Nga Vepror Hasani
Memorie.al / “Lajmi kishte marrë dhenë. Më 16 prill të vitit 1930 do të zhvillohej kampionati i parë i futbollit. Kjo datë ishte përcaktuar nga organi qendror në Tiranë i quajtur ‘Enti kombëtar’. (FSHF-ja u krijua më 6 qershor 1930). Ishin përcaktuar edhe skuadrat. Në këtë aktivitet do të merrnin pjesë; ‘Tirana’, ‘Skënderbeu’, ‘Bashkimi Shkodran’, ‘Teuta’, ‘Urani’ (Elbasani) dhe Vlora”. Kështu e niste rrëfimin e vet, Mjeshtri i Merituar i Sportit, Teodor Vaso, i dekoruar me ‘Medaljen e Artë’( për merita të shquara në sport); ish-futbollist nga vitet 1957 – ‘73 dhe trajner nga viti 1973 e deri para disa vitesh.
Për korçarët kishte qenë lajmi më i shumëpritur. Gjithnjë kishin ëndërruar për një kampionat mbarëkombëtar. Deri atëherë, Korça kishte organizuar kampionate lokale, në qytetin e saj. Kampionatin e parë prefektura e Korçës e kishte organizuar më 1928. Tashmë kishte mbërritur çasti për të treguar futbollin e vet. Dëshironin të ishin të parët në vend, pse jo edhe në Ballkan.
Më 1926-ën, Korça kishte luajtur dy ndeshje edhe me qytetin e Manastirit: njërën e kishte fituar me rezultatin 5-2, ndërsa tjetra, përfundoi me barazimin 2-2; kishte luajtur edhe me qytetet greke, Selanikun dhe Hermin dhe kishte bërë dy ndeshje me Kavallën. Në transfertë, humbi 1-0, por në Korçë fitoi me rezultatin 2-0. Korça kishte një skuadër të madhe: “Skënderbeun”.
Lindja e “Skënderbeut“
“Lindja e ‘Skënderbeut’, nuk kishte qenë e rastësishme, – tregon Todo Vaso. Skuadra e parë në Korçë me emrin ‘Vllazëria’, ishte krijuar më 14 prill të vitit 1909, nga Hil Mosi. Pas saj, gjatë viteve 1920-1922, në Korçë nisën të krijohen shoqëritë e para të futbollit, si ‘Përparimi’ apo Sport Klub ‘Korça’; më 1923-in u themelua shoqëria ‘Shpresa’ e Liceut francez në Korçë, ndërsa në vitin 1925, do të vinte në jetë ‘Skënderbeu’. Futbolli ishte kthyer në një ëndërr të madhe. Futboll luhej në çdo oborr shtëpie.
Lagjet e Korçës’ përpiqeshin të nxirrnin skuadrat e tyre. Pas ‘Skënderbeut’ më 1926-ën u krijua shoqëria ‘Zhgaba’, ndërsa në vitin 1927, lagjet nxorën skuadra të tilla, si; ‘Leka i Madh’, ‘Pirro’, ‘Brekverdhit’, ‘Zjarri’, ‘Tigri’, ‘Diamanti’ etj., por ‘Skënderbeu’, kjo skuadër e qytetit, shkëlqente. Ajo do t’u mbijetonte vështirësive që do t’i dilnin përpara, madje edhe intrigave të politikës. Do të rrëzohej gjatë rrugës, por gjithnjë do të ri-ngrihej për të kërkuar lavdinë e saj”.
Kampionatet e viteve ’30-të
Todo Vaso vazhdon rrëfimin: “Dita e kampionatit, (16 prill 1930), kishte mbërritur. ‘Skënderbeu’ u nis të ndeshej me rivalët e vet. Korçarët përcollën skuadrën e tyre dhe ju uruan suksese: ‘U kthefshi me fitore’! Lojtarët dukeshin të emocionuar. Deri në pritjen e lajmit nëse ‘Skënderbeu’ kishte fituar apo humbur, qyteti qëndronte në ankth.
