Triesten e Shqipninë, lè të lëshojnë Triesten, po n’asnji mënyrë, me lanë të zhduket Pavarësia e Shqipnisë”.
Edhe Gjermanët, kanë interesë të jetë shteti Shqiptar, i pavarun në Ballkan, për të balancue influencën serbe. Përveç kësaj, ata kanë tregue përherë, simpati të posaçme për Popullin Shqiptar, sa që shkecëtarë albanologë, na kanë quejtë “Herrenvolk” (Popull zotnishë), jo për pasuni e qytetnim modern, po për karakter e traditë Fisnike, pa të cilat Shqiptari, nuk do t’ishte mâ Shqiptar!
Unë shtoj, e besoj, se shprehi ndiesitë e mbarë Popullit Shqiptar, se po të jetë që fqijtë tone, e kuptojnë nevojën e bashkëjetesës paqësore, e bashkëpunimin leal të fqinjsisë së mirë, tue na kthye të Drejtat që na përkasin, Populli Shqiptar, dishron miqësi të sinqertë edhe me Grekët dhe me Sllavët e Ballkanit. Memorie.al
New York, Qershor, 1967
Kolë B. Mirakaj
Shënim: Ky material nuk ka asnjë ndryshim nga origjinali. Mbrenda kllapave janë shënimet e Autorit.
U kopjue besnikisht nga Fritz Radovani.
Melbourne, Shtator, 2012.