Klubet dhe kafenetë mbusheshin me njerëz dhe flisnin vetëm për futbollin. Entuziazmi po vinte në rritje. Skuadra e qytetit të tyre po kthehej me fitore. ‘Tirana’, ‘Korça’ dhe ‘Shkodra’ po bënin emër të madh. Ata ishin të pamposhturit. Në këtë kampionat të parë ‘Skënderbeu’ u shpall nën kampion. Atë ditë korçarët festuan gjatë. Tifozët e gdhinë me këngë e serenata deri në mëngjes.
Megjithatë ky qytet kërkonte më shumë nga skuadra e tyre. Pas tre vitesh, më 1933, ‘Skënderbeu’ doli kampion kombëtar. Skuadra e vitit 1933’ përbëhej nga; Marjani, Bimbli, Çani, Miti, Petro, Stasa, Dishnica, Ypi, Vangjeli, S. Teufik Agaj, Kulla dhe Trebicka. Atë vit pati lot dhe gëzime. Servet Tefik Agaj, ishte shpallur qendërsulmuesi më i mirë i kampionatit.
Kishte shënuar 9 gola; portieri Klani Marjani, ishte kthyer në legjendë, porta e tij nuk ishte e lehtë të prekej nga topi i kundërshtarit; Miço Plluska, kishte shkëlqyer me lojën e tij. Edhe Teli Samsuri, ishte shpallur golashënuesi më i mirë. Atë vit ai shënoi 9 gola. Samsuri do të mbetej si qendërsulmuesi më i mirë i kohës së tij. Në vitin 1934 u shpallën sërish nën kampion. Samsuri kishte shënuar sërish 7 gola.
Trajneri i ekipit ‘Skënderbeu’, Qemal Omari’ nuk përmbahej dot nga gëzimi. Ky trajner do ta mbante skuadrën deri në vitin 1937-‘38, duke i dhuruar Korçës vetëm lavdi. Në atë kohë’ kampionatet kishin nga 6 deri në 10 skuadra. ‘Skënderbeu’ kishte hyrë në kampionat dhe po qëndronte denjësisht. Ose do të ishte në krye të tabelës, ose mund të zbriste deri në vendin e katërt. Këtë vend e mbajti për katër vjet me radhë. Renditja si i fundit’ as nuk mund të imagjinohej. Krejt ndryshe kishte ndodhur me disa skuadra të tjera.
Hynë në kampionatin e parë dhe nuk morën dot pjesë në kampionatin tjetër. Ata që hynë përsëri ishin Elbasani, Vlora dhe Berati, kurse Kavaja, Pogradeci dhe Lezha, hynë disa vjet më vonë. ‘Skënderbeu’ ishte gjithnjë aty. Kjo skuadër ishte kthyer në krenari për qytetin. Ndoshta kështu do të kishte vazhduar gjatë, por erdhi një ditë dhe gjithçka u ndërpre në mes. Kishte filluar Lufta e Dytë Botërore”.
Në kërkim të vetvetes
“Pas vitit 1944, skuadra e ‘Skënderbeut’ u mblodh sërish. Për banorët e Korçës ishte një nga ditët më të bukura, – tregon Todo Vaso. Nëpër rrugë dëgjoheshin thirrjet: ‘Fitore! Fitore! Ju duam kampion! Ju jeni kampion’! Por nuk ndodhi kështu. Çuditërisht ekipi nuk po gjente dot veten. Skuadra përbëhej nga; K.Sherko, Mushka, Çollaku, Demçe, Kita, Muke, Mile, Tego, S. Koça, S. Kondi, (Qirinxhi), M. Ndini, etj.
Në skuadër ishin kthyer edhe disa lojtarë të viteve ’30-të: K. Marjani, Bellovoda, Saro, por sërish diçka nuk po shkonte mirë. Nuk po shfaqeshin më lojërat e mrekullueshme të K. Marjanit, Servet Tefik Agait, Miço Plluskës e Teli Samsurit, etj. Dy vitet e para, 1945-a dhe ’46-a, kaluan pa lënë ndonjë gjurmë.
Korça, nisi të ndihej e shqetësuar: Ku kishte mbetur vallë Korça e viteve ’30-të? Përse po ndodhte kështu, me një ekip që kishte qenë kaq famoz? Në krye të tabelës, kishte filluar të qëndronte ‘Vllaznia’ e Shkodrës. Dy vjet me radhë, doli kampion. Lojtarët e saj që luanin edhe me Kombëtaren: Loro Boriçi. Muhamet Dibra, Pal Mirashi, Xhod Shaqiri, ishin shndërruar në famozë.
Pas saj, renditeshin ‘Tirana’ dhe ‘Vlora’. ‘Korça’ po ndihej e lënduar. Trajneri Tato Bimbli, solli në skuadër lojtarë të rinj që i kishte stërvitur vetë: S. Lubonjën, M. Prodanin, K. Koçën, Ë. Korçën, S. Tolen, Z. Çelën, etj. Shpresat u ringjallën përsëri. Pas dy vjet përpjekjesh, në vitin 1947, Korça zuri vendin e tretë. Edhe atë ditë u festua gjatë. Për tifozët e ‘Skënderbeut’ atë natë nuk pati gjumë. Tashmë ‘Skënderbeu’ ndoshta e kishte gjetur vetveten…”!
10 vjet pa shkëlqim…!
Çuditërisht atë vit skuadrës së Korçës, ia hoqën emrin “Skënderbeu” dhe e quajtën “Dinamo”. Dukej sikur ky emër nuk i shkonte fare. Këtë emër e mbajti deri në vitin 1948. Më pas emri i “Skënderbeut” do të ndryshonte sërish. Më 1949-’50-të, e pagëzuan me emrin “Korça”. Nga viti 1951, deri në vitin 1958, mbajti emrin “Puna e Korçës”. Fjala “Puna” tashmë po u ngjitej të gjitha skuadrave të qyteteve. Skuadrës do t’i rikthehej emri i saj vetëm në vitin 1959.
Megjithatë, pavarësisht nga të gjitha këto, dukej se diçka kishte ndodhur me skuadrën. Ishte e tmerrshme. “Skënderbeu” nuk po e kalonte dot mesin e tabelës, vend-renditja e tij ishte gjithnjë nga mesi i tabelës dhe poshtë. Tato Bimbli, e kishte lënë skuadrën. Në vend të tij, kishte ardhur Spiro Koçe, i cili do ta drejtonte skuadrën, deri në vitin 1957.
Ai po bënte të pamundurën. Në vitin 1950, formacionet dilnin nga lojtarët Kita, T. Veriga, Mile, Lubonja, Sholla, Prodani, Çela, Strati, Mborja, M. Prodani, Koça, Lera, Deli, Zh. Pilika, Shëllira, M.Tuxhari, N. Tuxhari, N. Andrea. R. Sholla, P. Toshi dhe N. Kola.
Pas 10 vjet përpjekjesh, në vitin 1957, Spiro Koça i dha Korçës vendin e tretë. Pati entuziazëm. Po atë vit bëri një lojë mbresëlënëse me skuadrën çeke “Ruda Zvezda”, të Bernës, që e mbylli 1-1 me gol spektakolar të shënuar nga sulmuesi i majtë, Gaqo Lara. Ishte rikthyer besimi te lojtarët dhe tifozët.
Banorët e Korçës uronin njëri-tjetrin për suksesin që kishin arritur. Por, pikërisht, në këtë kohë, kur Korça e kishte gjetur vetveten, brenda ekipit diçka ndodhi. Askush nuk ka mundur ta shpjegojë. (Ndoshta një grindje mes ekipit). Skënderbeu nisi të merrte sërish tatëpjetën. Spiro Koça ia dorëzoi skuadrën S. Qirinxhiut, i cili në vitin 1960, mori si trajner të dytë M. Prodanin.
You May Like
Ata po vinin të “operonin” traumën që kishte pësuar “Skënderbeu” brenda vetes. Korça priste me ankth “shërimin” e skuadrës së tyre. Nuk do të mbeteshin të zhgënjyer. Skuadra e “Skënderbeut” e udhëhequr nga dy trajnerët, përfundoi me sukses në vitin 1960 ndeshjet e Play-Off-it dhe zuri vendin e katërt. Ky klasifikim ishte i rrallë në e ekipin korçar ndër vite.
Në këtë kohë, ishte afruar për disa javë edhe trajneri i të rinjve P. Mile, i cili në vitin 1948, u kishte dhënë të rinjve të Korçës titullin e kampionit. Ndërkohë kishte çuar te skuadra e “Skënderbeut” edhe lojtarët e tij: A. Pilikën, M. Tuxharin, V. Samarxhiun, V. Bicollin, Dh. Dhamin dhe K. Sevon. Për disa vjet me radhë nga viti 1958 deri në vitin 1963, nisi të shkëlqente me elegancën e tij si golashënuesi më i mirë, qendërsulmuesi Aleko Pilika”.
Në skenë, “Partizani” dhe “Dinamo“!
“Megjithatë shpresat se Korça do të ngjitej sërish në krye të tabelës u bënë gjithnjë e më të pakta, – tregon Todo Vaso. Në vitin 1947 doli në skenë “Partizani”, në vitin 1950 erdhi skuadra e “Dinamos”. Skuadrat e tyre u krijuan nga lojtarët e Kombëtares që luanin me ‘Shkodrën’, ‘Tiranën’, ‘Durrësin’, ‘Kavajën’.
Për 15 vjet me radhë, të dy skuadrat ushtarake u bënë barrikadë për ekipet e qyteteve të tjera. Ato ndërronin vendin e parë me njëra-tjetrën. Vetëm kur doli në horizont “17 Nëntori” i ri, me lojtarët e talentuar si; Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Gëzim Kasmi, Ali Mema, Luigj Bytyçi, Skënder Hyka, Niko Xhaçka, të cilët nuk mund t’ia merrnin dot “17 Nëntorit”, kampionati nisi të merrte një kuptim tjetër”.
Tirana po u rezistonte dy skuadrave ushtarake, por tashmë tre skuadrat nisën të dominonin. Në një situatë të tillë, ‘Korça’, jo vetëm që nuk mund të rivalizonte për vende parësore, por dy vjet pas vitit 1957, vit kur kishte zënë vendin e nderit, zbriti në vendin e fundit. FSHF-ja aplikoi ndeshje kualifikimi që ‘Korça’ të konkurronte për të qëndruar në kategorinë e parë. “Skënderbeu” eliminoi ‘Lezhën’ dhe ‘Lushnjën’ dhe pas kësaj, në vitin 1958’ ‘Korça’ nisi udhën e mbarë.
Ardhja e brezit të ri
“Për ‘Skënderbeun’ kishte filluar epoka e brezit të ri, – vijon të tregojë Todo Vaso. Lojtarët nisën të shpalosnin dukuri të futbollit modern. Gjithçka kishte filluar të bëhej ndryshe qysh pas përfundimit të kampionatit botëror të vitit 1958 në Suedi. Korça po linte pas periudhën e humbjes së shkëlqimit të saj. Stadiumi nisi të mbushej sërish nga cepi në cep.
Nisën të dëgjohen thirrjet: Fitore! Fitore! Duam gol! Duam gol…! Korça është kampion…’! Tashmë skuadrat, si ‘Tirana’ dhe ‘Vllaznia’, nuk mund të fitonin dot më ndaj Korçës’ me rezultate mbi 4-0. Ajo periudhë e dhimbshme, kur Korça dilte e lënduar nga stadiumi kishte përfunduar.
Gjithçka kishte nisur mbarë. Po kujtoheshin edhe fitoret e viteve ’30-të. Fitorja e parë u shënua në Korçë, 1-0 me ‘Partizanin’ në vitin 1957. Stadiumi u duk sikur do të shpërthente nga entuziazmi dhe thirrjet. Në vitin 1960, ‘Skënderbeu’ u klasifikua i katërti.
Në vitin 1961, Pilo Qirinxhi u bë shefi i Klubit Sportiv të ‘Skënderbeut’ dhe M. Prodani, i ndihmuar nga S. Tole, i cili sapo kishte përfunduar studimet në Bullgari, drejtuan ekipin deri në vitin 1966. Në vitin 1962, Korça barazoi në Tiranë 1-1, me ekipin kampion ‘Partizani’. Në vitin 1963, fitoi në Tiranë 1-0, me ‘Dinamon’. Po këtë vit, fitoi në Korçë 1-0 me ‘Partizanin’.
Në vitin 1965, ‘Skënderbeu’ i Korçës po shkonte i sigurt, dinjitoz dhe plot shkëlqim drejt në finales për Kupën e Republikës. Për qytetarët e saj’ ishte një ngjarje e rrallë. Bashkë me ‘Vllazninë’, u bënë dyshja më mirë e Shqipërisë për edicionin në fjalë. Ndeshja përfundoi 1-0 për ‘Vllazninë’. Megjithatë, trajneri M. Prodani, kishte nisur të realizonte ëndrrën e vet. Po i kthente qytetit atë që i kishte munguar prej vitesh. Në skenë, si golashënuesi më i mirë gjatë viteve 1963- 1970, kishte dalë Maksim Tuxhari”.
Epoka e Ilia Shukes
“Në vitin 1966, Skënderbeu filloi epokën e trajnerit të ri, Ilia Shuke. Ai prodhoi 29 ndeshje radhazi, pa asnjë humbje (3 ndeshje miqësore). Profesori zemër-ngrohtë që jetoi në Korçë në hotelin e ftohtë ‘Borova’, e filloi karrierën e tij me një barazim 0-0 në Korçë, me ekipin kampion ‘17 Nëntori’ dhe po aq në Tiranë me ‘Partizanin’. Fitoi 2-0 në Vlorë, fitoi 4-0 në Elbasan. Në vitin 1968, fitoi 2-0 në Berat. Mori shumë fitore të tjera me ekipet e qyteteve të tjera në Korçë.
Më 1969, fitoi përsëri 1-0 me ‘Partizanin’ kampion. Fitoi 1-0 në Tiranë me ‘17 Nëntorin’. Më 19.05 1970, ‘Skënderbeu’ fitoi në Korçë kundër ‘Partizanit’ 1-0 dhe në shtator, 1-0, fitoi edhe me ‘17 Nëntorin’ me një gol të shënuar në stadiumin e Korçës’ nga një largësi 40 metra, disi si ai i fitores tonë të fundit në Korçë, kundër Tiranës.
Në vitin 1970, Elbasani u largua nga Korça, duke marrë me vete 4 gola, ndërsa më 1971, po me kaq gola do të largohej nga Korça edhe ekipi i Vlorës. Ishte koha kur ‘Skënderbeu’ ose fitonte ose barazonte në të gjitha qytet e Shqipërisë. Kampionati i vitit 1970 – ’71, mbylli epokën e Ilia Shukes. Ajo kohë e futbollit, e fotografuar, tregon një stadium katërcipërisht të mbushur me njerëz.
Për herë të parë në shkallët përkarshi tribunës qendrore, korçarët dolën me parulla: ‘Duam gol’! ‘Skënderbeu’ në Kupën Ballkanike’. Në atë periudhë, ‘Skënderbeu’ kishte 3-4 lojtarë me ekipin kombëtar. Pas viteve 1971, si golashënuesi më i mirë do të shfaqej qendërsulmuesi Neim Tuxhari, i mbiquajturi ‘Snajperi’” , kujton jo pa nostalgji, Todo Vaso.
Intrigat politike
“Kur skuadra e ‘Skënderbeut’ gjendej në formën më të mirë, ndodhi diçka e papritur. Pushtetarët e kohës në Tiranë, vendosën t’i thoshin; ndal ‘Skënderbeut’. Dukej sikur ata kërkonin t’i përcillnin Korçës, një mesazh: ‘Jemi ne, pa jeni ju’! Kjo ndodhi në shtator të vitit 1970, kur ‘Skënderbeu’ fitoi 1-0 kundër ‘17 Nëntorit’. Një javë më parë Tirana, kishte marrë një barazim me ‘Ajaksin’ e Krojfit. Tre skuadrat e mëdha të Tiranës, po i druheshin fuqisë së ‘Skënderbeut’. Ndiheshin të shqetësuara.
(Nga viti 1971-72 ekipi u drejtua nga Petro Mile dhe nga viti 1973-’75, nga dyshja T. Vaso dhe A. Deliu). Kur ky ekip, në kampionatin e vitit 1976-1977, po shkonte drejt titullit kampion, publicisti B. Dizdari shkruante: ‘Buja është e pranueshme në qarqet e Tiranës, tepër e frikshme në forcën e saj. I gjithë kryeqyteti ngre krye kundër Korçës, çdo shkrim gazete kishte diskutime pa fund, kërcënime, ngacmime, telefonata, letra anonime, madje gazeta ‘Bashkimi’ reziston me kurajo’.
Ndeshja me ‘17 Nëntorin’ po afronte. Ndihej në ajër se diçka do të ndodhte. Dhe dita erdhi. Ishte 19 janar i vitit 1977. Korça shkoi në Tiranë, për t’u ndeshur me ‘17 Nëntorin’. Ajo që pritej, ndodhi. Ndeshja u kthye në një skandal të vërtetë. Pushtetarët kërkonin me çdo kusht fitoren e ‘Tiranës’. E ardhmja e ‘Skënderbeut’ tashmë’ do të ishte edhe më e vështirë”.
“Skënderbeu”, gjyq me FSHF-në
“Pushtetarët e Tiranës të shqetësuar nga hovi që kishte marrë Korça gjatë viteve 1976-‘77, vijonin t’i shkaktonin pengesa e vështirësi gjatë zhvillimit të ndeshjeve. Drejtimin e skuadrës e kishte marrë Aleko Pilika, qendërsulmuesi i rrallë i ‘Skënderbeut’. Ai i kishte sjellë lojës befasinë. Kaçi-Ballço- Xhambazi- Kërçiçi, ishin kuarteti i kampionatit. Rreth tyre Dembo, Qiriazi, Muhaxhiri, Tole, Lika, Floqi, në mbrojtje, Foto Avramushi, Prifti, Thimio, në mesfushë, Lubonja, Toshi, në sulm plotësonin portretin e paharrueshëm të ‘Skënderbeut’ të vitit 1977.
‘Skënderbeu’ ishte nën kampionia e madhe e A. Pilikës, e Jani Kaçit, e Dh. Xhambazit, e M. Kërkiçit. Po të mos kishte qenë ‘Dinamo’, ‘Skënderbu’ do të kishte titullin e dytë kampion, por ekipi u bë edhe finalist i Kupës së Republikës. E megjithatë, ‘Skënderbeun’ po e lodhnin vështirësitë që i krijoheshin. Trajneri Aleko Pilika dhe ndihmësi i tij, Kosta Koça, nuk mund të qëndronin të heshtur. Për këtë arsye gjatë kampionatit 1980-’81, ‘Skënderbeu’ bëri gjyq sportiv me FSHF-në. Në atë gjyq morën pjesë përfaqësues nga gjithë organizmat sportive përkatëse. Përfaqësuesit e ‘Skënderbeut’, sollën fakte dhe argumente për atë çka po ndodhte, por nuk u zgjidh asgjë.
Pala tjetër nuk ishte në gjendje të kundërshtonte me argumente, por nuk mundej të aprovonte. E tillë ishte koha. Gjithsesi futbolli i qytetit të Korçës, vazhdoi pa ndërprerje traditën e shkëlqyer të rezultateve dhe lojërave dinjitoze, nga ekipet e të rinjve dhe para të rinjve. Tato Bimbli, dominoi kampionatin e të rinjve, për 3 vjet rresht, duke u bërë tre herë kampion për vitet 1951,’52 dhe ‘53. Petro Mele, e solli titullin kampion për të rinj në Korçë, gjatë vitit 1958. Dy trajnerët, Todo Vaso dhe Maksim Tuxhari, në 4 vjet, shpallën ekipin e të rinjve ‘Skënderbeu’ tre herë nën kampion kombëtar, gjatë viteve 1975-1978.
Disa vjet të rinjtë korçarë, me trajnerët K. Koça dhe Z. Çela, u kualifikuan në vend të tretë dhe të katërt. Prurjet e elementit për ekipet në fjalë, u bënë nga trajnerët T. Veriga, T. Vaso, K. Koço, R. Çingo, Z. Çela, Gj. Avramushi, Gj. Kushe, S. Lubonja, B. Baçe, R. Mile, Gj. Rapo, P. Stefa, dhe Beni Beta. Tradita e futbollit korçar, nuk mund të humbiste. Në dekadën e viteve ’80-të, në skuadrën e ‘Skënderbeut’ u aktivizuan lojtarët; Gj. Kushe, D. Kushe, Gj. Pilkati, V. Bakiu, A. Hoxha, E. Bashllari, A. Gura, N. Andoni, Gj. Prifti, R. Kallço, I. Terpo. I. Papa, A, Sotiri, S. Xhambazi, Gj. Thimio. A. Balli, R. Liço. F. Kosti, etj.”
Ata lavdi Korçës i dhanë
“Dëshiroj të them edhe diçka tjetër, – thotë Todo Vaso: “ Ja çfarë shkruan për sportistët e Korçës, gazetari i njohur, Besnik Dizdari: Pas luftës, ‘Skënderbeu’ është personifikim i Koçes, G. Larës, Qirinxhiut, M. Ndinit, S. Lubonjës, Çelës, Miles, M. Tuxharit, Prodanit, Dvoranit, Pilikës, e Raqi Piskut, të cilët vetëm luftuan të mbanin një traditë.
‘Skënderbeu’ është i Todo Vasos, legjendës së Kombëtares së Shqipërisë, stoikut të paharrueshëm të ndeshjes ndaj gjermanëve; është i A. Pilikës, qendërsulmuesit ndër më modernët e Shqipërisë, njeriu që e bëri Korçën sfiduese të ‘77-ës. ‘Skënderbeu’ është i Koço Dinellës, portierit gjigant të Shqipërisë, por edhe i papërkulshmëve Dembo e Shule. ‘Skënderbeu’ është i Jani Kaçit, i portierit më elegant të futbollit shqiptar.
‘Skënderbeu’ është i Dhimitraq Xhambazit e Milutin Kërçiçit, modernët e fundit të Korçës. ‘Skënderbeu’ është i Shqipërisë, pjesë e ndritur e futbollit kombëtar. Traditën e Korçës, – vijon të tregojë Todo Vaso, – do ta vazhdonin lojtarët Gilman Rrapo, Renato Rrapo, A. Tytka, D. Xhemo, C. Stratobërdha. H. Shkurti, A. Vaso, S. Xheka, B. Kadiu, L. Bimo, R. Dembo, etj.”
Jo pa krenari, Todo Vaso kujton edhe diçka tjetër: “Klubi i ‘Skënderbeut’ është përfaqësuar me ekipet kombëtare në të gjitha moshat e ekipeve përfaqësuese, me T. Vason, K. Dinellën, J. Kaçin, me Ibron, A. Pilikën, T. Dembon, M. Kërçiçin, B. Shkëmbin, T. Osmaninn me ekipin kombëtar të Shqipërisë, me Shpresat Dh. Xhambazi, M. Kërçiçi. Gj. Avramushi, D. Kushe, G. Rrapo, Gj. Kushe, G. Liçi, etj. Korça pret shumë prej ‘Skenderbeut’”. Me këto fjalë e përfundonte rrëfimin e tij ‘Mjeshtri i Merituar’ i sportit, legjenda Todo Vaso, i lindur në Korçë, më 15 shtator të vitit 1941. Memorie.al